ATV

Blog

  • Dëshmitari i sulmit në Sydney: Kam dëgjuar 40-50 të shtëna me armë

    Dëshmitari i sulmit në Sydney: Kam dëgjuar 40-50 të shtëna me armë

    Dëshmitarët thanë se të shtënat gjatë një mbrëmjeje të nxehtë vere në plazhin Bondi në Sydney zgjatën rreth 10 minuta, duke bërë që rreth 1,000 plazhues të shpërndahen përgjatë rërës dhe në rrugët dhe parqet përreth.

    “Po përgatitesha për t’u kthyer në shtëpi, po mbaja çantën, po vishja shollat e plazhit, isha gati të kapja autobusin, dhe pastaj fillova të dëgjoja të shtënat,” tha Marcos Carvalho, 38 vjeç, banor i lagjes përreth, Bondi Junction.

    “Të gjithë u panikuam dhe filluam të ikim gjithashtu. Kështu që lamë gjithçka pas, si shollat e plazhit, gjithçka. Thjesht vrapuam për në kodër,” tha ai.

    “Duhet ta kem dëgjuar, nuk e di, ndoshta rreth 40, 50 të shtëna.”

    Kujtojmë se një nga plazhet më të famshme në botë, Bondi zakonisht është plot me vendas dhe turistë.

  • Shkon në 12 numri i të vrarëve nga të shtënat në Sidnei

    Shkon në 12 numri i të vrarëve nga të shtënat në Sidnei

    Numri i të vdekurve nga të shtënat në Bondi Beach të Sidneit ka shkuar në 12.

    Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns konfirmoi se të shtënat kishin në shënjestër komunitetin hebre të Sidney.

    Në anën tjetër, policia tha se 29 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, derisa ngjarja është shpallur si sulm terrorist.

  • Ish-hulumtuesja e Hagës: Specialja nuk duhej të ishte bërë realitet

    Ish-hulumtuesja e Hagës: Specialja nuk duhej të ishte bërë realitet

    Ish-hulumtuesja në Tribunalin e Hagës, Nevenka Tromp, ka thënë se Gjykata Speciale nuk do duhej të ishte bërë kurrë realitet.

    Tromp, theksoi se dëshmitë e dëshmitarëve mbrojtës pritet të kenë ndikim në shpalljen e aktgjykimit ndërsa ka komentuar edhe dy skenarët e mundshëm përfundimtar.

    Ajo punoi nga 2000-ta e deri në vitin 2012-të, në ish-Tribunalin e Hagës.

    Për 12 vjet, si hulumtuese brenda Zyrës së Prokurorit, pa nga afër rastet më të mëdha për krime lufte në ish-Jugosllavi.

    Por, themelimi i një gjykatë tjetër që merret me krime lufte në Kosovë, e habiti.

    Ajo deklaroi në një intervistë për Tëvë 1, se Specialja nuk ishte dashur kurrë të bëhej realitet.

    “Gjykata Speciale nuk do të duhej kurrë të ishte bërë realitet. Ajo u krijua nën presion të madh politik, jo për shkak të rëndësisë së pretenduar të krimeve, por si një koncesion ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar, kryesisht SHBA dhe BE, për ta mbajtur Serbinë të angazhuar në Dialogun e Brukselit. Kjo ishte pjesë e procesit më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe shtetit të ri të pavarur të Kosovës”, deklaroi Tromp.

    Sipas Tromp, pavarësisht që Kosova e bëri këtë hap, pala serbe u tërhoq nga dialogu.

    Ndërsa komentoi edhe dy skenarët e mundshëm në shpalljen e aktgjykimit kundër ish-krerëve të UÇK-së.

    “Nëse Thaçi dhe tre të akuzuarit e tjerë përfundimisht shpallen të pafajshëm, këto përpjekje mund të shihen si një humbje e madhe kohe dhe burimesh. Për të arritur te ajo që mund të ketë qenë e dukshme që në fillim: se këta individë nuk duhej të ishin akuzuar fare. Nëse, përkundrazi, do të ketë dënim në ndonjë prej rasteve, atëherë do të hapej një debat krejt tjetër: mbi ligjshmërinë, legjitimitetin dhe natyrën e luftës çlirimtare të Kosovës. Si do të shkruhet historia e shtetit të Kosovës? Si do të dokumentohet, memorializohet dhe interpretohet roli i UÇK-së? Çfarë ndikimi mund të ketë kjo për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës dhe rrugëtimin e saj nga një shtet de facto në një shtet plotësisht i njohur, anëtar i OKB-së?”, u shpreh ajo transmeton Klankosova.tv.

