ATV

Blog

  • Krasniqi thirrje për protestë në Strasburg më 16 nëntor: Të ngrihet zëri për drejtësi dhe dinjitet

    Krasniqi thirrje për protestë në Strasburg më 16 nëntor: Të ngrihet zëri për drejtësi dhe dinjitet

    Më 16 nëntor, në ora 13:00 në Strasburg do të mbahet protesta e radhës në mbështetje të UÇK-së.

    Mbështetje këtij organizimi i dha edhe ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se të dielën të gjitha rrugët çojnë në Strasburg, duke ju bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje.

    Postimi i plotë:

  • Nga 120 në 150 euro, Kurti njofton ekzekutimin e pensioneve

    Nga 120 në 150 euro, Kurti njofton ekzekutimin e pensioneve

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se sot janë ekzekutuar pensionet bazike dhe ato për personat me aftësi të kufizuara.

    Në një postim në Facebook, Kurti ka rikujtuar se qeveria e tij mori vendim për rritjen e pensioneve rreth dy javë më parë:

    “Nga ky muaj, pensioni minimal prej 120 euro bëhet 150 euro në muaj.”

    Ai shtoi: “Kurse sot me rritjen e paraparë janë ekzekutuar pensionet bazike dhe pensionet për personat me aftësi të kufizuara.”

    Sipas Kurtit, rritjen ekonomike dhe të buxhetit të shtetit po e rishpërndajmë me ata që kanë më së shumti nevojë.

  • Kjo nuk është shaka: Tualeti prej ari pritet të shitet për 10 milionë dollarë

    Kjo nuk është shaka: Tualeti prej ari pritet të shitet për 10 milionë dollarë

    Në ankandin e “Sotheby’s” në New York më 18 nëntor, do të gjendet një tualet prej ari, një vepër e quajtur “Amerika”, dhe pritet të arrijë çmim prej 10 milionë dollarësh.

    Tualeti me peshë 100 kilogramë dhe i bërë nga ar i pastër 18 karatësh është vepër e Maurizio Cattelanit, një artist italian i njohur për veprat satirike dhe provokuese, transmeton Koha.net. Më e famshmja është “Komediani”, një banane e ngjitur në mur që u shit për 6.2 milionë dollarë.

    “Sotheby’s” pret që tualeti prej ari ta kalojë këtë shifër në ankandin e 18 nëntorit. Ofertat do të fillojnë nga afërsisht 10 milionë dollarë, megjithëse numri i saktë do të përcaktohet nga çmimi i arit atë ditë, dhe shtëpia e ankandit pret që çmimi përfundimtar ta kalojë këtë shifër, sipas Kelly Crow të Wall Street Journal.

    Tualeti prej ari plotësisht funksional është një satirë e pasurisë dhe vë në pikëpyetje atë që e konsiderojmë të shenjtë. U krijua në vitin 2016 dhe iu shit një koleksionisti privat vitin pasardhës.

     

  • Era Istrefi shfaqet mahnitëse, nxit​ dyshime për projekt të ri

    Era Istrefi shfaqet mahnitëse, nxit​ dyshime për projekt të ri

    Era Istrefi ka befasuar ndjekësit me dy paraqitje të fuqishme dhe tejet glamuroze, të cilat i publikoi së fundmi në rrjete sociale.

    Fotografitë duken qartë se janë bërë në një ambient studiosh, duke ngritur dyshime se këto mund të jenë prapaskena nga një projekt i ri muzikor apo vizual.

    Në paraqitjen e parë, Era shfaqet me një fustan të zi elegant, me një prerje të theksuar anësore që thekson siluetën e saj dhe i jep një pamje moderne e provokuese.

    Flokët i ka të stiluar në valë, ndërsa grimi është i sofistikuar, me tone neutrale dhe theks te sytë dhe buzët.

    Në setin e dytë të fotografive, këngëtarja shfaqet me një fustan ngjyrë të kaltër të çelët dhe detaje të tejdukshme që krijojnë një estetikë eterike.

    Pozat e saj brenda një strukture rrethore prej betoni janë artistike dhe moderne, duke reflektuar dritën e artë të diellit që e ndriçon në mënyrë perfekte.

    Dy paraqitjet e reja të Erës sugjerojnë se ajo është në përgatitje e sipër të diçkaje të madhe ndoshta videoklip, xhirime projekti, duke i bërë fansat edhe më kuriozë për lëvizjen e radhës së artistes. /Telegrafi/

     

  • 4 të vrarë nga sulmet ruse në Kiev, qyteti u godit me dronë dhe raketa

    4 të vrarë nga sulmet ruse në Kiev, qyteti u godit me dronë dhe raketa

    Rusia kreu të martën një sulm masiv me 430 dronë dhe 18 raketa ndaj Kievit, duke goditur objekte të energjisë, ndërtesa banimi dhe infrastrukturë, ku u raportuan katër viktima dhe dhjetëra të plagosur, sipas zyrtarëve ukrainas.

