ATV

Blog

  • Policia bastis shërbimin diplomatik të BE-së e Kolegjin e Europës, arrestohet Federica Mogherini

    Policia bastis shërbimin diplomatik të BE-së e Kolegjin e Europës, arrestohet Federica Mogherini

    Policia belge bastisi shërbimin diplomatik të BE-së në Bruksel të martën, së bashku me Kolegjin e Evropës në Bruges dhe shtëpi private, si pjesë e një hetimi mbi keqpërdorimin e dyshuar të fondeve të BE-së.

    Euroactiv raporton duke iu referuar njerëzve të njohur me hetimin dhe dëshmitarëve, se bastisje u zhvilluan në të gjithë Belgjikën në orët e para të mëngjesit.

    Policia sekuestroi dokumente dhe arrestoi tre persona për t’i marrë në pyetje nën dyshimin për mashtrim me prokurimin, korrupsion dhe konflikt interesi kriminal.

    Sipas mediave ndërkombëtare në mesin e të arrestuarve është edhe rektorja e kolegjit të Europës Federica Mogherini.

    Rreth 10 oficerë të veshur me rroba civile hynë në selinë e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në orën 7:30 të mëngjesit të së martës, tha një dëshmitar okular. Një zyrtar tjetër i BE-së nga shërbimi diplomatik i BE-së konfirmoi bastisjen.

    Hetimi penal filloi pas akuzave se EEAS dhe Kolegji i Evropës, shkolla prestigjioze e trajnimit pasuniversitar për eurokratët, keqpërdorën paratë publike të BE-së në vitet 2021 dhe 2022, sipas katër personave me njohuri për hetimin.

    Bastisjet janë skandali i fundit i madh që godet institucionet e BE-së dhe do të shtojnë presionin mbi Kolegjin e Evropës dhe rektoren e tij, Federica Mogherini, e cila dikur drejtonte EEAS-in dhe filloi një mandat të dytë pesëvjeçar në Bruges këtë vit.

  • FFK – Hap procesin e aplikimit për kurset e Licencave A, B dhe C për trajnerë

    FFK – Hap procesin e aplikimit për kurset e Licencave A, B dhe C për trajnerë

    Federata e Futbollit të Kosovës njofton të gjithë të interesuarit se aplikimet për kurset e licencave për trajnerë për vitin 2026 janë të hapura.

    Kursi kërkon pjesëmarrjen aktive në teori dhe praktikë, gjithashtu trajnerët duhet ta përgatisin vetveten fizikisht për kurse.

    Kursi do të përfundojë me provime në fund të fazës mësimore. Trajnerët të cilët i përfundojnë me sukses provimet do të pajisen me Licencë.

    Pagesa e kursit është:

    • UEFA C ( 350 ) EURO

    • UEFA B ( 700 ) EURO

    • UEFA A ( 2500 ) EURO

    Trajnerët e interesuar janë të obliguar të aplikojnë online, deri më 19.12.2025

    Ju lutemi që në email kur të aplikoni ta cekni licencën për të cilën aplikoni. Dokumentet dërgohen në: [email protected]

    Në total 24 do të jetë numri i të pranuarve për një kurs. Aplikimet e mëvonshme dhe të pakompletuara nuk do të merren parasysh.

    Më poshtë gjeni datat e fillimit për secilën licencë:

    Licenca C –Datat e fillimit

    • Licenca C : 19.01.2026

    Licenca B –Datat e fillimit

    • Licenca B : 26.01.2026

    Licenca A –Data e fillimit

    • Licenca A : 09.02.2026

    Kriteret e aplikimit

    UEFA C

    • Aplikacionet dhe formularët e regjistrimit të FFK-së të plotësuara

    • Dy fotografi me dimensione të pasaportës

    • Çertifikata shëndetësore( jo më e vjetër se gjashtë muaj)

    • Dëshmi që aplikanti nuk është i dënuar dhe nuk është nën hetime

    • Dëshmi mbi edukimin (së paku diploma e shkollës e mesme)

    • Minimumi i moshës së kandidatit duhet të jetë 18 vjet.

