ATV

Blog

  • Katër shtete e njohën Kosovën këtë vit

    Katër shtete e njohën Kosovën këtë vit

    Bahamas është bërë shteti i 121-të që e njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

    Lajmi është konfirmuar të premten nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka cilësuar këtë njohje si një zhvillim të rëndësishëm për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

    Sipas Osmanit, njohja nga Bahamas është rezultat i angazhimit diplomatik të institucioneve të Kosovës dhe përpjekjeve të vazhdueshme për zgjerimin e rrjetit të shteteve mike në arenën ndërkombëtare.

    Kjo njohje është e katërta për Kosovën gjatë këtij viti.

    Më herët, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, si dhe Siria nga Lindja e Mesme.

    Në vitet e fundit, procesi i njohjeve kishte shënuar rënie të ndjeshme, ndërsa shteti i fundit që e kishte njohur Kosovën para këtij viti ishte Izraeli, në vitin 2021. Pas asaj kohe, përpjekjet diplomatike ishin përqendruar kryesisht në ruajtjen e njohjeve ekzistuese dhe kundërshtimin e fushatave për çnjohje.

    Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë angazhimin për të siguruar njohje të reja dhe për të avancuar rrugën e integrimit ndërkombëtar të vendit.

    Bahamas (zyrtarisht Komonuelthi i Bahamas) është një shtet ishullor në Karaibe / Oqeanin Atlantik Perëndimor, i përbërë nga mbi 700 ishuj dhe rreth 2.400 shkëmbinj koralorë (cays), prej të cilëve vetëm rreth 30 janë të banuar.

  • Zjarr afër stacionit të autobusëve në Prizren, disa lokale kaplohen nga flakët

    Zjarr afër stacionit të autobusëve në Prizren, disa lokale kaplohen nga flakët

    Disa lokale në Prizren, afër stacionit të autobusëve janë përfshirë nga zjarri.

    Në vendngjarje shihen edhe zjarrfikësit duke u munduar që ta shuajnë zjarrin.

    Përveç dëmeve materiale, ende s’dihet se a ka lënduar.

  • Shkencëtarët të hutuar nga një planet në formë limoni që “sfidon çdo shpjegim”

    Shkencëtarët të hutuar nga një planet në formë limoni që “sfidon çdo shpjegim”

    Shkencëtarët janë përballur me një mister të pazakontë: Një planet gjigant në formë limoni që, sipas tyre, sfidon çdo teori të njohur për formimin e planetëve.

    Planeti, me madhësi të ngjashme me Jupiterin, u zbulua nga Teleskopi Hapësinor James Webb (JWST) i NASA-s dhe është aq i çuditshëm, sa po vë në pikëpyetje gjithçka që dimë deri tani për universin.

    I quajtur PSR J2322–2650b, ky gjigant gazi ka një atmosferë ekzotike të përbërë nga karboni dhe heliumi, ndryshe nga çdo ekzoplanet tjetër i njohur. Në shtresat e sipërme të atmosferës së tij notojnë re bloze, ndërsa thellë në brendësi, këto elemente besohet se kondensohen në diamante.

    Nuk rrotullohet rreth një ylli normal

    Ajo që e bën këtë planet edhe më të pazakontë është fakti se nuk orbiton një yll si Dielli.

    Në vend të kësaj, ai rrotullohet rreth një pulsari – një lloj ylli neutronik, pra bërthama jashtëzakonisht e dendur e një ylli të vdekur, që ka masën e Diellit të ngjeshur në përmasa sa një qytet.

    I ndodhur rreth 750 vite-dritë larg Tokës, pulsari e bombardojnë vazhdimisht planetin me rreze gama dhe, përmes gravitetit ekstrem, e shtrin atë në një formë unike, të ngjashme me limonin.

    Temperatura ekstreme, si askund tjetër

    Kjo ndërveprim i dhunshëm krijon diferenca ekstreme temperaturash, ndër më të mëdhatë e vërejtura ndonjëherë në një planet:

    rreth 650°C gjatë natës

    deri në 2.030°C gjatë ditës

    Edhe për standardet e ekzoplanetëve më të çuditshëm, PSR J2322–2650b është një përjashtim ekstrem.