    Presidenti Volodymyr Zelensky tha se sulmi ishte ndër më të mëdhatë ndaj kryeqytetit dhe bëri thirrje për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë. Ai shtoi se Kievi po kundërpërgjigjej me raketa me rreze të gjatë. Forca ajrore ukrainase njoftoi se shumica e dronëve dhe raketave u rrëzuan, por mbetjet që ranë shkaktuan dëme në ndërtesa shumëkatëshe, një shkollë, një objekt mjekësor dhe ndërtesa administrative në nëntë distrikte.

    Anastalia, një banore 29-vjeçare, përshkroi tmerrin e momentit kur blloku i saj u godit: “Në atë moment, nuk dini se çfarë të bëni së pari: ta shpëtoni veten, fëmijën, apo të vraponi për t’i ndihmuar njerëzit, sepse shumë njerëz po bërtisnin dhe kishin nevojë për ndihmë.”

    Zelensky gjithashtu tha se Ambasada e Azerbajxhanit u godit nga mbetjet e një rakete ruse të tipit “Iskander”. Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, raportoi 29 të lënduar në qytet, përfshirë dy fëmijë dhe një grua shtatzënë që po trajtohej në spital. Guvernatori i Rajonit të Kievit njoftoi se sulmet shkaktuan gjashtë të lënduar jashtë kryeqytetit, përfshirë një fëmijë 7-vjeçar, dhe disa zjarre.

  • Kylian Mbappe i lumtur pas arritjes së shifrës 400 Golave në karrierë

    Kylian Mbappe i lumtur pas arritjes së shifrës 400 Golave në karrierë

    Ylli francez Kylian Mbappe po vazhdon të shkëlqejë në të gjitha garat,pa marrë parasysh qoftë në klub apo kombëtare.

    Mbappe shënoi dy gola në fitoren e Francës kundër Ukrainës në kualifikimet për botërorin e vitit 2026,duke arritur kështu shifrën e 400 golave të realizuara në karrierë.

    Përndryshe francezi pas ndeshjes kundër Ukrianës ka deklaruar se shifrat e tilla nuk iu bëjnë përshtypje,dhe nëse po atëherë do të mund të arrinte edhe 400 gola të tjera.

    Kujtojmë që Kylian Mbappe ka shënuar për shumë klube si Monaco,PSG dhe Real Madrid,teksa për Kombëtaren e Francës realizoi plotë 55 gola.

  • Erëza Suka shkëlqen në “The Voice of Germany”, një hap afër gjysmëfinales

    Erëza Suka shkëlqen në “The Voice of Germany”, një hap afër gjysmëfinales

    Erëza Suka, vajza e ish-futbollistit të njohur të Ballkanit dhe Shkëndijës së Tetovës, Bekim Suka, po ngjitet me hapa të sigurt në skenën e muzikës gjermane. Me origjinë nga Suhareka, por e lindur e rritur në Perëndim, ajo po dëshmon talent të jashtëzakonshëm në spektaklin prestigjioz “The Voice of Germany”.

    Në paraqitjen e saj të fundit, Erëza bindi jurinë me interpretimin e fuqishëm dhe siguroi një vend vendimtar në garë. Sot, ajo përballet me një sfidë të re, e cila nëse e kalon me sukses, do ta dërgojë drejt gjysmëfinales së madhe.

    Në këtë fazë të garës mbeten vetëm 16 konkurrentë, përfshirë tetë këngëtarë të afirmuar me karrierë të konsoliduar, çka e bën garën edhe më të fortë.

    Mbështetja për Erëzën është rritur ndjeshëm, sidomos nga komuniteti shqiptar në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe diasporë, të cilët po e shohin atë si një përfaqësuese të denjë të talentit shqiptar në një prej skenave më të mëdha muzikore në Evropë.

    Sot në mbrëmje pritet performanca e saj vendimtare, që mund ta çojë një hap më afër finales së “The Voice of Germany”.

  • Dënohet me 25 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e Sokol Osmanit në Gjilan

    Dënohet me 25 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e Sokol Osmanit në Gjilan

    Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 25 vjet burgim Valmir Salihun, të akuzuarin për vrasjen e Sokol Osmanit në nëntor të vitit të kaluar.

    Salihu është dënuar për shkak të veprave penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    Sipas Gjykatës, vrasja kishte ndodhur për shkak të një konflikti që viktima dhe dorasi kishin në të kaluarën.

