ATV

Blog

  • Islanda bëhet vendi i pestë që bojkoton Eurovisionin

    Islanda bëhet vendi i pestë që bojkoton Eurovisionin

    Islanda i është bashkuar Spanjës, Irlandës, Sllovenisë dhe Holandës duke thënë se do të bojkotojë Festivalin e Këngës Eurovision 2026.

    Të pesë vendet janë tërhequr pasi pjesëmarrja e Izraelit në konkurs u konfirmua zyrtarisht javën e kaluar, raporton BBC.

    “ Pjesëmarrja e transmetuesit kombëtar izraelit, KAN, në konkurs ka krijuar përçarje midis anëtarëve të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) dhe publikut të gjerë”, tha transmetuesi islandez RÚV në një deklaratë.

    Islanda më parë kishte lënë të kuptohet se nuk do të merrë pjesë në konkursin e vitit 2026, por donte të priste derisa çështja të diskutohej nga bordi i drejtorëve të mërkurën.

    Takimi i bordit u mbajt vetëm disa orë para se të kalonte afati që shtetet të konfirmonin nëse do të merrnin pjesë në atë që pritet të jetë edicion festiv i 70-vjetorit të Eurovisionit në Austri në majin e vitit të ardhshëm.

  • Avokati Hodaj sqaron kushtet që Kilaj duhet të respektojë pas lirimit nga Specialja

    Avokati Hodaj sqaron kushtet që Kilaj duhet të respektojë pas lirimit nga Specialja

    Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është liruar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pasi gjykatësi vendosi se mbajtja e tij në paraburgim nën akuzat për pengim të drejtësisë nuk ishte “as e arsyeshme, as proporcionale”.

    Avokati Taulant Hodaj, në emisionin FIVE ka sqaruar se lirimi i Kilajt me kusht nuk lidhet me ose mos pranimin e fajësisë.

    Ai ka shpjeguar se vendimi për lirimin e Kilajt është bërë duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim dhe peshën e veprës penale.

    “Në rastin e caktimit të paraburgimit shikohet pesha e veprës penale, mënyra dhe lartësia e dënimit, dhe gjithmonë është në praktik që në rastet kur kalon një kohë të konsiderueshme në paraburgim kalon kohën siç parashihet me ligjin e aplikueshëm atëherë zakonisht duhet të lirohet apo të shihet masat tjera të sigurisë. Pra masa e paraburgimit është vetëm më e rënda dhe gjykata ka vlerësuar drejtë që peshojnë më shumë argumentet në favor të lirimit me kusht, sesa mbajtjen në paraburgim të tij”, ka deklaruar ai.

    Kushtet që Kilaj duhet të respektojë, sipas tij përfshijnë, moskontaktimin me dëshmitarët, mosmanipulimin me prova, mosndikimin e dëshmitarëve dhe përgjigjen ndaj thirrjeve të gjykatës.

    Avokati Hodaj ka theksuar se mund të ketë edhe kushte të tjera që nuk mund t’i bëjnë publike.

    Hodaj gjithashtu sqaron se lirimi i Kilajt nuk hap rrugë për të tjerët me akuzat për krime lufte.

    “Nuk mund të diferencohen veprat penale kundër administrimit të drejtësisë apo krimeve të luftës, pesha e veprës penale dhe lartësia e dënimit dallon. Nëse në këtë rast vepra penale kundër krimeve të lutës do të ishte dënimi minimal 1 2 3, do të ishte aplikuar e njëjta por dënimet janë të larta dhe për atë nuk e kanë aplikuar deri tani”, ka deklaruar Hodaj.

    Kilaj akuzohet së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun për pengim të drejtësisë në gjyqin për krime lufte ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

  • Ahmeti: Ata që dyshuan se qeveria ishte pas sulmit në Ibër–Lepenc duhet ta pranojnë gabimin

    Ahmeti: Ata që dyshuan se qeveria ishte pas sulmit në Ibër–Lepenc duhet ta pranojnë gabimin

    Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj tre personave të dyshuar për shpërthimin në kanalin Ibër–Lepenc.

    Ai ka thënë se tani ata që kishin ngritur dyshime ndaj qeverisë duhet të pranojnë se kanë gabuar.

    Në reagimin e tij, Ahmeti theksoi tri çështje kryesore: pranimin e gabimit nga figurat publike që dyshuan në qeveri, përgëzimin e Prokurorisë Speciale dhe ndihmës së FBI-së për zbardhjen e rastit, si dhe shmangien e kolektivizimit të fajësisë ndaj komunitetit serb.

