ATV

Blog

  • Mbyllje rrugësh, sirena e shtim forcash policore, Ambasada e SHBA njofton për ushtrimin që do ta bëjnë me Policinë e Kosovës

    Mbyllje rrugësh, sirena e shtim forcash policore, Ambasada e SHBA njofton për ushtrimin që do ta bëjnë me Policinë e Kosovës

    Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, do të zhvillojë një ushtrim të përbashkët në shkallë të gjerë të premten, më 12 dhjetor.

    Ushtrimi do të zhvillohet nga ora 15:00 deri në 21:00.

    “Ky ushtrim do të përqendrohet në menaxhimin e krizave, koordinimin ndër-agjencior dhe procedurat e reagimit ndaj emergjencave. Është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës për të forcuar bashkëpunimin në siguri dhe për të siguruar gatishmërinë në reagimin ndaj një sërë incidentesh të mundshme”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.

    Gjatë këtij ushtrimi pritet të ketë prani të shtuar të policisë dhe personelit të sigurisë së Ambasadës së SHBA-së, ndërprerje të përkohshme të trafikut dhe mbyllje afatshkurtra të rrugëve, përdorim sirenash dhe altoparlantësh.

    Mes të tjerash, në njoftim thuhet:

    Ambasadat dhe konsullatat e Shteteve të Bashkuara shpesh kryejnë ushtrime me qëllim përgatitjen e punonjësve për emergjenca natyrore ose të shkaktuara nga njeriu. Në përgjithësi, këto arrihen përmes ushtrimeve të brendshme në tavolinë ose në shkallë të vogël. Megjithatë, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i fortë dypalësh midis Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës krijojnë një mundësi unike për të kryer një ushtrim të përbashkët, në shkallë të gjerë dhe me veprim të drejtpërdrejtë për menaxhimin e krizave në Kosovë.

    Gjatë ushtrimit, publiku mund të presë:

    Prani e shtuar e Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së Ambasadës amerikane në afërsi të Ambasadës amerikane dhe zonave të tjera të caktuara të trajnimit në Prishtinë;

    Ndërprerje të përkohshme të trafikut dhe devijime, duke përfshirë mbyllje afatshkurtra të rrugëve sipas udhëzimeve të Policisë së Kosovës;

    Përdorim i mundshëm i sirenave, altoparlantëve dhe efekteve të tjera stërvitore që mund të jenë të dukshme për banorët dhe kalimtarët.

    Ambasada Amerikane thekson se ky është vetëm një ushtrim, jo ​​një reagim ndaj një incidenti të vërtetë. Ne i kërkojmë publikut mirëkuptim dhe bashkëpunim, si dhe të ndjekë çdo udhëzim të dhënë nga Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe.

  • Barnat për dobësim mund t’ju plakë për një dekadë, paralajmërim i ri mjekësor

    Barnat për dobësim mund t’ju plakë për një dekadë, paralajmërim i ri mjekësor

    Barnat e njohura për humbje peshe, si Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro, po bëjnë bujë për efektet e tyre të shpejta, por studimet e fundit nxjerrin në pah një kosto shqetësuese: humbjen e masës muskulore, e cila mund të jetë ekuivalente me një dekadë plakjeje.

    Këto barna funksionojnë duke ndikuar tek receptorët e oreksit në tru, duke krijuar ndjesinë e ngopjes dhe duke reduktuar marrjen e ushqimit. Edhe pse Ozempic është kryesisht për diabetin tip 2, përdorimi i tij për dobësim është rritur ndjeshëm. Megjithatë, përveç efekteve të njohura si rënia e flokëve, problemet me tretjen dhe lëkura e varur, studimet e reja tregojnë një problem më serioz.

