ATV

Blog

  • Hotelet e 2030-s, luks në orbitën e Tokës

    Hotelet e 2030-s, luks në orbitën e Tokës

    Prototipet e para të hoteleve në hapësirë po marrin formë dhe shumë shpejt, ideja e pushimeve jashtë atmosferës së Tokës pritet të bëhet realitet. Sipas planeve të kompanive që po udhëheqin garën e turizmit hapësinor, hotelet e para orbitale do të jenë gati rreth vitit 2030. Dhomat me pamje mahnitëse drejt globit blu do të kushtojnë më pak se një superjaht luksoz, por do të ofrojnë një përvojë që asnjë vend në Tokë nuk mund ta rivalizojë.

    Ky koncept revolucionar, që deri dje dukej si një skenë nga filmat fantastiko-shkencorë, po kthehet në realitet falë zhvillimeve të jashtëzakonshme teknologjike. Projekti më i avancuar deri tani është ai i stacionit orbital Voyager, një strukturë rrotulluese që do të krijojë ndjesinë e gravitetit përmes forcës centrifugale, duke lejuar që vizitorët të ecin, të hanë dhe të flenë si në Tokë. Stacioni do të ketë hapësira për rreth 400 persona, duke përfshirë suita luksi, restorante, palestra, kinema dhe ambiente për relaksim e argëtim në zero gravitet.

    Një ditë në një hotel orbital do të jetë përtej imagjinatës. Të zgjohesh me pamjen e Tokës që ndriçon nga dritarja e dhomës, të pish kafenë duke parë lindjen e diellit që ndodh çdo 90 minuta për shkak të rrotullimit të stacionit, dhe të kalosh pasdite të tëra duke vështruar yjet pa asnjë pengesë nga atmosfera, kjo do të jetë rutina e re e pushimeve për ata që kërkojnë përvoja unike.

    Megjithatë, luksit të kësaj bote të re i paraprijnë sfida të mëdha. Kostoja e transportit në orbitë mbetet ende shumë e lartë, ndërsa trajnimi fizik i vizitorëve për udhëtimin hapësinor është një tjetër pengesë që po kërkon zgjidhje. Kompanitë private po punojnë për të ulur ndjeshëm çmimet përmes raketave të ripërdorshme dhe logjistikës së optimizuar.

    Nga ana tjetër, çështjet e sigurisë, mbrojtjes ndaj rrezatimit kozmik dhe mirëmbajtjes së kushteve të jetesës në hapësirë kërkojnë teknologji të nivelit më të lartë. Pavarësisht këtyre pengesave, interesi i investitorëve dhe i publikut është në rritje, ndërsa turizmi hapësinor po shihet si një treg që do të arrijë miliarda dollarë në dekadën e ardhshme.

    Në një kuptim më të gjerë, hotelet orbitale nuk janë thjesht një shenjë e luksit ekstrem, por edhe një hap drejt zgjerimit të pranisë njerëzore përtej Tokës. Ky zhvillim përfaqëson fillimin e një epoke të re ku arkitektura, inxhinieria dhe turizmi bashkohen për të krijuar destinacionet e para jashtëtokësore. Në të ardhmen e afërt, pushimet në orbitë mund të bëhen po aq të zakonshme sa udhëtimet në destinacionet ekzotike të planetit tonë.

  • Stuhi e fortë në Slloveni shkakton përmbytje dhe dëme të mëdha

    Stuhi e fortë në Slloveni shkakton përmbytje dhe dëme të mëdha

    Një stuhi e fuqishme me shi të rrëmbyeshëm ka goditur rajonin e Gorishkës në Slloveni, duke sjellë përmbytje, rrëshqitje toke dhe dëme në infrastrukturë. Situata më e rëndë është në Gorishka Brdë, por probleme janë raportuar edhe në komunat Kanal ob Soçi dhe Tolminsko.

    Sipas komandantit të shtabit rajonal të mbrojtjes civile, Sam Kosmaç, uji ka depërtuar në disa ndërtesa gjatë natës. Zjarrfikësit dhe mbrojtja civile kanë ndërhyrë rreth pesëmbëdhjetë herë, dhe operacionet e rikuperimit vazhdojnë.

