ATV

Blog

  • Spiropali kujton Rugovën: Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundërshtarët

    Spiropali kujton Rugovën: Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundërshtarët

    Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka kujtuar Presidentin Ibrahim Rugova në ditën e tij të lindjes.

    “Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundështarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme”, shkruan veç tjerash Spiropali.

    “Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet.

    Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd. Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundështarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme.

    Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi.

    Ibrahim Rugova ishte një Prijës politik e shpirtëror misionar. Butësia e Tij ishte Forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie.

    Rugova nuk udhëhiqej nga turmat.

    Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës.

    Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar.

    Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon.

    Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdijë atdhetare të palëkundur.

    Lindi më 2 Dhjetor, 81 vite më parë. Dhe do kujtohet gjithmonë”, shkruan ajo.

  • Ambasada amerikane fton shtetasit amerikanë që jetojnë në Kosovë për një takim me Prattipatin

    Ambasada amerikane fton shtetasit amerikanë që jetojnë në Kosovë për një takim me Prattipatin

    Ambasada amerikane në Prishtinë ka ftuar shtetasit e saj që banojnë në Kosovë të marrin pjesë në një takim publik të organizuar nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati

    “Mesazh për qytetarët amerikanë që banojnë në Kosovë: të premten, më 12 dhjetor 2025, nga ora 14:00 deri në orën 15:00, qytetarët amerikanë ftohen të marrin pjesë në një takim publik në Ambasadën e SHBA-së, të organizuar nga e Ngarkuara me Punë Anu Prattipati”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

    Prattipati do të mbajë fjalën hyrëse dhe do t’u përgjigjet pyetjeve të pjesëmarrësve. Sesioni do të zhvillohet në gjuhën angleze.

  • “Kemi mbetur top i ping pongut”, Gashi paralajmëron veprime radikale

    “Kemi mbetur top i ping pongut”, Gashi paralajmëron veprime radikale

    Punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë kanë paralajmëruar radikalizmi të veprimeve dhe bllokim të qytetit me autobusët nëse zvarritet edhe më tej çështja e mos alokimit të mjeteve financiare për pagat e tyre.

    Përfaqësuesi i “Trafikut Urban” Elmi Gashi u ka bërë thirrje Ministrisë së Financave por edhe Komunës që ta thërrasin arsyen dhe të reflektojnë, duke theksuar se ata janë bërë si një top i ping pongut.

    “Protesta po vazhdon me avazin e vjetër sikurse dje por deri në momentin që nuk alokohen mjetet për të shlyer borxhin Komuna ndaj “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë një gjë e tillë nuk do të ndërpritet vetëm sa do të radikalizohet në ditët në vijim. Sipas informatave jozyrtare siç janë dalë npër media që Ministria ka alokuar mjetet, Komuna del dhe thotë se paratë nuk kanë ardh. Ne kemi mbetur andej, këndej, top i vërtetë i ping pongut që po na nxjerrin. Në këto temperatura të ftohta për hir të qytetarëve që po vuajnë për transport, për hir të tyre këta duhet të reflektojnë dhe nëse ndodhë një gjë e tillë ne do t’i kthehemi punës së rregullt në momentin që lshyrë borxhi në të kundërtën, nëse nuk alokohen mjetet situata vetëm do të radikalozohet. Urojmë që kjo të ndodhë ditën e sotme, mbesim me shpresë që arsyeja të mbizotëroje edhe te Komuna dhe te Ministria. Po shpresojmë që i ka alokuar”, u shpreh Gashi.

    Ai ka paraajëmruar se me autobusë do ta bllokojnë qytetin pavarësisht se me cka do të përballen.

    “Dhashtë zoti stërzgjatet me vite nëse është në interes të këtyre. Por ne do të fillojmë me radikalizmin e veprimeve dhe do të bllokojmë gjithë qytetin, me gjithë autobusët do të dalim. Pavarësisht asaj që mund të bëjmë shkelje e nuk na lejohet nga organet e rendit, pro do ta marrim përgjegjësinë dhe pa pëlqimin e askujt do ta bllokojmë qytetin. Na mos me punu e qytetarët me mbet rrugës a? Po këta janë të popullit”, deklaroi Gashi.

