ATV

Blog

  • Instituti Hidrometeorologjik lëshon alarm të verdhë, rritet rreziku i vërshimeve sonte në këto rajone

    Instituti Hidrometeorologjik lëshon alarm të verdhë, rritet rreziku i vërshimeve sonte në këto rajone

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar një paralajmërim me nivel të verdhë për reshje të dendura dhe rrezik potencial të vërshimeve në disa rajone të vendit.

    Në njoftim thuhet se, situata pritet të përkeqësohet nga mbrëmja e së shtunës.

    “Duke pasur parasysh, situatën e përgjithshme të pa qëndrueshme hidrometeorologjike gjatë këtyre ditëve, e cila përfshin reshje, duke shkaktuar edhe vërshime në disa zona të vendit. Aktualisht lumenjtë në tërë vendin kanë pësuar rënie, por reshjet e shiut të cilat parashikohen të bien gjatë orëve në vijim, sidomos në pjesën lindore (Pellgu e Moravës së Binçës), do të ndikojnë që të rriten përsëri prurjet e ujit nga pjesët e larta malore dhe rrjedhimisht edhe Lumin Morava e Binçës me degën kryesore Kriva Reka, të cilat mund të shkaktojnë vërshime”, thuhet në njoftim.

    Situata e tillë do të dominojë edhe në pjesë tjera të vendit, sidomos pjesa veri-lindore, (Pellgu i Llapit), qendrore (Sitnica) dhe jugore (Pellgu i Lepencit).)

    Tutje, thuhet se moti është potencialisht i rrezikshëm

    “Fenomenet e motit që janë parashikuar nuk janë të pazakonta, por kini kujdes nëse keni ndërmend të praktikoni aktivitete të ekspozuara ndaj rreziqeve meteorologjike. Qëndroni të informuar rreth kushteve të pritshme meteorologjike dhe mos merrni përsipër rreziqe të shmangshme”, theksohet tutje.

  • Emiliano Martinez në radarin e gjigantit italian Inter

    Emiliano Martinez në radarin e gjigantit italian Inter

    Gjiganti italian Inter po synon që të gjejë një pasardhës për Yann Sommer,i cili mund të jap fund karrierës në futbollin profesionist.

    Football Insoder bën të ditur se portieri argjentinas i Aston Villas Emiliano Martinez është vënë në radarin e neuroazzuarëve,dhe Inter dëshiron që të transferojë gjatë afatit kalimtar të janarit.

    Përndryshe Aston Villa është e gatshme ta vë në shitje Martinezin,por me kusht që nëse vije ndonjë ofertë tejet e përshtatshme.

    Në anën tjetër trajneri i Interit Christian Chivu nuk po ka besim tek gardiani zvicran Yan Sommer,dhe po shqyrton mundësitë për të siguruar një portier të ri.

    Kujtojmë që Emiliano Martinez ka kontratë me Aston Villan deri në vitin 2029,teksa në tregun e transferimeve vlen rreth 16 milionë euro.

  • Gjykata merr vendimin për Belinda Ballukun dhe vartësit e saj

    Gjykata merr vendimin për Belinda Ballukun dhe vartësit e saj

    Ka përfunduar seanca në Gjykatën e Posacme për Belinda Ballukun, kreun e ARRSH dhe KESH.

    Nuk ka asnjë ndryshim nga masat e sigurisë që ishin marrë më parë.

    Gjykata ka lënë në fuqi masën “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për Belinda Ballukun, si dhe “arrest shtëpie” për Erald Elezin dhe Gentian Gjylin.

  • Ambasadori palestinez në Tiranë: Kosovën s’e njohim shkaku i Ambasadës në Jerusalem

    Ambasadori palestinez në Tiranë: Kosovën s’e njohim shkaku i Ambasadës në Jerusalem

    Ambasadori palestinez në Shqipëri, Sami Mhanna, ka thënë se vendi i tij nuk e njeh Kosovën për shkak të hapjes së Ambasadës në Jerusalem.

    Ai ka thënë se megjithatë, nuk i dihet kurrë nëse vendi i tij do të ndryshojë qëndrim për sa i përket kësaj çështjeje.

    “Sa i përket njohjes së Kosovës, nuk i dihet kurrë. E kam thënë shumë herë më parë në intervista, dhe shumë njerëz janë zemëruar me mua. I kam parë komentet, jam përballur me kritika. Unë kam folur nga këndvështrimi i qeverisë sime. Palestinezët në përgjithësi, edhe qeveria e Palestinës, nuk kanë asgjë kundër Kosovës dhe popullit të Kosovës”.

