ATV

Blog

  • Mbathja e këpucëve te fëmijët nën 1 vjeç: Pasojat dhe këshillat e nevojshme

    Mbathja e këpucëve te fëmijët nën 1 vjeç: Pasojat dhe këshillat e nevojshme

    Sipas një studimi, zhvillimi i këmbës së fëmijës do të favorizohet më tepër nëse ai do të ecë pa këpucë. Krahas kësaj, këpucët tepër të ngushta mund të shkaktojnë në këmbën e fëmijës deformim, dobësim të muskujve si edhe kufizim të lëvizjes.

    Këmba e fëmijës ka 200 000 përcjellës nervore në zonën e poshtme, 26 kocka në kavilje si edhe 100 muskuj dhe tendina.

    Lëvizja e kryer në mënyrën e gabuar të pjesëve të mësipërme të këmbës do të ketë efekte negative tek fëmija.

    Flasin ekspertët

    Jessi Stensland, themeluese e kompanisë “FeetFrex”, flet në lidhje me lëvizjen natyrale të këmbës së fëmijës, e cila shprehet se në momentin që fëmija vesh këpucë fillon të ecë keq.

    Duke i veshur ato tek fëmijët e vegjël (për shembull 18 muajsh), do të bëni të mundur që këmba të mos zhvillohet në mënyrë korrekte, pra me të gjithë potencialin e saj, sidomos nëse përdoren këpucë me shtresë të fortë mbështetëse.

    Edhe lëvizja e kaviljes do të kufizohet dhe kështu tek fëmija mund të shfaqen edhe probleme me mbajtjen e shpinës si edhe dhimbje në zonën përkatëse.

    Nëse do të dëshironi patjetër, apo do të jetë shumë e nevojshme, ekspertët këshillojnë që të përdorni këpucë që të kenë këto karakteristika:

    • Pjesa e poshtme të jetë shumë e hollë;
    • Të jenë tepë fleksible në çdo pjesë të tyre;
    • Te jenë tepër të lehta.

    Brenda shtëpisë ecja pa këpucë duhet të favorizohet sa më shumë të jetë e mundur.

  • Trumpi s’e përjashton luftën me Venezuelën

    Trumpi s’e përjashton luftën me Venezuelën

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se e lë në tavolinë mundësinë e një lufte me Venezuelën.

    “Nuk e përjashtoj, jo”, ka thënë ai në një intervistë të shkurtër me NBC News.

    Të martën, Trumpi urdhëroi një “bllokadë” të anijeve të naftës të sanksionuara që hynin e dilnin nga Venezuela, duke rritur presionin mbi presidentin e vendit, Nicolas Maduro. SHBA-ja së fundmi sekuestroi edhe një cisternë nafte pranë Venezuelës.

    Fushata e administratës Trump ka rezultuar në goditjen e 28 anijeve, duke vrarë mbi 100 persona.

    “Nuk e diskutoj”, ka thënë Trumpi kur u pyet nëse e largon mundësinë që veprime të tilla të çojnë në luftë.

    Por pas insistimesh të gazetarit, Trumpi konfirmoi se ka mundësi edhe se do të ketë sekuestrime të tjera.

    Pasi pati fituar zgjedhjet, Trumpi pati thënë se nuk do të fillonte një luftë, por se do të ndalonte luftëra.

    Administrata ka thënë se sulmet janë bërë ndaj anijeve që transportonin drogë dhe se Venezuela po përdorë naftën si arsyetim për financimin e “terrorizmit dhe drogës”.

  • Supremja e lë Ramadan Morinën në paraburgim, Themelorja do ta rivendosë çështjen

    Supremja e lë Ramadan Morinën në paraburgim, Themelorja do ta rivendosë çështjen

    Gjykata Supreme e ka kthyer për rivendosje çështjen e paraburgimit për të akuzuarin për krime lufte në Malishevë, Ramadan Morina, dhe ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe vendimin e Gjykatës së Apelit për paraburgim ndaj tij.

    Megjithatë, Supremja ka vendosur që Morina të qëndrojë në paraburgim derisa Gjykata Themelore të marrë vendim për këtë çështje në rivendosje.

