ATV

Blog

  • Lionel Messi me fjalë të mëdha për Pep Guardiolën

    Lionel Messi me fjalë të mëdha për Pep Guardiolën

    Ylli argjentinas Lionel Messi ka thënë disa fjalë për trajnerin spanjoll Pep Guardiola.

    Messi ka folur fjalë të mëdha për trajnerin e Man.City-it,duke thënë se Guardiola është unik.

    “Për mua është unik. Ka trajnerë jashtëzakonisht të mirë, por ai ka diçka të ndryshme. Për mua është më i miri nga të gjithë. Për mënyrën se si i shikon gjërat, përgatit ndeshjet, transmeton idetë te lojtarët… është shumë i plotë. Shkoi edhe diku tjetër dhe vazhdoi të fitojë. Jo vetëm fitoi, por ndikoi në mënyrë spektakolare mënyrën e lojës së ekipeve të tij”

    Përndryshe Messi foli edhe për shanset e Argjentinës në Kupën e Botës 2026,duke thënë se do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur titullin e kampionit të botës.

    Kujtojmë që Lionel Messi kishte punuar me Pep Guardiolën tek Barcelona,ku ka fituar të gjitha trofetë e mundshme me katalunasit.

  • Declan Rice i gatshëm për ndeshjen e Aston Villas pas lëndimit të mbrëmshëm, konfirmon Arteta!

    Declan Rice i gatshëm për ndeshjen e Aston Villas pas lëndimit të mbrëmshëm, konfirmon Arteta!

    Pas shqetësimit të shkaktuar nga një lëndim në ndeshjen e fundit, Declan Rice pritet të jetë i disponueshëm për sfidën e radhës të Arsenalit ndaj Aston Villas këtë të shtunë.

    Trajneri Mikel Arteta konfirmoi pas ndeshjes se mesfushori nuk mund të luante mbrëmë, por shtoi se rikuperimi i tij është i sigurt:

    “Ai nuk mund të luante, por do të rikuperohet 100% për të shtunën.”

    Nga ana e tij, Rice dërgoi një mesazh qetësues për tifozët:

    “Jam mirë, do të jem gati dhe i disponueshëm për ndeshjen.”

    Kthimi i tij vjen si një lajm i mirë për Arsenalin, i cili do të ketë në dispozicion një nga lojtarët kryesorë për përballjen e rëndësishme këtë fundjavë.

  • Nazif Muslija nga Maqedonia kërkohet nga policia italiane pasi gruaja iu gjet e vdekur në dhomën e gjumit në Ankona

    Nazif Muslija nga Maqedonia kërkohet nga policia italiane pasi gruaja iu gjet e vdekur në dhomën e gjumit në Ankona

    Kërkimet e policisë italiane po vazhdojnë ende për Nazif Muslijajn një 50-vjeçar me origjinë nga Maqedonia e Veriut, i cili është kërkuar që nga dje, pasi trupi i pajetë i gruas së tij u gjet në dhomën e tyre të gjumit në Pianello di Monte Roberto, në provincën e Ankonës.

    Karabinierët janë në gjurmët e tij, kërkimi i të cilit vazhdon vazhdimisht.

    Siç raporton Rai News, Nazif Muslija, ishte punëtor në një kompani lokale dritaresh dhe dyersh dhe ishte arrestuar prillin e kaluar për keqtrajtim.

    Gruaja e tij, Saxhide Muslija, 49 vjeçare, ishte e punësuar si punëtore në një kompani paketimi, dhe punëdhënësi i saj, kur ajo nuk u paraqit në punë dje, ngriti alarmin.

    Çifti ka një djalë 30-vjeçar, të martuar dhe që jeton në Zvicër.

    Foto e publikuar nga mediat italiane:

  • KQZ mblidhet sërish sot, ky është rendi i ditës

    KQZ mblidhet sërish sot, ky është rendi i ditës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sërish sot për përgatitjet mbi zgjedhjet e 28 dhjetorit, shkruan Reporteri.net.

    Fillimisht do të bëhet certifikimi i rezultateve përfundimtare për Kuvendin Komunal në Istog, për zgjedhjet e 12 tetorit.

