ATV

Blog

  • Ekzekutimi i biznesmenit në Elbasan, arrestohen bashkëpunëtori dhe roja i pompës së karburantit

    Ekzekutimi i biznesmenit në Elbasan, arrestohen bashkëpunëtori dhe roja i pompës së karburantit

    Policia e Elbasanit ka identifikuar dhe shpallen në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes së biznesmenit si dhe arrestohet një nga bashkëpunëtorët.

    Në pranga u vu edhe 52-vjeçari, për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion (roja i pikës së karburantit).

    Në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike” u arrestuan shtetasit Xhino Ago dhe Kujtim Pisha, si edhe u shpallën në kërkim shtetasit Marselo Arani dhe Armando Kola.

    Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.

    Gjithashtu, u sekuestruan dokumente shitblerjeje të automjetit, 3 celularë dhe 2 DVR.

    Si rezultat i një pune intensive hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më 30.11.2025, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M. M., alias E. H., strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan, në drejtimin e prokurorisë dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjetën prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes.

    Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.

    Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:

    Xh. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

    K. P., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

    Dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

    Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit XH. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A, raporton A2CNN-i.

    Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

  • Trump konfirmon pjesëmarrjen në shortin e Botërorit 2026 në Washington!

    Trump konfirmon pjesëmarrjen në shortin e Botërorit 2026 në Washington!

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të jetë i pranishëm në shortin e fazës së grupeve për Kupën e Botës 2026, i cili do të mbahet këtë të premte, më 5 dhjetor, në Uashington. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Leavitt.

    “Të premten, Presidenti Trump do të marrë pjesë në shortin e grupeve të Kupës së Botës në Qendrën Kennedy”, tha Leavitt para gazetarëve.

    Shorti nis nga ora 18:00 sipas kohës lokale, dhe do të përcaktojë 12 grupet, secili me nga katër skuadra.

    Kujtojmë që ekipet e kualifikuara deri tani janë: Tre vendet pritëse: SHBA, Kanada dhe Meksika, Spanja, Argjentina, Franca, Anglia, Brazili, Portugalia, Holanda, Belgjika dhe Gjermania.

    Deri në momentin e shortit do të jenë të konfirmuara 42 kombëtare, ndërsa gjashtë të tjera do të mësohen në muajin mars pas ndeshjeve të fundit kualifikuese.

    FIFA ka njoftuar se orari zyrtar i ndeshjeve të Botërorit 2026 do të publikohet një ditë pas shortit.

    Botërori 2026, që do të zhvillohet në tri shtete, pritet të jetë turneu më i madh në historinë e futbollit dhe prania e Trumpit në short vetëm sa e shton vëmendjen mediatike rreth këtij eventi.

  • Ukë Rugova kandidat për deputet nga radhët e LDK-së

    Ukë Rugova kandidat për deputet nga radhët e LDK-së

    Ukë Rugova, djali i ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, do të jetë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Lajmin e konfirmoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Abdixhiku vizitoi sot zonjën Fana dhe familjen Rugova, në 81-vjetorin e lindjes së Presidentit Rugova, ku u zyrtarizua vendimi për përfshirjen e Ukë Rugovës në garë.

    “Pranova me nderimin më të madh kërkesën e Familjes Rugova që Ukë Ibrahim Rugova të jetë pjesë e listës sonë zgjedhore,” tha Abdixhiku.

    Ai shtoi se gjatë vizitës u diskutua për rrugën e filluar tre dekada më parë nga Rugova dhe për sakrificat e heshtura që e ndoqën.

    Lumir Abdixhiku tha se mesazhi i Rugovës mbetet i njëjtë edhe sot: forcë paqësore, përkushtim demokratik dhe orientim i pandryshuar drejt botës perëndimore.

  • Lamine Yamal tregon anën e padukshme të famës: “Do të doja të haja në një restorant si person normal, por nuk mundem”

    Lamine Yamal tregon anën e padukshme të famës: “Do të doja të haja në një restorant si person normal, por nuk mundem”

    Superylli i Barcelonës, Lamine Yamal, vetëm 18 vjeç, po përjeton një rritje marramendëse të famës dhe me të vijnë edhe kufizimet që ai nuk i kishte imagjinuar më parë. Në një deklaratë të sinqertë, talenti spanjoll ka rrëfyer se jeta e tij jashtë fushës ka ndryshuar plotësisht.

