ATV

Blog

  • “Hidroregjioni Jugor” vazhdon aksionin e shkyçjeve për mospagesë – 52 raste vetëm të mërkurën

    “Hidroregjioni Jugor” vazhdon aksionin e shkyçjeve për mospagesë – 52 raste vetëm të mërkurën

    KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se ekipet e Inspektoriatit po vazhdojnë aksionin e shkyçjeve nga rrjeti i ujësjellësit për konsumatorët me borxhe të pashlyera, pavarësisht njoftimeve të mëhershme dhe mundësive të ofruara për pagesë.

    Sipas njoftimit, vetëm gjatë ditës së djeshme (10/12/2025) janë realizuar 52 shkyçje për mospagesë, prej tyre 40 në Prizren dhe 12 në njësinë e Suharekës.

    Kompania ka paralajmëruar se nuk do të ketë më tolerime për konsumatorët që nuk i përmbushin detyrimet financiare.

    “Nuk do të ketë më falje apo tolerim për asnjë konsumator që nuk i përmbush obligimet financiare ndaj kompanisë”, thuhet në njoftim.

    KRU “Hidroregjioni Jugor” u ka bërë thirrje të gjithë borxhlinjve që të kryejnë pagesat për të shmangur masat e mëtejshme.

  • Ilir Peci paralajmëron tensione në Zveçan: Ka presion mbi administratën

    Ilir Peci paralajmëron tensione në Zveçan: Ka presion mbi administratën

    Ish-kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka folur pas betimit të kryetarëve të rinj në komunat veriore, përfshirë edhe kryetarin e ri të Zveçanit nga Lista Serbe. Ai ka thënë se, ndonëse betimi është kryer të premten, procesi i pranim-dorëzimit ende nuk ka ndodhur, ndërsa situata në komunë po shoqërohet me presion ndaj administratës lokale.

    “Të premten është bërë betimi, pranim-dorëzim akoma s’ka. Nuk janë duke u sjellë mirë disa drejtorë të tij, sidomos shefi i kabinetit, sepse po i bëjnë presion të fortë administratës”, deklaroi Peci.

    Ai ka theksuar se para zyrës së kryetarit janë vendosur sërish simbolet me katër S, të cilat përfaqësojnë simbole nacionaliste serbe.

    “Para zyrës së kryetarit i kanë vendosur prapë simbolet me katër S. Unë i kam shkruar edhe pushtetit lokal, ministrisë, por s’ka ndonjë reagim nga ta,” u shpreh ai.

    Peci tha se gjatë ceremonisë së betimit është zhvilluar një takim rreth 40 minuta, por çështja e presionit nuk është diskutuar. Ai është përpjekur të ndërmjetësojë komunikim institucional.

    “Pak më parë i kam shënuar ish-nënkryetarit tim që ishte i komunitetit serb që me bisedu me kryetarin e ri, tash jemi në pritje”, shtoi ai për FrontOnline.

    Ai konfirmoi se në hyrje të objektit të Kuvendit Komunal gjendet flamuri i Kosovës, por nuk ka informacione të plota për simbolikën brenda zyrës së kryetarit.

    “Tek hyrja e Kuvendit është flamuri i Kosovës, e për brenda zyrës së kryetarit nuk e di a janë apo jo simbolet”, tha Peci.

    Sipas tij, presioni mbi stafin komunal është serioz dhe kërkon reagim urgjent nga institucionet qendrore.

    “Ka presion te zyrtarët komunal dhe duhet me u tërhiq, dhe këtu duhet me ndërhy shteti, veçmas Ministria e Pushtetit Lokal”, theksoi ai.

    Peci paralajmëroi se nëse situata vazhdon kështu, mund të ketë rikthim të tensioneve në komunë.

    “Kjo do të thotë se nëse kështu është situata, për një kohë të shkurtër do të kthehet në pikën zero,” deklaroi ai.

    Ai shtoi se procesi i pagesës së energjisë ka nisur të stabilizohet, por nuk është përmbyllur.

    “Faturat po paguhen, ka filluar një numër i mirë, por akoma s’ka përfundu kyçja nëpër orë”, përfundoi Peci.

  • Dy sirianë gjenden të therur me thikë në Leposaviq – Policia jep detaje

    Dy sirianë gjenden të therur me thikë në Leposaviq – Policia jep detaje

    Dy persona nga Siria kanë pësuar lëndime trupore nga mjeti i mprehtë.

    Ngjarja ka ndodhur në fshatin Koshuticë të Leposaviqit më 10 dhjetor.

    Fillimisht mesnatën e së martës, dy femra kanë raportuar në polici, se në oborrin e shtëpisë së tyre kanë vërejtur një person të shtrirë me plagë nëpër pjesë të ndryshme të trupit të shkaktuara nga mjeti i mprehtë.

    “Viktima mashkull i moshës rreth 40 vjeçar, shtetas i Sirisë është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Mitrovicës Veri dhe më pas është transferuar në Spitalin e Mitrovicës Jugu për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Tutje në raport, theksohet se rreth orës 11:05 jemi njoftuar se njësiti nga policia kufitare në Jarinje gjatë patrullimit në fshatin Koshuticë ka vërejtur një person mashkull Sirian i moshës 27 vjeçar me lëndime në kokë dhe këmbë që dyshohet se plagët janë shkaktuar nga mjeti i mprehtë.

    “Viktima ka njoftuar se rasti ka ndodhur mbrëmë dhe i dyshuari është larguar në drejtim të kufirit të Serbisë. Njësiti i emergjencës viktimën e kanë dërguar në Spitalin e Mitrovicës Jugu për tretman të mëtutjeshëm”, përfundon raporti.

    Nuk bëhet e ditur se nëse rasti ka të bëjë me ndonjë konflikt eventual mes këtyre dy personave apo diçka tjetër.

    Rasti po hetohet si “Vrasje në tentativë”.

  • Polici jashtë detyrës paralajmëron për mjegullën, sulmohet nga i dyshuari – Policia jep detajet

    Polici jashtë detyrës paralajmëron për mjegullën, sulmohet nga i dyshuari – Policia jep detajet

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të sulmit ndaj personit zyrtar.

    Rasti ka ndodhur në auto-udhë në Suharekë, dje në ora 19:00.

    “Auto udhë, Suharekë. Viktima mashkull kosovar, zyrtar policor i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe ishte duke lëvizur në auto udhë, ka hasur në dy mjete të ndaluara në shirit rrugor në auto udhë. Viktima është ndaluar dhe ka biseduar me vozitësit për arsyen e ndaljes ku i njëjti ka kërkuar që të marrin masa për siguri për shkak të kushteve atmosferike-mjegullës pasi mund të shkaktohet ndonjë aksident, pas bisedës me ta, i dyshuar e ka sulmuar fizikisht viktimën”, thuhet në raport.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Suharekë. Njësitet policore janë në kërkim të dyshuarit.

  • Një femër dërgohet pa shenja jete në spitalin e Gjakovës

    Një femër dërgohet pa shenja jete në spitalin e Gjakovës

    Një femër nga fshati Ratkoc i komunës së Rahovecit, është dërguar pa shenja jete në spitalin e Gjakovës.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 11:00, njofton raporti 24 orësh i policisë.

    Siç thuhet në këtë raport, vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar.

    Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

    Rasti po hetohet nga organet e rendit dhe po cilësohet si “Hetim i vdekjes”.

  • Komuna e Istogut ndan afro 15 mijë euro për dekorim të qytetit

    Komuna e Istogut ndan afro 15 mijë euro për dekorim të qytetit

    Komuna e Istogut ka ndarë 14 mijë e 920 euro për të dekoruar qytetin, me rastin e festave të fundvitit.

    Kontrata u dha dje, teksa pritet të nënshkruhet nesër.

    Në thirrjen e prokurimit, Komuna parashikoi vlerën prej 15 mijë eurosh për këtë kontratë.

    Më pas, u shqyrtuan dy tenderët e pranuar, më ç’rast ai me çmimin me të lartë ishte në vlerë prej 22 mijë e 222 eurosh.

    Tenderi iu nda ofertuesit me çmimin më të ulët – AEM ELECTRIC – teksa në përshkrim bëhet me dije se nuk lejohet nënkontraktimi i kontratës.

    Më poshtë detaje:

  • KQZ certifikon listën votuese për zgjedhjet e 28 dhjetorit me 2.1 milionë votues

    KQZ certifikon listën votuese për zgjedhjet e 28 dhjetorit me 2.1 milionë votues

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën votuese brenda dhe jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,076,290 votues.

    “Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,999,205 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,085 votues. Kjo listë përmban 7,192 votues më shumë se në Zgjedhjet Lokale të cilat u mbajtën më 12 tetor 2025”, tha Elezi.

    Më tej, sipas tij, procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

  • Abuzohet seksualisht një e mitur në Fushë Kosovë, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Abuzohet seksualisht një e mitur në Fushë Kosovë, i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Një e mitur ka raportuar se ishte abuzuar seksualisht nga një person.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 10:30, në Fushë Kosovë.

    Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërgohet në mbajtje.

    “Fushë Kosovë 10.12.2025-10:30. Viktima e mitur femër kosovare ka raportuar se ishte abuzuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Cilat shtete kundërshtuan heqjen e masave ndaj Kosovës?

    Cilat shtete kundërshtuan heqjen e masave ndaj Kosovës?

    Qeveria ne detyrë e Kosovës është deklaruar e zhgënjyer që Bashkimi Evropian nuk i qëndroi prapa paralajmërimit për heqjen e masave pas transferimit të suksesshëm të pushtetit lokal në veri. Dy ditë më parë Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri të angazhohet për heqjen e masave ndaj Kosovës, por vetëm pasi të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Kushtëzimi i heqjes së masave ndëshkuese nga BE-ja me zgjedhjet parlamentare është vlerësuar i paarsyeshëm nga ekzekutivi. Klisman Kadiu, këshilltar për media në Zyrën e zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, ka thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk kanë asgjë të përbashkët me procesin e heqjes së masave nga BE-ja. Ai ka thënë se Kosova e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bashkimi Evropian.

