ATV

Blog

  • Trumpi thotë se do ta falë ish-presidentin e Hondurasit të dënuar me 45 vjet burgim për trafikim droge

    Trumpi thotë se do ta falë ish-presidentin e Hondurasit të dënuar me 45 vjet burgim për trafikim droge

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se do t’ia falë dënimin ish-presidentit të Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, i cili vitin e kaluar nga një gjykatë amerikane ishte dënuar me 45 vjet burgim për trafikim droge e posedim të “pajisjeve shkatërruese”, përfshirë mitralozat.

    Trumpi e shpjegoi vendimin e tij në rrjete sociale, duke thënë se “sipas shumë njerëzve që unë i respektoj shumë”, Hernandezi është trajtuar “shumë ashpër dhe në mënyrë të padrejtë”, raporton medium PBS.

    Në marsin e vitit të kaluar, sipas një raporti të televizionit BBC, Hernandezi ishte shpallur fajtor për planifikim të importimit të kokainës në ShBA dhe posedim të “pajisjeve shkatërruese”.

    Prokurorët në Nju-Jork kishin thënë se Hernandezi e kishte udhëhequr Hondurasin si “narko-shtet” dhe kishte marrë miliona dollarë ryshfet nga trafikuesit e drogës për t’i mbrojtur ata nga ligji.

    “Ai shtroi një super autostradë të kokainës drejt Shteteve të Bashkuara, të mbrojtur me mitraloza” – kishin thënë prokurorët amerikanë në argumentet përmbyllëse para shpalljes së dënimit.

    Si pjesë e dënimit, ish-presidentit të Hondurasit gjithashtu i ishte shqiptuar një gjobë prej tetë milionë dollarësh.

    Gjatë seancës, gjykatësi e kishte quajtur Hernandezin “politikan me dy fytyra, i uritur për pushtet”.

  • Nesër i jepet lamtumira e fundit Shpat Kasapit, varroset në Tetovë

    Nesër i jepet lamtumira e fundit Shpat Kasapit, varroset në Tetovë

    Shpat Kasapi, këngëtari i njohur shqiptar që u nda papritur nga jeta në moshën 40-vjeçare, do të varroset nesër në Tetovë.

    Ceremonia mortore do të nisë paraditen e së dielës, ku publiku, miqtë dhe kolegët do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e fundit artistit.

    Detajet e Homazheve dhe Varrimit (Nesër, 30 Nëntor)

    Homazhet për nder të Shpat Kasapit, i cili kujtohet si “një zemër e bardhë, një shpirt i gëzuar”, do të mbahen nesër, sipas këtij orari:

    Homazhet: Do të zhvillohen të Dielën, më 30 Nëntor, duke filluar nga ora 11:00, në Pallatin e Kulturës – Tetovë.

    Varrimi: Do të bëhet në orën 14:00, në varrezat e qytetit të Tetovës.

  • Një grua rrahet nga kunati i saj në Skenderaj, pas tretmanit mjekësor dërgohet në strehimore

    Një grua rrahet nga kunati i saj në Skenderaj, pas tretmanit mjekësor dërgohet në strehimore

    Policia ka njoftuar se një grua nga Skenderaj dyshohet se është sulmuar fizikisht nga kunati i saj, i cili më pas u dërgua në mbajtje.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është dërguar në strehimore, njoftoi policia.

    “Skenderaj 24.11.2025-21:00. Është raportuar se një femër kosovare është sulmuar fizikisht nga kunati i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

  • Nga erdhën macet shtëpiake? ADN-ja e lashtë trondit historinë e origjinës së tyre

    Nga erdhën macet shtëpiake? ADN-ja e lashtë trondit historinë e origjinës së tyre

    Origjina e maceve shtëpiake — shekuj para se ato të pushtonin divanet dhe memet e internetit në botë — ka qenë prej kohësh e errët. Tani, ADN-ja e lashtë po ndihmon për të plotësuar boshllëqet dhe gjetjet e kësaj historie e tronditin historinë tradicionale.