    “Do të doja të shkoja të ha në një restorant si një person normal, por nuk mundem, sepse njerëzit do të më ndalonin gjithmonë,” tha ai.

    Yamal, i cili tashmë është një nga emrat më të përfolur të futbollit botëror, pranon se fama ka sjellë shumë vëmendje pozitive, por edhe kufizime të mëdha në jetën e tij të përditshme.

    “Është normale sepse jam i famshëm,” shtoi ai.

    “Prandaj përpiqem të bëj gjëra më të thjeshta, si të vizitoj mamin, vëllain, ose të luaj videolojëra.”

    Këto momente të thjeshta, sipas tij, janë mënyra më e mirë për të shijuar qetësinë dhe për të ruajtur normalitetin në një botë ku çdo lëvizje e tij ndiqet nga miliona sy.

    Deklaratat e Yamali tregojnë qartë se, pavarësisht shkëlqimit në fushë, jeta e një talenti kaq të ri në nivel elitar vjen me sfida të mëdha emocionale dhe sociale.

    Megjithatë, paraqitjet e tij të jashtëzakonshme tregojnë se ai po e menaxhon presionin me pjekuri të rrallë për moshën që ka.

  • SHBA e bllokon licencën, Vuçiq: Serbia po paguan çmimin

    SHBA e bllokon licencën, Vuçiq: Serbia po paguan çmimin

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi pas takimit me ekipet për sigurinë energjetike se Serbia po hyn në periudhën kur “do të përballet me pasojat e vërteta” të situatës me NIS-in, pas moszgjatjes së licencës nga SHBA.

    Ai tha se ishte “i zhgënjyer dhe i befasuar” nga vendimi i Uashingtonit dhe se nuk e kupton arsyen e tij.

    Sipas tij, Rusia nuk pranon shitjen e kompanisë, ndërsa SHBA ndjek interesat e veta gjeopolitike, dhe “aktualisht po dëmtohet vetëm Serbia”, transmeton Indeksonline

    Vuçiq deklaroi se Serbia ka rritur ndjeshëm importet e derivateve të naftës, por se po has probleme me kapacitetet e mbushura të magazinimit.

    Ai akuzoi kompaninë kroate JANAF se nuk ka lejuar dërgesën e naftës për rezervat shtetërore, gjë që sipas tij tregon se “jo vetëm NIS, por e gjithë Serbia trajtohet si e sanksionuar derisa të vendosin amerikanët”.

    Presidenti theksoi se, pavarësisht 54 ditëve të sanksioneve, qytetarët nuk kanë ndier mungesa falë përgatitjeve të shtetit, por paralajmëroi se tani priten sfida të reja për sektorin energjetik.

  • Bëhen të ditur datat: Ja kur do të merret vendimi final për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

    Bëhen të ditur datat: Ja kur do të merret vendimi final për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

    Zëdhënësi i Dhomave të Specializuar, Michael Doyle, ka bërë të ditur se deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt 2026, përcjell Periskopi.

    Pas kësaj, siç bën të ditur ai, Trupi Gjykues do të mbyll çështjen dhe do të hyjë në fazën e shqyrtimit për të arritur një aktgjykim.

    “Aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditëve nga mbyllja e çështjes. Kur rrethanat kërkojnë kohë shtesë, është e mundr një zgjatje edhe për 60 ditë të tjera”, tha Doyle.

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Hagë nga viti 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniq dhe Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

  • 8 shenja të pazakonta të autizmit tek fëmijët

    8 shenja të pazakonta të autizmit tek fëmijët

    Shenjat e hershme që prindërit shpesh i neglizhojnë, por që mund të tregojnë autizëm

    Autizmi është një diagnozë që po prek gjithnjë e më shumë fëmijë, pra rreth një në 100 në mbarë botën. Disa shenja mund të shfaqen që shumë herët dhe lidhen me sjelljen e fëmijës dhe mënyrën e lojës

    Të dhënat e publikuara në vitin 2023 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se një në njëqind fëmijë në botë lind me autizëm. Meqenëse kjo diagnozë po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë, është e rëndësishme që prindërit të dinë cilat simptoma mund të jenë treguese të autizmit, në mënyrë që t’i vërejnë sa më herët.

    Cilat sjellje dhe shenja mund të jenë “sinjal alarmi” dhe të tregojnë për mundësinë e autizmit tek fëmijët?