    Postimi i plotë:

    Pas sulmit në kanalin e Ibër Lepencit janë shpreh dyshime se qeveria mund të jetë vetë pas sulmit. Mirë është me u pranu këto gjëra

    1. Ata që kanë shpreh dyshime, e në veçanti personat publik me pranu që e kanë pas gabim.

    2. Është mirë që edhe qeveria, e në veçanti edhe LVV me e përgëzu punën e prokurorisë dhe ndihmën e FBI-së në zbulimin e përgjegjësve për sulmin.

    3. Është mirë mos me kolektivizu fajësinë dhe me e fajësu çdo qytetar serb për sulmin në kanal.

  • Kurti: Sulmi në Ibër-Lepenc erdhi nga Serbia, aktakuza e vërteton

    Kurti: Sulmi në Ibër-Lepenc erdhi nga Serbia, aktakuza e vërteton

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi të martën Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me shpërthimin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor 2024.

    Kurti ka deklaruar se hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, kanë siguruar prova se tre të akuzuarit, shtetas serbë, kanë qenë në vendin e ngjarjes në natën kritike.

    “Që në orët e para pas shpërthimit, në bazë të informatave nga institucionet e sigurisë, kam deklaruar se sulmi ka ardhur nga Serbia. Sot, aktakuza dhe provat e siguruara e dëshmojnë këtë”, ka thënë Kurti.

    Ai ka falënderuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe Byronë Federale të Hetimeve (FBI) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për, siç ka thënë, punën profesionale në zbardhjen e këtij rasti.

    Sipas Kurtit, të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe janë të lidhur me Milan Radoiçiqin dhe me struktura të tjera shtetërore serbe, të cilat dyshohet se kanë planifikuar dhe urdhëruar sulmin terrorist.

    Ai ka kritikuar autoritetet serbe për, sipas tij, mohimin e përgjegjësisë dhe përpjekjet për dezinformim të opinionit përmes veprimeve hibride.

    “Rasti dëshmon se në Kosovë terrorizmi nuk kalon pa ndëshkim dhe se dezinformimi do të dekonstruktohet”, ka theksuar Kurti.

    Në fund, kryeministri në detyrë ka ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe sundimit të ligjit, duke falënderuar institucionet e sigurisë, partnerët ndërkombëtarë në krye me SHBA-të dhe qytetarët për kontributin në sigurinë e vendit.

  • Edhe Shqipëria në listën e vendeve ku u përdor ‘sperma nga donatori’ me gjen që shkakton kancer

    Edhe Shqipëria në listën e vendeve ku u përdor ‘sperma nga donatori’ me gjen që shkakton kancer

    Nga Islanda në Shqipëri dhe më gjerë, të paktën 197 fëmijë u ngjizën me spermën e donatorit 7069, ka treguar një hetim.

    Dhe është e mundur që numri të jetë shumë më i lartë – edhe pse nuk është zbuluar numri total i fëmijëve të ngjizur me spermën e tij.

    Veç kësaj, mjekët nuk janë në gjendje të thonë nëse të gjithë janë testuar në këtë pikë.

    Kështu, siç shkruajnë mediat e huaja, një mutacion gjenetik i rrallë dhe potencialisht fatal iu shit familjeve në të gjithë Evropën.

    Disa nga fëmijët e ngjizur nga donatori kanë zhvilluar tashmë dy lloje të ndryshme kanceri; të tjerët “kanë vdekur tashmë”, ka thënë Edwige Kasper, një biologe e specializuar në predispozitat gjenetike ndaj kancerit.

    Ajo po këshillon disa nga familjet e prekura.

    Këto detaje vijnë pasi u raportua se një dhurues sperme, i cili pa vetëdije mbante një mutacion gjenetik që rrit ndjeshëm rrezikun e kancerit, ka lindur të paktën 197 fëmijë në të gjithë Evropën, sipas një hetimi të madh.

    Siç ishte thënë më tej, disa fëmijë kanë vdekur tashmë dhe vetëm një pakicë që trashëgon mutacionin do t’i shpëtojë kancerit gjatë jetës së tyre.

    Sperma nuk u shit në klinikat e Mbretërisë së Bashkuar, por BBC mund të konfirmojë se një numër “shumë i vogël” familjesh britanike, të cilat janë informuar, përdorën spermën e dhuruesit gjatë trajtimit të fertilitetit në Danimarkë.

    Banka Evropiane e Spermës në Danimarkë, e cila shiti spermën, tha se familjet e prekura kishin “ngushëllimet e tyre më të thella” dhe pranoi se sperma u përdor për të bërë shumë foshnje në disa vende.

