ATV

Blog

  • Rasti “Thaçi dhe të tjerët”, Clark vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në Speciale

    Rasti “Thaçi dhe të tjerët”, Clark vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në Speciale

    Ish-komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropën, Wesley Clark, i cili dje nisi dëshminë në Gjykatën e Hagës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, sot vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në Gjykatën Speciale.

    Gjenerali amerikan, Clark dje gjatë dëshmisë së tij ka folur për takimin që ka pasur me Hashim Thaçin gjatë negociatave në Rambuje. Ai tha se Thaçi nuk ishte komandanti ushtarak.

    Clark, deklaroi se gabimet e tjerëve nuk duhet t’i atribuohen Hashim Thaçit. Për këtë të fundit ish-gjenerali i NATO-s, beson se nuk ka pasur kontroll mbi njerëz që kanë kryer akte dhune.

    Gjenerali Clark pritet të jetë dëshmitari i fundit, pas së cilës procesi do të kalojë në fazën përfundimtare të përmbylljeve nga palët, përpara shpalljes së vendimit nga trupi gjykues.

    Pas përfundimit të kësaj dëshmie, të mërkurën, më 19 nëntor, do të mbahet Konferenca për ecurinë e çështjes. Seanca e planifikuar paraprakisht për të premten, më 21 nëntor, është anuluar.

  • Bedri Hamza zgjidhet Kryetar i ri i PDK-së

    Bedri Hamza zgjidhet Kryetar i ri i PDK-së

    Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur Konventën Zgjedhore, duke zgjedhur kështu Bedri Hamzën si Kryetar të ri të kësaj partie.

    Hamza ishte i vetmi kandidat për Kryetar të PDK-së. Votimi për zgjedhjen e tij ishte i hapur.

    Pas zgjedhjes si Kryetar Hamza tha se sot e mori një përgjegjësi të madhe e një detyrë që e pranon me nder e përkushtim.

    Ai i ka falënderuar delegatët për beismin e dhënë.

    “PDK vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët. Premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetarë që dëshiron të kontribuojë, do ta ndërtojmë frymën e bashkëpuniumit. Ne do të ecim përpara me përgjegjësi.”, tha ai.

    Zgjedhja e Bedri Hamzës si Kryetar i PDK-së vjen pas dorëheqjes së Memli Krasniqit të enjten e javës së kaluar.

  • George Clooney zbulon dështimin më të madh në karrierë: Mësova shumë nga ai film

    George Clooney zbulon dështimin më të madh në karrierë: Mësova shumë nga ai film

    Aktori i Hollywoodit, George Clooney, zbuloi së fundmi se nga cili dështim në jetë ka mësuar më shumë.

    Duke folur për mediat gjatë një interviste në grup në premierën e filmit të tij të fundit “Jay Kelly” në Los Angeles, aktori pranoi se filmi i vitit 1997 “Batman dhe Robin” ishte mësimi që mori në jetën e tij.

    “‘Batman dhe Robin’ Mësova shumë nga kjo. Nuk mëson nga suksesi – mëson nga dështimi, por pastaj duhet ta kuptosh gjatë rrugës, kështu që është e dobishme”, u përgjigj aktori 64-vjeçar.

    Filmi “Batman dhe Robin” dikur mori shumë kritika negative, fitoi 11 nominime për çmimin e ‘Mjedrës së Artë’, i cili jepet për arritjet ‘më të këqija të filmit’ dhe aktualisht ka një vlerësim të ulët në Rotten Tomatoes (11 për qind).

    Aktori i famshëm iu bashkua kritikëve që e kanë kritikuar performancën e tij si ‘Batman/Bruce Wayne’ dhe filmin “Batman & Robin” gjatë viteve.Në vitin 2019, Clooney pranoi se filmi ishte një “dështim” dhe ndikoi në punën që ai do të bënte në vitet në vijim.

    “Nuk isha i mirë në të, nuk ishte një film i mirë. Ajo që mësova nga ai dështim është se më është dashur të mësoj nga e para si të punoj”.

    “Tani nuk isha thjesht një aktor që po merrte një rol, isha përgjegjës për vetë filmin”, i tha ai The Hollywood Reporter në atë kohë.

  • Oscar-i i parë për Tom Cruise, aktori emocionon Hollywood-in me fjalimin e tij

    Oscar-i i parë për Tom Cruise, aktori emocionon Hollywood-in me fjalimin e tij

    Pas më shumë se tre dekadash karrierë dhe role ikonike, përfshirë skena të rrezikshme në serinë “Mission: Impossible”, Tom Cruise është vlerësuar për herë të parë me çmimin e Oscar-it.

    Aktori është nominuar më parë katër herë për çmimin më prestigjioz të kinemasë: për “Born on the Fourth of July” (1989), “Jerry Maguire” (1996), “Magnolia” (1999) dhe si producent për “Top Gun: Maverick” (2022).

    Në fjalimin e tij emocional, Cruise foli për ndikimin e kinemasë në jetën e tij:

    “Uria për aventurë, dije dhe njerëzimin më shtyu të tregoj histori. Kinemaja më hapi imagjinatën.”

    Ai shtoi se kinemaja “ndërtohet nga komunitetet”, dhe në fund të fjalimit i bëri të pranishmit me të cilët ka punuar të ngriheshin në këmbë:

    “Ju lutem dijeni se ju mbaj me vete, secilin prej jush, dhe ju jeni pjesë e çdo kuadri të çdo filmi që kam bërë ose do të bëj ndonjëherë.”

    Cruise gjithashtu u zotua të vazhdojë të mbështesë artin kinematografik dhe talentet e reja.

    Përveç Cruise, Akademia nderoi edhe figura të tjera me kontribute të jashtëzakonshme në art:

    Wynn Thomas, dizajner pionier i prodhimit të filmit, i njohur për punën në “Do The Right Thing”, “Malcolm X” dhe “A Beautiful Mind”.

    Debbie Allen, koreografe dhe aktore e njohur, e njohur për filmat dhe shfaqjet “Fame” dhe “Ragtime”.

    Dolly Parton, e vlerësuar për filantropinë e saj gjatë gjithë jetës, duke përfshirë Fondacionin Dollyëood dhe programin global të shkrim-leximit Imagination Library, që ka shpërndarë mbi 285 milion libra për fëmijët që nga viti 1995.

    Përveç karrierës muzikore, Dolly Parton është nominuar dy herë për Oscar me këngë origjinale për filmat “9 to 5” dhe “Transamerica”.

  • Bedri Hamza, i vetmi kandidat për Kryetar të PDK’së

    Bedri Hamza, i vetmi kandidat për Kryetar të PDK’së

    Bedri Hamza është i vetmi që ka shpallur kandidaturën për Kryetar të PDK’së.

    Fjalën para delegatëve në Konventën e 12-të të PDK-së, Hamza e ka filluar duke i falënderuar aktivistët dhe anëtarësinë e PDK-së për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira.

    “Sot është një prej atyre ditëve kur shpirti i PDK-së flet më shumë se çdo fjalë. Dhe unë, para jush, ndjej një peshë të madhe: peshën e përgjegjësisë. Përgjegjësinë ndaj sakrificës suaj, ndaj çdo ditë pune, çdo orë mundi e çdo sakrifice që keni bërë për partinë dhe vendin tonë. Ndjej përgjegjësi ndaj rrugës sonë të përbashkët, ndaj historisë që e kemi shkruar me punë e përkushtim dhe ndaj të ardhmes që po na pret. Ju falënderoj secilin prej jush, aktivistë të degëve, rininë e PDK-së dhe të gjitha strukturat, për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira. Ju keni qenë gjithmonë motori i PDK-së. Pa ju, asnjë sfidë nuk do të ishte përballuar. Pa ju, asnjë fitore nuk do të ishte arritur”, u ka thënë Hamza, strukturave dhe delegatëve të PDK-së.

    Ai ka thënë se si parti i kanë mbijetuar çdo goditjeje për një arsye të madhe.

    “A e dini pse?”, i ka pyetur Hamza të pranishmit.

    “Sepse, PDK është ndërtuar mbi sakrificë kombëtare dhe jo mbi interesa personale. Sepse, PDK ka lindur në përballje, në qëndresë, në sakrificë. Sepse, në ADN-në e saj ka gjurmët e lirisë, ka idealin e rezistencës dhe ka frymën e UÇK-së”, ka thënë Hamza.

  • Memli Krasniqi dorëzon mandatin si kryetar i PDK-së, bën thirrje për unitet dhe energji të re

    Memli Krasniqi dorëzon mandatin si kryetar i PDK-së, bën thirrje për unitet dhe energji të re

    Partia Demokratike e Kosovës ka nisur Konventën për zgjedhjen e kryetarit të ri, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.

    Në hyrje të Konventës Memli Krasniqi, pas 4 viteve e 4 muajve në krye të PDK-së ka falënderuar delegatët e Konventës që ia dhanë besimin në një prej periudhave më sfiduese në historinë e partis

    “Udhëtimi im si Kryetar filloi këtu dhe po përmbyllet këtu. Në të njëjtën skenë. Para të njëjtëve njerëz. Me të njëjtën dashuri për këtë parti dhe këtë vend. Këto 1600 ditë kanë qenë ditët më domethënëse të jetës sime publike. Sot largohem nga detyra me mirënjohje. Me krenari. Me paqe”, ka theksuar ai.

  • Etiopia konfirmon tre viktima nga virusi vdekjeprurës Marburg

    Etiopia konfirmon tre viktima nga virusi vdekjeprurës Marburg

    Autoritetet shëndetësore në Etiopi kanë konfirmuar të hënën tre vdekje nga virusi hemorragjik Marburg, një sëmundje jashtëzakonisht e rrezikshme që mund të jetë fatale deri në 88% të rasteve të infektuara.

    Ministrja e Shëndetësisë, Mekdes Daba, njoftoi se nga 17 raste të dyshuara të testuara në rajonin Omo, tre kanë rezultuar fatale. Shpërthimi u shpall zyrtarisht të premten, megjithëse aktualisht nuk raportohet për raste aktive. Ajo tha se qeveria po merr masa parandaluese për të frenuar përhapjen e virusit të ngjashëm me Ebolën.

    Në zonën e prekur është dërguar një ekip i përbashkët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), për të mbështetur testimin, gjurmimin dhe kontrollin e shpërthimit.

    Ndërkohë, Sudani i Jugut, i cili kufizohet me rajonin ku u raportua shpërthimi, lëshoi të dielën një këshillë për shëndetin publik, duke u kërkuar banorëve të katër qarqeve të shmangin kontaktin me lëngje trupore dhe të lajnë duart rregullisht.

    Drejtori i Përgjithshëm i Africa CDC, Jean Kaseya, e quajti situatën “shqetësuese”, duke theksuar se Sudani i Jugut ka një “sistem shëndetësor të brishtë”, gjë që mund ta bëjë më të vështirë kontrollin e shpërthimit nëse virusi përhapet përtej kufirit.

    Çfarë është virusi Marburg?

    Ashtu si Ebola, Marburg e ka origjinën tek lakuriqët e frutave dhe mund të përhapet midis njerëzve përmes kontaktit të ngushtë me lëngje trupore të të infektuarve ose sipërfaqe të kontaminuara, përfshirë çarçafët apo objektet personale.

    Simptomat përfshijnë:

    • ethe të larta

    • dhimbje muskujsh

    • diarre

    • të vjella

    • dhe në raste të rënda, gjakderdhje të brendshme ose të jashtme që mund të çojnë në vdekje.

    Aktualisht nuk ka vaksinë ose trajtim të autorizuar për virusin.

    Shpërthime të mëparshme

    Edhe pse të rralla, shpërthimet e Marburgut konsiderohen jashtëzakonisht serioze. Sipas OBSH-së, raste të mëparshme janë regjistruar në Ruandë, Tanzani, Guine Ekuatoriale, Angolë, Kongo, Kenia, Afrikën e Jugut, Ugandë dhe Ganë.

  • Murat Yakin para ndeshjes kundër Kosovës:Në futboll mund të ndodhë gjithçka

    Murat Yakin para ndeshjes kundër Kosovës:Në futboll mund të ndodhë gjithçka

    Trajneri i Kombëtares së Zvicrës Murat Yakin,ka folur në konferencën para ndeshjes Kosovë-Zvicër.

    Duke folur për një fitore të mundshme të dardanëve me rezultat 6:0 Yakin ka thënë se gjithçka është e mundur,por thotë se Zvicra do ta luajë lojën e vet siç ka bërë gjithmonë.

    “Çdo gjë është e mundur në futboll. Është në dorën tonë të vendosim. Dua që ekipi të jetë i fokusuar, dua të luajmë lojën tonë. Nuk po mendojmë për skenarët më të këqija. Ekipi ka mjaftueshëm kualitet. Duhet të luajmë lojën tonë dhe më pas jam i bindur se do të kemi rezultat të mirë”

    Përndryshe Yakin ka thurur lavde për lojën e Kombëtares së Kosovës,duke bërë të ditur se “Dardanët”ka bërë një kampanjë tejet të shkëlqyer gjatë kualfikimeve për botëror.