    Më 6 nëntor, Gjykata Themelore ia kishte vazhduar paraburgimin Morinës për dy muaj, ndërkohë që Apeli e kishte vërtetuar këtë vendim më 2 dhjetor.

    Kundër këtyre aktvendimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka paraqitur mbrojtësi i të pandehurit Ramadan Morina, avokati Arianit Koci. Ai ka pretenduar se ka pasur shkelje të dispozitave të procedurës penale që kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor dhe ka propozuar që masa e paraburgimit të zëvendësohet me një masë më të butë.

    Sipas pretendimeve të Kocit, kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit nuk i ishte dorëzuar konform nenit 188 paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).

    “Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet e mbrojtësit të pandehurit janë të bazuara. Siç del nga shkresat e lëndës, mbrojtësi i të pandehurit, edhe më herët ka parashtruar pretendimin se kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit nuk i është dorëzuar konform nenit 188 paragrafi 2 të KPP-së”, thuhet në vendimin e Supremes.

    Prokuroria Speciale ka njoftuar të enjten se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ramadan Morina, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, Morina, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

  • Bahamas njeh zyrtarisht Kosovën, nënshkruhet marrëveshja për marrëdhënie diplomatike

    Bahamas njeh zyrtarisht Kosovën, nënshkruhet marrëveshja për marrëdhënie diplomatike

    Republika e Kosovës ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Komonuelthi i Bahamas e ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë kështu shteti i 121-të që e njeh pavarësinë e saj.

    Lajmi është bërë i ditur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njoftoi se marrëveshja për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar në kryeqytetin e Bahamas, në një takim me Kryeministrin e Bahamas, Philip Davis.

    “Edhe një vendim historik për vendin tonë. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë”, ka deklaruar Presidentja Osmani, duke e cilësuar këtë hap si një sukses të madh diplomatik për Kosovën.

    Në deklaratën e përbashkët, Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës konfirmojnë njohjen reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961. Marrëdhëniet diplomatike hyjnë në fuqi nga data e nënshkrimit të marrëveshjes.

    Të dyja palët riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Po ashtu, ato shprehin gatishmërinë për ta zhvilluar bashkëpunimin mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.

    Sipas deklaratës, Kosova dhe Bahamas synojnë të thellojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, si konsultimet politike, tregtia dhe investimet, turizmi, arsimi dhe kultura, teknologjia dhe inovacioni, bashkëpunimi në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve.

    Të dyja shtetet kanë mirëpritur ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili pritet t’u shërbejë interesave të qytetarëve të të dy vendeve dhe të kontribuojë në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

  • Frutex dhe Golden Eagle ndajnë 10 mijë euro për mjekimin e ish ushtarit të UÇK-së, Xhem Rexhepi

    Frutex dhe Golden Eagle ndajnë 10 mijë euro për mjekimin e ish ushtarit të UÇK-së, Xhem Rexhepi

    Duke e kuptuar rëndësinë e mbështetjes dhe solidaritetit, Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë Frutex, z. Shaqir Palushi, në bashkëpunim me Fondacionin Frutex dhe kompaninë Golden Eagle, ka ndarë një donacion në vlerë prej 10 mijë euro për mjekimin e ish ushtarit të UÇK-së, Xhem Rexhepit.

    Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhem Rexhepi, nga fshati Zhiti i Komunës së Vitisë, prej 17 vjetësh, është i shtrirë në shtrat, i goditur nga një sëmundje e rëndë që ia ka marrë të dyja këmbët, duke e lënë në një gjendje të vështirë shëndetësore dhe jetësore.

    “Është e dhimbshme dhe e papranueshme që një njeri i cili ka dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë tonë, sot të jetojë pa përkujdesjen e duhur institucionale dhe shoqërore. Gjendja e tij shëndetësore dhe plagët që i ka mbartur ndër vite janë një thirrje e fortë për ndërgjegjen tonë kolektive.”, është shprehur me këtë rast Palushi.