    Hetimi është kryer nga 14 transmetues publikë, përfshirë BBC-në, si pjesë e Rrjetit të Gazetarisë Investigative të Unionit Evropian të Transmetimeve.

    Sipas raportimeve, sperma erdhi nga një burrë anonim i cili u pagua për të dhuruar si student, duke filluar nga viti 2005. Sperma e tij u përdor më pas nga gratë për rreth 17 vjet.

    Ai është i shëndetshëm dhe kaloi kontrollet e kontrollit të dhuruesit. Megjithatë, ADN-ja në disa nga qelizat e tij pësoi mutacion para se të lindte.

    Ajo dëmtoi gjenin TP53 – i cili ka rolin vendimtar në parandalimin e shndërrimit të qelizave të trupit në kancerogjene.

    Pjesa më e madhe e trupit të donatorit nuk përmban formën e rrezikshme të TP53, por deri në 20% e spermës së tij e përmban.

    Megjithatë, çdo fëmijë i lindur nga spermatozoidet e prekura do të ketë mutacionin në çdo qelizë të trupit të tyre.

    Kjo njihet si sindroma Li Fraumeni dhe vjen me një shans deri në 90% për të zhvilluar kancer, veçanërisht gjatë fëmijërisë, si dhe kancerin e gjirit më vonë në jetë.

    “Është një diagnozë e tmerrshme”, ka thënë për BBC-në, profesoreshë Clare Turnbull, një gjenetiste e kancerit në Institutin e Kërkimeve të Kancerit në Londër.

    Skanimet MRI të trupit dhe të trurit janë të nevojshme çdo vit, si dhe ultratingujt e barkut, për të provuar të dallojnë tumoret. Gratë shpesh zgjedhin të heqin gjinjtë e tyre për të ulur rrezikun e kancerit.

    Banka Evropiane e Spermës tha se “vetë donatori dhe anëtarët e familjes së tij nuk janë të sëmurë” dhe një mutacion i tillë “nuk zbulohet në mënyrë parandaluese nga shqyrtimi gjenetik”.

    Megjithatë, ata thanë se “e bllokuan menjëherë” donatorin sapo u zbulua problemi me spermën e tij.

    Ndërkohë, Dr. Edwige Kasper, një gjenetiste e kancerit në Spitalin Universitar të Rouen, në Francë, e cila paraqiti të dhënat fillestare, i tha hetimit: “Kemi shumë fëmijë që kanë zhvilluar tashmë një kancer. Kemi disa fëmijë që kanë zhvilluar tashmë dy kancere të ndryshme dhe disa prej tyre kanë vdekur tashmë në një moshë shumë të re”.

  • Këto produkte u shtrenjtuan së fundmi në Kosovë

    Këto produkte u shtrenjtuan së fundmi në Kosovë

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 5. 3 për qind në muajin nëntor 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit.

    Ndërkaq, inflacioni mujor ishte 0,4 për qind në muajin nëntor 2025.

    Sipas ASK-së, ngritje të çmimeve të konsumit kanë pësuar pemët me 16,1%, energjia elektrike me 15,5% për qind, bileta të fluturimeve me 14,6%, mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit me 14,1%.

    Po ashtu sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, edhe kafe, çaji dhe kakao u shtrenjtuan me 14 %, mish me 13,7%; pushime të organizuara me 13,5%, qumështi, djathi dhe vezë me 10,5% si dhe lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 9,6%.

    “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 5,3% në muajin nëntor 2025, krahasuar me muajin nëntor 2024. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (18,1%); pemë (16,1%); energji elektrike (15,5%); bileta të fluturimeve (14,6%); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (14,1%); kafe, çaj dhe kakao (14,0%); mish (13,7%); pushime të organizuara (13,5%); qumësht, djathë dhe vezë (10,5%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (9,6%); shërbime ambulantore (8,9%); shërbime hoteliere (8,8%); pajisje terapeutike (8,4%); duhan (6,4%); kujdes personal (5,9%); vajra dhe yndyra (5,9%); prodhime ushqimore (5,8%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,3%); bukë dhe drithëra (5,2%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (5,0%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (4,5%); pije alkoolike (4,4%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (4,2%); arsim (3,8%); gjëra personale (3,7%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (3,5%); perime (3,3%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (3,0%); gazeta, libra dhe materiale për zyra (2,9%); veshje (2,7%); dhe transport rrugor i udhëtarëve (1,4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 5,4 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 0,8%, dhe blerje e automjeteve me 0,5%.

    Ndërsa, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,4% në muajin nëntor 2025, krahasuar me muajin tetor 2025.