    Arkeologët mendonin se macet dhe njerëzit filluan të jetonin me njëri-tjetrin rreth 9,500 vjet më parë në Levant , i cili sot përfshin pjesë të Lindjes së Mesme dhe Mesdheut lindor, në fillim të epokës neolitike kur njerëzit filluan të kultivonin të korra.

    Depozitat e drithërave tërhiqnin brejtësit, të cilët nga ana tjetër joshnin macet e egra, dhe njerëzit e gjetën të dobishme t’i mbanin këta kapës minjsh përreth, duke çuar në zbutjen përfundimtare të maceve. Mbetjet e maceve më të vjetra të njohura në të dhënat arkeologjike datojnë nga një varrim në Qipro nga ajo periudhë kohore.

    Një studim i fokusuar në Evropë, i botuar në revistën Science, shqyrtoi 87 gjenome të lashta dhe moderne të maceve dhe zbuloi se macja shtëpiake, e cila ka emrin shkencor Felis catus, e ka origjinën në Afrikën e Veriut, dhe jo në Levant siç mendohej më parë. Paraardhësit e saj ishin të lidhur ngushtë me macen e egër afrikane, ose Felis lybica lybica, shkruan BBC.

    Macet krijuan grupin gjenetik të maces moderne shtëpiake dhe duket se u përhapën në të gjithë Evropën me ngritjen e Perandorisë Romake rreth 2,000 vjet më parë, vuri në dukje studimi.

    Deri në vitin 730, macja shtëpiake kishte mbërritur në Kinë, me shumë mundësi duke udhëtuar me karvanë tregtarë përgjatë Rrugës së Mëndafshit , sipas një studimi të dytë të botuar në revistën Cell Genomics . Ai analizoi ADN-në nga 22 kocka macesh të zbuluara në Kinë gjatë 5,000 viteve të fundit.

  • Ushtroi dhunë fizike dhe psikike ndaj prindërve të tij, arrestohet një person në Prishtinë

    Ushtroi dhunë fizike dhe psikike ndaj prindërve të tij, arrestohet një person në Prishtinë

    Policia ka njoftuar për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur në Prishtinë.

    Në njoftim thuhet se djali ka rrahur prindërit.

    “Prindërit kanë pësuar dhunë fizike dhe psikike nga djali i tyre i dyshuari mashkull kosovar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Kosova të dielën nis kualifikimet për Eurobasket 2029 kundër Shqipërisë

    Kosova të dielën nis kualifikimet për Eurobasket 2029 kundër Shqipërisë

    Të dielën Kombëtarja e Kosovës në basketboll nis kualifikimet për Eurobasket 2029,ku në Shkodër do të takohet kundër Kombëtares së Shqipërisë.

    “Dardanët”kanë përgatitjet e fundit për këtë ndeshje,ku synojnë që të nisin me fitore në mënyrë që të sigurojnë për herë të parë kualfikimin në evropianin e basketbollit.

    Përndryshe në grumbullim e “Dardanëve”është përfshirë edhe Malcolm Armstead,i cili zëvendëson Divine Myles për shkak të një lëndimi dhe do të mungojë ndaj kuqezinjëve.

    Në anën tjetër Shqipëria zhvilloi ndeshjen e parë në kualfikimet në Eurobasket,ku u mund nga Sllovakia me rezultat 73:63.

    Kujtojmë që ndeshja Shqipëri-Kosovë zhvillohet në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” në Shkodër me fillim nga ora 18:00.

  • Pse vyshken bimët kur e ndezim ngrohjen? Problemi nuk është tek nxehtësia

    Pse vyshken bimët kur e ndezim ngrohjen? Problemi nuk është tek nxehtësia

    Në dimër, apartamentet tona bëhen një sfidë e vërtetë për bimët e brendshme, sidomos për ato të ndjeshme ose që vijnë nga zona të tjera klimatike

    Nëse keni në shtëpi orkide, fikus, ferna, anturium apo monsterë, ndoshta keni vërejtur se gjendja e tyre përkeqësohet ndjeshëm me fillimin e sezonit të ngrohjes. Dhe kjo nuk ndodh fare nga temperatura.

