ATV

Blog

  • ShBA-ja nis negociata me Malin e Zi për një marrëveshje dypalëshe për forcimin e lidhjeve tregtare e ekonomike

    ShBA-ja nis negociata me Malin e Zi për një marrëveshje dypalëshe për forcimin e lidhjeve tregtare e ekonomike

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mali i Zi po nisin negociatat për arritjen e një marrëveshje dypalëshe që ka për qëllim forcimin e lidhjeve tregtare, investuese dhe ekonomike, njoftoi Ambasada amerikane në Podgoricë më 10 dhjetor.

    Negociatat do të zhvillohen në kuadër të Dialogut Ekonomik SHBA-Mali i Zi 2025.

    “SHBA-ja njihet globalisht për inovacionin dhe besueshmërinë ekonomike, ndërsa kompanitë amerikane po tregojnë interes gjithnjë e më të madh për mundësitë e biznesit në ekonominë në rritje të Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

    Sipas saj, qëllimi i këtyre negociatave është të nxisin investime më të mëdha të sektorit privat amerikan për të krijuar vende të reja pune në SHBA dhe në Mal të Zi, të forcojnë rolin e Malit të Zi si aleat i NATO-s dhe të hapin mundësi të reja për prosperitetin e SHBA-së, Malit të Zi dhe rajonit më të gjerë.

    Në nëntë muajt e fundit, Mali i Zi ka nënshkruar katër marrëveshje ndërshtetërore, me Francën, Hungarinë dhe dy me Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Të gjitha këto kanë karakter ndërshtetëror që lejon përzgjedhjen e kontraktorëve pa tenderë publikë.

    Marko Soshiq nga Instituti Alternativa, më herët i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky ritëm i nënshkrimit të marrëveshjeve është rezultat i detyrimit të Qeverisë që të gjithë marrëveshjet ndërshtetërore të Malit të Zi, nga 26 dhjetori, duhet të harmonizohen me rregullat e Bashkimit Evropian në fushën e prokurimit publik.

    Kjo është një pikë nga agjenda e reformave në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi me BE-në.

    Marrëveshjet me Emiratet kanë të bëjnë me turizmin, pasuritë e paluajtshme, energjinë dhe teknologjitë digjitale. Marrëveshja me Hungarinë fokusohet tek infrastruktura e transportit, digjitale dhe teknologjisë informative. Ndërsa ajo me Francën është një kombinim i projekteve infrastrukturore, energjetike dhe digjitale.

    Qeveria e Malit të Zi thotë se bëhet fjalë për partneritete strategjike për “zhvillim më të shpejtë dhe tërheqje investimesh” që duhet të ulin burokracinë dhe të rrisin efikasitetin.

    Ligji malazez për prokurimet publike lejon zgjedhjen e partnerëve të biznesit pa tender.

    “Këto rregulla nuk zbatohen për prokurimet publike që realizohen në përputhje me rregullat e posaçme të një marrëveshjeje ndërkombëtare mes Malit të Zi dhe një ose më shumë shteteve anëtare të BE-së, ose vendeve të treta”, që lidhet me projekte të interesit të përbashkët.

    Parashihet gjithashtu që Qeveria malazeze të njoftojë Komisionin Evropian për çdo marrëveshje të tillë ndërkombëtare.

    Organizatat joqeveritare paralajmërojnë se kështu minohet sistemi i prokurimeve publike, që është një nga shtyllat e kontrollit të korrupsionit.

    Marko Soshiq nga Instituti Alternativa tha për REL-in në nëntor se këto lloje të marrëveshjeve ndërshtetërore bartin rreziqe të mëdha, pikërisht për shkak të përjashtimit të legjislacionit kombëtar.

    Ai vlerësoi se Qeveria kërkon me to rrugë të shkurtra drejt investimeve, pasi zbatimi i buxhetit kapital apo propozimi i projekteve për financim nga BE-ja janë të ndërlikuara dhe të vështira.

