ATV

Blog

  • Ardon Jashari pritet të startojë për Milanin ndaj Lazios

    Ardon Jashari pritet të startojë për Milanin ndaj Lazios

    Skuadra e Milanit nesër zhvillon ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Lazios.

    Mesfushori Luka Modriç pritet të pushojë për këtë takim.

    Sipas mediave në Itali dhe Kroaci, vendin e tij në formacion pritet ta zërë Ardon Jashari, i cili më në fund mund të ketë hapësirë për të luajtur nga minuta e parë me fanellën “Kuqezi”.

    Kujtojmë se ndeshja mes Lazios dhe Milanit zhvillohet nesër nga ora 21:00, në stadiumin “Olimpico”. /ATVLIVE.TV

  • Nderohet kujtimi i Erion Kajtazit në edicionin e tretë të turneut

    Nderohet kujtimi i Erion Kajtazit në edicionin e tretë të turneut

    Në një atmosferë të mbushur me emocion dhe respekt, u hap edicioni i tretë i Turneut Përkujtimor “Erion Kajtazi”.

    Të pranishëm në ceremoninë hapëse ishin përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës, përfaqësues të institucioneve komunale dhe qeveritare, deputetë si dhe përfaqësues partiakë.

    Me fjalë rasti u drejtuan nënkryetari i FFK-së, z. Agim Dibrani, dhe drejtori i gjimnazit, z. Luan Mehmeti, të cilët rikujtuan me nderim figurën dhe trashëgiminë e Erion Kajtazit.

    Në përfundim të ceremonisë, pjesëmarrësit bënë nderime pranë shtatores së Erionit.

    Kujtojmë se Erioni vdiq në moshën 16 vjeqare, në fushën e blertë pas një arresti kardiak, në ndeshjen kundër A&N. /ATVLIVE.TV

  • “Ia fali Kosovës djalin”, Haradinaj ngushëllon familjen Vishaj për vdekjen e nënës së dëshmorit

    “Ia fali Kosovës djalin”, Haradinaj ngushëllon familjen Vishaj për vdekjen e nënës së dëshmorit

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ngushëlluar familjen e dëshmorit, Sadri Vishaj pas vdekjes së nënës së tij, Ajnes.

    Me anë të një postimi në llogarinë e tij në facebook, Haradinaj tha se ajo ia fali Kosovës, ndër luftëtarët më të zotë në Dukagjin.

    “Nëna Ajne ishte një grua fisnike shqiptare, që fëmijët e saj i brumosi në frymën kombëtare dhe patriotike. Ajo ia fali Kosovës djalin dëshmor, Sadri Vishaj, ndër luftëtarët më të zotë në Dukagjin”.

    “Bashkëndjejmë dhimbjen me familjen pas ndarjes së saj nga jeta.Ngushëllimet më të sinqerta!”, shkruan Haradinaj.

  • Biznesmeni nga veriu i Kosovës në qendër të skandalit të ndërtimit në Serbi

    Biznesmeni nga veriu i Kosovës në qendër të skandalit të ndërtimit në Serbi

    “Unë nuk mund ta fajësoj as veten, as dikë tjetër. Do të ishte shumë budallallëk. Më e rëndësishmja për mua është që të mos ketë të lënduar”, thotë për Radion Evropa e Lirë Radosh Petroviq, investitor nga veriu i Kosovës në një kantier në Kragujevc, në Serbinë qendrore.

    Të premten, më 28 nëntor, aty u shemb muri mbajtës, duke bërë që një pjesë e rrugës hyrëse në ndërtesën përkatëse të rrëshqasë në një gropë disa metra të thellë.

    Pamja e shembjes u bë virale.

    Më 2 dhjetor, Zyra e Prokurorit Publik në Kragujevc njoftoi se ka urdhëruar policinë që të kryente një hetim në vendngjarje dhe të merrte masa “me qëllim përcaktimin e të gjitha rrethanave përkatëse” dhe “ekzistencës së mundshme të elementeve të një vepre penale, për të cilën ai do të ndiqet penalisht”.

    Radosh Petroviq pranoi të fliste me Radion Evropa e Lirë dhe tha se askush nuk e kishte kontaktuar ende për këtë.

    Gazetarja e REL-it në vendngjarje – e cila ndodhet pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Gjimnazit të Dytë në Kragujevc, ku, viteve të fundit, janë ndërtuar edhe ndërtesa dhe ambiente të reja biznesi – gjeti disa punëtorë.