    Gjatë vjeshtës dhe dimrit, bimët kërkojnë më shumë kujdes dhe një regjim të përshtatshëm mirëmbajtjeje. Është e rëndësishme t’u kushtoni më shumë vëmendje që të duken bukur tani, por edhe në pranverë. Ajri i thatë, mungesa e dritës natyrale dhe afërsia me radiatorët mund t’i dobësojnë, madje edhe t’i dërgojnë drejt tharjes. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se duhet ta ndaloni ngrohjen.

    Kira Kay, specialiste nga kopshti botanik Bloom and Wild, paralajmëron se shumë bimë të brendshme, veçanërisht ato nga zonat tropikale, si Palma Sago, e përballojnë shumë keq ajrin e thatë dhe temperaturat e larta, sidomos kur vendosen pranë radiatorëve ose oxhakëve.

    “Ngrohja shtesë nuk i ndihmon aspak bimët të mbijetojnë dimrin. Përkundrazi, mund të jetë e rëndë për to, madje në disa raste edhe fatale”, paralajmëron Kay, transmeton Telegrafi.

    Nuk është problemi te temperatura apo mungesa e dritës – bimët në dimër i vret ajri i thatë

    Problemi nuk është vetëm temperatura, por mungesa e lagështisë. Ngrohja qendrore, ngrohja në dysheme ose oxhakët e thajnë ajrin, gjë që ndikon negativisht te bimët.

    “Gjethet fillojnë të thahen dhe bimët mund të veniten. Afërsia direkte me burimet e ngrohjes i dëmton edhe më shumë”, shpjegon Kay.

    Veçanërisht të rrezikuara janë bimët me gjethe të holla dhe delikate, si fernet apo anturiumi. Sipas Kay, “sa më të holla dhe më delikate të jenë gjethet, aq më i madh rreziku që bima të dëmtohet në ajër të thatë”.

    Si t’i mbroni bimët gjatë dimrit?

    Kay rekomandon largimin e vazo­ve nga burimet e ngrohjes. Një zgjidhje e mirë është të vendosen në rafte, tavolina anësore apo në vazo të varura. Grupi­mi i bimëve në një vend gjithashtu ndihmon, sepse krijon një mikroklimë natyrale që ruan lagështinë. Gjithashtu, mund të vendosni një enë me ujë pranë bimëve, të spërkatni rregullisht gjethet ose të investoni në një lagështues të vogël ajri.

    Çfarë të bëni kur bimët fillojnë të dëmtohen gjatë sezonit të ngrohjes?

    Nëse vëreni se gjethet bien ose bima duket e dobët, nuk ka arsye për panik.

    “Kjo shpesh është e kthyeshme. Në situata të tilla, duhet të prisni pjesët e dëmtuara dhe ta vendosni bimën në një zonë me kushte më stabile, larg burimeve të nxehtësisë. Spërkatja e rregullt për një ose dy javë mund të ndihmojë bimën të rimarrë forcën”, qartëson Kay. /Telegrafi/

     

  • Zelensky kërkon sisteme të mbrojtjes ajrore pas sulmeve të reja ruse

    Zelensky kërkon sisteme të mbrojtjes ajrore pas sulmeve të reja ruse

    Të paktën tre persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi Rusia sulmoi Ukrainën me 36 raketa dhe pothuajse 600 dronë, tha më 29 nëntor presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Caqet kryesore të sulmeve gjatë natës ishin infrastruktura energjetike dhe objekte civile, tha udhëheqësi ukrainas.

    Zelensky gjithashtu foli për dëme të mëdha dhe zjarre në ndërtesa banimi në Kiev dhe rrethinat e tij, dhe përsëriti thirrjen për aleatët e Ukrainës që të forcojnë mbrojtjen e saj ajrore.

    “Duhet të punojmë pa humbur asnjë ditë për të siguruar që të ketë mjaft raketa për sistemet tona të mbrojtjes ajrore, dhe që gjithçka e nevojshme për mbrojtjen tonë dhe për presion ndaj Rusisë të jetë në vend”, shkroi Zelensky në X.

    Ai përsëri bëri thirrje që Bashkimi Evropian të përdorë asetet e ngrira ruse, në vlerë prej miliarda, që gjenden në Belgjikë, nëse Moska nuk ndalon sulmet.

