ATV

Blog

  • Heqja e simboleve të Kosovës nga kryetarët në veri, Haradinaj kërkon veprim nga ndërkombëtarët

    Heqja e simboleve të Kosovës nga kryetarët në veri, Haradinaj kërkon veprim nga ndërkombëtarët

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur i indinjuar që kryetarët e Listës Serbe në komunat veriore kanë hequr simbolet e Kosovës dhe fotografinë e presidentes Vjosa Osmani.

    Përmes një reagimi në Facebook, ai ka kërkuar urgjentisht që t’i rikthejnë këto simbole në vendin ku u takon.

    Derisa Haradinaj kërkoi edhe nga Komuniteti Ndërkombëtar, BE dhe ShBA, që të ushtrojnë ndikimin e tyre që kryetarët e komunave nga komuniteti serb ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe të punojnë në harmoni me to.

    “I përgëzoj të gjithë kryetarët e komunave që kanë dhënë betimin, me theks të veçantë 5 kryetarët prej radhëve të AAK dhe i inkurajoj të vazhdojnë punën e tyre në interes të qytetarëve dhe gjithmonë në përputhje me ligjin e Kushtetutën”, shkroi pos tjerash ai.

  • Përballja historike – Tyson dhe Mayweather gati për super-meçin e vitit

    Përballja historike – Tyson dhe Mayweather gati për super-meçin e vitit

    Mike Tyson ka zbuluar detaje të reja rreth ndeshjes së tij të ardhshme të boksit ndaj Floyd Mayweather, e cila pritet të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm.

    Dy legjendat e sportit, që secili ka lënë gjurmë në historinë e boksit në mënyrën e vet, do të përballen në një ndeshje ekspozuese që pritet t’u sjellë fitime të konsiderueshme të dyve. Tani Tyson ka bërë publik edhe disa elementë të marrëveshjes.

    “Ky meç është diçka që as bota, as unë, nuk e kemi imagjinuar se do të mund të ndodhte. Megjithatë, boksi ka hyrë në një epokë të re të paparashikueshmërisë dhe ky duel është aq i pazakontë sa që tani po bëhet realitet”, tha Tyson për MMA Weekly.

    “Ende nuk mund ta besoj që Floyd pranoi. Do të jetë e vështirë për të nga ana fizike, por ai e dëshiron ndeshjen. Ne kemi nënshkruar kontratën dhe do të përballemi.”

    Edhe pse numri i raundeve, madhësia e dorezave dhe dimensionet e ringut nuk janë bërë ende të ditura, Tyson ka zbuluar të paktën një detaj të rëndësishëm – kohën dhe vendin e duelit.

    “Do të luftojmë në mars, në Afrikë. Do të thyejmë çdo rekord, do të jetë një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e sportit”, përfundoi ai.

    Të dy, pasi kanë përfunduar karriera të jashtëzakonshme dhe kanë grumbulluar së bashku plot 100 fitore, kanë marrë pjesë në disa ndeshje miqësore, por asnjëherë më parë nuk kanë zhvilluar një duel të tillë.

    Gjatë karrierës së tij, Tyson ka luftuar në kategorinë e peshave të rënda, me peshë rreth 100 kilogramë, ndërsa Mayweather është ndeshur në pesë kategori të ndryshme, nga 60 deri në 70 kilogramë. Pikërisht ky dallim i madh në peshë pritet të tërheqë një numër të madh tifozësh drejt këtij dueli historik. /ATVLIVE.TV

  • Kryeministri Kurti pret ekipin e Dritës para përballjes historike ndaj AZ Alkmaar

    Kryeministri Kurti pret ekipin e Dritës para përballjes historike ndaj AZ Alkmaar

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në zyrën e tij ekipin e Dritës, në prag të ndeshjes së rëndësishme që skuadra gjilanase do ta zhvillojë të enjten ndaj AZ Alkmaar në kuadër të Ligës së Konferencës.

