ATV

Blog

  • E mërkura me mot të vranët dhe me reshje shiu

    E mërkura me mot të vranët dhe me reshje shiu

    Sot, parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe herë pas here me reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara pritet të jenë më intensive.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i juglindjes, me shpejtësi prej 10-30 km/h, njofton MeteoKosova.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 2 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale prej 7 deri në 9°C.

  • Vetëvendosje shpall zgjedhje të brendshme për listën e deputetëve

    Vetëvendosje shpall zgjedhje të brendshme për listën e deputetëve

    Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

    Përmes një njoftimi, ky subjekt politik ju ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të saj të interesuar për të kandiduar për deputet, që të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentet shoqëruese, raporton IndeksOnline.

    Njoftimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje:

    Në përputhje me Statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

    Të gjithë anëtarët e Lëvizjes, të interesuar për të kandiduar në këto zgjedhje duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentacionin shoqërues nga data 02.12.2025 deri me datë 04.12.2025. Në secilën Qendër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë ngritur Komisionet Zgjedhore Ad-Hoc të Qendrave, ku anëtarët e interesuar mund të drejtohen për çdo informacion të mëtejshëm.

    Me besimin e plotë në vlerat e demokracisë sonë të brendshme dhe në respektim të Statutit, ky proces synon të çojë përpara kandidatet dhe kandidatët më të përgatitur për fitoren plebishitare të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

  • Austria vazhdon angazhimin në KFOR, deri në 600 ushtarë do të vendosen më 2026

    Austria vazhdon angazhimin në KFOR, deri në 600 ushtarë do të vendosen më 2026

    Anëtarët e Komisionit të Përbashkët të Parlamentit të Austrisë miratuan unanimisht vazhdimin e angazhimit të fuqishëm të Austrisë në Ballkanin Perëndimor.

    Ministrja e Jashtme, Beate Meinl-Reisinger tha se BE-ja duhet t’u bëjë ballë përpjekjeve destabilizuese në rajon. Sipas saj, Austria është e përkushtuar që Ballkani Perëndimor të mbetet i lidhur ngushtë me Evropën dhe me projektin evropian të paqes.

    Parlamenti austriak, siç raporton Klankosova.tv, thotë se “në kuadër të operacionit shumëkombësh të paqes në Kosovë (KFOR), deri në 600 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Austrisë do të dislokohen sërish në vitin 2026”.

    “Detyra kryesore e KFOR-it është ruajtja e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë. Po ashtu, u miratua unanimisht vazhdimi i pjesëmarrjes së Austrisë në dy misione të tjera në Kosovë. Për administratën e përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) do të dërgohen një përfaqësues nga Ministria e Brendshme si Oficer Ndërlidhës për Operacionet Policore, një anëtar nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe deri në 50 pjesëtarë të tjerë të ushtrisë austriake”.

  • Trump shpërndan artikullin ku Presidentja Osmani ia jep atij meritat për ndaljen e konfliktit Kosovë-Serbi

    Trump shpërndan artikullin ku Presidentja Osmani ia jep atij meritat për ndaljen e konfliktit Kosovë-Serbi

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shpërndarë sot një opinion të publikuar në “The Washington Post”, ku vlerësohet se ai e meriton Nobelin për Paqe.

    Tek arsyet, përmendet ndalja e konflikteve nëpër botë, ku përfshihet edhe parandalimi i një konflikti mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në shkrim është theksuar edhe deklarata e Presidentes Vjosa Osmani, ku i kishte dhënë merita Trumpit

    “Për më tepër, Trump pohon se ai e parandaloi një luftë midis Serbisë dhe Kosovës (Presidentja e Kosovës mbështeti pretendimin e Trump, duke thënë se Serbia po planifikonte të sulmonte Kosovën në maj para se Trump të ndërhynte)”, thuhet në shkrim.

    Trump disa herë ka deklaruar se në mesin e luftërave që ka ndalur, është edhe ajo mes Kosovës dhe Serbisë.

    Opinioni është nga Marc A.Thiessen

  • Osmani uron Emiratet e Bashkuara Arabe: Kosova pret me padurim punën që kemi përpara

    Osmani uron Emiratet e Bashkuara Arabe: Kosova pret me padurim punën që kemi përpara

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed, dhe popullin e këtij vendi me rastin e Ditës Kombëtare.

    Në një postim në X, Osmani ka theksuar se kjo ditë nderon unitetin, përparimin dhe arritjet e jashtëzakonshme të Emirateve të Bashkuara dhe ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për të avancuar më tej bashkëpunimin dhe për të eksploruar mundësi të reja midis dy vendeve.

    “Kosova pret me padurim punën që kemi përpara, ndërsa vazhdojmë të përparojmë bashkëpunimin tonë dhe të eksplorojmë mundësi të reja midis dy vendeve tona. Gëzuar Ditën Kombëtare të Emirateve të Bashkuara Arabe!”, ka shkruar Osmani.

