ATV

Blog

  • Bien temperaturat, ditën e sotme priten reshje shiu e bore

    Bien temperaturat, ditën e sotme priten reshje shiu e bore

    Ditën e sotme mbi vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët, ndërsa herë pas here do të ketë edhe reshje lokale shiu dhe bore.

    Reshjet e borës pritet të shfaqen edhe në disa zona të ulëta, sidomos në pjesën veriore dhe verilindore të vendit, me gjasë duke përfshirë edhe Prishtinën.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 10-36 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të mëtejshme, me minimale që do të lëvizin prej -1 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale prej 2 deri në 7°C.

  • Lëndohet Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani

    Lëndohet Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani

    Amir Rrahmani, kapiteni i Kosovës, është lënduar gjatë fitores së Napolit ndaj Atalantas në Serie A.

    Napoli mposhti Atalantan 3-1 në ndeshjen e javës së 12-të të kampionatit italian, e zhvilluar të shtunën në “Stadio Diego Armando Maradona”. Rrahmani, lider i mbrojtjes së Napolit, u detyrua të lërë fushën në minutën e 64-t të takimit për shkak të një lëndimi të papritur. Ai u zëvendësua nga Juan Jesus.

    Në këtë fitore, David Neres shënoi dy gola për napolitanët, ndërsa Noa Lang shënoi golin e tretë. Pjesa tjetër e golave erdhi nga Gianluca Scamacca, i cili realizoi për Atalantën, që nuk arriti të shpëtonte nga humbja.

    Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, e luajti të plotë ndeshjen për Atalantan.

    Me këtë fitore, Napoli ngjitet në 25 pikë dhe qëndron në pozita të forta në tabelën e Serie A, ndërsa Atalanta, me 13 pikë, mbetet në mesin e renditjes.

    Rrahmani, 31 vjeç, ka pasur probleme të vazhdueshme me lëndime edhe në fillim të këtij edicioni, dhe mungoi në 12 ndeshje për shkak të një dëmtimi muskulor. Tashmë, mbetet të shihet se sa serioze është lëndimi i tij dhe kur do të kthehet në fushë.

  • (VIDEO) Aksident fatal në cirkun italian: Akrobati humb jetën pas një shfaqjeje të rrezikshme

    (VIDEO) Aksident fatal në cirkun italian: Akrobati humb jetën pas një shfaqjeje të rrezikshme

    Një aksident tragjik ka ndodhur në një cirk në Itali, ku një akrobat humbi jetën para syve të publikut pasi një shfaqje rrezikshme shkoi keq.

    Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin Sant’Anastasia, afër Napolit, gjatë një shfaqjeje nga cirku Imperial Royal, njofton Wanted in Rome.

    Aksidenti ka ndodhur gjatë performancës së famshme të “Globi i Vdekjes”, ku tre motoçiklistë profesionistë hipën të tre njëkohësisht në një sferë të madhe çeliku. Tre burrat, një 26-vjeçar kilian, një 43-vjeçar meksikan dhe një 43-vjeçar kolumbian, ishin duke kryer aktin në errësirë, me dritat LED që ndriçonin vetëm kostumet e tyre.

    Sipas informacioneve të para, akrobati kilian humbi kontrollin e motoçikletës dhe ra nga sfera. Kur u ndezën dritat, u pa menjëherë se gjendja ishte shumë e rëndë.

    Sipas gazetës Corriere della Sera, 26-vjeçari vdiq pak pas aksidentit.

    Tragjedia ndodhi para një audience të mbushur plot, përfshirë një numër të madh fëmijësh, disa prej të cilëve po filmonin shfaqjen me telefonat e tyre.

    Policia ka nisur një hetim dhe po mbledh pamjet amatoreske të vizitorëve për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit. Kryebashkiaku i Sant’Anastasias, Domenico Esposito, e ka cilësuar këtë ngjarje si “shkatërruese” dhe ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimës.

    “E di që shumë fëmijë ishin të pranishëm dhe e panë këtë tragjedi”, tha Esposito. “Ne bashkohemi me dhimbjen e familjeve të prekura nga ky incident tragjik.”

    Për të parë videon klikoni në link👇🏻

    https://video.corrieredelmezzogiorno.corriere.it/le-immagini-dell-incidente-mortale-al-circo-di-sant-anastasia/c17bae4d-b8fb-4b89-a55e-d82c2d9f8xlki

  • Prishtina nën vëzhgim të kamerave, në vitin e ardhshëm edhe 600 kamera të reja

    Prishtina nën vëzhgim të kamerave, në vitin e ardhshëm edhe 600 kamera të reja

    Ka përfunduar faza e fundit e projektit për vendosjen e kamerave të sigurisë në kryeqytet, por që Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica, ka bërë të ditur se në 2026-ën do të nisë zgjerimi i madh i këtij sistemi.

    Ai njoftoi se plani i përbashkët me Policinë e Kosovës parasheh vendosjen e afër 600 kamerave të reja në 200 lokacione të Prishtinës, shkruan Ekonomia Online.

