ATV

Blog

  • Prishtina hap edicionin e tretë të Festivalit të Teatrit Shqiptar “MOISIU”

    Prishtina hap edicionin e tretë të Festivalit të Teatrit Shqiptar “MOISIU”

    Në Prishtinë ka nisur edicioni i tretë i Festivalit të Teatrit Shqiptar “MOISIU”, një nga ngjarjet më të rëndësishme për artin skenik në hapësirën shqiptare. Për një javë me radhë, trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Presheva do të sjellin në skenë komedi, drama dhe vepra moderne në Sallën e Kuqe dhe në Amfiteatër.

    Festivali zhvillohet nga 22 nëntori 2025 deri më 27 nëntor 2026, duke ofruar një program të larmishëm për publikun e kryeqytetit. Në hapje, Teatri Kombëtar i Tiranës prezanton komedinë “Si ta doni”, ndërsa gjatë ditëve në vijim do të ngjiten në skenë shfaqje nga Gjakova, Korça, Tetova, Gostivari, Prizreni e trupa të tjera profesioniste.

    Edicioni i sivjetëm kulmon me ceremoninë përmbyllëse më 27 nëntor, ndërsa festivali synon të krijojë një platformë të përbashkët artistike që promovon bashkëpunimin, talentin dhe zhvillimin e teatrit shqiptar.

  • TKOB sjell një program të pasur për Festat e Nëntorit, Aulon Naçi zbulon aktivitetet

    TKOB sjell një program të pasur për Festat e Nëntorit, Aulon Naçi zbulon aktivitetet

    Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka përgatitur një muaj nëntor të mbushur me aktivitete, ku tradita shqiptare dhe muzika klasike vijnë për publikun me rreth 20 shfaqje të ndryshme. Programi përfshin premierën e dedikuar kompozitorit George Enescu, performancat e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore me motive festive, si edhe vepra të njohura nga Mozart e Beethoven.

    Drejtori i TKOB, Aulon Naçi, theksoi se institucioni po sjell një larmi të jashtëzakonshme ngjarjesh:
    “Opera ka një shumëllojshmëri aktivitetesh si rrallë herë më parë. Nuk ndalemi vetëm te festat kombëtare, por ofrojmë koncerte, konferenca dhe përgatitemi edhe për atmosferën e dhjetorit.”

    Ai shtoi se TKOB synon të dalë përtej Tiranës, duke organizuar edhe ture në qytete të tjera të vendit, për t’ua sjellë artin skenik shqiptar të gjithë dashamirëve të tij.

    Programi i këtij muaji e pozicionon TKOB-in si një qendër të rëndësishme kulturore, që ruan traditën, promovon artistët dhe ndërton një lidhje të fortë mes së shkuarës dhe së ardhmes së artit shqiptar.

  • Nicolas Cage dhe John Woo rikthehen bashkë në filmin biografik për bosin famëkeq Carlo Gambino

    Nicolas Cage dhe John Woo rikthehen bashkë në filmin biografik për bosin famëkeq Carlo Gambino

    Nicolas Cage dhe regjisori legjendar John Woo do të ribashkohen pas gati tre dekadash për projektin e tyre të ri filmik, “Gambino” një biografi kriminale e bazuar në jetën e një prej figurave më të njohura të mafias italiane në SHBA, Carlo Gambino.

    Cage pritet të portretizojë liderin e fuqishëm të organizatës mafioze, i cili nga një emigrant i ri siçilian u shndërrua në një nga njerëzit më të frikshëm dhe më me ndikim në botën e krimit të organizuar në Nju Jork. Filmi ndjek perspektivën e një gazetari që, pas vdekjes së papritur të Gambinos, nis të hetojë të kaluarën e tij dhe rrjetin e njerëzve që e adhuronin ose e trembeshin.

    “Gambino” vjen si ribashkimi i shumëpritur mes Cage dhe Woo, që kishin bashkëpunuar për herë të fundit në kult-filmin e vitit 1997, Face/Off. Këtë herë, dyshja kthehet me një projekt më tokësor dhe më të errët, të lidhur me historinë e vërtetë të mafias amerikane.