    “Së fundmi Komisioni Evropian konstatoi në Raportin për Vendin, në fillim të muajit të kaluar, se masat do të hiqen pas zgjedhjeve lokale dhe transferimit të suksesshëm të pushtetit në katër komunat në veri. Edhe kjo tashmë ka ndodhur, në mënyrë paqësore, ligjore dhe pa asnjë incident. Çdo zvarritje tjetër vetëm sa e thellon absurditetin e masave dhe e cenon kredibilitetin e BE-së. Qëndrimi ynë është që masat duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë nuk kanë asnjë lidhje me këtë proces”, ka thënë Kadiu.

    Kadiu ka shtuar se masat u vendosen padrejtësisht ndaj Kosovës.

    “Kur janë vendosur masat ndaj Kosovës, ato fillimisht kanë qenë të padrejta. Tash e një kohë të gjatë ato nuk kanë më as kuptim dhe as bazë me realitetin në terren. Në vitin 2024, vetë Josep Borrell, atëkohë përfaqësues i lartë i BE-së, kishte rekomanduar heqjen e masave. Megjithatë, veprimet e para drejt largimit të masave u ndërmorën vetëm në mesin e vitit 2025, kur edhe filloi heqja graduale e tyre”, është shprehur ai.

    KOHA ka mësuar se Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, në takimin e fundit kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës. Franca ka shprehur dyshime nëse kanë qenë të sinqertë hapat që janë ndërmarrë nga palët për depërshkallëzimin në veri gjatë vitit 2025. E Italia, sipas diplomatëve ka shprehur qëndrimin se duhet pritur përfundimin e zgjedhjeve të dhjetorit para se të avancohet me heqjen “graduale” të masave.

    Sipas mediumit, së paku 13 shtete të BE-së kanë kërkuar që ato të hiqen. Për heqjen e masave, sipas burimeve diplomatike, në këto takime janë angazhuar Gjermania, Sllovenia, Kroacia, Estonia, Luksemburgu, Belgjika, Holanda, Finlanda, Malta, Austria, Irlanda, Polonia dhe Suedia. Disa prej tyre kanë kërkuar që masat të hiqen menjëherë. Disa i kanë quajtur si absurde dhe kanë bërë thirrje që masa të tilla në të ardhmen të evitohen. Gjermania ka thënë se heqja duhet të ndodhë duke marrë parasysh transferimin e pushtetit lokal në veri. Diskutimi ka ndodhur para se të ndodhte betimi i kryetarëve të komunave në veri.

    Edhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) është shprehur për heqjen e masave ndaj Kosovës.

  • Kongresisti republikan propozon largimin e ShBA-së nga NATO-ja

    Kongresisti republikan propozon largimin e ShBA-së nga NATO-ja

    Kongresisti republikan Thomas Massie, përfaqësues i Kentakit, njoftoi të martën se ka paraqitur në Kongres një projektligj që synon të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja.

    Ai argumenton se aleanca e krijuar dekada më parë ka humbur funksionin e saj, i kushton shumë taksapaguesve amerikanë dhe e rrezikon vendin për t’u përfshirë në luftëra të huaja.

    “NATO është një relike e Luftës së Ftohtë. Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqen dhe t’i përdorin këto fonde për mbrojtjen e vendit tonë, jo të shteteve socialiste. Sot paraqita HR 6508 për t’i dhënë fund anëtarësimit tonë në NATO”, shkroi Massie në platformën X, raporton “FoxNews”, transmeton Klankosova.

    Kolegia e tij republikane, Anna Paulina Luna nga Florida, njoftoi se e ka bashkësponsorizuar nismën.

    Në një komunikatë për media, Massie theksoi se ShBA-ja ka shpenzuar “triliona dollarë” për pjesëmarrjen në NATO, ndërsa rrezikon përfshirjen në konflikte të jashtme. “Kushtetuta jonë nuk autorizon angazhime të përhershme të huaja. Amerika nuk duhet të jetë mburojë sigurie për botën -veçanërisht kur vendet e pasura refuzojnë të paguajnë për mbrojtjen e tyre”, tha ai.

    Më herët gjatë vitit, senatori republikan Mike Lee nga Utah kishte prezantuar në Senat projektligjin e quajtur “Not A Trusted Organization Act” (“NATO Act”). Nisma e Massiet në Dhomën e Përfaqësuesve është versioni shoqërues i kësaj nisme.

    Projektligji mbështetet në Nenin 13 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili lejon një vend anëtar të tërhiqet një vit pasi të njoftojë zyrtarisht Qeverinë e ShBA-së, e cila më pas njofton aleatët e tjerë.

    Ky zhvillim pritet të shkaktojë debat të gjerë në skenën politike amerikane dhe brenda vetë aleancës.