    Fushtica tha se deri më tani janë instaluar 165 kamera në 54 lokacione, duke theksuar se ky është vetëm fillimi i projektit afatgjatë për rritjen e sigurisë publike në kryeqytet. Sipas tij, investimet do të vijojnë vitin e ardhshëm me buxhet të planifikuar posaçërisht për këtë projekt.

     “Projekti i parë për vendosjen e kamerave, faza e fundit është përfunduar, deri më tani janë vendosur 165 kamera në 54 lokacione. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj çka ne mendojmë të bëjmë. Nga viti tjetër, pra 2026, i kemi paraparë me buxhet që të vazhdojmë dhe plani që është bërë bashkarisht nga Policia e kryeqytetit dhe Drejtoria e Sigurisë, parasheh që të vendosen afër 600 kamera në 200 lokacione në kryeqytet”, tha ai.

    Ai theksoi se përfitimet nga ky sistem janë të drejtpërdrejta dhe të matshme në aspektin e sigurisë publike, kontrollit të trafikut dhe zbulimit e rasteve.

    “Përfitimi është fillimisht parandalimi dhe rritja e sigurisë publike në kryeqytet, kemi të bëjmë me rritje të sigurisë publike në përgjithësi, kemi të bëjmë me kontrollin më të mirë të trafikut, kontrollin më të mirë të mobilitetit dhe zbulimin e rasteve. Deri më tani, sipas të dhënave që i kemi nga Policia e kryeqytetit kemi një rritje të zbulueshmërisë së rasteve deri në 30 për qind, po ashtu edhe një parandalim apo zvogëlim të rasteve deri në 30 për qind dhe deri 100 për qind kemi zbulueshmëri të rasteve ‘godit dhe ik’, pra kur pjesëmarrësit në komunikacion shkaktojnë aksident dhe ikin, për arsye se kamerat janë të vendosura në gjitha hyrjet dhe daljet e kryeqytetit. Të vendosura janë në udhëkryqe, në sheshet kryesore dhe rrugët kryesore, do të vazhdojmë që të vendosen në gjitha pjesët e kryeqytetit sipas vlerësimit të rrezikshmërisë”, tha ai.

    Fushtica bëri të ditur se menaxhimi i sistemit të kamerave bëhet vetëm nga Policia e Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “Sipas ligjit, të vetmit janë Policia e Kosovës, këtë rast Drejtoria e Policisë së kryeqytetit, e cila vetëm se e kemi vendosur një pikë të monitorimit në sektorin e trafikut të kryeqytetit të cilat monitorohen 24/7”, tha ai.

  • Rrëzimi i avionit luftarak në Dubai, momenti fatal ku humbi jetën piloti

    Rrëzimi i avionit luftarak në Dubai, momenti fatal ku humbi jetën piloti

    Një video e re po bën xhiron e internetit nga rrëzimi i avioni luftarak në Dubai gjatë një demonstrimi në Panairin Ajror të Dubait, me një rezultat tragjik në vdekjen e pilotit.

    Videoja regjistron të gjithë trajektoren e avionit fatal, një tip HAL Tejas, deri në rrëzimin e tij.

    Konkretisht, avioni luftarak shihet duke bërë manovra të ndryshme ndërsa fluturon në një lartësi relativisht të ulët. Në një moment, shpejtësia e tij duket se ndërpritet papritur me “hundën” e tij që ngrihet papritur dhe pastaj kthehet.

    Pas pak kohe, dhe pasi avioni bën një kthesë, ndodh rrëzimi ndërsa avioni luftarak humbet papritur lartësinë dhe përplaset në zonën pranë pistës së aeroportit.

  • LDK-ja nesër nominon kandidatin për kryeministër

    LDK-ja nesër nominon kandidatin për kryeministër

    Lidhja Demokratike e Kosovës të dielën pritet të caktojë kandidatin për kryeministër për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    LDK-ja këtë e ka konfirmuar në thirrjen e mbledhjes së Kryesisë së saj që do të nisë nga ora 15:00.

    Si pikë e dytë e rendit të ditës është edhe nominimi i kandidatit të LDK-së për kryeministër.

    Për zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, LDK-ja kishte Lumir Abdixhikun kandidat për kryeministër.

  • “Sarajevo Safari”, paralajmërohet padi kundër Vuçiqit edhe në Serbi

    “Sarajevo Safari”, paralajmërohet padi kundër Vuçiqit edhe në Serbi

    Avokati Çedomir Stojkoviq ka njoftuar se do të paraqesë padi kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiq në prokurorinë e Beogradit, për shkak të akuzave për pjesëmarrjen në “Sarajevo Safari”.

    Në fillim të njoftimit të tij, Stojkoviq deklaroi se këto akuza duhet të hetohen edhe në Serbi, dhe jo vetëm në Itali, ku edhe nisi hetimi.

    “Nuk ka asnjë arsye që zyra e prokurorit në Milano të hetojë krimin Sarajevo Safari dhe pjesëmarrjen e Aleksandar Vuçiq në të. Unë do të paraqes një kërkesë për hetim në Prokurorinë për Krime Lufte dhe në Prokurorinë për Krim të Organizuar në lidhje me Sarajevo Safari në Sarajevë”, tha Stojkoviq.