    “Çfarë dreqin është kjo?”

    Në një studim të ri, pranuar për botim në revistën The Astrophysical Journal Letters, shkencëtarët përdorën JWST për të analizuar më thellë planetin – dhe zbuluan se është edhe më i çuditshëm nga sa mendohej.

    Dr. Peter Gao, bashkautor i studimit nga Carnegie Earth and Planets Laboratory, tha:

    “Kur morëm të dhënat, reagimi ynë i parë ishte: ‘Çfarë dreqin është kjo?’

    Është krejtësisht ndryshe nga çdo gjë që prisnim.”

    Nga rreth 6.000 ekzoplanetë të njohur, ky është i vetmi planet gjigant gazi që orbiton një yll neutronik – gjë që nuk është aspak e zakonshme, pasi këta yje zakonisht shkatërrojnë ose avullojnë gjithçka pranë tyre përmes gravitetit dhe rrezatimit ekstrem.

    Një vit që zgjat vetëm 7.8 orë

    Planeti ndodhet vetëm 1.6 milion kilometra larg pulsarit, krahasuar me 160 milion kilometra që ndajnë Tokën nga Dielli.

    Kjo do të thotë se një “vit” në këtë botë të çuditshme zgjat vetëm 7.8 orë, ndërsa planeti rrotullohet me shpejtësi marramendëse rreth yllit të tij vdekjeprurës.

    Atmosferë që nuk duhet të ekzistojë

    Por ajo që e bën PSR J2322–2650b një anomali të vërtetë, është përbërja e atmosferës.

    Dr. Michael Zhang, bashkautor nga Universiteti i Çikagos, shpjegon:

    “Kjo është një lloj atmosfere planetare që askush nuk e ka parë më parë.

    Në vend të molekulave të zakonshme si uji, metani apo dioksidi i karbonit, ne pamë karbon molekular, konkretisht C₂ dhe C₃.”

    Kjo është jashtëzakonisht e çuditshme, sepse në temperatura kaq të larta, karboni normalisht do të lidhej me atome të tjera. Prania e tij në formë të pastër tregon se në atmosferë pothuajse nuk ka fare oksigjen apo azot.

    Nga rreth 150 planetë të studiuar në detaje, asnjëri nuk ka treguar karbon molekular në atmosferë.

    Si u formua ky planet? Askush nuk e di

    Shkencëtarët pranojnë se nuk kanë ende asnjë shpjegim të qartë për mënyrën se si u formua ky planet.

    “A u formua si një planet normal? Jo, sepse përbërja është krejtësisht ndryshe,” thotë Dr. Zhang.

    “As nuk mund të jetë rezultat i zhveshjes së shtresave të një ylli, sepse bërthamat yjore nuk prodhojnë karbon të pastër.”

    Teoria më e mirë aktuale sugjeron se karboni dhe oksigjeni u kristalizuan në brendësi të planetit, ndërsa ai ftohej. Kristalet e karbonit mund të kenë lundruar drejt sipërfaqes dhe të jenë përzier me helium – çfarë shkencëtarët po vëzhgojnë sot.

    Por profesor Roger Romani nga Universiteti Stanford thekson se misteri mbetet:

    “Diçka duhet të ketë ndodhur që të mbajë larg oksigjenin dhe azotin. Dhe pikërisht aty qëndron enigma.

    Por është bukur të mos dimë gjithçka. Është kënaqësi të kesh një enigmë për ta zgjidhur.”

    Si studiojnë shkencëtarët atmosferat e planetëve të largët

    Për të analizuar atmosferat e ekzoplanetëve, shkencëtarët përdorin teleskopë gjigantë hapësinorë, si Hubble apo James Webb.

    Këta teleskopë studiojnë dritën që kalon përmes atmosferës së planetit. Një nga metodat më të rëndësishme quhet spektroskopia e absorbimit.