    Në raportin e fundit të Komisionit Evropian të nëntorit të këtij viti, përmendet vetëm marrëveshja e parë që Mali i Zi nënshkroi me Emiratet.

    Aty paralajmërohet se Mali i Zi duhet të sigurojë që zbatimi i kësaj dhe marrëveshjeve të ngjashme të mos jetë në kundërshtim me ligjet e BE-së për prokurimet publike.

    Në raport u tha po ashtu se mënyra se si do të interpretohet, zbatohet dhe realizohet marrëveshja do të jetë nën vëzhgim të kujdesshëm të BE-së.

  • Ambasada amerikane dhe Policia e Kosovës zhvillojnë ushtrime të përbashkëta për reagim ndaj krizave

    Ambasada amerikane dhe Policia e Kosovës zhvillojnë ushtrime të përbashkëta për reagim ndaj krizave

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka njoftuar se të premten, nga ora 15:00 deri në 21:00, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të zhvillohet një ushtrim i përbashkët në shkallë të gjerë, i fokusuar në menaxhimin e krizave dhe reagimin ndaj emergjencave.

    Sipas njoftimit të ambasadës, ky aktivitet synon forcimin e bashkëpunimit në siguri dhe rritjen e gatishmërisë për t’iu përgjigjur incidenteve të mundshme.

    “Ky ushtrim do të përqendrohet në menaxhimin e krizave, koordinimin ndëragjencor dhe procedurat e reagimit ndaj emergjencave. Është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës për të forcuar bashkëpunimin në siguri dhe për të siguruar gatishmërinë në reagimin ndaj një sërë incidentesh të mundshme. Ambasadat dhe konsullatat e Shteteve të Bashkuara shpesh kryejnë ushtrime me qëllim përgatitjen e punonjësve për emergjenca natyrore ose të shkaktuara nga njeriu. Megjithatë, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i fortë dypalësh midis Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës krijojnë një mundësi unike për të kryer një ushtrim të përbashkët, në shkallë të gjerë, me veprim të drejtpërdrejtë për menaxhimin e krizave në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Ambasada paralajmëron se gjatë ushtrimit mund të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut, përdorim të sirenave dhe altoparlantëve, si dhe prani të shtuar të personelit të Policisë së Kosovës dhe Ambasadës Amerikane.

    “Gjatë ushtrimit, mund të ketë: prani të shtuar të personelit të sigurisë së Policisë së Kosovës dhe Ambasadës Amerikane në afërsi të Ambasadës Amerikane dhe zonave të tjera të caktuara të trajnimit në Prishtinë; ndërprerje të përkohshme të trafikut dhe devijime, duke përfshirë mbyllje afatshkurtra të rrugëve sipas udhëzimeve të Policisë së Kosovës; përdorim i mundshëm i sirenave, altoparlantëve dhe efekteve të tjera trajnuese që mund të jenë të dukshme për banorët dhe kalimtarët”, përfundon njoftimi.

  • Osmani: Gjenocidi i Millosheviqit shkaktoi dhimbje të thella që s’do të shuhet kurrë

    Osmani: Gjenocidi i Millosheviqit shkaktoi dhimbje të thella që s’do të shuhet kurrë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për viktimat e luftës së fundit gjatë vizitës në ekspozitën “E vërteta, kujtesa, drejtësia”.

    Ajo theksoi se, fatkeqësisht, në çdo konflikt më së shumti preken ata që janë më të pambrojturit: gratë, të moshuarit dhe veçanërisht fëmijët.

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Osmani kujtoi rëndësinë e kësaj date, që simbolizon dinjitetin dhe barazinë universale.

    Ajo përmendi 10 dhjetorin e vitit 1948, kur u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe u formësua juridikisht e drejta për të jetuar, duke theksuar se çdo jetë njerëzore ka vlerë dhe meriton të mbrohet, ndërsa citoi edhe sloganin e asaj kohe: “Kurrë më!”.

