ATV

Blog

  • Bekim Balaj fiton “Topin e Artë” në mbrëmjen gala të futbollit shqiptar

    Bekim Balaj fiton “Topin e Artë” në mbrëmjen gala të futbollit shqiptar

    Në ambientet madhështore të Teatrit të Operës dhe Baletit u zhvillua mbrëmja gala e futbollit shqiptar, ku u ndanë çmimet për protagonistët më të spikatur të vitit.

    Vëmendja kryesore e ceremonisë u përqendrua te trofeu prestigjioz “Topi i Artë”, i cili iu dha sulmuesit të Vllaznisë, Bekim Balaj, si vlerësim për një sezon të jashtëzakonshëm. Balaj u shpërblye gjithashtu edhe me “Këpucën e Artë”, duke

    Sa i përket pankinave, titulli i trajnerit më të mirë të vitit iu akordua teknikut të Egnatias, Edlir Tetova, falë rezultateve mbresëlënëse dhe paraqitjeve stabile të skuadrës rrogozhinase gjatë sezonit.

    Ndërkohë, futbollistët e Kombëtares shqiptare përzgjodhën më të mirin e ekipit kuqezi, duke votuar kapitenin Berat Gjimshiti.

    Një moment i veçantë dhe emocional i mbrëmjes ishte ndarja e trofeut “Ëndërr Botërori”, kushtuar lojtarëve të Kombëtares për arritjen e një objektivi historik. Ky nderim iu dha 12 futbollistëve të pranishëm në ceremoni: Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Naser Aliji, Kristjan Asllani, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Klisman Çeka, Alen Sherri, Mario Dajsinani, Juljan Shehu dhe Nazmi Gripshi.

    Trofeun ua dorëzoi personalisht presidenti i FSHF-së, Armand Duka, si shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe suksesin historik të Kombëtares.

    Në mbyllje të ceremonisë, analistët dhe gazetarët sportivë përzgjodhën edhe formacionin më të mirë të Kategorisë Superiore, duke përmbyllur kështu një mbrëmje festive dhe emocionuese të futbollit shqiptar.

  • Muriqi mes yjeve të La Ligës, në formacionin e javës

    Muriqi mes yjeve të La Ligës, në formacionin e javës

    Vedat Muriqi vazhdon të konfirmojë statusin e tij si një nga figurat më të rëndësishme të La Ligës. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës është përzgjedhur në Formacionin më të Mirë të Javës në kampionatin spanjoll, duke spikatur mes yjeve më të mëdhenj të futbollit iberik.

    Platforma e njohur e statistikave, SofaScore, ka publikuar formacionin ideal për xhiron e 16-të të sezonit 2025/26, ku Muriqi zë një vend qendror në repartin ofensiv, falë paraqitjes së tij dominuese me fanellën e Mallorcës. Ai u vlerësua me notën 8.0, një tregues i qartë i ndikimit të tij të madh në lojë.

    Forca fizike, superioriteti në duelet ajrore dhe prania konstante në zonë e bënë “Piratin” protagonist absolut në fitoren bindëse 3-1 ndaj Elches, ndeshje në të cilën ai realizoi edhe një gol vendimtar.

    Në formacionin e javës, përkrah Muriqit, u përfshinë edhe yje të futbollit botëror si Raphinha, Jude Bellingham dhe Koke, çka e bën këtë përzgjedhje edhe më domethënëse për sulmuesin kosovar.

    Kjo paraqitje është një tjetër dëshmi se Vedat Muriqi mbetet një nga sulmuesit më të respektuar dhe më efektivë në La Liga. Me 7 gola të shënuar deri më tani, ai renditet i treti në listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit, pas Kylian Mbappé dhe Ferran Torres, duke dëshmuar formën e tij të shkëlqyer dhe rëndësinë për Mallorcën.

  • Agim Ademi takohet me Gianni Infantinon në Doha të Katarit

    Agim Ademi takohet me Gianni Infantinon në Doha të Katarit

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në Doha.

    Takimi u mbajt në prag të finales së Kupës Interkontinentale mes Paris Saint-Germain dhe Flamengos, ku Ademi theksoi se biseda me kreun e futbollit botëror ishte e frytshme dhe e fokusuar në zhvillimin e futbollit kosovar si dhe në projektet e së ardhmes.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ademi bëri të ditur se shkëmbimi i ideve dhe vizionit me drejtuesit e futbollit ndërkombëtar mbetet gjithmonë motivues, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm për rritjen e standardeve dhe krijimin e mundësive të reja për talentet e Kosovës.

