ATV

Blog

  • Alokohen mjetet financiare për pagesën e transportuesve publikë dhe privatë

    Alokohen mjetet financiare për pagesën e transportuesve publikë dhe privatë

    Janë alokuar 2.7 milionë euro, të nevojshme për pagesën e operatorëve të transportit publik, sipas vendimit të Kuvendit të Prishtinës për të hyrat vetanake.

    Kështu ka njoftuar sot ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

    “Kjo pjesë është proceduar veçmas nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë eurove e projekteve kapitale në mënyrë që të kryhet sot me prioritet, sepse kapitalet duke qenë në shumë linja marrin kohë më gjatë dhe nuk ishte e mundur të kryheshin sot”, ka shkruar ai.

    “Vendimi i marrë nga Komuna e Prishtinës të enjten në mbrëmje për të hyrat vetanake, sipas legjislacionit në fuqi fillimisht duhej të kalonte verifikimin e ligjshmërisë, proces ky që bëhet nga ana e MAPL-së. Në rastet kur vendimi ka të bëjë me çështje financiare/buxhetore, ligjshmëria duhet të verifikohet edhe nga MFPT-ja. Ky proces, pra verifikimi i ligjshmërisë është kryer dje në afat rekord nga të dyja Ministritë, edhe nga MAPL edhe nga MFPT, ashtu siç u pata premtuar në takim përfaqësuesve të sindikatave të transportuesve publikë”.

    Ai thotë se ky proces nuk ishte i mundur deri para ditës së djeshme, sepse e premtja dhe fundjava nuk ishin ditë pune.

    Ndryshe, transportuesit publikë dhe ata privatë kanë protestuar qysh nga 24 nëntori, duke ndaluar çdo lloj transporti të tyre.

  • Super ndeshje në Kupën e Kosovës në basketboll

    Super ndeshje në Kupën e Kosovës në basketboll

    Në zyrën e Federatës së Basketbollit të Kosovës është hedhur shorti për Kupën e Kosovës në basketboll.

    Në çerekfinale do të ketë shumë ndeshje interesante, ku do të përballen Bashkimi me GO+ Peja, derisa fituesja aktuale e Kupës, Trepça do të ndeshet me Golden Eagle Yllin. Përballje e barabartë shihet ajo ndërmjet Rahoveci 029 dhe Borës, si dhe shumë sfidë interesante ndërmjet Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës.

    Sipas sistemit, dy ndeshje do të zhvillohen në çerekfinale dhe skuadrat më të mira nga të dyja ndeshjet, kualifikohet në gjysmëfinale, që po ashtu zhvillohen dy ndeshje, për t’u kualifikuar në finalen e madhe.

    Ndeshjet e para çerekfinale do të zhvillohen më 24/25 dhjetor.

    Në gjysmëfinale fituesi i çiftit Bashkimi-GO+ Peja do të ndeshet me fituesin e çiftit Vëllaznimi-Sigal Prishtina, si dhe fituesi i çiftit Trepça-Golden Eagle Ylli me fituesin e çiftit Rahoveci 029-Bora.
    Fituese aktuale është Trepça.

    Çerekfinalet

    Bashkimi-GO+ Peja

    Trepça-Golden Eagle Ylli

    Rahoveci 029-Bora

    Vëllaznimi-Sigal Prishtina. /ATVLIVE.TV

  • Ish-presidenti i Hondurasit lirohet nga burgu në SHBA pas faljes nga Trump

    Ish-presidenti i Hondurasit lirohet nga burgu në SHBA pas faljes nga Trump

    Juan Orlando Hernández, ish-Presidenti i Hondurasit, është liruar nga një burg amerikan, sipas të dhënave online të të burgosurve federalë, pasi ai mori një falje nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump për akuzat për drogë.

    Mediat e huaja bëjnë të ditur se të dhënat tregojnë se Hernández u lirua nga objekti i sigurisë së lartë i USP Hazelton në Virxhinian Perëndimore të hënën.