    Gjatë takimit, Kurti i përgëzoi futbollistët, trajnerin dhe stafin për paraqitjet e deritanishme, duke theksuar se Drita po e përfaqëson Kosovën me dinjitet dhe profesionalizëm në arenën evropiane. Ai theksoi se bardhekaltërit po shfaqin nivel të lartë gare, duke u renditur aktualisht në vendin e 8-të nga 36 ekipe pjesëmarrëse në këtë kompeticion – një arritje historike për futbollin kosovar.

    “Shanset për kualifikim janë të mëdha. Ju falënderoj për përfaqësimin dinjitoz që po i bëni shtetit tonë”, tha Kurti, duke u uruar futbollistëve sukses në sfidën e radhës.

    Të enjten mbrëma, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Drita do të presë ekipin holandez të AZ Alkmaar. Një rezultat pozitiv do të shënonte një tjetër hap të madh për klubin, por edhe për futbollin kosovar në përgjithësi.

    “Forca Drita!”, përfundoi Kurti, duke i dhënë mbështetje të plotë skuadrës gjilanase para këtij takimi vendimtar.

  • Roli parësor ekonomik i Shqipërisë në rajon

    Roli parësor ekonomik i Shqipërisë në rajon

    AKADEMIK, PROF. DR. ANASTAS ANGJELI

    Ekonomitë e vendeve të Ballkanit janë shumë më të ndërlidhura sesa mund të duket në pamje të parë. Lidhjet tona nuk kalojnë vetëm përmes marrëdhënieve ekonomike e tregtare dhe shifrave të importit dhe eksportit apo turizmit, që tashmë është shndërruar në një sektor të suksesshëm dhe të rëndësishëm në strukturën e ekonomisë sonë, por edhe përmes një rrjeti më të gjerë marrëdhëniesh kulturore, historike, financiare dhe akademike. Ndaj dhe po ndalem në disa nga këto fusha që lidhen me: stabilitetin financiar e monetar, kapacitetin investues dhe vlerën e dijes dhe kapitalit njerëzor ku mendoj se Shqipëria mund të luajë një rol parësor në rajon.

    Shqipëria është një rast unik në rajon. Megjithëse monedha jonë zyrtare mbetet leku, një pjesë e madhe e ekonomisë sonë funksionon de facto në euro. Ky fenomen i njohur si euroizim i pjesshëm shumë i diskutuar në literaturë e specializuar shqiptare në konceptin e “Asimetrie Monetare”, paraqet njëkohësisht një dobësi relative, por dhe mundësi absolute shumë të rëndësishme. Po ndalem vetëm në dy të dhëna ne tabelat e publikuara.

    Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut rezultojnë si vendet me ekspozimin më të lartë ndaj depozitave dhe kredive në euro. Kjo tregon një mekanizëm të fuqishëm të menaxhimit të sistemeve të tyre financiare në monedha të huaja, e cila i bën ato shumë të ndjeshme ndaj vendimeve të politikës monetare të ECB-së dhe luhatjeve të EURIBOR-it. Bosnja dhe Hercegovina gjendet në një pozicion të mesëm, ndërsa Serbia është një rast i veçantë, me një përqindje dukshëm më të ulët.

    Në këtë situatë, që shpesh shihet si sfidë, mund të shihet dhe si një potencial strategjik, që personalisht e konsideroj si mundësi absolute që Shqipëria mund të shndërrohet në një “Pol financiar rajonal”, duke shfrytëzuar lidhjen organike që ekziston tashmë me euron. Përse? Le ta shohim nga një kënd tjetër vështrimi gjithë fenomenin.

    Në rajon, Kosova dhe Mali i Zi e përdorin euron zyrtarisht. Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë sisteme të ndërmjetme. Shqipëria, me përvojën e saj në menaxhimin e një ekonomie të euroizuar, mund të ofrojë një model të balancuar duke treguar si mund të ruajmë fleksibilitetin e politikës monetare kombëtare, ndërkohë që afrohemi natyrshëm me arkitekturën e Eurosistemit.