    UEFA B

    • Aplikacionet dhe formularët e regjistrimit të FFK-së të plotësuara

    • Dy fotografi me dimensione të pasaportës

    • Çertifikata shëndetësore(jo më e vjetër se gjashtë muaj)

    • Dëshmi që aplikanti nuk është i dënuar dhe nuk është nënhetime

    • Dëshmi mbi edukimin (së paku diploma e shkollës emesme)

    • Kopje e Licencës C

    UEFA A

    • Aplikacionet dhe formularët e regjistrimit të FFK-së të plotësuara

    • Dy fotografi me dimensione të pasaportës

    • Çertifikatë shëndetësore (jo më e vjetër se gjashtë muaj)

    • Dëshmi që aplikanti nuk është i dënuar dhe nuk është nën hetime

    • Kopje valide e Licencës B

    • Kopje e diplomës së shkollimit –Bachelor në Shkenca Sportive

  • Trump njoftoi mbylljen e hapësirës ajrore të Venezuelës, reagon OKB-ja

    Trump njoftoi mbylljen e hapësirës ajrore të Venezuelës, reagon OKB-ja

    OKB-ja bëri thirrje të hënën për respektim të plotë të ligjit ndërkombëtar për të garantuar sigurinë e aviacionit civil ndërkombëtar pas njoftimit të SHBA-së se hapësira ajrore e Venezuelës do të “mbyllej plotësisht”.

    Qëndrimi i OKB-së mbetet “i qëndrueshëm” mes tensioneve në rritje, u tha gazetarëve Stephane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm.

    Ai u bëri thirrje vendeve të tregojnë respekt ndaj detyrimeve të tyre sipas ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë Kartën e OKB-së dhe të gjitha kornizat ligjore në fuqi.

    Dujarric theksoi nevojën për të përdorur mekanizmat ekzistues për të adresuar çështjet “duke siguruar në mënyrë paqësore sigurinë dhe lidhshmërinë e aviacionit civil ndërkombëtar”.

    Duke iu përgjigjur një raporti në The Washington Post që pretendonte se Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth urdhëroi një sulm të dytë për të vrarë dy të mbijetuar të një sulmi fillestar ndaj një anijeje të dyshuar për drogë, Dujarric tha se Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres “mbetet thellësisht i shqetësuar” për sulmet ndaj anijeve që dyshohet se transportojnë persona të përfshirë në trafikun e drogës.

    Shtëpia e Bardhë konfirmoi të hënën se Hegseth kishte autorizuar urdhrin më 2 shtator, por se ai ishte lëshuar nga Admirali i Marinës Frank Bradley, për të cilin zëdhënësja Caroline Leavitt tha se po punonte “brenda autoritetit të tij dhe ligjit” duke drejtuar sulmin vdekjeprurës.

    Dujarric i referoi gazetarët te një deklaratë e bërë nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, i cili më parë kishte lënë të kuptohet se sulmet ushtarake mund të shkelin ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe kishte bërë thirrje për hetime mbi sulmet.

    Thirrja vjen pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi së fundmi në mediat sociale se do të “mbyllte plotësisht” hapësirën ajrore të Venezuelës, gjë që e shtyu Karakasin të kërkonte “respekt të pakushtëzuar” për hapësirën e saj ajrore.

    SHBA-të kanë zgjeruar operacionet ushtarake në të gjithë Amerikën Latine në muajt e fundit, duke vendosur marinsat, anije luftarake, avionë luftarakë, bombardues, nëndetëse dhe dronë.

    Javën e kaluar, Trump tha se SHBA-të do të ndërmarrin “shumë shpejt” veprime kundër trafikantëve të drogës venezuelianë në tokë.

    Që nga shtatori, ushtria amerikane ka kryer 21 sulme ndaj anijeve që pretendonte se ishin të ngarkuara me drogë, duke vrarë 83 persona.

  • ProCredit Superliga në aksion me derbin mes GO+ Peja dhe Trepçës

    ProCredit Superliga në aksion me derbin mes GO+ Peja dhe Trepçës

    ProCredit Superliga rikthehet në aksion pas ndeshjes së Kosovës me shumë ndeshje interesante.

    Derbi i xhiros së tetë do të zhvillohet të enjten mbrëma mes GO+ Peja dhe Trepçës, që është përballja e fundit e kësaj xhiro. Sfidat ndërmjet këtyre dy skuadrave kanë dhuruar gjithmonë emocione dhe kështu pritet të enjten, me të dy skuadrat që kanë dhuruar shumë spektakël në këtë edicion dhe kanë ambicie të mëdha. Pejanët kanë gjashtë fitore e një humbje, derisa mitrovicasit katër fitore e dy humbje. Në takimin e parë në Mitrovicë fituan verdhezinjtë 80:86.

    Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli është një përballje ku dy skuadrat synojnë fitoren, pasi që kohët e fundit nuk kanë pasur shumë rezultate pozitive. Bardhekaltrit kanë katër fitore e tri humbje, ndërsa therandasit një fitore e gjashtë humbje. Takimin e parë në Therandë e fituan kryeqytetasit 76:78, ndërsa edhe takimi i së mërkurës do të zhvillohet në Therandë.

