ATV

Blog

  • Mos e bëni këtë kurrë kur pastroni TV-në: Gabimi që dëmton ekranin dhe e bën të paqëndrueshëm

    Mos e bëni këtë kurrë kur pastroni TV-në: Gabimi që dëmton ekranin dhe e bën të paqëndrueshëm

    Televizorët, sidomos modelet e reja me ekrane të holla LED dhe OLED, kërkojnë kujdes të veçantë dhe është shumë e rëndësishme mënyra se si i mirëmbani

    Ndërsa ditët bëhen më të shkurtra e mbrëmjet më të gjata, shtëpia sërish bëhet qendra e aktiviteteve. Mbrëmjet e jashtme dhe dimërore janë ideale për bashkime familjare, sigurisht pasi fëmijët të kenë bërë detyrat dhe të kenë rregulluar dhomat e tyre. Dhe ndërsa disa mbrëmje janë të rezervuara për lojëra shoqërore dhe lexim të tregimeve të preferuara, shumëkush mezi pret të mblidhet në dhomën e ditës dhe të shijojë programin televiziv.

    Edhe pse nuk është më e pëlqyera të thuhet se TV është burimi kryesor i argëtimit në shtëpi, do të pranoni se ndoshta është më mirë sesa shfletimi i rrjeteve sociale apo ndjekja e platformave streaming në telefon. Sidomos kur organizohet një “natë filmi” familjare me batanije dhe kokoshka, kur ndiqet bashkë një ndeshje sportive apo shikohet një seri e preferuar me episode radhazi.

    Megjithatë, asgjë nuk e prish më shpejt këtë idilë sesa një reflektim i turbullt në ekran, një shtresë pluhuri apo gjurmë të yndyrshme gishtash. Dhe këtu shumica bëjnë të njëjtën gabim, kapin letrën e kuzhinës ose sprejin e parë që u del përpara. Edhe pse duket si mënyrë praktike për të pastruar ekranin, ekspertët paralajmërojnë se pikërisht kështu mund të dëmtoni seriozisht televizorin.

    Portali konsumator Which?, organizatë britanike e pavarur e njohur për testime rigoroze të produkteve, vlerësime të praktikave të tregut dhe mbrojtje të të drejtave të konsumatorëve, paralajmëron se fshirja e televizorit me letër të zakonshme kuzhine mund të dëmtojë seriozisht ekranin. Letra e kuzhinës, që duket e padëmshme dhe që shumë e përdorin për fshirje të shpejtë, është tepër e ashpër për ekranet e ndjeshme të televizorëve modernë. Në vend se të heqë papastërtinë, ajo mund të lërë mikrogërvishtje që me kalimin e kohës prishin cilësinë e figurës, raporton Express.co.uk, përcjell Telegrafi.

    Ekspertët theksojnë se televizorët, veçanërisht modelet e reja me ekrane të holla LED dhe OLED, kërkojnë kujdes të shtuar gjatë pastrimit. Përveç se janë të shtrenjtë, sipërfaqja e tyre është e mbuluar me një shtresë mbrojtëse që mund të dëmtohet lehtë nëse përdoren mjete tepër agresive ose pëlhura të papërshtatshme.

    Në vend të letrës së kuzhinës, Which? rekomandon përdorimin e një cope të butë, të thatë mikrofibre, si ato që përdoren për pastrimin e syzeve. Para se të filloni pastrimin, televizori duhet fikur dhe lënë disa minuta të ftohet ekrani. Më pas, fshijeni butësisht me lëvizje rrethore, pa ushtruar presion të fortë.

    Nëse në ekran ka njolla të forta, pëlhura mund të laget pak me ujë ose me një solucion të posaçëm për ekrane – por kurrë, nuk duhet të spërkatet lëngu direkt mbi ekran. Kjo mund të çojë në depërtim të lagështisë në brendësi të pajisjes dhe defekte të kushtueshme.

    Samsung, një nga prodhuesit më të mëdhenj të televizorëve në botë, gjithashtu këshillon që pastrimi të bëhet gjithmonë në dy hapa: fillimisht me një leckë mikrofibre pak të lagur dhe pastaj me një të thatë, për të hequr lagështinë e mbetur dhe për të shmangur gjurmët.