    Në këtë mënyrë, Shqipëria mund të bëhet ura monetare midis vendeve, që tashmë janë në orbitën e euros dhe atyre që ende ruajnë monedhën kombëtare. Kjo do të ndihmonte në harmonizimin e rregullave bankare, lehtësimin e tregtisë ndërkufitare dhe forcimin e integrimit financiar të rajonit tonë. Një Shqipëri e fortë financiarisht, me institucione të qëndrueshme, nuk do të ishte vetëm në shërbim të stabilitetit të vet ekonomik, por do të shërbente si “garant i besimit rajonal”, si një “stabilizator monetar” në pritje të integrimit të përbashkët në Bashkimin Europian.

    Proceset e modernizimit ekonomik në vendet e vogla dhe të hapura shpesh kërkojnë identifikimin e avantazheve strukturore që mund të shndërrohen në burime konkurruese rajonale. Në rastin e Shqipërisë, dy fusha paraqiten si potencialisht transformuese: sistemi financiar në zgjerim dhe modernizim, i karakterizuar nga përhapja e përdorimit të euros në ekonomi dhe sektori energjetik i mbështetur fort te burimet e rinovueshme, veçanërisht hidroenergjetika. Ndonëse këto dy fusha duken të ndara në mënyrë tradicionale, ndërthurja e tyre strategjike mund të krijojë një model zhvillimi unik, ku stabiliteti financiar dhe kapitali ndërkombëtar shfrytëzohen për të ndërtuar një industri energjetike të qëndrueshme dhe të orientuar drejt eksportit. Në të njëjtën kohë, prodhimi i pastër i energjisë rrit besueshmërinë dhe perceptimin e vendit si destinacion për investimet financiare ndërkombëtare.

    Rritja e përdorimit të euros në ekonominë shqiptare ka sjellë një shkallë të lartë stabiliteti monetar. Ky euroizim de facto ka krijuar një mjedis më të parashikueshëm për investitorët e huaj dhe për institucionet financiare rajonale. Nëse ky proces shoqërohet me reforma të thelluara në infrastrukturën financiare, Fintech, digjitalizim të veprimeve bankare deri në Bankë Digjitale dhe sidomos modernizimi i sistemeve të pagesave i realizuar kohët e fundit me platformat europiane si SEPA, “Open Banking” dhe shumë shpejt me sistemin e pagesave TIPS, projekt i BQ Italiane me mbështetje të BQE, (ku Shqipëria është angazhuar e para bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor) dhe zgjerimi i instrumenteve të tregut të kapitaleve, atëherë Shqipëria mund të pozicionohet si nyje financiare në Ballkanin Perëndimor. Të qenit një pol financiar nuk kuptohet vetëm si prania e bankave, por si aftësia për të mobilizuar kapitale afatgjatë, të tërheqë fonde institucionale dhe të krijojë tregje funksionale të reja. Sektori financiar, nëse arrin këtë nivel zhvillimi, bëhet një mekanizëm i rëndësishëm për të mbështetur transformimin energjetik.

    Projekte të tilla si parqet diellore (fotovoltaike), turbina eolike, magazinimi i energjisë në bateri, zgjerimi i hidrocentraleve ekzistuese apo digjitalizimi i rrjetit energjetik kërkojnë kapital te konsiderueshëm dhe periudha të gjata kthimi. Këto karakteristika i bëjnë projektet e energjisë së gjelbër ideale për financim përmes instrumenteve si obligacionet e gjelbra, fondet e investimeve të specializuara dhe partneritetet publik–privat. Një vend që funksionon si qendër financiare mund t’i strukturojë këto instrumente në mënyrë më efikase dhe tërheqëse për investitorët ndërkombëtarë. Për shembull, krijimi i një tregu të obligacioneve të gjelbra në Tiranë do t’i mundësonte vendit të kanalizonte kapitalin global drejt projekteve të energjisë së pastër, duke kombinuar reputacionin energjetik me stabilitetin financiar.