    Rahoveci 029-Bora po ashtu është një përballje shumë interesante dhe shumë e rëndësishme. ‘Vreshtarët’ kanë tri fitore e katër humbje, kurse prishtinasit një fitore e pesë humbje. Duelin e parë në kryeqytet e fitoi skuadra nga Rahoveci me rezultat 84:95.

    Të enjten do të sfidohen Bashkimi me Vëllaznimin, ndeshje që do të zhvillohet në Gjakovë, pasi takimi i parë ishte zhvilluar në Prizren. Portokallezinjtë janë skuadra e vetme pa asnjë humbje me shtatë fitore në shtatë ndeshje, kurse Kuqezinjtë një fitore e gjashtë humbje. Përballjen e parë e fituan prizrenasit 69:106.

    E mërkurë

    18:45 Sigal Prishtina-Golden Eagle Ylli

    18:45 Rahoveci 029-Bora

    E enjte

    18:45 Bashkimi-Vëllaznimi

    20:00 GO+ Peja-Trepça. /ATVLIVE.TV

  • Italia dhuron 30 paleta dezinfektues për QKUK-në në vlerë 80 mijë euro

    Italia dhuron 30 paleta dezinfektues për QKUK-në në vlerë 80 mijë euro

    “Protezione Civile Humint” e Italisë ka dhuruar për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës një sasi të konsiderueshme materialesh higjieno-sanitare, përkatësisht 30 paleta me dezinfektues për duar, me vlerë rreth 80 mijë euro.

    Ambasadori italian në Kosovë, Maurizio Antonini, tha se ky donacion është pjesë e bashkëpunimit afatgjatë mes dy vendeve në sektorin e shëndetësisë dhe vjen në kuadër të projektit “Mbështetje për sistemin shëndetësor të Kosovës”.

    “Është kënaqësi të jem këtu sot për të shënuar një hap tjetër konkret në bashkëpunimin afatgjatë midis Italisë dhe Kosovës në sektorin e shëndetësisë. Donacioni i sotëm (30 paleta dezinfektues duarsh, me një vlerë totale rreth 80.000 euro) është bërë i mundur falë mbrojtjes civile italiane (protezione civile), e cila po mbulon gjithashtu të gjitha shpenzimet e transportit dhe të logjistikës. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj tyre për këtë kontribut bujar. Kjo nismë nuk është një gjest i izoluar. Ajo përshtatet në kuadrin më të gjerë të projektit “Mbështetje për sistemin shëndetësor të Kosovës”, përmes të cilit Italia po e asiston vazhdimisht Kosovën në forcimin e kapaciteteve të saj mjekësore. Brenda këtij programi kemi kontribuar në përmirësime të rëndësishme në kirurgjinë kardiake, si përmes trajnimeve të specializuara ashtu edhe përmes sigurimit të pajisjeve kyçe, si laboratori i sapo dhuruar i biologjisë. Gjatë pandemisë COVID-19, Italia qëndroi pranë Kosovës duke ofruar materiale mbrojtëse dhe mbështetje urgjente mjekësore, dhe pajisje të tjera janë tashmë të planifikuara për vitin e ardhshëm për të konsoliduar këto arritje. Bashkëpunimi ynë gjithmonë është bazuar në besim, solidaritet dhe vlera të përbashkëta. Jam i bindur se donacioni i sotëm do të kontribuojë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Kosovës dhe do të forcojë lidhjen e fortë midis dy vendeve tona”, deklaroi ai.

    ADVERTISING

    Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh mirënjohës për mbështetjen italiane, duke kujtuar ndihmën gjatë COVID-19 dhe bashkëpunimin shumëvjeçar në kardiologji, mikrobiologji e kimi.

    “Atë që po flisnim më herët me ambasadorin diskutuam që kjo është një ndihmw dhe bashkëpunim shumëvjeçar mes popullit italian dhe të Kosovës. Në kohën e Covidit edhe Italia dhe Ksoova përballeshin në një situatë të rëndë miqtë tanë italian na kanë ndihmuar. Me investimet në kardiologji po ashtu edhe në mikrobiologjinë kimik që Italia ka ndihmuar në këto fusha. Ne kemi mjek nga Italia që çdo vit vijnë përveç që operojnë fëmijët tanë me probleme me zemër, tani kanë mundësinë që të përgatiten nga kolegët italianë. Për herë të parë kemi filluar bashkëpunim me SHSKUK kemi ngritur një fond rreth 1 milion euro për të gjithë profesionistët shëndetësorë që të mësojnë ndërhyrjet të cilat ma herët nuk janë bërë”, ka theksuar Vitia.

