ATV

Blog

  • Kërcënohet gjyqtari në Fushë Kosovë, arrestohet i dyshuari

    Kërcënohet gjyqtari në Fushë Kosovë, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar të hënën në Fushë Kosovë, nën dyshimin se ka kanosur një gjyqtar gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur të hënën rreth orës 14:32, në rrugën “Tahir Zemaj”. I dyshuari, një mashkull kosovar, dyshohet se ka kërcënuar gjyqtarin që po udhëhiqte procesin gjyqësor ndaj djalit të tij. Menjëherë pas kanosjes, ai është arrestuar nga njësitë policore të pranishme në gjykatë.

    Policia njofton se, me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe rasti po vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.

    Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera rreth motivit apo natyrës së kërcënimit, ndërsa hetimet pritet të zbardhin rrethanat e plota të ngjarjes.

  • Prishtina aktivizon Shtabin Emergjent për shkak të reshjeve të dendura të shiut

    Prishtina aktivizon Shtabin Emergjent për shkak të reshjeve të dendura të shiut

    Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë ka njoftuar qytetarët se për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, reshjeve të dendura të shiut dhe situatës së rënduar në qarkullimin rrugor, është aktivizuar Shtabi Emergjent i Kryeqytetit.

    Qëllimi është menaxhimi i situatës dhe garantimi i sigurisë publike.

    Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin me kujdes udhëzimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

    Çdo rast emergjent mund të raportohet në Qendrën Operative Emergjente të Kryeqytetit në numrat: 0800 122 33 dhe 0800 122 44.

  • Dogana dhe Policia godasin kontrabandën në Leposaviq, sekuestrohen mallra me vlerë rreth 7 mijë euro

    Dogana dhe Policia godasin kontrabandën në Leposaviq, sekuestrohen mallra me vlerë rreth 7 mijë euro

    Një automjet i ngarkuar me mallra kontrabandë është ndaluar dje pasdite në fshatin Junake të Leposaviqit.

    Njësitet e Doganës dhe Policisë kanë intervenuar pas identifikimit të veturës, e cila kishte shfrytëzuar rrugët e paautorizuara të vijës së gjelbër për të hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

    Gjatë kontrollit të detajuar fizik, brenda automjetit janë zbuluar rreth 600 kilogramë djathë, sasi të konsiderueshme tekstili dhe medikamente të ndryshme. Sipas vlerësimeve fillestare nga autoritetet, totali i këtyre mallrave të padeklaruara kap shifrën e përafërt prej 7 mijë eurove.

    Pas konstatimit të shkeljes, i gjithë malli është sekuestruar menjëherë dhe janë iniciuar procedurat përkatëse ligjore.

  • KB Bashkimi, për fitore dhe për kualifikim

    KB Bashkimi, për fitore dhe për kualifikim

    Sonte dhe nesër do të zhvillohen ndeshjet evropiane për klubet tona.

    Bashkimi dhe Trepça do të zhvillojnë takimet e fundit në grupe të FIBA Europe Cup, derisa GO+ Peja dhe Sigal Prishtina do të zhvillojnë përballjen e radhës në Ligën ENBL.

    Në fazën e ardhshme të FIBA Europe Cup, kualifikohet dhjetë vendet e para të grupeve dhe gjashtë vendet më të mira të dyta.

    Grupi J është i vetmi ku katër skuadra janë në garë për tu kualifikuar.

    Sonte zhvillohet përballja Dijon-Bashkimi nga ora 20:00. Dijon do të kualifikohej me një fitore ndaj prizrenasve, derisa do të eliminoheshin me një humbje. Portokallezinjtë që marrin pjesë për herë të parë do të mund të kualifikoheshin me një fitore dhe eliminoheshin me humbje.

    Nëse Bashkimi fiton ndaj Dijon-it dhe Reggiana mposht Cibonën, atëherë do të gjitha skuadrat do të kenë nga tri fitore e tri humbje, ku në këtë rast do të vendoset sipas Rregullave Zyrtare të Basketbollit.

    Dijon dhe Cibona kanë nga tri fitore e dy humbje, ndërsa Bashkimi dhe Reggiana nga dy fitore e tri humbje.

    Kampionia e Kosovës, Trepça do të ketë ndeshjet e fundit në grupe, ku është mysafir i Anwil-it në Poloni. Mitrovicasit në një grup të vështirë nuk kanë shënuar fitore nga pesë ndeshjet e zhvilluara, kurse ajo polake dy fitore e tri humbje. Ndeshja zhvillohet të mërkurën nga ora 18:30.

