ATV

Blog

  • The Athletic: Dani Ceballos drejt largimit nga Real Madrid në vitin 2026!

    The Athletic: Dani Ceballos drejt largimit nga Real Madrid në vitin 2026!

    Sipas raportimeve të The Athletic, mesfushori spanjoll Dani Ceballos mund të largohet nga Real Madrid në vitin 2026, kur edhe i skadon kontrata aktuale me klubin madrilen.

    Ceballos, i cili ka vuajtur mungesë minutash dhe konkurrencë të fortë në repartin e mesfushës, po vlerëson opsionet e tij për të ardhmen, ndërsa Madridit i duhet të marrë një vendim nëse do t’i ofrojë rinovim apo do të pranojë largimin e tij.

    Real Madridi nuk e ka vënë ende prioritet rinovimin e tij, ndërkohë që vetë lojtari kërkon më shumë hapësira në fushë, diçka që ka qenë e vështirë për t’u siguruar për shkak të prurjeve të reja dhe konkurrencës së ashpër.

    Nëse nuk ndryshon situata, 2026 mund të jetë fundi i aventurës së Ceballos në “Bernabéu”.

  • Interi pas Vicarios, Sommer drejt largimit

    Interi pas Vicarios, Sommer drejt largimit

    Për skuadrën italiane, Inter, raportohet se ka shfaqur interes për portierin e Tottenham Hotspur, Guglielmo Vicario, i cili thuhet se synon rikthimin në Serie A gjatë verës.

    Sipas La Gazzetta dello Sport dhe Il Corriere dello Sport, Vicario dëshiron të rikthehet në kampionatin italian në fund të sezonit dhe Interi po e monitoron me vëmendje situatën e tij.

    Të dyja mediat italiane shkruajnë se Nerazzurrët mund të ndahen nga Yann Sommer pas përfundimit të sezonit aktual, gjë që e shton edhe më shumë interesimin e klubit për portierin e kombëtares italiane. /ATVLIVE.TV

  • Ferland Mendy mbyll vitin 2025 për Real Madrid, mbrojtësi francez pëson një tjetër lëndim!

    Ferland Mendy mbyll vitin 2025 për Real Madrid, mbrojtësi francez pëson një tjetër lëndim!

    Real Madrid ka marrë një tjetër goditje në repartin defensiv. Ferland Mendy do të mungojë për pjesën e mbetur të vitit 2025, pasi ka pësuar një lëndim të ri muskulor.

    Klubi konfirmoi se bëhet fjalë për një dëmtim të këmbës së djathtë, vetëm një javë pasi Mendy ishte rikthyer në formacionin titullar. Ky lajm vjen në një moment të ndjeshëm për madrilenët, të cilët po përballen me mungesa të shumta në skuadër.

    Mendy tashmë ka humbur disa ndeshje këtë sezon për shkak të problemeve fizike, dhe dëmtimi i radhës e detyron mbrojtësin të mbyllë vitin para kohe, duke lënë Carlo Ancelottin me më pak alternativa në krahun e majtë të mbrojtjes.

    Real Madrid pritet të mbështetet te Fran García dhe opsione të tjera të improvizuara deri në rikuperimin e plotë të francezit.

    Një tjetër mungesë e rëndësishme për Los Blancos, që po luftojnë të ruajnë ritmin në kampionat dhe garat evropiane.

  • Përmbytjet në Indonezi, shkon mbi 700 numri i të vdekurve

    Përmbytjet në Indonezi, shkon mbi 700 numri i të vdekurve

    Të paktën 708 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës në ishullin Sumatra të Indonezisë. Kështu njoftoi të martën Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive. Autoritetet po përpiqen me shpejtësi të riparojnë infrastrukturën dhe të shpërndajnë ndihma për zonat e izoluara.

    Agjencia tha se ky numër është pak më i ulët se shifra e publikuar më parë, 753 të vdekur. Së fundmi, pothuajse 900 vdekje janë raportuar në mbarë Indonezinë, për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës, pas muajve të motit ekstrem në Azinë Juglindore, përfshirë edhe tajfunët e njëpasnjëshëm në Filipine dhe Vietnam.

    Ekspertët dhe zyrtarët kanë përmendur shpyllëzimin në Sumatra, si një faktor që ka përkeqësuar ndikimin e këtyre katastrofave.

