ATV

Blog

  • Horoskopi 31 dhjetor 2025, parashikimi i yjeve për ditën e fundit të vitit

    Horoskopi 31 dhjetor 2025, parashikimi i yjeve për ditën e fundit të vitit

    Dashi – Energjia juaj do të jetë në kulm dhe do të bëheni nxitësi kryesor i festës në çdo ambient ku do të ndodheni. Kjo është nata e duhur për të treguar anën tuaj më bujare dhe për të nisur vitin e ri me objektiva të qarta dhe guxim të pashoq.

    Demi – Ky fundvit ju gjen duke kërkuar rehatinë dhe shijen e mirë, prandaj do të fokusoheni te një darkë e pasur me njerëzit më të afërt. Planetet sugjerojnë se stabiliteti që keni ndërtuar gjatë vitit do t’ju shpërblehet me një ndjenjë të thellë paqeje dhe sigurie.

    Binjakët – Telefoni juaj nuk do të pushojë nga urimet dhe ftesat e shumta, duke ju bërë qendrën e vërtetë të komunikimit për këtë natë. Është momenti i duhur për të shkëmbyer ide dhe për të rregulluar marrëdhëniet me miqtë që keni pasur larg gjatë vitit.

    Gaforrja – Nata e ndërrimit të viteve do të jetë mjaft emocionale për ju, duke sjellë kujtime të bukura dhe momente nostalgjie me familjen. Fokusohuni te dashuria që po merrni dhe lini pas çdo shqetësim të vogël, pasi viti që po vjen premton ngrohtësi shpirtërore.

    Luani – Si gjithmonë, ju do të kërkoni dhe do të merrni vëmendjen e të gjithëve, duke shkëlqyer si me pamjen ashtu edhe me humorin tuaj. Kjo mbrëmje do t’ju shërbejë për të konfirmuar pozicionin tuaj lider dhe për të projektuar suksese akoma më të mëdha për muajt në vazhdim.

    Virgjëresha – Edhe pse dëshironi që çdo gjë të jetë perfekte deri në detaj, yjet ju këshillojnë të ulni pak ritmin dhe të shijoni momentin. Puna juaj e palodhur e vitit 2025 meriton një festë ku e vetmja gjë që duhet të bëni është të argëtoheni pa menduar për përgjegjësitë.

    Peshorja – Harmonia dhe bukuria do të karakterizojnë festën tuaj, ku takimet romantike ose bisedat e këndshme në çift do të jenë në fokus. Do të ndiheni veçanërisht mirënjohës për balancën që keni arritur në jetën tuaj private dhe do ta mbyllni vitin me buzëqeshje.

    Akrepi – Kjo natë do të jetë një moment reflektimi të thellë për ju, ku do të vendosni përfundimisht se çfarë do të lini pas dhe çfarë do të merrni me vete në vitin 2026. Forca juaj e brendshme do të jetë e dukshme dhe do t’ju japë një siguri të admirueshme për të ardhmen.

    Shigjetari – Optimizmi juaj natyror do të jetë “karburanti” i kësaj mbrëmjeje, duke i bërë të gjithë rreth jush të besojnë në mrekullitë e vitit të ri. Do të festoni me dëshirën për të eksploruar horizonte të reja dhe do të bëni plane për udhëtime të paharrueshme.

    Bricjapi – Do të ndjeni një kënaqësi të veçantë duke parë rezultatet e përpjekjeve tuaja gjatë gjithë vitit që po mbyllni. Ky është momenti për të festuar fitoret tuaja profesionale dhe për të kuptuar se disiplina juaj ju ka hapur dyer që dikur dukeshin të pamundura.

    Ujori – Mënyra juaj e festimit do të jetë unike dhe larg klisheve tradicionale, duke surprizuar miqtë me ide origjinale. Do të ndjeheni më të lirë se kurrë për të shprehur individualitetin tuaj dhe për të nisur një vit ku kreativiteti do të jetë arma juaj më e fortë.

    Peshqit – Një atmosferë pothuajse magjike do t’ju rrethojë në orët e fundit të vitit, duke ju bërë të ndiheni në harmoni të plotë me universin. Intuita juaj do t’ju udhëheqë drejt njerëzve të duhur dhe do të ndjeni një valë të re shprese për realizimin e ëndrrave tuaja më të mëdha.