    “Fatkeqësisht, shprehja ‘Kurrë më’ mbeti veç slogan, për shkak se ajo që njerëzimi e pa gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një masë u përsërit edhe në rajonin tonë në vitet ’90-ta”, tha presidentja, duke shtuar se edhe sot bota përballet me fatkeqësi, dhunë dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut.

    Osmani theksoi se populli i Kosovës e di shumë mirë çfarë nënkupton kjo: krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i ushtruar nga regjimi i Millosheviqit shkaktuan dhimbje të thella që nuk do të shuhet kurrë.

    “Mijëra të vrarë, përfshirë shumë fëmijë, mijëra gra e burra të dhunuar, mijëra persona të zhdukur me dhunë që ende u mungojnë familjeve dhe gjithë Kosovës. Dhimbja e tyre nuk njeh kohë, është një plagë e hapur, plagë e gjallë, plagë që kullon çdo ditë dhe kërkon drejtësi”, theksoi Osmani.

    Presidentja përmendi edhe vuajtjet e Nënës Ferdonije, e cila humbi të gjithë anëtarët e familjes së saj gjatë luftës së fundit, përfshirë djemtë dhe burrin, si dhe vuajtjet e shumë të tjerëve që kanë pësuar rëndë nga konflikti.

  • Rama: Evropa ta mbajë fjalën, Shqipëria në BE më 2030

    Rama: Evropa ta mbajë fjalën, Shqipëria në BE më 2030

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2030 është absolutisht i mundshëm.

    Në Shqipëri po mbahet Forumi Ekonomik i Tiranës, ku i pranishëm në ceremoninë e hapjes ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë.

    Në fjalën e tij në hapje të edicionit të pestë të forumit, Rama theksoi se po e kthejnë vendin në një korridor zhvillimi nga veriu në jug dhe sipas tij Shqipëria është gati për investime të cilësisë së lartë dhe afatgjata.

    “Në një Evropë që po rimendon arkitekturën e saj të sigurisë dhe ekonomisë, vendi ynë qëndron si një shtyllë stabiliteti, një partner i besueshëm dhe një ekonomi në rritje. Ne kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave me BE në një kohë rekord, e kemi dyfishuar buxhetin tonë, PBB-në tonë, ndërkohë që deficiti ynë është në nivelet më të ulëta të mundshme. Gjithashtu, kemi edhe një sektor në rritje të turizmit, gjithashtu kemi edhe një sektor, ku po rinovojmë infrastrukturën tonë nga portet deri tek hekurudhat dhe po shtyjmë transformimin digjital me një shpejtësi marramendëse”, tha ai, shkruan “TRT Balkan”.

    Kryeministri Rama u shpreh se revolucioni digjital ka ndryshuar mënyrën se si qeverisin dhe mënyrën se si po operon biznesi.

    “Evropa 2030 nuk është shpresë për ne, por është destinacion dhe busulla jonë është e qartë drejt Bashkimit Europian. Negociatat janë të hapura, kapitujt po ecin përpara dhe objektivi ynë është realist dhe i arritshëm, patjetër me një kusht: që Evropa të mbajë premtimin dhe që së bashku ne t’i përmbahemi kalendarit për të cilin jemi marrë vesh bashkërisht. Anëtarësimi i Shqipërisë në 2030 është absolutisht i mundshëm dhe nuk jemi këtu për të pritur për Evropën, por që ta ndërtojmë Evropën këtu”, tha Rama.

    Ai shtoi ndër të tjera se infrastruktura moderne do ta kthejë Shqipërinë në një kryqëzim logjistik mes Ballkanit dhe Evropës.

    Pjesë e forumit ishte ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila në fjalën e saj ka theksuar se për Shqipërinë pozicioni i vetëm koherent strategjik mbetet kontributi për sigurinë, zhvillimin dhe integrimin rajonal dhe atë kontinental.

    Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Spiropali theksoi se “stabiliteti rajonal mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë, duke rikujtuar mbështetjen e vendit për dialogun Kosovë–Serbi dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në rajon”.

    Diskutimet në furim fokusohen sipas organizatorëve mbi çështje që lidhen me ndryshimet globale, ngritjen e Shqipërisë si një qendër ekonomike rajonale, rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe sfidat kryesore të investimeve.

    Forumi Ekonomik i Tiranës organizohet nga Forumi Ekonomik i Delfit, ndërkohë pjesë janë zyrtarë, sipërmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë të ekonomisë.

  • Specialja liron me kusht Isni Kilajn

    Specialja liron me kusht Isni Kilajn

    Isni Kilaj është liruar me kusht, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara.

    Njoftimi thekson se Kilaj mbetet i akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tij janë caktuar disa kushte që synojnë të zvogëlojnë rrezikun e ndikimit të tij ndaj dëshmitarëve në ҫështjen gjyqësore kundër të tij dhe po ashtu përcaktohet se në rast se Kilaj do të shkelë cilindo prej kushteve të lirimit të tij, do të lëshohet një fletarrestim për arrestimin e tij të menjëhershëm.

    Në vendimin e tij të 3 dhjetorit, 2025, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të Kilajt në tetor 2025 dhe se mbajtja e tij në paraburgim nuk ishte më as e arsyeshme, as proporcionale. Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ekzistonte njëfarë rreziku që në qoftë se lirohet, Kilaj mund të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra penale të tjera, ai arriti në përfundimin se në rrethanat konkrete e drejta themelore e Kilajt për liri peshon më shumë se këto rreziqe tjera gjyqësore në Dhomat e Specializuara, bëhet e ditur në njoftim.

    Në njoftim thuhet po ashtu se ndër faktorë të tjerë, Gjykatësi mori parasysh se koha që Kilaj ka kaluar në paraburgim në këtë moment tejkalon dënimin minimal sipas ligjit me të cilin ai do të përballej në qoftë se do të shpallej fajtor për veprat penale për të cilat është akuzuar.

    “Gjykatësi gjithashtu mori parasysh se nuk është paraqitur asnjë provë që tregon se Kilaj ishte orvatur të pengonte procesin gjatë periudhës së lirimit të tij të mëparshëm me kushte në vitin 2024; se ka përfunduar paraqitja e provave në ҫështjen Prokurori i Specializuar Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe se rreziku që Kilaj mund të ndikojë në dëshmitarët e Prokurorisë në Ҫështjen 12 është shumë i ulët duke marrë parasysh rrethanat e tyre specifike. Gjykatësi gjithashtu konstatoi se nuk ka rrezik që Kilaj të arratiset bazuar në periudhën e lirimit të tij të mëparshëm dhe shumën e ofruar të konsiderueshme si dorëzani financiare që do të humbiste”, thuhet tutje në njoftim.

    “Kilaj mbetet i akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tij janë caktuar disa kushte që synojnë të zvogëlojnë rrezikun e ndikimit të tij ndaj dëshmitarëve në ҫështjen gjyqësore kundër të tij ose në ҫështje të Në vendim përcaktohet se në qoftë se Kilaj do të shkelë cilindo prej kushteve të lirimit të tij, do të lëshohet një fletarrestim për arrestimin e tij të menjëhershëm”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

  • Dyshohet se e keqtrajtuan dhe fyen qytetarin në Gjilan, IPK thotë se dy policë janë suspenduar

    Dyshohet se e keqtrajtuan dhe fyen qytetarin në Gjilan, IPK thotë se dy policë janë suspenduar

    Para disa ditësh u publikua në media një video ku një qytetar në Gjilan keqtrajtohet gjatë arrestimit nga Policia. Dy zyrtarë policorë shihen duke e goditur viktimën dhe duke i thënë “qen”, “i poshtër”, “marre duhet me të ardhë”.

    Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë për Express se rasti është duke u hetuar dhe se dy policë janë suspenduar.

    Ata dyshohen për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike”.

    “IPK ju konfirmon se është duke hetuar këtë rast. Në mbrëmjen që ka ndodhur incidenti, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes bazuar në kërkesën nga prokurori kujdestar. IPK ka rekomanduar suspendimin për dy zyrtarë policorë të dyshuar që gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike”. Bazuar në rekomandimin nga IPK të njëjtit janë suspenduar nga Policia e Kosovës kurse rasti trajtohet në procedurë të rregullt”, tha IPK në në një përgjigje.

  • Bruno Fernandes shpallet “Lojtari i Javës” në Premier League!

    Bruno Fernandes shpallet “Lojtari i Javës” në Premier League!

    Mesfushori portugez i Manchester United, Bruno Fernandes, është zgjedhur Lojtari i Javës në Premier League pas paraqitjes së shkëlqyer kundër Wolverhampton Wanderers.

    Fernandes ishte protagonist absolut në këtë ndeshje, duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar një asist që ndihmoi skuadrën e tij të arrijë fitore të rëndësishme. Performanca e tij nuk kaloi pa u vlerësuar, duke i siguruar kështu çmimin prestigjioz për këtë javë.

    Ky është një tjetër sukses për portugezin, i cili vazhdon të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe më të besueshëm të Manchester United dhe të Premier League.

  • Raportuesi për Kosovën në PE, Terras: BE-ja duhet të heqë menjëherë masat ndaj Kosovës

    Raportuesi për Kosovën në PE, Terras: BE-ja duhet të heqë menjëherë masat ndaj Kosovës

    Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, është takuar dje me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Ai bëri të ditur se me Osmanin ka biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme të paralajmëruara për 28 dhjetor.

    Gjatë takimit, Terras theksoi nevojën që Bashkimi Evropian të rishikojë qasjen ndaj Kosovës, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të masave të vendosura më herët nga BE-ja.

    Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve dhe mbështetja për institucionet demokratike në Kosovë kërkojnë angazhim konstruktiv nga ana e Bashkimit Evropian, ndërsa masat aktuale, siç u shpreh ai, “nuk i shërbejnë stabilitetit dhe progresit”.

    Takimi vjen në një periudhë dinamike politike në Kosovë, teksa vendi po përgatitet për zgjedhjet e reja dhe synon avancimin e procesit të integrimit evropian.

    Ndryshe, masat u vendosën në qershor të vitit 2023, si reagim ndaj eskalimit të tensioneve në veri të Kosovës.

  • Ramiz Lladrovci betohet për mandatin e katërt në krye të Drenasit, premton transparencë, ligjshmëri dhe qeverisje të mirë

    Ramiz Lladrovci betohet për mandatin e katërt në krye të Drenasit, premton transparencë, ligjshmëri dhe qeverisje të mirë

    Në mbledhjen inauguruese të Kuvendit të Komunës së Drenasit, kryetari Ramiz Lladrovci ka dhënë betimin për mandatin e tij të katërt, duke u zotuar për një qeverisje të bazuar në ligj, transparencë dhe llogaridhënie. Seancën e ka udhëhequr përbërja e re e kuvendit, ndërsa Lladrovci ka mbajtur një fjalim të zgjeruar për drejtimin e komunës në katër vitet e ardhshme.

    Në fjalën e tij, Lladrovci deklaroi se qeverisja në Drenas ka dëshmuar rezultate të larta ndër vite.

    “Qeverisje e mirë e cila çdo vit matet nga faktorët vendorë e ndërkombëtar, ku qeverisja jonë është vërtetuar shtatë herë e para në Kosovë. Në bashkëpunim me juve, shpresoj të bëhemi dhjetë herë kampion të qeverisjes së mirë në nivel vendi”, tha ai.