    Disa rrëshqitje të vogla toke nuk kërcënojnë ndërtesat, por disa rrugë janë mbyllur. Për shembull, rruga rajonale Dobrovo – Neblo është e mbyllur për shkak të përmbytjeve, ndërsa trafiku në seksionin Solkan – Gonjaçe alternohet.

    Në Gorishkë, rrëshqitjet kanë bllokuar disa rrugë dhe një urë është shkatërruar. Dëme janë shkaktuar edhe në linjat e energjisë elektrike: në Vishnjevik, një shtyllë u rrëzua duke lënë rreth 200 përdorues pa energji, ndërsa në Shlovreç, 80 familje mbetën pa energji për shkak të një shtylle tjetër të rrëzuar.

  • “Drejtësi për Daorsën”, të dielën protestohet në Gjakovë

    “Drejtësi për Daorsën”, të dielën protestohet në Gjakovë

    Të dielën e 23 nëntorit, në parkun e qytetit në Gjakovë do të protestohet me thirrjen “Drejtësi për Daorsën”.

    Sipas organizatorëve me anë të kësaj proteste kërkohet hetim të plotë e transparent për dhunën ndaj Daorsa Spahijas. “Askush s’është mbi ligjin. Nuk do të heshtim”, thuhet në njoftim.

    Daorsa Spahija u gjet e vdekur në Tetovë, sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, hetimet e para thonë që është vetëvrasje.

    Familjarët e miqt kanë aluduar se Daorsa Spahija u shty në vetëvrasje e kërkojnë hetim mbi këtë çështje.

  • KRU “Prishtina”: Shmangni lëvizjet pranë lumenjve dhe kanaleve të ujërave

    KRU “Prishtina”: Shmangni lëvizjet pranë lumenjve dhe kanaleve të ujërave

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” thekson se sipas parashikimeve të motit dhe rritjes së nivelit të ujërave, ekziston rrezik i shtuar për vërshime në zonat e ulëta dhe pranë lumenjve gjatë orëve në vijim.

    KRU Prishtina njofton tutje për disa masa paraprake që qytetarët duhet t’i ndërmarrin si shmangien e lëvizjeve pranë lumenjve dhe kanaleve të ujërave.

    Njoftimi i KRU Prishtinës:

    Ju lutemi të ndërmerrni këto masa paraprake:

    Shmangni lëvizjet pranë lumenjve dhe kanaleve të ujërave.

    Mos parkoni automjetet në zona të ulëta ose të rrezikuara.

    Siguroni bodrumet dhe hapësirat e brendshme nga depërtimi i ujit.

    KRU” Prishtina” me të gjitha kapacitetet teknike dhe humane është në gjendje gatishmërie për t’u dal në ndihmë konsumatorëve.

    Ndiqni njoftimet zyrtare dhe udhëzimet nga institucionet përkatëse.

  • Komuna e Prishtinës anulon procesin mësimor si preventivë nga rreziku për vërshime

    Komuna e Prishtinës anulon procesin mësimor si preventivë nga rreziku për vërshime

    Procesi mësimor në të gjitha shkollat e Prishtinës është anuluar për ditën e sotme, si masë parandaluese ndaj rrezikut të shtuar për vërshime.

    Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, i cili tha se vendimi është marrë pas vlerësimit të situatës së rënduar atmosferike dhe vështirësive të paraqitura në qarkullim, përcjell Telegrafi.

    Shahini bëri të ditur se vendimi është marrë në koordinim të plotë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, si dhe me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike. Autoritetet komunale kanë vlerësuar se intensiteti i lartë i reshjeve dhe rreziku për vërshime paraqesin kërcënim për sigurinë e nxënësve.

    “Për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, kemi marrë vendimin që mësimi të mos zhvillohet sot. Ky është një hap preventiv për të garantuar sigurinë e fëmijëve”, thuhet në njoftim.

    Komuna ka falënderuar prindërit dhe komunitetin shkollor për mirëkuptimin dhe ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me rrezik të lartë meteorologjik.

  • Kosova sonte përballet me Zvicrën

    Kosova sonte përballet me Zvicrën

    Prishtina pritet të jetë në qendër të vëmendjes sonte, teksa kombëtarja e Kosovës përballet me Zvicrën në ndeshjen e fundit të kualifikimeve direkte për Kupën e Botës 2026.

    Dueli nis në ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku mijëra tifozë dardanë pritet të krijojnë një atmosferë të zjarrtë.

    Kosova e pret sfidën me 10 pikë në Grupin K, duke ndjekur Zvicrën lidere që numëron 13 pikë.

    Trajneri Franco Foda ka nënvizuar rëndësinë e një paraqitjeje solide dhe formën shumë të mirë të disa prej futbollistëve, me theks të veçantë te Fisnik Asllani, i cili po shkëlqen me gola dhe lëvizje vendimtare në hapësira të ngushta.

    Edhe pse matematikisht në garë për kualifikim të drejtpërdrejtë, një triumf 6:0 ndaj Zvicrës mbetet skenar i vështirë.

    Aktualisht, skuadra e Granit Xhakës mban kreun me 13 pikë, ndërsa Kosova ndodhet në vend të dytë me 10 pikë.

    Pavarësisht rezultatit të kësaj përballjeje, “Dardanët” e kanë të sigurt pjesëmarrjen në playoff, ku në mars 2026 do të synojnë biletën për në Botëror.

  • Si t’i humbni 10 kilogramë brenda dy jave me këtë dietë të çuditshme me limon

    Si t’i humbni 10 kilogramë brenda dy jave me këtë dietë të çuditshme me limon

    Ka shumë dieta të ndryshme që janë për humbje të peshës, mirëpo shumë pak prej tyre janë efektive

    Kjo është arsyeja se përse dieta me limon është bërë e famshme, për shkak se është shumë e thjesht dhe efektive.

    Çfarë duhet të bëni është të filloni mëngjesin me ujë limoni në stomak të zbrazët. Dieta e limonit është e përsosur për heqjen e toksinave nga trupi, si dhe humbjen e peshës njëkohësisht.

    Kjo dietë zgjatë 14 ditë, dhe gjatë kësaj periudhe organizmi do të pastrohet, si dhe do t’i humbni ca kile ekstra, transmeton Telegrafi.

    Programi:

    Çdo ditë duhet ta pini lëngun e limonit të përzier me ujë, por në sasi të ndryshme.

    Dita e parë:

    Pini lëngun e një limoni të shtrydhur me një gotë ujë të freskët.

    Dita e dytë:

    Pini lëngun e dy limonëve të shtrydhur me dy gota ujë të freskët.

    Dita e tretë:

    Pini lëngun e tre limonëve të shtrydhur me tri gota ujë të freskët.

    Dita e katërt:

    Pini lëngun e katër limonëve të shtrydhur me katër gota ujë të freskët.

    Dita e pestë:

    Pini lëngun e pesë limonëve të shtrydhur me pesë gota ujë të freskët.

    Dita e gjashtë:

    Pini lëngun e gjashtë limonëve të shtrydhur me gjashtë gota ujë të freskët.

    Dita e shtatë:

    Pini lëngun e tre limonëve të shtrydhur me dhjetë gota ujë të freskët. Gjithashtu, në këtë ditë duhet të shtoni një lugë gjelle mjaltë dhe ta pini pijen gjatë tërë ditës.

    Dita e tetë:

    Pini lëngun e gjashtë limonëve të shtrydhur me gjashtë gota ujë të freskët.

    Dita e nëntë:

    Pini lëngun e pesë limonëve të shtrydhur me pesë gota ujë të freskët.

    Dita e dhjetë:

    Pini lëngun e katër limonëve të shtrydhur me katër gota ujë të freskët.

    Dita e njëmbëdhjetë:

    Pini lëngun e tre limonëve të shtrydhur me tri gota ujë të freskët.

    Dita e dymbëdhjetë:

    Pini lëngun e dy limonëve të shtrydhur me dy gota ujë të freskët.

    Dita e trembëdhjetë:

    Pini lëngun e një limoni të shtrydhur me një gotë ujë të freskët.

    Dita e fundit, apo dita e katërmbëdhjetë:

    Pini lëngun e tri limonëve të shtrydhur me dhjetë gota ujë të freskët, por gjithashtu në këtë ditë duhet ta shtoni edhe një lugë gjelle mjaltë.

    Lëngu i përzier i limonit rekomandohet të pihet përnjëherë, pavarësisht se disa njerëz kanë vështirësi ta bëjnë këtë.

    Nëse nuk mund ta pini pijen përnjëherë në mëngjes, të paktën e pini herë pas here përgjatë mëngjesit, me rëndësi duhet ta pini të gjithën një orë para shujtës. /Telegrafi/

  • Reshje shiu në vend, Policia u bën thirrje shoferëve për kujdes

    Reshje shiu në vend, Policia u bën thirrje shoferëve për kujdes

    Policia e Kosovës ka lëshuar një apel për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, sidomos drejtuesit e automjeteve, që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të reshjeve të shiut dhe rrugëve të mbuluara me ujë.

    Sipas njoftimit, ndryshimi i kushteve atmosferike po krijon vështirësi në qarkullim, prandaj Policia kërkon:

    • Përshtatje të shpejtësisë me gjendjen e rrugës dhe kushtet e motit
    • Mbajtje të distancës së sigurisë mes automjeteve
    • Ngadalësim të lëvizjes, veçanërisht në segmente të mbuluara me ujë

    Policia u bën thirrje të gjithëve që të jenë të kujdesshëm, me qëllim të shmangies së aksidenteve dhe garantimit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

  • Rrebeshe shiu e bubullima – parashikimi i motit për sot, paralajmërohet për vërshime e përmbytje

    Rrebeshe shiu e bubullima – parashikimi i motit për sot, paralajmërohet për vërshime e përmbytje

    Sot parashikohet të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu, të cilat herë pas here lokalisht pritet të jetë në formë të rrebesheve. Ka mundësi të ketë ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

    Si pasojë e reshjeve intensive, veçanërisht në disa pjesë të Rrafshit të Dukagjinit, pritet të ketë vërshime.

    Në zonat e larta malore, konkretisht në zonën perëndimore, veriperëndimore, veriore dhe verilindore, pritet të ketë reshje bore.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme lokalisht, me shpejtësi prej 15-44 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 9 deri në 12°C, ndërsa ato maksimale prej 11 deri në 13°C. Ulja e temperaturave do të ndodhë fillimisht paradite në veri të vendit, ndërsa me kalimin e orëve gjatë ditës kjo ulje do të shtrihet gradualisht edhe në jug të vendit.

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka dalë me një apel për qytetarët pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik se në dy ditët e ardhshme mund të ketë vërshime dhe përmbytje.

    AME ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112, shkruan Reporteri.net.

    “Duke u bazuar në të dhënat e pranuara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, parashihet që gjatë datave 18–19.11.2025 në vendin tonë të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona pritet të jenë me intensitet të lartë. Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta dhe rritje të nivelit të ujërave në disa lokalitete. Agjencia e Menaxhimit Emergjent, bazuar në mandatin dhe misionin e saj, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante. Agjencia u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112”, thuhet në njoftim.

    Në njoftimin e IHMK’së thuhet se reshjet më intenstive dhe përmbytjet e mundshme të menjëhershme parashihet të jenë rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit dhe disa rrjedha me karakter malor.

    “Sasia e reshjeve më shumë se 40 1/m2/24h. Shkaktim i përmbytjeve, problemeve në të gjitha aktivitetet e prodhimtarisë bujqësore, probleme në trafik dhe rreziku i rrëshqitjeve të dheut dhe balte. Rrezik për jetën e njerëzve dhe kafshëve, dëmtime të pronës”, theksohet në paralajmërimin e institutit.

  • Vizitë zyrtare: Ministri gjerman i Jashtëm Wadephul mbërrin sot në Kosovë

    Vizitë zyrtare: Ministri gjerman i Jashtëm Wadephul mbërrin sot në Kosovë

    Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, do të mbërrijë sot për vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të turit të tij katërditor në gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor.

    Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada gjermane në Prishtinë, e cila ka konfirmuar se qëllimi kryesor i vizitës është diskutimi për rrugën europiane të Kosovës dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve.

    Vizita e kreut të diplomacisë gjermane vjen në një moment kyç për proceset integruese të Kosovës, ndërsa Berlini mbetet një nga mbështetësit më të fuqishëm të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

    Wadephul pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit institucionalë, ku do të trajtohen çështje të sigurisë, reformave dhe forcimit të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

    Ambasada gjermane në Prishtinë ka ftuar qytetarët që ta ndjekin vizitën, duke e cilësuar atë një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe dhe në procesin integrues të Kosovës.