    Humbja e muskujve, një dekadë plakje

    Raporti i studiuesve kanadezë në bashkëpunim me Les Mills dhe UKActive zbuloi se përdoruesit humbasin sasi të konsiderueshme të masës muskulore. Ky humbje i vendos përdoruesit në rrezik të shtuar nga brishtësia dhe dëmtimet nga rrëzimi, sidomos në moshë të mesme dhe të shtyrë.

    “Humbja e muskujve është veçanërisht shqetësuese për të moshuarit, pasi masa muskulore bie natyrshëm me moshën. Humbja e masës muskulore dhe asaj kockore e lidhur me barnat për dobësim gjithashtu mund të rrisë brishtësinë dhe rrezikun e rrëzimeve,” paralajmërojnë studiuesit. Pa trajnim të mjaftueshëm të forcës, kjo situatë mund të jetë e rrezikshme.

    Mendimi i ekspertëve

    Dr. Jillian Hatfield, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Luginës së Fraser, shpjegoi se pjesëmarrësit që ushtronin 150 minuta në javë dhe konsumonin 500 kalori më pak se rekomandohej humbën rreth 11% të masës muskulore, një efekt i ngjashëm me atë pas kirurgjisë bariatrike, trajtimit të kancerit ose plakjes natyrale për një dekadë.

    Bryce Hastings nga Les Mills theksoi se përdoruesit duhet të angazhohen rregullisht në trajnim force për të kundërshtuar humbjen e muskujve, duke shtuar se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar plotësisht ndikimin e këtyre barnave.

    Përgjigjja e prodhuesve

    Novo Nordisk, prodhues i Ozempic dhe Wegovy, rekomandon që pacientët të përdorin barnat vetëm për indikacionet e miratuara dhe nën mbikëqyrjen e profesionistëve shëndetësorë. Sipas kompanisë, provat klinike nuk e kanë studiuar posaçërisht efektin mbi masën muskulore, por një nën-studim sugjeroi ulje të masës muskulore dhe yndyrore.

    “Rekomandojmë që pacientët që përjetojnë efekte anësore gjatë përdorimit të këtyre barnave të kontaktojnë profesionistin e tyre shëndetësor,” theksojnë ata.

    Eli Lilly, prodhuesi i Mounjaro, pohoi se siguria e pacientëve është prioritet kryesor dhe se barnat duhet përdorur vetëm sipas recetës dhe nën mbikëqyrjen e profesionistëve shëndetësorë. Ata gjithashtu nënvizuan rëndësinë e një diete të balancuar dhe aktivitetit fizik të rregullt për ruajtjen e masës muskulore.

  • Avioni në Florida përplaset mbi një veturë, një 57-vjeçare përfundon në spital

    Avioni në Florida përplaset mbi një veturë, një 57-vjeçare përfundon në spital

    Një avion Beechcraft 55 është përplasur mbi një veturë Toyota Camry në autostradën I-95 në Brevard County, Florida, të hënën mbrëma.

    Të gjithë mbijetuan dhe nuk pati lëndime serioze, sipas mediumit lokal WESH-TV.

    Në video shihet avion që bie mbi veturën e cila po lëvizte në shiritin e mesit. Avioni e godet nga mbrapa veturën, dhe vazhdon të rrëshqasë, duke nxjerrë shkëndija derisa ndalet

    Gruaja 57-vjeçare që po voziste Toyotan u dërgua në spital me lëndime të lehta, raportojnë mediat.

    Dy pasagjerët e avionit — të dy 27 vjeç — dolën prej tij pa asnjë lëndim.

    Sipas raportimit, piloti kishte njoftuar më herët për probleme me motorin para tentimit për ulje emergjente. Avioni thuhet se humbi fuqinë në të dy motorët pasi ishte ngritur për një fluturim mësimor nga Merritt Island aty pranë.

  • Vdes gastronomi shqiptar në Zvicër, Daut Haradinaj: Na nderonte sa herë shkonim atje

    Vdes gastronomi shqiptar në Zvicër, Daut Haradinaj: Na nderonte sa herë shkonim atje

    Ka vdekur gastronomi shqiptar në Zvicër, Blerim Asllani.

