ATV

Blog

  • Pesë shoferë ndëshkohen për kundërvajtje të rënda në trafik në Ferizaj e Shtime

    Pesë shoferë ndëshkohen për kundërvajtje të rënda në trafik në Ferizaj e Shtime

    Pesë shoferë janë ndëshkuar nga Njësitë e Komunikacionit Rrugor në rajonin e Ferizajt, pasi u kapën duke kryer kundërvajtje të rënda në trafik në Shtime dhe Ferizaj.

    Sipas policisë, më 22 nëntor 2025, në rrugën “Adem Jashari” në Shtime u ndaluan tre shoferë për tejkalim të shpejtësisë dhe një tjetër për tejkalim të rrezikshëm.

    I.R., 31 vjeç, u kap duke vozitur me 90 km/h në zonën me kufizim 40 km/h me veturën VW Golf. Ai u gjobit me 200 euro, mori 2 pikë negative dhe iu pezullua patentë shoferi për 3 muaj.

    Y.B., 30 vjeç, i cili po lëvizte me Audi me 93 km/h në të njëjtën zonë, po ashtu u ndëshkua me 200 euro, 2 pikë negative dhe 3 muaj pezullim të patentës.

    Ndërkohë, B.T., 40 vjeç, u kap duke kryer tejkalim në vijë të plotë me veturën Toyota dhe u ndëshkua me të njëjtën masë.

    M.G., 30 vjeç, që po ngiste VW Caddy, u gjobit për përdorim të telefonit gjatë vozitjes. Policia konstatoi se kjo ishte përsëritje e kundërvajtjes, ndaj u aplikua ndëshkimi maksimal prej 200 euro, 2 pikë negative dhe 3 muaj pezullim të patentë shoferit.

    Në Ferizaj, në rrugën “Brahim Ademi”, u ndalua edhe H.K., 39 vjeç, i cili po voziste VW Golf me 100 km/h në zonën ku kufizimi është 50 km/h. Edhe ai u ndëshkua me 200 euro, 2 pikë negative dhe 3 muaj pezullim të patentës.

    Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e komunikacionit, duke theksuar se shpejtësia e lartë, tejkalimet e pasigurta dhe përdorimi i telefonit gjatë ngasjes rrezikojnë seriozisht jetën dhe pronën e qytetarëve.

  • Ashpërsohet moti në Ballkan, Bosnja bllokohet nga bora

    Ashpërsohet moti në Ballkan, Bosnja bllokohet nga bora

    Një valë moti të ashpër, me temperatura të ulëta dhe reshje dëbore, po godet Ballkanin.

    Borë e madhe ka rënë gjatë orëve të fundit, veçanërisht në Sarajevë dhe në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, si dhe në Kroaci, Serbi dhe pjesë të tjera të rajonit.

    Në kryeqytetin boshnjak, mediat rajonale raportuan se trafiku ishte i paralizuar për orë të tëra, me ekipe punëtorësh borëpastruese të vendosura për të pastruar rrugët nga bora dhe akulli.

    Shumë qytete në të gjithë Kroacinë kanë luftuar me reshjet e dëborës, përfshirë përgjatë bregdetit dalmat.

    Shira të rrëmbyeshëm janë regjistruar ditët e fundit në Maqedoninë e Veriut, ku disa lumenj kanë dalë nga shtrati, duke lënë dhjetëra komunitete të përmbytura dhe të izoluara.

    Situatë me të reshura të rrëmbyeshme ka mbretëruar edhe në Kosovë ditëve të fundit, sidomos të matën e javës që po lëmë pas.

    Ndërkaq, sipas IHMK-së, mot i paqëndrueshëm pritet të mbretërojë edhe ditëve në vijim, ku janë paralajmëruar edhe vërshime të mundshme në zona të caktuara.

  • Kur pritet të vijnë raketat Javelin në Kosovë?

    Kur pritet të vijnë raketat Javelin në Kosovë?

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se një pjesë e raketave kundërtank “Javelin”, të blera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet të arrijnë në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm.