    “Me datë 07.11.2024, rreth orës 14:00 h, i akuzuari V. S. në Gjilan, në rrugën ,,Mërgimtarët e Gjilanit”, në parkingun e objektit banesor ,,Gëzimi 3”, përball lokalit berber shop ,,Donisi”, me dashje e në shenjë hakmarrje për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy viteve, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin S. O., nga fshati Vërbicë, Komuna e Gjilanit, në atë mënyrë që me të arritur me biçikleta të pandehurit V. S. dhe F. M., përballë lokalit berber shop “Donisi”, aty i pandehuri V. e vëren të ndjerin S., i cili ishte duke hyrë në veturë, me ta vërejtur përnjëherë e repetit revolen e prodhimit “Zoraki”, modeli M-917-T, e kalibrit 9×17 mm, me numër serik A3YZR16YS01-2303343, i ofrohet afër dhe me një predhë e godet të ndjerin S., në anën e pasme të shpinës (komblikut), me ç’rast i ndjeri rrëzohet në tokë, e derisa ishte i rrëzuar, ofrohet i pandehuri V., e godet dy herë me grusht dhe një herë me shqelm, e më pas të pandehurit me shpejtësi largohen në drejtim të panjohur, derisa i ndjeri S. O. ndërron jetë”, thuhet në vendimin e Themelores.

    Përpos Valmir Salihut, gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar edhe Florian Mitevin.

    Ai është dënuar me 8 vjet burgim për shkak se e kishte ndihmuar Salihun pasi kishte përfunduar veprën penale duke e strehuan në një shtëpi në Livoç.

    “I akuzuari F. M. nga data 07.11.2024 e deri më datë 12.11.2024, në Gjilan, në vende të ndryshme me dashje ka ndihmuar të pandehurin V. S. në fshehjen – mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë, në atë mënyrë që edhe për kundër asaj që ishte prezentë kur i pandehuri V., shtënë një herë me revole në të ndjerin S. O., e të cilin edhe e godet me grusht dhe shqelm derisa tani i ndjeri ishte i rrëzuar në tokë, dy të pandehurit së bashku me biçikleta në shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes, shkojnë në shtëpinë e pa banuar i lënë biçikletat, dalin së bashku hipin në një taksi, shkojnë tek rrethi i spitalit rajonal, aty zbresin e më pas hipin prapë në një taksi tjetër dhe shkojnë në drejtim të fshatit Livoç i Ultë, me ç’rast aty rrinë të fshehur deri me datë 12.11.2024, kur dorëzohen në polici, në këtë mënyrë i pandehuri F., e ka ndihmuar të pandehurin V. në fshehjen e tij”, thuhet në vendimin e themelores.

    Sokol Osmani, 37-vjeçar, ishte qëlluar për vdekje më 7 nëntorit të vitit të kaluar në Gjilan.

  • Emri i Lajçakut figuron në dosjet e publikuara të Epstein, çfarë diskutoi me të, mediat sllovake publikojnë email-at

    Emri i Lajçakut figuron në dosjet e publikuara të Epstein, çfarë diskutoi me të, mediat sllovake publikojnë email-at

    Komisioni i Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA publikoi të mërkurën një arkiv gjigant prej 20.000 faqesh dokumentesh, të cilat pretendohet se përmbajnë komunikime nga financuesi amerikan dhe i dënuari për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

    Sipas mediumit sllovak SME, që ka analizuar një pjesë të materialit, mes dokumenteve shfaqen edhe email-e që duken si komunikime të drejtpërdrejta midis Epstein dhe diplomatit sllovak Miroslav Lajçak, të datuara në vitin 2018.

    Autenticiteti i tyre nuk është konfirmuar nga burime të pavarura dhe në asnjë prej mesazheve nuk përmenden aktivitetet kriminale të Epstein.

    Bannon, një darkë e propozuar dhe përmendja e “Miro Lajçak”

    Një email që qarkulloi fillimisht në rrjetet sociale tregon një komunikim mes ish-strategut të Donald Trump, Steve Bannon, dhe Epstein. Në mesazhin e 15 marsit 2018, Epstein përmend emrin “Miro Lajçak” dhe komenton se “qeveria në Sllovaki po bie”.

    Data përkon me zhvillimet dramatike të asaj dite, kur presidenti Andrej Kiska pranoi dorëheqjen e qeverisë së Robert Ficos pas protestave të mëdha që pasuan vrasjen e gazetarit Ján Kuciak dhe të fejuarës së tij Martina Kušnírová.

    Megjithatë, nuk ka asnjë provë që Lajçak të ketë qenë i ftuar apo të ketë marrë pjesë në ndonjë takim me Bannon ose Epstein.