    Zelensky po ashtu theksoi se janë të nevojshme bisedime me të gjithë partnerët për të ndalur luftën. Ukraina aktualisht po zhvillon bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë.

    Pritet gjithashtu që përfaqësues të SHBA-së të jenë në Moskë në gjysmën e parë të javës së ardhshme për negociata mbi një plan të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, njofton rel.

    Dokumenti fillimisht përmbante 28 pika. Pas bisedimeve në Gjenevë, propozime nga Ukraina dhe BE-ja janë përfshirë në dokument, të cilat, sipas Kremlinit, i janë paraqitur gjithashtu Rusisë për shqyrtim.

    Ndërkaq, të paktën dy persona u vranë dhe 29 të tjerë u plagosën në sulmet ruse gjatë natës mbi kryeqytetin ukrainas, Kiev, tha Ministria e Brendshme të shtunën.

    Në fillim të kësaj jave, sulme të ngjashme gjatë natës lanë të vrarë shtatë persona, tha kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.

    Ministria e Energjisë e Ukrainës përshkroi sulmet e fundit si një “sulm të madh të kombinuar” mbi infrastrukturën energjetike të vendit. Sipas të dhënave zyrtare, 500.000 persona në kryeqytetin ukrainas janë aktualisht pa energji elektrike.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se, përveç infrastrukturës energjetike, janë sulmuar edhe fabrika të armëve. Këto, sipas saj, ishin përgjigje ndaj sulmeve ukrainase ndaj objektivave ruse.

    Sipas Ministrisë, mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar 158 dronë ukrainas brenda 24-orësh. Si zakonisht, Ministria ruse nuk dha asnjë informacion mbi dëmet e shkaktuara.

  • Gjermania harton plan sekret lufte: Dokumenti 1.200 faqesh mobilizon 800 mijë trupa kundër kërcënimit rus

    Gjermania harton plan sekret lufte: Dokumenti 1.200 faqesh mobilizon 800 mijë trupa kundër kërcënimit rus

    Gjermania ka hartuar një plan sekret ushtarak prej 1.200 faqesh, të quajtur OPLAN DEU, për përgatitjen ndaj një konflikti të mundshëm me Rusinë. Dokumenti parashikon mobilizimin e deri në 800 mijë trupave gjermane, amerikane dhe të NATO-s në frontin lindor, raportojnë mediat gjermane.

    Sipas informacioneve, hartimi i planit ka nisur rreth dy vjet e gjysmë më parë në bazën ushtarake Julius Leber në Berlin, ku 12 oficerë të lartë kanë punuar konfidencialisht në simulimin e një skenari lufte. Tani, ai plan po testohet përmes ushtrimeve praktike në të gjithë Gjermaninë.

    Dokumenti detajon rrugët e transportit për trupa dhe pajisje, përfshirë porte, lumenj, hekurudha dhe autostrada. Për shkak të pozitës gjeografike dhe barrierave natyrore si Alpet, ekspertët theksojnë se çdo përforcim i NATO-s drejt lindjes duhet të kalojë përmes Gjermanisë, duke e bërë atë qendrën kryesore logjistike të aleancës.

    Plani bazohet në një qasje të re “të gjithë shoqërisë”, që bashkon sektorin civil dhe atë ushtarak, duke ruajtur elemente të doktrinave të Luftës së Ftohtë, por të adaptuara me sfidat e sotme, si infrastruktura e dëmtuar dhe kapacitetet më të vogla ushtarake.

    Zyrtarët gjermanë vlerësojnë se Rusia mund të arrijë kapacitet të plotë për të sulmuar një vend të NATO-s rreth vitit 2029, por paralajmërojnë se veprimet e fundit të Kremlinit – spiunazhi, sabotimet dhe shkeljet e hapësirës ajrore – tregojnë se rreziku mund të vijë edhe më herët. Analistët shtojnë se një armëpushim i përkohshëm në Ukrainë do t’i jepte Moskës mundësi të zhvendoste fokusin drejt vendeve të Evropës Lindore.