    “Sipas dëshmive ekzistuese, turet u organizuan përmes Beogradit dhe vetë Aleksandar Vuçiq është shtetas i Serbisë. Ekziston një detyrim që zyra e prokurorit në Beograd t’i bashkohet hetimit dhe të përfshijë të gjithë të dyshuarit, veçanërisht Aleksandar Vuçiqin”, shtoi avokati serb.

  • Ramush Haradinaj: Ende i kam plagët në trup e me m’thanë mu je me Listën Serbe

    Ramush Haradinaj: Ende i kam plagët në trup e me m’thanë mu je me Listën Serbe

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj disa zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas tij po i etiketojnë ish-luftëtarët e UÇK-së si të lidhur me Listën Serbe.

    Haradinaj deklaroi se këto akuza janë të papranueshme, duke rikujtuar sakrificat e tij dhe të familjes së tij gjatë luftës. “Moni more se ju vranë Zoti. Ende i kam plagët në trup, e me m’thanë mu ‘je me Listën Serbe’”, ka thënë ai

    Ai shtoi se në kohën kur ai dhe bashkëluftëtarët po luftonin kundër forcave serbe, sot akuzuesit ishin në anën tjetër. “Ai që ia ka kthyer pushkën Millosheviqit, ai që e ka bërë ushtrinë e Kosovës, e ju i thuni me Listën Serbe. Po ata të VV-së vetë janë me ta,” tha Haradinaj.

    Haradinaj ka kujtuar humbjet personale dhe kohën e kaluar në Hagë. “Paramendoni dy vëllezën të vrarë, me të dy kam qenë kur janë vrarë. Katër vjet nëpër burgje të Hagës, e gjithë jetën në shërbim të këtij vendi, e këta të thonë ‘je me Listën Serbe’,” u shpreh ai në TVArbëria.

  • Italia prezanton trenin festiv “Espresso Monaco” – një përvojë unike Krishtlindjesh nga Roma në Mynih

    Italia prezanton trenin festiv “Espresso Monaco” – një përvojë unike Krishtlindjesh nga Roma në Mynih

    Italia ka prezantuar një tren të ri festiv, i cili do të realizojë vetëm dy udhëtime speciale gjatë dhjetorit 2025, nga Roma drejt Mynihut. “Espresso Monaco” është një tren nate me tematikë të tregjeve të Krishtlindjeve, që udhëton përmes Italisë, Austrisë dhe Gjermanisë, duke kaluar në disa prej qyteteve më të njohura për atmosferën festive.

    Treni ofron dekorime të ngrohta, muzikë tradicionale të sezonit, një vagon restoranti me ushqime tipike dimërore dhe një dhuratë mirëseardhjeje për çdo pasagjer. Qëllimi është të sjellë sërish magjinë e udhëtimit të ngadaltë – dritat festive, kuzhina e mirë dhe peizazhet e mbuluara me dëborë që duken si kartolina.

    Udhëtimet e planifikuara:

    Nga Roma: 5 dhe 12 dhjetor

    Nga Mynihu: 7 dhe 14 dhjetor

    Me vetëm katër udhëtime gjithsej, kjo është një eksperiencë e rrallë për ata që duan të zgjohen mes Alpeve, larg stresit të aeroporteve dhe radhëve të gjata.

  • “Shqipja do përfundojë gjuhë e dytë në Shqipëri”, pedagogia: Fëmijët po flasin anglisht

    “Shqipja do përfundojë gjuhë e dytë në Shqipëri”, pedagogia: Fëmijët po flasin anglisht

    Në Ditën e Alfabetit, përveç vlerësimit të rëndësisë historike të kësaj ngjarjeje, u hodhën dritë edhe mbi sfidat me të cilat përballet sot gjuha shqipe. Pedagogia Anila Kananaj ngriti shqetësimin se ndikimi i gjuhës angleze po bëhet gjithnjë e më i fortë, sidomos për shkak të teknologjisë dhe përdorimit masiv të saj.

    Sipas Kananajt, prindërit dhe mësuesit po përballen me një realitet të ri ku fëmijët mësojnë më shpejt anglishten se shqipen. Ajo rikujtoi rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit, i cili, sipas saj, ishte themeli që i dha shqiptarëve gjuhën letrare të përbashkët.

    “Kongresi i Manastirit ishte guri i themelit për atë që e quajmë gjuhë letrare. Pa atë nuk do të kishim një gjuhë të përbashkët letrare. Ai hapi rrugën për kongresin e drejtshkrimit, tekstet që i kemi një të përbashkët. Përsa kemi shqiptarë që flasin gjuhën shqipe, gjuha do të jetojë. Shqipja po përballet me gjuhë si anglishtja. Teknologjia po bën punën e vet. Fëmijët sot po flasin anglisht, iu vjen më lehtshëm”, tha Kananaj në A2 CNN.