    “Marrëveshjet për blerje nuk përfshijnë vetëm raketat Javelin. Ne kemi bërë dhe po bëjmë blerje të shumta të sistemeve të armatimit nga SHBA-ja dhe nga shtete të tjera. Aktualisht jemi në periudhën e përcaktimit të afateve të arritjes dhe jemi në pritje të konfirmimit. Po diskutojmë që t’i kemi sa më herët. Mendoj se viti 2026 do të jetë koha kur patjetër do të kemi një sasi, por bashkë me komandantin e FSK-së po përpiqemi t’i sjellim edhe brenda këtij viti. Javelin është një nga sistemet më të mira anti-tank, por nuk është i vetmi që kemi në FSK”, ka thënë Maqedonci, në KallxoPërnime.

    Ministri kishte konfirmuar më 11 janar 2024 se Kosova ka dërguar kërkesë zyrtare në SHBA për blerjen e sistemit raketor kundërtank “Javelin”.

    Raketat “Javelin” janë zhvilluar për ushtrinë dhe trupat detare amerikane dhe u dëshmuan jashtëzakonisht efikase në luftën e Ukrainës kundër agresionit rus. Ky sistem prodhohet nga kompanitë amerikane Lockheed Martin dhe Raytheon Technologies.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Lockheed Martin, “Javelin” është një sistem preciz dhe i lëvizshëm kundërtank, që mund të përdoret nga një ushtar i vetëm duke e mbajtur mbi supe, ose të montohet në automjete ushtarake. Këto raketa vlerësohen se janë të afta të neutralizojnë të gjitha llojet e forcave të blinduara të njohura deri më sot, si edhe objektiva të buta apo të parregullta në terren.

  • Izraeli rifillon sulmet në Gaza, armëpushimi në pikëpyetje

    Izraeli rifillon sulmet në Gaza, armëpushimi në pikëpyetje

    Izraeli thotë se ka filluar të godasë objektivat e Hamasit në Gaza, duke vrarë të paktën nëntë persona, pas asaj që e quajti një “shkelje flagrante të marrëveshjes së armëpushimit”.

    Autoritetet lokale shëndetësore në Gaza thanë se kishte pasur tre sulme ajrore të ndara, njëri prej të cilave goditi një veturë në lagjen e dendur të populluar Rimal, duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur disa të tjerë.

    Menjëherë pas sulmit ndaj veturës, forcat ajrore izraelite goditën dy objektiva të tjerë në Rripin qendror të Gazës.

    Të paktën katër persona vdiqën kur dy shtëpi u goditën me bombë në qytetin Deir Al-Balah dhe në kampin Nuseirat.

    Ushtria izraelite tha se kishte pasur një “shkelje flagrante të marrëveshjes së armëpushimit”.

    Ajo pretendoi se një person i armatosur kishte kaluar në territorin e mbajtur nga Izraeli pasi kishte shfrytëzuar “rrugën humanitare në zonën përmes së cilës ndihma hyn në Gazën jugore”.

    Një zyrtar i Hamasit i hodhi poshtë akuzat e ushtrisë izraelite si të pabaza, duke i quajtur ato një “justifikim për të vrarë”, duke shtuar se grupi palestinez ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit.

    Ndryshe, sulmet ajrore izraelite janë një provë e mëtejshme e një armëpushimi të brishtë me Hamasin, i cili ka qenë në fuqi që nga 10 tetori pas luftës dyvjeçare në Gaza.

  • Francë: Dënohet me 30 vjet burgim shqiptari për vrasjen e bashkëshortit të tij

    Francë: Dënohet me 30 vjet burgim shqiptari për vrasjen e bashkëshortit të tij

    Juria e Gjykatës së Krimeve në Poitiers, Francë, ka dhënë vendimin. Sipas tyre, autori i vrasjes së një të riu në vitin 2023 ka qenë bashkëshorti i tij. Ky fakt u konsiderua rrethanë rënduese në vendimin përfundimtar, i cili u shpall pas pesë orësh diskutimi. Gjykata e dënoi atë me tridhjetë vjet burgim.

    Në ditën e dytë të gjyqit ndaj Ismail Garos, një shtetas shqiptar i akuzuar për vrasjen e “partnerit” të tij, i cili e kishte strehuar prej gati tre vitesh banesën e tij në Poitiers, gjykata u përqendrua edhe në vlerësimin e personalitetit të të pandehurit.

    Ai ishte jashtëzakonisht ekspresiv në bankën e të akuzuarve, ndërhynte shpesh dhe këmbëngulte në qëndrimin e tij të pandryshuar që nga dita e parë: “Të gjykohem mbi bazën e provave.”