    Rruga që çon te Qendra e Ekselencës, një kompleks shkencor ende i papërdorur që do t’i jepet Universitetit të Kragujevcit, është shembur plotësisht gjatë ditëve të fundit, ndërsa muret e ndërtesës ndodhen vetëm disa metra larg majës së një gremine.

    Lokacioni është siguruar me shirit policor.

    Në parcelën me numër 10410-17 mund të shihet një ndërtesë që po ndërtohet nga investitori Radosh Petroviq – me gjashtë kate të ndërtuara tashmë.

    Megjithatë, sipas Regjistrit zyrtar të lejeve të ndërtimit në Serbi, asnjë leje ndërtimi nuk është lëshuar për ndërtim në këtë vendndodhje.

    Punët pa leje

    Sipas këtij regjistri, investitori “RP Invest 1980” paraqiti një kërkesë për leje ndërtimi më 17 nëntor, 2025, dhe kjo kërkesë u refuzua vetëm një ditë para se rruga të shembej pranë vendit të ndërtimit.

    Nga dokumentacioni shihet se kompania për këtë punë ka marrë në qershor të ashtuquajturat kushte lokacioni – një dokument që përbën hapin e parë në procedurën për marrjen e lejes së ndërtimit dhe mbi bazën e të cilit nuk lejohet ligjërisht të kryhet ndonjë punë ndërtimore.

    Sipas imazheve të Google Earth nga qershori i këtij viti, shihet se pastrimi i terrenit dhe gërmimi i tokës kanë filluar të paktën një muaj më parë.

    Lejen për kryerjen e punëve përgatitore, që përfshijnë vendosjen e shtyllave dhe gërmimin deri në nivelin e themelit, kompania e mori më 20 tetor të këtij viti.

    Fotografitë satelitore nga 31 tetori tregojnë se “RP Invest” deri atëherë kishte ndërtuar themelin dhe kishte filluar ngritjen e kateve.

    Ndërtesa tani ka pothuajse gjashtë kate, ndërsa Inspektorati i Ndërtimit e vizitoi kantierin për herë të parë më 21 nëntor – vetëm një javë para se muri mbajtës të shembej. Dhe, menjëherë, u urdhërua ndalimi i punimeve në kantier, për “arsye parandaluese”.

    “Na u tha që të mbledhim të dhënat, të mbledhim dokumentacionin e munguar dhe na u dha një afat prej 60 ditësh për të përgatitur dokumentacionin e mbetur. Bëhet fjalë për numrin e vendeve të parkimit, shënjimin e tyre – pra disa detaje teknike dhe me letra”, thotë Petroviq.

    Në dokumentin e refuzimit të lejes së ndërtimit theksohet se dimensionet e kateve nëntokësore nuk përputhen me kushtet e lokacionit dhe projektin urbanistik.

    Po ashtu, theksohet se “pllaka e themelit dhe muret me të gjitha shtresat nuk mund t’i kalojnë kufijtë e parcelave fqinje”.

    Pyetjes se si është e mundur që vetëm me lejen për punë përgatitore dhe gërmim të themelit të ndërtohej një ndërtesë me gjashtë kate, Petroviq i përgjigjet se gjithçka që lidhet me lejen e ndërtimit, është “vetëm çështje teknike”.

    “Më është dhënë një afat prej 60 ditësh për të dorëzuar dokumentacionin e mbetur”, thotë ai.

    REL: Si është e mundur kjo?

    “Epo, nuk është e mundur, por ja që ndodh”, thotë Petroviq.

    Për të kuptuar se si ka kaluar gjithçka pa u vënë re, Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe Inspektoratin e Ndërtimit në Kragujevc, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

    Çfarë ndërtojnë kompanitë në pronësi të Radosh Petroviqit?

    Toka pranë së cilës u shemb muri mbajtës, sipas të dhënave kadastrale, i përket kompanisë “RP Invest 1980” – pronare zyrtare e së cilës është Jellena Petroviq, gruaja e Radosh Petroviqit.

    Ajo është e regjistruar në Kragujevc për ndërtimin e ndërtesave banesore dhe jobanesore dhe, sipas të dhënave të regjistrit, ka vetëm dy punonjës.

