ATV

Blog

  • Nora Gjakova i jep fund karrierës, mbyllet një epokë e artë e xhudos kosovare

    Nora Gjakova i jep fund karrierës, mbyllet një epokë e artë e xhudos kosovare

    Pas 23 vitesh përkushtim në sportin e xhudos, kampionia olimpike nga Kosova, Nora Gjakova, ka njoftuar zyrtarisht pensionimin nga sporti aktiv në moshën 33-vjeçare, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme të mbushur me suksese, sakrificë dhe krenari kombëtare.

    Në ditën e fundit të vitit 2025, njëra nga sportistet më të suksesshme që ka njohur ndonjëherë sporti kosovar vendosi të mbyllë një kapitull që, sipas saj, ka qenë e gjithë jeta e saj deri më tani. E rritur dhe e formuar me xhudon, Gjakova shprehu kënaqësinë që arriti ta jetojë ëndrrën e saj deri në fund.

    Ajo theksoi se sfidat, humbjet dhe fitoret e përjetuara ndër vite do të mbesin kujtime të paharrueshme, të cilat e formësuan jo vetëm si sportiste elitare, por edhe si njeri. Me 23 vite karrierë pas vetes, Gjakova thekson se ndihet e përmbushur me gjithçka që ka arritur në arenën sportive, duke u renditur ndër sportistet më të mëdha shqiptare të të gjitha kohërave.

    Në mesazhin e saj të ndarjes, kampionia olimpike shprehu mirënjohje të veçantë për familjen, trajnerin Driton Kuka, klubin Ippon të Pejës, shtetin e Kosovës dhe gjithë shqiptarët për përkrahjen e vazhdueshme ndër vite, duke vlerësuar secilin si pjesë të pandashme të këtij rrugëtimi historik.

    Me mbylljen e kësaj faqeje të artë, Nora Gjakova hap një kapitull të ri të jetës së saj, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në sportin e xhudos dhe në historinë e sportit kosovar.

  • UNMIK-u vazhdon patrullimet në Kamenicë në ditën e fundit të vitit

    UNMIK-u vazhdon patrullimet në Kamenicë në ditën e fundit të vitit

    Në ditën e fundit të vitit, oficerët ushtarakë të UNMIK-ut po kryejnë patrullimet e tyre rutinore në zonën e Kamenicës, duke siguruar një mbikëqyrje të vazhdueshme të situatës në terren.

    Në një njoftim në ‘Facebook’, UNMIK u shpreh: “Ndërsa hyjmë në vitin e ri, UNMIK i shpreh urimet më të ngrohta popullit të Kosovës për një vit 2026 të qetë, të begatë dhe të qëndrueshëm.”

  • Presidenti Begaj uron shqiptarët për Vitin e Ri: Familja dhe puna e ndershme, forca jonë më e madhe

    Presidenti Begaj uron shqiptarët për Vitin e Ri: Familja dhe puna e ndershme, forca jonë më e madhe

    Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar shqiptarët në mesazhin tradicional të fundvitit, ku ka theksuar rëndësinë e familjes si themeli i shoqërisë, si dhe përkushtimin ndaj rinisë.

    Në këtë mesazh, presidenti nënvizon se dija, puna e ndershme dhe angazhimi i qytetarëve janë forca më e madhe e kombit, duke përshëndetur arritjet dhe sakrificat që kanë shoqëruar sukseset e vendit gjatë vitit që po mbyllet.

    Ai ka përshëndet shqiptarët kudo që ndodhen – në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe Diasporën si dhe ka shpreh mirënjohje për mjekët, infermierët, pjesëtarët e Forcave të Armatosura, punonjësit e rendit, zjarrfikësit dhe gazetarët, raporton euronews.al.

    Mesazhi i tij mbyllet me urimin për shëndet, gëzime dhe besim më të madh mes shqiptarëve.

    Mesazhi i plotë:

    Të dashur qytetarë, të dashur bashkëkombës

    Sonte, teksa jeni mbledhur rreth tryezës festive me familjen dhe njerëzit tuaj të dashur, dëshiroj t’ju marr vetëm pak çaste për t’ju uruar përzemërsisht Vitin e Ri!

    Nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve, momenti kur ndalemi për të parë çfarë lamë pas dhe për të projektuar shpresat tona për motmotin e ri. Kjo është, mbi të gjitha, festa e familjes. Vlerat që rriten brenda saj janë pikërisht ato që i japin forcë dhe qëndrueshmëri mbarë shoqërisë sonë.

    Kujdesi për brezin e ri nuk është thjesht një ndjenjë, por një zgjedhje e mençur për të ardhmen. Investimi te fëmijët dhe të rinjtë tanë është gur themeli i Shqipërisë evropiane që aspirojmë.

    Shqiptarët kanë treguar se dija, përkushtimi dhe puna e ndershme janë forca jonë më e madhe. Kemi dëshmuar arritje. Pas çdo suksesi, ka punë e sakrifica familjare që dëshmojnë se e ardhmja nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me angazhim të përditshëm.

    Të dashur shqiptarë,

    Puna juaj e ndershme, angazhimi dhe suksesi juaj forcojnë besimin dhe shpresën tek e ardhmja.

    Motra dhe vëllezër,

    Viti që po mbyllet ishte një vit përpjekjesh dhe sfidash, ku Shqipëria dëshmoi sërish vullnetin për të ecur përpara. Kemi ende punë për të ngushtuar pabarazitë dhe për të forcuar besimin tek institucionet. Forcuam rolin tonë ndërkombëtar dhe hodhëm hapa konkretë drejt Bashkimit Evropian. Kemi shënuar progres në forcimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

    Të inkurajuar nga sukseset dhe të përulur nga mosarritjet, viti 2026 duhet të jetë viti i një përpjekjeje të përbashkët për ta kthyer standardin evropian në një realitet të prekshëm në jetën e çdo familjeje shqiptare.

    Interesi kombëtar dhe dialogu duhet të udhëheqin veprimet tona për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të begatë, sepse ajo që na bashkon është më e fortë se çdo interes që na ndan.

    Ndaj, në vigjilje të Vitit të Ri 2026, urimi im i parë është për bashkëpunim dhe bashkërendim rreth qëllimeve e interesave mbarëkombëtare!

    Përshëndetjet më të ngrohta dhe urimet më të mira kam sot për shqiptarët kudo ndodhen në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe Diasporën tonë! Ju jeni pjesë e pandarë e këtij kombi dhe energji vitale për të ardhmen tonë të përbashkët.

    Një urim të veçantë kam sonte për të gjithë mjekët, infermierët, pjesëtarët e Forcave të Armatosura, punonjësit e rendit, zjarrfikësit dhe gazetarët, si dhe të gjithë ata që sot janë në krye të detyrës dhe larg familjeve të tyre!

    Mendimi ynë shkon edhe për ata që këtë natë e kalojnë në spitale apo në kushte të vështira, larg ngrohtësisë së shtëpisë.

    Çdo familje shqiptare, nga fëmijët, te gjyshërit, pastë shëndet, gëzime dhe mbarësi!

    Mbi të gjitha, uroj për Vitin e Ri 2026 më shumë besim te njëri-tjetri dhe më shumë mirëkuptim, sepse Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, përgjegjësia jonë e përditshme dhe e nesërmja që ndërtojmë bashkërisht!

    Me përulësi për sfidat që kemi përpara, me besimin te vlerat e punës, solidaritetit dhe përgjegjësisë qytetare, dhe me vendosmëri për të ndërtuar të ardhmen tonë evropiane, ju uroj nga zemra: Gëzuar Vitin e Ri 2026!

    Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët!

    Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!.

    Gëzuar!”

    /euronews.al/

     

  • Mbi 2 mijë gjoba dhe 85 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë – një me fatalitet

    Mbi 2 mijë gjoba dhe 85 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë – një me fatalitet

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Policia ka bërë të ditur se 2 mijë e 81 gjoba janë shqiptuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

    Gjatë këtyre 24-orëve, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 24 aksidente me të lënduar dhe 60 të tjera me dëme materiale.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 11 persona, prej të cilëve 9 i ka dërguar në mbajtje.

