ATV

Blog

  • Dosja e Prokurorisë për sulmin në Ibër Lepenc: Të akuzuarit vendosën eksploziv, njëri mblodhi edhe informata për Shërbimin Ushtarak të Serbisë

    Dosja e Prokurorisë për sulmin në Ibër Lepenc: Të akuzuarit vendosën eksploziv, njëri mblodhi edhe informata për Shërbimin Ushtarak të Serbisë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë që ka publikuar “Betimi për Drejtësi”, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

    Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

    Këtë, sipas PSRK-së e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër Lepenc”.

    E kjo, në aktakuzë thuhet se kishte shkaktuar ndërprerje furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore te Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.

    Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

    Kështu, ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129. par.1 dhe neni 128, par.1, nënpar.1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u janë gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.

    “Si armë të llojit kallashnikov A-47, një numër të granatave të dorës BRM 75 dhe zolla, 500 fishekë 7.9 mm dhe 363 fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikator të shumtë të armës AK 47 dhe pjesë te tyre, thika për armë të gjata, karikator pushke, mekanizëm për mbushjen e fishekëve të pushkës së gjuetisë MK-16, pushkë gjuetie, thike me këllëf, radiolidhje të shumta për përdorim ushtarak, maska, uniforma te shumta ushtarake të vendeve të ndryshme si ato të Serbisë, Rusisë dhe te shteteve tjera, helmeta dhe gjësende tjera te kundërligjshme”, përshkruhet në aktakuzë.

    Të gjitha këto, thuhet se janë sekuestruar nga Polica në vendin e ngjarjes.

    Me këtë, ata ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penlae “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

    Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

    Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.

    “Në kuadër te dokumentacioneve, që i pandehuri i ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij inkriminuese, janë edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh i përpiluar nga KFOR-i, për nevojat e operacioneve të tyre në terren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale Policore të Kosovës në Jasenovik që gjendet në Komunën e Zubin Potokut”, përshkruhet tutje në aktakuzë.

    Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Me këto veprime, Prokuroria në aktakuzë vlerëson se tani i akuzuari seriozisht e ka dëmtuar rendin juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, si dhe ushtarëve te KFOR-it.

    Kështu, ai akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 5 lidhur me par. 4 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

    Ndërsa, Igor Dimoviq, në pikën 4 të aktakuzës, akuzohet se nga data e pacaktuar deri më 30 nëntor 2024, rreth orës 6:30 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me konkretisht në shtëpinë e tij, me rastin e kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa unifiroma ushtarake, të cilat janë sekuestruar nga Policia në vendin e ngjarjes.

    Me këto veprime, Dimoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

  • Aeroplani ushtarak gjerman s’po mund të aterojë në Prishtinë, devijon rrugën për në Shkup

    Aeroplani ushtarak gjerman s’po mund të aterojë në Prishtinë, devijon rrugën për në Shkup

    Një aeroplan ushtarak gjerman, i cili ishte nisur nga Berlini, nuk po mund të aterojë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

    Gjurmuesi i fluturimeve, “Flightradar24”, tregon se aeroplani i ushtrisë gjermane është nisur në orën 8:40 të mëngjesit.

    Sipas asaj që shihet, fluturakja ushtarake e ka devijuar rrugën për në Shkup.

  • Romelu Lukaku gati për rikthim te Napoli, debutim i tijë pritet të ndodh shumë shpejt!

    Romelu Lukaku gati për rikthim te Napoli, debutim i tijë pritet të ndodh shumë shpejt!

    Sulmuesi belg Romelu Lukaku po afrohet drejt rikthimit në fushë pas ndërhyrjes kirurgjikale në këmb që e mbajti jashtë për disa muaj. Lukaku zhvilloi sot një seancë stërvitore individuale dhe u përshëndet shkurtimisht me gazetarët, duke thënë: “Shihemi së shpejti”.

    Ylli i Napolit pritet të rikthehet në lojë para fundit të muajit dhe mund të debutojë në sezonin 2025–26 të Serie A kundër Udineses ose në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë ndaj Milanit. Ai nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e së nesërmes në Ligën e Kampionëve ndaj Benficas, por sipas mediave italiane, mund të grumbullohet për njërën nga dy ndeshjet e ardhshme.

    Lukaku u detyrua të operohej pas një dëmtimi serioz të këmbës gjatë një miqësoreje verore, gjë që çoi Napolin të aktivizonte Rasmus Hojlund nga Manchester United, duke kompletuar sulmin e skuadrës së re, ku më herët ishte transferuar edhe Lorenzo Lucca.