  • Numërimi i votave ndalet sot në ora 12:00, rifillon më 1 janar në orën 16:00

    Numërimi i votave ndalet sot në ora 12:00, rifillon më 1 janar në orën 16:00

    Procesi i numërimit të votave do të ndërpritet sot në ora 12:00 dhe do të rifillojë më 1 janar në ora 16:00, sipas vendimit të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Ky orar është përcaktuar disa ditë më parë në kuadër të organizimit të punës gjatë ndërrimit të viteve, duke paraparë një pauzë të shkurtër për festat e fundvitit.

    Sipas vendimit të KQZ-së, më 31 dhjetor numërimi do të vazhdojë deri në mesditë dhe më pas do të pezullohet për pjesën tjetër të ditës, ndërsa procesi do të rinisë pasditen e 1 janarit.

    Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë bërë të ditur se, pavarësisht ndërprerjes së përkohshme, procesi i numërimit do të vijojë sipas planit të parashikuar, duke garantuar transparencë dhe rregullsi gjatë numërimit të votave.

  • Osmani paralajmëron njohje të reja për Kosovën në fillim të vitit 2026

    Osmani paralajmëron njohje të reja për Kosovën në fillim të vitit 2026

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se vendi ka hyrë në një “tempo të re” sa i përket sigurimit të njohjeve të reja ndërkombëtare dhe se në pjesën e parë të vitit 2026 priten “lajme të mira” për vendin në këtë drejtim.

    “Jemi shumë afër që të arrijmë 2/3 e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Osmani.

    Presidentja ka refuzuar të përmendë emrat e shteteve mosnjohëse me të cilat Kosova ka kontakte, duke shpjeguar se një publikim i tillë mund të pengohet nga Serbia.

    “Në fakt, ne në këtë vit kishim katër njohje, të cilat janë rezultat i një pune dhe i një angazhimi të vazhdueshëm. Dhe tani është krijuar një tempo e re, një tempo e re njohjesh, natyrisht e cila nuk do të ndalet, ka shumë shtete që janë afër marrjes së vendimit. Por, mos të harrojmë që gjithnjë i dëmton interesat e Kosovës, nëqoftëse flasim për këto shtete publikisht. Dhe dua t’ju bëj thirrje edhe njerëzve të tjerë, qoftë edhe brenda institucioneve dhe jashtë tyre, që mos t’i bëjnë publike emrat e shteteve që po punojnë, sepse kjo pastaj po e nxit Serbinë dhe shtetet e tjera që të angazhohen, shpeshherë edhe me mjete jashtë diplomacisë dhe me mjete të ndryshme presioni, për të bllokuar këtë proces të pakthyeshëm për Kosovën”, shtoi ajo për indeksonline.

    Bahamas u bë shteti i 121-të që e njohu Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

  • Numërohen mbi 68 për qind e votave për deputetë, këto janë rezultatet e përditësuara në mëngjes

    Numërohen mbi 68 për qind e votave për deputetë, këto janë rezultatet e përditësuara në mëngjes

    68,95 përqind e votave të kandidatëve për deputetë kanë përfunduar së numëruari. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar rezultatet nga 1 mijë e 763 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë gjithsej.

    Kreu i VV-së dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, e ka kaluar shifrën prej 240 mijë votash.

    Ai pasohet nga Glauk Konjufca që numëron mbi 187 mijë vota deri tash.

    Lista vazhdon me Albulena Haxhiun, Hekuran Muratin dhe Donika Gërvallën.

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza ka rreth mbi 109 mijë vota deri tash.

    Pas tij vjen Arian Tahiri me rreth 50 mijë vota, pasuar nga Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Sala Jashari.

    Tek LDK, në krye të listës është Lumir Abdixhiku me mbi 53 mijë vota.

    Hykmete Bajrami renditet menjëherë pas tij me gati 33 mijë vota, e ndjekur nga Ukë Rugova, Doarsa Kica Xhelili dhe Avdullah Hoti.

    Nga AAK, Ramush Haradinaj është i pari me rreth 27 mijë vota, i ndjekur nga Daut Haradinaj me mbi 17 mijë.