    Për pluhurin që grumbullohet në pjesët e vështira për t’u arritur ose në hapësirat e vogla midis kornizës dhe ekranit, rekomandohet përdorimi i një bombe ajri të kompresuar, mënyrë e shpejtë dhe e sigurt për t’i pastruar ato vende pa prekur pjesët e ndjeshme të pajisjes.

    Me pastrim të duhur, thonë ekspertët, ju zgjatni jetëgjatësinë e televizorit dhe siguroheni që figura të mbetet e mprehtë, ngjyrat të qëndrueshme dhe mbrëmjet para ekranit sa më të këndshme. Sepse nuk ka asgjë më të mirë sesa një mbrëmje vjeshte me filma, me një ekran të pastër në mënyrë perfekte dhe atmosferë të mirë. /Telegrafi/

  • Hiqeni menjëherë erën e duhanit nga rrobat dhe mobiliet: Një mënyrë e thjeshtë që ndryshon gjithçka

    Hiqeni menjëherë erën e duhanit nga rrobat dhe mobiliet: Një mënyrë e thjeshtë që ndryshon gjithçka

    Nëse pihet duhan rregullisht në banesë, kombinimi i këtyre trukeve është mënyra më e shpejtë për të larguar aromën e ndenjur që ngjitet në çdo sipërfaqe ku bie tymi

    Era e duhanit është e qëndrueshme, ngjitet në rroba, perde dhe mobilie dhe më e keqja është se depërton edhe në hapësira që ajrosen rregullisht. Nëse pihet duhan në banesë, mjaftojnë disa orë që tekstili të përthithë tymin, i cili nuk largohet vetëm duke hapur dritaren. Prandaj prej vitesh përdoren disa truke që vërtet funksionojnë dhe nuk kushtojnë pothuajse asgjë.

    Uthull ose qymyr aktiv

    Në disa enë vendosni uthull vere ose copa qymyri aktiv dhe shpërndajini në dhomën ku pihet duhani. Të dy përbërësit janë thithës shumë të fuqishëm aromash. Nëse keni fëmijë ose kafshë shtëpiake, vendosini enët më lart. Mjafton t’i lini të qëndrojnë gjatë natës.

    Parfum në llambë për aromë më të këndshme

    Një pikë nga parfumi juaj i preferuar vendoset vetëm në llambë të ftohtë. Kur ndizni dritën, nxehtësia do të përhapë aromën dhe hapësira do të marrë një erë shumë më të këndshme, ndërsa aroma e tymit të duhanit pjesërisht neutralizohet, transmeton Telegrafi.

    Qeset aromatike për dollap

    Dorezat, kapelat, shallët dhe çantat e dorës thithin aromën e tymit shumë lehtë. Lërini pak në ajrim, pastaj futini në një qese plastike së bashku me qese aromatike, si p.sh. ato me lavandë. Deri në mëngjes, aroma e cigareve do të zvogëlohet në minimum.

    Nëse një copë rrobe vazhdon të mbajë aromë të fortë duhani, futeni në një qese plastike së bashku me disa lugë sodë buke ose me një letër aromatizuese për tharësen e rrobave. Mbylleni qesen dhe lëreni gjatë natës. Soda përthith aromën, ndërsa letra e tharëses lë një ndjesi freskie. Në mëngjes mjafton ta tundni rrobën ose ta lini pak në ajër, dhe aroma e tymit do të jetë dukshëm më e dobët ose do të zhduket plotësisht.

    Rërë për mace

    Në tabaka të duhanit vendosni pak rërë për mace, të zakonshme ose me aromë. Ajo përthith lagështinë dhe aromat e pakëndshme nga bishtat e cigareve dhe tabakaja do ta pastroni shumë më lehtë.

    Sodë buke

    Ky është triku më i njohur. Mbrëmjen e mëparshme hidhni sodë buke mbi tapet, divan dhe skajet e dhomës ku pihet duhani. Lëreni të qëndrojë gjatë natës dhe fshijeni me fshesë me korrent në mëngjes. Neutralizon aromat më mirë se shumë spreje.