    Sa i përket deklaratave të shefit të grupit të asamblistëve të VV-së në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, Gashi tha se nuk ka asgjë më shumë informacione sesa deklarimi i tij që është bërë.

    “Njoftim zyrtarë për alokim të mjeteve prej Ministrisë së Financave nuk kemi. Ato janë sikurse ju që keni dëgjuar nga Vetëvendosje, individi, shefi i asamblistëve të VV në Prishtinë ai ka shkruar në mjetet të informimit, aq sa i besoni ju edhe ne. Për ne primare është që komuna ku ne e kemi kontratën kontraktuale nuk ka mjete me aloku. Komuna doli me komunikatë dhe tha se nuk janë alokuar mjetet prej thesarit”, tha Gashi.

    Që nga 24 nëntori është ndërpre qarkullimi i autobusëve në kryeqytet.

  • Makina larëse për njerëz del në shitje për 329 mijë euro

    Makina larëse për njerëz del në shitje për 329 mijë euro

    Makina larëse për njerëz del në shitje për 329 mijë euro – a do ta provoje këtë “spa” automatik?

    Një “makinë larëse për njerëz”, e cila pastron trupin nga koka te këmbët, ka dalë zyrtarisht në shitje në Japoni.

    Kapsula, që ngjan me kabinën e një avioni luftarak, përdor rrebeshe me flluska ultra të imëta për të pastruar lëkurën nga çdo papastërti dhe yndyrë. Sipas kompanisë japoneze Science Co., e cila ka krijuar këtë pajisje të pazakontë, procesi i tërë larjes dhe tharjes zgjat vetëm 15 minuta.

    Por komoditeti ka një çmim të majmë: makina kushton 290,000 £ (rreth 60 milionë jen).

    Science Co. njofton se fillimisht do të prodhojë vetëm 40–50 njësi, ndaj pritet që shumica të shkojnë në spa-luksoze dhe hotele të niveleve të larta në Japoni.

    Megjithatë, kompania nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të prodhojë një version më të përballueshëm për përdorim në shtëpi.

    “Nëse teknologjia avancon dhe prodhimi masiv bëhet i mundur, modeli për familjarë mund të bëhet shumë më ekonomik,” tha një zëdhënës i kompanisë.

    Si funksionon “makina larëse e njeriut”?

    Kapsula është 2.5 metra e gjatë dhe 1 metër e gjerë, duke i lejuar shumicën e njerëzve të shtrihen rehat brenda saj. Pasi dera mbyllet hermetikisht, pajisja mbushet deri në gjysmë me ujë, duke e lënë përdoruesin të zhytur pjesërisht.

    Më pas, trupi goditet nga spërkatje me shpejtësi të lartë, të mbushura me flluska ajri më të vogla se tre mikrometra. Kur këto flluska shpërthejnë, ato krijojnë valë presioni që largojnë papastërtitë nga lëkura — i njëjti proces që përdoret për pastrimin e komponentëve elektronikë që nuk mund të lahen me kimikate.

    Por Science Co. pretendon se makina nuk ofron vetëm larje fizike, por “larje të shpirtit”.

    Pajisja monitoron shenjat vitale të përdoruesit, si rrahjet e zemrës, për të siguruar që ai është i qetë dhe i sigurt. Ndërkohë, AI-ja interpreton gjendjen emocionale dhe projekton video relaksuese në brendësi të kapsulës për të qetësuar përdoruesin.

    Frymëzim nga një ide 50-vjeçare

    Ndërsa tingëllon futuriste, koncepti bazohet në një ide të paraqitur për herë të parë në Expo-n e Japonisë në vitin 1970, kur kompania Sanyo prezantoi “makinën e parë larëse për njerëz”. Ajo përfshinte dhjetëra toptha plastike masazhi, që godisnin trupin për relaksim dhe qarkullim gjaku.