    Presidenti i FFK-së shtoi se futbolli kosovar po vazhdon rrugën e tij të zhvillimit falë mbështetjes së vazhdueshme nga UEFA dhe FIFA, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare do të thellohet edhe më tej në të ardhmen.

  • Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë, brenda 10 muajve mbi 1 mijë e 300 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Rritet numri i shkurorëzimeve në Kosovë, brenda 10 muajve mbi 1 mijë e 300 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë periudhës janar–tetor 2025 në Kosovë janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 341 shkurorëzime, duke treguar një nivel të konsiderueshëm të çifteve që i kanë dhënë fund martesës së tyre.

    Vetëm gjatë muajit tetor janë regjistruar 158 raste të shkurorëzimeve të ndodhura në Kosovë. Krahasuar me muajin shtator, ky numër paraqet një rritje prej 18.8 për qind të çifteve të shkurorëzuara.

    “Sa u përket shkurorëzimeve të ndodhura në Kosovë për muajin tetor janë 158 raste, krahasuar me muajin shtator kemi rritje të numrit të çifteve të shkurorëzuara për 18.8 %”, thuhet në raportin e ASK-së.

  • 18 vjeçari Cooper Flagg thyen rekordin e LeBron James

    18 vjeçari Cooper Flagg thyen rekordin e LeBron James

    Zgjedhja numër një e Draftit të NBA-së për këtë vit, Cooper Flagg, ka hyrë në histori në ligën më prestigjioze të basketbollit botëror.

    Vetëm 18 vjeç, Flagg u konsiderua si një talent i rrallë që para se të zbriste në parket, ndërsa Dallas Mavericks e përzgjodhën atë të parin në Draft. Dhe ai nuk vonoi të tregonte pse ishte kaq i kërkuar. Në orët e para të mëngjesit të së martës, në përballjen ndaj Utah Jazz, i riu amerikan shkëlqeu duke dhënë një paraqitje të jashtëzakonshme.

    Flagg u shndërrua në figurën kryesore të Dallasit duke realizuar plot 42 pikë, një arritje historike që e bën atë 18-vjeçarin e parë që shënon mbi 40 pikë në një ndeshje NBA. Me këtë paraqitje, ai theu rekordin e LeBron James, i cili në vitin 2001 kishte shënuar 41 pikë si 19-vjeçar me Cleveland Cavaliers.

    Flagg që do të festojë ditëlindjen e 19-të pas vetëm pesë ditësh, ishte protagonisti absolut i një ndeshjeje spektakolare mes Dallasit dhe Utah, e cila u mbyll me fitoren e Jazz 140:133 pas kohës shtesë.

    Ylli i ri i Mavericks realizoi 42 pikë me 13 nga 27 gjuajtje nga loja. Përveç pikëve, Flagg kontribuoi edhe me shtatë kërcime, gjashtë asistime, dy bllokada dhe një rrëmbim topi.

  • Ambasada e SHBA-së uron Majoren Luljeta Mehmeti–Quigley për diplomimin në Akademinë e FBI-së

    Ambasada e SHBA-së uron Majoren Luljeta Mehmeti–Quigley për diplomimin në Akademinë e FBI-së

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka uruar Majoren e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti–Quigley, për diplomimin e saj në sesionin e 296-të të Akademisë Kombëtare të FBI-së në Quantico, Virxhinia.

    Përmes një njoftimi, Ambasada ka bërë të ditur se Majorja Mehmeti–Quigley është bërë oficerja e dhjetë nga Kosova që përfundon këtë program prestigjioz, i cili konsiderohet ndër trajnimet më elitare për zyrtarët e zbatimit të ligjit në nivel global.

    Ambasada theksoi se ky sukses është mbështetur përmes programeve DOJ-ICITAP dhe FBI LEGATT Sofia, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve të sigurisë në Kosovë.

    Akademia Kombëtare e FBI-së, e themeluar në vitin 1935, ka trajnuar deri më sot mbi 53 mijë profesionistë të sigurisë nga e gjithë bota.

    Në mesazhin e saj, Ambasada e SHBA-së ka shprehur urime për Majoren Mehmeti–Quigley dhe ka ritheksuar përkushtimin për ndërtimin e institucioneve të sigurisë më të sigurta dhe më të forta në Kosovë.

