ATV

Blog

  • Iu vazhdohet paraburgimi Veselit, Krasniqit dhe Selimit

    Iu vazhdohet paraburgimi Veselit, Krasniqit dhe Selimit

    Të martën, më 18 nëntor 2025, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

    Ndonëse Prokuroria ka argumentuar se ekziston rreziku që tre të akuzuarit të pengojnë drejtësinë, të kryejnë krime tjera ose të arratisen, kryetari i trupit gjykus Charles Smith III në vendimin e tij ka konfirmuar vetëm dy pretendimet e para të Prokurorisë.

    Pra, është konstatuar se ekziston rreziku që të akuzuarit mund të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë krime të tjera.

    Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

    Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Ëilliams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

    Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

    Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025. Ndërsa, më 17 nëntor e filloi dëshminë Wesley Clark i cili e përfundoi më pas më 18 nëntor 2025.

    Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.

    DhSK-ja kishte bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

    “Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

    Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

    Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Tre të lënduar nga zjarri në një banesë në Fushë Kosovë

    Tre të lënduar nga zjarri në një banesë në Fushë Kosovë

    Tre persona janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer në një banesë në rrugën “Shtjefën Gjeçovi” në Fushë Kosovë.

    Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci i cili bëri të ditur se zjarri është lokalizuar, derisa hetimet për shkaqet e tij janë në vijim.

    “Sot, rreth orës 08:00, policia ka pranuar informatën për një zjarr aktiv në një objekt banesor në rrugën “Shtjefën Gjeçovi”, në Fushë Kosovë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë angazhuar edhe zjarrfikësit dhe ekipi mjekësor emergjent. Sipas të dhënave fillestare, tre persona janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Zjarri është lokalizuar, ndërsa hetimet për shkaqet e tij janë në vijim”, tha Borovci.

  • “Përgjithmonë krenar me ty”: Reagimi i bashkëshortes së Xhakës bëhet viral

    “Përgjithmonë krenar me ty”: Reagimi i bashkëshortes së Xhakës bëhet viral

    Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, u përball me fishkëllima nga një pjesë e tifozëve gjatë ndeshjes Kosovë–Zvicër, e zhvilluar mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    Xhaka pas ndeshjes tha se ishte “tejet i zhgënjyer” nga reagimi i atyre tifozëve.

    Pas deklaratës së tij, ka ardhur edhe reagimi i bashkëshortes së tij, Leonitës, e cila i doli në mbrojtje mes komenteve të shumta në rrjetet sociale.

    “Përgjithmonë modeli ynë i kombit. Përgjithmonë krenar me ty”, shkroi ajo, duke shprehur mbështetje të plotë për kapitenin e Zvicrës.

    Screenshot
  • PDK del në konferencë për media 15 minuta para se të fillojë seanca e jashtëzakonshme

    PDK del në konferencë për media 15 minuta para se të fillojë seanca e jashtëzakonshme

    15 minuta para se të fillojë seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të mbajë konferencë për media.

    Konferencë do të mbahet në ora 10:45, në sallën e Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës.

    Më poshtë sjellim rendin e ditës për seancën e jashtëzakonshme.

    Rendi i ditës

    1. Formimi i komisioneve parlamentare,

    2. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,

    3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),

    4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,

    5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,

    6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,

    7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

    8. Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,

    9. Çështja e financimit të RTK-së.

  • Juventusi dërgon aeroplan privat për Zhegrovën pas ndeshjes Kosovë–Zvicër

    Juventusi dërgon aeroplan privat për Zhegrovën pas ndeshjes Kosovë–Zvicër

    Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, është nisur menjëherë drejt Torinos me një aeroplan privat të dërguar nga skuadra italiane e Juventusit.

    Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Kosovë–Zvicër, gjiganti italian kishte gati aeroplanin për ta marrë lojtarin, i cili pritet t’i nënshtrohet procedurave të parapara nga klubi.

    Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në Facebook nga babai i tij, Lulzim Zhegrova, i cili ka publikuar pamjet e fluturimit privat të organizuar për të birin.

  • Belgjika shkëlqen, Spanja barazon, Skocia dramatike—kompletohen ekipet evropiane për Botërorin 2026

    Belgjika shkëlqen, Spanja barazon, Skocia dramatike—kompletohen ekipet evropiane për Botërorin 2026

    Austria, Belgjika, Skocia dhe Spanja janë katër kombëtaret e fundit që kanë siguruar kualifikimin direkt për Kupën e Botës 2026. Këto përfaqësuese i bashkohen tashmë Gjermanisë, Zvicrës, Francës, Portugalisë, Holandës, Norvegjisë, Anglisë dhe Kroacisë, të cilat e kishin siguruar më herët pjesëmarrjen.

    Belgjika pati detyrën më të lehtë mbrëmjen e sotme, duke mposhtur pa vështirësi Lihtenshtajnin në shtëpi. Kundërshtari nuk paraqiti asnjë rrezik, ndërsa belgët fituan bindshëm 7:0. Golat u shënuan nga Hans Vanaken, një dopietë e Jeremy Doku, Brandon Mechele, Alexis Saelemaekers dhe dy gola nga Charles De Ketelaere.

    Spanja, kampione e Evropës, barazoi 2:2 me Turqinë në një ndeshje ku humbja me shtatë ose më shumë gola do t’i rrezikonte kualifikimin. Spanja kaloi herët në epërsi me Dani Olmo, para se Turqia ta përmbyste rezultatin me golat e Deniz Gul dhe Salih Ozcan. Në minutën e 62-të, Mikel Oyarzabal barazoi dhe vulosi kualifikimin e iberikëve.