    Hernández u shpall fajtor në mars të vitit 2024 për komplot për të importuar kokainë në SHBA dhe për posedim mitralozësh. Ai u dënua me 45 vjet burg.

    Presidenti amerikan tha në një postim në rrjetet sociale se Hernández ishte “trajtuar shumë ashpër dhe padrejtësisht”, duke njoftuar masën të premten, shkruan A2 CNN.

    Duke shkruar në mediat e saj sociale të martën, gruaja e Hernández, Ana García de Hernández, falënderoi Trump për faljen dhe tha se burri i saj tani ishte një njeri i lirë.

    Hernández, një anëtar i Partisë Kombëtare të Hondurasit i cili shërbeu si president i vendit nga viti 2014 deri në vitin 2022, u ekstradua në SHBA në prill 2022 për t’u gjykuar për drejtimin e një komploti të dhunshëm të trafikut të drogës dhe ndihmën në kontrabandën e qindra ton kokainë në SHBA.

    Gjatë gjyqit të tij, prokurorët në Nju Jork thanë se Hernández e drejtoi vendin e Amerikës Qendrore si një “narko-shtet” dhe pranoi miliona dollarë ryshfete nga trafikantët e drogës për t’i mbrojtur ata nga ligji.

    Ai u urdhërua gjithashtu të paguante një gjobë prej 8 milionë dollarësh (6 milionë paund) si pjesë e dënimit të tij, shkruan A2 CNN.

    Trump shpjegoi arsyetimin e tij për faljen ndërsa fliste me gazetarët në Air Force One të dielën.

  • Golden Boy 2025: Lista e plotë e top 10 talenteve më të mirë të vitit!

    Golden Boy 2025: Lista e plotë e top 10 talenteve më të mirë të vitit!

    Pas shpalljes së fituesit, ylli i PSG-së Désiré Doué, me 450 pikë, u bë qendra e vëmendjes, por garuesit e tjerë nuk mbeten pas. Lista e Top 10 e Golden Boy 2025 tregon konkurrencën e fortë dhe rinovimin e talentit në futbollin evropian.

    Renditja e plotë:

    Désiré Doué – 450 pikë

    Arda Guler – 163 pikë

    Pau Cubarsi – 161 pikë

    Dean Huijsen – 160 pikë

    Kenan Yildiz – 148 pikë

    Franco Mastantuono – 41 pikë

    Warren Zaire-Emery – 37 pikë

    Jobe Bellingham – 28 pikë

    Francesco Esposito – 19 pikë

    Lucas Bergvall – 13 pikë

    Një nga momentet më interesante ishte diferenca minimale prej vetëm 3 pikësh mes vendit të dytë dhe të katërt, duke treguar rivalitetin e fortë mes lojtarëve më të rinj.

    Ndërkohë, Francesco Esposito u nderua edhe me çmimin Italian Golden Boy, duke konfirmuar talentin e tij brenda dhe jashtë vendit.

    Ky renditje tregon se e ardhmja e futbollit evropian është në duar të sigurta, me një brez të ri lojtarësh që po shkëlqejnë që tani.

  • Rusia pretendon se ka marrë edhe dy qytete ukrainase

    Rusia pretendon se ka marrë edhe dy qytete ukrainase

    Presidenti rus, Vladimir Putin, ka vizituar një qendër komanduese ushtarake, ku është informuar nga drejtuesit më të lartë të ushtrisë ruse për zhvillimet e fundit në frontin e Ukrainës. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

    Sipas pamjeve të publikuara nga Kremlini, Putin u prit nga kreu i Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, në një pikë të përbashkët komanduese të forcave ruse.

    Aty, Gerasimov raportoi se trupat ruse kishin marrë nën kontroll qytetet Pokrovsk në rajonin e Donetskut, si dhe Vovchansk në rajonin e Kharkivit.

