ATV

Blog

  • Lajm i madh për Bayern-in, Musiala rikthehet në fushën stërvitore

    Lajm i madh për Bayern-in, Musiala rikthehet në fushën stërvitore

    FC Bayern Munich ka marrë lajmin që e priste prej muajsh, pasi Jamal Musiala është rikthyer në stërvitje me ekipin.

    Sipas faqes zyrtare të klubit, mesfushori ofensiv u pa të martën paradite në qendrën stërvitore të klubit në Säbener Straße, ku iu bashkua bashkëlojtarëve në fushë rreth orës 11:00.

    Ky ishte rikthimi i parë i Musialës në stërvitje ekipore pas më shumë se pesë muajsh e gjysmë mungesë, si pasojë e një dëmtimi të rëndë në këmbën e majtë. Lojtari i Kombëtares së Gjermanisë ishte pësuar thyerje të fibulës, si dhe dëmtime të shumta ligamentare në kyçin e këmbës.

    Megjithëse rikthimi i plotë në fushë do të kërkojë ende kohë, Musiala ka marrë pjesë në disa pjesë të seancës stërvitore, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt aktivizimit të tij.

    Trajneri Vincent Kompany ka konfirmuar se plani i klubit është që Musiala të marrë minutat e para në ndeshje gjatë muajit janar, duke e cilësuar këtë skenar si ideal për Bayern-in. /ATVLIVE.TV

  • Pas katër muajsh mungesë, Lukaku gati për rikthim me Napolin

    Pas katër muajsh mungesë, Lukaku gati për rikthim me Napolin

    Romelu Lukaku është rikthyer në stërvitje me Napolin dhe sipas raportimeve të së martës, mund të jetë i gatshëm për rikthim në ndeshje zyrtare në Superkupën e Italisë, e cila zhvillohet këtë javë në Arabinë Saudite.

    Sulmuesi belg ka qenë jashtë fushave për 124 ditë, pas një dëmtimi serioz në kofshë të pësuar më 14 gusht gjatë një ndeshjeje miqësore parasezonale kundër Olympiacosit.

    Lëndimi i Lukakut, i ndodhur vetëm pak ditë para nisjes së sezonit të Serie A, detyroi Napolin të veprojë shpejt në treg, duke përshpejtuar afrimin e Rasmus Højlund, pasi u bë e qartë se trajneri Antonio Conte do të mbetej pa sulmuesin kryesor për disa muaj.

    Tashmë, situata duket më pozitive për Conten, pasi Lukaku është rikthyer në stërvitje që nga e hëna dhe pritet të udhëtojë me skuadrën drejt Riadit për Superkupën e Italisë. Kështu, trajneri italian mund të ketë në dispozicion Lukakun, Højlundin dhe Lorenzo Luccën për këtë turne.

    Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Napoli do të udhëtojë drejt Arabisë Saudite të martën pasdite, ndërsa ende mbetet e paqartë se sa minuta do të mund të aktivizohet Lukaku, duke marrë parasysh se ai ka munguar në gjithsej 22 ndeshje në Serie A, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Italisë. /ATVLIVE.TV

  • Kosova pranohet zyrtarisht si anëtarja e 154-të e International Golf Federation

    Kosova pranohet zyrtarisht si anëtarja e 154-të e International Golf Federation

    Kosova është pranuar zyrtarisht si anëtarja e 154-të e Federatës Internacionale të Golf -it (IGF), duke shënuar një moment historik për zhvillimin e sportit të golfit në vend.

    Ky anëtarësim vjen pas më shumë se një dekade përpjekjesh të vazhdueshme dhe pune intensive në ndërtimin e strukturës kombëtare të golfit, si dhe angazhimit në arenën ndërkombëtare. Pranimi në IGF e vendos Kosovën në hartën botërore të golfit dhe i hap rrugë përfaqësimit në garat ndërkombëtare, përfshirë edhe mundësinë e pjesëmarrjes në ciklet olimpike.

    Anëtarësimi në Federatë nuk përfaqëson vetëm një status formal, por konfirmon rrugëtimin e gjatë të institucionalizimit të golfit në Kosovë, ndërtimin e kapaciteteve vendore dhe rritjen e besueshmërisë ndërkombëtare të këtij sporti.

    Një rol kyç në themelimin dhe zhvillimin e golfit në Kosovë ka pasur shqiptaro-amerikani Dino Asanaj, i cili konsiderohet vizionari që solli dhe organizoi për herë të parë këtë sport në vend.
    Kontributi i tij mbetet bazë e rëndësishme për strukturën aktuale të golfit kosovar.

    Po ashtu, mërgata shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm në avancimin e golfit, përmes mbështetjes financiare, rrjetëzimit ndërkombëtar dhe përfaqësimit të Kosovës në forumet sportive ku qasja ka qenë shpesh sfiduese.

    Federata e Golfit e Kosovës ka shprehur mirënjohje për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për mbështetjen institucionale, duke theksuar se bashkëpunimi me këtë institucion ka qenë vendimtar për arritjen e këtij suksesi.

    Sipas Federatës, anëtarësimi në IGF krijon mundësi të reja për zhvillimin e infrastrukturës, edukimin e trajnerëve, rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve dhe afirmimin e Kosovës si pjesëmarrëse aktive në komunitetin ndërkombëtar të golfit.

    Kosova bëhet kështu pjesë e familjes globale të golfit, duke hapur një kapitull të ri për këtë sport dhe për përfaqësimin sportiv të vendit në arenën ndërkombëtare. /ATVLIVE.TV

  • Karim Adeyemi mund të largohet nga Borussia Dortmund, vendim i ndikuar nga Loredana Zefi

    Karim Adeyemi mund të largohet nga Borussia Dortmund, vendim i ndikuar nga Loredana Zefi

    Sulmuesi gjerman Karim Adeyemi i ka bërë të ditur Borussia Dortmund se dëshiron të largohet nga klubi. Ky vendim ka krijuar menjëherë bujë në mediat sportive dhe ka nxitur spekulime për të ardhmen e talentit gjerman.

    Sipas mediave gjermane, motivi pas këtij vendimi është personal: e dashura e tij, këngëtarja kosovare Loredana Zefi, dëshiron të jetojë në një qytet më të madh evropian, dhe jo në Dortmund. Ky faktor ka ndikuar drejtpërdrejt te Adeyemi, i cili tani po shqyrton mundësitë e një largimi.

    Për të përgatitur një transferim të mundshëm, Adeyemi ka ndryshuar agjent dhe ka nisur të rinegociojë kontratën e tij me Dortmundin. Sulmuesi, i cili është nën kontratë deri në vitin 2027, ka një vlerë tregu prej 60 milionë eurosh.

    Në të kaluarën, Adeyemi është lidhur me disa gjigantë evropianë, duke përfshirë Barcelona, Manchester United dhe Juventus, dhe një largim nga Bundesliga mund t’i hapë rrugën një transferimi madhor.

    E ardhmja e talentit gjerman pritet të vendoset gjatë afatit të ardhshëm të transferimeve, dhe mediat sportive vazhdojnë të monitorojnë çdo lëvizje të mundshme të sulmuesit. Ndërkohë, fansat e Borussia Dortmund dhe tifozët e klubit evropian po ndjekin me kujdes zhvillimet, duke spekuluar për destinacionin e mundshëm të Adeyemit.

  • NBA: Denver dhe Utah fitojnë në kohë shtesë, performanca spektakolare e Jokic dhe Mitchell

    NBA: Denver dhe Utah fitojnë në kohë shtesë, performanca spektakolare e Jokic dhe Mitchell

    Denver Nuggets vazhdoi serinë e fitoreve duke triumfuar 128-125 ndaj Houston Rockets në një përballje të fortë që shkoi në kohë shtesë.

    Ylli i ndeshjes, Nikola Jokic, regjistroi një “triple-double” spektakolar me 39 pikë, 15 kërcime dhe 10 asistime, ndërsa Jamal Murray e mbështeti ekipin me 35 pikë, duke i ndihmuar Nuggets të ngjiten në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit.

    Nga ana tjetër, Alperen Sengun po ashtu shkëlqeu me triple-double prej 33 pikëve, 10 kërcimeve e po aq asistimeve, por nuk mjaftuan për fitore.

    Kujotjmë që Rockets renditen në vendin e pestë në Perëndim.

     

    Edhe Utah Jazz u shfaq i papërmbajtshëm në minutat shtesë, duke mundur Dallas Mavericks 140-133 në një duel spektakolar.

    Keyonte George udhëhoqi skuadren e tijë drejt fitores me 37 pikë, pesë kërcime e gjahstë asistime, derisa kontribuan edhe dhe Lauri Markkanen me 33 pikë e 16 kërcime dhe Kyle Filipowski me 25 sosh.

    Mirëpo përkunder humbjes askush nuk mundi të marr vemendjen e super yllit të ri vetëm 18 vjec Cooper Flagg I cili realizoi 42 pikë.

    Jazz janë në vendin e 10 në Peëndim derisa Mavericks në poziten e 12.

     

    Në Konferencën e Lindjes, Detroit Pistons ruajti vendin e parë pas fitores 112-105 në fushën e Boston Celtics. Cade Cunningham spikati për Pistons me 32 pikë dhe 10 asist, duke udhëhequr ekipin drejt një triumfi të rëndësishëm.

    Te skuadra humbëse u dallua Derrick White me 31 pikë e gjahstë kërcime.

    Kujtojmë që Celtics janë në vendin e katërt në Lindje.

  • Paralajmërohet borë për fundvit dhe temperatura deri -20°C në Kosovë

    Paralajmërohet borë për fundvit dhe temperatura deri -20°C në Kosovë

    Nën ndikimin e vazhdueshëm të presionit të lartë atmosferik, vendi ynë do të përballet edhe në ditët në vijim me mjegull të dendur dhe persistente, e cila pritet të reduktojë ndjeshëm dukshmërinë, sidomos gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes.

    Menaxheri i departamentit meteorologjik në KANS, Sherif Gosalci ka thënë se sipas parashikimeve aktuale, moti do të nisë të ndryshojë në pjesën e dytë të javës që vjen, kur pritet një depërtim i masave më të ftohta ajrore. Ky ndryshim do të shoqërohet me reshje bore në shumë zona të vendit, duke krijuar kushte për një fundvit të bardhë.

    Sipas Gosalcit, zhvillimet aktuale preliminare sinjalizojnë edhe një valë të fortë acari, me rënie të ndjeshme të temperaturave. Në disa rajone, termometri mund të zbresë deri në -20°C, duke sjellë temperatura me karakteristika polare.

    “Nën ndikimimin e presionit të lartë atmosferik, mjegulla do të vazhdojë edhe ditëve në vijim të jetë persistente në vendin tonë dhe më gjerë.

    Mot i ndryshueshëm dhe me reshje bore pritet në pjesën e dytë të javës që vjen.

    Zhvillimet aktuale preliminare, na paralajmërojnë për një ndërrim të motmoteve me reshje bore dhe acar që mund të përshkohet me temperatura polare edhe deri – 20°C!”, ka shkruar Gosalci.

  • Arrestohen dy burra e një grua në Pejë, u kapën duke shitur drogë

    Arrestohen dy burra e një grua në Pejë, u kapën duke shitur drogë

    Tre persona janë kapur në flagrancë në Pejë duke shitur substanca narkotike.

    Ngjarja ka ndodhur pasditen e së hënës, ndërsa bëhet fjalë për dy burra dhe një grua.

    “Lidhur me rastin janë kontrolluar tri lokacione të të dyshuarve ku janë gjetur dhe sekuestruar 2.2 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, 0.4 gram substancë narkotike e llojit kokainë, 760 €, 150 franga Zvicrrane, 100 $, 100 Kruna suedeze, dy telefona mobil, dy vetura, disa kartela bankare dhe një mulli”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

    Me vendim të prokurorit dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

  • Anthony Joshua paralajmëron Jake Paul: Do të thyej mendërisht dhe shpirtërisht

    Anthony Joshua paralajmëron Jake Paul: Do të thyej mendërisht dhe shpirtërisht

    Anthony Joshua i ka dhënë një paralajmërim të fuqishëm Jake Paulit para përballjes së shumëpritur, duke deklaruar se synon ta mposht jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht dhe shpirtërisht.

    Dueli mes Joshuas dhe Paulit do të zhvillohet të premten në Kaseya Center në Miami dhe është eventi kryesor i kartës së madhe të Netflix. Për Paulin kjo do të jetë ndeshja e parë pas fitores ndaj Julio Cesar Chavez Jr., ndërsa Joshua rikthehet pas humbjes me nokaut nga Daniel Dubois vitin e kaluar.

    Në një intervistë ballë për ballë, Joshua u shpreh: “Plani im është ta mposht mendërisht. Nëse ia thyej mentalitetin dhe shpirtin, atëherë e kam fituar ndeshjen. Nuk është thjesht fizike, duhet t’ia marrësh shpirtin kundërshtarit në ring”.

    Jake Paul u përgjigj shkurt: “I vetmi që mund ta bëjë këtë është Zoti”, ndërsa Joshua buzëqeshi: “E dija që do ta thoshte këtë”. Britaniku shtoi se ka përvojë për të parë momentin kur energjia e kundërshtarit fillon të zbehet dhe do ta shfrytëzojë plotësisht.

    Pas publikimit të intervistës, reagimet në rrjetet sociale ishin të ashpra, me shumë tifozë që mendonin se Paul duket i pasigurt për këtë përballje

  • Dy raste të vrasjeve në tentativë, njëra në Prishtinë e tjetra në Partesh

    Dy raste të vrasjeve në tentativë, njëra në Prishtinë e tjetra në Partesh

    Dy raste të sulmit në tentativë janë regjistruar nga Policia të hënën në Prishtinë dhe Partesh.

    Sipas njoftimit të lëshuar nga autoritetet, dy persona të panjohur kanë hyrë në oborrin e viktimës dhe kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të shtëpisë, ku disa predha kanë depërtuar brenda dhe kanë dëmtuar disa mobile shtëpiake.

    Në vendin e ngjarjes thuhet se janë gjetur dhe sekuestruar 27 gëzhoja.

    Teksa për rastin në Partesh është thënë se pas një mosmarrëveshjeje, dy persona janë përfshirë në konflikt fizik, me ç’rast edhe kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

    “Në vendin e ngjarjes si provë materiale është sekuestruar një kaçavidë që dyshohet të jetë përdorur në rast”, thuhet në njoftimin policor.

    Dy të dyshuarit janë dërguar në spital dhe gjenden nën masën  e ndalimit policor dhe nën mbikëqyrje e zyrtarëve policorë.

  • Si të shëroni mishrat e dhëmbëve me këto ilaçe natyrale

    Si të shëroni mishrat e dhëmbëve me këto ilaçe natyrale

    Sëmundjet dhe gjendjet e tjera shëndetësore të mishrave të dhëmbëve mund t’iu sjellin bezdi gjatë buzëqeshjes.

    Recesioni i mishrave të dhëmbëve ndodh kur ata zhvishen ose të tërhiqen nga dhëmbët tuaj, duke zbuluar më shumë rrënjën e dhëmbit tuaj.

    Ka shumë shkaqe që sjellin recesionin e mishrave të dhëmbëve, siç është sëmundja parodontale, ndryshimet hormonale, shtatzënia, e madje edhe larja e dhëmbëve tuaj me agresivitet.

    Nëse keni frikë se keni recesionin e mishrave të dhëmbëve, provoni disa prej këtyre ilaçeve natyrale:

    Aloe Vera

    Xheli i aloe verës mund t’ju ndihmojë të lehtësoni dhimbjet e mishit të dhëmbëve. Mjafton ta përhapni atë në furçën tuaj të dhëmbëve dhe ta aplikoni përpara se ta lani.

    Çaji i gjelbër

    Pirja e çajit të gjelbër mund të zvogëlojë inflamimin, të kufizojë rritjen e baktereve dhe të parandalojë sëmundjet parodontale.

    Vaj limoni

    Vaj limoni është pronë anti-bakteriale dhe anti-septike. Ai mund të përdoret si një gargarë për të shtuar shëndetin e mishit të dhëmbëve.