    Çdo gaz thith një gjatësi vale të caktuar drite, duke lënë vija të errëta në spektër, të njohura si vijat Fraunhofer, të zbuluara për herë të parë në vitin 1814.

    Duke analizuar këto vija – dhe veçanërisht atë që mungon – shkencëtarët mund të zbulojnë se cilat kimikate përbëjnë atmosferën e një planeti.

    Ky proces duhet të kryhet nga hapësira, sepse atmosfera e Tokës do të ndërhynte dhe do të deformonte rezultatet.

    Falë kësaj metode, janë zbuluar elemente si heliumi, natriumi dhe madje oksigjeni në botë krejtësisht të huaja për ne.

  • Donald Trump ndalon tifozët e dy shteteve të tjera të marrin pjesë në Kupën e Botës 2026

    Donald Trump ndalon tifozët e dy shteteve të tjera të marrin pjesë në Kupën e Botës 2026

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndaluar tifozët e dy shteteve të tjera që të udhëtojnë drejt SHBA-së për Kupën e Botës 2026, një vendim që rrezikon të shkaktojë pakënaqësi të madhe mes adhuruesve të futbollit.

    Shtetet e Bashkuara po përgatiten të organizojnë Kupën e Botës 2026, një ngjarje që do të rikthehet në tokën amerikane pas 32 vitesh, që nga edicioni i vitit 1994, i fituar nga Brazili. Megjithatë, një shpallje e re e nënshkruar nga Trump mund të ndikojë drejtpërdrejt në praninë e tifozëve nga dy vende pjesëmarrëse.

    Sipas këtij urdhri të ri, hyrja në SHBA pezullohet për shtetasit e dy vendeve afrikane, Senegalin dhe Bregun e Fildishtë, duke përfshirë vizitat afatshkurtra për turizëm dhe punë. Si pasojë, tifozët nga këto dy shtete mund të mos lejohen të hyjnë në SHBA për të ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës që do të zhvillohen në territorin amerikan.

    Senegali është pjesë e Grupit I, së bashku me Francën, Norvegjinë dhe fituesin e një play-offi mes Bolivisë, Irakut ose Surinamit. Ndeshjet ndaj Francës dhe Norvegjisë do të luhen në “MetLife Stadium” në New Jersey, pra në SHBA, ndërsa ndeshja e tretë e grupit do të zhvillohet në Toronto të Kanadasë, ku tifozët do të kenë mundësi të jenë të pranishëm.

    Një situatë e ngjashme vlen edhe për Bregun e Fildishtë, që ndodhet në Grupin E me Gjermaninë, Ekuadorin dhe Curaçaon. Përballjet ndaj Ekuadorit dhe Curaçaos do të luhen në SHBA, ndërsa ndeshja kundër Gjermanisë do të zhvillohet në Kanada.

    Urdhrat e mëparshëm ekzekutivë të administratës Trump kanë parashikuar përjashtime për lojtarët, stafet teknike dhe familjarët e ngushtë, që do të thotë se futbollistët nuk do të kenë probleme për të hyrë në SHBA. Megjithatë, kufizimet përbëjnë një pengesë serioze për tifozët.

    Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet: “Shpallja përfshin përjashtime për banorët e përhershëm të ligjshëm, mbajtësit e vizave ekzistuese, kategori të caktuara vizash si atletët dhe diplomatët, si dhe individët, hyrja e të cilëve i shërben interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.

    Ky vendim pritet të shtojë shqetësimet mes tifozëve që planifikojnë të udhëtojnë për të ndjekur Kupën e Botës 2026, në një kohë kur tashmë ka kritika të forta për rritjen e çmimeve të biletave dhe mungesën e kuotave të përballueshme për publikun.

  • Osmani lajmërohet nga Bahamas pas njohjes: Ishte punë e gjatë dhe angazhim intensiv diplomatik

    Osmani lajmërohet nga Bahamas pas njohjes: Ishte punë e gjatë dhe angazhim intensiv diplomatik

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar moment historik për vendin njohjen nga Bahamet. Ajo ka theksuar se kjo njohje ka ardhur pas një pune të gjatë dhe angazhimi të madh të Presidencës.