    1.Fëmija nuk reagon në thirrjen e emrit ose e bën këtë rrallë, edhe pse dëgjimi i tij është normal.
    Kjo ndodh për shkak se fëmija nuk e lidh thirrjen me komunikimin social. Ky është një nga treguesit më të hershëm të mundshëm.

    2.Nuk i përdor gjestet e tregimit në komunikim, pra nuk tregon me gisht drejt objekteve që dëshiron ose gjërave që do t’ua tregojë prindërve.
    Mungesa e gjesteve është një nga kriteret e rëndësishme në vlerësimin e zhvillimit social.

    3.Nuk e shikon të rriturin në sy kur i drejtohet, sikur të mos i flitet fare.
    Vështirësia në kontaktin me sy lidhet me përpunimin social të informacionit.

    4.Nuk kërkon prindin nëse ai del papritur nga fusha e shikimit.
    Shpesh fëmija me autizëm nuk e kërkon sigurinë emocionale përmes vështrimit apo ndjekjes vizuale të prindit.

    5.Luajnë me lodra në mënyra “të pazakonta”: i afrojnë shumë afër syve, rrotullojnë rrotat e makinave për një kohë të gjatë, i rreshtojnë lodrat sipas një rendi të caktuar dhe nuk lejojnë që dikush të ndërhyjë në lojën e tyre.
    Këto janë forma të lojës stereotipe ose rituale që mund të tregojnë vështirësi në lojën funksionale dhe imagjinare.

    6.Fëmija nuk flet dhe e ka të vështirë të kuptojë të folurin.
    Këtë mund ta testoni duke i kërkuar një detyrë të thjeshtë, si të sjellë një libër apo të tregojë një lodër. Vështirësia në të kuptuarit mund të jetë më e hershme sesa vështirësia në të folur.

    7.Fillon të shqiptojë disa fjalë, por me kohën sikur i “humb” ose pushon së përdoruri.
    Humbja e aftësive të fituara më herët është gjithmonë një shenjë që kërkon vlerësim profesional të menjëhershëm.

    8.Këmbëngul që gjithçka të jetë e parashikueshme dhe e pandryshuar: ecën në të njëjtat rrugë, ha vetëm ushqime të caktuara, vesh të njëjtat rroba. Nëse diçka ndryshon, shqetësohet shumë.
    Dëshira për rutina të rrepta është pjesë e sjelljeve stereotipe dhe e nevojës për rend dhe parashikueshmëri.

    Fëmijët në një moshë të caktuar mund të kalojnë faza kur u pëlqen përsëritja, por në disa raste kjo mund të jetë shenjë e autizmit. Në çdo rast, nëse vëreni cilindo nga këta simptoma, dijeni se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se fëmija ka autizëm, por është më mirë të konsultoheni me specialistë për një vlerësim të plotë, transmeton Telegrafi.

    Këshilla të dobishme shtesë për prindërit

    Diagnoza e hershme ndihmon shumë.Terapitë e zhvillimit, ndërhyrjet logopedike dhe terapia e sjelljes janë shumë më efektive kur fillojnë para moshës 3 vjeç.

    • Mos prisni që “të flasë vetë” ose “të rritet e t’i kalojë vetë”. Humbja e kohës është pengesa më e madhe për progresin e fëmijës.
    • Vëzhgoni, shënoni dhe filmoni sjelljet e dyshimta. Kjo u ndihmon shumë profesionistëve gjatë vlerësimit.
    • Kërkoni mendimin e dy profesionistëve, nëse është e nevojshme. Autizmi është spektral dhe vlerësimi kërkon ekspertizë.
    • Kujdesi, qetësia dhe përkrahja emocionale janë po aq të rëndësishme sa terapitë.

    /Telegrafi/

  • Policët patrullues bëhen me vetura të reja

    Policët patrullues bëhen me vetura të reja

    Menaxhmenti i Policisë së Kosovës me qëllim të rritjes së vazhdueshme të efikasitetit në punën e policëve patrullues, e që ata të jenë sa më afër nevojave të qytetarëve, ka ndarë vetura zyrtare për njësitë patrulluese, përcjell Reporteri.net.

    Sipas njoftimit, përmbushja e objektivave të Planit Zhvillimor Strategjik dhe forcimi i qasjes proaktive ndaj kërkesave të qytetarëve, tashmë mundësohet më lehtë dhe më shpejt, falë pajisjes shtesë me automjete zyrtare për njësitë patrulluese të stacioneve policore.