    Pastaj janë pikat për zgjedhjet e dhjetorit:

    -Shqyrtimi dhe miratimi i Procedurës së votimit dhe numërimit në vendvotim;

    – Shqyrtimi dhe miratimi i Procedurës së Qendrës Komunale të Numërimit;

    – Shqyrtimi dhe miratimi i korikulës së trajnimit “Trajnimi i trajnerëve”.

    – Shqyrtimi dhe miratimi i programit të trajnimit për trupat menaxhuese të zgjedhjeve dhe stafin zgjedhor për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 28.12.2025;

    Mbledhja do të mbahet në orën 15:00.

  • Sa kafe duhet të pimë në ditë?

    Sa kafe duhet të pimë në ditë?

    Gjatë shekullit të 17-të, pirja e kafesë dënohej me vdekje. Në atë kohë, besohej se kishte efekte që ndryshonin mendjen. Për fat të mirë, tani ne mund të pimë kafe sa të duam, dhe shumëllojshmëria e përbërjeve që përmban është provuar se ndihmojnë shëndetin tonë.

    Por ende ka shumë diskutime rreth asaj se sa kafe është e sigurt për të pirë gjatë një dite. Por sa filxhanë kafe janë të mirë për trupin tonë dhe sa janë më shumë seç duhet.

    Sasia e duhur e kafesë ndihmon zemrën tuaj.

    Një grup shkencëtarësh nga Gjermania kanë zbuluar se kafeina bën që qelizat në enët tona të gjakut të reagojnë në një mënyrë të caktuar. Përmirëson mënyrën e funksionimit të këtyre qelizave dhe i bën ato të performojnë si më të reja. Studiuesit besojnë se sasia optimale e kafesë që na duhet për ta mbajtur zemrën më të re për më gjatë është 4 filxhanë në ditë.

    Konsumatorët e kafesë jetojnë më gjatë.

    Gjatë viteve, studiuesit kanë vërejtur se konsumuesit e rregullt të kafesë kanë më pak të ngjarë të preken nga kushte të ndryshme shëndetësore. Lista përfshin sëmundjet e zemrës, goditjet në tru, lëndimet, sëmundjet e frymëmarrjes, infeksionet dhe diabetin.

    Një studim masiv i 400,000 njerëzve në SHBA. zbuloi se njerëzit që pinë kafe çdo ditë kishin më pak të ngjarë të vdisnin nga ndonjë shkak sesa njerëzit që ndërpresin kafeinën.

    Por mos e teproni!

    Njerëzit që pinë rregullisht shumë kafe mund të pësojnë disa ndërlikime shëndetësore. Pirja e më shumë se 6 filxhanëve ekspres çdo ditë mund të rrisë rrezikun e sëmundjes së zemrës deri në 22%, sipas një studimi.

    Çfarë e bën kafenë tuaj jo të shëndetshme?

    Nëse jeni duke pirë më shumë se 6 filxhanë kafe në ditë, nuk është vetëm kafeina që mund të jetë e dëmshme për shëndetin tuaj. Shumë adhurues të kafesë ngarkojnë pijet e tyre me sheqer dhe krem ​​që shtojnë kalori dhe yndyrë, të cilat nga ana tjetër mund të shkaktojnë komplikacione të mundshme shëndetësore.

    Është e vërtetë që sasia e duhur e kafesë së zezë zvogëlon rrezikun e diabetit, por, duke shtuar ëmbëlsues, krem ​​dhe aromatizues mund të rrisni nivelet e sheqerit në gjak.

    Duhet të keni parasysh që kafeja nuk është burimi i vetëm i kafeinës. Mund të gjendet gjithashtu në çajra dhe ushqime të tjera.

  • Haradinaj prezanton Burim Ramadanin si kandidat për deputet

    Haradinaj prezanton Burim Ramadanin si kandidat për deputet

    Analisti i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani është rikthyer në AAK.

    Përmes një njoftimi në Facebook, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se Burim Ramadani do të garojë për deputet të Kuvendit të Kosovës në listën e AAK-së.

    Haradinaj ka mirëpritur kandidimin e tij, duke e cilësuar si një nevojë për Kosovën.

