ATV

Blog

  • Zbulohet metoda e shpejtë që lehtëson dhimbjen e fytit në 15 sekonda

    Zbulohet metoda e shpejtë që lehtëson dhimbjen e fytit në 15 sekonda

    Dhimbja e fytit është shumë e zakonshme, veçanërisht në stinën e ftohtë, megjithëse zakonisht nuk është shkak për shqetësim.

    Mjeku Suraj Kukadia, i njohur për këshillat e tij shëndetësore në mediat sociale, ka zbuluar një metodë të thjeshtë që zgjat vetëm 15 sekonda për të lehtësuar dhimbjen pa shkuar në farmaci.

    Këshilla e tij mbështetet edhe nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor Britanik (NHS), i cili konfirmon se dhimbjet e fytit zakonisht zhduken vetë brenda një jave.

    Kukadia rekomandon gargarën me ujë të ngrohtë me kripë si një teknikë të shpejtë dhe efektive. Duhet të përzieni gjysmë luge çaji kripë me gjysmë gote ujë të ngrohtë dhe të bëni gargarë për 10 deri në 15 sekonda dhe pastaj ta pështyni. Sipas tij, kjo procedurë largon mekanikisht bakteret, viruset dhe një pjesë të qelbës, të cilat mund të lehtësojnë shpejt shqetësimin e fytit, raporton Daily Express.

    Pasi ndau këshillat e tij, shumë përdorues të mediave sociale komentuan se kanë luftuar me infeksione të përsëritura dhe lodhje për një kohë të gjatë pavarësisht antibiotikëve.

    Për të ndihmuar në lehtësimin e dhimbjes së fytit, rekomandohet gargara me ujë të kripur, pirja e shumë lëngjeve, ngrënia e ushqimeve më të buta, shmangia e tymit dhe pushimi i mjaftueshëm. Simptomat më të zakonshme përfshijnë dhimbje gjatë gëlltitjes, kruarje të fytit, skuqje, erë të keqe të gojës, kollë dhe gjëndra të fryra, ndërsa fëmijët mund të kenë gjithashtu ethe dhe të jenë më pak aktivë.

    Me disa hapa të thjeshtë, është e mundur të lehtësohet dhimbja e fytit dhe të ktheheni në aktivitetet e përditshme më shpejt.

  • Dita e vetëdijësimit për antibiotikë

    Dita e vetëdijësimit për antibiotikë

    Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) bashkë me autoritetet shëndetësore të të gjitha vendeve evropiane, ka inicuar nismën Dita Evropiane e Vetëdijesimit për Antibiotikët, që shënohet çdo vit me datën 18 nëntor. Kjo nismë u shënua disa herë në Kosovë.

    Një hulumtim në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar që imuniteti i pacientëve që marrin antibiotikë gjatë terapisë se jetojnë gjysmë më pak se sa ata që nuk përdorin këto lloj barnash.
    Pacientët e kancerit që kanë marrë antibiotikë gjatë imunoterapisë kanë jetuar më pak se ata që i kanë anashkaluar këto lloj barnash, kështu thotë një studim në Mbretërinë e Bashkuar i cili është bërë me më shumë se 300 njerëz.

    Hulumtuesit kanë thënë se është e rëndësishme të merren antibiotikë vetëm kur është shumë e nevojshme. Është po ashtu shumë e nevojshme që mjekët që i trajtojnë këta pacientë të këshillohen dhe bashkëpunojnë ngushtë me onkologët kur i trajtojnë këto raste.

    “Është e qartë se ne duhet të i trajtojmë infeksionet që rrezikojnë jetën me antibiotik” ka thënë një bashkë autor, Nadina Tinsley nga Christie NHS Foundation, ku edhe ky hulumtim është kryer.
    Ky hulumtim është prezantuar në Shoqatën Prestigjioze të Onkologjisë në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konferenca më e madhe vjetore e kancerit në botë.