  • Keni duar e këmbë të ftohta në dimër? – Ky ushqim mund t’ju ndihmojë të ngroheni natyrshëm

    Keni duar e këmbë të ftohta në dimër? – Ky ushqim mund t’ju ndihmojë të ngroheni natyrshëm

    Me rënien e temperaturave, shumë njerëz po kërkojnë mënyra natyrale për t’u mbrojtur nga i ftohti – nga veshjet me shtresa e deri te pijet e ngrohta. Por ekspertët tregojnë se një pjesë e zgjidhjes mund të gjendet fare lehtë në ushqimin tonë të përditshëm.

    Një përbërës i thjeshtë mund të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, të ndihmojë në rregullimin e presionit të gjakut dhe kështu t’i japë trupit ndjesi natyrale ngrohtësie. Ndjenja e të ftohtit në duar dhe këmbë lidhet shpesh me qarkullimin e dobët të gjakut, ndërsa sipas Fondacionit Britanik të Zemrës, indet e trupit kanë nevojë për furnizim të vazhdueshëm me oksigjen dhe lëndë ushqyese. Kur rrjedha e gjakut kufizohet, gjymtyrët janë të parat që ndjejnë pasojat.

    Trupi funksionon përmes një mekanizmi inteligjent të rregullimit të temperaturës: kur ka nxehtësi të tepërt, enët e gjakut pranë lëkurës zgjerohen për të lëshuar nxehtësinë, ndërsa në kushte të ftohta ato ngushtohen për të ruajtur energjinë dhe për të mos humbur nxehtësinë e brendshme.

    Zgjidhja natyrale për qarkullim më të mirë

    Për të mbajtur gjymtyrët ngrohtë, përmirësimi i funksionit të enëve të gjakut është kyç. Një nga mënyrat më efektive është konsumimi i ushqimeve të pasura me nitrate. Këto nitrate shndërrohen në oksid nitrik – një përbërës që relakson dhe zgjeron enët e gjakut, duke rritur qarkullimin dhe furnizimin me oksigjen të indeve. Ky proces është jashtëzakonisht i dobishëm për shëndetin kardiovaskular.

    Panxhari – aleati i dimrit

    Panxhari është një nga burimet më të njohura natyrore të nitrateve. Ai përmban gjithashtu kalium dhe hekur, minerale esenciale që ndihmojnë në mbajtjen e qarkullimit të shëndetshëm të gjakut dhe rregullimin e presionit të gjakut. Kjo perime rrënjore është në sezon gjatë muajve të dimrit, ndërsa përfitimet e saj shëndetësore mund të shfrytëzohen gjatë gjithë vitit.

    Shoqata Amerikane e Zemrës thekson se panxhari është i pasur me antioksidantë që kontribuojnë në riparimin e ADN-së dhe ruajtjen e shëndetit të qelizave – një arsye më shumë pse ky ushqim duhet të jetë pjesë e dietës dimërore.

  • Ushqimet ultra të përpunuara, ja dëmet që shkaktojnë në shëndet

    Ushqimet ultra të përpunuara, ja dëmet që shkaktojnë në shëndet

    Në një seri artikujsh të botuar të mërkurën, më 19 nëntor, në revistën shkencore The Lancet, disa grupe kërkimore kanë shqyrtuar plotësisht efektet shëndetësore të ushqimeve ultra të përpunuara (UPF). Le Monde, e cila paraqet gjetjet, përmbledh një përfundim të padiskutueshëm: sa më shumë UPF të ketë në pjatën tonë, aq më të mëdha janë rreziqet shëndetësore.

    Këto ushqime, drithërat e mëngjesit, ëmbëlsirat me qumësht, salcat industriale, biskotat, pijet freskuese etj., prodhohen nëpërmjet proceseve fiziko-kimike që e ndryshojnë thellësisht ushqimin origjinal. Ato shpesh përmbajnë aditivë që mungojnë në gatimin shtëpiak, siç janë emulsifikuesit, ëmbëlsuesit, përmirësuesit e shijes, konservuesit, nitritet, sheqeri invert etj. Edhe dy produkte të ngjashme mund të klasifikohen ndryshe në varësi të procesit të tyre të prodhimit.

    Rreziku i sëmundjes së Crohn u rrit me rreth 90%

    Studiuesit vunë re se njerëzit me ekspozimin më të lartë ndaj ushqimeve ultra të përpunuara kishin një rrezik afërsisht 90% më të lartë për të zhvilluar sëmundjen e Crohn-it , si dhe një rrezik në rritje të obezitetit abdominal (33%), dislipidemisë (26%), depresionit (23%), sëmundjes kronike të veshkave (22%) dhe obezitetit (21%). Vdekshmëria e përgjithshme u rrit gjithashtu me afërsisht 18%, sipas njëzet studimeve të njëpasnjëshme.

    I njëjti trend është regjistruar për sëmundjet kardiovaskulare, hipertensionin dhe diabetin e tipit 2. “Disa kancere, siç është kanceri i zorrës së trashë, duket se favorizohen gjithashtu nga ushqimet ultra të përpunuara, por lidhja nuk është vërtetuar ende me të njëjtat nivele provash”, shpjegon Mathilde Touvier, drejtoreshë e grupit të kërkimit të epidemiologjisë ushqyese në Inserm, sipas Le Monde .

    Përtej kalorive: UPF-të prishin metabolizmin

    Studiuesit shqyrtuan gjithashtu edhe pak prova klinike të disponueshme: edhe me një konsum të barabartë kalorish , ushqimet ultra të përpunuara prishin metabolizmin, shtimin në peshë, pjellorinë mashkullore dhe mekanizmat e ngopjes. Me fjalë të tjera, natyra e tyre e dëmshme nuk kufizohet vetëm te yndyrnat ose sheqeri: ato janë problematike në vetvete.

  • OSBE të zhgënjyer pas moscertifikimit të Listës serbe

    OSBE të zhgënjyer pas moscertifikimit të Listës serbe

    Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka reaguar pasi sot KQZ nuk e ka certifikuar Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Në lidhje me këtë vendim, OSBE janë shprehur të zhgënjyer dhe të shqetësuar, si dhe kanë dënuar veprimet si këto që minojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje.

    Nga OSBE kanë thënë se këto veprime përfaqësojnë një largim të qartë nga standardet zgjedhore të pranuara ndërkombëtarisht.

    “Ne jemi seriozisht të shqetësuar nga polarizimi politik në rritje brenda KQZ-së, i reflektuar në sjelljen e votimit që duket se drejtohet nga interesa partiake dhe jo nga kriteret ligjore dhe parimet demokratike. Një sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë thelbësore për një organ të pavarur të menaxhimit të zgjedhjeve. Këto veprime rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe të përforcojnë perceptimet se vendimet janë të motivuara politikisht dhe jo të udhëhequra nga drejtësia, përfshirja dhe transparenca”, thuhet në reagim.

    Misioni i OSBE-së i ka kërkuar KQZ-së dhe të gjithë aktorëve politikë që të mbështesin profesionalizmin, paanshmërinë dhe standardet demokratike, duke siguruar që zgjedhjet e 28 dhjetorit të zhvillohen plotësisht sipas praktikave më të mira ndërkombëtare të vendosura.

  • Hargreaves i shqetësuar me mos-certifikimin e Listës Serbe: Shkatërron reputacionin e fituar të Kosovës

    Hargreaves i shqetësuar me mos-certifikimin e Listës Serbe: Shkatërron reputacionin e fituar të Kosovës

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar pas refuzimit të certifikimit të Listës Serbe, për pjesëmarrje në garën e zgjedhjeve të parakohshme.

    Përmes një postimi në Facebook, Hargreaves u shpreh se veprime të tilla kërcënojnë të shkatërrojnë reputacionin e Kosovës si një demokraci multi-etnike.

    “Jam seriozisht i shqetësuar për përpjekjen e fundit nga aktorët politikë për të penguar Listën Serbe të marrë pjesë në proceset zgjedhore. Veprime të tilla kërcënojnë të shkatërrojnë reputacionin e fituar me mund të Kosovës si një demokraci multietnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë.

    Shpresoj që Paneli i Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore do ta vlerësojë përsëri kërkesën e Listës Serbe për certifikim sipas ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës” deklaroi Hargreaves.

    Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, vetëm dy vota kanë qenë për, dy kundër, ndërkaq anëtarët e tjerë kanë abstenuar, lidhur me votimin për certifikimin e Listës Serbe.

    Zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës do të mbahen më 28 dhjetor.

  • Arian Tahiri kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Arian Tahiri kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, në një intervistë ka zbuluar disa nga emrat e rinj që pritet të jenë pjesë e listës së PDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Gruda tha se edhe vetë do të rikandidojë si deputet në këto zgjedhje.

    “Po, unë do të jem sërish pjesë e listës së PDK-së për deputet,” u shpreh ai, duke zbuluar disa nga emrat e rinj që PDK pritet t’i prezentojë si pjesë të listës zgjedhore.

    “Do të ketë figura të reja, ka pasur goxha shumë interesim nga të rinj dhe personalitete të shumta që të hyjnë në listë. Shpresoj të mos na idhnohen sepse nuk mund të vendosim të gjithë, por pa dyshim do të jetë lista më e mirë në këto zgjedhje,” tha Gruda, duke përmendur edhe Arian Tahirin.

    Ndër emrat e konfirmuar, ai përmendi: Arben Mustafa – ekonomist, i doktoruar në Londër.

    Besa Kabashi – eksperte e sigurisë.

    Arian Tahiri – i cili hyn për herë të parë në garë për deputet.

    Gruda theksoi se PDK është duke përgatitur një listë “të fortë dhe profesionale”, që sipas tij do të përfaqësojë më së miri pritjet e elektoratit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.