    Skenari mban firmën e George Gallo, autorit të “Midnight Run”, dhe Nick Vallelonga-s, fitues i Oscar-it për “Green Book”. Filmi pritet të eksplorojë jo vetëm ngritjen e Gambinos, por edhe ndikimin që la pas vdekjes së tij, duke e paraqitur atë si një figurë të ndërlikuar mes pushtetit, frikës dhe legjendës kriminale.

    Projekti shihet si një rikthim i fuqishëm i John Woo në filmat e mëdhenj dhe një rol i rëndësishëm dramatik për Nicolas Cage, që e vendos atë sërish në qendër të vëmendjes së Hollywood-it.

  • Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës për mjetet vetanake dhe buxhetin 2026

    Thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës për mjetet vetanake dhe buxhetin 2026

    Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për bartjen e mjeteve vetanake të kryeqytetit dhe për buxhetin e vitit 2026.

    Sipas njoftimit seanca do të mbahet ditën e enjte me datën 27 nëntor duke filluar nga ora 15:00.

  • Mblidhet kryesia e LDK-së, pritet të caktohet kandidati për kryeministër

    Mblidhet kryesia e LDK-së, pritet të caktohet kandidati për kryeministër

    Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në të cilën po shqyrtohen temat kryesore politike dhe organizative të partisë, me fokus në proceset zgjedhore dhe nominimet udhëheqëse.

    Në rend dite është prezantimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të fundit lokale, krahas analizës politike dhe organizative të fushatës, identifikimit të pikave të forta dhe dobësive, si dhe vlerësimit të performancës së degëve dhe kandidatëve.

    Një pikë tjetër qendrore e mbledhjes është nominimi i kandidatit të LDK-së për kryeministër, ku parashihet paraqitja e propozimeve, diskutimet mes anëtarëve të Kryesisë dhe procedura e votimit për miratimin e kandidaturës zyrtare.

    Po ashtu, Kryesia po shqyrton përgatitjet për zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit, duke përfshirë hartimin e planit të fushatës, organizimin e strukturave dhe Shtabit Zgjedhor, mobilizimin e degëve e nëndegëve, si dhe strategjinë e komunikimit publik.

    Në mbledhje pritet të caktohet edhe data e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, së bashku me agjendën, procedurat statutare dhe përgatitjen e materialeve zyrtare.

    Ndër pikat “të tjera” përfshihen shënimi i përvjetorit të themelimit të LDK-së dhe çështjet e ngritura nga anëtarët e Kryesisë, me mundësi për vendime të mëtejshme sipas nevojës.

    Pas mbledhjesë së kryesisë do të mbahet një konferencë për media.

  • Chad Brown MVP i javës në Procredit Superligën e Kosovës në basketboll

    Chad Brown MVP i javës në Procredit Superligën e Kosovës në basketboll

    Xhiroja e 7-të në Procredit Superligën e Kosovës në basketboll ka sjellur ndeshje interesante,ku u spikat derbi në mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës të cilën e fituan mitrovicasit.

    Chad Brown ishte basketbollisti më efikas tek xehetarët në këtë ndeshje,dhe për më tepër u shpallë MVP i javës si dhe poashtu në top pesëshen e javës.

    Ndërkohë në mesin e pesë më të mirëve janë hyrë edhe basktebollistë të tjerë përpos Chad Brown si:Julian Roche i Rahovecit 029,Isaiah Cousins i Bashkimit,Tajh Grrens i GO+Pejës si dhe Isiah Umipig i Rahovecit 029.

    Kujtojmë që lider pas xhiros së 7-të në Procredit Superligën e Kosovës në basketboll është Bashkimi,ku në 7 xhiro ka 7 fitore e asnjë humbje.

  • S’ndalet Izraeli, sulmon tani Sirinë

    S’ndalet Izraeli, sulmon tani Sirinë

    Forcat e ushtrisë izraelite kanë nisur inkursion të ri sot në një fshat të Quneitras në Sirinë jugore.

    Një forcë izraelite e përbërë nga pesë automjete ushtarake përparoi drejt fshatit Al-Samadaniyah al-Sharqiyah përpara se të lëvizte në drejtim të vendbanimit Tal Kroom Jaba.