    Peshqir i lagur me uthull

    Pasi të keni ajrosur dhomën, njomni një peshqir me uthull dhe kalojeni lehtë në ajër për disa minuta. Uthulla tërheq molekulat e tymit dhe hapësira bëhet shumë më shpejt e freskët. /Telegrafi/

  • Horoskopi sot, ky është parashikimi i yjeve për shenjën tuaj

    Horoskopi sot, ky është parashikimi i yjeve për shenjën tuaj

    Dashi: Sot energjia juaj është e lartë dhe mund të ndiheni të motivuar për të nisur projekte të reja. Vendimet profesionale mund të sjellin avantazhe afatgjata. Kujdes në marrëdhënie: komunikimi i qartë do t’ju ndihmojë të shmangni keqkuptimet. Në dashuri, shprehja e ndjenjave është thelbësore.

    Demi: Fokusohuni te stabiliteti dhe siguria, veçanërisht në çështjet financiare. Një mundësi për përmirësim të pasurisë mund t’ju paraqitet. Marrëdhëniet personale mund të jenë të ngrohta dhe mbështetëse. Kujdes ndaj stresit dhe mos i lini shqetësimet të ndikojnë tek shëndeti.

    Binjakët: Sot mendja juaj është e zënë me ide të reja dhe mund të ndiheni të frymëzuar për projekte kreative. Marrëdhëniet sociale mund të sjellin mundësi të reja, veçanërisht për bashkëpunime ose takime interesante. Kujdes mos shpërqendroheni nga shumë opsione në të njëjtën kohë.

    Gaforrja: Emocionet mund të jenë më të theksuara sot, kështu që reflektoni para se të merrni vendime. Koha e kaluar me familjen ose të afërmit do t’ju sjellë qetësi. Në dashuri, ndjeshmëria dhe kujdesi për partnerin do të thellojnë lidhjen.

    Luani: Sot është një ditë e favorshme për të shprehur ambiciet dhe idetë tuaja. Mund të lindin mundësi për avancim profesional ose për projekte që ju japin njohje. Dashuria mund të marrë një kthesë pozitive, veçanërisht nëse jeni të hapur dhe sinqerë.

    Virgjëresha: Detajet janë të rëndësishme sot, ndaj përqendrohuni te organizimi dhe planifikimi. Një qasje sistematike do t’ju sjellë përfitime në punë dhe marrëdhënie. Kujdesuni për shëndetin, veçanërisht për të mbajtur rutinën e ushqimit dhe gjumit.

    Peshorja: Marrëdhëniet dhe bashkëpunimet janë në qendër të vëmendjes. Një diskutim i sinqertë mund të zgjidhë keqkuptimet dhe të forcojë lidhjet. Financat kërkojnë maturi, shmangni vendimet impulsive. Një mundësi për një partneritet të favorshëm mund të shfaqet.

    Akrepi: Intuita juaj është e fortë dhe mund t’ju udhëheqë drejt vendimeve të rëndësishme. Në punë, një projekt që duket sfidues mund të sjellë shpërblime të mëdha. Në dashuri, sinqeriteti dhe hapja emocionale mund të krijojnë afërsinë që kërkoni.

    Shigjetari: Energjia juaj është pozitive dhe mund të ndiheni të gatshëm për aventura të reja ose udhëtime. Marrëdhëniet sociale janë të favorshme dhe takime të reja mund të sjellin ide të dobishme. Kujdes mos e lini entuziazmin të ju bëjë të nxitoni vendimet në dashuri ose financa.

    Bricjapi: Punët kërkojnë durim dhe përqendrim, por përpjekjet tuaja do të japin rezultate të qëndrueshme. Marrëdhëniet familjare mund të kërkojnë vëmendje shtesë. Financat janë më të stabilizuara sot, por shmangni shpenzimet impulsive.

    Ujori: Idetë dhe kreativiteti janë në fokus. Një projekt inovativ mund të marrë hov. Marrëdhëniet personale përmirësohen nëse jeni të hapur dhe fleksibël. Dashuria mund të sjellë surpriza pozitive nëse tregoni spontanitet dhe sinqeritet.

