ATV

Blog

  • Deficiti tregtar i Kosovës rritet në 530 milionë euro në tetor 2025

    Deficiti tregtar i Kosovës rritet në 530 milionë euro në tetor 2025

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat e reja për tregtinë e jashtme për muajin tetor 2025, të cilat tregojnë rritje të deficitit tregtar dhe të importeve, si dhe një rritje më të moderuar të eksporteve.

    Në tetor 2025, deficiti tregtar arriti në 530 milionë euro, krahasuar me 493 milionë euro në tetor 2024, që përbën një rritje prej 7.5%.
    Eksportet mbuluan vetëm 14.8% të importeve.

    Eksportet: 91.8 milionë euro (+5.1%)

    Importet: 621.8 milionë euro (+7.2%)

    Çfarë eksporton më shumë Kosova?

    Sipas grupeve kryesore të mallrave:

    Metale bazë dhe artikuj prej tyre – 21.0%

    Plastika, goma dhe artikujt prej tyre – 12.5%

    Artikuj të ndryshëm të prodhuar – 10.8%

    Ushqime të përgatitura, pije dhe duhan – 10.5%

    Produkte minerale – 8.9%

    Makineri dhe pajisje elektrike – 6.9%

    Çfarë importon më shumë Kosova?

    Mjete transporti – 13.4%

    Makineri dhe pajisje elektrike – 12.5%

    Ushqime të përgatitura, pije dhe duhan – 11.7%

    Produkte minerale – 11.2%

    Metale bazë – 9.9%

    Eksportet në BE: 31.1 milionë euro (33.8% e totalit), rritje 10.3%

    Partnerët kryesorë: Gjermania (12.9%), Holanda (3.2%), Italia (2.7%)

    Importet nga BE: 284.3 milionë euro (45.7% e totalit), +11.3%

    Gjermania (15.7%), Italia (5.8%), Polonia (3.4%)

    Tregtia me vendet e CEFTA-s

    Eksportet në CEFTA: 39.6 milionë euro (43.1%), rënie -0.8%

    Shqipëria (15.3%), Maqedonia e Veriut (12.5%), Serbia (6.9%), Mali i Zi (6.8%)

    Importet nga CEFTA: 75.5 milionë euro (12.1%), +1.4%

    Maqedonia e Veriut (4.0%), Serbia (3.6%), Shqipëria (3.2%)

    Tregtia me vendet e tjera

    Eksportet: 21.1 milionë euro (23.0%)

    Kryesorët: Zvicra (11.6%), Turqia (3.2%)

    Importet: 262 milionë euro (42.1%)

    Kryesorët: Kina (14.4%), Turqia (12.7%).
    8

  • Pse hapja e gojës është ngjitëse? Shkenca zbulon arsyen e vërtetë

    Pse hapja e gojës është ngjitëse? Shkenca zbulon arsyen e vërtetë

    apja e gojës është një fenomen i përditshëm, por megjithatë mbetet intriguese për shumë njerëz. Pse mjafton të shohim dikë tjetër duke hapur gojën që ta bëjmë edhe ne automatikisht? Sipas Dr. Reyan Saghir nga Kolegji i Londrës, hapja e gojës përshkruhet si një veprim i pavullnetshëm që kombinon hapjen e gjerë të nofullës me një frymëmarrje të thellë e të ngadaltë, një proces që trupi e aktivizon vetë.

    Edhe pse teoritë e vjetra pretendonin se hapja e gojës lidhej me mungesë oksigjeni, studimet moderne i kanë hedhur poshtë këto supozime. Sot, shkencëtarët janë të mendimit se ky refleks lidhet me zgjimin e trurit: kur jemi të lodhur ose të mërzitur, hapja e gojës ndihmon në rritjen e vigjilencës, duke e përgatitur trupin për më shumë fokus. Madje, rrahjet e zemrës rriten për disa sekonda pas hapjes së gojës, duke dëshmuar aktivizimin e organizmit.

    Por pse është ngjitëse? Ekspertët besojnë se shkaku kryesor është empatia. Truri ynë, në mënyrë të pavetëdijshme, imiton sjelljet e të tjerëve, një mekanizëm social që ndihmon në krijimin e lidhjeve dhe harmonizimin me rrethin. Kjo sjellje kopjuese shfaqet jo vetëm te hapja e gojës, por edhe te mënyra si flasim apo lëvizim.