  • Çifti heroik u vranë kur tentuan të ndalonin terroristin, vdiqën të përqafuar

    Çifti heroik u vranë kur tentuan të ndalonin terroristin, vdiqën të përqafuar

    Historitë nga sulmi terrorist në plazhin Bondi të Sidneit, që la 15 të vdekur, vazhdojnë të prekin zemrat e njerëzve. Vëmendja është fokusohet së fundmi në një çift që u përpoq të çarmatoste terroristin 50-vjeçar, Shaheen Akram, por që përfunduan të vrarë të përqafuar në trotuar.

    Në një video, 69-vjeçari hebre rus Boris Gurman duket se ka shtyrë Akramin ndërsa ai doli nga makina me një flamur të ISIS-it në xhamin e përparmë dhe i mori armën. Megjithatë, përpjekja e tij dështoi, pasi terroristi 50-vjeçar qëlloi dhe vrau si Borisin ashtu edhe gruan e tij 61-vjeçare, Sofian. Fillimisht, çifti u raportua i zhdukur pas sulmit të së dielës, me policinë që bëri thirrje për informacion.

    Sipas mediave australiane, çifti heroik jetonte në Bondi të Australisë dhe kishte një djalë në të 30-at. Burime familjare bëjnë me dije se Boris dhe Sofia po përgatiteshin të festonin 35-vjetorin e martesës së tyre në janar. “Boris dhe Sofia kishin jetuar në Bondi për vite me radhë, duke e dashur komunitetin dhe jetën që kishin ndërtuar atje. Ata ishin njerëz të sjellshëm, të fortë dhe bujarë, të përkushtuar ndaj familjes së tyre. Mungesa e tyre lë një boshllëk që nuk mund të mbushet”, tha familja Gurman në një deklaratë.

    Në lidhje me aktin e vetëmohimit që ata demonstruan të dielën, të afërmit theksojnë se “kjo konfirmoi se çfarë lloj njerëzish ishin: ata ishin ata që instinktivisht zgjedhin të ndihmojnë, edhe kur ekziston rreziku më i madh. Edhe pse asgjë nuk mund ta lehtësojë dhimbjen e humbjes, ne jemi jashtëzakonisht krenarë për guximin dhe humanitetin e tyre”.

  • Ushtria amerikane thotë se ka goditur tri anije në Oqeanin Paqësor duke vrarë tetë persona

    Ushtria amerikane thotë se ka goditur tri anije në Oqeanin Paqësor duke vrarë tetë persona

    Ushtria amerikane tha të hënën se ka goditur tri anije të dyshuara për kontrabandë me drogë në Oqeanin Paqësor, duke vrarë të paktën tetë persona, ndërsa sulmet ndaj anijeve do të diskutohen në Kongres.

    Ushtria në një deklaratë në mediat sociale tha se sulmi ka targetuar “organizata të përcaktuara si terroriste”, duke vrarë tre persona në anijen e parë, dy në anijen e dytë dhe tre në anijen e tretë. Nuk është dëshmuar për kontrabandën e tyre me lëndë narkotike por është publikuar një video që tregon anijet duke lëvizur në oqean para se të eksplodoheshin.

    Presidenti Donald Trump i ka justifikuar sulmet si veprim të domosdoshëm për të ndaluar qarkullimin e drogës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pohoi se SHBA-ja është e përfshirë në “konflikt të armatosur” me kartelet e drogës.

    Por administrata Trump po përballet me shqyrtim gjithnjë e më të madh nga ligjvënësit lidhur me fushatën e sulmeve me anije, e cila ka vrarë të paktën 95 persona në 25 sulme të njohura nga fillimi i shtatorit, përfshirë një sulm pasues që vrau dy persona.

    Goditjet e fundit ndaj anijeve vijnë në prag të takimeve informuese në Capitol Hill për të gjithë anëtarët e Kongresit, ndërsa po shtohen pyetjet mbi fushatën ushtarake të administratës Trump.

    Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe zyrtarë të tjerë të lartë të sigurisë kombëtare pritet të japin informacione me dyer të mbyllura për ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat.

    Ushtria amerikane ka ndërtuar praninë e saj më të madhe në rajon në dekada dhe ka nisur një seri sulmesh vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor lindor. Trumpi ka thënë se sulmet tokësore do të vijnë së shpejti, por nuk ka ofruar asnjë detaj tjetër.

