ATV

Blog

  • 1 në 3 persona mbi 65 vjeç preket nga humbja e dëgjimit

    1 në 3 persona mbi 65 vjeç preket nga humbja e dëgjimit

    Miliona njerëz në të gjithë jetojnë me probleme të dëgjimit. Ndërgjegjësimi për rreziqet që shkaktojnë humbjen e dëgjimit dhe përmirësimi i aksesit ndaj shërbimeve në nivelin e kujdesit shëndetësor parësor, mund të zvogëlojë rastet dhe ndikimin negativ të humbjes së dëgjimit. Identifikimi i hershëm i humbjes së dëgjimit është çelësi. Humbja e dëgjimit e patrajtuar mund të çojë në largimin e njerëzve nga mjediset shoqërore, duke shkaktuar ndjenja vetmie dhe izolim social. Humbja e dëgjimit e lidhur me moshën mund të menaxhohet në mënyrë efektive përmes një sërë mjetesh, duke përfshirë aparatet e dëgjimit. Ekspozimi i rregullt ndaj tingujve me volum të lartë për një periudhë të gjatë paraqet një kërcënim serioz për humbjen e dëgjimit të pakthyeshëm. Infeksionet kronike të veshit janë një ndër shkaqet kryesore të humbjes së dëgjimit. Ato janë të parandalueshme dhe mund të menaxhohen në mënyrë efektive përmes trajtimit mjekësor dhe ndërhyrjeve kirurgjike.

    Shenjat

    Shenjat klinike janë rënia e menjëhershme e dëgjimit e shoqëruar apo jo me zhurmë në vesh. Në rastin e virozave shoqërohet me bllokim hundësh, sekrecione të trashura dhe me ngjyrë, dhimbje koke, marrje mendsh etj. Në rastin e bllokimit pas daljes nga dushi mund të shoqërohet me dhimbje të kanalit. Në rastin e pacientëve me sëmundje hipertensive, që mund të anashkalojnë ose të marrin mjekim jo të rregullt dhe ngrihen në mëngjes me humbje të menjëhershme të dëgjimit zakonisht nuk kemi asnjë shenjë tjetër klinike. Pra, në situata të ndryshme edhe klinika është e ndryshme. Serioziteti i patologjisë varet nga shkalla e rënies së dëgjimit, vazhdimësia në kohë dhe nga sëmundjet e tjera shoqëruese. Në bllokimet e menjëhershme pas dushit nga dylli në vesh problemi është i zgjidhshëm në mënyrë të menjëhershme pas vizitës te mjeku orl dhe lavazhit të veshit. Në rastin e bllokimeve pas virozave dhe sidomos pas krizave hipertensive e traumave akustike problemi është më serioz.

    Diagnoza

    Në rastet e rënies së menjëhershme të dëgjimit, zhurmë në vesh dhe shqetësimi i tyre është i dukshëm, bëhet otoskopia, pra këqyrja e kanalit të jashtëm të dëgjimit deri në membranë timpanike, ekzaminimi i hundës dhe i fytit, pra i të tre organeve për të shqyrtuar një patologji të mundshme që i lidh të tria. Bëhen provat kamertonale, matja e nivelit të dëgjimit (audiometria) dhe matja e presionit në veshin e mesëm (timpanometria). Në rastin e fëmijëve të vegjël të cilët nuk bashkëpunojnë, bëhet vetëm timpanometria. Ajo që na ndihmon shumë në vendosjen e diagnozës është anamneza ose historia e sëmundjes së pacientit, shenjat e tjera shoqëruese, mosha. Rëniet e menjëhershme të dëgjimit në mosha të reja pa asnjë shenjë klinike, mund të kërkojnë edhe bërjen e një rezonance magnetike të kokës për ndonjë patologji tjetër shoqëruese që nuk ka lidhje me veshin.