    Lajmin e bëri të ditur ish-deputeti Daut Haradinaj, i cili tha se Asllani ishte shumë i suksesshëm në gastronomi dhe se për të ishte një adresë ku nderohej.

    “Me keqardhje mora lajmin tragjik për vdekjen e mikut tim Blerim Asllani. Blerimi ishte gastronom tepër i suksesshëm dhe me shumë dashni e respekt na nderonte sa herë ishim në Zvicër. Familjes dhe miqve ju shpreh ngushëllime për këtë humbje të hershme”.

  • Betohen kryetari Alban Hyseni dhe anëtarët e Kuvendit të Gjilanit

    Betohen kryetari Alban Hyseni dhe anëtarët e Kuvendit të Gjilanit

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe anëtarët e Kuvendit të komunës, janë betuar të mërkurën, në mbledhjen inauguruese, të cilën e ka udhëhequr anëtari më i vjetër, Isa Agushi.

    “Përkundër faktit që ne vijmë nga subjekte të ndryshme politike, misioni ynë i përbashkët është mbrojtja e interesave të Komunës së Gjilanit dhe qytetarëve të saj bazuar në ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi”, ka thënë Agushi.

    Me ta bënë betimin, kryetari i komunës, Alban Hyseni, gjatë adresimit para kuvendarëve, tha se më shumë se para aktit formal të betimit, sot jemi para një momenti reflektimi, përgjegjësie dhe shprese.

    “Sot, duke qenë para secilit prej jush, unë ndjehem shumë krenar, sepse qyteti ynë ka qytetarë të mirë, të mençur e punëtorë, që besojnë në institucionet e tyre dhe te ardhmja e vendit. Pikërisht mbi këtë bazament moral e shoqëror, ndërtohet edhe vizioni ynë”, tha kryetari Hyseni.

    Ai theksoi se Komuna e Gjilanit tashmë ka nisur një tranformim të vërtetë, që nuk matet vetëm me kilometër gjatësi apo me metra katrore ndërtim, por më shumë matet me mundësi të reja për njerëzit.

    “Në këtë drejtim, bulevardi i ri që po realizohet, po bëhet shpirti modern i qytetit, stadiumi është një hapësirë e krenarisë sportive dhe e rinisë, projekti flows që ka ndikim të madh në përmirësimin e cilësisë së jetës sonë, impianti i ujërave të zeza, që pas një kohe të gjatë do të garantojë fundin e problemeve bazike, banimi i përballueshëm dhe social, një dorë e fortë për familjet që kanë nevojë por edhe ata që duan një fillim të ri. Shkolla e mjekësisë, pas 20 vjetësh, është një vend që do t’i përgatisë brezat e rinj të profesionistëve, për të vazhduar me sallën e sporteve, qendrën e kulturës, stacionin e autobusëve e dhjetëra projekte të tjera”, ka thënë kryetari Hyseni, pas betimit.

  • Ajola Xoxa do të bëhet sërish nënë?

    Ajola Xoxa do të bëhet sërish nënë?

    Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Ajola Xoxa, raportohet se është shtatzënë me binjakë.

    Sipas burimeve për JOQ Albania, Xoxa ndodhet aktualisht në muajin e katërt të shtatzënisë, e arritur përmes fertilizimit in vitro, pas disa përpjekjesh të mëparshme që nuk rezultuan të suksesshme.

    Çifti Xoxa-Veliaj tashmë janë prindër të një djali të vogël, Kajan, dhe duket se familja e tyre do të zgjerohet së shpejti me dy anëtarë të rinj.

    Ndërkohë, kryebashkiaku Veliaj ndodhet në paraburgim në Durrës, pas rimarrjes së detyrës së tij në Kushtetuese, por kjo nuk e ka ndalur familjen të festojë lajmin e gëzueshëm.