    Prototipi i atëhershëm kurrë nuk hyri në prodhim, por pati një interes të jashtëzakonshëm nga publiku, në një kohë kur banjat private në Japoni ishin ende luks.

    Një prej fëmijëve që bëri radhë atëherë ishte Yasuaki Aoyama, sot kryetari i Science Co. “Më kujtohet sa i emocionuar isha. Mendova se çfarë lloj të ardhmeje na pret,” ka thënë ai për Asahi Shimbun.

    Tani, si shef i një kompanie që prodhon teknologji të avancuar për dush, ai më në fund ka realizuar ëndrrën e fëmijërisë.

    Interesi shpërthyes: 40,000 aplikime për ta provuar

    Modeli i ri, i quajtur “Mirai Ningen Sentakuki” (“Makina Larëse e Njeriut të së Ardhmes”), u prezantua në panairin e teknologjisë Osaka-Kansai vitin e kaluar.

    Fillimisht, kompania planifikonte të prodhonte vetëm një prototip, por u detyrua të rishikojë planet pasi 40,000 persona aplikuan për ta testuar.

    Një hotel në Osaka tashmë ka bërë porosinë e parë, ndërsa 5 deri në 8 njësi të tjera janë rezervuar nga klientë të interesuar.

  • Amir Rrahmani dhe Drita Stublla shkëlqejnë në Gala-n e Serie A

    Amir Rrahmani dhe Drita Stublla shkëlqejnë në Gala-n e Serie A

    Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ishte i pranishëm mbrëmë në Gala-n e futbollit italian, ku u përfshi në Formacionin e Vitit, një vlerësim që pasqyron paraqitjet e tij të jashtëzakonshme sezonin e kaluar me Napolin, ku u shpall kampion i Italisë si një nga protagonistët kryesorë të skuadrës.

    Rrahmani ka vazhduar formën e shkëlqyer edhe këtë sezon: në tetë ndeshjet ku ka qenë titullar nën drejtimin e trajnerit Antonio Conte, Napoli ka pësuar vetëm tre gola me të në fushë, duke treguar rëndësinë e tij në linjën mbrojtëse.

    Formacioni i Vitit të Serie A përfshiu emra të njohur si Scott McTominay, Lautaro Martinez dhe Tijjani Reijnders. Nga skuadrat e Napolit dhe Interit u përzgjodhën: Denzel Dumfries, Amir Rrahmani, Alessandro Bastoni, Federico Dimarco, Scott McTominay, Nicolo Barella dhe Lautaro Martinez.

    Rrahmani mori pjesë në këtë mbrëmje të veçantë i shoqëruar nga partnerja e tij, Drita Stublla. Çifti u shfaq elegant në veshje të zeza, duke tërhequr vëmendjen e mediave të pranishme dhe duke shtuar një element glamour në këtë ngjarje prestigjioze.

    Ky vlerësim shënon një tjetër moment krenarie për mbrojtësin kosovar, i cili vazhdon të jetë një nga lojtarët më të respektuar dhe të vlerësuar në Serie A, duke afirmuar vendin e tij si një nga mbrojtësit kryesorë të kampionatit italian. /ATVLIVE.TV

  • Pamje nga laboratori i drogës në Prizren – Ngritët aktakuzë ndaj nëntë personave

    Pamje nga laboratori i drogës në Prizren – Ngritët aktakuzë ndaj nëntë personave

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: K.R., L.B., D.M., Sh.K., F.H., M.S., A.S., E.M., dhe B.M., në lidhje me rastin e laboratorit të drogës të zbuluar më 23.04.2025 në Prizren.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R., L.B., D.M., E.M., F.H., Sh.K., M.S., dhe A.S., nga një periudhë e pacaktuar kohore deri më 23.04.2025, kanë vepruar së bashku si anëtarë të grupit, duke shfrytëzuar dy banesa në lagjen “Dardania” në Prizren, në katin e VII-të, dhe kanë krijuar një laborator të sofistikuar “in door” për kultivimin e bimës “kanabis sativa”. Laboratori ishte i pajisur me llamba profesionale, sisteme ventilimi, pesticide, matës temperaturash dhe pajisje mbështetëse, ku të njëjtit kanë kultivuar dhe rritur 175 bimë “kanabis sativa”. Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 të KPRK-së.