    Peshqit: Intuita dhe perceptimi emocional janë të forta sot. Kujdesi për shëndetin mendor dhe emocional është i rëndësishëm. Një mundësi e re për dashuri ose miqësi mund të shfaqet, veçanërisht në situata ku ndiqni instinktet tuaja.

  • Presidenti finlandez thotë se marrëveshja e paqes në Ukrainë është ‘shumë pranë’

    Presidenti finlandez thotë se marrëveshja e paqes në Ukrainë është ‘shumë pranë’

    Paqja në Ukrainë është më pranë se kurrë që nga fillimi i pushtimit të plotë rus, ka thënë presidenti finlandez Alexander Stubb.

    “Jemi mjaft afër një marrëveshjeje”, tha ai në një aktivitet në Helsinki, raporton skynews.

    Lideri finlandez zbuloi gjithashtu se negociatat midis zyrtarëve amerikanë, ukrainas dhe evropianë aktualisht përfshijnë dokumentet e mëposhtme të ndara:

    Një dokument kornizë, që aktualisht është një plan me 20 pika;

    Një dokument mbi garancitë e sigurisë, që dallon mes garancive të forta dhe marrëveshjeve si koalicioni i të gatshmëve;

    Një dokument mbi rindërtimin pasluftës të Ukrainës.

    Kjo përputhet me komentet që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy bëri gjatë ditës së djeshme para gazetarëve rreth negociatave.

    Ndryshe, Stubb ka qenë një nga udhëheqësit evropianë që shërbejnë si ndërmjetës në bisedimet midis SHBA-së dhe Ukrainës.

    Ish-golfisti gjysmë-profesionist dhe mbështetës i vendosur i Ukrainës ishte afruar me presidentin amerikan, Donald Trump gjatë një loje golfi në Florida.

  • Aksident tragjik në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, vdes një pasagjere – katër tjerë të lënduar

    Aksident tragjik në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, vdes një pasagjere – katër tjerë të lënduar

    Një aksident ka ndodhur në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, sipas Policisë së Kosovës në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete civile.

    Dyshohet se njëra nga veturat ka kaluar në shiritin e kundërt, duke u përplasur me automjetin që po vinte në kahje të kundërt.

    Si pasojë e aksidentit pesë persona kanë pësuar lëndime, ku një prej tyre V.M e lindur më 1999 ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës së Veriut.

    Njoftimi i plotë:

    Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, më datë 09.12.2025 rreth orës 16:20, është informuar për një aksident trafiku të ndodhur në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq, ku kanë qenë te përfshira dy automjete civile, një me targa vendore dhe një me targa të huaja.

    Njësitë e hetimeve të trafikut janë duke e hetuar rastin dhe sipas hetimeve fillestare, dyshohet se njëra nga veturat ka kaluar në shiritin e kundërt, duke u përplasur me automjetin që po vinte në kahje të kundërt.

    Si pasojë e aksidentit, pesë persona kanë pësuar lëndime: dy shoferët dhe tre pasagjerë. Fatkeqësisht, njëra nga pasagjeret, i identifikuar me inicialet V. M. (1999), ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të Mitrovicës Veri, rreth orës 20:30 trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për procedurat e mëtejshme ligjore.

    Njësitë kompetente policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në vendngjarje dhe hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

    Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin tejkalimet e rrezikshme, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes. Çdo pakujdesi në trafik mund të rrezikojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

  • Vendimi i shtetit: Të gjithë të rinjtë nën 16 vjeç në Australi, nga sot kanë mbetur pa rrjete sociale

    Vendimi i shtetit: Të gjithë të rinjtë nën 16 vjeç në Australi, nga sot kanë mbetur pa rrjete sociale

    Australia është bërë vendi i parë në botë që fut një ndalim të plotë të përdorimit të mediave sociale për personat nën 16 vjeç, me kryeministrin Anthony Albanese që tha se është “krenar që është Kryeministri i Australisë”. Ligji i ri mbulon platformat më të njohura si Instagram, Facebook, TikTok, YouTube, X dhe Snapchat, dhe ndërsa qeveria pretendon se qëllimi është të mbrojë të rinjtë nga përmbajtja e dëmshme, kritikët paralajmërojnë për rrezikun e izolimit dhe shtyrjes së fëmijëve në pjesë të parregulluara të internetit, shkruan BBC .