    Trajtimi

    Mjekimi i rënies së menjëhershme të dëgjimit është në varësi të situatës, që e ka shkaktuar. Nëse rënia vjen nga bllokimi i kanalit nga dylli aplikohet lavazhi me ujë ose aspirimi i kanalit në varësi të sëmundjeve të mëparshme të veshit. Nëse rënia shoqërohet me probleme të tjera si gjendja virale, bllokimi i hundëve, sekrecione, dhimbje koke atëherë fillohet mjekimi edhe për patologjitë shoqëruese, që e shkaktojnë. Nëse rënia e menjëhershme shfaqet te pacientët me moshë të madhe një ndihmë të madhe në mjekim, jep kortizoni, por këta pacientë edhe mund të hospitalizohen, që të mbahen nën kontroll për problemet hipertensive që shoqërojnë mjekimin me kortizon. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe te pacientët diabetikë. Në rastin e krizave të sëmundjes menier ose sëmundjes së veshit të brendshëm fillohet një terapi specifike. Kujdes në rastet e rënies nga traumat akustike, shpërthimet e ndryshme, gjuajtjet me armë me veshët e pambrojtur, ku rëndësi ka momenti i paraqitjes te mjeku sepse edhe minuta është e rëndësishme në fillimin e terapisë dhe në rikuperimin e plotë të dëgjimit. /mapo.al

  • AIP kërkon nga partitë mbrojtjen e të dhënave personale

    AIP kërkon nga partitë mbrojtjen e të dhënave personale

    Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga partitë politike që përpunimi i të dhënave personale me qëllim të promovimit të kandidatëve, komunikimit me votuesit apo organizimit të aktiviteteve politike, duhet të bëhet mbi baza të qarta ligjore duke respektuar parimin e drejtësisë, proporcionalitetit dhe transparencës.

    “Agjencia kërkon nga Subjektet Politike që përpunimi i të dhënave personale me qëllim të promovimit të kandidatëve, komunikimit me votuesit apo organizimit të aktiviteteve politike, duhet të bëhet mbi baza të qarta ligjore duke respektuar parimin e drejtësisë, proporcionalitetit dhe transparencës. Subjektet politike mbajnë përgjegjësi të plotë për garantimin e përpunimit të sigurt dhe të ligjshëm të të dhënave personale të qytetarëve. Në këtë drejtim, subjektet politike obligohen të sigurojnë që:

    – Të sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj;

    -Të mos përdoren të dhënat e kontaktit të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike, të mbajtura nga institucionet, apo të mbledhura për qëllime të tjera jo-politike, për komunikim ose marketing politik.

    -Të respektohet e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përpunimin e të dhënave të tyre, për qëllim marketingut politik dhe të sigurohet ndërprerja e menjëhershme e komunikimit pas paraqitjes së kundërshtimit.

    -Të shmangen format e profilizimit e votuesve për qëllim të marketingut politik ose përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç në rastet kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe kur janë ndërmarrë masat mbrojtëse. Në rastet kur përdoren teknologji që mund të shkaktojnë rrezik të lartë për të drejtat e individëve, kërkohet kryerja e Vlerësimit të Ndikimit mbi Mbrojtjen e të Dhënave (VNMDh) sipas udhëzimeve të AIP.

    -Të sigurohet transparencë e plotë ndaj qytetarëve lidhur me qëllimet, arsyetimin ligjor dhe mënyrat e përpunimit të të dhënave personale dhe të publikohen politika të privatësisë të qarta, të përditësuara, dhe të qasshme gjatë gjithë periudhës zgjedhore.

    “Agjencia për Informim dhe Privatësi do të ofrojë mbështetje profesionale për subjektet politike për të siguruar se procesi zgjedhor do të zhvillohet në përputhje me standardet për mbrojtjen e të dhënave personale.”