    “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kolonel Gazmend Hoxha, ka vazhduar me mbështetjen ndaj departamenteve policore, në këtë rast të rendit publik, duke ndarë dyzet e një (41) vetura të reja, prej tyre 35 limuzina, përfshirë ato Hybride dhe 6 xhipa për mbulimin e zonave patrulluese, në të gjitha drejtoritë rajonale.

    Kjo edhe një herë dëshmon përkushtimin e menaxhmentit të Policisë për një qasje gjithnjë e më proaktive ndaj qytetarëve, për forcimin e bashkëpunimit, komunikimit dhe reagimit me kohë ndaj kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, si dhe për rritjen e mëtejme të besueshmërisë dhe transparencës institucionale”, thuhet në njoftim.

  • Finlanda rrit kufirin e moshës për rezervistët ushtarakë deri në 65 vjeç

    Finlanda rrit kufirin e moshës për rezervistët ushtarakë deri në 65 vjeç

    Përballë ndryshimit të situatës së sigurisë në Evropë, Finlanda ka vendosur të forcojë ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse, duke rritur kufirin e moshës për rezervistët ushtarakë. Ata mund të angazhohen në ushtri deri në moshën 65-vjeçare, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

    Edhe pse me një popullsi prej vetëm 5,5 milionë banorësh, Finlanda ka një nga ushtritë më të mëdha në Evropë, me rreth 280’000 trupa të gatshme për mobilizim të shpejtë dhe një rezervë totale prej 870’000 personash. Sipas planit të ri të qeverisë, kjo shifër pritet të arrijë në rreth një milion deri në vitin 2031.

    Ndryshimi kryesor ligjor parashikon që, duke filluar nga viti i ardhshëm, kufiri i moshës për të qenë pjesë e rezervës do të rritet në 65 vjeç për të gjithë, pavarësisht gradës. Aktualisht, ushtarët e gradave të ulëta qëndrojnë në rezervë deri në moshën 50-vjeçare, ndërsa oficerët deri në 60 vjeç. Për oficerët me grada të larta (si kolonel e më lart), detyrimi do të jetë pa kufi moshe, për sa kohë ata janë fizikisht të aftë për shërbim, shkruan A2.

    Një raport i Komisionit të Mbrojtjes në parlamentin finlandez e ka cilësuar propozimin si “jashtëzakonisht të nevojshëm”. Synimi është shfrytëzimi i aftësive të rezervistëve më të vjetër e me përvojë, veçanërisht në fushat e sigurisë kibernetike, infrastrukturës dhe sigurisë së furnizimit – kompetenca këto që kërkohen më shumë se kurrë në mjedisin aktual të sigurisë.

    Ky vendim reflekton vigjilencën e vazhdueshme të Finlandës ndaj fqinjit të saj lindor, Rusisë. Përvoja e hidhur historike e Luftës së Dimrit (1939-1940) kundër Bashkimit Sovjetik mbetet e rrënjosur në kujtesën kombëtare finlandeze. Presidenti aktual, Alexander Stubb, deklaroi së fundmi për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se “ADN-ja e Rusisë është ekspansioni, ndërsa ajo e Finlandës është mbijetesa”.

    Ndërkohë, ish-presidenti Sauli Niinistö u ka bërë thirrje liderëve evropianë të mbajnë kontakte direkte me Vlladimir Putinin. Sipas tij, nëse evropianët nuk përfshihen në diskutime, ata rrezikojnë që vendimet për arkitekturën e sigurisë së Evropës dhe Ukrainës të merren pa praninë e tyre në tryezën e bisedimeve.

  • Dy të arrestuar dhe dy të tjerë në kërkim për vrasjen e biznesmenit në Elbasan

    Dy të arrestuar dhe dy të tjerë në kërkim për vrasjen e biznesmenit në Elbasan

    Dy persona janë arrestuar, derisa dy të tjerë janë shpallur në kërkim në Elbasan, për vrasjen e biznesmenit nga Shqipëria, i cili u identifikua si Edmond Hyka.

    Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se në pranga u vu një 52-vjeçar (roja i karburantit), për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion.

    I arrestuari tjetër është Xh. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

    Në kërkim u shpallën M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

    Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xh. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A.

    Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.