  • Mesfusha e Arsenalit tronditet, Rice nuk luan ndaj Aston Villa

    Mesfusha e Arsenalit tronditet, Rice nuk luan ndaj Aston Villa

    Arsenal ka marrë një lajm jo të mirë përpara ndeshjes ndaj Aston Villa. Mesfushori kyç i “Topçinjve”, Declan Rice, do të mungojë në këtë përballje për shkak të një dëmtimi në gju.

    Sipas burimeve pranë klubit londinez, Rice ka ndjerë shqetësime fizike dhe stafi mjekësor ka vendosur që ai të mos rrezikohet, duke e lënë jashtë skuadrës për ndeshjen e sotme. Megjithatë, te Arsenali shpresojnë që dëmtimi të mos jetë serioz dhe se mesfushori anglez nuk do të qëndrojë gjatë jashtë fushave.

    Pavarësisht mungesës në fushë, Rice pritet të jetë i pranishëm në stadiumin “Emirates” për të mbështetur bashkëlojtarët e tij nga tribunat.

    Arsenali mbetet optimist për rikthimin e shpejtë të një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa tifozët shpresojnë ta shohin sa më shpejt sërish në aksion mesfushorin anglez.

  • Llogaridhënie në Anfield – Liverpool shkarkon ndihmësin e Arne Slot

    Llogaridhënie në Anfield – Liverpool shkarkon ndihmësin e Arne Slot

    Në “Anfield” ka nisur llogaridhënia pas paraqitjeve zhgënjyese të Liverpoolit këtë sezon. Forma e dobët e skuadrës ka detyruar drejtuesit e klubit të marrin masa konkrete dhe të identifikojnë përgjegjësit.

    I pari që ka paguar çmimin e kësaj situate është ndihmësi i trajnerit Arne Slot, Aaron Briggs. Ai është shkarkuar për shkak të performancës së dobët të ekipit në mbrojtjen e goditjeve standarde.

    Liverpooli ka pësuar plot 12 gola nga situata të tilla këtë sezon, duke u renditur, së bashku me Bournemouth, si një nga skuadrat me mbrojtjen më të dobët në Premierligë sa i përket goditjeve standarde.

    Problemet nuk kufizohen vetëm në fazën mbrojtëse. Edhe në aspektin ofensiv, skuadra e Slot ka dështuar, duke shënuar vetëm tri gola nga goditjet standarde gjatë gjithë sezonit. Këto statistika alarmante kanë detyruar drejtuesit e klubit të ndërhyjnë, edhe pse sezoni ndodhet në mes të tij.

    Aktualisht, Liverpooli renditet në vendin e katërt në Premierligë me 32 pikë të grumbulluara. /ATVLIVE.TV

  • “Skifterat” japin shembull – SC Gjilani ndan mjete për bamirësi

    “Skifterat” japin shembull – SC Gjilani ndan mjete për bamirësi

    Klubi i Gjilanit vazhdon të dëshmojë se është një nga klubet më të veçanta në Superligën e Kosovës, jo vetëm për paraqitjet sportive, por edhe për angazhimin e vazhdueshëm humanitar.

    Skuadra gjilanase, e njohur si “Skifterat”, çdo fundvit shfaq anën e saj humane duke mbështetur shoqata bamirëse dhe kategori të ndjeshme të shoqërisë. Këtë herë, klubi ka ndarë nga 2 mijë euro për secilën prej tri organizatave: Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, Shoqatën “Handikos” dhe Shoqatën e të Verbërve në Gjilan.

    “Sporti nuk është vetëm garë dhe emocione në fushë – ai është edhe zemër, solidaritet dhe përgjegjësi shoqërore”, thuhet në njoftimin e Fondacionit Sport Club Gjilani. Me këtë frymë, klubi ka ndërmarrë një hap domethënës duke ofruar mbështetje financiare për këto shoqata që luajnë rol të rëndësishëm në komunitet.

    Drejtuesit e klubit, së bashku me disa futbollistë dhe anëtarë të stafit teknik, vizituan nga afër këto tri shoqata, ku përveç ndihmës financiare u shpërndanë edhe dhurata simbolike, si shenjë respekti dhe solidariteti.

