ATV

Blog

  • Ylli egjiptian largohet: Mohamed Salah mungon në ndeshjet kyçe të Liverpoolit

    Ylli egjiptian largohet: Mohamed Salah mungon në ndeshjet kyçe të Liverpoolit

    Liverpooli përballet me një mungesë të madhe në disa ndeshje të ardhshme të Premier League pasiqë ylli i skuadrës, Mohamed Salah, nuk do të jetë i pranishëm, pasi do të luajë me Kombëtaren e Egjiptit në Kupën e Kombeve të Afrikës.

    Trajneri holandez i Liverpoolit, Arne Slot, konfirmoi se Salah do t’i bashkohet kampit të Egjiptit më 15 dhjetor, duke bërë të ditur se klubi duhet të planifikojë pa të në disa ndeshje kyçe.

    Turneu zyrtarisht fillon më 21 dhjetor dhe finalja është planifikuar për 18 janar 2026 dhe egjiptiani pritet të mungojë në sfidat kundër: Tottenham, Wolves, Leeds, Fulham.

    Kupa e Kombeve të Afrikës do të zhvillohet këtë vit në Marok, duke nisur më 21 dhjetor dhe përfunduar më 18 janar të vitit 2026. Pjesëmarrja e Salah pritet të ketë ndikim të madh tek
    The Reds, pasi sulmuesi egjiptian është një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe golashënuesi kryesor i ekipit. /ATVLIVE.TV

  • Barcelona vs Atlético Madrid: Dueli i titullit në Camp Nou

    Barcelona vs Atlético Madrid: Dueli i titullit në Camp Nou

    Në stadiumin “Spotify Camp Nou” të martën mbrëma zbret një përballje që mban frymën e titullit — Barcelona pret Atlético Madridin, në një duel që mund të vendosë shumë për garën e top vendit në kampionat.

    Barcelona vjen me pozitivitet në sulm pasiqë sulmuesi i rrezikshëm Robert Lewandowski është në formë dhe pritet të ndihmojë ekipin në sulm, ndërsa rikthimet në mesfushorë si Pedri dhe Frenkie de Jong do të shtojnë kreativitetin. Ndërkohë do të mungojnë: Araujo, Fermin Lopez, Gavi dhe Ter Stegen.

    Por sfida nuk do të jetë e lehtë. Atlético vjen në Camp Nou në formë të lartë, me një seri fitoresh, pasiqë ka fitore në shtatë ndeshje radhazi në të gjitha garat. Mbrojtja e tyre, e vendosur e disiplinuar, kthehet në test serioz për sulmin katalanas. Megjithatë do të mungojnë Le Normand dhe Marcos Llorente.

    Pritet që ndeshja të jetë e hapur me statistikat historike dhe forma e të dy ekipeve sugjerojnë gola nga të dyja anët dhe një duel të ashpër në mesfushë. Barcelona do të kërkojë të ruajë epërsinë në renditje pasiqë është e para në tabelë me 34 pikë, ndërsa Atlético synon ta shfrytëzojë çdo gabim të kundërshtarit për të surprizuar sepse ndodhet vetëm tri pikë larg vendit të parë.

    Në të gjitha garat, këto dy skuadra janë përballur rreth 246 herë. Fitoret shkojnë kryesisht për Barcelonën me 112 fitore për katalanasit dhe 77 për Atleticon, ndërkohë 57 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

    Kur bëhet fjalë për golat e shënuar në këto përballje, Barcelona ka shënuar rreth 465 gola, ndërsa Atletico rreth 356 gola.

    Vetëm në La Liga, nga 176 ndeshje mes tyre, Barcelona ka fituar 81 herë, Atletico 53 dhe 42 janë ndeshje mbyllur në barazim.

    Në 20 përballjet e fundit mes tyre në të gjitha garat dominon përsëri skuadra e Hansi Flick, por edhe ajo e Simeones ka ditur të godasë dhe të marrë fitore të rëndësishme.

    Ndeshja mes tyre fillon nga ora 21:00. /ATVLIVE.TV

  • Gazeta gjermane FAS zbulon dosje tronditëse: Mbi 100 turistë vrasës në ‘Sarajevo Safari’

    Gazeta gjermane FAS zbulon dosje tronditëse: Mbi 100 turistë vrasës në ‘Sarajevo Safari’

    Gazeta gjermane Frankfurter Sonntagszeitung (FAS) ka publikuar një artikull të gjerë me detaje të reja rreth fenomenit “Sarajevo Safari”, që i referohet pjesëmarrjes së të huajve të pasur në vrasje me snajper të civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës.