  • Shtatë qytete të Kosovës mund të mbesin pa rrymë gjatë festës së ndërrimit të moteve

    Shtatë qytete të Kosovës mund të mbesin pa rrymë gjatë festës së ndërrimit të moteve

    KEDS ka njoftuar se për festën e ndërrimit të vitit 2025-2026 janë marrë të gjitha masat e nevojshme si në aspektin organizativ, teknik dhe logjistik për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, pavarësisht rritjes së konsumit gjatë periudhës së festave.

    Ata tutje njoftuan se për këtë periudhë do të jenë të angazhuar rreth 500 punëtorë, të cilët do të jenë në terren dhe do të sigurojnë shërbime të tjera për të intervenuar menjëherë në rast të ndonjë avarie.

    “Janë bërë të gjitha përgatitjet paraprake në mënyrë që natën e ndërrimit të vitit të ketë furnizim stabil me energji elektrike, përkundër ngarkesës së lartë në rrjet, e cila këtë vit është në nivele të papara krahasuar me vitet e kaluara”, thanë nga KEDS.

    Pavarësisht përgatitjeve, KEDS ka paralajmëruar se disa rajone mund të kenë vështirësi për shkak të kapaciteteve të kufizuara të transmisionit. Këto zona janë Prizreni, Dragashi, Rahoveci, Shtimja, Xërxa, Malisheva, Suhareka dhe Lipjani.

    Për këtë arsye, është punuar intensivisht në përgatitjet e planit operativ për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike gjatë ndërrimit të moteve. KEDS është i angazhuar për të siguruar që qytetarët të kenë energji elektrike pa ndërprerje gjatë festave të fundvitit, duke ndërhyrë shpejt në çdo situatë që mund të lindë.

  • SMS mashtruese në emër të Postës së Kosovës, Policia u bën thirrje qytetarëve për kujdes: Përmbajnë linqe mashtruese

    SMS mashtruese në emër të Postës së Kosovës, Policia u bën thirrje qytetarëve për kujdes: Përmbajnë linqe mashtruese

    Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim për qytetarët, duke paralajmëruar për një fushatë mashtruese (phishing) që po qarkullon aktualisht përmes mesazheve SMS.

    Sipas Policisë, qytetarët po pranojnë mesazhe të rreme që pretendojnë se janë dërguar nga Posta e Kosovës dhe që përmbajnë linqe mashtruese.

    Qëllimi i këtyre mesazheve është mashtrimi i qytetarëve për të siguruar të dhëna personale dhe informacione të kartelave bankare, me synim keqpërdorimin financiar.

    “Policia e Kosovës thekson se Posta e Kosovës nuk ka dërguar mesazhe të tilla dhe se faqet e përfshira në këto SMS nuk janë domene zyrtare.”, thuhet në njoftimin e PK-së.

    Në këtë drejtim, Policia u bën thirrje qytetarëve:

    të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë;

    të mos japin të dhëna personale apo të kartelave bankare;

    të mos kryejnë pagesa përmes këtyre linqeve;

    të fshijnë menjëherë mesazhet mashtruese;

    dhe, në rast se kanë kryer ndonjë pagesë përmes këtyre linqeve, të raportojnë menjëherë rastin në bankën ku janë klientë dhe të kërkojnë anulimin e pagesës, si dhe ta paraqesin rastin në stacionin policor më të afërt.

    Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e mashtrimeve dhe fton qytetarët për bashkëpunim dhe vigjilencë të shtuar.

  • Si ta parandaloni dehjen e Vitit të Ri?

    Si ta parandaloni dehjen e Vitit të Ri?

    Për shumë njerëz, nata e Vitit të Ri shoqërohet me konsumimin e alkoolit gjatë festimeve, çka për shumëkënd përfundon me dhimbje koke dhe lodhje ditën pasuese. Megjithatë, mjekët kanë ndarë disa këshilla të thjeshta që mund të ndihmojnë në zbutjen e efekteve negative të alkoolit, pa ndryshuar përmbajtjen thelbësore të organizmit.