    Urime çiftit për këtë moment të veçantë në jetën e tyre!

  • Jasveen Sangha: ‘Mbretëresha e Ketaminës’ që rrëzoi Hollivudin dhe çoi në vdekjen e Matthew Perry

    Jasveen Sangha: ‘Mbretëresha e Ketaminës’ që rrëzoi Hollivudin dhe çoi në vdekjen e Matthew Perry

    Ajo ishte një grua që dukej se i kishte të gjitha: edukim të privilegjuar, arsim të mirë dhe një rreth të gjerë miqsh. Por Jasveen Sangha kishte një sekret të errët që disa nga miqtë e saj më të ngushtë thonë se ua kishte fshehur edhe atyre. Me shtetësi të dyfishtë britaniko-amerikane, ajo ishte një tregtare droge për të pasurit dhe të famshmit e Hollivudit, e cila drejtonte një “shtëpi të fshehtë” ku mbante kokainë, Xanax, pilula të rreme Adderall dhe ketaminë. Biznesi i saj – dhe iluzioni i jetës së saj magjepsëse – mori fund papritur pasi furnizoi me 50 shishe ketaminë që iu shitën aktorit të serialit “Friends”, Matthew Perry, përfshirë edhe dozën që çoi në vdekjen e tij në vitin 2023.

    Tashmë, Sangha është mes 5 të tjerëve, përfshirë 2 mjekë, të cilët kanë pranuar fajësinë për veprat penale në vdekjen e Perry.

    Në shkurt, Sangha pritet të jetë e pandehura e fundit në këtë rast, i cili zbuloi një rrjet të fshehtë të drogës ketamine në Los Angeles. Ajo mund të përballet me një maksimum prej 65 vjetësh burg federal. Bill Bodner, agjent special përgjegjës për zyrën e Administratës Kundër Drogës (DEA) në Los Angeles në kohën e vdekjes së Perry, i tha BBC-së se ajo ishte “një person me arsim të lartë që vendosi të siguronte jetesën duke trafikuar drogë dhe t’i përdorte ato para nga trafikimi i drogës për të financuar këtë personazh ndikues në mediat sociale”

    Ai tha se Sangha po drejtonte një “operacion të madh trafikimi droge që i shërbente elitës së Hollivudit”.
    Prokurorët kanë theksuar se Perry merrte sasi të ligjshme dhe me recetë të ketaminës për të trajtuar depresionin, por më pas filloi të kërkonte më shumë sesa lejohej nga mjekët e tij.

    Dokumentet e gjykatës që lidhen me hetimin federal tregojnë se kjo e çoi atë te disa mjekë dhe më pas te një tregtar që siguronte drogën për Sangha nëpërmjet një ndërmjetësi. Avokati i saj, Mark Geragos, ka thënë se Sangha po merr përgjegjësinë, por ka mohuar se ajo e njihte Perry, i cili ishte i njohur për rolin e Chandler Bing në serialin e gjatë Friends.
    “Ajo ndihet tmerrësisht keq. Është ndjerë tmerrësisht keq që nga dita e parë”, u tha Geragos gazetarëve pasi ajo u deklarua fajtore në këtë çështje. “Kjo ka qenë një përvojë e tmerrshme.”

    Javë para vdekjes së Perry, Sangha foli në telefon me mikun e saj të vjetër, Tony Marquez. Ai dhe të tjerë rrëfyen për BBC, në një dokumentar që shqyrton rrethanat e vdekjes së Perry. Kjo shënon herën e parë që miqtë e saj kanë folur hapur për gruan që është bërë e njohur në të gjithë botën si “Mbretëresha e Ketaminës”.