    Ajo dëshmitë e dëshmitarëve mbrojtës, i cilësoi si të nivelit të lartë.

    Sipas saj, dëshmitë e tyre gjykatësit do t’i marrin parasysh në shpalljen e aktgjykimit.

    “Dëshmitë e tyre ngrenë një pyetje kyçe: si mund të kishin ndërhyrë ushtarakisht Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s në mbrojtje të Kosovës, nëse UÇK do të ishte një organizatë terroriste? Dëshmitarët theksuan se UÇK ishte një lëvizje rezistence e vetë-organizuar, e ngjashme me formacionet e tjera çlirimtare si FARK-u, e cila reagoi ndaj agresionit të shtetit serb”.

    Tromp ka thënë se i gjithë procesi gjyqësor, është shoqëruar me motive politike, vonesa procedurale dhe kosto të larta, duke ngritur shqetësime serioze për efikasitetin dhe drejtësinë e saj.

    “Gjatë vizitës sime të fundit në Dhomat e Specializuara me studentë nga Amsterdami, na u informua se buxheti vjetor është rreth 100 milionë euro, kryesisht i paguar nga Komisioni Europian. Duke llogaritur nga themelimi i saj në 2015, kjo nënkupton se janë shpenzuar mbi 1 miliard euro për të hetuar dhe akuzuar vetëm gjashtë individë. Nëse nga këta gjashtë të akuzuar, të paktën tre përfundojnë të pafajshëm, ashtu siç është plotësisht e mundur, atëherë ky proces do të rezultojë një nga eksperimentet më të kushtueshme dhe më pak produktive gjyqësore në historinë moderne”.

    Në fund, Tromp ka thënë se përveç një rasti, të gjithë akuzuarit nga ish-Tribunali i Hagës, e që ishin pjesë e UÇK-së, u liruan.

    Ndërsa ky Tribunal sipas saj, UÇK-në nuk e kishte cilësuar kurrë si Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale.

    Prandaj thotë se do të ishte shqetësuese nëse pas kaq vitesh, Dhomat e Specializuara konkludon diçka të kundërt.

  • Medon Berisha shpëton nga lëndimi serioz, pritet rikthim brenda një muaji

    Medon Berisha shpëton nga lëndimi serioz, pritet rikthim brenda një muaji

    Mesfushori Medon Berisha ka shpëtuar nga një lëndim serioz dhe pritet të mungojë maksimumi një muaj, sipas burimeve të Telegrafit pranë lojtarit.

    Ylli i Lecces u detyrua të largohej me lot në sy nga ndeshja ndaj Pisa në Serie A, ndërsa mediat italiane raportuan fillimisht se mund të kishte këputur muskujt aduktorë, çka do ta mbante jashtë fushës për disa muaj. Megjithatë, sipas burimeve pranë Berishës, lëndimi nuk është aq i rëndë. Mesfushori ka çarë muskulin, rreth 10 centimetra mbi ligamentin kryesor të gjurit.

    Ai do t’i kryejë testet mjekësore sërish pas dy ditëve, por duket se rikuperimi do të zgjasë disa javë, maksimumi një muaj. “Jo, nuk është aq serioz sa dukej në fillim. Ai ditë lëndimi u duk më keq, por tani po qetësohet. Ka çarë pak muskulin dhe pas testeve të reja mjekësore do të rikthehet brenda maksimumi një muaji,” tha burimi në kushte anonimiteti.

    Ky lajm është i shkëlqyer për Berishën, i cili ka qenë lojtari më në formë te Lecce, duke qenë i padiskutueshëm në formacion këtë sezon.

    Berisha ka lënë gjurmë të forta në Serie A, me dy gola dhe tre asistime në 12 paraqitje deri tani. /ATVLIVE.TV

  • Tri përballje të zjarrta sot në elitën e futbollit kosovar

    Tri përballje të zjarrta sot në elitën e futbollit kosovar

    Sot (e diel) do të luhen tri përballje shumë interesante në kuadër të Superligës së Kosovës.