    “Çështja e zhvendosjes, ose më saktë themelimi i Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Jerusalemi është territor i pushtuar. Sipas të drejtës ndërkombëtare, konsiderohet territor i pushtuar, dhe nuk mund të hapësh ambasadë atje sepse konsiderohet shkelje e hapur e të drejtës ndërkombëtare. Këtë ia kam thënë edhe presidentit (Bajram) Begaj. Ai më pyeti pse Palestina nuk e ka njohur Kosovën. Unë i thash, kjo është arsyeja kryesore”, deklaroi Mhanna.

    Ndër të tjera, ambasadori ka thënë se e njeh personalisht homologun e tij kosovar në Tiranë, me të cilin thotë se flet normalisht.

    Shton se vendi i tij nuk ka asgjë kundër popullit të Kosovës.

    Më tutje, ai përmend edhe një deklaratë që i atribuohet presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, i cili është cituar të ketë thënë se vendi i tij nuk e njeh Kosovën për shkak të Serbisë.

    “Kështu është thënë, por ai nuk e ka thënë atë gjë. Të gjitha ato raporte kanë qenë të gabuara. Çështja e Kosovës ka qenë e lidhur me të drejtën ndërkombëtare, kështu e di unë”, thotë Mhanna.

    Për çështjen e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, ambasadori palestinez tha se shumë njerëz i thonë se kjo nuk është arsye e fortë për të mos njohur mëvetësinë e vendit, duke ia rikujtuar historinë e re se çfarë ka ndodhur.

    “Por unë nuk e di çka ka ndodhur atëherë, ndoshta ka gjëra që ne nuk i dimë. Unë po e them pozicionin e vendit tim. Çështja është se Ambasada u hap në Jerusalem. Kjo ka qenë arsyeja kryesore”, deklaroi ambasadori Sami Mhanna.

    I pyetur nëse ka qenë ndonjëherë në Kosovë, ai tha: “Kur më caktuan për ambasador në Shqipëri, erdha me makinë. Kalova nëpër Kosovë, nuk u ndala në Prishtinë, por është shumë e bukur. Pash male e natyrën. Absolutisht planifikoj ta vizitoj së shpejti”.

  • Pas Imamoglut, mund të arrestohet edhe një rival i fuqishëm i Erdoganit

    Pas Imamoglut, mund të arrestohet edhe një rival i fuqishëm i Erdoganit

    Ministria e Brendshme e Turqisë ka dhënë lejen për të nisur hetimet ndaj kryetarit të Ankarasë, Mansur Yavaş, dhe shefit të kabinetit të tij, Nevzat Uzunoglu, për akuzat e “keqpërdorimit të detyrës” dhe “neglizhencës në mbikëqyrje”.

    Ky vendim vjen pas shqetësimeve të ngritura lidhur me menaxhimin e shpenzimeve për koncerte të organizuara nga bashkia.

    Sipas hetimeve të Prokurorisë së Ankarasë, aktakuza ka evidentuar dyshime se Yavaş dhe Uzunoglu mund të jenë përfshirë në keqpërdorime dhe se kanë dështuar në detyrën e tyre për të kontrolluar dhe mbikëqyrur shpenzimet e bashkisë, raporton cnnturk.

    Hetimet janë bazuar në kontrolle të kryera nga inspektorët e Ministrisë së Brendshme, analiza të MASAK-ut (Agjencia për Kontrollin Financiar) dhe raportet e ekspertëve financiarë.

    Prokuroria kërkon mbi 2,000 vjet burg për kryetarin e bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu

    Rezultatet e këtyre kontrolleve tregojnë se në 32 koncerte të ndryshme, shpenzimet kanë arritur në shumën e 154.4 milionë lirave turke (rreth 3.1 milionë euro), duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm për buxhetin e komunës.

    Më 23 shtator, autoritetet ndaluan 14 persona, përfshirë ish-zyrtarë të komunës dhe përfaqësues të disa kompanive që kanë qenë të përfshirë në organizimin e koncerteve, të cilët akuzohen për “keqpërdorim detyre” dhe “manipulim me tenderat”.