    Artikulli sjell fragmente nga një dosje që taljiani Ezio Gavazzeni, gazetar dhe shkrimtar, ka dorëzuar në Prokurorinë e Milanos, si dhe deklarata të dëshmitarëve kyç.

    Historia nis me dëshmitë e John Jordan, ish-marins amerikan dhe zjarrfikës, i cili në vitin 2007 para Tribunalit të Hagës tha se kishte parë disa herë burra të huaj të shoqëruar nga persona lokalë, të armatosur me pushkë që nuk i përkisnin arsenalit të luftës, por ngjanin me armët e gjuetisë.

    FAS, siç raporton Vijesti shkruan se atëherë dëshmia u la pas dore dhe fenomeni u konsiderua “legjendë urbane”, megjithë përmendjen e kanadezëve, rusëve, gjermanëve, zviceranëve e italianëve që pretendohet se paguanin shuma të mëdha për të “gjuajtur njerëz”.

    Sipas dosjes së dorëzuar më 28 janar 2025, bëhet fjalë për të paktën 100 pjesëmarrës, të cilët mes vete quheshin “qitës”. Dokumenti pretendon se ata paguanin deri në 300.000 euro, ndërsa viktimat kategorizoheshin me “çmime” makabre: fëmijët – trofeu më i kërkuar dhe më i shtrenjtë, burrat e armatosur, gratë, të moshuarit – “falas”

    Në dokument pretendohet gjithashtu se shërbimi ushtarak italian i inteligjencës kishte pohuar se i kishte ndalur këto ture në vitin 1993, por Gavazzeni thotë se kjo është e pavërtetë, duke theksuar se aktivitetet vazhduan deri në vitet 1994–1995.

    Gavazzeni, autor i librave investigativë mbi mafian dhe atentatin ndaj Papa Gjon Palit II, pritet të publikojë librin e ri “I cecchini del weekend”, i cili tashmë ka zgjuar interesimin e Netflix dhe Amazon për ekranizim.

    Ai thotë se më së shumti e ka tronditur fakti që vrasja e fëmijëve konsiderohej trofe i veçantë.

    Sipas profilit kriminologjik që ka porositur, pjesëmarrësit ishin persona të pasur dhe të arsimuar – mjekë, gjyqtarë, avokatë, noterë, biznesmenë – të pasionuar pas adrenalinës:

    “Ishte ndjesia e fuqisë për të shuar jetën e një njeriu me të cilin nuk të lidhte asgjë.”

    FAS raporton se në mediat italiane janë paraqitur edhe persona të tjerë që konfirmojnë fenomenin.

    Diplomati Michael Giffoni ka deklaruar se në vitin 1994 ishte informuar për “autobusë plot të pasur” që vinin për të qëlluar.

    Një ish-punonjës i Caritas-it tha se kishte parë autobusë nga të cilët zbrisnin të huaj të armatosur dhe me veshje luksoze.

    Gazetari kroat Domagoj Margetiq madje pretendon se edhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në vitet 1992–1993 si vullnetar në milicinë serbo-boshnjake, kishte lidhje me këta turistë – pretendime që zëdhënësja e Vuçiqit i ka mohuar në mënyrë kategorike.

    Prokuroria e Milanos tashmë ka nisur kontrollimin e dëshmive dhe dokumenteve. Deputetë të Lëvizjes italiane “Pesë Yjet” kërkojnë publikimin e të gjitha dokumenteve që inteligjenca italiane mund të ketë për “Sarajevo Safarit”.

    Gavazzeni i ka dorëzuar prokurorit Alessandro Gobbi listën me emrat e personave që ai i identifikon si pjesëmarrës, por thotë se në librin e tij nuk do t’i publikojë.

    Nëse drejtësia do të arrijë të vërtetojë akuzat dhe të identifikojë qoftë edhe një snajperist të huaj pjesëmarrës, FAS vlerëson se mund të hapet “një nga gjyqet më të mëdha të shekullit”.

    “Indikacionet kanë qenë gjithmonë aty – duhej vetëm t’i lidhte dikush”.

  • Adrola poston një video, vëmendja te Capital T

    Adrola poston një video, vëmendja te Capital T

    Modelja Adrola Dushi, po ndan momente të shumta në rrjetet sociale.

    Së fundmi ka postuar së fundmi një video në “Tik-Tok”, ku në sfond dëgjohet dueti i Capital T dhe Alban Skenderaj.

    Teksa shijon ritmin e këtij super projekti, Adrola përballet me të papriturën.

    Personi që e shoqëron (shihet që është Capital T) ia merr telefonin nga dora ndërsa modelja buzëqesh.