    Haradinaj e ka cilësuar Ramadanin si “mendje të kthjellët që punon për sigurinë e shtetit” dhe si një ndër profesionistët më të përgatitur që ai njeh. Sipas tij, integriteti dhe përvoja e Ramadanit e bëjnë atë “një vlerë të veçantë për Kosovën”.

  • Skandali i korrupsionit që tronditi Brukselin – çfarë bashkëpunimi kishte Mogherini me institucionet e Serbisë?

    Skandali i korrupsionit që tronditi Brukselin – çfarë bashkëpunimi kishte Mogherini me institucionet e Serbisë?

    Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, është në qendër të një prej skandaleve më të mëdha kundër korrupsionit në institucionet e BE-së në dekadën e fundit.

    Prokuroria belge edhe zyrtarisht e ka akuzar për mashtrime procedurale, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit zyrtar, në lidhje me tenderin për trajnimin e diplomatëve të rinj në kuadër të EU Diplomatic Academy – akademisë që drejtohej nga College of Europe, raporton nova.rs.

    Akademia filloi si një pilot projekt më 2022 për të bashkuar trajnime për diplomatë, zyrtarë të institucioneve evropiane dhe ekspertë nga vendet kandidate; por tani, faza e institucionalizimit të saj po vlerësohet me dyshime serioze – prokuroria heton nëse tenderi ishte i manipuluar për t’i favorizuar College of Europe.

    Në Serbi, vëmendje të veçantë ngjalli fakti se vetëm pak muaj përpara arrestimit të ish-lehtësuesja e dialogut Kosovë-Serbi, ajo kishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Telekom Serbia.

    Bashkëpunimi i tyre filloi në vitin 2023 me nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi midis Mogherinit dhe Vladimir Luçiqit. Telekomi siguroi bursa për studentët serbë që dëshirojnë të ndjekin programet pasdiplomike në Akademinë Diplomatike në Bryzh dhe Tiranë. Financimi përfshinte shkollimin, qëndrimin dhe aktivitetet akademike, dhe programi u paraqit si pjesë e kontributit strategjik për integrimin evropian të Serbisë.

    Në janar të vitit 2025, gjatë një takimi në Bruksel, u ra dakord që Telekomi të siguronte edhe dhjetë bursa të tjera, gjë që u paraqit si “investimi më i madh i Telekomit në programet evropiane arsimore deri më tani”.

    Pas arrestimit të Mogherinit, shtrohet edhe pyetja: a do ta përfshijë hetimi edhe natyrën e marrëdhënies së saj me Telekom Srbija, veçanërisht duke pasur parasysh se ky program ishte një nga partneritetet arsimore më të promovuara të kompanisë shtetërore serbe jashtë vendit? Edhe pse aktualisht nuk ka indikacione formale që Telekomi të jetë pjesë e hetimit, fakti që Mogherini pak para shpërthimit të aferës e zgjeroi bashkëpunimin me kompaninë shtetërore serbe, hap hapësirë për pyetje të reja.

    Në nëntor të vitit 2024, Mogerini qëndroi në një vizitë dyditore në Beograd, ku promovoi programet e Kolegjit të Evropës dhe u takua me presidentin, Aleksandar Vuçiq.

    Gjatë kësaj vizite ajo dërgoi disa mesazhe politike, përfshirë edhe komentin se “ata që festojnë fitoren e Donald Trump do ta kuptojnë shumë shpejt se nuk do ta kenë të lehtë”.

    Takimin me Vuçiqin e pranoi edhe Vladimir Luçiq, gjë që tregon më tej intensitetin e partneritetit mes Kolegjit dhe Telekomit.

  • Lushtaku komenton rikthimin e Lladrovcit në PDK: Personalisht nuk e konsideroj pjesë të partisë

    Lushtaku komenton rikthimin e Lladrovcit në PDK: Personalisht nuk e konsideroj pjesë të partisë

    Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka folur edhe për zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike të Kosovës, përfshirë rikthimin e Ramiz Lladrovcit në këtë subjekt politik.