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (5,1%); qumësht, djathë dhe vezë (4,2%); perime (3,0%); energji elektrike (1,8%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (1,6%); mish (1,1%); kujdes personal (1,0%); kafe, çaj dhe kakao (1,0%); dhe blerje e automjeteve (0,6%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,6 për qind në IHÇK”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

    Sipas kësaj agjencie, në këtë periudhë rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: bileta të fluturimeve me 15,9%) dhe pushime të organizuara (-8,2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,2 për qind në IHÇK.

  • Hamza shpalosë programin qeverisës, premton rritje pagash për 50 për qind

    Hamza shpalosë programin qeverisës, premton rritje pagash për 50 për qind

    Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në prezantimin zyrtar të kandidaturës së tij dhe listës së kandidatëve për deputetë të PDK-së, ka zbuluar sloganin e fushatës së Zgjedhjeve të Përgjithshme të 28 dhjetorit.

    Hamza, në një tubim në mesin e strukturave dhe mbështetësve të PDK-së, ka thënë se “BASHKË, PËRPARA.” përveç slogan, është edhe zotim për t’u ribashkuar dhe për ta rikthyer Kosovën në rrugën e zhvillimit.

    “Kosova meriton të jetë më mirë. Dhe ne do ta bëjmë ma të mirë! Sepse, ne do të ecim BASHKË, PËRPARA. BASHKË, PËRPARA. është edhe sllogani ynë në këto zgjedhje. Sepse, ky është drejtimi ynë. Ky është misioni ynë. Sepse bashkimi, duke u bërë bashkë rreth vlerave, parimeve dhe politikave, është “pjesa që mungon” në mozaikun e Kosovës, e cila po na mban të ndarë. Shteti përparon duke u bashkuar, jo duke u përçarë”, ka theksuar ai.

    Hamza tha se Qeveria e udhëhequr nga ai do t’i përfshijë të gjitha forcat politike që janë të gatshme të ecin BASHKË, PËRPARA!

    “Le ta nisim së bashku këtë mision të ri kombëtar në vitin 2026! Le ta sjellim pjesën që mungon, që t’i kompletojë aspiratat dhe shpresat tona. Le t’i bashkojmë përpjekjet për ta ndërtuar një Kosovë që funksionon për të gjithë. Një Kosovë të mundësive. Një Kosovë stabiliteti. Një Kosovë drejtësie. Një Kosovë shprese. Një Kosovë që na bën bashkë dhe nuk e lë askënd pas! BASHKË. PËRPARA. Bashkë do të fitojmë. Kosova do të ecë përpara.
    Hamza ka thënë se programi dhe vizioni i tij mbështetet në disa shtylla: zhvillim ekonomik, drejtësi të pavarur dhe efikase, arsim dhe shëndetësi bashkëkohore, mbrojtje dhe siguri.

    “Ne do t’i rrisim pagat dhe pensionet. Do të ketë rritje të pagave 50% mbi pagën aktuale, për mësues e arsimtarë, policë e zjarrfikës, mjekë e ushtarë dhe për të gjithë ata që marrin paga nga buxheti i Republikës së Kosovës. Do të ndryshojmë shkallën e tatimit për të ardhurat: Të ardhurat deri në 400 euro – zero tatim. 400 deri në 800 euro – vetëm 8%. Mbi 800 euro – 10%. Do ta shfuqizojmë ligjin aktual të tatimit në pronë, që të mos ketë barrë të papërballueshme mbi qytetarët dhe bizneset”, ka thënë ai.

    “Do të japim bursa – fond prej 30 milion në vit – që çdo student të ketë mundësi të shkollohet e të arrijë kapacitetet e veta. Ndërsa universitetet e Kosovës do t’i lidhim me industrinë, që të prodhojmë kuadro që i nevojiten Kosovës. Për të moshuarit do të ndërtojmë qendra të veçanta kujdesi për ta, në çdo rajon të Kosovës. E për ata me sëmundje kronike – ilaçe falas. Pa barrë financiare”, ka shtuar më tej ai.

    Sipas Hamzës, me stabilitet brenda dhe kredibilitet jashtë, Kosova më në fund do ta marrë vendin që i takon në familjen evropiane.

