ATV

Blog

  • Kosova shënon rekord historik në renditjen e FIFA-s

    Kosova shënon rekord historik në renditjen e FIFA-s

    Kombëtarja e Kosovës ka regjistruar një arritje historike në përditësimin më të fundit të renditjes së FIFA-s, pas paraqitjeve të shkëlqyera në fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

    ‘Dardanët’ siguruan një vend në ‘play-off’-in e Botërorit 2026 duke e mbyllur Grupin B në pozitën e dytë, ku u përballën me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë.

    Në këtë kampanjë, Kosova arriti tre fitore, dy barazime dhe një humbje. Kulmi i paraqitjeve pozitive erdhi me fitoren ndaj Sllovenisë në Ljubljanë dhe barazimin ndaj Zvicrës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

    Këto rezultate kanë kontribuar që Kosova të shënojë një tjetër ngritje të konsiderueshme në renditjen e FIFA-s, pas asaj të nëntorit të këtij viti.

    Kosova është ngjitur për katër vende dhe tani renditet në pozitën e 80-të, duke lënë pas përfaqësuese si Curaçao, Guinea dhe Mali i Zi.

    Ndërkohë, Shqipëria ka rënë dy pozita dhe aktualisht mban vendin e 63-të. /ATVLIVE.TV

  • Hamza pas dështimit të votimit të qeverisë: Sot e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara – zgjedhjet e reja

    Hamza pas dështimit të votimit të qeverisë: Sot e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara – zgjedhjet e reja

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas dështimit të votimit të qeverisë me mandatar, Glauk Konjufca.

    Hamza ka thënë se presidentja duhet të caktojë sa më shpejt datën e zgjedhjeve të reja.

    “Koha e fjalëve të mëdha ka përfunduar. Ka ardhur koha për një qeveri që punon”, ka shkruar ai në Facebook.

    Postimi i tij:

    Dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve tregon qartë se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike.

    Shumica që doli nga zgjedhjet e fundit është treguar e paaftë t’i krijojë institucionet e reja, duke shkaktuar pasiguri institucionale, politike dhe shtetërore. Sot e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara: zgjedhjet e reja.

    Presidentja e vendit duhet ta caktojë sa më shpejt datën e tyre, sepse mjaft kohë kemi humbur.

    Qytetarët duhet ta rikthejnë stabilitetin institucional përmes votës së tyre, në mënyrë që ne ta krijojmë një qeveri funksionale, reformuese dhe të përgjegjshme.

    Koha e fjalëve të mëdha ka përfunduar. Ka ardhur koha për një qeveri që punon.

  • Polonia do të mbyllë konsullatën e fundit ruse pas sabotimit hekurudhor

    Polonia do të mbyllë konsullatën e fundit ruse pas sabotimit hekurudhor

    Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, njoftoi të mërkurën se do të urdhërojë mbylljen e konsullatës së fundit ruse që ende funksionon në vend, pasi autoritetet polake dyshojnë se inteligjenca ruse qëndron pas shpërthimit në një linjë hekurudhore në Poloni, i konsideruar si akt sabotimi.

    Sikorski tha se kishte paralajmëruar vazhdimisht Rusinë se prania e saj diplomatike dhe konsullore do të reduktohej më tej nëse nuk do të ndalonte veprimet armiqësore kundër Polonisë, raportoi agjencia polake e lajmeve PAP.

    “Në lidhje me këtë, megjithëse nuk do të jetë përgjigja jonë e plotë, kam vendosur të tërheq pëlqimin për funksionimin e konsullatës së fundit ruse në Gdansk”, deklaroi ai, duke shtuar se Moska do të njoftohet zyrtarisht brenda disa orësh.

    Sikorski vlerësoi se shpërthimi ishte më shumë se një akt përmbysjeje, duke e quajtur atë një “akt terrori shtetëror pasi qëllimi i tij i qartë ishte të shkaktonte viktima njerëzore”.

    Me këtë hap, Rusia do të ketë vetëm ambasadën e saj në Varshavë.

    Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, përshkroi shpërthimin e fundjavës në linjën hekurudhore që lidh Varshavën me kufirin me Ukrainën si një “akt sabotimi të paparë”. Shpërthimi dëmtoi shinat pranë Mikës, rreth 100 kilometra në juglindje të kryeqytetit polak, pa shkaktuar të lënduar.