    Ushtrimet e fundit në Gjermaninë lindore përfshinë ngritjen e një kampi të përkohshëm për 500 ushtarë nga kompania Rheinmetall brenda 14 ditësh. Stërvitjet evidentuan pengesa të mëdha, si terreni i papërshtatshëm, nevoja për semaforë të rinj përgjatë korridoreve ushtarake dhe vështirësi në lëvizjen e mjeteve të rënda.

    Infrastruktura gjermane, dikur shtyllë kyçe e operacioneve të Luftës së Ftohtë, është rënduar ndjeshëm: 20% e autostradave kanë nevojë për riparime, një e katërta e urave nuk përballojnë më ngarkesat ushtarake, ndërsa portet në Detin e Veriut dhe Baltik kërkojnë rreth 15 miliardë euro investime.

    Rreziqet janë theksuar edhe nga incidente të fundit, si përplasja e anijes holandeze Rapida me një urë në lumin Hunte, që bllokoi transportin e municioneve për Ukrainën. Përveç kësaj, ligjet strikte për mbrojtjen e të dhënave, rregulloret e vjetra dhe kufizimet për fluturimin e dronëve në zona urbane po e vështirësojnë reagimin ushtarak në kohë reale.

    Gjatë ushtrimit “Red Storm Bravo” në Hamburg, një konvoj me 65 mjete dhe 500 ushtarë u përball me protesta të simuluara dhe sulme me dronë, duke shkaktuar vonesa të paparashikuara – një tregues i kompleksitetit të operacioneve në terren.

    Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar se Evropa po hyn në një epokë të re pasigurie.

    “Kërcënimet janë reale. Nuk jemi në luftë, por nuk jetojmë më në paqe”, ka thënë ai.

    Edhe pse sekret, OPLAN DEU përshkruhet si një plan për transformimin e Gjermanisë në një shtet të gatshëm për çdo skenar lufte, duke ndërthurur logjistikën, infrastrukturën civile, ushtrinë dhe bashkëpunimin me NATO-n. Zyrtarët theksojnë se qëllimi i tij kryesor mbetet parandalimi.

    “Duam t’i tregojmë kundërshtarit se një sulm nuk do të ketë sukses”, thonë ata.

     

  • Përmbytje vdekjeprurëse në Indonezi: Numri i viktimave arrin në 248, mbi 100 persona ende të zhdukur

    Përmbytje vdekjeprurëse në Indonezi: Numri i viktimave arrin në 248, mbi 100 persona ende të zhdukur

    Indonezia po përballet me një prej fatkeqësive më të rënda të viteve të fundit, pasi shirat musonikë kanë shkaktuar përmbytje masive, rrëshqitje dheu dhe një tërmet që ka goditur zonat malore të Sumatrës.

    Tragjedia ka përfshirë qindra komunitete, duke lënë pas shifra që rriten nga ora në orë.

    Të paktën 248 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 100 të tjerë konsiderohen të zhdukur pas përmbytjeve vdekjeprurëse në provincën e Sumatrës Veriore.

    Shirat e dendur gjatë javës së kaluar kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati dhe të përmbytin fshatra të tëra. Rrjedhat e fuqishme të ujit kanë rrëmbyer njerëz, kanë shkatërruar shtëpi dhe mijëra ndërtesa, ka njoftuar Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive.

    Ekipet e shpëtimit po përballen me sfida të mëdha. Rrugët e dëmtuara dhe komunikimet e ndërprera kanë izoluar disa zona, duke e bërë të vështirë depërtimin në vendet ku situata është më kritike. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi shumë zona ende janë të paarritshme.

    Pamjet nga terreni tregojnë ekipe shpëtimi që ecin në baltë deri në bel, ndërsa qindra policë, ushtarë dhe banorë lokalë kërkojnë nën rrënoja me duar të zhveshura dhe lopata. Përpjekjet po vështirësohen nga shirat e pandalshëm.

    Ndihmat po dërgohen me aeroplanë drejt distriktit më të goditur, Tapanuli Qendror, ndërsa dëme të mëdha janë raportuar edhe në Agam të Sumatrës Perëndimore, ku të paktën 76 persona kanë humbur jetën.