    Vitin e kaluar, sipas të dhënave nga raportet financiare që mund të gjenden në faqen e internetit të Agjencisë së Regjistrave të Biznesit (APR) në Serbi, ajo gjeneroi të ardhura operative në shumën prej 1.8 miliard dinarësh (15 milionë euro).

    Në të njëjtën adresë ku është regjistruar kjo kompani, ndodhen edhe “Green Park Building” dhe “RP EURO Invest”, ku bashkëpronar është Radosh Petroviq.

    Sipas të dhënave të APR-së, kompania “RP Euro Invest” ka dy punonjës dhe ka realizuar të ardhura prej 8.3 milionë eurosh.

    Sipas faqes zyrtare të internetit të kompanisë “RP Invest 1980”, vetëm në Kragujevc u ndërtuan 100.000 metra katrorë ndërtesa banimi dhe komerciale nëpërmjet këtyre kompanive.

    “Cilësia më e lartë e punës së kryer, organizimi i ndërtimit dhe respektimi i afateve janë karakteristikat themelore të biznesit tonë, falë të cilave kemi fituar besimin e klientëve dhe kemi ndërtuar imazhin e një partneri të besueshëm në të gjithë vendin”, thuhet në faqen e internetit të kompanisë.

    Punët e Radosh Petroviqit në Kosovë

    Radosh Petroviq është gjithashtu bashkëpronar i kompanisë “RP Gradnja KM DOO Kosovska Mitrovica”.

    Përmes kompanisë së tij në Kragujevc, ai ka qenë kryerës i punimeve në projekte të financuara nga Qeveria e Serbisë në veri të Kosovës.

    Sipas të dhënave të Drejtorisë për Prokurime Publike të Serbisë, Petroviq ka fituar punë në tre tenderë.

    Në maj të vitit 2021 u nënshkrua një kontratë me Autoritetin e Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, i cili vepron brenda sistemit të Serbisë, dhe atij iu dha puna për ndërtimin e tridhjetë njësive të banimit, si dhe punime të tjera të mbetura në lagjen “Sunçana dollina” në Zveçan, në veri të Kosovës. Puna kishte një vlerë prej rreth 2.3 milionë eurosh.

    Të dyja punimet janë kryer në kuadër të një konsorciumi me kompaninë ndërtimore “Euro-PVC” nga Rashka në Serbi, dhe ata ishin të vetmit ofertues në tender.

    Ndërtimi i lagjes “Lugina e Diellit”, e destinuar për personat e shpërngulur nga komuniteti serb i Kosovës, nisi në vitin 2016, dhe projekti u financua nga Qeveria e Beogradit.

    Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë të paligjshëm vendbanimin e të kthyerve “Lugina e Diellit”, sepse leja e ndërtimit është lëshuar vetëm nga autoritetet serbe, përkatësisht Autoriteti i Përkohshëm Komunal i Zveçanit, i cili për Prishtinën zyrtare është një institucion paralel dhe i paligjshëm.

    Për shkak të “ndërtimit të paligjshëm” të kësaj lagjeje është iniciuar edhe një proces gjyqësor, por ai është ndërprerë në vitin 2021 për arsye të kalimit të afatit të parashikuar ligjor.

    Autoritetet e Kosovës, ndërkohë, kanë ndaluar punimet për ndërtimin e rrugëve në lagjen “Lugina e Diellit”, me arsyetimin se ndërmarrësit e punimeve nuk kanë pasur lejen e institucioneve përkatëse.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se puna në këtë vendbanim nuk mund të vazhdojë derisa prokurori të vendosë ndryshe.

    REL-i kontaktoi Zyrën e Prokurorit të Mitrovicës për ta pyetur nëse hetimi për ndërtimin e vendbanimit “Lugina e Diellit” është rihapur, por nuk mori përgjigje.

    Disa familje janë zhvendosur tashmë në këtë vendbanim, megjithëse nuk ka përfunduar plotësisht.

    Një ndërtesë në vendin ku u shemb rruga, e cila ishte ndërtuar pa leje ndërtimi, 2 tetor 2025.

    Guri i themelit për ndërtimin e fazës së parë të hotelit brenda kompleksit “Rajska Banja” në territorin e komunës së Zveçanit, u vendos në vitin 2020, në praninë e përfaqësuesve të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

    Por, në dhjetor të vitit 2023, Agjencia e Kosovës për Privatizim e mori kontrollin e “Rajska Banja”-s, duke pretenduar se toka në të cilën ndodhet kompleksi turistik, është në pronësi të kompanisë “Trepça Standard” nga Mitrovica e Veriut, e cila është nën administrimin e saj.