  • OpenAI po përgatit një version të ChatGPT-së për të rritur

    OpenAI po përgatit një version të ChatGPT-së për të rritur

    Versioni i ri pritet të publikohet në fillim të vitit 2026

    OpenAI po përgatit një version të ChatGPT për të rritur, i cili pritet të debutojë në tremujorin e parë të vitit 2026.

    Lajmin e bëri të ditur Drejtori Ekzekutiv i Aplikacioneve të OpenAI, Fidji Simo, duke konfirmuar planet për të ofruar përmbajtje më të pjekur dhe të personalizuar.

    Aktualisht, OpenAI po teston aftësitë e inteligjencës artificiale për të identifikuar përdoruesit nën 18 vjeç dhe për të aplikuar automatikisht filtrat e nevojshëm për përmbajtje.

    Kjo masë synon të mbrojë përdoruesit më të rinj dhe të përmbushë kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë.

    Një version i tillë për të rritur ka qenë i përfolur prej kohësh, veçanërisht pas eksperimentimeve të xAI me Grok.

    Simo theksoi se modaliteti i ri nuk do të fokusohet domosdoshmërisht te përmbajtja eksplicite, por më shumë te aftësia për të ofruar përgjigje të mëtejshme dhe të sofistikuara për një audiencë të rritur, duke ruajtur gjithashtu standardet e sigurisë.

  • Gjykata urdhëron PSG të paguajë Kylian Mbappes 61 milionë euro

    Gjykata urdhëron PSG të paguajë Kylian Mbappes 61 milionë euro

    Një gjykatë pune në Paris urdhëroi të martën Paris Saint-Germain (PSG) të paguajë Kylian Mbappes 61 milionë euro për pagat dhe bonuset e papaguara, duke dhënë fund një prej mosmarrëveshjeve më të mëdha ligjore në futbollin francez.

    Vendimi erdhi pas muajsh debate ligjore, pasi sulmuesi francez paditi PSG-në për të ardhurat që sipas tij nuk i ishin dhënë për muajt prill, maj dhe qershor 2024, pak para se të largohej nga klubi për t’u bashkuar me Real Madridin si transferim i lirë.

    Avokati i Mbappes, Frederique Cassereau, tha:

    “Jemi të kënaqur me vendimin. Kjo është ajo që mund të pritet kur pagat nuk paguhen.”

    Gjykata konstatoi se PSG nuk i kishte paguar sulmuesit tre muaj rrogë, një bonus etik dhe një bonus nënshkrimi, të cilat ishin të detyrueshme sipas kontratës. Këto shuma ishin njohur edhe nga vendime të Ligës Franceze të Futbollit Profesional (LFP) në shtator dhe tetor 2024.

    Gjykata hodhi poshtë pretendimet e PSG-së se Mbappe duhej të humbiste tërësisht pagat e papaguara, por gjithashtu nuk pranoi disa nga pretendimet shtesë të lojtarit, përfshirë akuzat për punë të fshehur, ngacmim moral dhe shkelje të detyrës së sigurisë.

    PSG kishte argumentuar se Mbappe kishte vepruar në mënyrë të pabesë duke mos paralajmëruar për një vit planet për të mos rinovuar kontratën, duke i mohuar klubit mundësinë për të marrë një tarifë transferimi. Përfaqësuesit e Mbappes thanë se mosmarrëveshja lidhej me zbatimin e ligjit francez të punës dhe pagat e papaguara, jo me politikën e transferimeve. /ATVLIVE.TV

  • Wayne Rooney: ‘Granit Xhaka, blerja më e mirë e sezonit’

    Wayne Rooney: ‘Granit Xhaka, blerja më e mirë e sezonit’

    Kapiteni i kombëtares së Zvicrës dhe futbollisti i Sunderlandit, Granit Xhaka, është një lider në fushë dhe këtë po e tregon më së miri te ekipi i ‘Maceve të zeza’. Skuadër kjo që këtë sezon është pjesë e Premier League dhe po tregon klas dhe shpirt gare në çdo ndeshje.