    Bastisja vjen një ditë pasi trupat izraelite hynë në zonën midis qytetit Jubata al-Khashab dhe fshatrave Ofania dhe Ain Al-Bayda në fshatin verior.

    Nuk pati komente të menjëhershme nga ushtria izraelite ose autoritetet siriane mbi raportin.

    Inkursionet izraelite në Quneitra janë intensifikuar kohët e fundit, me vendasit që ankohen për përparime në tokat e tyre bujqësore si dhe për shkatërrimin e qindra hektarëve pyje, arrestimet e banorëve dhe krijimin e pikave të kontrollit ushtarak.

    Ushtria izraelite ka kryer mbi 1.000 sulme ajrore në Siri dhe më shumë se 400 bastisje ndërkufitare në provincat jugore që nga dhjetori i vitit 2024, sipas të dhënave qeveritare.

    Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024, Izraeli zgjeroi pushtimin e Lartësive të Golanit në Siri duke pushtuar zonën e demilitarizuar tampon, një veprim që shkeli Marrëveshjen e Çlirimit të vitit 1974 me Sirinë.

  • KQZ: 7.7 milionë euro buxheti për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    KQZ: 7.7 milionë euro buxheti për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhëna nga plani i buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Sipas KQZ-së, buxheti i planifikuar është në vlerën e 7 milionë e 771 mijë e 486 eurove.

    Ky buxhet është miratuar në mbledhjen e KQZ-së.

    Kjo vlerë është e përafërt me buxhetin e planifikuar për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, e cila ishte në shumën e 8.7 milionë eurove

    Ditë më parë, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se pasi ky institucion të miratojë planifikimin buxhetor “kërkesën për buxhet do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës”.

    Sipas tij, KQZ ka vepruar kështu edhe në rastet tjera kur Kosova kishte zgjedhje të parakohshme apo që kanë ndodhur pa planifikim.

  • Vetëm gjatë këtij viti 18 fëmijë u braktisën në Kosovë

    Vetëm gjatë këtij viti 18 fëmijë u braktisën në Kosovë

    Nga janari deri në tetor në Kosovë, janë braktisur gjithsej 18 fëmijë. Të dhëna këto të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Podujeva dhe Malisheva mbetën ndër komunat, me numrin më të madh të fëmijeve të braktisur.

    Në Podujevë gjatë këtij viti janë braktisur tre fëmijë, dy në muajin janar dhe 1 në muajin prill.

    E numër të njejtë të braktisjes së fëmijeve është shënuar dhe në Malishevë, aty ku vetëm gjatë muajit maj janë braktisur tre fëmijë.

    Nga dy raste të braktisjeve të fëmijeve janë shënuar dhe në Fushë Kosovë, Ferizaj dhe Vushtrri.

    Ndërsa me vetëm nga një rast të braktisjes së fëmijeve është shënuar në Prishtinë, Viti, Kamenicë Kaçanik, Gjakovë dhe Deçan.

  • NATO forcon praninë në Finlandë: Selia e re pranë kufirit me Rusinë

    NATO forcon praninë në Finlandë: Selia e re pranë kufirit me Rusinë

    NATO do të jetë shumë më pranë Rusisë, nga sa vetë Moska e mendon.

    Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Häkkänen, konfirmoi se vendi planifikon të presë një njësi të përhershme komanduese të NATO-s.

    Sipas tij, struktura e re do të bëhet pjesë e sistemit operativ të komandës së aleancës, i drejtuar nga Norfolk, SHBA. Vendimi përfundimtar pritet të merret në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në shkurt 2026.

    Ministri Häkkänen theksoi se selia e re do të forcojë ndjeshëm strukturat ekzistuese të NATO-s në Finlandë dhe do të lidhet direkt me sistemin kombëtar të komandës, duke e kthyer Finlandën në një qendër veriore kyçe të NATO-s dhe duke vendosur një prani të përhershme të aleancës në prag të Rusisë.

    Ky zhvillim nënvizon rolin strategjik të Finlandës (e anëtarësuar vetëm së fundmi në aleancë, bashkë me Suedinë, red.) në mbrojtjen e aleancës dhe rritjen e gatishmërisë së NATO-s në rajonin nordik.