    “Do ta modernizojmë infrastrukturën mbrojtëse të vendit që Kosova duhet të jetë e përgatitur për çdo kërcënim, të brendshëm, të jashtëm. Do ta krijojmë Gardën Kombëtare të Kosovës, forcë operative, e shpejtë, e pajisur sipas standardeve të NATO-s. E gatshme për emergjenca, siguri dhe pjesëmarrje në misione ndërkombëtare. Anëtarësimi në NATO e në BE për ne nuk ka alternativë. Prandaj do të thellojmë partneritetin me NATO-n. Do të punojmë që sa më parë të bëhemi pjesë e Partneritetit për Paqe. Do ta rifillojmë Dialogun Strategjik me SHBA, që sa më shpejt të arrijmë te Marrëveshja Strategjike me SHBA. Dhe po, do të punojmë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe ta marrim statusin e Kandidatit në BE”, ka thënë ai.

    Hamza ka thënë se platforma e tij dhe ekipit të tij nuk është listë premtimesh, por plan koherent, i llogaritur, realist dhe i përgjegjshëm, që ua rikthen dinjitetin qytetarëve.

    “E dimë se në Kosovë mund të bëhet ma mirë vetëm me ne të bashkuar! Qytetarë të dashur, viti 2025 ishte vit i jostabilitetit. Vit i përçarjeve politike. Vit i shtrenjtë, i lodhshëm dhe i pashpresë për qytetarët. Le ta përmirësojmë këtë. Viti 2025 ishte viti i pestë pa presidentin Thaçi, kryetarin Veseli, bacin Jakup e Rexhën në Kosovë. Por, në vitin 2026 edhe ata do të rikthehen pranë nesh, pranë familjeve të tyre, në shtetin e tyre. Në vitin 2026, të gjithë duhet të jemi bashkë. Me stabilitet politik. Me stabilitet ekonomik. Me stabilitet shoqëror. Tani është koha të provojmë diçka tjetër. Tani është koha ta provojmë BASHKIMIN. Kosova që funksionon fillon me bashkimin e të gjithë neve. Kosova që funksionon kërkon qeveri të qëndrueshme dhe efektive. Një qeveri stabile, që krijon konsensus sa më të gjerë, për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve”, ka thënë Hamza.

  • Ky është numri i qytetarëve me të drejtë vote për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ja sa janë nga diaspora

    Ky është numri i qytetarëve me të drejtë vote për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ja sa janë nga diaspora

    KQZ mori sot vendim për certifikimin e listës votuese për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025.

    Sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është 2 milionë e 76 mijë e 290 votues.

    Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 999 mijë e 205, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77 mijë e 85 votues. Kjo listë përmban 7 mijë e 192 votues më shumë se në zgjedhjet lokale më 12 tetor 2025.

    Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht

  • KQZ shpall konkurs për angazhimin e 1,100 zyrtarëve për zgjedhje

    KQZ shpall konkurs për angazhimin e 1,100 zyrtarëve për zgjedhje

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur konkurs për agazhimin e 1,100 zyrtarëve të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, më 28 dhjetor 2025.

    “Nga ky numër i përgjithhëm i zyrtarëve, 950 prej tyre do të angazhohen për raportimin e rezultateve preliminare nga Qendrat e Votimit që do të hapen për votim në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe 150 të tjerë për të ndihmuar votuesit në orientimin e tyre”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    Konkurset janë shpallur më 10 dhjetor dhe do të mbyllen më 12 dhjetor 2025, në orën 23:59.

  • KFOR i dhuron pajisje zjarrfikësve të Komunës së Prishtinës për të përforcuar sigurinë dhe reagimin ndaj emergjencave

    KFOR i dhuron pajisje zjarrfikësve të Komunës së Prishtinës për të përforcuar sigurinë dhe reagimin ndaj emergjencave

    Ekipi i Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC) dhe Ekipi i Monitorimit Ndërlidhës (LMT) i Komandës Rajonale Lindje të misionit KFOR, i udhëhequr nga NATO, mori pjesë në një ceremoni zyrtare për të dorëzuar pajisje të reja zjarrfikëse Departamentit të Zjarrfikësve të Komunës së Prishtinës.

    Ky donacion ka për qëllim të rrisë aftësinë e zjarrfikësve për t’iu përgjigjur shpejt dhe në mënyrë efektive emergjencave, duke përmirësuar sigurinë e tyre gjatë operacioneve të rrezikshme dhe duke mbrojtur banorët e Kosovës.

    “Donacioni i KFOR-it rrit aftësinë e zjarrfikësve për t’iu përgjigjur shpejt dhe në mënyrë efektive emergjencave, duke përmirësuar sigurinë e zjarrfikësve gjatë operacioneve të vështira dhe duke mbrojtur njerëzit që jetojnë në të gjithë Kosovën. Në përputhje me mandatin e KFOR-it, aktivitetet e CIMIC synojnë të promovojnë mirëqenien e të gjithë njerëzve në Kosovë duke mbështetur institucionet lokale”, thuhet në njoftim.