    Nga ana tjetër, sektori energjetik shqiptar mbështetet tashmë në një avantazh të rrallë në rajon: prodhimin gati tërësisht të bazuar te burimet e rinovueshme, kryesisht për shkak të hidrocentraleve. Ky profil e vendos Shqipërinë në një pozicion unik për t’u afirmuar si furnizues rajonal i energjisë së pastër, në një kohë kur Bashkimi Europian po orienton gjithnjë e më shumë politikat dhe fondet drejt ekonomive me karbon të ulët. Potenciali për energji diellore dhe të erës mbetet i pashfrytëzuar plotësisht, ndërsa projektet e interkoneksionit me vendet fqinje, përfshirë lidhjet me Italinë, krijojnë mundësi të reja për eksport dhe për stabilizimin e rrjetit energjetik.

    Integrimi i dy sektorëve financiarë dhe energjetikë mund të realizohet përmes krijimit të institucioneve të specializuara dhe instrumenteve të dedikuara financiare. Këtu kërkohet nga njëra anë rritja e rolit të sektorit financiar e bankar në fushën e investimeve dhe projekteve të zhvillimit duke pasur në fokus edhe Investimet për Energjinë e Gjelbër, e modeluar sipas praktikave më të mira europiane që do të mund të ofronin kredi të buta dhe do të nxiste partneritete me institucione si EBRD apo BEI, e do të zvogëlonte rreziqet për sektorin privat. Në të njëjtën kohë, emetimi i obligacioneve të gjelbra sovrane do të siguronte burime financimi afatgjata për projekte strategjike të infrastrukturës energjetike. Nga ana tjetër, investimet në këta sektorë dhe ata strategjikë kërkon dhe përmirësimin e kuadrit ligjor, për të mundësuar një “filtrim” të investitorëve në këto fusha, veçanërisht të burimeve financiare të tyre.

    Këto ndërhyrje financiare, të kombinuara me rregullore të favorshme për investimet e gjelbra apo atyre infrastrukturore me Partneritet PublikPrivat dhe me stimuj fiskalë, do të krijonin një ekosistem ku kapitali ndërkombëtar do të drejtohen drejt sektorit energjetik shqiptar.

    Nëse Shqipëria ndërmerr reformat e duhura në të dy sektorët, ajo mund të shndërrohet në një pol të dyfishtë financiar dhe energjetik në Ballkanin Veriperëndimor. Kjo do të përmirësonte ndikimin ekonomik rajonal, do të rriste eksportet dhe do të siguronte qëndrueshmëri afatgjatë në zhvillimin ekonomik. Modeli i propozuar synon jo vetëm rritjen e kapacitetit prodhues të energjisë, por edhe transformimin strukturor të ekonomisë shqiptare drejt një ekonomie të integruar me tregjet europiane dhe të orientuar drejt së ardhmes.

    Në këtë proces që analizova më lart, “Edukimi Universitar” ka një rol jetik. Universitetet shqiptare duhet të përgatisin ekonomistë të gjithanshëm, por edhe ekonomistët e gjelbër të së ardhmes, profesionistë që kuptojnë lidhjen midis financës, energjisë dhe mjedisit, që dinë të projektojnë modele biznesi të qëndrueshme dhe të menaxhojnë riskun klimaterik. Rajoni ynë ka nevojë për një element që unë e quaj “infrastrukturë të butë”, ose më thjeshtë, për një treg universitar rajonal, ku akademikët, studentët, pedagogët dhe kërkuesit të lëvizin lirshëm, të ndajnë programe të përbashkëta, dhe të krijojnë qendra ekselence që bashkëpunojnë ngushtë me bizneset e rajonit. Ky duhet të kthehet si një mision kombëtar. Universitetet shqiptare mund të bëhen “qendra të dijes”, ku formohen brezat e rinj që do të udhëheqin integrimin ekonomik, financiar dhe teknologjik të rajonit. Tiparet e këtyre qendrave duhet të jenë:

    1. Ndërveprim midis akademisë, biznesit dhe institucioneve publike.

    2. Krijim dhe transferim i njohurive, jo vetëm ruajtja e tyre në nivel kombëtar.

    3. Rrjetëzim ndërkombëtar që presupozon bashkëpunim me qendra të tjera të dijes.

    4. Një qasje e hapur ndaj informacionit dhe inovacionit.

    5. Një ndikim real dhe praktik në zhvillimin ekonomik, social ose teknologjik.

    Për mua, ky bashkëpunim universitar nuk është thjesht akademik. Ai duhet të konsiderohet si një investim strategjik në konkurrueshmërinë rajonale, sepse tregjet nuk janë vetëm pronë e mallrave apo e parasë, sot ato janë mbi të gjitha “tregje idesh”.

    E ardhmja e rajonit tonë nuk do të përcaktohet vetëm nga marrëveshjet politike apo nga korridoret e transportit. Ajo do të përcaktohet nga “besimi në stabilitetin monetar”, nga “zhvillimi energjetik” dhe nga “hapësira e përbashkët e dijes”. Vetëm kështu duke e parë monedhën, energjinë dhe dijen si tri shtylla të një realiteti të ri, mund të avancojmë drejt një Ballkani Perëndimor më të integruar, më të begatë dhe më europian.

    Shqipëria është e përgatitur të japë kontributin e saj në të tria këto fronte, duke ndërtuar ura monetare, energjetike dhe universitare ndërfunksionale, që jo vetëm t’i afrohemi Europës, por të sjellim Europën më afër nesh.

  • Të enjten vendoset gurthemeli për tribunat dhe ndriçimin e ri në Stadiumin “Zahir Pajaziti”

    Të enjten vendoset gurthemeli për tribunat dhe ndriçimin e ri në Stadiumin “Zahir Pajaziti”

    Të enjten, më 11 dhjetor, do të nisin zyrtarisht punimet për ndërtimin e tribunave dhe instalimin e sistemit të ri të ndriçimit në Stadiumin “Zahir Pajaziti”, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën sportive të komunës.

    Gurthemeli do të vendoset në një ceremoni zyrtare ku pritet të marrin pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, si dhe Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

    Pas ceremonisë, drejtuesit do të zhvillojnë vizita edhe në dy projekte të tjera të rëndësishme infrastrukturore në komunë: Pishinën Gjysmëolimpike dhe Qendrën Multifunksionale, ku do të shikojnë nga afër ecurinë e punimeve.

    Agjenda e ditës së enjtes:

    11:00 – Vendosja e gurthemelit në Stadiumin “Zahir Pajaziti”

    11:30 – Vizitë punimeve në Pishinën Gjysmëolimpike

    11:45 – Vizitë punimeve në Qendrën Multifunksionale

    Projekti i ri synon t’i japë komunës një infrastrukturë më moderne sportive, duke përmirësuar kushtet për ekipet vendore, sportistët dhe tifozët.

  • Zgjedhja e kreut të SPAK, Ambasada Britanike: Hap i rëndësishëm për Shqipërinë

    Zgjedhja e kreut të SPAK, Ambasada Britanike: Hap i rëndësishëm për Shqipërinë

    Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar më anë të një postimi në Facebook lidhur me zgjedhjet e kreut të SPAK që pritet të zhvillohet ditën e nesërme të 11 dhjetorit.

    Ambasada Britanike thekson se sa i rëndësishëm është ky hap për Shqipërinë me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës, kryesisht të zhvilluar në mënyrë transparente.

    “Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit”.

    “Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente. Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer”, shkruan Ambasada Britanike në Tiranë.