    Në thelb, fakti që hapja e gojës është ngjitëse tregon se sa të lidhur jemi emocionalisht dhe socialisht me njëri-tjetrin. Dhe herën tjetër kur dikush pranë jush hap gojën… ndoshta vetëm po e pasqyroni empatinë tuaj natyrore.

  • “E kemi lutur, tha s’kam mundësi”, përfundon takimi i sindikatës së “Trafikut Urban” me Muratin

    “E kemi lutur, tha s’kam mundësi”, përfundon takimi i sindikatës së “Trafikut Urban” me Muratin

    Pasdite ka përfunduar takimi i sindikatës së “Trafikut Urban” me ministrin në detyrë të financave, Hekuran Muratin.

    Kryesindikalisti Ilmi Gashi tha se ky diskutim ka qenë i pasuksesshëm.

    “Deri në këto momente që po flasim, ndaras kishim takim sepse nuk pranoi stafin e komunës të jetë në takim, vetëm neve shoqatat sindikaliste. Nuk morëm asnjë përgjigje prej ministrit, asnjë premtim prej ministrit se tha nuk është në detyrën time. E kemi lutë, qoftë në gjuhën politike, ndash me gjuhën popullore, çfarëdo lutje i kemi bë, hajde çelna një dritare për me bë zgjidhje në emër të qytetarëve të Prishtinës. Ju lutna, tha nuk e kam mundësinë me e bë atë punë”, tha Gashi i cili shton se Murati i dërgoi te kryetari i Komunës, Përparim Rama.

    “Kryetari është i gatshëm që në çdo kohë të ballafaqohet me ministrin, me neve bashkë, ata nuk na e pranuan ballafaqimin, neve u munduan me na e mbushë kupën e kokës, por nuk arritën”, shtoi Gashi.

    Sipas tij, në këtë situatë, do të vazhdojë greva e protesta.

    “Me keqardhje duhet të them për qytetarët e Prishtinës që greva vazhdon nesër e mund të përshkallëzohet”, përfundoi kryesindikalisti.

  • Osmani takon kongresistët amerikanë, thotë se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë

    Osmani takon kongresistët amerikanë, thotë se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kongresistin Michael Turner (R–OH) si dhe Kongresistin Donald Norcross (D–NJ), me të cilët diskutoi zhvillimet e fundit në vend dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.

    Në njoftimin për media thuhet se presidentja Osmani shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e shkëlqyer me Kongresistin Turner dhe ekipin e tij gjatë Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen bipartizane të SHBA-ve ndaj Kosovës. Kjo mbështetje, theksoi ajo, ka qenë e pazëvendësueshme në periudhën që na solli lirinë, pavarësinë e pastaj shtetndërtimin e demokracinë. Asnjë nga këto të arritura, theksoi Presidentja Osmani, nuk do të ishin të mundura pa përkrahjen amerikane.

    Më tej, Presidentja theksoi se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë, thellësisht i përkushtuar ndaj reformave, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të partneritetit me SHBA-të. Ajo diskutoi edhe për bashkëpunimin me Administratën e Presidentit Trump në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.

    Presidentja Osmani ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është imperativ strategjik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për paqen në kontinentin evropian. Për më tepër, potencoi se ushtarët e FSK-së tashmë shërbejnë përkrah ushtarëve amerikanë në misione jashtë vendit duke kontribuar për paqen e stabilitetin global, e njëkohësisht Kosova ka ndërmarrë hapa vendimtarë në fuqizimin e sektorit të mbrojtjes e sigurisë, duke shpenzuar tashmë 2% të GDP-së në mbrojtje, me synim që kjo të dyfishohet brenda pak vitesh.

    “Sa i përket sigurisë së brendshme dhe kërcënimeve rajonale, Presidentja Osmani nënvizoi punën profesionale të institucioneve tona të sigurisë e njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të prezencës amerikane në kuadër të KFOR-it. Ajo theksoi se prania amerikane mbetet garancë e rëndësishme e paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonin, duke shprehur falënderimin e popullit të Kosovës për këtë kontribut”, thuhet në njoftim.

    Presidentja Osmani ritheksoi se edhe pas më shumë se dy vjetësh, Serbia ende po i përkrahë terroristët që kryen aktin e agresionit në Banjskë, sepse autorët, përfshirë Milan Radojqiqin, nuk i janë dorëzuar drejtësisë. Ajo theksoi se llogaridhënia, si për këtë akt agresioni, ashtu edhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e sulme të tjera, është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për parandalimin e akteve të ngjashme në të ardhmen.