    Ky kontribut nuk është vetëm ndihmë financiare, por edhe një mesazh i fuqishëm se shoqëria jonë nuk duhet dhe nuk guxon t’i harrojë ata që dhanë më të mirën për Kosovën. Kujdesi për ish-ushtarët e UÇK-së është detyrim moral dhe kombëtar, ka thënë ndër të tjera udhëheqësi i Frutex.

    Ky akt human dhe fisnik është dëshmi e përgjegjësisë shoqërore dhe respektit të thellë ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë e vendit.

  • 1 vit burgim me kusht për burrin që goditi një grua me grushte e shuplaka

    1 vit burgim me kusht për burrin që goditi një grua me grushte e shuplaka

    Gjykata Themelore në Prishtinë, me gjykatës Sabit Sadikaj, ka dënuar me një vit burgim me kusht të akuzuarin V.V., i cili sipas aktakuzës e kishte goditur me shuplaka dhe grushte, si dhe me thikë i kishte gërvishtur dorën e majtë të dëmtuarës N.N.

    Shpallja e vendimit u bë nga gjykatësi Sadikaj, i cili tha se i akuzuari dënohet me një vit burgim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, me kusht që brenda tre viteve të mos kryejë ndonjë vepër të re penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Të dëmtuarën gjykata e udhëzoi për realizimin e kërkesës pasurore në kontest të rregullt juridiko-civil, ndërsa palët që janë të pakënaqura kanë të drejtë ankesë për vendimin e arsyetuar brenda afatit prej 30 ditësh.

    Prezent në shpalljen e vendimit nuk ishte i akuzuari V.V., as nga Prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktakuzës së ndryshuar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, datë 3 gusht 2022, thuhet se më 27 maj 2022 në Fushë Kosovë, i pandehuri V.V., duke ushtruar presion ndaj dëmtuarës N.N. për të hapur telefonin e saj, e ka goditur në kokë me shuplaka dhe grushta, dhe pastaj me thikë i ka gërvishur dorën e majtë afër bërrylit, duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor me pasoja të përkohshme për shëndetin.

    Për këto veprime, V.V. ngarkohet me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    V.V. ngarkohet edhe me veprën penale “Shtrëngim”, por gjykata ka veçuar këtë çështje duke e deleguar paraprakisht në Departamentin për të Mitur.

  • Zbulohet një udhëtar në aeroport me mbi 10 mijë euro të fshehura në trup

    Zbulohet një udhëtar në aeroport me mbi 10 mijë euro të fshehura në trup

    Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në arritje, zyrtarët doganorë kanë kryer kontrollin e një udhëtari dhe bagazhit të tij. Gjatë skanimit fillestar dhe kontrollit fizik të udhëtarit, në trupin e tij, të fshehura në çorape, është gjetur një shumë e konsiderueshme parash të padeklaruara prej 8,000 funta britanike, përveç një shume tjetër që udhëtari mbante me vete.

    ” Në total, shuma e gjetur ishte 9,300 funta britanike, e cila sipas kursit zyrtar të këmbimit përkthehet në 10,611.59 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

    Në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhëtarit i është shqiptuar masa administrative prej 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve monetare është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore. Rasti është referuar gjithashtu sektorit të Hetimeve për procedim të mëtejshëm.

    “Forcimi i kontrolleve në pikat kufitare mbetet prioritet, me qëllim parandalimin e shkeljeve ligjore, kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe interesave financiare të shtetit”, thuhet në njoftim.

  • Ndeshje interesante këtë fundjavë në Bundesligë

    Ndeshje interesante këtë fundjavë në Bundesligë

    Kjo fundjavë pritet të sjellë xhiron e 15-të në Bundesligën gjermane.

    Kampioni aktual Bayern Munich pritet të luaj në udhëtim kundër Heidenheimit,ku bavarezët synojnë të iu rikthehen fitoreve pas barazimit befasues kundër Mainz-it xhiron e kaluar,kurse në anën tjetër Heidenheim synon të marrë një rezultat pozitiv.

    Borussia Dortumd në anën tjetër luan në udhëtim kundër Borrusia Monchengladbach,ku Dortmund do të tentoj që të marrë pikët e plota ndaj ekipit të vendit të 11-të në tabelë.