    Po ashtu, të pandehurit D.M., E.M., M.S., dhe A.S., akuzohen se kanë pasur për qëllim shitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike të përfituar nga kultivimi i kanabisit, përmes tharjes, paketimit dhe përgatitjes për shpërndarje. Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 267 të KPRK-së.

    Ndërkohë, të pandehurit K.R., dhe L.B., akuzohen se deri më 07.05.2025 kanë shpërndarë dhe shitur substanca narkotike të llojit “marihuanë” dhe “kokainë” në Prizren, Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Gjatë bastisjeve është sekuestruar një sasi totale prej 451.91 gram kokainë, para të gatshme dhe pajisje tjera që shërbejnë për ndarjen dhe peshimin e lëndëve narkotike. Po ashtu, i pandehuri K.R., ka kryer shitjen e 2 kg marihuanë në këmbim të një veture “Audi A6”. Me këto veprime të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 267 të KPRK-së.

    Ndërkaq, i pandehuri B.M., si pjesë e grupit të organizuar në bashkëkryerje ka ndihmuar në kultivimin e bimës “kanabis sativa”, duke i informuar të pandehurit e lartcekur për lëvizje të dyshimta që mund të çonin në zbulimin e laboratorit nga policia. Me këto veprime, i njëjti ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 të KPRK-së.

    Prokurori i çështjes, me ngritjen e aktakuzës ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, ndër të tjera:

    Një (1) banesë prej 100 m2 në Prizren;

    Një (1) banesë prej 114 m2, në Prizren;

    Dy (2) vetura;

    Narkotiku i sekuestruar;

    Telefona mobil;

    Para të gatshme në shumën prej 1,020 € dhe 30 CHF.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Dushko Arsiq i akuzuari për krime lufte, sillet para Gjykatës me pranga në duar

    Dushko Arsiq i akuzuari për krime lufte, sillet para Gjykatës me pranga në duar

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur sot seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Dushko Arsiq, i akuzuar për krime lufte të kryera në fshatin Butovc gjatë periudhës janar–qershor 1999.

    Arsiq, i cili më herët është dënuar nga kjo gjykatë me 13 vjet burgim, është sjellë në sallën e gjyqit me pranga në duar, nën masa të rrepta sigurie.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Arsiq dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të armatosur që ka kryer plagosje dhe vrasje të civilëve shqiptarë. Në mesin e viktimave përmendet edhe i ndjeri Brahim Shala, i cili sipas dosjes është vrarë me armë automatike. Më pas, grupi dyshohet se ka urdhëruar Artan Krasniqin, atëkohë vetëm 15 vjeç, që të bartte trupin e pajetë të Shalës.

    Seanca e sotme pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e krimeve për të cilat akuzohet Arsiq dhe do të vazhdojë me dëshmitë dhe provat e paraqitura nga Prokuroria.

    Sot do të dëshmojnë dy dëshmitar, Sylë Krasniqi dhe Artan Krasniqi.

  • Sonte Juventusi synon fitoren e tretë radhazi, a do të startojë Zhegrova?

    Sonte Juventusi synon fitoren e tretë radhazi, a do të startojë Zhegrova?

    Pas dy fitoreve radhazi, ekipi Italian, Juventus kërkon të vazhdojë serinë pozitive në Kupën e Italisë, teksa të martën mbrëma pret Udinesen në një përballje që pritet të jetë sfiduese.

    Ndeshja nis në orën 21:00, dhe mediat italiane raportojnë se Edon Zhegrova pritet të startojë nga minuta e parë, duke marrë besimin e trajnerit Luciano Spalletti.

