ATV

Blog

  • Pse disa njerëz ndihen të lodhur dhe të përgjumur edhe pasi pijnë kafe?

    Pse disa njerëz ndihen të lodhur dhe të përgjumur edhe pasi pijnë kafe?

    Për shumë njerëz, filxhani i kafesë është rit i mëngjesit, shpëtim gjatë ditës dhe “butoni i nisjes” për trurin.

    Por ka edhe nga ata që pinë kafe, nuk ndiejnë asgjë të veçantë… dhe madje u zë gjumi menjëherë pas saj.

    Nëse edhe ti je një prej tyre, shkenca ka disa shpjegime shumë interesante.

    Ky fenomen nuk lidhet vetëm me lodhjen apo “kafen e dobët”, por me mënyrën se si trupi yt është programuar, sa kafeinë konsumon dhe si fle.

    Gjenet

    Organizmi yt mund ta “përtypë” kafeinën shumë shpejt. Studime nga Boston University dhe qendra të tjera kërkimore tregojnë se disa njerëz kanë variante gjenetike që bëjnë që trupi i tyre të metabolizojë kafeinën shumë shpejt. Enzima CYP1A2, që përpunon pjesën më të madhe të kafeinës, nuk funksionon njësoj tek të gjithë:

    – Tek disa, kafeina “digjet” shumë shpejt, ndaj efekti zgjues zgjat pak dhe shpejt futesh sërish në ritmin tënd normal të lodhjes;

    – Tek të tjerët që janë më të ndjeshëm, edhe pak kafe mund të shkaktojë nervozizëm, rrahje zemre apo pagjumësi.

    Pra, nuk është se “kafja nuk bën punë”, por thjesht trupi yt e mbaron punën me të më shpejt se të tjerët.

    Truri yt është mësuar me kafeinën

    Nëse pi kafe çdo ditë, disa herë në ditë, trupi dhe truri adoptohen. Receptorët në tru që normalisht bllokohen nga kafeina “shtohen me numër”, dhe pas njëfarë kohe ke nevojë për më shumë kafe për të pasur të njëjtin efekt.

    Pi kafe, por nuk ndihesh më shumë energjik. Madje, sapo efekti i vogël kalon, vjen ai momenti i famshëm i “crash-it”: ndihesh më i lodhur, më i përgjumur dhe mendon se zgjidhja është… edhe një kafe.

    Adenosina- “molekula” e gjumit

    Kafeina funksionon duke bllokuar receptorët e adenosinës, molekulë që sinjalizon lodhjen dhe gjumin. Por studimet tregojnë se disa njerëz kanë receptorë pak më “kokëfortë” ndaj kafeinës, pra ajo nuk bllokon lodhjen aq mirë.

    Ndodh kështu:

    – Gjatë ditës, adenosina grumbullohet në tru.

    – Ti pi kafe, truri për pak kohë “harrohet”.

    – Kur efekti zgjues bie, gjithë ajo adenosinë e mbledhur “sulmon” njëherësh receptorët… dhe ti përfundon më i përgjumur se më parë.

    Gjumi yt nuk është aq i mirë sa mendon

    Edhe nëse bie në gjumë lehtësisht pas kafesë, kjo nuk do të thotë se po bën gjumë cilësor. Ekspertët e gjumit thonë se kafeina mund të prishë fazat e gjumit të thellë, edhe kur ti s’e vëren.

    Kjo do të thotë:

    – Zgjohesh më i lodhur.

    – Ke nevojë për më shumë kafe të nesërmen.

    – Krijohet një cikël i pafund “kafe – lodhje – kafe”.

    Shumë njerëz thonë:

    Unë pi kafe në darkë dhe fle pa problem!

    Po, mund të flesh, por truri yt mund të mos pushojë sa duhet.

    Koha kur pi kafe bën diferencë

    Mjekët e gjumit rekomandojnë që kafeja të shmanget pas orës 14:00–15:00, pasi kafeina mund të qëndrojë në trup disa orë. Te disa njerëz, gjysma e kafeinës mund të jetë ende aktive 6–8 orë më vonë.

    Kjo nuk të pengon patjetër të mbyllësh sytë, por mund të ndikojë:

    – Sa i thellë është gjumi.

    – Sa i freskët zgjohesh në mëngjes.

    Pse je gjithmonë i lodhur, edhe pse pi kafe?