    Ekipet e shpëtimit dhe ndihmës po punojnë në tokë, det dhe ajër për të hapur rrugët e bllokuara, shpërndarë ndihma dhe riparuar infrastrukturën e dëmtuar.

    “Shpresojmë të përshpejtojmë shpërndarjen e logjistikës dhe ndihmave”, tha zëdhënësi i agjencisë, Abdul Muhari. Autoritetet bëjnë thirrje për solidaritet dhe ndihma ndërkombëtare për të përballuar situatën emergjente.

  • Putin: Nëse Evropa dëshiron luftë, ne jemi gati tani

    Putin: Nëse Evropa dëshiron luftë, ne jemi gati tani

    Presidenti rus Vladimir Putin tha se nëse Evropa dëshiron të luftojë, atëherë Rusia është gati tani.

    Duke folur pas një forumi investimesh në Moskë, presidenti rus tha se evropianët nuk kanë një agjendë paqësore dhe janë në anën e luftës.

    Sipas tij, evropianët po pengojnë gjithashtu administratën amerikane dhe Donald Trumpin në përpjekjet e tyre për të arritur një marrëveshje paqeje përmes bisedimeve.

    Ai pretendon se qyteti i Pokrovskut është tani plotësisht nën kontrollin e ushtrisë ruse, pasi ministria e mbrojtjes e Moskës publikoi pamje që me sa duket tregojnë ushtarë rusë duke valëvitur flamuj në qytetin në vijën e frontit.

    “Sulmet e fundit ndaj anijeve cisternë ruse janë pirateri dhe Rusia do të zgjerojë sulmet ndaj porteve dhe anijeve ukrainase në përgjigje”, shtoi Putin.

  • Prokuroria Speciale arreston edhe një person tjetër në rastin “Laboratori 25”

    Prokuroria Speciale arreston edhe një person tjetër në rastin “Laboratori 25”

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të ri të dyshuar në kuadër të rastit të njohur si “Laboratori 25”. I arrestuari, me inicialet N.S., dyshohet për dy vepra penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Falsifikimi i dokumentit”. Ai është ndaluar për 48 orë.

    Sipas Prokurorisë, ekziston “dyshimi i bazuar se, nga një periudhë e pacaktuar kohore e deri më 24 janar 2025, N.S., në bashkëpunim me të dyshuar të tjerë, ka kryer vepra penale të lidhura me falsifikimin e dokumenteve publike”. Hetuesit dyshojnë se dokumentet e falsifikuara përfshinin pasaporta, patentë-shofera dhe dokumente të tjera zyrtare, të prodhuara për më shumë se 50 shtete të ndryshme të botës.

    Objekti i shfrytëzuar si “shtëpi laborator”, i marrë me qira në emër të të dyshuarit N.S., është bastisur nga policia. Në të, janë gjetur “aparatura të ndryshme për prodhimin e këtyre dokumenteve të falsifikuara, me qëllim të prezantimit dhe përdorimit të tyre si origjinale”.

    Në njoftim thuhet se:
    “Prokuroria Speciale, në bashkëpunim dhe koordinim me hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.”

    Hetimet për rastin “Laboratori 25” po vazhdojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se priten edhe veprime të tjera në ditët në vijim.

  • Arbër Hoxha nuk është lënduar rëndë, pritet të luajë në derbin Dinamo–Hajduk

    Arbër Hoxha nuk është lënduar rëndë, pritet të luajë në derbin Dinamo–Hajduk

    Futbollisti nga Kosova, Arbër Hoxha, reprezentues i Shqipërisë, është lënduar, por fatmirësisht dëmtimi i tij nuk është serioz.

    Sipas mediumit kroat Index, “Hoxha nuk është lënduar rëndë. Ai do të luajë për Dinamon kundër Hajdukut”. Më tej theksohet se Arbër Hoxha do të jetë pjesë e skuadrës së Dinamos për derbin ndaj Hajdukut, i cili zhvillohet të shtunën në stadiumin “Maksimir”, nga ora 15:00.

    Duke pasur parasysh rëndësinë që ka ai për ekipin e trajneres Marija Kovaçeviq këtë sezon, raportohet se Hoxha me shumë gjasë do të marrë minuta në këtë ndeshje, qoftë si titullar apo si zëvendësues, përderisa nuk paraqiten komplikime të tjera shëndetësore.