  • Helmut Marko i jep fund epokës së tij te Red Bull pas më shumë se 20 vitesh!

    Helmut Marko i jep fund epokës së tij te Red Bull pas më shumë se 20 vitesh!

    Epoka e artë e Helmut Marko në Formula 1 duket se ka arritur në fund. Strategu dhe këshilltari historik austriak i ka thënë lamtumirë Red Bullit pas mbi dy dekadash bashkëpunimi, vetëm pak ditë pasi Max Verstappen humbi titullin botëror për vetëm dy pikë.

    Largimi u bë zyrtar pas një takimi me CEO-n Oliver Mintzlaff, duke e detyruar Markon të mbyllë bashkëpunimin një vit para përfundimit të kontratës. Lajmi u konfirmua nga gazeta holandeze De Limburger, e cila raporton se kjo ndarje është rezultat i një sërë vendimesh të njëanshme të marra nga Marko gjatë viteve të fundit, vendime që kanë cenuar marrëdhëniet e tij me skuderinë.

    Një nga këto vendime lidhet me shkarkimin e Christian Hornerit, një veprim i bërë pa miratimin e drejtuesve dhe që solli pasoja të mëdha ekonomike për ekipin. Një tjetër ishte promovimi i Arvid Lindblad te Racing Bulls, duke e zhvendosur Yuki Tsunodën, si dhe mosmarrëveshjet që lindën pas kalimit të Isak Haxhitar te Red Bull.

    Gjithashtu, gjatë verës Marko vendosi të nënshkruante kontratë me pilotin Alex Dan pas largimit të tij nga McLaren, një lëvizje që drejtuesit nuk e miratuan. Ata i kërkuan ta anulonte menjëherë marrëveshjen, gjë që i kushtoi Red Bullit qindra mijëra dollarë në pagesa kompensuese.

    Pavarësisht turbulencave të brendshme, një pikë e sigurt për skuderinë mbetet Max Verstappen. Kampioni holandez do të qëndrojë te Red Bull deri në fund të kontratës së tij në vitin 2028 dhe do të jetë në qendër të projekteve të reja të zhvillimit të makinës nga sezoni i ardhshëm, me synimin për të fituar titullin e tij të pestë botëror.

    Red Bull tashmë përballet me një nga momentet më të rëndësishme të tranzicionit në historinë e saj moderne, teksa përpiqet të ndërtojë një epokë të re pas largimit të Helmut Markos.

  • Van Basten kritikon Mohamed Salah: “Reagoi gabimisht ndaj Arne Slot”

    Van Basten kritikon Mohamed Salah: “Reagoi gabimisht ndaj Arne Slot”

    Legjenda e futbollit holandez, Marco van Basten, ka komentuar shpërthimin e sulmuesit Mohamed Salah ndaj trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot, gjatë fundjavës, duke mos kursyer kritikat për yllin egjiptian.

    Sipas Van Basten, Salah ka reaguar në mënyrë të gabuar dhe nuk ka justifikim për sjelljen e tij. “Do të thoja: truri i një zogu të egër. Nëse reagon kështu… Ai luajti shumë mirë vitin e kaluar, por këtë sezon nuk po shfaq formën e duhur”, tha legjenda holandeze, duke shtuar se performanca e sulmuesit ka qenë zhgënjyese kohët e fundit.

    Ai theksoi gjithashtu se trajneri Slot është i ndershëm dhe i drejtpërdrejtë, dhe se tensioni i fundit ka ardhur nga reagimi i Salahut: “Slot nuk i shmanget një sherri dhe nuk thotë asgjë të pamatur. Salah, nga ana tjetër, filloi ta sulmonte dhe të reagonte gabimisht”, shtoi Van Basten.

    Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes raportet e brendshme te Liverpooli, ndërsa debati mbi marrëdhënien mes yjeve të skuadrës dhe stafit teknik vazhdon të komentuar gjerësisht në media.