    Fondacioni SC Gjilani ka bërë të ditur se do të vazhdojë edhe në të ardhmen me veprimtari humanitare, me synimin për të zgjeruar mbështetjen ndaj organizatave dhe iniciativave që kontribuojnë në mirëqenien e komunitetit. /ATVLIVE.TV

  • Superkupa e Italisë rikthehet te formati klasik, nuk do të zhvillohet më në Riad

    Superkupa e Italisë rikthehet te formati klasik, nuk do të zhvillohet më në Riad

    Superkupa e Italisë nga viti i ardhshëm do të vendoset në një ndeshje të vetme dhe nuk do të organizohet më si turne në Riad. Lajmi u konfirmua nga presidenti i Serie A, Ezio Maria Simonelli.

    “Nuk kemi më nevojë për dy gjysmëfinale. Vitin e ardhshëm Kupa e Azisë do të zhvillohet në Riad dhe autoritetet saudite na kanë njoftuar se nuk do të jetë e mundur të organizohet Superkupa atje. Kjo na jep lirinë të zgjedhim vetë datën dhe vendin,” deklaroi Simonelli.

    Ai shtoi se synimi është rikthimi te formati tradicional i garës. “Ideja ime është të kthehemi te formula klasike, një finale mes kampionit të Serie A dhe fituesit të Kupës së Italisë. Nëse miratohet kjo skemë, ndeshja mund të luhet në fillim të sezonit, ashtu siç ka qenë më parë. Megjithatë, këto janë vendime që duhet të merren nga Këshilli i Ligës, përfshirë edhe përcaktimin e vendit të finales,” tha ai për radion Anke i Sport.

    Në edicionin e vitit 2025, Superkupa e Italisë u zhvillua me formatin me katër skuadra, ku Napoli, Milani, Interi dhe Bologna garuan për trofeun, i cili përfundimisht u fitua nga skuadra e drejtuar nga Antonio Conte. /ATVLIVE.TV

  • “Mantra” – Një udhëtim poetik drejt çlirimit të mendjes, botohet libri më i ri i Jeton Kelmendit

    “Mantra” – Një udhëtim poetik drejt çlirimit të mendjes, botohet libri më i ri i Jeton Kelmendit

    Shtëpia botuese IWA Bogdani, me seli në Bruksel dhe Prishtinë, ka botuar së fundmi librin më të ri poetik “Mantra” të poetit, akademikut dhe përkthyesit ndërkombëtar Jeton Kelmendi.

    Ky botim shënon një tjetër moment të rëndësishëm në krijimtarinë e pasur të autorit, duke i shtuar letërsisë shqipe dhe asaj botërore një vepër me thellësi filozofike, meditative dhe estetike.

    “Mantra” është një libër që ndërthur poezinë me reflektimin ekzistencial, duke e vendosur lexuesin përballë pyetjeve themelore të qenies njerëzore: kush jemi, çfarë është koha, si matet dashuria, çfarë roli ka mungesa, kujtesa, besimi dhe heshtja në jetën tonë. Poezitë e këtij vëllimi nuk janë thjesht vargje lirike, por struktura mendimi që funksionojnë si thirrje të brendshme, si mantra personale që përsëriten për të çliruar mendjen dhe shpirtin.

    Vetë titulli i librit, “Mantra”, ka origjinë nga sanskritishtja e lashtë dhe do të thotë “mjet për çlirimin e mendjes”. Në këtë frymë, poezia e Jeton Kelmendit shfaqet si një formë meditimi modern, ku fjala poetike shndërrohet në instrument vetëdijeje.

    Autori e përdor vargun për të zbërthyer realitetin bashkëkohor, për të sfiduar rutinën e zbrazët, iluzionet kolektive dhe mekanizmat e mashtrimit, duke i dhënë poezisë një dimension etik dhe filozofik.

    Tematika e librit është e gjerë dhe universale: dashuria si pafundësi e pamatur, koha si përsëritje rituale, besimi si forcë krijuese dhe shkatërruese njëkohësisht, mungesa si prani e rëndë, identiteti në epokën digjitale, si dhe raporti i njeriut me atdheun, gjuhën dhe lirinë. Poezitë janë shkruar në kohë dhe vende të ndryshme të botës, nga Prishtina në Paris, nga Brukseli në Nju Jork, duke reflektuar përvojën ndërkombëtare dhe vizionin global të autorit.