  • QKUK jep detaje për gjendjen e gruas që u ther me thikë nga i fejuari në Fushë Kosovë

    QKUK jep detaje për gjendjen e gruas që u ther me thikë nga i fejuari në Fushë Kosovë

    Një rast i rëndë kishte ndodhur më 29 nëntor të këtij viti në Fushë Kosovë, ku dyshohet se një burrë tentoi ta privonte nga jeta të fejuarën e tij me thikë.

    Sipas burimeve Klan Kosovës gjendja e saj pas pesë ditësh trajtimi, është stabile.

    E njëjta, bazuar në këto burime, është larguar nga Mjekimi Intensiv, derisa është transferuar në Kirurgjinë Abdominale.

    Organet e rendit kishin bërë të ditur se ishte arrestuar i dyshuari pas kryerjes së aktit.

    Ndërkohë, njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar një mjet të mprehtë-thikë, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

  • Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kërkon takim urgjent me kryesuesin dhe anëtarët e KPK-së

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kërkon takim urgjent me kryesuesin dhe anëtarët e KPK-së

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një e-maili drejtuar kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, i ka kërkuar atij mbajtjen e një takimi urgjent, ku do të sigurohet të jenë të pranishëm të gjithë anëtarët e Këshillit. Takimi u thirr pas zhvillimeve të fundit në këtë institucion.

    E-maili të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, rezulton t’i jetë dërguar Hajdarajt nga ushtruesja e detyrës së shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, në të cilën takimi është kërkuar për datën 3 dhjetor.

    “Duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes, është thelbësore që takimi të mbahet me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të KPK-së”, thuhet në e-mail.

    Më poshtë e gjeni e-mailin e plotë:

    “I nderuar zotëri Hajdaraj,

    Si Ushtruese e detyrës së shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, dëshiroj t’ju kërkoj një takim urgjent të mërkurën, më 3 dhjetor, në orën 10:00 ose 11:00, varësisht nga koha kur jeni të disponueshëm ju dhe anëtarët e KPK-së, për të diskutuar zhvillimet e fundit në KPK, si vazhdim i çështjes së ngritur nga Ambasadori Orav në letrën e tij të 28 majit drejtuar anëtarëve të Këshillit.

    Duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes, është thelbësore që takimi të mbahet me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të KPK-së. Ju kërkojmë me mirësi të bëni organizimin për të siguruar që të gjithë anëtarët të kenë mundësinë të marrin pjesë.

    Do të ishim mirënjohës nëse do të na konfirmonit kohën e zgjedhur të takimit; jam e gatshme t’ju bashkohem juve dhe anëtarëve të KPK-së në ambientet tuaja.
    Faleminderit për bashkëpunimin, me respekt,
    Eva PALATOVÁ
    Zëvendës-shefe e Zyrës / Shefe e Stafit të Përfaqësuesit Special të BE-së“.

    Ndryshe, Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.

    Ndërkaq, në mbledhjen e radhës e cila u mbajt të hënën më 1 dhjetor. në sallë mori pjesë edhe ushtruesi i ri i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, i zgjedhur nga pesë anëtarët e mbetur në mbledhjen e 20 nëntorit. Ai deklaroi se do të marrë pjesë vetëm si anëar ex-officio pa ndërhyrë në diskutime apo vendimmarrje deri në një vendim të gjykatës për rastin e kontestuar. Takimi u zhvillua mes debatesh, ku një pjesë e anëtarëve kërkuan largimin e tij nga mbledhja, duke argumentuar se prania e tij bën kuorumin e paligjshëm.

    Pas përplasjeve verbale, disa anëtarë- përfshirë Visar Krasniqin, Veton Shabanin, Dardan Vuniqin dhe Arian Gashin lëshuan takimin, ndërsa për rend të ditës u propozua edhe shkarkimi i kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj. Lidhur me krizën në KPK, u diskutua edhe mbrëmë në “Tempus“.

  • Realizohet për herë të parë zëvendësimi i harkut të aortës në QKUK

    Realizohet për herë të parë zëvendësimi i harkut të aortës në QKUK

    Për herë të parë në Kosovë, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, në Shërbimin Klinik të Kardiokirurgjisë, është realizuar zëvendësimi i harkut të aortës përmes procedurës së njohur ndërkombëtarisht Frozen Elephant Trunk (FET).

    Krahas saj, mjekët kanë kryer edhe zëvendësimin e rrënjës së aortës, të njohur si Bentall procedurë.