    Për më tepër, vlen të theksohet se Mansur Yavaş konsiderohej ndër kandidatët kryesorë që mund të sfidonin presidentin Recep Tayyip Erdoğan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, veçanërisht pas arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem İmamoğlu, duke i dhënë kësaj çështjeje një rëndësi të veçantë politike.

  • Truri mund të ndryshojë – Neurologët zbulojnë zakonin që duhet ta ndaloni pas moshës 60 vjeç

    Truri mund të ndryshojë – Neurologët zbulojnë zakonin që duhet ta ndaloni pas moshës 60 vjeç

    Neurologët thonë se një zakon i përditshëm e dëmton më shumë trurin me kalimin e viteve që shumica prej nesh e bëjnë pa e kuptuar

    Ndërsa hyjmë në të dyzetat dhe të pesëdhjetat, shumë njerëz fillojnë të mendojnë se si t’i ruajnë aftësitë kognitive në afat të gjatë. Edhe të gjashtëdhjetat janë periudhë kyçe për shëndetin e trurit, sepse truri fillon të tkurret që në të tridhjetat dhe të dyzetat, ndërsa ky proces përshpejtohet rreth moshës 60 vjeç. Edhe pse është normale që me kalimin e viteve truri të zvogëlohet dhe neuronet të vdesin gradualisht, ka mënyra për ta ngadalësuar këtë proces përmes ushqimit dhe zakoneve të përditshme që mbështesin shëndetin e tij.

    Sipas ekspertëve, ekziston një zakon të cilin njerëzit duhet ta braktisin deri në moshën 60-vjeçare, nëse duan ta mbrojnë sa më mirë trurin: ‘multitasking’ – kryerja e disa detyrave njëkohësisht.

    “Kur bëjmë multitasking, në fakt po kalojmë me shpejtësi nga një detyrë në tjetrën dhe kjo kërkon më shumë përpjekje mendore. Ndikon në aftësinë tonë për të ruajtur fokusin dhe e ngarkon kujtesën punuese”, shpjegon neurologu dr. Greg Cooper për Parade.

    Neurologu dr. Brendon Crawford shton: “Sa herë që ndërroni fokusin, korteksi prefrontal duhet të shkëputet nga një detyrë, të shtypë atë qark nervor, të aktivizojë një tjetër dhe të ri-orientohet”, përcjell Telegrafi, transmeton Periskopi.

    Pse përqendrimi në një detyrë është më i shëndetshëm?

    Të dy specialistët theksojnë se multitasking ka pasoja afatshkurtra dhe afatgjata.

    “Së shpejti, multitasking shkakton lodhje kognitive”, thotë dr. Crawford, dukuri që manifestohet me vështirësi në përqendrim dhe rraskapitje mendore.

    Dr. Cooper thekson se multitasking rrit numrin e gabimeve dhe e vështirëson procesin e të mësuarit, ndërsa dr. Crawford paralajmëron se afatgjatë “ul sasinë e lëndës gri të trurit” dhe rrit nivelin e kortizolit, gjë që mund të jetë neurotoksike për hipokampusin.

    Në vend të multitaskingut, ekspertët rekomandojnë të fokusoheni në një detyrë në një moment.

    Dr. Crawford thotë se një qasje e tillë përmirëson cilësinë e punës dhe ul lodhjen mendore. “Këshilla ime: filloni me blloqe vëmendjeje, periudha 20-minutëshe pune të përqendruar, me telefonin në ‘airplane mode’ dhe me njoftimet e fikura.”

    Ai shton se në këtë mënyrë mund të riparoni gradualisht dëmin që multitaskingu ka shkaktuar ndër vite: “Lajmi i mirë është se truri mund të ndryshojë.”

    Përqendrimi në një detyrë sjell më shumë qartësi mendore dhe ndjenjë më të vogël mbingarkese.

    Dr. Crawford shpjegon se “monotasking”, përqendrimi i plotë në një detyrë, ndihmon në rinovimin e kapacitetit të vëmendjes, edhe pse në fillim mund të duket i pakëndshëm sepse bie ndesh me zakone të ndërtuara prej vitesh.

  • Bitcoin humb fitimet e vitit – pse dhe çfarë pritet më tej?

    Bitcoin humb fitimet e vitit – pse dhe çfarë pritet më tej?

    Tregjet globale po përballen me goditje të njëpasnjëshme për shkak të tarifave të reja amerikane, rritjes së inflacionit dhe pasigurisë së vazhdueshme mbi drejtimin e normave të interesit.