    Në ndeshjet e tjera që do të zhvillohen këtë fundjavë në Gjermani RB Leipxzig e pret skuadrën e Bayer Leverkusen,teksa Eintracht Frankfurt luan në udhëtim kundër Hamburgut.

  • KQZ akrediton edhe 276 vëzhgues tjerë për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    KQZ akrediton edhe 276 vëzhgues tjerë për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të premten mori vendim për akreditimin e grupit të tretë me 276 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    ORGANIZATË NDËRKOMBËTARE:

    1. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – Shqipëri – 5 vëzhgues;
    2. EU Election Expert Mission- 7 vëzhgues;

    ORGANIZATA JO-QEVERITARE:

    1. Syri i Vizionit – 165 vëzhgues;

    MEDIA VENDORE:

    1. GračanicaOnline.Info – 4 vëzhgues;
    2. Tëvë1 – 34 vvëzhgues;
    3. Gazeta Ekskluzive – 2 vëzhgues;
    4. TELEVIZIONI T7 – 28 vëzhgues;
    5. Syri .net Kosova/Syri Televizion – 2 vëzhgues;
    6. Ekonomia Online – 6 vëzhgues;
    7. RTV Fontana – 10 vëzhgues.

    MEDIA NDËRKOMBËTARE:

    1. NEWSMAX BALKANS – 3 vëzhgues;
    2. Agjencia Bullgare Telegrafike (BTA) – 1 vëzhgues;
    3. Mondo Inc doo/Kurir televizija – 2 vëzhgues;
    4. A2 CNN – 4 vëzhgues;
    5. Agence France-Presse – 3 vëzhgues.                                                                    Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar deri më tani, është: 862 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë: organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

    Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për caktimin e menaxherëve të Qendrave të Votimit jashtë Kosovës dhe autorizimin e stafit për tërheqjen e dërgesave nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe stafit për asistim në procesin zgjedhor.

    Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta, atyre me kusht dhe anëtarëve rezervë për angazhim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.

    Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

    Po ashtu, KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të ekipeve të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit për angazhim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.

  • Orban: E ndaluam BE-në që t’i shpallë luftë Rusisë, por ka edhe një lajm të keq

    Orban: E ndaluam BE-në që t’i shpallë luftë Rusisë, por ka edhe një lajm të keq

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha në samitin e Bashkimit Evropian se Hungaria arriti ta parandalojë “angazhimin direkt të Evropës në luftë me Rusinë” dhe refuzoi të marrë pjesë në financimin e Ukrainës përmes kredi të reja evropiane.

    Në një mesazh në rrjetin social X, Orban shkruante se negociatat në Bruksel zgjatën gjithë natën dhe se Hungaria së bashku me aleatët e saj bllokuan pjesën e propozimit për përdorimin e pasurive të ngrira ruse, duke shmangur, sipas tij, rrezikun e një “luftë të hapur”.

    Ai tha se plani i diskutuar do të kishte vendosur Hungarinë përballë një barrë të madhe financiare dhe se ky sukses i mbron familjet hungareze.

    Megjithatë, Orban konfirmoi se vendet e tjera të BE‑s kanë vendosur t’i japin Ukrainës ndihmë financiare për dy vitet e ardhshme përmes një kredie, duke theksuar se nëse Ukraina nuk e shlyen atë, shtetet evropiane do të jenë të detyruara të paguajnë vetë.

    Ai përmendi gjithashtu bashkëpunimin me Çekinë dhe Sllovakinë dhe tha se këto vende nuk e mbështetën modelin e financimit, duke ruajtur kështu bashkëpunimin brenda Grupit të Visegradit.

    Në fund, Orban deklaroi se edhe pse sipas tij është parandaluar rreziku i drejtpërdrejt i luftës, “përgatitjet për luftë në Bruksel duket se vazhdojnë”, dhe përsëriti se Hungaria dëshiron paqe dhe nuk do të lejojë që paratë e taksapaguesve hungarezë të përdoren për financimin e luftës.

    Ndryshe, Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk arritën të bien dakord për një kredi të paprecedentë riparimi për Ukrainën, prandaj vendosën të emetojnë borxh të përbashkët për të financuar një kredi prej 90 miliardë eurosh për vendin.