    Libri “Mantra” është pritur me vlerësime të larta edhe nga personalitete të njohura botërore të letërsisë dhe mendimit kritik.

    Shkrimtarë, akademikë dhe studiues kanë theksuar se poezia e Jeton Kelmendit “hap një labirint mendjeje dhe zemre ku lexuesi humbet me kënaqësi”, ndërsa të tjerë e kanë cilësuar këtë vepër si “një dialog të thellë mes filozofisë dhe poezisë, ku fjala nuk kërkon përgjigje, por zgjon vetëdijen”.

    Kritika ndërkombëtare ka vënë në pah universalitetin e temave dhe qartësinë e mendimit poetik, duke e renditur Kelmendin ndër zërat më përfaqësues të poezisë bashkëkohore evropiane.

    Me botimin e “Mantra”, IWA Bogdani vazhdon misionin e saj për të promovuar letërsinë cilësore shqipe dhe autorët me ndikim ndërkombëtar. Ky libër nuk është vetëm një vëllim poezish, por një ftesë për reflektim të thellë, një udhëtim shpirtëror dhe intelektual që i flet njeriut modern, kudo që ndodhet.

  • Legjenda e Liverpoolit rrëfen betejën për jetën: “Mendova se ishte fundi”

    Legjenda e Liverpoolit rrëfen betejën për jetën: “Mendova se ishte fundi”

    Ish-sulmuesi legjendar i Liverpoolit, Ian Rush, ka zbuluar se kohët e fundit ka kaluar një nga momentet më të vështira të jetës së tij, pasi u rrëzua në shtëpi dhe përfundoi me urgjencë në spital.

    Ikona e Liverpoolit dhe e Uellsit, 64 vjeç, u shtrua më 11 dhjetor për shkak të asaj që u përshkrua si një “supergrip”. Gjendja e tij ishte serioze, duke e detyruar të kalonte dy ditët e para në kujdes intensiv për shkak të problemeve të rënda me frymëmarrjen.

    Pasi u rikuperua plotësisht, Rush foli për BBC Sport, duke ndarë përvojën e tij tronditëse. “Mendova më të keqen, mendova se ky mund të ishte fundi. Nuk mund të merrja frymë dhe ishte jashtëzakonisht e vështirë. Kishte momente kur mendoja se nuk do të isha këtu për shumë gjatë, por tani ndihem shumë më mirë dhe më i fortë,” u shpreh ai.

    Rush vlerësoi veçanërisht partneren e tij, Carol, për rolin vendimtar në ato momente kritike. “Ishte një përvojë e tmerrshme. Pata panik sepse nuk merrja dot frymë. Carol ishte e jashtëzakonshme – ajo më ndihmoi të qëndroja i qetë dhe të merrja frymë derisa mbërriti ambulanca,” tha ai.

    Ian Rush mbetet një nga figurat më të mëdha në historinë e Liverpoolit. Gjatë dy periudhave me klubin, ai fitoi pesë tituj të Divizionit të Parë, dy Kupa Evropiane, tre Kupa FA dhe pesë Kupa të Ligës. Ai ishte golashënuesi më i mirë i klubit për tetë sezone radhazi dhe vazhdon të mbajë rekordin si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Liverpoolit.

    Në arenën ndërkombëtare, Rush regjistroi 73 paraqitje me kombëtaren e Uellsit, duke shënuar 28 gola, çka e rendit të dytin në listën e golashënuesve më të mirë, pas Gareth Bale. Përveç Liverpoolit, ai ka luajtur edhe për Chester, Juventus, Leeds, Newcastle, Sheffield United, Wrexham dhe e përfundoi karrierën e tij në Australi me Sydney Olympic.

    Pas tërheqjes nga futbolli aktiv, Rush pati një periudhë të shkurtër si trajner, fillimisht si trajner sulmues te Liverpool dhe më pas si menaxher i Chester, angazhimi i tij i vetëm si trajner kryesor. /ATVLIVE.TV