    Duke iu drejtuar asamblistëve, kryetari theksoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit për të sjellë projekte të reja për qytetarët e komunës.

    Lladrovci e cilësoi momentin si një nder të veçantë, duke u shprehur se përfaqëson qytetarë që kanë dhënë shumë për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

    “Një ditë gjatë katër viteve jam plotësisht politik, ditën kur votoj; të gjitha ditët tjera jam njëri nga ju që drejtoj komunën me besimin e qytetarëve me integritet”, u shpreh ai.

    Ai ritheksoi angazhimin e tij për të finalizuar projektet në proces dhe për të nisur iniciativa të reja që synojnë mirëqenien e qytetarëve.

    Kryetari Lladrovci falënderoi përbërjen e kaluar të Kuvendit të Drenasit për vendimet unanime, përfshirë shpalljen e disa personaliteteve “Qytetar nderi”. Ai paralajmëroi se gjatë vitit të ardhshëm, titulli “Qytetar nderi” pritet t’u jepet personaliteteve të njohura të luftës dhe paqes.

    “Shpresoj fort se titullin ‘Qytetar nderi’ do t’ua japim heronjve tanë të luftës dhe paqes, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, tha ai.

    Lladrovci vlerësoi kulturën demokratike të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor dhe përkushtimin e tyre për zhvillim komunal.

    Ai përfundoi fjalimin duke thënë se Drenasi mbetet shembull i qeverisjes së mirë:

    “Jam i lumtur të jem në krye të komunës që është shembull i qeverisjes së mirë, transparente dhe llogaridhënëse. Bashkë, do të bëjmë më të mirën për qytetarët kampion, të komunës shtatë herë kampion”.

  • Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave për organizim bixhozi

    Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave për organizim bixhozi

    Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj dhjetë (10) personave, A.O, G.N, A.Sh , H.R, M.K, P.A, E.B, A.J, R.B, F.H për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe aktakuzë ndaj F.M për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Kodi penal i Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakuzës që përmban gjithsej njëzetegjashtë (26) faqe, prokurori i shtetit ka përshkruar veprimet inkriminuese për veprat penale të njëmbëdhjetë të pandehurve që u vihen në barrë.

    Nga veprimet hetimore të cilat janë kryer në afatin optimal nga prokurori i çështjes, ka rezultuar se i pandehuri A.O, më 17 gusht të vitit 2025 rreth orës 02:00, në lokalin e tij “Te Katamt” në fshatin Isniq të Deçanit, me dashje e me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, në lokalin e tij të lartcekur, organizon veprimtari të skemave piramidale të bixhozit të paligjshëm, të llojit të lojërave të fatit.

    Prokurori i Shtetit ka akuzuar edhe nëntë (9) të pandehur tjerë të cilët natën kritike, në lokalin e lartë cekur, me dashje e në bashkëkryerje, me qëllim të përftimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, marrin pjesë në organizimin e veprimtarisë së bixhozit të paligjshëm, të njëjtit hasin të pandehurit e sipërshënuar duke luajtur bixhoz në një dhomë të veçantë brenda lokalit e dedikuar për lojëra bixhozi, ku disa nga ta tentojnë të ikin nga një derë alternative e cila ndodhej brenda asaj dhome, mirëpo të njëjtit arrestohen, ndërsa në tavolinën në të cilën po luanin policia hasin letra të bixhozit si dhe shuma të konsiderueshme të hollave, te secili i pandehur në shumën totale prej 17.578 euro, të cilat sekuestrohen nga ana e Policisë e Kosovës me autorizimin e Prokurorit të Shtetit.

    Ndërsa i pandehuri F.M akuzohet se natën kritike ka poseduar armë për çka ngarkohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të KPK-së.

    Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e lartcekur kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas Ligjit për veprat penale të cila u vihet në barrë.