    Në një incident tjetër gjatë fundjavës, linjat e energjisë u shkatërruan në zonën e Puławy, rreth 50 kilometra nga Lublini në Poloninë lindore.

    Duke komentuar deklaratën e Sikorskit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “marrëdhëniet e Rusisë me Poloninë janë përkeqësuar plotësisht”.

    Të martën, Tusk njoftoi parlamentin polak se dy të dyshuarit kishin bashkëpunuar me shërbimet sekrete ruse për një kohë të gjatë. Ai theksoi se identitetet e tyre janë të njohura, por nuk mund të bëhen publike për shkak të hetimeve që vazhdojnë, dhe se dyshja tashmë kishte lënë Poloninë, duke kaluar në Bjellorusi.

    Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Rusinë për organizimin e dhjetëra sulmeve dhe incidenteve të tjera në Evropë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022, me qëllim të minimit të mbështetjes për Ukrainën, nxitjes së frikës dhe ndarjes së shoqërive evropiane.

    Polonia kishte mbyllur më herët dy konsullata të tjera ruse. Konsullata në Kraków u mbyll këtë vit pasi u vërtetua se një zjarr që shkatërroi një qendër tregtare në Varshavë në vitin 2024 ishte rezultat i zjarrvënies së urdhëruar nga inteligjenca ruse. Në vitin 2024, Sikorski urdhëroi gjithashtu mbylljen e konsullatës në Poznań, në përgjigje të akteve sabotimi, përfshirë zjarrvënien, të cilat sipas tij ishin sponsorizuar nga Moska.

  • A e largon kafeja dhimbjen e kokës? Ja çfarë thonë ekspertët

    A e largon kafeja dhimbjen e kokës? Ja çfarë thonë ekspertët

    Dhimbja e kokës ka efekt ngadalësues për të gjithë organizmin.

    Njeriu kërkon shpëtim të menjëhershëm kryesisht te medikamentet si paracetamoli, por në disa raste shpëtimi nga dhimbja qëndron te një filxhan kafeje.

    A e largon kafeja dhimbjen e kokës?

    Aftësitë e kafesë për eliminimin e dhimbjes së kokës burojnë nga kafeina. Por përpara zbulimit të rolit të kafeinës kundër dhimbjeve të kokës duhet kuptuar si ndodh dhimbja e kokës.

    Dhimbjet shfaqen kur trupi çliron një substancë të njohur si adenosine e cila shkakton inflamacion në enët e gjakut. Kafeina ndikon menjëherë duke penguar prodhimin e kësaj substance e ngushtuar enët e gjakut.

    Një teori tjetër për rolin e kafeinës kundër dhimbjeve të kokës është se ajo përshpejton ritmin e përthithjes së medikamenteve kundër dhimbjeve në trup. Kjo është arsyeja përse shumë medikamente kundër dhimbjeve dhe inflamacioni kanë një përmbajtje kafeine.

    Llojet e dhimbjeve të kokës janë të ndryshme.
    Bëhet fjalë për dhimbje të kokës nga sinoziti, alergjitë, e ftohura por edhe migrena. Natyrshëm lind pyetja nëse kafeina është efikase kundër të gjitha llojeve të dhimbjeve të kokës. Ekspertët thonë se kafeina të bën mirë kundër dhimbjeve të kokës, madje edhe kundër migrenës.

    Megjithatë kafeja është një zgjidhje afatshkurtër kundër dhimbjeve dhe ajo nuk shëron problemin që shkakton dhimbjen e kokës.

    Kafeina krijon varësi
    Kafeina mund të krijojë varësi si çdo substancë tjetër. Nëse e teproni me kafeinë atëherë trupi do të jetë i varur prej saj. Heqja dorë nga kafeina më pas mund të bëhet shumë e vështirë.

    Simptomat e lënies së kafesë janë:

    Dhimbjet e kokës,

    Lodhja dhe plogështia,

    Acarimi,

    Ankthi,

    Të përzierat.

    Njerëzit që pinë më shumë se pesë filxhanë kafe në ditë për një periudhë të gjatë kanë shumë gjasa të bëhen të varur prej saj. Burime të tjera të shëndetshme të kafeinës janë: çokollata, çaji dhe kakaoja.

  • Ruben Amorim:Nuk ishte rrugëtim i lehtë periudha e parë tek Man United

    Ruben Amorim:Nuk ishte rrugëtim i lehtë periudha e parë tek Man United

    Trajneri portugez Ruben Amorim,ka folur për periudhën e parë tek gjiganti anglez Man United.

    Amorim për Stan Sport ka deklaruar se ishte një rrugëtim i vështirë,por thotë se kjo ishte e domsodoshme.

    “Kam mësuar shumë gjatë vitit të kaluar. Jam një trajner më i mirë tani dhe jam gati për të ardhmen, por edhe për të tashmen. Ishte një rrugëtim i vështirë, por i domosdoshëm”

    Përndryshe Amorim shton se progresi që është bërë në ndeshjet e fundit është rezultat i mësimeve nga e kaluara,dhe si trajner sipas tij është transferuar nga këto.

    Kujtojmë që Man United pas 11 xhirove ka grumbulluar 18 pikë.

  • Dëmtimi i Brojës nuk është kaq serioz, sulmuesi rikthehet te Burnley

    Dëmtimi i Brojës nuk është kaq serioz, sulmuesi rikthehet te Burnley

    Armando Broja u detyrua të linte fushën e lojës i dëmtuar gjatë ndeshjes ndaj Anglisë, ku duket se pësoi një dëmtim të rëndë.

    Megjithatë, situata duket më pak e shqetësuese nga sa u mendua në fillim. Sipas raporteve nga mediat angleze, Broja është rikthyer te Burnley mëngjesin e djeshëm.

    Sulmuesi shqiptar ka kaluar një kontroll mjekësor me specialistët e klubit dhe tani është planifikuar një seri ekzaminimesh të tjera, për të vlerësuar më thellë dëmtimin.

    Sipas informacionit të fundit, bëhet fjalë për një ndrydhje të gradës së parë dhe pritet që mungesa e tij në fushë të jetë vetëm për disa ditë. Pasi të rikuperohet, ai do të kthehet në skuadër për të luftuar për minuta në ekipin e Burnley. /ATVLIVE.TV

  • Përplaset trageti me 267 persona në bord në breg të Koresë së Jugut

    Përplaset trageti me 267 persona në bord në breg të Koresë së Jugut

    Një traget pasagjerësh i Koresë së Jugut me 246 pasagjerë dhe 21 anëtarë të ekuipazhit është përplasur në shkëmbinj pranë bregut juglindor të vendit.

    Mediat e huaja raportojnë se anija Queen Jenuvia 2 ka ngecur në një shkëmb nënujor dhe nuk është në gjendje të lëvizë, por aktualisht nuk ka rrezik të fundoset ose të përmbyset. Njerëzit aktualisht po zhvendosen në anije patrullimi, tha ajo.

    Aksidenti ndodhi pranë ishullit Jangsan në Qarkun Sinan të mërkurën në mbrëmje sipas orës lokale. Anija u ngec në shkëmbinj pranë ishullit të pabanuar të Jogdo.

    Mediat lokale raportuan se pesë persona pësuan lëndime të lehta nga përplasja, por nuk ka pasur viktima të tjera.

    Kryeministri i Koresë së Jugut, Kim Min-seok, ka urdhëruar që të gjitha anijet e disponueshme të mobilizohen për të shpëtuar tragetin.

    “Ne kemi konfirmuar se aktualisht nuk ka përmbytje. Po i transferojmë pasagjerët në anije patrullimi dhe po i zhvendosim në një vend të sigurt”, tha një zyrtar i Rojës Bregdetare, raporton gazeta Chosun Ilbo.

    Roja Bregdetare planifikon ta zhvendosë anijen në breg në rast të baticës së lartë. Trageti po udhëtonte për në qytetin portual të Mokpo-s, pasi ishte nisur nga ishulli turistik Jeju, duke transportuar 246 pasagjerë dhe 21 anëtarë të ekuipazhit, sipas Roja Bregdetare.

    Zona është pranë vendit të fundosjes së tragetit Sewol në vitin 2014, ku humbën jetën më shumë se 300 persona , kryesisht nxënës shkolle që po shkonin në një ekskursion shkollor.

  • Murati: Opozita bashkë me Listën Serbe janë kundër Albin Kurtit

    Murati: Opozita bashkë me Listën Serbe janë kundër Albin Kurtit

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se seanca e sotme është tregues se partitë opozitare bashkë me Listën Serbe janë kundër Albin Kurtit.