    Arsyet mund të jenë një kombinim i këtyre faktorëve:

    1. Gjenet – kafeina nuk ka efekt të fortë tek ti

    2. Toleranca – trupi yt është mësuar me të

    3. Gjumi i keq – nuk po e rikuperon dot lodhjen

    4. Stresi, ankthi, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja e dobët – që kafeja nuk i rregullon dot.

    Ekspertët e shëndetit theksojnë se asnjë filxhan kafje nuk mund të zëvendësojë:

    – 7–9 orë gjumë cilësor në natë.

    – Hidratimin e mirë.

    – Lëvizjen fizike.

    – Ushqimin e balancuar.

    Çfarë mund të provosh në përditshmëri

    – Kufizo kafen pas mesditës.

    – Bëj një “pauzë kafeine” 5–7 ditë për të ulur tolerancën.

    – Zëvendëso ndonjë kafe me çaj bimor ose ujë.

    – Vëzhgo si ndihesh kur fle më herët dhe më gjatë, jo kur pi edhe një espresso tjetër.

    Në fund të ditës, nëse kafeja nuk të zgjon, kjo nuk do të thotë që “diçka nuk shkon me ty”, shpesh do të thotë që trupi yt po të jep sinjale se ka nevojë për gjumë të vërtetë, jo për stimulues.

    Kafja mund të jetë ritual i bukur, por nuk mund të bëjë mrekulli mbi lodhjen kronike.

  • Torino do ta blejë Asllanin nga Interi

    Torino do ta blejë Asllanin nga Interi

    Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Kristjan Asllani pritet të bëhet transferim i përhershëm te skuadra e Torinos brenda një periudhe të shkurtër.

    Asllani në fillim të këtij sezoni u huazua nga Interi te Torino, ekip që është i kënaqur me paraqitjen e tij dhe po synon ta shfrytëzoj opsionin e blerjes së 23-vjeçarit.

    Për huazimin njëvjeçar të Asllanit, Torino ka paguar 1.5 milionë euro kurse për blerjen e tij të plotë, duhet të paguajë edhe 13 milionë euro, gjë që pritet ta bëjë pa përfunduar sezoni aktual.

    Asllani ka kontratë deri në vitin 2028 me Interin, ekip të cilit iu bashkua nga Empoli dhe me të cilin ka fituar katër trofe, përfshirë titullin e kampionit të Italisë.
    Këtë sezon, Asllani ka 10 paraqitje me fanellën e skuadrës së Torinos në të gjitha garat.

  • Dhjetë vendet që duhet t’i vizitoni në Egjipt

    Dhjetë vendet që duhet t’i vizitoni në Egjipt

    Egjipti mbetet përherë një ndër destinacionet më unike për turistët, të cilët kanë etje për historinë dhe gjurmët e së shkuarës. Misteret që mbart ai vend në mozaikun e tij të gjerë të trashëgimisë kulturore, arkitekturës monumentale dhe arkeologjisë, i kthejnë momentet për vizituesit, në skena si ato të filmit “Death on the Nile”.

    Magjia e atij vendi nis me piramidat e Gizës dhe mijëra teoritë që ushqejnë kuriozitetin për to, vazhdon me legjendat e Nilit, tempujt Abu Simbel si edhe kompleksin e tempujve Karnak, i cili nisi të ndërtohej rreth katër mijë më parë.

    Nga Cairo, kryeqyteti kulturor dhe historik i Egjiptit, i njohur për “The Grand Egyptian Museum”, tek Aswan, “streha” elegante e tempujve “Philae”, dhe Luxor, i ndodhur në brigjet e lumit Nil, i quajtur ndryshe si muzeu i hapur me i madh në botë, Egjipti, si pasuri e botës, mbart ngado një vlerë të paçmueshme.

    Ndonëse tashmë me një frymë mjaft bashkëkohore dhe strehë për disa nga rrjetet e resorteve më të mira dhe më luksoze, si “Four Seasons”, “The Oberoi Group”, apo “Rixos”,

    Egjipti vazhdon të jetë një ndër zgjedhjet kryesore për ata të cilët kanë prioritet të mbushin arkivën e mendjes me dije dhe fakte interesante për periudhën faraonike dhe jo vetëm.

  • La Lakers shënon fitore të ngushtë-Oklahoma City Thunder fiton bindshëm

    La Lakers shënon fitore të ngushtë-Oklahoma City Thunder fiton bindshëm

    Janë zhvilluar ndeshje tejet interesante në ligën më të fortë të basketbollit në botë NBA.

    Los Angeles Lakers ka shënuar fitore të ngushtë ndaj Uttah Jazz,dhe atë me rezultat 108:106.