    Në sezonin e tij të parë me Napolin, 2024–25, Lukaku shënoi 14 gola në 38 paraqitje, duke kontribuar në fitimin e Scudettos dhe duke u bërë një nga elementët kyç të skuadrës. Rikthimi i tij pritet të rrisë ndjeshëm forcën sulmuese të Napolit në këtë sezon.

  • Barcelona i jep leje Araujos për vizitë shpirtërore në Tel Aviv

    Barcelona i jep leje Araujos për vizitë shpirtërore në Tel Aviv

    Mbrojtësi i Barcelonës, Ronald Araujo, ka udhëtuar drejt Tel Avivit për një vizitë me karakter shpirtëror, pasi paraprakisht ka marrë miratimin e klubit katalanas.

    Lajmi është konfirmuar nga burime pranë lojtarit, ndërsa udhëtimi vjen në një periudhë delikate për uruguaianin, i cili së fundmi ka qenë në qendër të vëmendjes për formën dhe të ardhmen e tij te Barça.

    Araujo njihet për besimin e tij të fortë dhe shpesh ka theksuar rëndësinë që spiritualiteti ka si në jetën personale, ashtu edhe në atë profesionale.

    Sipas burimeve, vizita në Tel Aviv synon të sjellë qetësi të brendshme dhe rigjetje të fokusit, ndërkohë që pritet që lojtari të rikthehet shumë shpejt në Barcelonë.

    Klubi blaugrana ka treguar mirëkuptim të plotë, duke i mundësuar Araujos këtë shkëputje të shkurtër, teksa stafi teknik i Hansi Flick vazhdon përgatitjet për ndeshjet e radhës. /ATVLIVE.TV

  • ZYRTARE: Drenica emëron trajnerin e ri, gjermanin, Thomas Brdarić, pas shkarkimit të Bylbyl Sokolit!

    ZYRTARE: Drenica emëron trajnerin e ri, gjermanin, Thomas Brdarić, pas shkarkimit të Bylbyl Sokolit!

    FC Drenica ka konfirmuar sot emërimin e trajnerit gjerman Thomas Brdarić, vetëm pak ditë pas shkarkimit të ish-trajnerit Bylbyl Sokoli. Brdarić, ish-lojtar i Bundesligës dhe trajner me eksperiencë në disa kampionate evropiane, ka nënshkruar një kontratë afatgjatë dhe pritet të sjellë standarde të reja profesionale dhe një vizion modern në klubin kuqezi.

    Klubi ka theksuar se kjo lëvizje shënon fillimin e një epoke të re për futbollin drenicas, duke u fokusuar jo vetëm te rezultatet e ekipit të parë, por edhe në zhvillimin e talenteve të rinj përmes akademisë dhe projekteve të tjera sportive. Projekti udhëhiqet nga presidenti Dr. Thomas Wüstefeld dhe nënkryetari Faton Seferi, të cilët synojnë të ndërtojnë një identitet të ri për klubin, që përfaqëson bashkimin e shpirtit drenicas me profesionalizmin gjerman.

    Po ashtu, FC Drenica ka bërë thirrje për mbështetje të gjerë nga tifozët, institucionet dhe komuniteti lokal, duke theksuar se vetëm me bashkëpunim mund të realizohen objektivat ambicioze të klubit. Synimi i klubit është të rikthehet në majat e futbollit kosovar, të forcojë akademinë e futbollit, të zhvillojë brezat e rinj dhe të bëhet një shembull i profesionalizmit dhe modernizimit në rajon.

    Me ardhjen e Thomas Brdarić, Drenica synon të ndërtojë një ekip konkurrues, të afrimit ndërkombëtar të klubit dhe të krijojë një vizion të qartë për të ardhmen.

  • Zyrtare së shpejti, Benzema pranon rinovimin dyvjeçar me Al Ittihad!

    Zyrtare së shpejti, Benzema pranon rinovimin dyvjeçar me Al Ittihad!

    E ardhmja e Karim Benzemas nuk lidhet më me një rikthim në futbollin evropian. Sulmuesi francez, një nga figurat më të mëdha të Real Madridit në dekadën e fundit, duket se do ta përfundojë karrierën e tij në Ligën Profesionale Saudite, ku tashmë ndihet plotësisht i adaptuar.

    Sipas ish-futbollistit saudit Hamad Al-Montashari, Benzema ka nënshkruar tashmë një zgjatje kontrate për edhe dy vite me klubin e tij aktual, Al Ittihad, marrëveshje që pritet të zyrtarizohet brenda ditëve të ardhshme.