    Sipas specialistëve, arsyeja kryesore pse ndihemi të dehur pas pirjes së alkoolit është dehidratimi. Alkooli vepron si diuretik, duke nxitur humbjen e lëngjeve dhe mineraleve të rëndësishme nga trupi. Për këtë arsye, hapi i parë dhe më i rëndësishëm është konsumimi i ujit. Por, krahas ujit, mjekët sugjerojnë edhe diçka shtesë që ndihmon ndjeshëm në përmirësimin e gjendjes – elektrolitet.

    Elektrolitet janë minerale thelbësore për funksionimin normal të trupit, pasi ndihmojnë muskujt dhe nervat të punojnë siç duhet. Gjatë konsumimit të alkoolit, një pjesë e madhe e tyre humbet, duke shkaktuar lodhje, dhimbje koke dhe marramendje.

    Dr. Sanjay Mehta, mjek i përgjithshëm në një klinikë në Londër, ka shpjeguar për Express.co.uk se dehidratimi është efekti kryesor i alkoolit. “Efekti më i madh është dehidratimi, dhe kjo ndodh sepse alkooli është një diuretik, i cili shkakton humbje të lëngjeve dhe elektroliteve, duke çuar shpesh në lodhjen tipike të dehjes, dhimbjen e kokës dhe marramendjen. Pra, është ideale të siguroheni që jeni të hidratuar mirë para, gjatë dhe pas periudhave të pirjes së alkoolit,” ka thënë ai.

    Sipas tij, për të zëvendësuar elektrolitet e humbura, rekomandohet konsumimi i pijeve të pasura me elektrolite ose marrja e tabletave elektrolite pa recetë. “Idealja është që ato të merren para gjumit, në mënyrë që përthithja të ndodhë ndërsa flini,” ka shtuar Mehta.

    Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se zëvendësimi i ujit me kafe, edhe pse mund të duket joshës për shkak të lodhjes, në fakt mund ta përkeqësojë gjendjen. Kafeina gjithashtu ndikon në dehidratim dhe mund të rrisë ndjesinë e parehatisë.

    Edhe Dr. Tamsin Lewis nga Reborne Longevity rekomandon pije elektrolitike, veçanërisht në rastet kur shfaqen të përziera ose marramendje pas pirjes së alkoolit. Ajo thekson se marrja e gllënjkave të vogla është shumë e rëndësishme. “Alkooli irriton mukozën e stomakut. Xhenxhefili ndihmon në qetësimin e të përzierave, elektrolitet parandalojnë dehidratimin dhe antacidet zvogëlojnë shqetësimin e lidhur me acidin,” shpjegon ajo.

    Sipas mjekëve, dehidratimi ndikon edhe në uljen e tensionit të gjakut, gjë që mund të shkaktojë marramendje. Në këto raste, pijet me elektrolite mund të ndihmojnë në stabilizimin e gjendjes.

    Elektrolitet nuk merren vetëm përmes pijeve ose suplementeve. Ato mund të përthithen edhe përmes ushqimit. Dr. Ross Perry, mjek i përgjithshëm dhe drejtor mjekësor i Cosmedics, rekomandon konsumimin e ushqimeve të pasura me kalium një ditë pas pirjes së alkoolit.

    “Konsumimi i ushqimeve që përmbajnë kalium të nesërmen, siç janë bananet, portokajtë, kajsitë, zarzavatet me gjethe, spinaqi, brokoli, patatet, kërpudhat dhe bizelet, do të ndihmojë në uljen e dehjes dhe në rimbushjen e humbjeve të elektroliteve, duke ju bërë të ndiheni më mirë më shpejt,” ka thënë Perry.

    Sipas mjekëve, kombinimi i hidratimit të mirë, elektroliteve dhe ushqimit të duhur është çelësi për të kaluar më lehtë pasojat e konsumimit të alkoolit gjatë festave.

  • Kiribati bëhet vendi i parë që mirëpret vitin 2026

    Kiribati bëhet vendi i parë që mirëpret vitin 2026

    Ishulli i vogël i Kiritimati, u bë vendi i parë në Tokë që priti Vitin e Ri 2026. Ishulli është pjesë e shtetit të Kiribatit, që ndodhet ne Oqeanin Paqësor. Mikroshteti përbëhet nga disa ishuj të vegjël që ndodhen në jug të Havait dhe në verilindje të Australisë.