    “Në ‘Mitrovicën e Kosovës’ kam ndërtuar mbi 700 njësi banimi dhe afariste në pronësi private, të cilat i kam realizuar si investitor. Po ashtu, kam marrë pjesë në disa tenderë në vitin 2021”, shpjegon Petroviq.

    Arrestimi për shkak të trazirave në Zveçan

    Radosh Petroviq u arrestua më 29 maj të vitit 2023 në Zveçan, në veri të Kosovës, gjatë përleshjeve mes një grupi serbësh dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

    Një muaj më vonë, ai u lirua për t’u mbrojtur nga liria.

    Në shkurt të vitit 2024 arriti një marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë “për pjesëmarrje në turmat që kryen vepra penale ose huliganizëm”.

    Këtë e konfirmoi për gazetarët përpara Gjykatës Themelore në Prishtinë avokati Asdren Hoxha, duke shtuar se, më herët, i janë hequr tri akuza të tjera me të cilat ishte ngarkuar: “bashkim për veprim të jashtëligjshëm me qëllim sulmi ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj një zyrtari shtetëror”.

    “Gjykata e pranoi atë për të cilën kemi rënë dakord. Sa i përket Radosh Petroviqit, bëhet fjalë për dënim gjashtëmujor me burg, që është kthyer në gjobë”, shpjegoi avokati Hoxha.

    Hedhja e fajit mes autoriteteve dhe investitorëve

    Shembja e murit mbajtës dhe e një pjese të rrugës ndodhi të premten në mëngjes, kur në lokacionin e Qendrës së Ekselencës dhe në kantierin fqinj nuk kishte njerëz.

    Kompania ndërtimore “Inobaçka”, e cila kishte kryer punimet në Qendrën e Ekselencës, menjëherë pas aksidentit njoftoi se kishte përfunduar ndërtimin që një vit e gjysmë më parë, se gjithçka ishte bërë sipas rregullave dhe se për objektin ishte lëshuar leja e përdorimit.

    “Rruga hyrëse është përdorur gjatë gjithë kësaj periudhe dhe ka qenë në gjendje të qëndrueshme dhe të sigurt, derisa punimet në objektin fqinj nuk e dëmtuan stabilitetin e saj”, thuhet në faqen e kompanisë “Inobaçka”.

    Në ditën e aksidentit, kompania tha se i ka paralajmëruar disa herë inspektoratet përgjegjëse për rrezikun që paraqisnin punimet në parcelën fqinje.

    Megjithatë, këto pretendime u kundërshtuan nga Administrata e Qytetit të Kragujevcit, e cila deklaroi se nuk ishte dorëzuar asnjë paralajmërim për rreziqet dhe se shembja ndodhi për shkak të reshjeve të dendura.

    “Bazuar në faktet e vërtetuara, është marrë një vendim sipas të cilit investitori është urdhëruar që t’i ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme për shmangien e pasojave dhe për kryerjen e punimeve që parandalojnë shembjet e mëtejshme”, thuhet në faqen e qytetit të Kragujevcit.

    Radosh Petroviq pohon se të gjitha ndërtesat përreth kantierit janë të sigurta.

    “Unë kam marrë përsipër të punoj me një ekip ekspertësh për sanimin e situatës dhe jemi afër përfundimit. Brenda katër ditëve do të përfundojmë një pjesë të madhe të punës, ku do të jemi 100% të sigurt për parandalimin e shembjeve të mëtejshme”, deklaroi Radosh Petroviq për Radion Evropa e Lirë më 2 dhjetor. /REL/

  • Barcelona konfirmon: Eric García do të rinovojë deri në 2030!

    Barcelona konfirmon: Eric García do të rinovojë deri në 2030!

    Barcelona është gati të zyrtarizojë rinovimin e kontratës së mbrojtësit spanjoll Eric García, një marrëveshje që do ta mbajë atë në Camp Nou deri në vitin 2030. Sipas burimeve të brendshme të klubit, është arritur një marrëveshje verbale dhe dokumentet ligjore do të shkëmbehen gjatë këtij dhe javës së ardhshme, duke bërë të mundur firmosjen e kontratës brenda muajit.