    Luka Doncic ishte basketbollisti më i mirë tek Lakers me 33 pikë e 11 kërcime,teksa Austin Reaves kontribuoi me 22 pikë,11 kërcime e 8 asistime.

    Tek Jazz Keyonte George me 27 pikë,8 asistime e 5 asistime ishte më efikasi,kurse edhe Lauri Markkanen dha kontribut me 20 pikë e 7 kërcime.

    Në anën tjetër Oklahoma City Thunder mposhti bindshëm Portland Trail Blaizers me rezultat 122:95.

    Shai Gilgeous Alexander me 37 pikë,7 asistime e 5 kërcime ishte basketbollisti më i mirë tek Thunder,teksa edhe Ajaj Mitchell me 20 pikë kontribuoi në fitoren e kampionëve aktual,ndërkohë tek Portland më i miri ishte Jerami Grant me 21 pikë të shënuara.

  • Kurti takon kongresistët amerikanë: Kosova, partner i besueshëm i ShBA-së

    Kurti takon kongresistët amerikanë: Kosova, partner i besueshëm i ShBA-së

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti priti sot një delegacion të Kongresit amerikan të përbërë nga kongresisti republikan Mike Turner dhe kongresisti demokrat Donald Norcross, të dy anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

    Sipas njoftimit pr media thuhet se gjatë takimit u diskutua thellimi i bashkëpunimit strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus në fushën e mbrojtjes.

    Kurti theksoi se “në katër vitet e fundit mbi 1000 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime në programe ushtarake të ShBA-së”, përfshirë akademitë prestigjioze ushtarake si West Point dhe U.S. Army War College.

    Ai kujtoi edhe ushtrimet e përbashkëta të mbajtura në vend, duke nënvizuar se “Kosova ka mirëpritur tre edicione radhazi të Defender Europe, ndërsa në Defender Europe 2025 Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë së ShBA-së ka qenë e vendosur në aeroportin ushtarak në Gjakovë”.

    Në aspektin e investimeve në mbrojtje, Kurti veçoi pajisjet amerikane të prokuruara kohët e fundit, duke përfshirë armatimin modern.

    “Kemi prokuruar pajisje ushtarake amerikane, përfshirë edhe sistemet anti-tank Javelin”, tha ai, duke shtuar se Kosova tashmë ka nënshkruar Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA, gjë që e bën vendin tonë të 33-in në botë me këtë status të besueshëm.

    Bashkëpunimi ekonomik ishte një tjetër temë kyçe e takimit, me mundësi të reja në energji, teknologji dhe projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë transportin hekurudhor.

    Kryeministri theksoi gjithashtu progresin e brendshëm të vendit.

    “Kosova vijon të jetë shembull se përparimi demokratik dhe rritja ekonomike mund të ecin krah për krah”, tha Kurti.

    Ai u shpreh se orientimi euro-atlantik i Kosovës mbetet i palëkundur, duke synuar anëtarësimin në NATO dhe BE, jo vetëm si përfitues, por edhe si kontribuuese për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian.

    Në fund, Kurti shprehu falënderimin e tij për partneritetin e ngushtë me ShBA-të, duke thënë se ai përfaqëson “mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

  • Motra­t Kardashian befasojnë fansat me foto të rralla nga viti 1999

    Motra­t Kardashian befasojnë fansat me foto të rralla nga viti 1999

    Kourtney Kardashian ka rikthyer ndjekësit në kohë me disa fotografi nostalgjike të publikuara në Instagram, të shkrepura plot 26 vite më parë. Në imazhet nga viti 1999, ajo shfaqet së bashku me motrat Kim dhe Khloe në adoleshencë, të veshura me pizhame me printim leopardi dhe duke mbajtur dhurata të mbështjella njësoj – një pamje larg shkëlqimit që ato tregojnë sot. Postimi i thjeshtë me mbishkrimin “1999” ndezi menjëherë reagime të shumta nga fansat, të cilët vunë re ndryshimet e dukshme para ndërhyrjeve estetike dhe para jetës së famës globale.

    Publikohen disa fotografi të motrave Kardashian para 26 viteve, ndryshimet para ndërhyrjeve

    Kujtimet e Kourtney vijnë në një kohë kur motrat shpesh reflektojnë publikisht për sfidat e hershme të ekspozimit mediatik. Së fundmi, Kim zbuloi në podcast-in “Call Her Daddy” se Khloe është gjykuar shpesh për pamjen fizike dhe se ajo dhe Kourtney ndihen se duhet ta kishin mbrojtur më shumë në atë periudhë.