    Por, një nga lojtarët kyç të tyre është padyshim shqiptari Xhaka dhe për këtë edhe legjenda e futbollit anglez, Wayne Rooney, i ka thurur elozhe të veçanta atij. Në podcastin, “The Wayne Rooney Podcast”, Rooney u shpreh:

    “Xhaka duhet të jetë transferimi i stinorit. Ai ishte gjithnjë lojtar i mirë. Kam menduar se duke shkuar në Sunderland do të vuajë dhe nuk do të ishte transferim i mirë, por ai është i jashtëzakonshëm. Aftësia e tij për të diktuar lojtarët dhe për të qetësuar lojën është brilante.”

    Performancat e Xhakës, përfshirë edhe ndeshjen e fundit kundër Newcastle, kanë konfirmuar ndikimin e tij të madh në skuadër dhe aftësinë për të udhëhequr lojën në fushë. /ATVLIVE.TV

  • Transformim i palestrës “Minatori” në Mitrovicë, 680 ulëse të reja dhe tribunë teleskopike

    Transformim i palestrës “Minatori” në Mitrovicë, 680 ulëse të reja dhe tribunë teleskopike

    Palestra e sportit “Minatori” në Mitrovicë po i nënshtrohet një transformimi të rëndësishëm, me vendosjen e tribunave teleskopike, një investim në vlerë prej 400 mijë eurosh që pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

    Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili ka theksuar se ky projekt do të rrisë dukshëm kapacitetin dhe funksionalitetin e palestrës.

    Sipas Çekut, në ambientet e palestrës do të shtohen 680 ulëse të reja, duke krijuar kushte më të mira për publikun sportdashës dhe për organizimin e ngjarjeve sportive të ndryshme.

    Ky projekt është pjesë e përpjekjeve për të modernizuar infrastrukturën sportive në Mitrovicë dhe për të ofruar standarde më të larta për sportistët dhe tifozët. /ATVLIVE.TV

  • Brigitte Macron kërkon falje pas përdorimit të fjalës fyese për feministet franceze

    Brigitte Macron kërkon falje pas përdorimit të fjalës fyese për feministet franceze

    Zonja e Parë e Francës, Brigitte Macron, kërkoi pjesërisht falje pasi u filmua duke quajtur protestuese feministe “k***a të pista”, një incident që shkaktoi reagime të shumta.

    Macron përdori këtë fjalë gjatë një shfaqjeje në Paris nga komediani Ary Abittan, i cili më parë ishte akuzuar për përdhunim.

    Në një intervistë për mediat Brut, 72-vjeçarja tha: “Më vjen keq nëse kam lënduar gratë viktima, të sulmit seksual”.

    Megjithatë, ajo insistoi se komentet ishin “private” dhe tha se nuk mund t’i tërhiqte: “Është e vërtetë, unë jam gruaja e presidentit, por jam edhe vetvetja. Dhe kështu, kur jam në privatësi, mund të shfrenohem në një mënyrë që nuk është plotësisht e përshtatshme”, shtoi ajo.

    Në video të publikuar javën e kaluar nga revista franceze Public, Abittan i tha Macron se ishte “i frikësuar” pas protestave të natës së mëparshme.

    Ajo iu përgjigj duke qeshur: “Nëse ka ndonjë k***ë të marrë, do t’i nxjerrim jashtë”.

    Aktivistët feministë nga kolektivi #NousToutes kishin ndërprerë shfaqjen e Abittan më 7 dhjetor, duke mbajtur maska me fytyrën e tij dhe fjalën “përdhunues” dhe duke brohoritur “Abittan përdhunues”.

    Abittan ishte akuzuar për përdhunim në fund të vitit 2021 nga një grua me të cilën kishte pasur lidhje. Pas një hetimi tre-vjeçar, prokurorët hodhën poshtë çështjen, dhe një gjykatë apelimi e mbajti këtë vendim në janar. Abittan ka mohuar çdo shkelje dhe ka thënë se akti ishte i mirëpritur dhe konsensual.