  • Tre shenjat më me fat nga sot e deri më 30 nëntor

    Tre shenjat më me fat nga sot e deri më 30 nëntor

    Nga sot dhe deri të dielën, më 30 nëntor, pritet një periudhë veçanërisht me fat për tre shenja të zodiakut. Lëvizjet planetare sjellin mundësi të reja, energji pozitive dhe zhvillime që mund të ndikojnë dukshëm ditët në vijim.

    Dashi

    Kjo javë sjell një rritje të fuqishme energjie për Dashin. Me kalimin e Venusit në Shigjetar më 30 nëntor, për ju hapet një periudhë e artë në dashuri, karrierë dhe financa. Mundësi të reja dhe fillime të freskëta po afrojnë mjafton të mos e teproni me analiza dhe të besoni instinkteve tuaja. Universi është qartësisht në anën tuaj.

    Gaforrja

    Nga data 27 nëntor, Gaforrja hyn në një valë të re fati. Saturni në Peshq, që ka sjellë ndryshime të thella që prej vitit 2023, tani nis t’i shpërblejë përpjekjet tuaja. Do të ndjeni stabilitet, bollëk dhe qartësi në fusha ku prej kohësh keni kërkuar përmirësim. Deri më 13 shkurt 2026 mbetet një periudhë tepër aktive dhe premtuese.

    Peshqit

    Për Peshqit, kjo javë është e lidhur me reflektimin dhe përgatitjen për fillime të reja. Me Mërkurin retrograd në Akrep, nuk këshillohet nisja e projekteve të mëdha, por përqendrimi te mësimet, qartësimi i mendimeve dhe rishikimi i planeve. Nga 29 nëntori, çdo gjë fillon të hapet më shumë dhe ju mund të ndërmerrni hapa të sigurt drejt planeve afatgjata. Me Mërkurin në Akrep deri më 11 dhjetor, është koha perfekte për të realizuar idetë e menduara prej kohësh.

    Në këtë periudhë, Dashi, Gaforrja dhe Peshqit do të përjetojnë rritje të fatit dhe mundësi të reja që ia vlen t’i shfrytëzojnë me vetëbesim.

  • Terrorizuan banorët, largohen me sukses nga fshatrat dy arinj në Dragash

    Terrorizuan banorët, largohen me sukses nga fshatrat dy arinj në Dragash

    Shoqata e Gjuetarëve “Dhia e Egër” në Dragash ka njoftuar se ka përmbyllur me sukses një aksion katërditor për largimin e dy arinjve që ishin shfaqur në fshatin Bellobrad të komunës së Dragashit, duke shkaktuar shqetësim për banorët.

    Aksioni është udhëhequr nga kryetari i shoqatës, së bashku me stafin profesional dhe anëtarët që morën pjesë në operacion.

    Sipas shoqatës, arinjtë janë larguar në një zonë të sigurt, larg vendbanimeve, gjithmonë duke u kujdesur për mirëqenien dhe shëndetin e tyre.

    Shoqata ka falënderuar Komunën e Dragashit dhe Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe asistencën gjatë gjithë kohës, duke siguruar mbrojtje për qytetarët dhe mbarëvajtjen e operacionit.

  • Psikologjia e ngjyrave: Çfarë tregon veshja juaj për gjendjen shpirtërore

    Psikologjia e ngjyrave: Çfarë tregon veshja juaj për gjendjen shpirtërore

    A keni vënë re se si ndonjë ditë zgjidhni të kuqen flakë, e një ditë tjetër mbuloheni krejt me të zezë? Sipas psikologëve, zgjedhja e ngjyrave nuk është rastësi – shpesh tregon qartë se si ndiheni brenda vetes.

    Ngjyrat që vishni dërgojnë mesazhe të forta, si për të tjerët, ashtu edhe për ju vetë. Ja çfarë mund të tregojë ngjyra dominuese e veshjes tuaj:

    • E zeza – Simbol i fuqisë dhe autoritetit, por edhe një mënyrë për t’u mbrojtur emocionalisht. Zgjedhje e zakonshme kur doni të mbani distancë.

    • E kuqja – Pasion dhe guxim. Nëse jeni veshur me të kuqe, ka gjasa të ndiheni energjikë dhe të gatshëm për sfida.

    • Bluja – Ngjyrë e qetësisë dhe besimit. Zgjidhet shpesh në periudha kur kërkoni stabilitet dhe paqe të brendshme.

    • E bardha – Pastërti dhe fillime të reja. Tregon dëshirën për mendje të qetë dhe optimizëm.