  • DW: Ballkani Perëndimor ende në pikë kritike, Serbia shihet si pengesë për anëtarësimin e Kosovës në BE

    DW: Ballkani Perëndimor ende në pikë kritike, Serbia shihet si pengesë për anëtarësimin e Kosovës në BE

    Ballkani Perëndimor vijon të mbetet në pozicion kritik, pavarësisht reformave dhe progresit që po ndërmerren në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

    Instituti gjerman, “Aspen”, i cili në qendër të punës së tij ka edhe mbështetjen ndaj vendeve të rajonit ballkanik në rrugën drejt BE-së, theksoi një sërë sfidash në raportin më të fundit: “Ndryshimi strukturor në Ballkanin Perëndimor”. Sipas këtij raporti, “disa vende vijojnë të mbeten prapa, të penguar nga fragmentimi politik, mangësitë në qeverisje ose agjendat e ngecura të reformave”.

    “Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor përballen me një model të vazhdueshëm në të cilin, sundimi i dobët i ligjit, institucionet e politizuara shtetërore dhe kapaciteti i kufizuar administrativ dëmtojnë zbatimin e politikave dhe ‘gërryejnë’ besimin e publikut” – thuhet në raport. Këtij modeli, sipas raportit, i bashkëngjiten edhe „fushatat e vazhdueshme të dezinformimit, që burojnë si nga aktorë vendas që kërkojnë avantazh politik afatshkurtër, ashtu edhe nga aktorë të jashtëm që synojnë të dobësojnë qëndrueshmërinë demokratike dhe të zbehin mbështetjen për harmonizimin me BE-në”.

    “Ikja e trurit”

    “Popullsia e rajonit po tkurret dhe të talentuarit po lëvizin gjithnjë e më shumë”. Kështu e përshkruan dukurinë e “largimit të trurit” nga rajoni raporti më i fundit i Institutit Aspen. Lëvizjet demografike shihen me shqetësim, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në modernizimin e ekonomisë, së cilës në rajon i mungojnë njerëzit e për rrjedhojë aftësitë e tyre, përshtatshmëria dhe një e ardhme e qëndrueshme.

    “Ai që dikur shihej si emigrim i përkohshëm, është bërë problem strukturor, sepse të rinjtë dhe punëtorët e kualifikuar largohen në kërkim të mundësive, teksa popullsia në plakje dhe pjesëmarrja e ulët në tregun e punës dëmton fuqinë punëtore vendase” – thuhet në raport.

    Të gjashta shtetet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina qëndrojnë shumë poshtë standardeve të BE-së në grup-kapitullin e “Aftësive”, duke reflektuar mospërputhje të vazhdueshme mes rezultateve në arsim dhe nevojave të tregut të punës.

    “Në të gjithë rajonin, punëdhënësit raportojnë mangësi të punëtorëve të kualifikuar edhe pse niveli arsimor rritet” – mendojnë ekspertët e “Aspen”. Pagat e ulëta, krahasuar me vendet e BE-së, mundësia e kufizuar për të bërë karrierë dhe qasja në tregun europian të punës, janë ndër faktorët më të rëndësishëm. Rikthimet e të kualifikuarve që ikin, janë tepër të kufizuara.

    Shqipëria, “boshllëqe në sigurinë kibernetike”

    Në procesin drejt anëtarësimit në BE, Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen si kryesuesit e rajonit, për shkak të reformave të ndërmarra. Një ndër fushat ku theksohet ndërmarrja e hapave konkrete nga ana e Shqipërisë është modernizimi i infrastrukturës digjitale, përmes platformave si e-Albania, e cila sipas raportit, i centralizon shërbimet publike. “Megjithatë dobësitë kibernetike janë të mprehta, siç u tregua në rastet e sulmeve kibernetike të vitit 2022, raste që iu atribuan Iranit, të cilat dëmtuan sistemet shtetërore dhe nxorrën në pah boshllëqet në mbrojtjen e të dhënave”.

    Raporti përmend miratimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2020-2025, dhe përafrimin me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave.

    “Megjithatë, sfidat vazhdojnë në aspektin e lirisë së medias, presionit politik mbi gazetarët dhe pavarësisë institucionale të Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave. Mbështetja e BE-së dhe bashkëpunimi kibernetik me NATO-n kanë përmirësuar gatishmërinë digjitale të Shqipërisë, por nevojat për ndërtimin e kapaciteteve mbeten të larta”.

    Serbia, pengesa madhore për anëtarësimin e Kosovës

    Sipas Institutit “Aspen”, Kosova konsiderohet kandidat potencial për anëtarësim nga Bashkimi Europian. Por edhe pse ka bërë progres në disa fusha, vendi përballet ende me pengesa madhore, ku peshën më të madhe e zë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. I njëjti argument vlen edhe për Serbinë.