     

  • 50 Cent sjell dokumentarin e ri për Diddy në Netflix

    50 Cent sjell dokumentarin e ri për Diddy në Netflix

    Netflix do të lansojë më 2 dhjetor dokumentarin Sean Combs: The Reckoning, një seri me katër pjesë që ndjek karrierën dhe jetën publike të Sean “Diddy” Combs. Dokumentari vjen më pak se gjysmë viti pas dënimit të reperit për dy akuza federale për transport me qëllim prostitucioni.

    Seria është prodhuar nga Curtis “50 Cent” Jackson me regji nga Alexandria Stapleton. Marrëdhënia e tensionuar mes Diddy-t dhe 50 Cent ka shtuar interesin për dokumentarin, shkruan Forbes.

    Dokumentari përshkruan rrugëtimin e Diddy-t si drejtues i Bad Boy Entertainment, si figurë e kulturës pop dhe si njeri që ka ndihmuar në nisjen e karrierave të artistëve si Mary J. Blige dhe Notorious B.I.G. Ai trajton gjithashtu marrëdhëniet publike me yje si Jennifer Lopez dhe bashkëpunimet me reperë si Jay-Z dhe Kanye West.

    Seriali ndalet edhe te anët e errëta të karrierës së tij, duke përfshirë akuzat për keqtrajtim, dhunë seksuale dhe manipulim. Pika kryesore është padia e këngëtares Cassie Ventura në vitin 2023, që çoi në arrestimin dhe dënimin federal të Diddy-t në korrik.

    Producentët kanë siguruar intervista ekskluzive me miq të hershëm të Diddy-t, ish-punonjës të Bad Boy dhe dëshmitarë që nuk kanë folur më parë publikisht. Në trailer dëgjohet zëri i ish-reperit të Bad Boy, Mark Curry, shkruan Forbes.

    Rivaliteti mes 50 Cent dhe Diddy-t nuk është i ri. Në vitin 2006, 50 Cent e akuzoi publikisht Diddy-n në këngën The Bomb, duke përfshirë edhe përfshirjen në vrasjen e pazgjidhur të Notorious B.I.G. Para publikimit të dokumentarit, 50 Cent ka paralajmëruar se seria do të thyejë rekorde.

    Regjisorja Alexandria Stapleton thekson se dokumentari synon më shumë se sa të tregojë skandalet e Diddy-t, duke hapur diskutime mbi adhurimin e figurave publike dhe mënyrën se si fama mund të përdoret si mburojë nga përgjegjësia.

    Çdo episod i dokumentarit ka kohëzgjatje prej 60 minutash.

  • Ndodh edhe kjo në Gjermani: Ushtrisë i vidhen 20 mijë fishekë nga një kamion

    Ndodh edhe kjo në Gjermani: Ushtrisë i vidhen 20 mijë fishekë nga një kamion

    Persona të panjohur vodhën municione që i përkisnin Forcave të Armatosura Gjermane në një park industrial në Burg, pranë Magdeburgut, raportojnë mediat në Gjermani.

    Një zëdhënës i Ministrisë Federale të Mbrojtjes e konfirmoi këtë për Korporatën Qendrore Gjermane të Transmetimeve (MDR) në Saksoni-Anhalt. Sipas zëdhënësit, vjedhja ndodhi javën e kaluar. Municionet u vodhën nga një automjet transport civil gjatë natës.

    Siç është raportuar nga Der Spiegel, u vodhën afërsisht 20,000 fishekë për pistoleta dhe pushkë, si dhe municione piroteknike. Ministria Federale e Mbrojtjes nuk e konfirmoi këtë shifër për MDR.

    Portali online Meeting Point Jerichower Land ishte i pari që raportoi incidentin. Sipas raportit, hyrja me forcë në rimorkio u zbulua vetëm pasi transportuesi mbërriti në kazermat Clausewitz në juglindje të qendrës së qytetit në Burg. Policia dhe Forcat e Armatosura Gjermane po hetojnë ende vendndodhjen e municioneve.

    Sipas Der Spiegel , kompania e transportit civil nuk i përfilli rregulloret e sigurisë për transportin e municioneve të ndjeshme. Ndalesa në hotel në Burg ishte e paplanifikuar; shoferi vendosi spontanisht të ndalonte rreth 25 kilometra në veriperëndim të Magdeburgut , thuhet në raport.

  • Rama në Kushtetuese për çështjen Balluku, vendimi pritet sot

    Rama në Kushtetuese për çështjen Balluku, vendimi pritet sot

    Kolegji i Gjykatës Kushtetuese do të vendosë sot për fatin e kërkesës së kryeministrit Edi Rama lidhur me fatin e numrit dy të qeverisë dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës Belinda Balluku.