    Një shkëmbim i çlirët për gjendjen mendore të Trump

    SME raporton se ka gjetur edhe një tjetër komunikim, të datës 24 mars 2018, ku Epstein i dërgon Lajçakut një artikull të Daily Beast me titullin:
    “Sa afër është Donald Trump një thyerjeje mendore?”

    Përgjigjja e atribuohen Lajçakut thuhet se ishte:
    “Faleminderit! Mendoj se dëgjuam mjaftueshëm prova për këtë temë sot.”

    Edhe pse adresa e dërguesit është e redaktuar, nënshkrimi automatik tregon një email zyrtar të Ministrisë së Jashtme sllovake.

    Toni i komunikimit duket i çlirët dhe nuk përmban asnjë element që lidhet me veprimtari të paligjshme. Deri tani, Lajçak nuk ka komentuar publikisht për këto dokumente.

    Konteksti më i gjerë: trashëgimia e errët e Epstein

    Jeffrey Epstein, i dënuar prej kohësh për abuzim të të miturve dhe trafikimin e tyre tek persona të pasur e të fuqishëm, u arrestua në korrik 2019 dhe vdiq në një burg të Nju Jorkut një muaj më vonë—zgjidhur zyrtarisht si vetëvrasje. Publikimet e reja kanë rigjallëruar interesin rreth rrjetit të tij të gjerë të kontakteve në SHBA dhe Europë.

  • Studimi: Nisja e punës para orës 8 mund të dëmtojë shëndetin dhe ul produktivitetin

    Studimi: Nisja e punës para orës 8 mund të dëmtojë shëndetin dhe ul produktivitetin

    Një studim i fundit ka ngritur shqetësime serioze mbi nisjen e punës para orës 08:00 të mëngjesit. Edhe pse për disa duket mënyrë për “të fituar kohë”, psikologët dhe ekspertët e gjumit paralajmërojnë se kjo praktikë mund të shkaktojë dëme të ndjeshme në shëndet dhe performancë. Disa prej tyre, të intervistuar nga Newsweek, theksojnë se shumica e njerëzve nuk janë biologjikisht të përshtatur për të filluar punën kaq herët.

    Psikologia e gjumit, Jessica Meers, shpjegon për “Newsweek” se ritmi cirkadian i shumicës së individëve favorizon zgjimin midis orës 07:00–08:00. Sipas saj, nisja e punës më herët krijon “mospërputhje cirkadiane”, duke ndikuar negativisht në vëmendje, reagim dhe produktivitet.

    Edhe psikologia e punës, Marie-Helene Pelletier, thekson rëndësinë e një periudhe tranzicioni pas zgjimit. Ajo paralajmëron se fillimi i menjëhershëm i punës rrit mjegullimin mendor për shkak të “inercïsë së gjumit” dhe madje mund të ndikojë edhe në cilësinë e përgjithshme të gjumit.

    Këto shqetësime mbështeten edhe nga hulumtimet shkencore. Një studim i vitit 2022 në Journal of Clinical Sleep Medicine zbuloi se puna me turne – e cila prish ritmet cirkadiane – lidhet me probleme serioze shëndetësore, përfshirë atakun në zemër dhe diabetin. Ndërsa një tjetër studim i vitit 2023 në Journal of Investigative Medicine raportoi se ndërprerja e ritmit cirkadian mund të rrisë rrezikun për kancer kolorektal.

    Sipas neuropsikologes Sanam Hafeez, oraret tepër të hershme dëmtojnë zakone thelbësore të mëngjesit, si ushtrimet dhe konsumimi i një vakti të shëndetshëm. Kjo, sipas saj, ul energjinë, rrit stresin dhe dëmton funksionet kognitive.
    Ajo shton:
    “Kur puna fillon herët, shumë njerëz kanë më pak kohë në mëngjes për zakone të rëndësishme, të tilla si ushtrimet fizike ose ngrënia e një mëngjesi të mirë. Anashkalimi i ushtrimeve fizike mund të çojë në ulje të energjisë dhe rritje të stresit gjatë gjithë ditës. Mungesa e një mëngjesi të shëndetshëm do të thotë që trupi dhe truri juaj nuk marrin karburantin që u nevojitet për të funksionuar mirë.”

    Ekspertët e shëndetit mendor paralajmërojnë se zgjimi tepër i hershëm rrit irritimin, stresin, ankthin dhe madje ndikon në marrëdhëniet sociale, duke shtuar ndjesinë e izolimit. Pelletier rekomandon një periudhë të shkurtër “ngrohjeje mendore”, si planifikimi i ditës, ushtrime të lehta ose meditimi, para se të fillojnë aktivitetet intensive të punës.