    “Serbia ka nisur negociatat për anëtarësimin në BE që prej vitit 2014, por përparimi mbetet i kufizuar, me shqetësime mbi reformën e sundimit të ligjit, lirinë e medias, harmonizimin e politikës së jashtme dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të cilat vijojnë të ngadalësojnë ritmin e negociatave” – theksohet në raport.

    Sfidat e brendshme dhe të jashtme të BE-së

    Nga ana e tij, zgjerimi në Bashkimin Europian gjendet mes udhëkryqit të situatës gjeostrategjike që ka krijuar pushtimi rus në Ukrainë dhe skepticizmit të brendshëm nëse shtetet e reja do të përshtaten siç duhet me rregullat e Unionit.

    „Ndërsa disa shtete anëtare e shohin konsolidimin institucional si parakusht për pranimin e vendeve të reja anëtare, të tjera vende argumentojnë se procesi i zgjerimit në vetvete mund të veprojë si katalizator për modernizimin institucional. Si pasojë, BE-ja është përpjekur që qëllimin strategjik të saj ta përkthejë në një proces tërësisht të parashikueshëm”./DW

  • Trump padit BBC-në për shpifje, kërkon dëmshpërblim 5 miliardë dollarë

    Trump padit BBC-në për shpifje, kërkon dëmshpërblim 5 miliardë dollarë

    Presidenti amerikan Donald Trump ka ngritur një padi për shpifje me vlerë 5 miliardë dollarë kundër BBC-së, duke e akuzuar transmetuesin britanik se ka manipuluar një fjalim të tij në dokumentarin Panorama.

    Programi u transmetua në Mbretërinë e Bashkuar përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024.

    Trump kishte paralajmëruar muajin e kaluar se do ta padiste BBC-në, duke deklaruar se montazhi ndryshoi fjalët që dilnin nga goja e tij. Ky fjalim u mbajt më 6 janar 2021, pak para trazirave në Kapitol. Në fillim të fjalimit, Trump u tha mbështetësve se do ecnin drejt Kapitolit. “Do të ecim drejt Kapitolit dhe do t’i thërrasim senatorët dhe kongresmenët tanë trima”. Rreth 50 minuta më vonë, ai shtoi se do luftohet fort për kauzën republikane. “Dhe ne luftojmë. Luftojmë fort”.

    Në dokumentarin Panorama, këto dy deklarata u bashkuan në një klip të vetëm, duke krijuar përshtypjen se Trump po bënte një thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë. BBC-ja e pranoi se montazhi kishte dhënë përshtypjen e gabuar, sikur Trump kishte bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprim të dhunshëm, por theksoi se nuk kishte bazë për një padi për shpifje.

    Në nëntor, një memo e brendshme e rrjedhur e BBC-së kritikoi mënyrën sesi ishte montuar fjalimi dhe kjo çoi në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie, si dhe të shefes së lajmeve, Deborah Turness.

    Para depozitimit të padisë, avokatët e BBC-së i dërguan Trumpit një përgjigje të detajuar, duke argumentuar se nuk kishte keqdashje në montazh dhe se Trump nuk ishte dëmtuar nga programi, pasi ai u rizgjodh president, pak kohë pas transmetimit. Ata shtuan gjithashtu se BBC-ja nuk kishte të drejta dhe nuk e kishte shpërndarë dokumentarin në kanalet e saj në SHBA, ndërsa Panorama ishte e disponueshme në BBC iPlayer vetëm për shikuesit në Mbretërinë e Bashkuar.

    Në padi, Trump pretendon se BBC-ja kishte marrëveshje me distributorë të tjerë për shfaqjen e përmbajtjes jashtë Britanisë, përfshirë një marrëveshje me një korporatë mediatike të palës së tretë. BBC-ja dhe kompania e përmendur nuk kanë reaguar ende ndaj këtyre pretendimeve. Padia shton se persona në Florida mund ta kenë parë dokumentarin përmes përdorimit të VPN-ve ose përmes shërbimit të transmetimit BritBox.

    Dokumentari Panorama u përqendrua te ngjarjet e 6 janarit 2021 dhe rolin e fjalimeve të Trumpit përpara sulmit ndaj Kapitolit. Çështja e montazhit të fjalimeve politike dhe ndikimi i tyre në perceptimin publik ka qenë prej kohësh një debat i nxehtë në mediat ndërkombëtare, veçanërisht në prag të zgjedhjeve./BBC/