    Ky vendim ka ngjallur reagime brenda degëve lokale dhe ka hapur debat për konsolidimin e PDK-së në prag të procesit të ri politik në vend.

    I pyetur pas betimit të tij për mandatin e ri, Lushtaku deklaroi hapur se qëndrimi i tij personal në lidhje me Lladrovcin mbetet i pandryshuar, pavarësisht vendimit zyrtar të partisë për ta rikthyer atë në strukturat e saj.

    “Mendimet asnjëherë nuk i ndryshoj. Për mua, Lladrovci nuk është PDK, por unë i respektoj vendimet e kryetarit dhe kryesisë së partisë”, tha Lushtaku, duke nënvizuar se dallimet e tij me Lladrovcin janë të njohura dhe nuk kanë ndryshuar me kalimin e viteve, përcjell Telegrafi.

    Ai shtoi se, pavarësisht rezervave personale, është i gatshëm të respektojë hierarkinë e partisë dhe vendimmarrjen kolektive, duke sinjalizuar se nuk do të krijojë tensione të reja brenda degës së Skenderajt.

    Deklaratat e Lushtakut vijnë në një moment kur PDK-ja po tenton të paraqitet e unifikuar para opinionit publik, ndërsa rikthimi i disa figurave të vjetra është parë si përpjekje për forcimin e partisë. Megjithatë, vërehet se dinamika e brendshme vazhdon të jetë e ndjeshme, sidomos në zonat ku figurat politike kanë histori të gjata rivalitetesh.

    Me këtë qëndrim, Lushtaku la të kuptohet se edhe pse është i gatshëm të punojë në kuadër të vendimeve zyrtare, distanca e tij politike ndaj Lladrovcit mbetet e qartë.

  • Adriana Matoshi për deklaratat e Sami Lushtakut: As që jam e interesuar t’i komentoj

    Adriana Matoshi për deklaratat e Sami Lushtakut: As që jam e interesuar t’i komentoj

    Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi nuk ka dashtë ta komentojë deklaratën të cilën e bëri Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku kundrejt saj që sipas tij “Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike”.

    Matoshi për Ekonomia Onlien tha se nuk ka interesim për ta komentuar.

    “As që jam e interesuar të jap ndonjë koment”, tha shkurt Matoshi.

    Ndërsa Lushtaku pas betimit të tij si Kryetar tha se “Ajo është niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike, e jo si një deputete që ka përgjegjësi për fjalën që flet me qytetarët. Prandaj, mendoj se edhe zonja Matoshi edhe do zonja tjera duhet të kenë kujdes se çka flasin sepse mendoj se fjala e tyre është bajagi me peshë”.

    Lushtaku i drejtohet Adriana Matoshit: Niveli i saj, sikur kur del prej një shtëpie publike e jo si një deputete që ka përgjegjësi

  • Durmishi: Nga e hëna fillojmë mirëmbajtjen dhe sanimin e gropave në të gjitha rrugët

    Durmishi: Nga e hëna fillojmë mirëmbajtjen dhe sanimin e gropave në të gjitha rrugët

    Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se nga e hëna do të fillohet me mirëmbajtjen dhe sanimin e gropave në të gjitha rrugët që është në kompetencës e Ministrisë që drejton ai, gjithashtu njoftoi se tashmë janë përgatitur për sezonin e dimrit.

    Në një njoftim në rrjetet sociale, Durmishi bëri të ditur takimin së bashku me drejtorin e Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve, Qamil Feka, dhe me menaxherët e kontratave të mirëmbajtjes dhe me punëkryesit. Në takim morën pjesë, gjithashtu, edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, nga Departamenti për Menaxhimin e Trafikut Rrugor, Jeton Rexhepi.

    Ai shtoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është kyç për më shumë siguri në rrugë dhe qarkullim më të lehtë.

    “Nga e hëna fillojmë mirëmbajtjen dhe sanimin e gropave në të gjitha rrugët që janë në kompetencë të Ministrisë sonë. Përveç sanimit të gropave, njoftojmë edhe një herë qytetarët se jemi të përgatitur për sezonën e dimrit. Kujdesi i shtuar në komunikacion mbetet gjithmonë i nevojshëm”, ka shkruar Durmishi.