    Kiribati shpalli pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1979. Sot shumë prej ishujve, që janë të pabanuar, janë në rrezik zhdukjeje, nga rritja e nivelit të detit.

    Arkipelagu ka një popullsi prej rreth 116 mijë banorësh. Edhe pse ndodhet shumë pranë Havait, Kiribati e feston Vitin e Ri thuajse një ditë më përpara se shteti amerikan.

  • Ukraina s’gjen qetësi as sot, sulme të reja ruse godasin Odesën

    Ukraina s’gjen qetësi as sot, sulme të reja ruse godasin Odesën

    Edhe në ditët e fundit të vitit, presidenti rus Vladimir Putin nuk i ka kursyer sulmet në Ukrainë, këtë herë duke goditur rajonin e Odesës.

    Rusia ka sulmuar ndërtesa banimi në Odesë, dhe Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës ka publikuar pamje ku shfaqen ndërtesa në flakë dhe të shkatërruara si pasojë e sulmeve me dronë rusë.

    Guvernatori rajonal i Odesës, Oleh Kiper, bëri të ditur se zjarrfikësit punuan gjatë gjithë natës për të shuar zjarret, ndërsa disa banorë u strehuan në tenda emergjence. Autoritetet rajonale raportojnë se katër persona u plagosën, përfshirë një foshnjë 7-muajshe.

    Odesa ka qenë shënjestra e vazhdueshme e raketave dhe dronëve rusë gjatë gati katër viteve të luftës, me sulme që shpesh godasin infrastrukturën e energjisë, transportit dhe portit, si dhe zonat e banuara.

    Ndërkohë, Ukraina është në diskutime me presidentin amerikan, Donald Trump, për praninë e mundshme të trupave amerikane si pjesë e garancive të sigurisë.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina mbetet e përkushtuar për të vazhduar bisedimet që synojnë dhënien e fundi të luftës. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë që të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

  • Kurti thotë se punëtorët e sektorit publik do ta marrin pagën e 13-të në fillim të vitit

    Kurti thotë se punëtorët e sektorit publik do ta marrin pagën e 13-të në fillim të vitit

    Punëtorët e administratës publike në Kosovë do të marrin pagën e 13-të në fillim të vitit 2026, ka konfirmuar Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një vizite në Telekomin e Kosovës.

    Ai ka sqaruar se vendimi për buxhetin e vitit të ardhshëm, që përfshin edhe këtë pagesë, do të dërgohet për miratim në mbledhjen e parë të Qeverisë së re.

    “Për të gjithë punëtorët e administratës publike me ligjin e buxhetit për vitin 2026-të, të cilin e kaluam njëherë në mbledhjen e Qeverisë më 31 tetor sivjet, pra të cilin tash në legjislaturën e 10 kur të konstituohet Kuvendi do ta kalojmë në dy lexime,” tha Kurti.

    Ai shtoi se paga e 13-të nuk do të ndahet në fund të vitit, por në fillim të vitit të ardhshëm:

    “Kam thënë që me këtë ligj të buxhetit parashihet paga e 13-të; kush punon 12 muaj në administratën shtetërore i ka 13 paga, por paga e 13-të nuk merret në fund të vitit, në dhjetorin e vitit 2026, por në vitin që do të nisë nesër”.

    Kurti bëri të ditur gjithashtu se shpërndarja e saj do të bëhet menjëherë pas formimit të Qeverisë së re:

    “Do të merret në fillim të vitit, varësisht kur konstituohet Kuvendi dhe sa shpejt e formojmë Qeverinë. Pra në mbledhjen e parë, përveç vendimit për ligjin për buxhetin 2026, gjithashtu do ta kemi edhe vendimin që pagën e 13-të e jep në fillim të vitit, do t’i kemi edhe tri të tjera”.

    Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për lidhjen me fushatën zgjedhore, Kurti theksoi: “Por, mos ta përsëris veten nga fushata pra zgjedhjeve sepse ato përfunduan të dielën”.