    • Grija – Neutralitet. Zgjedhja e ditëve kur doni të jeni të qetë, praktikë dhe pa shumë vëmendje.

    • E verdha / portokallia – Pozitivitet dhe humor i mirë. Janë ngjyrat e energjisë së lartë dhe entuziazmit.

    • E gjelbra – Harmoni dhe ekuilibër emocional. Zakonisht e lidhur me nevojën për qetësi ose rikuperim.

    Herën tjetër që shikoni pasqyrën, pyeteni veten: A lidhet ngjyra që kam veshur me mënyrën si po ndihem?
    Ndonjëherë, për të ndryshuar humorin, mjafton të ndryshoni ngjyrën e bluzës.

  • Shefi i Google paralajmëron: Mos i besoni verbërisht Inteligjencës Artificiale

    Shefi i Google paralajmëron: Mos i besoni verbërisht Inteligjencës Artificiale

    CEO i Alphabet, Sundar Pichai, ka dhënë një paralajmërim të qartë për përdoruesit: inteligjenca artificiale është e dobishme, por nuk është e pagabueshme. Në një intervistë për BBC, ai tha se mjetet e IA-së duhet të përdoren si ndihmë, jo si burimi i vetëm i informacionit.

    Pichai u ndal edhe te integrimi i Gemini 3.0 në Google Search, përmes “AI Mode”, duke theksuar se kjo teknologji po e transformon mënyrën si kërkojmë dhe marrim informacion. Sipas tij, Google synon t’i ofrojë përdoruesit një përvojë më të natyrshme, si të bisedosh me një ekspert, por pranoi se IA ende mund të gabojë.

    Paralajmërimi i tij përputhet me gjetjet e një hulumtimi të BBC-së, që tregoi se disa chatbotë të njohur, përfshirë ChatGPT dhe Gemini, shpesh japin përmbledhje të pasakta lajmesh.

    Pichai tha se industria e teknologjisë po zhvillohet me ritme të shpejta, duke sjellë sfida për ruajtjen e sigurisë dhe verifikimin e përmbajtjes. Ai shtoi se Google po investon në teknologji që ndihmojnë në zbulimin e imazheve të krijuara artificialisht dhe në rritjen e transparencës.

    I pyetur për komentet e Elon Musk mbi rrezikun që kompanitë e mëdha të dominojnë IA-në, Pichai u shpreh se sot ka shumë aktorë në treg dhe se “kjo teknologji nuk mund të jetë pronë e një kompanie të vetme”.

  • Të shtëna me armë dhe plaçkitje në furgonin që transportonte para në Breg të Diellit

    Të shtëna me armë dhe plaçkitje në furgonin që transportonte para në Breg të Diellit

    Një grabitje e armatosur ka ndodhur këtë të hënë në Breg të Diellit.

    Zëdhënësi i Policisë për Prishtinën, Enis Pllana, tha se nga të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para.

    Po ashtu, nuk raportohet për persona të lënduar.

    “Sot rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para”.

    “Nga informatat fillestare nuk raportohet për persona të lënduar, ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, tha Pllana.

  • Razma zbardhet nga dëbora e parë, turistët vërshojnë drejt destinacionit alpin

    Razma zbardhet nga dëbora e parë, turistët vërshojnë drejt destinacionit alpin

    Dëbora e parë e këtij dimri ka zbardhur Razmën, duke e kthyer fshatin alpin të Shkodrës në një prej pikave më të vizituara të fundjavës. Në zemër të Alpeve Shqiptare, në rreth 900 metra lartësi, Razma ofron pamje mbresëlënëse mes maleve, pyjeve të dendur dhe lëndinave alpine, të cilat sot shihen të mbuluara me një shtresë të bardhë bore.

    Pamje nga vizitorët që shijojnë borën e parë u ndanë sot edhe nga kryeministri Edi Rama, duke sjellë pak nga atmosfera e fshatit turistik që ndodhet rreth 40 kilometra larg Shkodrës.

    Rruga panoramike që të çon drejt Razmës është vetë një eksperiencë për t’u shijuar, ndërsa mbërritja në këtë zonë të qetë malore ofron mundësi për aktivitete dimërore, shëtitje, sporte dhe fundjava relaksuese mes natyrës.

    Razma vijon të tërheqë çdo vit e më shumë turistë vendas dhe të huaj, falë ajrit të pastër, mikpritjes së banorëve dhe investimeve në bujtina e agroturizme që e kanë kthyer këtë zonë në një destinacion të kërkuar në çdo stinë.