    Drama më e madhe e mbrëmjes u zhvillua në Skoci, e cila kërkonte domosdoshmërisht fitoren ndaj Danimarkës për t’u kthyer në Kupën e Botës pas 26 vitesh. Skocia triumfoi 4:2 në një sfidë të zjarrtë. Scott McTominay hapi serinë e golave, ndërsa Danezët barazuan me penalltinë e Rasmus Hojlund. Pas përjashtimit të Rasmus Kristensen, Skocia rimori epërsinë me Lawrence Shankland, por
    Patrick Dorgu barazoi menjëherë. Në kohën shtesë, Kieran Tierney dhe Kenny McLean shënuan dy gola të vonshëm që sollën festë të madhe në stadium dhe i siguruan Skocisë kualifikimin historik. /ATVLIVE.TV

  • Eminem padit një kompani australiane, shkak emri

    Eminem padit një kompani australiane, shkak emri

    Reperi amerikan, Eminem, ka ngritur një padi kundër një kompanie australiane të veshjeve të quajtur Swim Shady, duke pretenduar se emri i saj është shumë i ngjashëm me pseudonimin e tij të regjistruar si markë tregtare, Slim Shady.

    Sipas BBC-së, në shtator, Eminem, emri i vërtetë i të cilit është Marshall B Mathers III, paraqiti një kërkesë zyrtare me shkrim në Zyrën e Patentave dhe Markave Tregtare të SHBA-së, duke kërkuar anulimin e një marke tregtare të dhënë kompanisë së lartpërmendur.

    Sipas ligjit amerikan, kompania duhet t’i përgjigjet kërkesës deri javën tjetër. Avokatët e reperit 53-vjeçar akuzuan markën me seli në Sydney për krijimin e kësaj.

    Menaxhmenti i Swim Shady i tha BBC-së se ata do të “mbrojnë pronën e tyre të vlefshme”.

    Emri i kompanisë u regjistrua në shtator 2023 me rregullatorin australian të biznesit dhe fillimisht u lansua si Slim Shade.

    Zyrtarisht u lançua në vitin 2024. Marka shet çadra, çanta dhe pajisje të tjera plazhi.Më herët këtë vit, marka paraqiti një kërkesë për markë tregtare për emrin Swim Shady në SHBA, e cila u miratua në atë kohë.

    Megjithatë, pak më vonë, ekipi i Eminem paraqiti një mocion për anulimin e saj.

    Eminem ka paraqitur gjithashtu një ankesë kundër emrit të markës në Australi.

    Dokumentet e gjykatës tregojnë se Eminem e regjistroi emrin Slim Shady si markë tregtare në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999, kur publikoi një album me të njëjtin emër.

  • Kosova në vazon e tretë: Zbulohen kundërshtarët për “play-off”-in e Botërorit

    Kosova në vazon e tretë: Zbulohen kundërshtarët për “play-off”-in e Botërorit

    Pas përfundimit të kualifikimeve të rregullta për Kampionatin Botëror 2026, Kosova tashmë është zyrtarisht pjesë e “play-off”-it të Botërorit.

    Kosova e mbylli Grupin B në vendin e dytë me 11 pikë të grumbulluara nga gjashtë ndeshje, ndërsa Zvicra siguroi kualifikimin direkt me 14 pikë.

    Tashmë janë bërë të ditur edhe kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në fazën “play-off”. Kosova do të jetë në vazon e tretë, ku gjendet edhe Shqipëria. Nga kjo pozitë, të dy kombëtaret shqiptare do të ndeshen me ekipe nga vazoja e dytë, në të cilën bëjnë pjesë Sllovakia, Republika Çeke, Uellsi dhe Polonia.

    Në gjysmëfinale, Kosova do të përballet me njërën nga këto përfaqësuese, ndërsa nëse kalon më tej, në finale mund të ndeshet me një ekip nga vazoja e parë: Italia, Danimarka, Turqia ose Ukraina.

    Shorti i “play-off”-it të Botërorit do të zhvillohet të enjten, duke nisur nga ora 13:00. /ATVLIVE.TV

  • Uniforma serbe dhe predhë anti-tank gjenden në një shtëpi të braktisur në Jarinje

    Uniforma serbe dhe predhë anti-tank gjenden në një shtëpi të braktisur në Jarinje

    Uniforma ushtarake me emblema të ushtrisë serbe dhe një predhë anti-tank janë gjetur mbrëmjen e së martës në një shtëpi të braktisur në Jarinje.

    Policia, e cila ka njoftuar për rastin, thotë se gjatë kontrollit nuk është hasur asnjë person i dyshuar dhe as dëshmitarë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja është regjistruar më 18 nëntor 2025, rreth orës 19:30, kur një patrullë policore vuri re se dera e objektit ishte e thyer. Pas hyrjes brenda, zyrtarët policorë gjetën disa uniforma ushtarake me simbole të ushtrisë serbe dhe një predhë anti-tank.

    Njësitë relevante të policisë konfiskuan një predhë anti-tank kalibër 37 mm, model M38, si dhe disa pjesë të veshjeve ushtarake: një këmishë me mëngë të shkurtra, dy xhaketa dimërore, një jakne dhe një palë pantallona.

    Policia njofton se prokurori i rastit është informuar dhe ka bërë cilësimin e ngjarjes, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

  • Vërshohet nga uji fshati Konçul, rrugët janë të pakalueshme

    Vërshohet nga uji fshati Konçul, rrugët janë të pakalueshme

    Fshati Konçul i Komunës së Bujanocit është vërshuar nga uji.

    Për shkak të reshjeve të shumta të shiut, rrugët hyrëse dhe dalëse në këtë fshat janë të pakalueshme, përcjell Periskopi.

    Pamjet e publikuara në faqen “Jeta në Konçul”, tregojnë gjendjen alarmante, pasi shihen shtëpi nën ujë, dhe rrugë të bllokuara.