    “Ky është një moment historik i jashtëzakonshëm për të arriturat e vendit tonë. Jemi jashtëzakonisht të lumtur që, pas një pune të gjatë dhe angazhimi të madh e intensiv të presidencës, sot kemi nënshkruar marrëveshjen për njohje së bashku me kryeministrin Davis dhe gjithashtu marrëveshjen për vendosje të marrëdhënieve diplomatike”, ka deklaruar presidentja Osmani.

    Më tej, ajo ka shtuar se gjatë takimeve janë diskutuar mënyrat për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme:

    “Kemi pasur po ashtu një takim të jashtëzakonishëm, ku kemi diskutuar si mund t’i thellojmë raportet tona në fusha të ndryshme të interesit dypalësh. Ka vërtet potencial të madh që shtetet tona të afrohen edhe më shumë e ta përkrahin njëra-tjetrën edhe më shumë. Jemi shumë mirënjohës për angazhimin e kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Bahamas, të cilët i kemi takuar edhe në New York. Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe komunikimit të përditshëm kemi arritur të organizojmë këtë vizitë, e cila rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme dhe do të sjellë shumë të mira të tjera në raportet tona”, ka thënë Osmani.

    Presidentja tutje e ka falënderuar popullin e Bahamas, teksa ka theksuar se shumë shpejt do të mirëpres kryeministrin Davis në Kosovë.

    “E falënderoj edhe njëherë shtetin dhe popullin e Bahamas, një popull të mrekullueshëm. Shumë shpejt do të mirëpresim kryeministrin Davis në Republikën tonë. Lajmet e mira për vendin tonë nuk do të ndalen”, ka deklaruar Osmani.

  • Bahamas njohu Kosovën, MPJ e Serbisë e dënon ashpër: Ta rishqyrtojnë vendimin

    Bahamas njohu Kosovën, MPJ e Serbisë e dënon ashpër: Ta rishqyrtojnë vendimin

    Presidentja e vendin Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme ka njoftuar se Komonuellthi i Bahamas ka vendosur të njohë pavarësinë e Kosovës, duke u bërë shteti i 121-të që njeh shtetin tonë.

    Në lidhje me këtë ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ku ka dënuar vendimin e Bahamas për të njohur pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës.

    “Veprime të tilla përfaqësojnë një precedent të rrezikshëm dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në gërryerjen e mëtejshme të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare publike, kryesisht parimit të respektimit të integritetit territorial të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

    Tutje në njoftim thuhet se Serbia do të vazhdojë të luftojë për të mbrojtur interesat e saj shtetëore.

    “Republika e Serbisë nuk do të pranojë përpjekje për të imponuar fakte të kryera ose për të legjitimuar akte të njëanshme që janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Serbia do të vazhdojë të luftojë, me vendosmëri dhe në parim, me të gjitha mjetet diplomatike dhe politike në dispozicion për të mbrojtur interesat e saj shtetërore dhe kombëtare”, njofton Ministria.

    Në fund, kjo ministri u ka bërë thirrje autoriteteve të Komonuelthit të Bahamas “që ta rishqyrtojnë vendimin dhe t’i kthehen respektimit të parimeve universale të së drejtës ndërkombëtare, të cilat”, sipas saj, “janë themeli i stabilitetit dhe paqes në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

  • AKB-ja pranohet zyrtarisht në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian

    AKB-ja pranohet zyrtarisht në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian

    Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka njoftuar opinionin publik se është pranuar zyrtarisht si Enlargement Candidate Member (ECM) në kuadër të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), një nga institucionet kryesore këshillëdhënëse të Bashkimit Evropian për dialogun social dhe zhvillimin ekonomik.

    Ky vendim përfaqëson një njohje të rëndësishme institucionale për rolin e AKB-së si përfaqësuese e komunitetit të biznesit në Kosovë dhe si aktor i rëndësishëm në ndërtimin e dialogut social ndërmjet bizneseve, punëtorëve dhe institucioneve publike, në sektorin privat dhe publik.