    Drejtori i Barcelonës, Deco, konfirmoi lajmin duke thënë: “Ai do të nënshkruajë së shpejti”. Ky hap vjen si pjesë e strategjisë së klubit për të siguruar elementë kyç në mbrojtje dhe për të ndërtuar një skuadër konkurruese për dekadën e ardhshme.

    Eric García ka qenë një nga shtyllat e mbrojtjes së Barcelonës dhe performancat e tij të qëndrueshme e kanë bërë të paçmueshëm për klubin. Rinovimi i kontratës deri në 2030 tregon besimin e klubit tek ai dhe përkushtimin për të ruajtur talentet kyçe në skuadër.

    Fansat katalanas mund të presin firmosjen zyrtare shumë shpejt, duke i dhënë fund spekulimeve mbi të ardhmen e mbrojtësit.

  • Bashkimi Evropian i bën thirrje KPK-së të zbatojë plotësisht reformën

    Bashkimi Evropian i bën thirrje KPK-së të zbatojë plotësisht reformën

    Zyra e Bashkimit Evropian u ka bërë thirrje gjithë anëtarëve që sa bashku të zbatojnë reformën në Këshillin Prokurorial.

    Kjo është bërë në një takim që është zhvilluar me anëtarët e KPK-së.

    Nga kjo zyrë kanë thënë se sundimi i ligjit është “parakusht thelbësor i BE-së”.

    “Në një takim me Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja në Kosovë u bëri thirrje sot të gjithë anëtarëve të saj që të zbatojnë së bashku dhe plotësisht reformën e KPK-së, të sigurojnë ligjshmërinë e vendimeve të tyre, të veprojnë me integritet dhe të ruajnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”, thuhet nga Zyra e BE-së.

    Ish-ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu ka akuzuar KPK për bllokim të reformës, duke e cilësuar si të kapur.

    Edhe shoqëria civile ka akuzuar disa anëtarë të KPK-së që me veprimet e tyre po bllokojnë procesin e reformës.

  • Mbrojtja e Thaçit dhe e Krasniqit s’kanë më prova e dëshmitarë, gjykimi drejt fundit

    Mbrojtja e Thaçit dhe e Krasniqit s’kanë më prova e dëshmitarë, gjykimi drejt fundit

    Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së, tashmë janë në fazën e fundit.

    Edhe zyrtarisht, mbrojtjet e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit e kanë njoftuar trupin gjykues në Speciale, se po i mbyllin çështjet e tyre. Pra, nuk ka më dëshmitarë e as prova.

    Në parashtresat e publikuara, të cilat i ka parë Nacionale specifikohet se më nuk ka asnjë dokument që do të paraqitet.

    “Në përputhje me urdhrin e trupit gjykues, mbrojtja e Z. Hashim Thaçi konfirmon me anë të kësaj se, në këtë fazë, nuk ka më dëshmitarë për t’u thirrur dhe asnjë material tjetër provues për t’u paraqitur si pjesë e çështjes së mbrojtjes. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores, mbrojtja e mbyll çështjen e saj. Megjithatë, ky njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që mbrojtja mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para trupit hjykues”, thuhet në parashtresë.

    Ngjashëm, thuhet edhe në parashtresën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

    “Mbrojtja e Jakup Krasniqit nuk ka ndërmend të thërrasë më shumë dëshmitarë ose të paraqesë ndonjë material tjetër provues si pjesë të çështjes së saj. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores dhe urdhrin e trupit gjykues, mbrojtja e Krasniqit me anë të kësaj mbyll çështjen e saj. Ky Njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që mbrojtja e Krasniqit mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para trupit gjykues”, thuhet në parashtresë.

    Ky vendim vjen pas refuzimit të shtimit të Bislim Zyrapit në listën e dëshmitarëve.

    Në seancën e fundit, mbrojtja e krerëve të UÇK-së dhe prokuroria, kërkuan disa ndryshime në afatet që ishin dhënë paraprakisht nga gjyqtarët.

    Ato përfshinin afatet për dosjen përfundimtare, fjalën finale që do të afektonte edhe dhënien e vendimit.

    Prokuroria dhe mbrojtja kërkuan që të kenë kohë deri më 30 janar për dorëzimin e dosjeve përfundimtare, kurse 45 ditë pas kësaj, të jepen fjalët finale. Çka i bie deri në mesin e muajit mars, të jepen fjalët përfundimtare.