    Ky rinovim konsiderohet si një lëvizje strategjike e klubit saudit, i cili kërkon të mbajë liderët kryesorë të ekipit, ndërsa paralelisht synon përforcime të reja gjatë afatit kalimtar të verës. Investimet e mëdha pritet të vazhdojnë, me qëllim që Al Ittihad të rrisë konkurrencën dhe të sfidojë dominimin e klubeve kryesore evropiane në arenën ndërkombëtare.

    Benzema, i cili u largua nga Real Madridi në verën e vitit 2023 pas një periudhe të artë me klubin mbretëror, duket se e ka gjetur veten në Arabinë Saudite. Pavarësisht thashethemeve për rikthim në Evropë, sulmuesi francez ka zgjedhur të vazhdojë aventurën e tij në kampionatin saudit, që është duke u zhvilluar me shpejtësi dhe po tërheq emra gjithnjë e më të mëdhenj.

    Me një karrierë të pasur në nivel evropian, Benzema tani po shkruan një kapitull të ri në Lindjen e Mesme, duke kombinuar suksesin e madh që pati në Evropë me sfidat dhe mundësitë e reja që i ofron futbolli saudit.

  • Nga e mërkura fillon Liga Unike e Femrave

    Nga e mërkura fillon Liga Unike e Femrave

    Mesjava do të shënojë fillimin e edicionit të ri në Ligën Unike në konkurrencën e femrave.

    Edhe në këtë edicion do të marrin pjesë gjashtë skuadra, tri nga Kosova dhe tri nga Shqipëria. Nga Kosova do të marrin pjesë Bashkimi, Peja 03 dhe Prishtina, ndërsa në anën tjetër nga Shqipëria pjesëmarrës janë Flamurtari, Partizani dhe Tirana.

    Nga gjashtë skuadra, në “Play-off” do të kualifikohen katër më të mirat për titullin e kampionit, ku në këtë vit do të mbahet në Kosovë në mars të vitit të ardhshëm.

    Të mërkurën do të ndeshen Bashkimi me Partizanin në Prizren, derisa në Vlorë ndeshen Flamurtari me Peja 03. Prishtina-Tirana zhvillohet më vonë.

    Kampion aktual është Flamurtari i Vlorës, që në finale kishte mundur Peja 03.

    Liga Unike Femrat-Java 1

    E mërkurë

    15:30 Bashkimi-Partizani

    17:00 Flamurtari-Peja 03

    Prishtina-Tirana (zhvillohet më vonë). /ATVLIVE.TV

  • KOK: ’11 vjet në familjen e madhe olimpike’

    KOK: ’11 vjet në familjen e madhe olimpike’

    Komiteti Olimpik i Kosovës shënon sot 11 vjetorin e anëtarësimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, andaj në një postim në rrjete sociale shkruajnë:

    Sot shënojmë 11 vjet nga anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, një prej momenteve më historike për sportin tonë. Ky përvjetor na kujton se sa larg kemi ardhur dhe sa shumë kemi arritur brenda një kohe të shkurtër.

    Në këto 11 vjet, sportistët tanë kanë shkëlqyer në arenën ndërkombëtare duke i dhënë Kosovës pesë medalje olimpike, të cilat mbeten ndër sukseset më të mëdha që ka përjetuar vendi ynë.

    Përveç tyre, janë dhjetëra medalje botërore, evropiane e mesdhetare, që dëshmojnë për rritjen e vazhdueshme, talentin dhe përkushtimin e secilit prej tyre.

    Po aq e rëndësishme është edhe përgjegjësia dhe nderi që kemi marrë me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, një projekt madhor që e vendos Kosovën në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme shumë-sportëshe në botë.

    Puna, përkushtimi dhe sukseset në arenën ndërkombëtare bënë që pikërisht një vit më parë, në jubileun e anëtarësimit në IOC, vendin tonë ta vizitonte për herë të dytë presidenti i atëhershëm i IOC, Thomas Bach, i cili u nderua në mënyrën më të mirë të mundshme për kontributin e tij madhor ndaj lëvizjes olimpike në Kosovë. Bach, tashmë ish-president, do të mbetet përgjithmonë në historinë e sportit tonë si personaliteti që, me vizionin dhe vendimmarrjen e tij, i hapi dyert që sportistët tanë të garojnë të barabartë në arenën ndërkombëtare.

    Ky rrugëtim nuk do të ishte i mundur pa punën e palodhur të federatave sportive, trajnerëve, kontribuesve të sportit dhe, mbi të gjitha, pa suksesin e sportistëve që e kanë ngritur flamurin tonë në podiumet më prestigjioze.