    Sangha dhe Marquez njiheshin që nga vitet 2010, dhe ai tha se madje kishte takuar edhe familjen e saj. Ashtu si Sangha, Marquez ishte gjithashtu një frekuentues i rregullt i festave në Los Angeles. Ai është përballur gjithashtu me probleme ligjore për drogën dhe ka një dënim të mëparshëm për trafik droge. Por, teksa të dy kishin një histori të gjatë, ai thotë se Sangha nuk i la të kuptohej kurrë se ajo ishte përfshirë në aktivitete të paligjshme.

    Vetëm pak muaj më parë, shtëpia e saj në Hollywood, të cilën prokurorët e quajtën “shtëpi fshehjeje”, ishte bastisur nga policia. Jash Negandhi ndoqi Universitetin e Kalifornisë, Irvine me Sangha në vitin 2001, dhe ata kanë mbetur miq për më shumë se 20 vjet. “Ajo ishte shumë e dhënë pas skenës së muzikës dance,” kujton Negandhi. “Ajo i pëlqente të kërcente dhe të argëtohej.” Negandhi tha se u habit nga zbulimi se shoqje e tij ishte një trafikante droge.

    “Unë nuk dija asgjë,” thotë ai. “Absolutisht asgjë. Ajo nuk kishte folur për këtë.” Sigurisht, shumica e miqve supozonin se ajo nuk kishte nevojë për para. “Ajo gjithmonë kishte para,” thotë Marquez. “Ajo udhëtonte kudo me avion privat dhe e bënte këtë përpara se gjithçka të shpërthente.”

    Gjyshërit e Sanghas ishin multimilionerë të shitjes me pakicë të modës në Londrën Lindore, sipas “The Times” dhe Sangha, vajza e sipërmarrësit Nilem Singh dhe Dr. Baljeet Singh Chhokar do të trashëgonte pasurinë e familjes.

    [Ketamine Queen’ Jasveen Sangha made bizarre posts days before her arrest in Matthew Perry’s death]

    Nëna e saj u martua dy herë dhe u transferua në Calabasas në Kaliforni, ku Sangha u rrit. Shtëpia e familjes së saj në Los Angeles është “e bukur” dhe “e madhe”, sipas Marquez. “Ne organizuam një festë në pishinën e shtëpisë së prindërve të saj,” thotë ai. “Ata janë shumë të kujdesshëm, shumë të dashur dhe na trajtuan sikur të ishim fëmijët e tyre.”

    Sangha kaloi kohë në Londër pas shkollës së mesme dhe u diplomua me në Shkollën Ndërkombëtare të Biznesit Hult në Londër në vitin 2010. Në fotografi, ajo mund të shihet duke buzëqeshur ëmbëlsisht në kamera me një kostum elegant të zi me flokë ngjyrë kafe të drejtuar gjatë një vizite në “Financial Times” në vitin 2010.

    “Ajo nuk dukej si mashtruese,” vëren një ish-shoqe klase. Sangha ishte miqësore, megjithëse disi e ftohtë. Ajo vishte rroba firmato në klasë dhe i pëlqente të shoqërohej. Nuk kishte thashetheme për përfshirje në drogë. “Nëse ajo do të ishte përdoruese në Hult, ndoshta do ta dinim.”

    Ajo u kthye në Los Angeles menjëherë pas marrjes së diplomës. Nëna dhe njerku i Sangha-s drejtonin KFC në Kaliforni dhe u paditën nga kompania për më shumë se 50,000 dollarë në vitin 2013 për mospagimin e honorareve ndaj kompanisë për përdorimin e markës së saj.

    Njerku i Sanghas shpalli falimentimin përpara se çështja të përfundonte. Nëse familja e Sanghas po përjetonte vështirësi financiare gjatë kësaj periudhe, megjithatë, ajo nuk ua zbuloi shumë njerëzve. “Nuk dëgjova asgjë për këtë,” thotë Negandhi.

    Sangha dukej se donte të arrinte sukseset e prindërve të saj. Ajo hapi një sallon thonjsh “Stiletto Nail Bar”, i cili nuk funksionoi shumë dhe foli me miqtë për ambiciet e saj, përfshirë edhe zotërimin e një franchise restorantesh.