    Media kroate e përmbyll raportimin duke theksuar se ky është një lajm i shkëlqyeshëm për tifozët e Dinamos. /ATVLIVE.TV

  • Të shkosh në shtrat në të njëjtën orë çdo natë mund të ulë tensionin e gjakut

    Të shkosh në shtrat në të njëjtën orë çdo natë mund të ulë tensionin e gjakut

    Një kërkim i publikuar së fundi në Sleep Advances tregon se një orar i rregullt fjetjeje mund të ndikojë pozitivisht te personat me hipertension. Studiuesit analizuan 11 persona të moshës 45–62 vjeç, të gjithë me obezitet por pa sëmundje të tjera kronike. Para studimit, ora e tyre e gjumit ndryshonte me rreth 30 minuta çdo natë, ndërsa gjatë dy javëve të studimit u kërkua të flinin në të njëjtën kohë, duke e ulur ndryshueshmërinë në vetëm 7 minuta.

    Gjatë eksperimentit, pjesëmarrësve iu mat presioni i gjakut për 48 orë me monitorim ambulator. Rezultatet treguan se një orar i qëndrueshëm gjumi uli tensionin sistolik me rreth 4 njësi dhe atë diastolik me rreth 3 njësi. Ulja ishte kryesisht e lidhur me presionin e natës, i cili lidhet ngushtë me rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve patën përmirësim të ndjeshëm. Sipas studiuesve, edhe një ulje prej 5 pikësh gjatë natës mund të reduktojë rrezikun e ngjarjeve kardiake me mbi 10%.

    Ekspertët thonë se, ndonëse studimi është i vogël dhe jo i kontrolluar, gjetjet janë mjaft premtuese. Ata theksojnë se një ndërhyrje e thjeshtë dhe pa kosto, si stabilizimi i orarit të gjumit, mund të ndihmojë shumë njerëz me hipertension. Megjithatë, kërkohen studime më të mëdha për të vërtetuar përfundimisht efektin.

    Hipertensioni prek rreth 48% të të rriturve në SHBA dhe është faktor kryesor rreziku për goditje në tru, dështim të zemrës, sëmundje të veshkave dhe probleme njohëse. Përveç gjumit cilësor, specialistët rekomandojnë dietë të shëndetshme, aktivitet fizik, ulje të kripës dhe peshës trupore për të mbajtur tensionin nën kontroll.

  • AGK-ja reagon ndaj veprimeve të Kurteshit me gazetarët: Të shokuar me sjelljen agresive

    AGK-ja reagon ndaj veprimeve të Kurteshit me gazetarët: Të shokuar me sjelljen agresive

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj sjelljes agresive të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, i cili sot ka penguar fizikisht ekipet e mediave gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale.

    Në njoftimin e saj, AGK shprehet “e shokuar me cenimin fizik të gazetarëve”, duke e cilësuar incidentin si plotësisht të papranueshëm dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias.

    Organizata u bëri thirrje autoriteteve të KQZ-së që të sigurojnë kushte të plota për raportim të lirë dhe të papenguar, duke theksuar se mbrojtja e gazetarëve është obligim institucional.

    AGK rikujtoi se Sami Kurteshi është recidivist në sulmet ndaj gazetarëve, duke kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të marrë masa të menjëhershme dhe të ndalojë çdo praktikë që cenon profesionistët e medias.

  • Ferizaj: 1 vit burg për babain që nuk pagoi alimentacionin

    Ferizaj: 1 vit burg për babain që nuk pagoi alimentacionin

    Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka shpallur aktgjykim dënues ndaj F.V. për “Shmangie nga sigurimi i mjeteve për jetesë”. Ai është dënuar me 1 vit burgim.

    I pandehuri F.V., akuzohet se nga data 3 tetor 2024 deri më tani, me qëllim iu është shmangur sigurimit të mjeteve të jetesës për dy fëmijët të tij të mitur, për të cilët është i obliguar të kujdeset në bazë të Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, të datës 22 qershor 2023, me të cilin është detyruar që të ju paguaj të dëmtuarve – fëmijëve të tij mjetet për jetesë për çdo muaj dhe atë në shumën prej shtatëqind (700.00) Euro për të cilën është detyruar që t`i paguaj të dëmtuarës – ish bashkëshortes së tij A.G.V., deri sa të ekzistojnë kushtet ligjore ku i pandehuri i`u ka shmangur detyrimeve duke mos paguar shumën e përcaktuar të pagesës së alimentacionit të fëmijëve të përbashkët.

    “Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizajt.”