    GO+ Peja do të zhvillojë ndeshjen e katërt në grupe të Ligën ENBL, ku është mysafire e Dziki Warszawa. Verdhezinjtë kanë një fitore e dy humbje, derisa ajo polake dy fitore e një humbje. Takimi zhvillohet sonte nga ora 19:00.

    Mysafire do të jetë edhe Sigal Prishtina, që do të përballet të mërkurën me Manchester Basketball nga ora 20:00.

    Bardhekaltrit kanë tri fitore e një humbje, ndërsa Manchester ka dy fitore e dy humbje. /ATVLIVE.TV

  • Goditi me veturë policin pasi i shqiptoi gjobë, arrestohet një person në Gjakovë

    Goditi me veturë policin pasi i shqiptoi gjobë, arrestohet një person në Gjakovë

    Një person është arrestuar në Gjakovë gjatë pasdites të së hënës, pasi dyshohet se ka goditur me veturë një polic në rrugën “Skënderbeu”.

    Incidenti ka ndodhur menjëherë pasi zyrtari kishte shqiptuar një gjoBë për parkim të parregullt.

    Sipas Policisë, i dyshuari është revoltuar pas gjobës dhe e ka goditur në këmbë zyrtarin policor gjatë tentimit për t’u larguar.

    Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

    Ndërkohë, njësitet patrulluese kanë ndalur dhe arrestuar të dyshuarin brenda pak minutash.

    Pas intervistimit, dhe me vendim të prokurorit të rastit, personi është dërguar në mbajtje.

  • Fundi i një epoke: David Coverdale i thotë lamtumirë muzikës

    Fundi i një epoke: David Coverdale i thotë lamtumirë muzikës

    Pensionohet një nga zërat më unik të skenës së Hard Rock-ut

    Një nga zërat më unik dhe më shpërthyes të skenës së muzikës Hard Rock, David Coverdale, të enjten, e 13 nëntorit, ka njoftuar tërheqjen e tij nga muzika.

    74 vjeçari, me një karrierë mbresëlënëse që nga vitet e 70’ta dhe themeluesi i bendit “Whitesnake”, ka njoftuar pensionimin e tij nëpërmjet një video-mesazhi.

    “Vitet e fundit më është bërë shumë e qartë se është koha që unë të var këpucët dhe xhinset e mia të ngushta. Është koha që unë ta mbyll karrierën. Ju dua shumë, faleminderit të gjithëve që më kanë ndihmuar dhe mbështetur në këtë udhëtim të jashtëzakonshëm. Të gjithë muzikantët, ekipin, fansat, familjen, është e mrekullueshme, por është koha që unë të shijoj daljen time në pension dhe shpresoj se mund ta vlerësoni këtë. Edhe një herë, ju dua me gjithë zemër”, deklaroi Coverdale, i cili njihet për zërin e tij të fuqishëm me ngjyrim bluzi.

    Për gati tre vjet grupi “Whitesnake” nuk kishte performuar në asnjë eveniment live. Whitesnake u detyrua të anulonte datat e fundit të turneut të tyre evropian në qershor dhe korrik 2022. Kjo fillimisht për shkak të një sëmundjeje që preku kitaristin Reb Beach, më pas bateristin Tommy Aldridge, dhe së fundmi, vetë Coverdale, për shkak të një infeksioni të vazhdueshëm të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes (infeksion i sinuseve dhe trakesë)

    Pas anulimeve të koncerteve në Evropë, grupi u tërhoq plotësisht nga turneu i tyre në Amerikën e Veriut. Arsyeja ishte trajtimi i vazhdueshëm i Coverdale për infeksionin e vazhdueshëm të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, i cili ndikoi në aftësinë e tij për të performuar.

    Coverdale i cili në vitin 2016 u fut në listën e “Rock and Roll Hall of Fame”, gjatë karrierës së tij ka shitur mbi 40 milionë disqe.

    I njohur si një nga frontmen-ët më karizmatik në historinë e Hard Rock-ut, Coverdale fitoi njohje kombëtare më 1973, kur Deep Purple kërkonte një vokalist të ri pas largimit të Ian Gillan-it.

    Coverdale debutoi me albumin “Burn” (1974), që konsiderohet një nga më të mirët e grupit.

    Pas shpërbërjes së Deep Purple në 1976, Coverdale filloi karrierën solo.

    Në vitin 1978, Coverdale formoi Whitesnake, grupin që do ta shndërronte në një ikonë të hard rock-ut të viteve ‘80.

    Në vitin 1993, Coverdale bashkëpunoi me legjendën e Led Zeppelin, Jimmy Page, duke krijuar projektin Coverdale–Page.