    Por interesi i saj i vërtetë dukej se ishte të kalonte kohë në klube. Në Los Angeles, ajo kishte një rreth të ngushtë miqsh të quajtur “Kitties”, sipas Marquez, i cili ishte një klikë kryesisht shoqesh femra që pëlqenin të organizonin festa – ku merrnin pjesë personazhe të famshëm.

    Ata shpesh takoheshin në Avalon, një teatër historik në zemër të Hollivudit që pret koncerte dhe evente të muzikës elektronike, dhe festonin deri në orët e para të mëngjesit. Ai thotë se merrnin pilula dhe ketaminë. Ndonjëherë festat e tyre, të cilat i mbanin në të gjithë Kaliforninë, zgjasnin me ditë të tëra.

    [Ketamine Queen’ Jasveen Sangha went to Japan right after Matthew Perry died]

    “Ne bënim udhëtime në Liqenin Havasu, merrnim me qira një rezidencë të madhe të vjetër dhe sillnim DJ-të tanë, të gjitha sistemet e fonisë, dhe çdo natë ishte fantastike”, thotë Marquez. “Ne visheshim të gjitha me rroba të mira dhe bënim një festë të gjatë, me shkëlqim”. Në këto festa “gjithmonë përfshihej ketamina”, thotë ai. Por edhe pse Sangha kishte shumë nofka brenda kësaj klike miqsh, askush nuk e njihte kurrë si “Mbretëresha e Ketaminës”. “Askush nuk e quante kështu,” thotë Marquez.

    Grupi ishte i shqetësuar për furnizimin e paligjshëm të drogës me opioidin vdekjeprurës fentanil, dhe për këtë arsye bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të siguruar sasi të mëdha të ketaminës me cilësi të lartë. “Nëse do të përdornim ketaminë, donim ta merrnim nga burimi,” thotë Marquez.

    Miqtë dyshohet se përdorën korrierë për të shkuar në Meksikë për të marrë drogën, i cili përdoret si qetësues gjatë operacionit, nga veterinerët dhe farmacitë e korruptuara përtej kufirit. “Nuk e dija që Jasveen ta bënte këtë,” thotë Marquez.

    “Por a kishim qasje? A kishim njerëz që e bënin? Po.” Marquez pretendon se nuk dyshoi kurrë se Sangha po merrej me drogë në mënyrë anësore: “Është tronditëse, po ju them.”

    “Vite e vite e njoh këtë person. E njoh familjen e saj. E di mënyrën se si sillet, e di se çfarë është e aftë të bëjë. E di nga vjen. Nuk mundem ende sot e kësaj dite nuk mund ta besoj që kjo po ndodh”, thotë ai. Duke parë prapa, Marquez dyshon se Sangha u bë “e varur” nga statusi shoqëror që vinte me të qenit një tregtare droge për të pasurit dhe të famshmit. “Unë vërtet besoj se Jasveen ishte e varur nga ajo jetë e trafikimit me personazhe të famshëm”, thotë ai. “Ajo ishte e varur nga të qenit në atë rreth shoqëror dhe nga të qenit e kërkuar nga personazhe të famshëm që njerëzit i kanë parë gjithë jetën në TV”.

    Ai tha se beson se ajo nuk ishte kurrë një “krijuese” ose një tregtare e madhe, por thjesht ra në këtë tregti sepse “i pëlqente të merrte ketaminë, ashtu si të gjithë ne”.

    Prokurorët kanë thënë se në vitin 2019, Sangha ia shiti ketaminën një burri të quajtur Cody McLaury. McLaury përjetoi një mbidozë dhe vdiq. Pas vdekjes së tij, motra e tij i dërgoi një mesazh Sanghas për t’i thënë se droga që i kishte shitur vëllait të saj e kishte vrarë atë.