    Hulumtuesit kanë përcjellë gjendjen e 303 pacientëve të cilët ishin duke ju nënshtruar trajtimit të kancerit me imunoterapi. Këto ilaçe punojnë duke e aktivizuar sistemin të trupit të njeriut kundër qelizave kancerogjene. Sidoqoftë, hulumtuesit besojnë se bakteret në sistemin digestiv luajnl një rol të rëndësishëm për të aktivizuar sistemin imunitar të trupit. Hulumtuesit i kanë përcjellë pacientët prej janarit të vitit 2015 deri në mars të vitit 2017 në Christie NHS Foundation. Këta pacientë kanë qenë të sëmurë me melanoma, kancer të mushkërive dhe kancer të veshkave.

  • 18-vjeçari kosovar aksidentohet rëndë në Francë

    18-vjeçari kosovar aksidentohet rëndë në Francë

    Raportohet se njëi ri kosovar në Francë ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi u përfshi në një aksident, në autostradën A36 në rajonin Jura, në Lavans-les-Dole, midis Dole dhe Besançon, të shtetit francez.

    Raporti tregon se tre persona mbetën të lënduar dhe mes tyre edhe D.S, 18-vjeçar nga Kaçaniku, i jeton me familjen e tij në Francë.

    Persona të afërt me familjen kanë bërë të ditur për Klanin se kosovari është në koma që nga mëngjesi i ditës së djeshme dhe po lufton me jetën.

    I riu dhe miqtë e tij u vetaksidentuan me makinë, pasi shoferi humbi kontrollin dhe doli nga rruga, duke e goditur mbrojtësen.

    Referuar policisë franceze, në vendin e ngjarjes dolën rreth 16 zjarrfikës për të ndërhyrë në rast, të cilët i gjetën dy nga të lënduarit në gjendje kritike për jetën.

    I lënduar rëndë ka mbetur shoferi, ndërsa pasagjeri i dytë thuhet të ketë lëndime më të lehta.

    Hetimi për aksidentin tashmë ka nisur nga autoritetet atje, që do të zbulojnë edhe shkaqet e rastit të rëndë.

  • SHBA do të përshpejtojë vizat për tifozët e Botërorit 2026

    SHBA do të përshpejtojë vizat për tifozët e Botërorit 2026

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se vendi do të përshpejtojë procesin e lëshimit të vizave për vizitorët e huaj që kanë bileta për ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit 2026, i cili do të zhvillohet në 11 qytete amerikane.

    Sipas Trump, Washingtoni do të krijojë një sistem të veçantë për caktimin e takimeve të intervistave për vizë, duke u dhënë përparësi tifozëve të futbollit që do të udhëtojnë në SHBA për të ndjekur ndeshjet nga 11 qershori deri më 19 korrik.

    Ndeshjet e Botërorit do të zhvillohen gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada.

    Duke folur nga Zyra Ovale, presidenti theksoi se agjencitë qeveritare kanë punuar “për të siguruar që tifozët e futbollit nga e gjithë bota të kontrollohen siç duhet dhe të kenë mundësi të hyjnë lehtësisht në SHBA verën e ardhshme”.

    Ai shtoi se administrata e tij tashmë ka përshpejtuar ndarjen e vizave për shumicën e vendeve, duke e ulur kohën e pritjes në më pak se 60 ditë.

    Trump vlerësoi se Botërori 2026 mund të sjellë rreth 30 miliardë dollarë të ardhura dhe të krijojë 200 mijë vende pune, duke e cilësuar ngjarjen si një mundësi të madhe ekonomike për vendin.

  • Ky është roboti luftarak ukrainas që mbrojti territorin për 45 ditë

    Ky është roboti luftarak ukrainas që mbrojti territorin për 45 ditë

    Roboti pa pilot, UGV, Droid TW 12.7 nën kontrollin e operatorëve të kompanisë NC13 të Brigadës së 3-të ukrainase zëvendësoi një nga pozicionet e këmbësorisë dhe e mbajti pozicionin për një muaj e gjysmë ndaj sulmeve ruse.

    Sipas një ushtari ukrainas, detyra e UGV-së me mitraloz ishte të kontrollonte një kryqëzim nga një vendbanim të caktuar, nga ku forcat armike lëviznin herë pas here.

    Çdo mëngjes, operatorët e çonin robotin në pozicion për detyrë luftarake dhe e kthenin atë në mbrëmje.

    Në total, detyrat zgjatën një muaj e gjysmë. Gjatë kësaj periudhe, Droid TW 12.7 përfundoi me sukses disa misione kundër armikut. Në fund, pushtuesit nuk ishin në gjendje të kalonin nëpër këtë zonë dhe mbetën nën sulme të vazhdueshëm nga UGV.

    Në përgjithësi, nëse flasim për UGV-të sulmuese si një mjet, mjete të tilla mund të mbështesin njësitë e këmbësorisë, si për t’i ndihmuar ato gjatë veprimeve sulmuese ashtu edhe për t’i mbuluar ato gjatë mbrojtjes. Domethënë, ato mund të lehtësojnë një pjesë të barrës nga këmbësorët”, ka treguar komandanti i kompanisë së UGV-ve sulmuese NC13.

    Sipas ushtarakut, po punohet gjithashtu për të përdorur jo vetëm një njësi të vetme, por grupe UGV-sh sulmuese me 2-4 dronë gjatë operacioneve të sulmit.

    Për të koordinuar një operacion të tillë, është e nevojshme që operatorët e dronëve të jenë “në të njëjtën vend dhe të jenë në gjendje t’i kontrollojnë të gjithë shpejt”.

    Droid TW 12.7 është një sistem robotik tokësor i prodhuar nga DevDroid, i cili është i armatosur me një modul luftimi me një mitraloz M2 Browning 12.7 mm.

  • Reshje të dendura shiu përfshijnë edhe Shqipërinë, përmbytje në Lezhë

    Reshje të dendura shiu përfshijnë edhe Shqipërinë, përmbytje në Lezhë

    Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Lezhën prej mesnatës kanë shkaktuar probleme të shumta, kryesisht në zonat urbane, raportojnë mediat në Shqipëri.

    Sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur të përballojë sasinë e madhe të prurjeve, duke sjellë përmbytje në bllokun e banimit “11 Janari” në lagjen “Besëlidhja”, si dhe në një sipërfaqe prej rreth 11.2 hektarësh.

    Niveli i ujit ka arritur deri në rreth 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve. Përmbytje janë raportuar edhe në disa segmente të aksit Lezhë–Shëngjin.

    Ndërkohë, në pjesën më të madhe të territorit raportohet edhe mungesë e energjisë elektrike për shkak të motit të keq. Ekipet e shërbimeve publike po punojnë për normalizimin e situatës.

  • Aksident i rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”, pesë të lënduar

    Aksident i rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”, pesë të lënduar

    Si pasojë e një aksidenti mes dy veturave në autostradën “Ibrahim Rugova”, janë lënduar pesë persona.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.

    Ai tha se të lënduarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

    “Policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në autostradë drejtimi Prizren-Vërmicë. Në aksident janë përfshirë dy vetura. Si pasojë e aksidentit, pesë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, tha Krasniqi.

  • Ishte në arrest shtëpiak, shqiptari vishet si grua për të rifituar lirinë, kapet nga policia

    Ishte në arrest shtëpiak, shqiptari vishet si grua për të rifituar lirinë, kapet nga policia

    Një përpjekje për të shmangur kontrollin policor si nëpër filma. 69-vjeçari Jorgo Hatia, banues në Strum të Roskovecit, i cili ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për dhunë në familje, u kap në rrugët e fshatit duke qarkulluar i veshur si grua, shkruan A2 CNN.

    Por, pavarësisht përpjekjes së tij të dëshpëruar për të shijuar lirinë, ai ka rënë në prangat e policisë së Fierit.

  • Shkrimtari që refuzoi parat e çmimit Nobel

    Shkrimtari që refuzoi parat e çmimit Nobel

    Shkrimtari George Bernard Shaw më 18 nëntor të vitit 1926, refuzoi të pranojë paratë për Çmimin Nobel që kishte fituar.

    Ai kishte thënë: “Unë mund t’a fal Alfred Nobelin për shpikjen e dinamitit, por vetëm një djalli në formë njeriu mund t’i kishte shkuar në mendje për të shpikur Çmimin Nobel”.