    Mendime të ndara të adoleshentëve

    Ndërsa disa adoleshentë u zgjuan dhe i gjetën llogaritë e tyre të çaktivizuara, të tjerë gjetën mënyra për ta anashkaluar ndalimin. Mendimet e atyre që preken nga ligji janë të ndara. “Unë jam kundër këtij ndalimi sepse besoj se zbatimi nuk është menduar mirë dhe do të krijojë më shumë probleme”, tha 14-vjeçarja Molly nga Brisbane. Ajo beson se për shumicën e adoleshentëve, rrjeti social ka sjellë më shumë të mira sesa të këqija, dhe se çelësi është edukimi, jo kufizimet.

    Bashkëmoshatarja e saj, Sophia, ka një përvojë të ndryshme. “Dje në orën 14:30 u çregjistrova, gjë që nuk më pëlqeu – ishte e papritur”, tha ajo. Edhe pse hapi automatikisht aplikacionet në telefonin e saj, ajo beson se ndalimi do të ketë një ndikim pozitiv në përgjithësi dhe do të inkurajojë më shumë socializim ballë për ballë.

    Tyson, 15 vjeç, është skeptik në lidhje me efektivitetin e saj. “Mendoj se njerëzit që po përpiqeni t’i largoni do të jenë të parët që do të gjejnë një mënyrë për ta anashkaluar”, tha ai. Për Breannën, 15 vjeç, e cila jeton në një fermë 20 milje larg shoqes së saj më të ngushtë, mediat sociale janë një mjet kyç për të qëndruar në kontakt gjatë pushimeve shkollore.

    Pikëpamjet e prindërve dhe ekspertëve

    Gjithashtu, ka pikëpamje kontradiktore midis prindërve. Dany Elachi, themelues i aleancës Heads Up, mbështet ndalimin, duke vënë në dukje se prindërit nuk mund t’i luftojnë vetëm gjigantët e teknologjisë.

    “Realiteti është se telefonat janë të projektuar për të krijuar varësi dhe platformat janë të projektuara për të krijuar varësi dhe nuk ka asnjë prind në të gjithë botën që mund t’i mposhtë këto korporata trilion dollarëshe”, tha ai.

    Por Kelly Halidone, nënë e dy fëmijëve, tha se ndalimi ishte “mizor”, veçanërisht tani që hyn në fuqi përpara pushimeve shkollore dhe Krishtlindjeve. “Ai ua heq autonominë dhe zërin mijëra të miturve, duke minuar aftësinë e tyre për të marrë pjesë në jetën shoqërore moderne”, tha ajo.

    Ekspertët janë gjithashtu të ndarë. Psikologia klinike Dr. Rachael Murrihy paralajmëron se, ndërsa mediat sociale mund të shkaktojnë probleme me gjumin dhe imazhin e trupit, ato mund të jenë një shpëtim për disa të rinj, siç janë personat LGBTQ+ ose ata me aftësi të kufizuara.

    “Ata shpesh mbështeten te këto komunitete për lidhje, kështu që kur ua heqim këtë lidhje, duhet të vendosim diçka në vend të saj”, thotë ajo. Nga ana tjetër, psikiatri klinik Dr. Christian Heim pohon se ndalimi “do të shpëtojë jetë fjalë për fjalë”. “Për fat të keq, kam pasur gra të reja në klinikën time, jeta e të cilave ka marrë fund sepse kanë qenë në një faqe chati që do të jetë pjesë e ndalimit”, i tha ai BBC-së.

  • Rezervat shtetërore: Rozeta Hajdari dhe tre të tjerë në bankën e të akuzuarve

    Rezervat shtetërore: Rozeta Hajdari dhe tre të tjerë në bankën e të akuzuarve

    Sot do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit, rreth skandalit me rezervën shtetërore.

    Seanca është caktuar të nis në ora 09:30.

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 11 nëntor ndaj Ministres Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. Tre të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.

    “Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, ka njoftuar Prokuroria.

    Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Hajdari bashkë me dy zyrtarët akuzohet se ka zbuluar sekrete shtetërore tek biznesmeni Muharremi, ashtu që i kanë treguar vendndodhjen e rezervës.

    “Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”.

    Në gusht të vitit 2023, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, u arrestuan për këtë rast. Policia arrestoi edhe afaristin Ridvan Muharremin.

    Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.

    Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

    Ajo kishte akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

    Kryeministri Albin Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit atë kohë, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

    “Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, kishte deklaruar Kurti.

    Lidhur me këtë rast është ftuar për intervistim edhe vetë Kurti, mirëpo ai ka refuzuar të shkojë në Prokurori, duke kërkuar që të intervistohet në Kryeministri.

    Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e parë të Prokurorisë Speciale për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu e kishte cilësuar këtë si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve nacionale 2025, të cilat u mbajtën më 9 shkurt.

  • Sulmi në Ibër-Lepenc – FBI konfirmon prezencën e të pandehurve në Varagë

    Sulmi në Ibër-Lepenc – FBI konfirmon prezencën e të pandehurve në Varagë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, që u krye një vit më parë. Ndër veprat penale për të cilat akuzohen, përfshihet edhe rrezikimi i rendit kushtetues përmes veprave terroriste dhe spiunazhit. Një nga të akuzuarit është pjesëtar i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake të Serbisë.

    Një toger i inteligjencës ushtarake serbe është në mesin e tre personave ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur të martën aktakuzë për sulmin me rreth 20 kilogramë eksplozivë, të kryer një vit më parë në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Aktakuza përfshin vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, të cilët akuzohen për “Rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, dhe për terrorizëm. Ata dhe Igor Dimiqi akuzohen gjithashtu për armëmbajtje pa leje.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy vëllezërit Viqentijeviq akuzohen se e realizuan sulmin mbi infrastrukturën kritike në fshatin Varagë, i cili ndodhet në veriun e banuar kryesisht me serbë.

    “J.V. dhe D.V. akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, ‘Ibër Lepenc’, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes ‘Ibër Lepenc’, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh”, thuhet në njoftim.

    Sipas aktakuzës, Jovan Viqentijeviqi është edhe toger në Agjencinë e Inteligjencës Ushtarake të Serbisë dhe akuzohet për spiunazh.

    “I pandehuri J.V., akuzohet edhe për veprën penale ‘Spiunazhi’. Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, Toger, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

    E raporti i ekspertimit gjeologjik i FBI-së i datës 3 nëntor 2025 kishte konfirmuar se mostra e dheut e marrë nga çizmet e sekuestruara të vëllezërve Viqentijeviq më 30 nëntor 2024, nuk dallonte nga mostrat e dheut të marra në vendin e ngjarjes në fshatin Varagë tek kanali i Ibër-Lepencit.

    “Gjendja faktike e përshkruar si në këtë aktakuzë vërtetohet qartazi edhe nga Raporti i ekspertimit gjeologjik i FBI, i dt. 03.11.2025, me nr. ref: FBI/80-SP-C120 (ID e Rastit me nr. SP-2478001) i mostrave të DHEUT TË ÇIZMEVË të sekuestruara në shtëpinë e të pandehurve – vëllezërve Vicentiijević në Zubin Potok dhe në fshatin Prevllakë… nga të cilat mostra Eksperti Videntici ka konstatuar se çizmave të të pandehurve janë nga Dragisha Vicentiijević dhe me motra të tjera të dheut të marra në vendin e ngjarjes, më konkretisht në kanalin ‘Iber Lepenc’, nuk ka dallueshmëri…”, thuhet në raport.

    Gjatë hetimeve, me pjesëmarrjen dhe asistencën e ekspertëve të FBI-së/SHBA, janë siguruar prova dhe dëshmi në vendin e ngjarjes, duke përfshirë mostrat referente të dheut nga fshati Varagë, oborri i shtëpisë së të pandehurve në Zubin Potok dhe fshati Prevllakë, për të krahasuar me dheun dhe baltën në dy palë çizme të sekuestruara.

    Sipas Prokurorisë, ngjashmëria e dheut tregon se të pandehurit ishin prezent në vendin ku ndodhi shpërthimi dhe kanë kryer aktin terrorist ndaj kanalit.