    Për shkak të ngjeshjes së ndeshjeve në kalendar, Spalletti pritet të bëjë disa rotacione në formacion, por sulmuesi kosovar do të jetë një prej elementëve kyç të repartit ofensiv, së bashku me Adzic dhe Openda.

    Formacionet e mundshme për këtë ballafaqim:

    Juventus: Perin; Kalulu, Gatti, Kelly; Cambiaso, Locatelli, Koopmeiners, Cabal; Zhegrova, Adzic, Openda.

    Udinese: Okoye; Goglichidze, Kabasele, Solet; Ehizibue, Miller, Karlstrom, Atta, Zemura; Bravo, Buksa

    Takimi premton një duel të fortë, me Juventusin që kërkon të konsolidojë momentumin dhe Udinesen që synon të bëjë surprizën në Torino. /ATVLIVE.TV

  • Lajmëroni Policinë nëse shihni këto dy gra, po kërkohen për vjedhje

    Lajmëroni Policinë nëse shihni këto dy gra, po kërkohen për vjedhje

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e dy të dyshuarave në Gjilan,

    Sipas njoftimit të Policisë, dy të dyshuarat po kërkohen në Gjilan, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Vjedhja”.

    “Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Gjilan kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për identitetin dhe vendndodhjen e personave në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’, E-mail: [email protected] dhe numrat kujdestarë:192; 03850807001”.

  • Hiqni yndyrën nga kanalizimet duke përdorur një përbërës që keni në shtëpi

    Hiqni yndyrën nga kanalizimet duke përdorur një përbërës që keni në shtëpi

    Pastrimi i kanaleve të kuzhinës të bllokuara me yndyrë mund të duket si një detyrë e vështirë, por një send i thjeshtë shtëpiak mund ta kryejë këtë punë.

    Mund të mos e vini re fare që kulluesi juaj po fillon të bllokohet, megjithatë, çdo ditë, ushqimi, detergjenti dhe substancat yndyrore përfundojnë në lavamanin tuaj.

    Me kalimin e kohës, kjo mund të grumbullohet dhe të krijojë një shtresë yndyrore brenda tubave. Mund të tërheqë myk, baktere dhe të ketë një erë mjaft të pakëndshme.

    Nëse nuk trajtohet, mund të formohen më shumë bllokime dhe uji do të kullojë më ngadalë. Kjo madje mund të rezultojë në nevojën për një hidraulik.

    Megjithatë, ka mënyra se si mund ta ndaloni grumbullimin e yndyrës. Është gjithmonë më mirë ta pastroni lavamanin rregullisht, gjë që mund të bëhet me një produkt shumë të përballueshëm që ndoshta e keni tashmë në shtëpinë tuaj.

    Ekziston një truk i thjeshtë që mund t’ju ndihmojë të hiqni yndyrën pothuajse pa asnjë përpjekje. Ai është përdorimi i kripës.

    Kripa është në fakt një agjent pastrues natyral i jashtëzakonshëm. Ajo thith yndyrën dhe lëngjet, heq njollat kokëforta dhe është paksa antibakteriale, duke e bërë të përsosur për të lagur sfungjerët e kuzhinës ose për të fërkuar dërrasat e prerjes.

    Thjesht hidhni një sasi të bollshme kripe kuzhine në lavaman, pastaj hidhni ujë të vluar.

    Një mënyrë tjetër për të zhbllokuar një kullues është përdorimi i sodës së bukës dhe uthullës së bardhë. Kur përzihen së bashku, ato krijojnë një reaksion shkumëzimi që mund të heqë njollat kokëforta. Mund të përdorni edhe detergjent për larjen e enëve, i cili është krijuar për të zbërthyer vajrat dhe yndyrat.

    Hidhni gjysmë filxhani sodë buke në lavaman, të ndjekur nga gjysmë filxhani uthull. Pastaj hidhni një filxhan të plotë me detergjent për larjen e enëve dhe lëreni të qëndrojë për 15 minuta para se të derdhni ujin e nxehtë në kullues.