    Këta faktorë kanë krijuar presion të fortë mbi asetet e rrezikshme, duke përfshirë edhe kriptomonedhat, të cilat po tërhiqen me shpejtësi. Si rezultat, Bitcoin është rrëzuar nën nivelin me të cilin e nisi vitin, duke humbur vrullin që e shoqëroi gjatë muajve të parë të 2025-s.

    Sipas ekspertëve të tregut, kriptomonedhat nuk po funksionojnë më si “strehë e sigurt”, siç janë perceptuar shpesh në të kaluarën. Përkundrazi, ato po lëvizin në të njëjtin ritëm me pasiguritë makroekonomike globale, duke u bërë të varura nga zhvillimet gjeopolitike dhe politikat monetare të bankave qendrore.

    Bitcoin e nisi vitin me çmimin 93,540 dollarë dhe në tetor arriti një rekord të ri prej 126,200 dollarësh. Megjithatë, entuziazmi nuk zgjati: çmimi është kthyer rreth 83,425 dollarëve, duke fshirë kështu të gjitha fitimet e grumbulluara gjatë 2025-s.

    Rënia nuk i ka kursyer as kriptomonedhat e tjera kryesore. Ethereum, për shembull, ka rrëshqitur ndjeshëm deri në 2,733 dollarë, duke reflektuar të njëjtën tendencë të presionit të përgjithshëm të tregut.

    Në këtë klimë pasigurie, investitorët po i zvogëlojnë ekspozimet ndaj aseteve të rrezikshme dhe po kërkojnë stabilitet. Tregu i kriptomonedhave po hyn në një fazë konsolidimi, ndërsa pjesëmarrësit po rishikojnë strategjitë e tyre dhe po presin qartësi mbi zhvillimet e ardhshme ekonomike.

    Megjithatë, disa analistë, përfshirë ekonomistin Harvey, kujtojnë se kriptomonedhat historikisht kanë treguar aftësi të rimëkëmbjes pas periudhave të rëna të forta.

    Ai thekson se ciklet e ngjashme kanë ndodhur edhe më parë dhe se tregu i kriptove mund të rikthehet në rritje pasi të stabilizohen faktorët globalë.

    Ndërkohë, vëmendja po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt stablecoin-ëve – monedha digjitale të mbështetura nga asete reale, kryesisht dollarë amerikanë—që shihen si një alternativë më e qëndrueshme në kohë turbulencash.

    Investitorët po tregohen gjithnjë e më të kujdesshëm, veçanërisht ndaj skemave të rrezikshme të aseteve digjitale, duke kërkuar forma më të sigurta për të ruajtur kapitalin në një periudhë të mbushur me pasiguri ekonomike.

  • Vuçiq reagon pas akuzave se kishte lidhje me “snajperët e fundjavës” në Sarajevë

    Vuçiq reagon pas akuzave se kishte lidhje me “snajperët e fundjavës” në Sarajevë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i mohoi të premten pretendimet që e lidhin atë me të ashtuquajturit “snajperë të fundjavës” në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë në vitet ‘90, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Vuçiq deklaroi për TV Informer se “unë kurrë nuk kam mbajtur pushkë në dorë” dhe njoftoi se do të ngrejë padi kundër mediave që e kanë publikuar këtë, duke shtuar se do t’i angazhojë “avokatët më të mirë në botë”.

    Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, deklaroi të martën se ia ka dorëzuar Prokurorisë në Milano – e cila po udhëheq hetimin për “snajperët e fundjavës” – të dhënat që, sipas tij, tregojnë se Vuçiqi ka marrë pjesë ose ka ndihmuar në “turizmin e snajperëve”, ku thuhet se të huaj të pasur paguanin forcat serbe rreth Sarajevës së rrethuar për të shtënë ndaj civilëve të qytetit.

    Vuçiq, në intervistën për TV Informer, tha se “nuk kishte dëgjuar kurrë për një fundjavë” të tillë.

    “ Por, kjo s’ka rëndësi. Unë nuk kam pasur pushkë; madje kur kam ardhur dhe kam pyetur nëse mund të jem me ju, më thanë ‘djalosh, kthehu, na duhet gazetar dikush që di anglisht’. Historia është aq absurde dhe këtë e dinë të gjithë; kam incizime, dëshmitarë, dhe aty ku thonë se ishte pushka, në fakt ishin këmbët mbajtëse të kamerës që po ia mbaja kameramanit”, tha Vuçiq.