    “Në atë pikë, çdo person i arsyeshëm do të kishte shkuar në forcat e rendit dhe sigurisht çdo person me sadopak zemër do të ndalonte aktivitetet e tij dhe nuk do të shpërndante më ketaminë tek të tjerët”, – thotë Martin Estrada, ish-kryeprokurori për Distriktin Qendror të Kalifornisë, i cili njoftoi akuza federale kundër Sanghas në gusht 2024.

    “Ajo vazhdoi ta bënte këtë dhe pamë, disa vite më vonë, vazhdimin e sjelljes së saj rezultoi në vdekjen e një personi tjetër, z. Perry.” Një mik tjetër nga një rreth tjetër që shkonte në klube me Sangha në vitet 2010 kujton se u habit po aq shumë nga lajmi. Ai i tha BBC-së se e kishte njohur Sangha që nga shkolla e mesme dhe shoqërohej gjerësisht me të në të njëjtën kohë me Marquez.

    Miku nuk donte të identifikohej, në mënyrë që të mund të fliste sinqerisht për gruan që njihte, e cila tani “akuzohet si bos droge”. “Ne ishim gjithmonë në festa, si çdo natë. Për shumë, shumë vite,” – thotë ai. “Ajo nuk më ofroi kurrë asgjë.” Ai kujton se Sangha e merrte xhaxhain e saj Paul Sing me vete pothuajse kudo që shkonte. “Nuk është tamam sjellje e një baroni droge,” thotë ai. “[Dhe] nuk ishte sikur ajo e linte të shkonte me vete. Ai ishte gjithmonë i veshur sipas modës.”

    Paul Sing shfaqet në fotot e eventeve me Sangha-n dhe ishte i pranishëm në gjykatë për ta dëgjuar atë të pranonte fajësinë më 3 shtator. Në një moment në vitet 2020, Sangha ndoqi rehabilitim, sipas Marquez. Në dosjet gjyqësore muajin e kaluar, avokati i saj Mark Geragos pretendoi se ajo kishte qenë esëll për 17 muaj. Në bisedën e saj të fundit me Negandhi-n, ata folën për të ardhmen.

    “Ne të dy ishim në të 40-at dhe tenton të vetëvlerësohesh kur arrijmë në atë moshë. Dhe, fillon të mendosh, çfarë duam të bëjmë tani që kemi arritur këtë moshë?” thotë ai. “Ajo ishte shumë e emocionuar që do të ishte e pastër për një kohë të gjatë dhe mezi priste shumë gjëra në jetë.” Sangha nuk përmendi se ishte arrestuar së fundmi. “Nuk e kisha idenë se po kalonte nëpër të gjitha këto kur po flisnim,” thotë ai. “Ajo nuk kishte zbuluar asgjë prej tyre.”

  • Si rrallë herë, Kiara Tito shpërthen ndaj një ndjekëseje: “E turpshme!”

    Si rrallë herë, Kiara Tito shpërthen ndaj një ndjekëseje: “E turpshme!”

    Moderatorja e njohur Kiara Tito, e cila zakonisht njihet për qasjen e saj të qetë dhe të rezervuar ndaj kritikave, këtë herë ka zgjedhur të reagojë publikisht ndaj një ndjekëseje që e ka ofenduar në rrjetet sociale.

    Kiara dhe bashkëshorti i saj, Luizi, aktualisht janë të angazhuar në një projekt kinematografik që pritet të publikohet në vitin 2026, dhe vëmendja e madhe mediatike që i shoqëron shpesh sjell edhe komente negative nga ndjekës të ndryshëm.

    Në një postim në “Instastory”, Kiara ka shpërndarë emrin dhe foton e profilit të një zonje që, sipas saj, ka përdorur gjuhë fyese dhe të ulët. Moderatorja është shprehur e habitur se si një grua mund të degradojë në ofendime ndaj një tjetër gruaje.