    Në emrin tim dhe të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, ju falënderoj dhe ju uroj të gjithëve për kontributin që po jepni për përfaqësimin sa më të mirë të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

    Le të vazhdojmë së bashku ndërtimin e një të ardhme edhe më të ndritshme për sportin e Kosovës.

    Urime 11-vjetori i anëtarësimit në IOC!. /ATVLIVE.TV

  • Edicioni i 4-t i JR NBA Kosova nis me energji dhe emocione

    Edicioni i 4-t i JR NBA Kosova nis me energji dhe emocione

    Edicioni i katërt i JR NBA Kosova ka nisur fuqishëm, duke sjellë ndeshje plot energji, pasion dhe emocione të mëdha. Projekti zhvillohet nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me Federatën e Sportit Shkollor, duke përfshirë 30 shkolla fillore (11–12 vjeç), të ndara në dy konferenca dhe gjashtë divizione.

    Garat po zhvillohen në të gjithë Kosovën: Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan, Pejë dhe Prizren, duke krijuar një atmosferë të mrekullueshme sportive në çdo qytet.

    Në mesjavë u zhvillua xhiroja e dytë, e cila solli duele tejet interesante dhe nxori në pah shumë talent të ri. Fotot janë nga ndeshjet e mbajtura në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Dardania” në Prishtinë.

    JR NBA Kosova synon zhvillimin e brezit të ri të basketbollistëve dhe po bëhet një traditë e dashur për nxënësit dhe shkollat pjesëmarrëse. /ATVLIVE.TV

  • IKD: Nga 444 të akuzuar për korrupsion më 2024 dhe 2025, vetëm 2.47% e tyre i takojnë profilit të lartë

    IKD: Nga 444 të akuzuar për korrupsion më 2024 dhe 2025, vetëm 2.47% e tyre i takojnë profilit të lartë

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, ku paraqiten të dhëna të reja lidhur me ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit gjatë vitit 2024 dhe nëntëmujorit të parë të vitit 2025, duke theksuar se rastet që përfshijë zyrtarë të profilit të lartë vazhdojnë të mbeten minimale.

    Sipas raportit, bazuar në monitorimin e IKD-së, nga gjithsej 444 persona të akuzuar për korrupsion në vitet 2024-2025, vetëm 11 prej tyre janë identifikuar si zyrtarë të profilit të lartë, që përbën vetëm 2.47%, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit, tha se nga 11 të akuzuarit për korrupsion të profilit të lartë, vetëm 3 prej tyre janë akuzuar duke mbajtur detyrën zyrtare, përkatësisht vetëm 27.2% janë akuzuar gjatë kohës sa kanë mbajtur detyrën zyrtare, ndërsa 72.7% e personave tjerë janë akuzuar vetëm pasi që janë larguar nga detyra zyrtare.

    Ai theksoi se gjatë nëntëmujtorit e parë të vitit 2025, nga 4 zyrtarët e akuzuar, vetëm njëri akuzohet si ish-zyrtar, ndërsa tre të tjerët janë akuzuar për pozitat që ende mbajnë.

    Sipas Shalës, situata qëndron ndryshe në vitin 2024 ku nga 7 të akuzuarit për korrupsion të profilit të lartë, asnjë prej tyre nuk është akuzuar gjatë kohës sa kanë mbajtur pozitën zyrtare, ashtu që të gjithë këta persona janë akuzuar si ish-zyrtarë.

    Ai tha se Prokurori i Shtetit më 2024 dhe 2025, ka pësuar regres në trajtimin e numrit të lëndëve, për shkak se gjatë periudhës përkatëse nuk ka mundur të kryejë lëndë aq sa ka pranuar. Ai tha se Prokurori i Shtetit ka ngritur 293 më 2024, kurse në nëntëmujorin e parë të 2025-ës ka ngritur 151 aktakuza.

    Sipas Shalës, ndjekja e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdon të jetë e kufizuar dhe e orientuar drejt zyrtarëve të niveleve të ulëta dhe të mesme. Për më tepër, rastet e profilit të lartë, ai tha se aktivizohen vetëm pasi zyrtarët humbasin fuqinë e tyre politike, që nënkupton se sistemi i drejtësisë heziton të veprojë ndaj personave me ndikim të madh institucional ose politik.

    Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën po organizon tryezë diskutimi me rastin e publikimit të raportit me titull: “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, aktivitet në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2025”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile me moton “Bashkë kundër korrupsionit”.