  • IPK suspendon dy policë për dy raste kanosjeje

    IPK suspendon dy policë për dy raste kanosjeje

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes Departamentit të Hetimeve, ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë lidhur me dy raste të ndara të dyshuara për kanosje.

    Sipas IPK-së, rasti i parë lidhet me një zyrtar policor me detyrë në Njësinë e Trafikut Rrugor në Prishtinë, i cili dyshohet se jashtë detyrës zyrtare ka qenë i përfshirë në një incident kanosjeje.

    Ndërsa rasti i dytë, i raportuar në Fushë Kosovë, përfshin një zyrtar policor me detyrë në Stacionin Policor të Fushë Kosovës, i cili dyshohet gjithashtu për përfshirje jashtë detyrës në një rast të kanosjes.

    IPK ka bërë të ditur se rekomandimi për suspendim është dhënë në interes të hetimit, ndërsa rastet do të trajtohen në procedurë të rregullt në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, me dyshimin për veprën penale “Kanosje”.

  • KQZ s’mund t’i dërgojë fletëvotimet në diasporë para 21 dhjetorit

    KQZ s’mund t’i dërgojë fletëvotimet në diasporë para 21 dhjetorit

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka bërë të ditur se fletëvotimet për votuesit jashtë Kosovës, nuk mund të nisen më herët se 21 dhjetori.

    Kështu bëri të ditur ai në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    “Ne, në kontakt me operatorët ekonomikë, qoftë me postën e shpejtë, qoftë me postën e Telekomin e Kosovës, është që në kuadër të aktiviteteve të tanishme të planit operacional, është se para datës 21 dhjetor nuk mundemi me i dërgu fletëvotimet tek votuesit jashtë Kosovës”, u shpreh Buzhala.

    Me këtë fakt, nuk u pajtua aspak anëtari i KQZ-së nga radhët e VV-së, Alban Krasniqi.

    Ai shprehet i bindur se procesi zgjedhor në diasporë po tentohet të dështojë ende pa filluar.

    “Ne me vetëdije po duam me çu përpara një buxhet prej 4 milionë euro, për të cilën e dimë që nuk do të ketë efektin e tij, me mjetet që parashikojmë t’i shfrytëzojmë”, tha ai.

    Pos tjerash, Krasniqi tha se fletëvotimet në mërgatë, medoemos do duhej të arrinin më 12 dhjetor, dhe mosrealizimin e kësaj, ai e quan mohim të drejtës së votës së diasporës.

  • Banka Qendrore Europiane refuzon kredinë për Ukrainën

    Banka Qendrore Europiane refuzon kredinë për Ukrainën

    Banka Qendrore Europiane ka refuzuar të bëhet huadhënëse në një skemë për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 140 miliardë eurosh, që do të shlyhej me asetet e ngrira ruse.

    Financial Times raporton se Banka arriti në përfundimin se propozimi i Komisionit Europian për këtë lloj kredie, shkel mandatin e saj. Kjo i ndërlikon më tej përpjekjet për të mbledhur fonde për Ukrainën, në një kohë kur vendi ka më shumë se kurrë nevojë për ndihmë financiare.

    Sipas planit të Komisionit Europian, vendet anëtare të unionit duhet të ofronin garanci shtetërore në rast rreziku të shlyerjes së parave.

    Megjithatë zyrtarë të Komisionit vendosën që shtetet anëtare nuk do të ishin në gjendje të mblidhnin një shumë të tillë shpejt në rast emergjence. Prandaj Komisioni iu drejtua bankës për ta pyetur nëse ajo mund të vepronte si huadhënës i fundit.

    Përgjigja e Bankës Qendrore Europiane ishte se një lëvizje e tillë është e pamundur.

    Nga një analizë e brendshme e Bankës u arrit në përfundimin se propozimi është në fakt me një financim direkt të qeverive, pasi asaj në thelb i kërkohet të mbulojë detyrimet financiare të shteteve anëtare.