    Ai shtoi se do t’i angazhojë “avokatët më të mirë në botë” për t’i paditur mediat si The Guardian, Daily Mail dhe të tjera që kanë raportuar për këtë.

    Vuçiq tha se beson se mund të fitojë miliona euro në këto padi.

  • Irani kërkon ndihmë urgjente për luftimin e zjarrit në pyjet e veta antike

    Irani kërkon ndihmë urgjente për luftimin e zjarrit në pyjet e veta antike

    Irani ka kërkuar ndihmë të menjëhershme ndërkombëtare për ta shuar një zjarr të madh që nisi të përhapet para tri javëve në pyjet e lashta Hirkaniane, të cilat janë në listën i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 2019.

    Zjarri, i cili nisi pranë fshatit Elit në provincën Mazandaran më 31 tetor, u ka shpëtuar përpjekjeve për ta vënë nën kontroll dhe vazhdon të kërcënojë një nga ekosistemet më të vjetra dhe më të pasura në botë.

    Mohammad Jafar Qaempanah, zëvendës i presidentit iranian Masud Pezeshkian, njoftoi më 21 nëntor në X se janë bërë përgatitjet për të “kërkuar me shpejtësi ndihmë nga vendet mike”.

    Derisa Qaempanah nuk tregoi se cilat vende, Shina Ansari, kreu i Departamentit të Mjedisit të Iranit, më vonë konfirmoi se Turqia do të dërgojë dy avionë specialë për shuarjen e zjarreve, një helikopter dhe një ekip prej tetë personash për të ndihmuar në fikjen e flakëve.

    Ansari shtoi se Irani mund të kërkojë ndihmë edhe nga Rusia, “nëse është e nevojshme”.

    Autoritetet pretendojnë se zjarri fillimisht u vu nën kontroll pas disa ditësh, por një “fazë e dytë” u riaktivizua fundjavën e kaluar, njofton rel.

    Megjithatë, aktivistët mjedisorë dhe banorët vendës këmbëngulin se zjarri ka vazhduar të digjet pandërprerë në tri javët e fundit dhe nuk është vënë kurrë plotësisht nën kontroll.

    Tereni i ashpër, moti jashtëzakonisht i ngrohtë dhe grumbullimi i gjetheve të thata dhe pemëve të rrëzuara kanë kontribuar në qëndrueshmërinë dhe përhapjen e zjarrit.

    Pamjet gjatë natës që po qarkullojnë në internet tregojnë shkallën e dëmtimit dhe përpjekjet rraskapitëse të ekipeve të emergjencës dhe vullnetarëve që luftojnë me flakët.

    Mehrdad Khazaei-Poul, kreu i Departamentit të Burimeve Natyrore të Mazandaranit, ia la fajin për zjarrin kryesisht neglizhencës njerëzore.

    “Për fat të keq, disa individë kanë vepruar me pakujdesi, duke shkaktuar zjarrin”, tha ai, duke theksuar se “faktorët natyrorë nuk kanë qenë shkaku kryesor”.

    Pyjet Hirkaniane – rreth 660.000 hektarë prej të cilëve ndodhen në Provincën Mazandaran – janë ndër ekosistemet më të vjetra në botë dhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

    Të shtrira përgjatë brigjeve jugore të Detit Kaspik, këto pyje datojnë më shumë se 40 milionë vjet dhe përmbajnë pemë deri në 500 vjet të vjetra, sipas UNESCO-s.

  • Bora mbulon Kroacinë, mbyllet një pjesë e autostradës

    Bora mbulon Kroacinë, mbyllet një pjesë e autostradës

    Reshjet e borës përfshiu pjesën më të madhe të Kroacisë gjatë natës, duke krijuar kushte të vështira udhëtimi dhe duke nxitur paralajmërime nga meteorologët dhe autoritetet rrugore.

    Bora që mbuloi pjesë të Kroacisë sot ka krijuar gjithashtu probleme të mëdha, raporton Index.hr.

    Autostrada A1 është e mbyllur për të gjithë trafikun midis kryqëzimeve të Sveti Rok dhe Posedarje.

    Përveç rrugëve që janë mbyllur, edhe një alarm i kuq për motin është lëshuar për rajonin e Rijekës.