    Shefi i qeverisë kërkon rikthimin e saj në detyrë, pasi e konsideron vendimin e GJKKO për pezullimin e znj. Balluku nga ushtrimi i funksioneve si ndërhyrje në çështjet e ekzekutivit.

    Sot kolegji, me relator Sandër Beçin dhe anëtare Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, do t’i japin përgjigjen e parë kësaj çështjeje.

    Belinda Balluku është e pandehur nga SPAK për paracaktim të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin Loti 4 Unaza e Madhe. Ndaj saj Gjykata e Posaçme ka caktuar masat pezullim nga ushtrimi i detyrës dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.

  • Ditëlindja e Rugovës, Haradinaj: Sot kujtoj idetë, qëndrimet dhe mbështetjen e tij

    Ditëlindja e Rugovës, Haradinaj: Sot kujtoj idetë, qëndrimet dhe mbështetjen e tij

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar ish-presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 81-vjetorin e lindjes së tij.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se me Rugovën ishin bashkëpunëtorë në vitet e para të lirisë, pikërisht atëherë kur kishte sfida e tema me rëndësi nacionale.

    Pos tjerash, ai tha se bashkë arritën t’i zhdukin ndasitë e theksuara që ishin brenda vendit.

    Në ditëlindjen e Rugovës, Haradinaj pos që e uroi atë, ai kujtoi edhe idetë, qëndrimet, por edhe mbështetjen e tij në kohën kur ballafaqohej me drejtësinë ndërkombëtare.

    “Me Presidentin Rugova ishim bashkëpunëtorë në vitet e para të lirisë, pikërisht atëherë kur kishte sfida e tema me rëndësi nacionale. Bashkë arritëm t’i zhdukim ndasitë e theksuara që ishin brenda vendit. Në ditëlindjen e tij kujtoj idetë, qëndrimet, por edhe mbështetjen e tij në kohën kur ballafaqohesha me drejtësinë ndërkombëtare. Urime ditëlindja, President!”, ka shkruar Haradinaj.

  • Formacioni i javës: Muriqi mes më të mirëve

    Formacioni i javës: Muriqi mes më të mirëve

    Fundi i nëntorit solli zhvillime interesante në La Liga. Vëmendja kryesore ishte te barazimi 1-1 i Real Madridit ndaj Gironës, rezultat që i kushtoi kryesimin “Los Blancos” në tabelë.

    Si çdo javë, u publikua edhe formacioni i javës në La Liga, ku nuk mungoi ylli i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi.

    Sulmuesi i Mallorcas shkëlqeu në barazimin 2-2 ndaj Osasunës, duke shënuar dy gola vendimtarë. Për këtë paraqitje, Muriqi mori notën 9.2, e dyta më e lartë në javë, vetëm pas Dani Olmos.

    Ky është një tjetër konfirmim i rëndësisë dhe formës së shkëlqyer të Muriqit në La Liga këtë sezon.

    31 vjeçari këtë sezon në 13 paraqitje ka arritur të shënojë plot 8 gola. /ATVLIVE.TV

  • Dy gola në pesë minuta: Muriqi merr vëmendjen e La Ligas

    Dy gola në pesë minuta: Muriqi merr vëmendjen e La Ligas

    Klubi i Mallorcas ka bërë një postim të veçantë në rrjetet sociale për yllin e Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqin, pas paraqitjes së tij të jashtëzakonshme ndaj Osasunës.

    “Pirati” dardan shkëlqeu duke realizuar dy gola në barazimin e skuadrës së tij, duke ndryshuar plotësisht ritmin e ndeshjes. Ai shënoi golin e parë në minutën e 61-të dhe vetëm pesë minuta më vonë, në minutën e 66-të, realizoi sërish për ta çuar Mallorcan drejt rezultatit të barabartë.

    Me këto dy gola, Muriqi ngjitet në pozitën e sulmuesit të tretë më të mirë në La Liga këtë sezon me tetë realizime. Para tij janë vetëm Kylian Mbappé me 14 gola, dhe Robert Lewandowski me po aq gola sa Muriqi, por me një asistim më shumë.

    Ky sezon shënon vitin e tij të katërt me Mallorcan, klub ku fillimisht u bashkua në formë huazimi nga Lazio dhe më pas transferimi u bë i përhershëm. Muriqi vazhdon të jetë një nga figurat kyçe të ekipit dhe një prej sulmuesve më produktivë në kampionatin spanjoll. /ATVLIVE.TV