  • Viber vjen me një funksion të ri

    Viber vjen me një funksion të ri

    Aplikacioni Viber po sjell një funksion bazuar në inteligjencë artificiale që përmbledh përmbajtjen e një faqeje në internet direkt në biseda. Përdoruesit do të kenë mundësinë që menjëherë të njohin temat kryesore nga artikujt ose faqet e internetit pa e lënë bisedën aktuale. Me opsionin “AI përmbledhje linku”, përdoruesit do të kenë përmbledhje koncize të përmbajtjes së shpërndarë në Viber qoftë një tekst i gjatë, blog, postim apo raport.

    Funksioni gjithashtu përfshin përkthim automatik; nëse gjuha e aplikacionit Viber është vendosur në shqip, por linku është në anglisht, përmbledhja do të shfaqet në shqip. Sipas Rakuten Viber, kjo veçori është falas për të gjithë përdoruesit në biseda si grupe, komunitete, kanale apo biseda një‑me‑një. Teknologjia e AI‑përmbledhjes punon vetëm me linke nga interneti dhe kurrë nuk përpunon mesazhe private të përdoruesve.

    Nëse dyshoni se jeni bllokuar në Viber, ekziston një mënyrë e thjeshtë për ta kontrolluar. Aplikacioni kurrë nuk tregon një mesazh që e konfirmon këtë, por ka një opsion të fshehur në Viber që mund t’ju tregojë nëse dikush ju ka bllokuar. Mjafton të vini re disa detaje të vogla që ndryshojnë kur jeni bllokuar në Viber. Shenja e parë që jeni bllokuar në Viber është zhdukja e fotove të profilit të personit. Nëse më parë mund të shihni foton dhe tani në vend të saj shfaqet një siluetë gri, kjo është një tregues thuajse i sigurt që kontakti ju ka bllokuar.

    Sinjali i dytë është statusi i mesazheve. Kur jeni bllokuar në Viber, mesazhet tuaja duken sikur janë dërguar, por kurrë nuk marrin statusin “dërguar”. Në vend të dy shenjave të purpurt, mbetet vetëm një e vetme gri, pa marrë parasysh sa gjatë prisni. Ajo që shumë njerëz nuk e dinë është se konfirmimi përfundimtar fshihet në një opsion të fshehur brenda profilit të kontaktit në Viber. Nëse hyni në profilin e personit dhe shihni që opsioni “Thirr përmes Viber” është i çaktivizuar, kjo do të thotë që nuk mund të bëni thirrje sepse jeni bllokuar.

  • Vrasja e Martin Canit, Prokuroria kërkon 25 vite burg për autorin

    Vrasja e Martin Canit, Prokuroria kërkon 25 vite burg për autorin

    Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për të miturin Mario Përlleshaj që akuzohet për vrasjen e Martin Canit, duke kërkuar dënimin me 25 vite burg për veprën penale vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave.

    Por prokurorja Alma Felaj tha se e lë në vlerësimin e gjykatës dënimin përfundimtar duke i kujtuar kodin penal për të mitur përkatësisht nenin 97.

    Ky nen përcakton se dënimi në këto kushte nuk i kalon 12 vite, ç’ka do të thotë se nëse gjykata merr parasysh këto rrethana, autori i vrasjes së Martin Canit dhe plagosjes së Luis Meçja mund të dënohet me më pak se gjysma e dënimit fillestar, pra me 12 vite. Në seancën e ardhshme do të mbahen konkluzionet e mbrojtjes por edhe qëndrimi i palëve të dëmtuara.

    Kujtojmë se si pasojë e përleshjes mes të miturve mbeti i plagosur edhe vetë autori i dyshuar.

    Prej nëntorit të 2024, 14-vjeçari Mario Përlleshaj mbahet në institucionin e të miturve në Kavajë.

    Ngjarja e rëndë ndodhi pranë shkollës “Fan Noli” më 18 nëntor të vitit të kaluar. Vetëm disa ditë para krimit, adoleshentët ishin konfrontuar me njëri-tjetrin, dhe shkolla pretendoi se i kishte ballafaquar të miturit dhe pas kësaj ishin pajtuar, por në fakt, konflikti vijoi disa ditë më pas sapo fëmijët lanë ambientin e shkollës, ku u regjistruar disa metra larg saj edhe ngjarja e rëndë.