    Pacienti, i cili dy vite më parë kishte pësuar një problem serioz me aortën dhe ishte operuar jashtë vendit, me kalimin e kohës kishte shfaqur nevojë për një ndërhyrje të re për shkak të përkeqësimit të gjendjes dhe dëmtimeve shtesë në pjesë të ndryshme të aortës.

    Ekipi operues u udhëhoq nga Prof. Dr. Omer Xhemali, drejtor në Kardiokirurgjinë e Spitalit Universitar të Cyrihut dhe udhëheqës i Aleancës për Kardiokirurgji në Cyrih, së bashku me Dr. Petar Risteski dhe anesteziologen Dr. Bettex Dominique. Ata punuan në bashkëpunim të ngushtë me ekipin vendor të kardiokirurgëve dhe anesteziologëve të QKUK-së për të realizuar me sukses këtë operacion kompleks dhe të avancuar.

    Ndërhyrje të tilla konsiderohen ndër më të vështirat në kardiokirurgji dhe zakonisht kryhen vetëm në qendra të specializuara me përvojë të madhe ndërkombëtare. Ky operacion shënon një hap të rëndësishëm për zhvillimin e kësaj fushe në Kosovë.

    QKUK thekson se bashkëpunimi me qendra të njohura ndërkombëtare, si Spitali Universitar i Cyrihut, është pjesë e përpjekjeve për të sjellë metoda të avancuara kirurgjikale që në të ardhmen do të bëhen pjesë e praktikës së rregullt në vend.

    Stafi i Shërbimit Klinik të Kardiokirurgjisë njofton qytetarët se për çdo nevojë që lidhet me sëmundjet e zemrës, ata mund t’i drejtohen QKUK-së, pa qenë e nevojshme kërkimi i trajtimeve në qendra të tjera jashtë vendit.

  • Maresca hezitues për Reece James: “Do të doja ta nisja, por është e vështirë”

    Maresca hezitues për Reece James: “Do të doja ta nisja, por është e vështirë”

    Chelsea mund të hyjë në ndeshjen ndaj Leeds me një ndryshim të madh në formacion, pasi kapiteni Reece James mund të mos e nisë sfidën nga minuta e parë. Lajmi është konfirmuar nga vetë trajneri Enzo Maresca, i cili nuk e ka fshehur dilemen e tij.

    “Ta nis Reece nga fillimi? Është e komplikuar,” tha Maresca.

    “Do të doja ta aktivizoja në çdo ndeshje… por duhet të shohim.”

    Ky qëndrim lë të kuptohet se Chelsea nuk dëshiron të rrezikojë mbingarkimin e James, i cili ka pasur probleme të shpeshta me lëndime dhe ende po rikthehet në formën optimale.

    Vendimi për ta lënë në stol mund të vijë si masë sigurie, sidomos me rikthimin e Palmer dhe ngarkesën e ndeshjeve që i presin Blutë në javët e ardhshme.

    Ndeshja ndaj Leeds është tejet e rëndësishme për Chelsea-n, por Maresca duket i vendosur të mos sakrifikojë shëndetin e kapitenit të ekipit.

    Të gjitha sytë tani tek formacioni zyrtar: a do të nisë Reece James nga stoli?

  • Parakalimi i Kimi Antonelli nga Lando Norris shkakton debat

    Parakalimi i Kimi Antonelli nga Lando Norris shkakton debat

    Parakalimi i Kimi Antonelli nga Lando Norris në xhirot e fundit të garës së Katarit ka ngjallur polemika në mediat botërore. Piloti italian i Mercedes bëri një gabim të vogël nën presionin e
    McLaren të britanikut, por konsulenti i Red Bull, Helmut Marko, e quajti këtë veprim të qëllimshëm.

    “Po, ndodhi dy herë që ai pak a shumë i sinjalizoi Lando të kalonte. A e bëri me qëllim? Ishte kaq e qartë. Dhe herën e parë ishte e njëjta gjë“, tha Marko.

    Shefi i Mercedes, Toto Wolff, reagoi ashpër ndaj akuzave: “Kjo është një absurditet i plotë që më lë pa fjalë vetëm duke e dëgjuar. Ne po luftojmë për vendin e dytë në kampionat, gjë që është e rëndësishme për ne. Kimi po luftonte për një vend të tretë të mundshëm. Sa budalla duhet të jesh për të thënë diçka të tillë?”

    Wolff shtoi: “E gjithë kjo më bezdis edhe më shumë sepse jam tashmë i zhgënjyer nga mënyra se si shkoi gara, nga gabimi në fund dhe nga gabime të tjera, dhe pastaj duhet të dëgjoj këtë absurditet. Më lë pa fjalë.”