  • Ushtrimi me amerikanët te zona e Ambasadës të premten nga ora 15:00- 21:00, Policia jep detaje

    Ushtrimi me amerikanët te zona e Ambasadës të premten nga ora 15:00- 21:00, Policia jep detaje

    Edhe Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim për ushtrimin me ambasadën amerikane në Prishtinë. Ky ushtrim do të mbahet të premten nga ora 15:00 deri në 21:00 dhe do të përfshijë zonën pranë objektit të ambasadës.

    “Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me ambasadën Amerikane në Prishtinë, njofton opinionin publik se të premten, më 12 dhjetor nga ora 15:00 -21:00, do të realizoj një ushtrim të gjerë në Prishtinë, përfshirë zonën pranë objektit të Ambasadës Amerikane, e cila gjendet në lagjen Arbëria të Prishtinës.”

    Policia thotë se ushtrimet e përbashkëta me ambasadën e Amerikës janë “një tregues i forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit në siguri dhe për të siguruar gatishmërinë në menaxhimin dhe reagimin ndaj situatave emergjentë, dhe të çfarëdo incidenti të mundshëm në Kosovë”.

    Sipas Policisë përmes këtij ushtrimi synohet testimi i kohës së reagimit, efektiviteti dhe efikasiteti i zyrtarëve dhe pajisjeve, si dhe komunikimi e koordinimi ndërmjet njësive dhe institucioneve relevante në situata emergjente.

    “Përmes këtij ushtrimi synohet testimi i kohës së reagimit, efektiviteti dhe efikasiteti i zyrtarëve dhe pajisjeve, si dhe komunikimi e koordinimi ndërmjet njësive dhe institucioneve relevante në situata emergjente, ku kërkohet garantimi i një ambienti të sigurt për qytetarët, stafin diplomatik dhe institucionet e Kosovës.”

    Pjesëmarrja në këtë ushtrim do të përfshijë, prani të shtuar të Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së Ambasadës Amerikane, përdorim të shtuar të mjeteve dhe pajisjeve të ndryshme policore siç janë altoparlantët, sirenat e mjetet të ndryshme logjistike policore.

    “Pra ky do të jetë vetëm një ushtrim e jo veprim policor ndaj një incidenti të vërtetë, andaj kërkojmë bashkëpunim dhe mirëkuptim të plotë nga qytetarët e në veçanti nga pjesëmarrësit në trafik, që në këtë kohë të shmangin qarkullimin në zonën përreth Ambasadës Amerikane në Prishtinë – lagjja Arbëria, për shkak të zhvillimit të ushtrimit dhe ndërprerjes së qarkullimit të përkohshëm të disa segmenteve rrugore në atë zonë. Për ndonjë informacion apo udhëzim shtesë mund të kontaktoni Policinë e Kosovës në numrin 192, ose në [email protected] si dhe të ndiqni faqet zyrtare të Policisë së Kosovës”.

  • Kylian Mbappé i thirrur për ndeshjen Real Madrid – Manchester City

    Kylian Mbappé i thirrur për ndeshjen Real Madrid – Manchester City

    Ylli francez Kylian Mbappé është përfshirë në listën e lojtarëve të thirrur për ndeshjen e madhe ndërmjet Real Madrid dhe Manchester City, edhe pse po vuan nga një shqetësim muskulor.

    Megjithatë, Mbappé dëshiron të jetë i gatshëm për sfidën dhe tregon vendosmërinë e tij për të qenë pjesë e skuadrës në ditën e ndeshjes. Sipas mediave spanjolle, futbollisti francez ka treguar një mentalitet të fortë dhe ambicie për të kontribuar, pavarësisht shqetësimeve fizike.

    Ky lajm vjen si një motiv shtesë për tifozët e Real Madrid, të cilët shpresojnë që Mbappé të sjellë performancë të lartë kundër kampionëve anglezë.