    Videoja me komentet e Macron shkaktoi reagime të konsiderueshme dhe kritikë nga disa ligjvënës francezë, grupime feministe dhe figura të njohura të industrisë së filmit.

     

  • Qarkullimi i e-mailave të rreme, Policia e Kosovës del me apel: Mos bini pre, janë të falsifikuara

    Qarkullimi i e-mailave të rreme, Policia e Kosovës del me apel: Mos bini pre, janë të falsifikuara

    Policia e Kosovës ka reaguar pas qarkullimit dhe shpërndarjes së e-maileve kinse në emër të policisë dhe të emërtuara si thirrje gjyqësore. Policia thotë se nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës por e-maile të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.

    “Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, me numër referues të dosjeve të lëshuara kinse siç potencohen në e-maile nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj., NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në reagimin e policisë.

    Policia e Kosovës gjithashtu ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

  • Qëllohet me armë zjarri një personazh i njohur i TikTok-ut në Durrës

    Qëllohet me armë zjarri një personazh i njohur i TikTok-ut në Durrës

    Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e kaluar në qytetin e Durrësit, ku është plagosur me armë zjarri personazhi i njohur i rrjetit social TikTok, Fabion Kuçi, i njohur ndryshe si GUCCI.

    Incidenti ka ndodhur në lagjen nr. 9, e njohur si Lagjja e Re. Pas ngjarjes, i plagosuri është transportuar menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

    Policia ka bërë me dije se autori i dyshuar është identifikuar dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe arrestimin e tij. Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

    Fabion Kuçi rezulton me precedentë penalë jashtë vendit, ku më herët ka qenë i dënuar në Angli për vepra të ndryshme penale, duke vuajtur edhe dënim me burg. Ai ishte rikthyer në Shqipëri vetëm disa muaj më parë dhe ishte bërë mjaft aktiv në TikTok, ku shpesh përfshihej në debate dhe përplasje virtuale me figura të tjera si Kozak Braçi dhe Xhemal Ujka (Fire).

    Autoritetet po mbledhin dëshmi dhe prova, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes në Lagjen e Re të bashkëpunojnë me policinë për ndriçimin e plotë të saj.

  • “Ata që e njohin, nuk kanë nevojë për shpjegime”, Jul Deda me mesazh për Bes Kallakun

    “Ata që e njohin, nuk kanë nevojë për shpjegime”, Jul Deda me mesazh për Bes Kallakun

    Jul Deda ka zgjedhur rrjetet sociale për të shprehur publikisht mbështetjen dhe vlerësimin e tij për aktorin Bes Kallaku, pas rrëfimeve të sinqerta që ky i fundit ka bërë së fundmi për jetën personale dhe rrugëtimin e tij.

    Në një postim të shkurtër të ndarë në Instagram Story, Deda thekson se mesazhi i tij u drejtohet më shumë atyre që e shohin Besin nga larg, pasi miqtë dhe njerëzit që e njohin prej vitesh e dinë tashmë se çfarë njeriu është ai.

    “Përtej skenës, karrierës dhe famës, Bes Kallaku ka një zemër të rrallë. Nëse ka mundësi të ndihmojë dikë, ai nuk kursehet,” shkruan aktori, duke e shoqëruar reagimin me një video nga podcast-i i Grida Dumës ku Besi ishte i ftuar.

    Mesazhi i Jul Dedës përmbyllet thjesht dhe me shumë ndjenjë:
    “Bes, përqafime loku.”

    Ky reagim vjen në një moment kur publiku po njeh gjithnjë e më shumë anën reflektuese të Bes Kallakut, duke dëshmuar se pas humorit të tij karakteristik qëndron një personalitet i ndërtuar mbi vlera të forta njerëzore dhe familjare.