    “Besoj që me sjelljet dhe veprimet e sotme të partive opozitare, ka kulmuar apo është materializuar në tërësi ajo që kemi thënë nga fillimi, ku tash e 9 muaj partitë opozitare bashkë me Listën Serbe janë kundër Albin Kurtit. Qëllimi i vetëm i tyre është kundërshtimi ndaj Albin Kurtit pa pasur as alternativë, por edhe duke lënë çdo interes shtetëror e të qytetarëve anash”, tha ai.

    Ai përmendi edhe seancën e buxhetit ku opozita nuk mori pjesë.

    “Me qenë se sot kishim votimin e buxhetit për vitin e ardhshme, buxhetin për tri komunat, marrëveshjet ndërkombëtare, opozita nuk tregoj gatishmëri që ti votoj këto buxhet që të mos mbetshin qytetarë pa këto mjete. Ata thanë që nuk duna të votojnë as buxhet e marrëveshje pa një qeveri. Kur ju ofrua mundësi, përsëri refuzuan. Ai buxhet që ka qenë i KQZ është shpenzuar, duhet të shihen mundësit që brenda kursimeve, apo mbetjeve në organizata buxhetore që kanë mbetu”, deklaroi ai.

  • U.D i Kryprokurorit thërret konferencë të jashtëzakonshme pasi u intervistua si dëshmitar për Masakrën e Reçakut

    U.D i Kryprokurorit thërret konferencë të jashtëzakonshme pasi u intervistua si dëshmitar për Masakrën e Reçakut

    Pasi u intervistua si dëshmitar për Masakrën e Reçakut, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, do të mbajë konferencë të jashtëzakonshme për media.

    Konferenca do të mbahet në orën 16:00, në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe vjen pasi u ftua si dëshmitar për Masakrën e Reçakut.

    “Ju njoftojmë se sot, 19 nëntor 2025, duke filluar nga ora 16:00, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi do të mbajë konferencë të jashtëzakonshme për media. Konferenca do të mbahet në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Rr. Luan Haradinaj, Prishtinë, salla në katin e III-të”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Se Kelmendi është ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarit për Masakrën e Reçakut, e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokuroria Speciale, Arbnora Luta.

    “Prokuroria Speciale mund t’ju konfirmojë se Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Besim Kelmendi, është ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarit, në kuadër të procesit hetimor lidhur me rastin për të cilin keni parashtruar pyetje“, ka thënë Luta për Reporteri.net.

    Ajo ka deklaruar se Prokuroria Speciale shpreh vlerësimin për “gatishmërinë dhe kontributin që z.Kelmendi ka dhënë lidhur me zbardhjen e një çështjeje penale, që Prokuroria Speciale e ka në trajtim”.

    Një medium kosovar, të mërkurën, raportoi se njeriu i cili nga prilli i vitit 2022 mban pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, nga Prokuroria Speciale po konsiderohet si person me njohuri për rastin për shkak se në kohën e masakrës, në vitin 1999, punonte në pozitën e bashkëpunëtorit profesional pranë Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

  • Krasniqi: Presidentja e ka obligim që sa më parë ta shpallë datën e zgjedhjeve

    Krasniqi: Presidentja e ka obligim që sa më parë ta shpallë datën e zgjedhjeve

    Pas dështimit edhe të Glauk Konjufcës për ta formuar Qeverinë e re, deputeti i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se Presidentja Vjosa Osmani e ka obligim që sa më parë ta shpallë datën e zgjedhjeve.

    Krasniqi tha se nuk duhet humbur kohë më shumë.

    “Jemi duke shkuar shpejt drejt zgjedhjeve të parakohshme. Pas këtij dështimi të paralajmëruar, Presidentja e Republikës e ka obligim që sa më parë ta shpallë datën e zgjedhjeve, që të mos humbet kohë më tej”, ka deklaruar Krasniqi pas seancës.

    Ai foli edhe për seancën e parë që e bojkotuan.

    “Kosova nuk është duke i rrezikuar as fondet e BE’së e as kreditë e Bankës Botërore e as qytetarët nuk mbesin pa paga vitin e ardhshëm, pa votimin e atyre pikava”, tha Krasniqi.