    Familja Kardashian u bë fenomen botëror pas nisjes së reality shou-t “Keeping Up With the Kardashians” në vitin 2007, duke ndërtuar një perandori biznesi dhe mediatik që vijon të dominojë kulturën pop edhe sot.

  • Ndërprerje e përkohshme e furnizimit me ujë në Fushë Kosovë

    Ndërprerje e përkohshme e furnizimit me ujë në Fushë Kosovë

    KRU “Prishtina” njofton konsumatorët se, për shkak të punimeve në rrjetin e ujësjellësit, nesër, më 25 nëntor 2025, do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm në lagjet 028 dhe 029 në Fushë Kosovë.

    Ndërprerja e furnizimit pritet të zgjasë nga ora 08:00 deri në ora 17:00.

    KRU “Prishtina” kërkon mirëkuptimin e të gjithë konsumatorëve të prekur nga kjo ndërprerje e përkohshme dhe falënderon për bashkëpunimin.

  • Vazhdon seanca për vrasjen e Liridona Ademajt – Naim Murseli dhe të tjerët kthehen në sallën e gjyqit

    Vazhdon seanca për vrasjen e Liridona Ademajt – Naim Murseli dhe të tjerët kthehen në sallën e gjyqit

    Pas një pauze mbi një orë, ka vazhduar seanca për vrasjen e Liridona Ademajt. Në sallë janë kthyer të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

    Seanca u ndërpre për çështje teknike, pasi nuk po hapnin dot disa pamje që do shfaqeshin në sallë.

    Në këtë seancë pritej të dëshmonte edhe babai i Naim Murselit, Shaban Murseli, por që i njëjti mungoi.

    Kryetarja e trupit gjykues lexoi dëshminë që Shaban Murseli kishte dhënë në polici më 6 dhjetor të vitit 2023, pak ditë pasi kishte ndodhur vrasja e Liridona Ademajt.

  • “Presidente e Dejona Mihalit”, vjen reagimi i Osmanit ndaj deklaratës së Musliut

    “Presidente e Dejona Mihalit”, vjen reagimi i Osmanit ndaj deklaratës së Musliut

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu në një reagim të saj ditë më parë, kur dhe Presidentja Osmani caktoi datën e zgjedhjeve, e kishte quajtur atë “Presidente të Dejona Mihalit”

    Për këtë Osmani tha se as nuk ja vlen të merret me këtë deklaratë të deputetes së PDK-së.

    “As nuk ja vlen të merrem asnjë sekond me akuzat e Ganimete Musliut. Kemi gjëra shumë më të rëndësishme në udhëheqje të shtetit”, tha Osmani para gazetarëve.

    Lidhur me vendimin e Presidentes për caktimin e zgjedhjeve më 28 dhjetor, deputetja Musliu kishte thënë se me atë vendim Osmani sipas saj kishte nxjerrë sheshit se është kokë e këmbë nën urdhërat e Dejona Mihalit.

    “Vazhdimisht kemi pasur të drejtë. Sot përfundimisht e nxore sheshit që je këmbë e kokë nën urdhërat e Dejones. Presidente e Dejones”, kishte shkruar Musliu në një reagim të saj në Facebook.

  • Beyoncé dhe Jay-Z bëjnë paraqitje të rrallë së bashku në Çmimin e Madh të F1 në Las Vegas

    Beyoncé dhe Jay-Z bëjnë paraqitje të rrallë së bashku në Çmimin e Madh të F1 në Las Vegas

    Beyoncé dhe Jay-Z u shfaqën së bashku në një paraqitje të rrallë gjatë F1 Grand Prix në Las Vegas më 22 nëntor, ku secili prej tyre bëri një xhiro në pistë me kampionin Lewis Hamilton. Beyoncé, 44 vjeçe, tërhoqi vëmendjen me dy veshje të frymëzuara nga gara – fillimisht një jumpsuit të bardhë Louis Vuitton dhe më pas një bodysuit të kuq Ferrari. Çifti, i martuar që nga viti 2008, shijoi emocionet e “hot lap”, me këngëtaren që u shpreh me humor se “po djersitej” nga adrenalina. Kjo dalje publike shënon një nga paraqitjet e tyre të pakta së bashku, pasi më herët ishin parë vetëm gjatë turneut Cowboy Carter të Beyoncé në korrik.