    Statusi ECM i mundëson AKB-së pjesëmarrje aktive në proceset konsultative të EESC-së, duke kontribuar në politikat evropiane që lidhen me ekonominë, tregun e punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

    AKB-ja e konsideron këtë përzgjedhje si përgjegjësi shtesë për të fuqizuar dialogun social dhe për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet dhe profesionalizëm në institucionet e Bashkimit Evropian.

  • Gjermania riafirmon mbështetjen për KFOR-in: Ushtarët tanë luajnë rol jetik për një mjedis të sigurt në Kosovë

    Gjermania riafirmon mbështetjen për KFOR-in: Ushtarët tanë luajnë rol jetik për një mjedis të sigurt në Kosovë

    Sot, në Konferencën e Shteteve Kontribuese të Forcave KFOR, Ngarkuari me Punë i Ambasadës Gjermane në Kosovë, Christian Böttcher, riafirmoi mbështetjen gjermane për KFOR dhe NALT (“NATO Advisory and Liaison Team” – Ekipi Këshillues dhe i Ndërlidhjes i NATO-s).

    Ai ka thënë se ushtarët gjermanë luajnë rol jetik në sigurimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

    “Ushtarët tanë luajnë një rol jetik në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Angazhimi i tyre është një simbol i fuqishëm i paqes dhe bashkëpunimit në Evropë. Ne shprehim falënderimet tona më të sinqerta për të gjithë ata që shërbejnë në këto misione për përkushtimin dhe shërbimin e tyre|, thuhet në njoftim të Ambasadës Gjermanë në Kosovë.

  • Nga 20 minuta për Thaçin dhe të tjerët në fjalët përfundimtare – caktohen datat për deklaratat përmbyllëse

    Nga 20 minuta për Thaçin dhe të tjerët në fjalët përfundimtare – caktohen datat për deklaratat përmbyllëse

    Trupi Gjykues në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit njoftoi mbylljen e procedurës së paraqitjes së provave.

    Trupi Gjykues ka urdhëruar që dosjet gjyqësore përfundimtare dhe deklarata duhet të dorëzohen deri më 19 janar 2026, është bërë e ditur në një njoftim nga ZPS.

    Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar për t’u paraqitur nga 9 deri 13 shkurt 2026, si dhe datat e rezervuara më 16 dhe 18 shkurt, nëse është e nevojshme.

    Para këtij vendimi, në njoftim bëhet e ditur se Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e ZPS-së për të paraqitur kundërprova, duke konstatuar se nuk ishin plotësuar kushtet për pranimin e provave të tilla. Trupi

    Gjykues gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes që t’i lejojë apelimin e vendimit të mëparshëm me të cilin ishte refuzuar kërkesa për procedurë të veçantë të përcaktimit të dënimit, duke konfirmuar se çdo përcaktim i dënimit, në rast se është i zbatueshëm, do të shqyrtohet me Aktgjykimin.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të kenë mundësinë të ngrihen në këmbë edhe një herë në sallën e gjyqit në Gjykatën Speciale për të thënë fjalët e tyre përfundimtare.

    Trupi gjykues ka vendosur që ata të kenë kenë në dispozicion nga 20 minuta secili, nëse dëshirojnë.

    Trupi Gjykues rikujton se deklaratat politike ose vërejtjet fyese ndaj Palëve, pjesëmarrësve, dëshmitarëve apo viktimave nuk do të lejohen dhe nuk do të tolerohen”, ka shkruar paneli në vendim.

  • Miratohet në qeveri, nga 1 janari paga minimale në Shqipëri 518 euro

    Miratohet në qeveri, nga 1 janari paga minimale në Shqipëri 518 euro

    Këshilli i Ministrave në Shqipëri gjatë mbledhjes së kësaj të premte ka miratuar disa vendime.

    Mes vendimeve të miratuara është edhe ajo për pagën minimale.

    Sipas vendimit të Qeverisë së Shqipërisë, paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj do të jetë 50,000 lekë (518 euro).

    Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.