    Juria dëgjoi një sërë raportesh ekspertësh, të paraqitura drejtpërdrejt ose përmes videolidhjes, për të përcaktuar – përtej aktit të vrasjes – nëse i pandehuri kishte qenë bashkëjetues me viktimën, çka përbën rrethanë rënduese, si dhe nëse ai mund të kishte pasur çrregullime mendore që do të kishin ndikuar aftësinë e tij për të gjykuar në momentin e krimit.

    Analizat toksikologjike të kryera disa orë pas ngjarjes nuk zbuluan asnjë gjurmë alkooli, droge apo ilaçesh, sipas raportit të biologes së paraqitur në gjykatë. Mjeku ligjor plotësoi këto të dhëna me vëzhgime të detajuara, përfshirë fotografitë, të cilat ndihmuan në rindërtimin e skenarit të vrasjes.

  • Gjykata shpall një muaj paraburgim për shoferin që iu gjetën 120 kg narkotikë në autobus

    Gjykata shpall një muaj paraburgim për shoferin që iu gjetën 120 kg narkotikë në autobus

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit B.K., i dyshuar për blerje, posedim dhe shpërndarje të narkotikëve, si dhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.

    I njëjti dyshohet se më 21.11.2025, ka transportuar 120 kg marihuanë nga Shqipëria në Kosovë me autobus, me qëllim dërgimin e saj në shtete të tjera evropiane. Substanca narkotike u gjet në bunkerë të modifikuar nën karrige në autobus.

    Gjykata ka vendosur që B.K. të mbahet në paraburgim për një muaj, duke vlerësuar se masat e tjera nuk do të ishin të mjaftueshme për të parandaluar pengimin e hetimeve ose përsëritjen e veprave penale.

    Ky vendim mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit.

  • Lladrovci kritikon Hamzën: S’mund ta barazoni shkakun dhe pasojën

    Lladrovci kritikon Hamzën: S’mund ta barazoni shkakun dhe pasojën

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, s’mund ta barazojë shkakun dhe pasojën pasi kjo nuk ndihmon në zhvillimin e partisë.

    Një ditë më parë, Hamza mbajti konferencë për shtyp pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, duke theksuar se askush nuk e ka përjashtuar Lladrovcin nga partia dhe që me të synojnë ta maksimalizojnë votën në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

    Por në një shkrim në Facebook, Lladrovci u shpreh se disa eksponentë të PDK-së po tentojnë të paraqesin disfatën si fitore. Ai ka theksuar se mjegulla rreth kësaj komune nuk po hiqet, pavarësisht deklarimeve të kryetarit të ri të PDK-së, Bedri Hamza.

    Lladrovci theksoi se kushti i fitores për ta ndryshuar gjendjen në Kosovë është uniteti.

    “Përkundër deklarimeve të mija, të qarta si rrezja e diellit, mjegulla rreth Drenasit nuk po hiqet. Për fat të keq, nga disa eksponentë, gjendja po promovohet normale dhe disfata po paraqitet fitore”, ka shkruar ai.

    Ai u shpreh kritik për përpjekjet e Hamzës për të barazuar shkakun me pasojën, duke shtuar se kjo nuk është rrugë për ta fuqizuar partinë apo degën.

    “Mësimi nga Drenasi, siç shihet, nuk pati efekt. Reflektimet në opinion nga ndonjë eksponent i lodhtë me ligjërata koti, apo nga Hamza që synon të barazoj shkakun dhe pasojën, nuk ndihmojnë zhvillimin e partisë”, ka shkruar ai.

    Lladrovci thekson se PDK-ja duhet të reformojë qasjen dhe metodat e veprimit politik dhe organizativ, duke i shërbyer “gjuhës së fitimtarëve me vizion, pa kushte dhe pa hile”.

    “Shkurtpamësinë politike do larguar nga partia e krijuar nga heronjtë tanë të luftës dhe paqes, duke përfaqësuar breza të tërë me përkushtim atdhetar, për Kosovën shtet me vlera euro-atlantike. Ndryshe, keqbërësit e bedelët politikë do të mbesin shenjë dalluese e partisë shteformuese dhe shtetndërtuese”, ka shkruar ndër të tjera Lladrovci.

    Lladrovci i fitoi zgjedhjet lokale në Drenas me iniciativë të vetën, pasi PDK-ja vendosi të kandidonte me Petrit Hajdarin.