  • I mituri raportohet i zhdukur në Prishtinë, nëna e denoncon pas tetë ditësh

    I mituri raportohet i zhdukur në Prishtinë, nëna e denoncon pas tetë ditësh

    Një djalë i mitur në Prishtinë është raportuar i zhdukur nga nëna e tij, e cila ka njoftuar Policinë se tash e tetë ditë nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

    Rasti është evidentuar në rrugën “Bill Klinton”, ku familjarët kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve.

    Sipas detajeve të raportit policor, i mituri ka dalë nga shtëpia më 10 nëntor dhe prej asaj dite nuk është kontaktuar.

    Ndërkohë, nëna ka raportuar rastin më 17 nëntor, e cila ka deklaruar se djali i saj nuk është kthyer që nga 10 nëntori dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij.

  • Alarm për martesën e Gentës? Detaji që po bën xhiron e rrjetit

    Alarm për martesën e Gentës? Detaji që po bën xhiron e rrjetit

    Ka disa muaj që përflitet se këngëtarja Genta Ismajli ka krizë në martesë.

    Mirëpo e gjithë kjo po del te jetë  e pa vërtetë.

    Me një postim në Instastory ajo vulosi që raporti i tyre është më i shëndoshë se kurrë.

    Ata ishin duke shijuar një mbrëmje romantike, duke shikuar një film.

    Në fokus kanë vënë këmbët e tyre të cilat janë të ngjitura për njëra-tjetrën.

     

  • Kina teston robotët-zjarrfikës

    Kina teston robotët-zjarrfikës

    Zjarrfikësit kinezë mund të pajisen së shpejti me robotë katërkëmbësh të krijuar për të ndërhyrë aty ku rreziku për njerëzit është tepër i lartë.

    Kompania Unitree Robotics ka zhvilluar modelin “B2 Fire Rescue”, një robot i specializuar që kombinon lëvizjen autonome me komandimin nga distanca.

    “B2 Fire Rescue” është projektuar të spërkasë ujë dhe shkumë, të transmetojë video në kohë reale dhe të funksionojë si zbulues zjarri në situata ekstreme.

    Ai është menduar të përdoret në raste kur ndërhyrja njerëzore është shumë e rrezikshme ose e pamundur.

    Gjatë testimeve në Sichuan, roboti u pajis me një zorrë me presion të lartë dhe me sukses drejtoi rrezen e ujit drejt burimit të flakëve.

    Operimi u krye tërësisht nga distanca, duke i mbajtur zjarrfikësit larg rrezikut.

    Modeli i ri është cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të operacioneve të shpëtimit, falë stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së tij.

    Unitree Robotics beson se përdorimi i robotëve të tillë mund të reduktojë rrezikun për zjarrfikësit.

    Në rrjetet sociale kineze, roboti ka tërhequr vëmendje të madhe.

    Ndërsa shumë e shohin si një arritje të rëndësishme teknologjike që mund të shpëtojë jetë, të tjerë mbeten të rezervuar, duke pyetur nëse pajisja mund të përballojë vërtet sfidat e misioneve realisht të vështira.

  • Pichai: Rritja e investimeve në AI është mbresëlënëse, por e rrezikshme

    Pichai: Rritja e investimeve në AI është mbresëlënëse, por e rrezikshme

    Shefi ekzekutiv i Alphabet, Sundar Pichai, ka paralajmëruar se asnjë kompani nuk do të mbetej e paprekur nëse flluska e inteligjencës artificiale do të shpërthente.

    Në një intervistë për BBC, ai tha se rritja e investimeve në AI është mbresëlënëse, por po shoqërohet edhe me një nivel “irracionaliteti”, duke rritur frikën për mbivlerësim të tregut.

    Aksionet e kompanive të AI-së janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, përfshirë Alphabet-in, i cili ka dyfishuar vlerën e tij në 3.5 trilionë dollarë.

    Në intervistë, ai foli edhe për investimet e Alphabet-it në Mbretërinë e Bashkuar, ku kompania ka zotuar 5 miliardë paund për infrastrukturë dhe kërkim

    Pichai konfirmoi se Google synon të trajnojë modelet e AI-së në këtë vend, çka pritet të forcojë pozicionin e Mbretërisë së Bashkuar si qendër globale e teknologjisë.

    Pichai theksoi se AI do të ndikojë thellë në tregun e punës, duke zhvendosur disa profesione, por edhe duke krijuar mundësi të reja.

    Ai tha se profesionistët që përshtaten dhe mësojnë të përdorin mjetet e AI-së do të jenë më të suksesshëm në çdo fushë.