    Çmimi Nobel u themelua në vitin 1895 nga kimisti suedez Alfred Nobel (1833- 1896), autor i rreth 350 shpikjeve, por më i famshëm për shpikjen e dinamitit. Në vitin 1888, Alfred Nobel u befasua kur lexoi nekrologjinë e vet me titull “Vdiq tregtari i vdekjes”, në një gazetë franceze.

    Në fakt kishte vdekur vëllai i tij, Ludvig, por Alfredi i pakënaqur me përmbajtjen e shkrimit dhe i shqetësuar se si do t’a kujtonin kur të vdiste, vendosi të ndryshonte testamentin.

    Nobel ishte i interesuar personalisht për fiziologjine ose mjekesinë eksperimentale dhe në testament kërkoi që kur të vdiste, me pasurinë e tij të krijohej – krahas çmimeve për arritjet në Fizikë, Kimi, Letërsi dhe Paqe – edhe një çmim për Mjekësi. (Çmimi për Ekonomi u krijua vonë, më 1969, nga Akademia Suedeze e Shkencave për nder të Alfred Nobelit – dhe quhet Çmim Nobel, edhe sepse jepet në të njëjtën ditë me 5 çmimet e tjera Nobel).

  • Ekzekutohet me armë zjarri 44-vjeçari shqiptar në SHBA

    Ekzekutohet me armë zjarri 44-vjeçari shqiptar në SHBA

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e ditës së dielë në Michigan të SHBA-së pasi një 44-vjeçar shqiptar u vra me armë zjarri jashtë restorantit ku ai punonte.

    Një i dyshuar është marrë në paraburgim për ngjarjen, e cilat ndodhën në orën 9:38 të mbrëmjes në Prime 7 Bar & Restaurant, 635 Cooley Lake Road, në Commerce Township.

    Zyrtarët që mbërritën në vendngjarje identifikuan viktimën të shtrirë në një verandë jashtë restorantit. Viktima është identifikuar si Françesk Shkambi, 44 vjeç banues në Howell.

    Mjekët që arritën në vendngjarje filluan trajtimin dhe ai u transportua në një spital lokal, ku më vonë ndërroi jetë, sipas një njoftimi për shtyp nga zyra e sherifit.

    Shkambi ishte menaxheri i përgjithshëm i restorantit Prime 7.

    Burimet i thanë FOX 2 se Shkambi kishte marrë një telefonatë, kishte dalë nga restoranti dhe ishte qëlluar.

    Sherifi Michael Bouchard tha se i dyshuari dhe viktima e njihnin njëri-tjetrin për një periudhë kohore përpara se një mosmarrëveshje midis të dyve të përshkallëzohej në ngjarjen fatale. Shkambi u qëllua dy herë.

    Stafi dhe pronari i restorantit ishin të tronditur nga lajmi.

    “ Ai kishte zemrën më të madhe në të gjithë botën. Ai erdhi në këtë restorant ndërsa ne ishim drejt fundit dhe na ndërtoi dhe na bëri të gjithëve familje”, tha Alex Crawford.

    “Ai është si një vëlla i madh për mua. Ai ishte një gjigant i butë dhe do na mungojë shumë, kjo është e sigurt”, shtoi ajo.

    “Ai ishte si vëllai im”, tha Frank Gjura, pronari i Prime 7.

    Natyra e mosmarrëveshjes që çoi në të shtëna është ende e paqartë. Më shumë detaje pritet të pasojnë gjatë një seance gjyqësore.

    I dyshuari është një banor 65-vjeçar i Farmington Hills, i cili u dorëzua vetë. Ai u mbajt në Burgun e Qarkut Oakland.

    Bouchard shtoi se i dyshuari e rrëfeu krimin dhe arsyen pse qëlloi viktimën, por nuk dha detaje.

    Hetuesit gjithashtu gjetën një armë që ata besojnë se është përdorur gjatë vrasjes, një pistoletë 9 mm e cila u raportua e vjedhur, sipas autoriteteve.