    Ideja e një kredie dëmshpërblimi deri në 140 miliardë euro, bazuar në bilancet e parave të gatshme të aseteve të ngrira ruse, u paraqit më 10 shtator.

    Falë kredisë dëmshpërblimit, Ukraina mund të merrte 45 miliardë euro në vit gjatë viteve të ardhshme, nga viti 2026 deri në vitin 2028.

  • Personi që dyshohet se e theri me thikë të fejuarën është pjesëtar i FSK’së

    Personi që dyshohet se e theri me thikë të fejuarën është pjesëtar i FSK’së

    Policia e Kosovës të dielën raportoi për një rast të rëndë që ka ndodhur më 29 nëntor në Fushë Kosovë.

    Atje u arrestua një i dyshuar i cili e e kishte therrur me thikë të fejuarën e tij.

    Lajmin e ka konfirmuar vetë FSK-ja. Këta të fundit kanë bërë të ditur se janë njoftuar për ngjarjen, dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet bazuar në rregulloret në fuqi.

    “Ju njoftojmë se personi në fjalë është pjesëtarë i FSK-së, dhe ndodhet në ndalim policor, FSK është njoftuar për rastin dhe do të ndërmarr masat bazuar në aktet ligjore dhe rregulloret në fuqi”, thuhet në përgjigjen e FSK-së.

    Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të së dielës, tregoi detaje për këtë ngjarje.

    “Fushë Kosovë / 29.11.2025-07:45. Njësitet policore pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë takuar viktimën f/k, e cila dyshohet se kishte pësuar lëndime me mjete të mprehta. Viktima pas tretmanit fillestar mjekësor në QKMF, është dërguar në QKUK dhe i është nënshtruar operimit për shkak të gjendjes kritike të saj. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari m/k-i fejuari i saj me të cilin ishte duke bashkëjetuar, nën dyshimin se i njëjti është i përfshirë në rast”, njoftoi Policia e Kosovës.

    Ditën e djeshme, Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarin.

    “Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore ndaj personit i cili dyshohet se ka sulmuar të fejuarën e tij dhe për të cilin ekziston dyshimi se ka kryer veprën penale ”Vrasje e rëndë në tentativë”, në bazë të nenit 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, ka paraqitur kërkesën në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

    QKUK-ja bëri të ditur dje se viktima është në Mjekim Intensiv, pasi nga Policia u tha se ndodhet në gjendje kritike.

    Detaje të tjera për këtë rast ende nuk dihen, megjithatë Prokuroria e Policia po i vazhdojnë hetimet.

  • Kriza me transportin urban, Rama – Muratit: Pse nuk po i qet paret?

    Kriza me transportin urban, Rama – Muratit: Pse nuk po i qet paret?

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka pyetur publikisht ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin se pse nuk i ka alokuar mjetet buxhetore për Trafikun Urban.

    Rama ka shkruar se Komuna që drejtohet nga ai po pret transferimin e mjeteve nga kjo ministri.

    “Pse nuk po i qet paret, Hekuran? Shërbimet janë ndalur. Punëtorët janë pa paga. Komuna po pret transferimin e mjeteve nga ministria. Javën e kaluar e votuam bartjen e mjeteve, ndonëse këto obligime kanë mundur të mbulohen lehtësisht nga 35 milionë euro të hyrat vetanake dhe nga granti qeveritare që, për ironi, as nuk kërkojnë votim në Asamble, vetëm vullnet për miratim nga ministri në detyrë, por që vazhdon t’i mbajë të bllokuara me përkushtim!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

    “Meqë politika spektakolare paska prioritet, u detyruam të ndjekim çdo rrugë tjetër vetëm që punëtorët të marrin pagat e tyre. E thirrëm edhe seancën e jashtëzakonshme për t’i votuar 25 milionë euro nga të hyrat e vitit 2024, të njëjtat mjete që tri herë radhazi u bllokuan nga asambleistët e VV-së. Këtë herë u votuan”, shkruan mes tjerash ai.