    Ajo ka theksuar se nëse dikush nuk e pëlqen personazhin publik, zgjidhja më e thjeshtë është të mos e ndjekë, e jo të sulmojë me fyerje. Kiara e ka cilësuar komentimin e tillë si “të turpshëm”, duke i kërkuar ndjekësve të raportojnë profilin në fjalë.

    Ky reagim shënon një dalje të rrallë të moderatores kundër ofendimeve online, pasi zakonisht ajo zgjedh të mos replikojë me komentuesit negativë.

  • Mos u habisni, këpucët me push po bëjnë namin këtë sezon; Ja modelet më “IN” të momentit

    Mos u habisni, këpucët me push po bëjnë namin këtë sezon; Ja modelet më “IN” të momentit

    Ka nga ata që i dashurojnë dhe kanë shtuar të paktën disa modele në listën e tyre të dëshirave, ndërsa të tjerët i konsiderojnë një rrezik të vërtetë dhe nuk do të guxonin kurrë t’i vishnin.

    Por nuk ka rëndësi. Edhe nëse nuk u pëlqejnë të gjithëve, këto këpucë janë trendi më IN i momentit dhe mund ti provoni pa frikë. Në këtë artikull do ju tregojmë disa nga modelet më të veçanta që mund të provoni menjëherë.

  • Familja e Liridonës i hapi derën Tom Dodajt, ai nuk shkoi as për ngushëllime!

    Familja e Liridonës i hapi derën Tom Dodajt, ai nuk shkoi as për ngushëllime!

    Në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit, u shqyrtua rasti i Tom Dodajt, i akuzuar për shitjen e armës me të cilën u vra Liridona Ademaj, ngjarje për të cilën ai është dënuar më parë me pesë vjet burgim.

    Dodaj është ngarkuar me veprën penale: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

    Avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla, në një intervistë për IndeksOnlinen thotë se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë ishte i drejtë dhe ka marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit.

    Ai theksoi se, përkundër faktit që familja Ademaj tërhoqi kërkesën për kompensim material, dënimi i Dodajt është brenda kufijve të dënueshmërisë, të cilat variojnë nga 1 deri në 8 vjet.

    “Pesha e veprës penale dhe pasojat e saj kanë çuar në këtë dënim”, tha Syla. “Shitja e armës, në këtë rast, ka pasur pasoja të rënda dhe është e natyrshme që të shqiptohet një dënim i tillë, pasi nuk mund të krahasohet me shitje të thjeshta armësh”, tha Syla për IndeksOnline.

    Tutje, avokati Syla komentoi mungesën e vizitës së familjes nga ana e të akuzuarit.

    Ai shpjegoi se, pas seancës së shkallës së parë, familja Ademaj i kishte dhënë Dodajt mundësinë të kërkonte falje dhe të ndante dhimbjen me ata, por ai nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim.

    “Ne e kemi hapur derën për ngushëllime dhe e kemi ftuar të vijë për të kërkuar falje, por ai nuk ka ardhur”, theksoi avokati Syla.

    “Mungesa e kërkimit të faljes dhe të pendesës për veprën që ka shkaktuar ka bërë që lidhja me familjen të mbetet shumë e dobët dhe kjo nuk mund të merret si rrethanë lehtësuese për të.”, deklaroi ai.

    Në fund, avokati i familjes Ademaj shprehu besimin se Gjykata e Apelit do ta vërtetojë vendimin e shkallës së parë.

    Ai tha se, përkundër sjelljes së pafavorshme të të akuzuarit pas dënimit, familja Ademaj beson se vendimi është i drejtë dhe është marrë në përputhje me pasojat që ka shkaktuar vepra penale.

    “Ne e presim që vendimi të konfirmohet, pasi është një dënim i drejtë dhe i bazuar në rrethanat e rastit”, përfundoi Syla.

    Vendimi përfundimtar pritet të merret në ditët në vazhdim.