  • Reuten: Kosovës duhet t’i përpunohet kërkesa për anëtarësim në BE

    Reuten: Kosovës duhet t’i përpunohet kërkesa për anëtarësim në BE

    Eurodeputeti Thijs Reuten ka kërkuar që Komisioni Evropian të propozojë heqjen e menjëhershme të masave kundër Kosovës dhe të nisë procesin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Në një reagim në profilin e tij në “X”, Reuten ka theksuar se Komisioni Evropian duhet t’u propozojë shteteve anëtare heqjen e masave për Kosovën.

    “Komisioni Evropian duhet t’u propozojë shteteve anëtare heqjen e masave dhe të fillojë përpunimin e kërkesës për anëtarësim të Kosovës në BE.”

    Për masat e vendosura, ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një takimi në Tiranë me Komisioneren Marta Kos dhe Drejtorin për Zgjerim, Gert Jan Koompan. Kurti ka thënë se është hera e fundit që adreson këtë çështje dhe ka kërkuar heqjen e menjëhershme të masave.

    Përsa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, Kurti dhe Osmani kanë kërkuar progres, por pas tre vitesh ende nuk ka asnjë veprim nga Bashkimi Evropian.

  • Drita nuk gabon ndaj Prishtinës së Re

    Drita nuk gabon ndaj Prishtinës së Re

    Kampioni aktual Drita ka shnuar fitore me rezultat 2:0 kundër Prishtinës së Re,ndeshje që i takoj xhiros së 14-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll.

    Në pjesën e parë u shënua vetëm një gol,ku Drita shënoi në minutën e 21-të përmes Rron Brojës për 1:0,dhe me epërsinë e gjilanasve përfunduan 45 minutat e parë.

    Në pjesën e dytë Drita vazhdoi dominimin në lojë,ku arriti të gjej edhe golin e dytë ku Kristal Abazaj shënoi për 2:0 në minutën e 53-të.

    Deri në fund të ndeshjes më gola nuk pati,dhe me këtë fitore Drita grumbullon 23 pikë,teksa Prishtina e Re është e fundit me 9 pikë të tubuara deri më tani.

  • Hajni thyen xhaminë në Obiliq, vidhet kasaforta me para

    Hajni thyen xhaminë në Obiliq, vidhet kasaforta me para

    Xhamitë në qytete të ndryshme të Kosovës shpeshherë janë cak i hajnave, të cilët ua vënë syrin gjërave me vlerë. Cak i hajnave janë më së shumti arkat e ndihmave e kasafortat e mbushura me para, por në raste tjera edhe gjësende tjera materiale.

    Një ngjarje e tillë ka ndodhur gjatë natës në xhaminë e Obiliqit.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë Xhamia e Hashanëve, duke theksuar se një person i panjohur ka hyrë me forcë, ka thyer xhamin dhe ka dëmtuar kasafortën ku ruheshin të hollat e dhuruara nga xhemati.

    Sipas xhamisë, rasti i është raportuar menjëherë policisë dhe shpresojnë që përgjegjësi të identifikohet sa më shpejt.

    Postimi i plotë:

    NJË NGJARJE E DHIMBSHME PËR XHAMINË TONË

    Të dashur vëllezër dhe motra,

    Me zemër të rënduar ju njoftojmë se gjatë natës së sotme xhamia jonë është përballur me një akt të dhunshëm e të dhimbshëm.

    Një person i panjohur ka hyrë me forcë në shtëpinë e Allahut, duke thyer xhamin dhe duke dëmtuar kasafortën ku ruheshin të hollat e dhuruara me sinqeritet nga xhemati ynë.

    Ky është jo vetëm një dëm material, por edhe një plagë shpirtërore për të gjithë ne që e duam dhe e mbështesim këtë vend të shenjtë. Ndjehemi të pikëlluar që një akt i tillë ka ndodhur në një vend ku mbizotëron paqja, lutja dhe mëshira.

    Rasti i është raportuar menjëherë policisë dhe shpresojmë që përgjegjësi të identifikohet sa më shpejt. Ju lusim që kushdo që mund të ketë parë apo dëgjuar diçka të na njoftojë.

    I lutemi që Allahu ta ruajë xhaminë tonë dhe zemrat tona nga çdo e keqe.

    Allahu ju shpërbleftë për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj!