ATV

Blog

  • Babai e gjen të birin në Kroaci pas 40 vite kërkimesh

    Babai e gjen të birin në Kroaci pas 40 vite kërkimesh

    Pas gati 40 vitesh kërkimesh, Kryqi i Kuq kroat ka arritur të ribashkojë një baba dhe një bir të ndarë plotësisht nga luftërat në Liban dhe Kroaci. Ky është një rast emocional që ka prekur punonjësit e Shërbimit të Gjurmimit të Kryqit të Kuq Kroat, i cili filloi në fund të viteve 1980, njoftoi Kryqi i Kuq.

    Babai, atëherë një student i ri që kishte jetuar në Kroaci për njëfarë kohe, u kthye në vendlindjen e tij, Libanin, pak para se vendi të përfshihej në konflikt të armatosur. Djali dhe gruaja e tij mbetën në Kroaci, e cila më pas u përfshi në Luftën për Atdheun. Në fillim, ata arritën disi të ruanin kontaktin, por ndërsa kushtet e luftës u përkeqësuan, çdo komunikim u ndërpre plotësisht.

    Për vite me radhë, vetë babai u përpoq të gjente ndonjë informacion në lidhje me të birin, duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion. Në një moment, ai madje udhëtoi për në Kroaci për ta gjetur atë, por për shkak të ndryshimit të adresës dhe kalimit të kohës, ai mbeti përsëri pa gjurmë. Megjithatë, shpresa nuk e la kurrë, njoftoi Kryqi i Kuq.

    Vetëm kur mësoi për Shërbimin e Gjurmimit të Kryqit të Kuq Kroat, ai nisi një kërkesë zyrtare. Stafi menjëherë filloi kërkimin dhe më pas erdhi lajmi që ai e kishte pritur për gati katër dekada. Shoqata e Qytetit të Kryqit të Kuq të Klanjecit konfirmoi se djali i tij ishte gjetur dhe donte të lidhej me të.

    Të nesërmen, babai u kthye në Kroaci. Ajo që pasoi ishte një takim dhe përqafim i shumëpritur dhe prekës pas pothuajse 40 vitesh ndarje. Sipas Kryqit të Kuq, të dy ishin dukshëm të prekur dhe të gëzuar që më në fund ishin në gjendje të vazhdonin ndërtimin e marrëdhënies që lufta ua kishte grabitur.

    “Do të jenë Krishtlindjet më të mira ndonjëherë”, tha djali, i cili tashmë po planifikon një udhëtim në Liban për të takuar familjen që e ka njohur vetëm nga historitë e gjithë jetës së tij. Pas takimit, babai e përfundoi me mirënjohje kërkesën e tij për kërkim, këtë herë me një rezultat që e kishte ëndërruar prej vitesh.

  • I shpallur në kërkim prej katër vitesh, arrestohet 26-vjeçari në Tiranë

    I shpallur në kërkim prej katër vitesh, arrestohet 26-vjeçari në Tiranë

    Një 26-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim prej katër vitesh është arrestuar sot nga policia. Ai është Besard Pashkaj, për të cilin gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”. Pashkaj akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

    Besard Pashkaj, 26 vjeç ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se është bashkëpuntor në ngjarjen e ndodhur më 24 korrik të vitit 2021. Ku pas një konflikti në rrugën “Todi Shkurti” në kryeqytet, Aldo Gjini plagosi Jetmir Marashin dhe Altin Gjokën.

    Në atë kohë Aldo (Iamandi) Gjini u shpall në kërkim dhe rezultoi të ishte një nga personat më të kërkuar në Europë me një dosje të gjatë kriminale. Ndërsa në kërkim u shpallën edhe Njazi Kulla dhe i arrestuari Besard Pashkaj, të cilët dyshohen si bashkëpunëtorë të autorit të ngjarjes.

  • Ish-shefi i CIA-s: Mund ta rrëzojmë Putinin me dy lëvizje

    Ish-shefi i CIA-s: Mund ta rrëzojmë Putinin me dy lëvizje

    Ish-drejtori i CIA-s dhe komandanti i forcave amerikane në Irak dhe Afganistan, gjenerali David Petraeus, beson se Perëndimi ka dy lëvizje kyçe në dispozicion për të detyruar Vladimir Putinin të përfundojë luftën në Ukrainë.

    Sipas tij, përdorimi i aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar Kievin dhe shkatërrimi i ekonomisë ruse të luftës me sanksione shtesë do të thoshte thjesht se Moska thjesht nuk do të ishte në gjendje të vazhdonte agresionin e saj, shkruan gazeta italiane Corriere della Sera.

    E para është që Evropa të përdorë 200 deri në 250 miliardë dollarë rezerva të ngrira ruse si kolateral për lëshimin e obligacioneve dhe t’i drejtojë paratë që rezultojnë në Ukrainë. “Me sisteme armësh dhe municionesh që nuk mund t’i prodhojnë vetë, siç janë ato për mbrojtje kundër raketave balistike dhe sistemi Patriot, kjo mund të shërbejë gjithashtu për të dyfishuar prodhimin e dronëve nga 3.5 milionë në 7 milionë në vit. Dhe ata mund të kapërcejnë problemet e tyre financiare dhe ekonomike për dy deri në tre vjet”, thotë Petraeus.

    Hapi i dytë: ekonomia ruse është më e brishtë nga sa mendoni: fondi i mirëqenies kombëtare do të mbetet pa para vitin e ardhshëm, sepse është devijuar në industrinë ushtarake. Ne duhet të godasim ata që mbështesin ekonominë ruse të luftës, duke blerë naftë dhe gaz dhe çipa, motorë, magnete, shumica e të cilave vijnë nga Kina.

  • Panik në Rusi, qindra vetura Porsche “u ndalën papritur dhe nuk mund të lëviznin”

    Panik në Rusi, qindra vetura Porsche “u ndalën papritur dhe nuk mund të lëviznin”

    Qindra pronarë Porsche në Rusi u përballën me një surprizë të pakëndshme të hënën, 1 dhjetor, kur makinat e tyre “u ndalën papritur dhe nuk mund të lëviznin”.

    Problemi duket se lidhet me Sistemin e Ndjekjes së Automjeteve (VTS) të Porsche, i cili aktivizon automatikisht imobilizuesin e motorit nëse humbet sinjalin satelitor.

    Modelet e prekura datojnë që nga viti 2013, dhe defektet shfaqen papritur dhe në mënyrë të paparashikueshme.

    Pronaret raportojnë që disa makina fikeshin sapo niseshin, ndërsa të tjerët arritën t’i ndezin vetëm pas heqjes së baterisë për disa orë.

    Disa kanë provuar të çaktivizojnë sistemin e alarmit për të rikuperuar funksionimin e makinës.

    Përfaqësues të Porsche në Rusi dhe qendra globale nuk kanë dhënë asnjë deklaratë zyrtare për këtë situatë.

    Spekulimet për një ndërhyrje të qëllimshme po qarkullojnë, por nuk ka prova konkrete.

    Ndërkohë, qendrat e shërbimit dhe serviset janë mbushur me makina të bllokuara, ndërsa pronarët presin një zgjidhje të sigurt.

  • Gjobë prej 280 mijë euro për dhjetë kompani sigurimesh, rritën çmimin e polisave për automjetet

    Gjobë prej 280 mijë euro për dhjetë kompani sigurimesh, rritën çmimin e polisave për automjetet

    Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka gjobitur dhjetë kompani sigurimesh me një gjobë totale prej 276.000 eurosh. Ata kanë bashkëpunuar mes vete dhe vitin e kaluar kanë rritur çmimin e regjistrimit të automjeteve, përmes rritjes së çmimit të polisës së sigurimit të detyrueshëm për automjetet. Kjo është polisa e detyrueshme që çdo pronar automjeti duhet ta paguajë gjatë regjistrimit.

    “Në procedurë është konstatuar se kompanitë e sigurimeve gjatë periudhës 01.03.2024 – 07.05.2024, kanë shkëmbyer informacione të ndjeshme, kanë koordinuar aktivitetet dhe në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër kanë marrë vendime identike ose të harmonizuara për rritjen e pjesës së premiumit për kryerjen e aktivitetit – e ashtuquajtura shtesë administrative”, thonë nga Komisioni.

    Sipas Komisionit, dhjetë kompanitë e sigurimeve kanë kryer formën më të rëndë të shkeljes së Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
    “Kjo lloj sjellje përbën kufizim të konkurrencës “qëllimisht”, pra formën më të rëndë të shkeljes sipas nenit 7 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës. Shkëmbimi i informacioneve dhe marrja e vendimeve të përbashkëta për çmimet zëvendëson politikën e pavarur të biznesit me veprim të koordinuar kolektiv në treg, gjë që është rreptësisht e ndaluar”, thonë nga Komisioni.

    Më parë, Komisioni ka konstatuar kartel edhe tek marketet. Për bashkim kartelist dhe marrëveshje çmimesh, katër zinxhirë të mëdhenj marketesh janë gjobitur me nga 50.000 euro secili, si dhe Lidhja e Odave Ekonomike me 18.000 euro. Të dy procedurat, si për marketet ashtu edhe për kompanitë e sigurimeve, Komisioni i ka nisur këtë pranverë.

  • The Athletic ka raportuar se Ronald Araujo mund të largohet nga Barcelona në 2026

    The Athletic ka raportuar se Ronald Araujo mund të largohet nga Barcelona në 2026

    Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Ronald Araujo, mund të largohet nga katalanasit në vitin 2026, sipas një raporti të fundit të gazetës The Athletic.

    Raporti nënvizon se 25-vjeçari uruguaian ka gjasa serioze për të ndryshuar ambient, ndërsa shumë klube evropiane e ndjekin me kujdes situatën e tij kontraktuale. Araujo ka qenë një nga shtyllat e mbrojtjes së Barcelonës, duke u shquar për paraqitje të qëndrueshme dhe fisnikëri në lojë.

    Kryesia e klubit dhe stafi teknik janë duke monitoruar situatën, ndërsa tifozët katalanas mbeten të shqetësuar për të ardhmen e mbrojtësit kryesor të skuadrës.

  • VV ankohet në Supreme rreth vendimit të qendrave alternative të votimit

    VV ankohet në Supreme rreth vendimit të qendrave alternative të votimit

    Lëvizja VETËVENDOSJE!, është ankuar në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e cila ditë më parë ka miratuar ankesën e LDK-së kundër hapjes së qendrave alternative të votimit në diasporë.

    Sipas VV-së, për të pamundësuar shkeljen flagrante të ushtrimit të së drejtës së votës, e në qëllim të kthimit të ligjshmërisë, Lëvizja Vetëvendosje! kërkon nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës të Anulojë Vendimin e PZAP Nr, ZP.Anr.3/2025, të datës 1 dhjetor 2025 dhe të kthejë në fuqi Vendimin e KQZ të datës 26 nëntor 2025.

    “Me datën 26 nëntor 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë Vendimin mbi qendrat e votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve dhe listën e qendrave të votimit (“Vendimi”)”, thuhet në ankesë.

    Sipas VV-së, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, parasheh votimin e shtetasve të Republikës së Kosovës jashtë vendit, konkretisht parasheh disa mënyra votimi për shtetasit e Kosovës jashtë vendit, si vijon: Votimi jashtë Kosovës organizohet nga KQZ-ja dhe votuesit mund të votojnë duke u përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit, në momentin e regjistrimit përmes platformës së KQZ-së: 3.1. fizikisht, në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësira të tyre, të cilat shndërrohen në qendra të votimit sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ-ja për adaptimin në qendra të votimit. Kjo mënyrë votimi nuk aplikohet në zgjedhje lokale; 3.2. duke dërguar fletëvotimet përmes kutisë postare të KQZ-së, në postën e Kosovës; 3.3. duke dërguar fletëvotimet përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja përmes dhe me lehtësimin e përfaqësive diplomatike, jashtë Kosovës”, shkruan në ankesë.

    Pra, në radhë të parë Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh votimin jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësira të tyre.

    “Më tutje, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme definon përfaqësi diplomatike si: ambasadë, konsullatë, mision diplomatik dhe mision konsullor, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një diplomatike. Analogjia e qendrave të votimit brenda vendit vlen edhe për hapësirat e votimit jashtë vendit. Specifikat e qendrave të votimit duhet të vlerësohen e vendosen nga KQZ në raport me mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe në funksion të përmbushjes së përgjegjësisë së KQZ-së si institucion për administrimin e zgjedhjeve për të pjesëmarrje në zgjedhje të votuesve me të drejtë vote”, thuhet në ankesë.

    Duke shtuar se Ligji për Zgjedhje jo që nuk e ndalon, përkundrazi krijon bazë të mjaftueshme për KQZ-në për të krijuar hapësira që garantojnë qasje për votuesit.