    Megjithatë, Gjykata Speciale nuk e aprovoi krejt kërkesën.

    Bazuar në vendimin e fundit, Gjykata Speciale ka vendosur që dosjet përfundimtare të dorëzohen deri më 19 janar. Kurse, fjalët finale të jepen prej 9 deri më 13 shkurt.

    Si rezultat, pas dhënies së fjalëve përfundimtare, gjyqtarët kanë kohë të paktën 3 muaj për dhënien e vendimit.

    Pra, vendimi në shkallën e parë për Thaçin e të tjerët pritet në fundin e muajit maj, ose më së largu deri në fillimin e qershorit.

  • Gol nga Gjimshiti – Atalanta në avantazh në Kupën e Italisë

    Gol nga Gjimshiti – Atalanta në avantazh në Kupën e Italisë

    Skuadra e Atalantës po luan ndaj Genoas në ndeshjen e vlefshme për 1/8 e finales së Kupës së Italisë.

    Golin e epërsisë, për 1:0, e shënoi mbrojtësi shqiptar Berat Gjimshiti, i cili realizoi në minutën e 19-të pas një asistimi nga Zalewski.

    Ndeshja ka filluar nga ora 15:00. /ATVLIVE.TV

  • Oficerët serbë bojkotuan një ceremoni të Forcave të Armatosura të Bosnjës – për shkak të përfaqësuesve nga Kosova

    Oficerët serbë bojkotuan një ceremoni të Forcave të Armatosura të Bosnjës – për shkak të përfaqësuesve nga Kosova

    Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës nga radhët e popullit serb nuk kanë marrë pjesë të martën në akademinë ceremoniale me rastin e 20-vjetorit të Ditës së Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila u mbajt në Shtëpinë e Forcave të Armatosura në Sarajevë.

    Dhe siç është konfirmuar për Klix.ba, përcjell Telegrafi, arsyeja e mungesës së tyre ishte prania e delegacioneve nga konferenca A-5, konkretisht përfaqësuesve të Kosovës.

    Sipas mediumit në fjalë, Shefi i Shtabit të Përbashkët Gojko Knezheviq, si dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Aleksandar Goganoviq, nuk morën pjesë në ceremoni.

    Në pjesën zyrtare të programit, ministri i Mbrojtjes i Bosnjë e Hercegovinës, Zukan Helez ka thënë se “20 vitet e ekzistencës së Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës përfaqësojnë shembullin më të mirë të reformave të suksesshme pas Dejtonit dhe provën se një shtet i përbashkët mund të funksionojë kur forcimi i institucioneve është një qëllim i përbashkët”.

    “Kjo është një histori për guximin, përgjegjësinë dhe besimin në një të ardhme të përbashkët”, ka thënë Helez, duke falënderuar selinë e NATO-s në Sarajevë, EUFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre në modernizimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Ndërsa Denis Beçiroviq, anëtar i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, iu drejtua të pranishmëve dhe theksoi se zhvillimi dy-dekadësh i Forcave të Armatosura ndërtoi besueshmërinë e tyre si brenda vendit ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.

  • Doganierët zbulojnë 900 copa mall të padeklaruar në një automjet në Vërmicë

    Doganierët zbulojnë 900 copa mall të padeklaruar në një automjet në Vërmicë

    Zyrtarët doganorë në pikën kufitare në Vërmicë gjatë kontrollit të një automjeti kanë zbuluar një sasi të konsiderueshëm mallrash të padeklaruar.

    Mallrat e padeklaruara sipas Doganës kanë qenë në pako të ndryshme, në bagazh dhe në ulëset e pasme të veturës.

    Sipas Doganës, mallrat kanë përfshirë çanta krahu për femra dhe panatolla për meshkuj, gjithësej 900 copa.

    “Mallrat përfshinin çanta krahu për femra dhe pantallona për meshkuj, rreth 900 copë gjithsej, për të cilat pala nuk kishte paraqitur faturë apo ndonjë dokument tjetër përcjellës. Ndaj palës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore sipas KDAK-së, ndërsa malli është ndaluar deri në përfundimin e procedurave përkatëse. Dogana e Kosovës vazhdon me përkushtim zbatimin e ligjit dhe kryerjen e kontrolleve në pikat kufitare, me qëllim të parandalimit të kontrabandës dhe mbrojtjes së interesave ekonomike të vendit”, thuhet në njoftimin e Doganës.