    Në aktakuzë theksohet gjithashtu se Jovan Viqentijeviqi, kolonel në Shërbimin Inteligjent të Ushtrisë Serbe, është parë në fotografi dhe video duke manovruar armë luftarake dhe eksplozivë ushtarakë.

    “Përfundimisht, nga provat e gjetura dhe të analizuar si më lartë, i pandehuri Jovan Vicentijeviq… arrijmë deri te konstatimi se i njëjti ka ndërmarrë veprimet konkrete në sulmin terrorist të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze”, thuhet në aktakuzë.

    Po ashtu, ai përcillte lëvizjet e ushtarëve të KFOR-it dhe ka mbledhur informacione klasifikuar, duke fotografuar bazën e Njësive Speciale të Policisë në Jasenovik dhe duke krijuar dokumente që përpiqeshin të prezantonin një organizatë fiktive me qëllim të dëmshme për Kosovën.

    Sulmi shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm për shumë komuna, pasi përmes kanalit shpërndahet uji nga liqeni i Ujmanit për rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës. Autoritetet intervenuan menjëherë për të evituar dëmin në Korporatën Energjetike të Kosovës, e cila përdor kanalin për ftohjen e energjisë elektrike.

    Ky sulm terrorist në Varagë të Poshtme të Zubin Potokut është i dyti i përmasave të mëdha, pas atij në Banjskë më 24 shtator 2023. Për të dyja rastet, institucionet e Kosovës e kanë bërë përgjegjëse Serbinë.

  • Moti sot: Mjegull, diell e vranësira

    Moti sot: Mjegull, diell e vranësira

    Ditën e mërkurë parashihet të mbretëroj mot i qëndrueshëm, kryesisht me diell. Kalojnë kohëpaskohe vransira, kryesisht të nivelit të lartë.

    Ultësirave, vazhdojnë kushtet për mjegull, që lokalisht mund të mbetet edhe pas mesdite. Temperaturat minimale zbresin në -2C e 1C, ndërsa maksimalet shkojnë deri në 11C e 12C, derisa pjesëve ku mjegulla mbetet më gjatë 4C e 9C. Dominojnë qetësitë. Ditën frynë erë e lehtë drejtimesht të ndryshme 1-3m/s.

    Ditën e enjtë mbetet mot kryesisht me diell, me temperatura maksimale që arrinë vlera deri në 12C e 14C. Të premtën dhe të shtunën ekzistojnë mundësi që vransira të ulëta, të shtrihen pjesëve të ulëta të vendit, ndërkohë që temperaturat pësojnë rënie graduale deri në 9C e 7C gjatë fundjave. Mundësi për mjegull ultësirave shfaqen ditën e diel, që edhe mund të qëndrojë më gjatë pas mesdite. Do të vazhdojnë të dominojnë qetësitë, ndërkohë që gjatë ditës frynë erë e lehtë, veriore e verilindore 2-4m/s.

  • Sigal Prishtina i rikthehet fitoreve në ENBL League-Fiton kundër klubit çek Opava

    Sigal Prishtina i rikthehet fitoreve në ENBL League-Fiton kundër klubit çek Opava

    Sigal Prishtina i është rikthyer fitoreve në ENBL League,duke futuar ndaj ekipit çek Opava me rezultat 102:75.

    Në periudhën e parë mysafirët ishin më të mirë duke e fituar me shifrat 25:18, teksa në të dytin Prishtina e mori kontrollin e lojës duke e fituar këtë periudhë me shifrat 23:13.

    Në dy periudhat e dytë Prishtina dominoi gjatë gjithë kohës,teksa në fund kryeqytetasit fituan me rezultat 102:75.

    Deondre Burns me 27 pikë, gjashtë kërcime dhe shtatë asistime, Adrio Bailey me 21 pikë, nëntë kërcime dhe tri asistime,Arian Azemi 19 pikë, tri kërcime dhe gjashtë asistime dhe qendra Kelby Kramer me 1 pikë, nëntë kërcime dhe një asistim ishin më të mirët për Sigal Prishtinën