    “Edhe standardet ndërkombëtare të etabluara në opinionet e Venecias, dhe dokumentet tjera si IDEA, e afirmojnë votimin fizikisht jashtë vendit në vendvotimet e hapura për këtë synim, sikurse edhe praktikat e vendeve të shumta me infrastrukturë ligjore të njashme konfirmojnë si legjitime e të zakonshme hapjen e vendvotimeve jashtë vendit.

    VV shkruan se, përderisa KQZ ka miratuar listën e vendvotimeve të propozuar nga MPJD për sa i përket përfaqësive diplomatike jashtë vendit sipas definicionit ligjor: përfaqësi diplomatike apo hapësira të tyre, “është plotësisht e palejueshme që PZAP të veprojë në kundërshtim të plotë me autorizimet ligjore dhe, përmes një keqinterpretimi ligjor, të kufizojë të drejtën elementare të votës së qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote”, thuhet në ankesë.

  • Lëvizja Vatra bashkohet me AAK-në, Elbasan Shabani në listën për deputet

    Lëvizja Vatra bashkohet me AAK-në, Elbasan Shabani në listën për deputet

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur se në listën e saj për deputet përfshihet edhe zyrtari i Lëvizjes Vatra, Elbasan Shabani.

    Ky bashkëpunim, sipas AAK-së, synon të nxjerrë në pah çështjet e shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe të forcojë bashkëpunimin ndërkufitar dhe ndërkombëtar për të drejtat, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e komuniteteve shqiptare në rajon.

    “Shabani, banues në Gjilan, hyn në garën e 28 dhjetorit si një aktivist i njohur i kauzës së shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe një ndër figurat më të votuara të Vatrës në dy legjislaturat e fundit. Me profesion ekonomist, ai ka punuar gjatë në ndërmarrjet publike të Gjilanit dhe aktualisht është pjesë e kabinetit të Kryetarit të Komunës. Eksperienca e tij në marketing dhe promocion e bën atë një shtesë të vlefshme për listën e AAK-së”, thuhet në njoftim.

  • Igli Tare ndihmoi familjen e Shpat Kasapit – Trupi i këngëtarit u kthye në Maqedoninë e Veriut në kohë rekord

    Igli Tare ndihmoi familjen e Shpat Kasapit – Trupi i këngëtarit u kthye në Maqedoninë e Veriut në kohë rekord

    Familja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi ka njoftuar se Igli Tare, drejtori sportiv i Milanit, ka qenë personi kyç që bëri të mundur kthimin e trupit të Shpatit në Maqedoninë e Veriut brenda pak ditësh.

    Shpati ndërroi jetë në Bergamo natën e mbërritjes në Itali dhe më pas trupi i tij u transferua në Milano për analiza, obduksion dhe procedura ligjore, të cilat zakonisht zgjasin shumë. Falë ndërhyrjes personale të Tares, procesi u përmbyll në vetëm katër ditë, duke mundësuar që i ndjeri të prehej në Tetovë të dielën, më 30 nëntor.

    Vëllai i Shpatit, Albin Kasapi, shprehu mirënjohjen e familjes përmes një deklarate për Sportmania:

    “Këto janë ditë dhimbjeje të madhe për familjen tonë. Falënderojmë të gjithë ata që kanë qenë pranë nesh në këtë humbje të rëndë. Dua të shpreh falënderim publik për Igli Taren, bashkëkombësin tonë që bëri të pamundurën dhe ishte faktor kyç që trupi i Shpatit u kthye në kohë rekord në vendin tonë. Na është gjendur jashtëzakonisht shumë dhe e vlerësojmë pa masë këtë mbështetje.”

    Familja ka theksuar se ndihma e Tares ka qenë vendimtare në këto ditë të vështira, duke lehtësuar një pjesë të barrës emocionale dhe procedurale që përjetuan pas humbjes së madhe.

    Shpati Kasapi ndërroi jetë mbrëmjen e 25 nëntorit pas një arresti kardiak në Bergamo, Itali. /ATVLIVE.TV

  • Rreth 42 mijë votues nga diaspora të regjistruar deri tash për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Rreth 42 mijë votues nga diaspora të regjistruar deri tash për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se deri tani për zgjedhjet e 28 dhjetorit, kanë aplikuar rreth 42 mijë votues nga diaspora.

    Afati për regjistrim përfundon pas tri ditësh.

    Regjistrimi mund të bëhet online ose përmes postës, në kutinë postare të KQZ-së.

    Periudha e regjistrimit ka filluar nga 26 nëntori.