    Vëmendja kryesore do të jetë e përqendruar te derbi lokal mes Dritës dhe Gjilanit, ndërsa spektakël pritet edhe në duelin mes Ballkanit dhe Prishtinës.

    Ndërkohë, Llapi do të jetë nikoqir i Malishevës, skuadër që po kalon një formë mjaft të mirë në kampionat.

    Me përjashtim të Llapit, ekipet e tjera ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës në renditje, ndaj synimi i tyre i vetëm do të jetë fitorja dhe arkëtimi i pikëve të plota.

    Të tri ndeshjet janë programuar të nisin nga ora 13:00. /ATVLIVE.TV

  • Kolegji AAB në mesin e 3 institucioneve më të mira në botë për ceremonitë e diplomimit

    Kolegji AAB në mesin e 3 institucioneve më të mira në botë për ceremonitë e diplomimit

    Kolegji AAB ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke u renditur i treti në botë për organizimin inovativ dhe modern të ceremonive të diplomimit. Vlerësimi zyrtar vjen nga platforma prestigjioze SocialWalls, e cila e ka cilësuar AAB-në si një model global të organizimit bashkëkohor, gjithëpërfshirës dhe frymëzues për institucionet akademike anembanë botës.

    Ceremonia e diplomimit në AAB këtë vit u konceptua si shumë më tepër sesa një akt formal akademik. Ajo u shndërrua në një ngjarje të fuqishme emocionale dhe komunitare, ku u reflektua krenaria, përkatësia dhe lidhja e fortë mes studentëve, familjeve të tyre dhe stafit akademik. Me një vizion modern dhe një qasje të menduar deri në detaje, AAB e tejkaloi formatin tradicional, duke krijuar një përvojë unike dhe të paharrueshme.

    Në përputhje me trendet më të fundit globale të theksuara nga SocialWalls, ceremonia përfshiu edhe social media wall, një mur digjital inovativ që solli një dimension krejtësisht të ri komunikimi dhe ndërveprimi. Në kohë reale u shfaqën fotografi, video dhe mesazhe urimi, duke e bërë ngjarjen të gjallë dhe gjithëpërfshirëse, edhe për familjarët dhe miqtë që ndodheshin jashtë vendit.

    Ky kombinim i suksesshëm i traditës akademike me teknologjinë, emocionin dhe kreativitetin e shndërroi ceremoninë e diplomimit të AAB-së në një standard të ri ndërkombëtar. Studentët përjetuan një lidhje të drejtpërdrejtë me publikun, ndërsa të afërmit e tyre u bënë pjesë aktive e festës, pavarësisht distancës.

    Falë kësaj qasjeje vizionare dhe transformuese, AAB konfirmon rolin e saj si institucion lider në rajon dhe më gjerë, duke vendosur standarde të reja për organizimin e ngjarjeve akademike madhore dhe duke reflektuar pritshmëritë dhe energjinë e gjeneratës së sotme të studentëve.

  • Trump paralajmëron hakmarrje të ashpër pas vrasjes së tre amerikanëve nga ISIS në Siri

    Trump paralajmëron hakmarrje të ashpër pas vrasjes së tre amerikanëve nga ISIS në Siri

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se “do të ketë hakmarrje shumë serioze”, pasi dy ushtarë amerikanë dhe një civil u vranë në një sulm në Siri për të cilin Uashingtoni fajëson grupin e Shtetit Islamik.

    “Ky ishte një sulm i ISIS-it kundër SHBA-së dhe Sirisë, në një pjesë shumë të rrezikshme të Sirisë që ata nuk e kontrollojnë plotësisht”, tha ai.

    Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ishte “i shkatërruar nga ajo që ndodhi” dhe theksoi se Siria po luftonte përkrah trupave amerikane.

    Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se tre ushtarë u plagosën në një pritë nga një anëtar i vetëm i ISIS-it në Sirinë qendrore.

    Ushtria amerikane tha se personi i armatosur u vra.

    Sulmi ndaj trupave amerikane në Siri ishte i pari me viktima që nga rrëzimi i presidentit Bashar Assad një vit më parë.

    Zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, tha se civili i vrarë ishte një përkthyes amerikan dhe se sulmi kishte në shënjestër ushtarët e përfshirë në operacionet e vazhdueshme kundër terrorizmit në rajon.

  • 27-vjetori i rënies së Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij

    27-vjetori i rënies së Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij

    Sot mbushen 27 vjet nga rënia heroike e komandantit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

    27 vjet më parë, gjatë mëngjesit të acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998 luftëtarët e UÇK-së, derisa po sillnin armë në Kosovë, kishin rënë në pritën e organizuar nga ushtria dhe policia e armikut, në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut.

    Gjatë luftimeve të pabarabarta të zhvilluara në borën e dhjetorit, veç dëshmorëve të rënë, u plagosën edhe dhjetëra luftëtarë, ndërsa disa luftëtarë u zunë rob lufte, por pas një aksioni të zhvilluar nga luftëtarët e UÇK-së 8 ushtarë të ushtrisë serbe ishin kapur nga luftëtarët e UÇK-së dhe me ndërmjetësimin e OSBE-së u bë këmbimi i ushtarëve të të dyja palëve.

  • KQZ fillon shpërndarjen e pakove zgjedhore për votuesit e diasporës që votojnë me postë

    KQZ fillon shpërndarjen e pakove zgjedhore për votuesit e diasporës që votojnë me postë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e dërgimit të pakove zgjedhore që përmbajnë fletëvotimet për qytetarët e Kosovës të regjistruar jashtë vendit, të cilët kanë zgjedhur të ushtrojnë të drejtën e votës përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, pakot me fletëvotime do t’u dërgohen rreth 58 mijë votuesve që janë regjistruar për votim me postë. Ndërkohë, 19,257 votues të tjerë, të cilët janë regjistruar për votim fizik jashtë Kosovës, do të votojnë më 27 dhjetor në përfaqësitë diplomatike ku janë të regjistruar.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se fletëvotimet janë prodhuar në Slloveni dhe kanë mbërritur në Kosovë më 12 dhjetor. Pas pranimit të tyre, shërbimi votues i KQZ-së ka përfunduar përgatitjen e pakove individuale, të cilat tashmë janë të gatshme për t’u dërguar në adresat e votuesve jashtë vendit.

    “Fillimisht, pakot do të dërgohen në aeroport dhe gjatë ditës së nesërme do të fillojë shpërndarja e tyre në shtete të ndryshme, përmes shërbimeve postare, në adresat e votuesve. KQZ njofton se gjatë javës në vijim do të përmbyllet i gjithë procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës. Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim”, tha Elezi.

    Sipas njoftimit të KQZ-së, afati për votimin përmes postës është deri më 27 dhjetor, ndërsa votuesit këshillohen që dërgesën me fletëvotim ta postojnë sa më herët, në mënyrë që ajo të mbërrijë brenda afatit të paraparë.

    “Është e rëndësishme të theksohet se votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025. Kjo periudhë votimi vlen vetëm për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës. KQZ u bën thirrje votuesve që të mos presin ditën e fundit për ta dërguar pakon e tyre me fletëvotim. Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta. Votuesit inkurajohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit”, tha Elezi.

    KQZ njofton se, për të mundësuar një proces më të lehtë të votimit për qytetarët e regjistruar për votim me postë, ka vënë në funksion kuti postare në gjithsej 23 shtete. Këto shtete janë: Australia, Austria, Belgjika, Çekia, Danimarka, Franca, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kanadaja, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, SHBA-ja, Shqipëria, Sllovenia, Suedia, Turqia dhe Zvicra.

  • Mbi 1000 gjoba trafiku e dhjetë të arrestuar brenda 24-të orëve

    Mbi 1000 gjoba trafiku e dhjetë të arrestuar brenda 24-të orëve

    Policia e Kosovës brenda intervalit kohor prej 24-të orësh ka shqiptuar 1701 gjoba trafiku për shkelësit e rregullave të trafikut rrugor.

    Po ashtu gjatë kësaj kohe janë shkaktuar 51 aksidente rrugore ku prej tyre 22 me të lënduar dhe 29 me dëme materiale.

    10 persona janë arrestuar dhe 5 janë dërguar në mbatje.