ATV

Blog

  • Agim Ademi: 2025-a, vit historik për futbollin e Kosovës

    Agim Ademi: 2025-a, vit historik për futbollin e Kosovës

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vlerësuar vitin 2025 si një nga më të rëndësishmit në historinë e futbollit kosovar, duke theksuar arritjet sportive, institucionale dhe ndërkombëtare që kanë shënuar një kapitull të ri zhvillimi.

    Në një postim në rrjetet sociale, Ademi nënvizoi se gjatë këtij viti FFK ka realizuar hapa të mëdhenj në ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive, digjitalizimin e sistemeve, edukimin e kuadrove profesionale dhe forcimin e projekteve zhvillimore në të gjitha nivelet e futbollit.

    Sipas tij, investimet në fusha futbolli, kampe nacionale, projekte shkollore dhe sigurinë shëndetësore të lojtarëve kanë krijuar themele të qëndrueshme për të ardhmen e futbollit në Kosovë, duke garantuar zhvillim afatgjatë dhe cilësi më të lartë.

    Në planin ndërkombëtar, viti 2025 ka shënuar një forcim të ndjeshëm të pozitës së Kosovës në arenën evropiane dhe botërore të futbollit. Bashkëpunimet e vazhdueshme me FIFA-n dhe UEFA-n, organizimi i ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare në Prishtinë, si dhe përfshirja e përfaqësuesve kosovarë në strukturat e larta vendimmarrëse, janë dëshmi e rritjes së besimit ndaj futbollit të Kosovës.

    Ademi theksoi se ky vit ishte historik edhe në aspektin sportiv, pasi Kombëtarja e Kosovës arriti suksese të rëndësishme, duke u ngjitur në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në ‘play-off’ për Kupën e Botës 2026. Po ashtu, ngritja historike në ranglistën e FIFA-s u cilësua si rezultat i punës së përbashkët dhe vizionit të qartë.

    Sukseset e klubeve kosovare u veçuan si një tjetër tregues i rritjes së cilësisë së futbollit vendor. FC Drita arriti për herë të parë ‘play-off’-in për 1/8 e finales në Ligën e Konferencës, ndërsa FC Prishtina 01 shënoi sukses historik duke u kualifikuar në 1/16 e finales së Ligës së Kampionëve në futsall.

    Presidenti i FFK-së shprehu mirënjohje për kontributin e klubeve, futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve, stafit profesional, partnerëve dhe gjithë komunitetit të futbollit, duke theksuar se këto arritje janë fryt i përkushtimit dhe unitetit të përbashkët.

    Me këtë frymë optimizmi, futbolli i Kosovës e mbyll vitin 2025 me besim të plotë në të ardhmen, ndërsa viti 2026 pritet të sjellë sfida të reja dhe projekte ambicioze, me synimin madhor që Kosova të jetë për herë të parë pjesë e Kupës së Botës.

  • Premier League pas Yildizit, Juventusi përballë ofertave të mëdha

    Premier League pas Yildizit, Juventusi përballë ofertave të mëdha

    Ylli i ri i Juventusit, Kenan Yildiz, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e klubeve të mëdha të Premier League, teksa afati kalimtar i janarit po afrohet. Talenti turk është shndërruar në një nga figurat më premtuese të futbollit evropian, falë paraqitjeve mbresëlënëse me fanellën bardhezi.

    Deri në fund të nëntorit 2025, Yildiz ka arritur shifrën e 100 paraqitjeve në të gjitha garat për Juventusin, ndërsa këtë sezon ka kontribuar me 6 gola dhe 7 asistime në 21 ndeshje, duke konfirmuar rolin e tij kyç në skuadrën torineze.

    Sipas raportimit të The Guardian, Juventusi pritet të zhvillojë bisedime të reja në ditët në vijim me babanë e lojtarit dhe përfaqësuesit e tij, në një kohë kur disa prej klubeve më të fuqishme të Premier League kanë shfaqur interes konkret për transferimin e tij.

    20-vjeçari ka hyrë tashmë në historinë e klubit, duke u bërë golashënuesi i huaj më i ri i Juventusit, si dhe golashënuesi më i ri i bardhezinjve në Ligën e Kampionëve. Këto arritje, të kombinuara me potencialin e jashtëzakonshëm, e kanë rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg.

    Yildiz vlerësohet rreth 85 milionë paund, një shifër që, sipas mediave britanike, nuk përbën pengesë për klubet angleze të interesuara. Me paraqitjet e tij të qëndrueshme dhe pjekurinë e treguar në moshë shumë të re, talenti turk po shndërrohet në një nga emrat më të kërkuar të merkatos evropiane.

  • KQZ: Aktivitetet e numërimit janë përmbyllur në 27 komuna, numërimi vazhdon më 1 janar në 11 komuna

    KQZ: Aktivitetet e numërimit janë përmbyllur në 27 komuna, numërimi vazhdon më 1 janar në 11 komuna

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon me intensitet të shtuar dhe se deri më tani janë procesuar mbi 74 për qind e vendvotimeve në nivel vendi.

    Në një konferencë për media, Elezi tha se aktivitetet e numërimit janë përmbyllur tashmë në 27 komuna.

    “Njoftojmë se deri më sot, aktivitetet e numërimit janë përmbyllur në 27 komuna, përkatësisht në Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skënderaj dhe Kaçanik”, tha Elezi.

    Ai sqaroi se procesi i numërimit do të vazhdojë pas një ndërprerjeje të përkohshme, duke bërë të ditur se rifillimi do të ndodhë më 1 janar 2026, nga ora 16:00, në 11 Qendra Komunale të Numërimit.

    “Procesi i numërimit do të vazhdojë të martën, më 1 janar 2026, në orën 16:00, në QKN-të e komunave: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë”, deklaroi Elezi.

    Sipas tij, deri të mërkurën, më 31 dhjetor 2025, në orën 12:00, janë procesuar mbi 1,900 vendvotime nga gjithsej 2,557.

    “Deri më tani, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit është mbi 1,900 nga 2,557 vendvotime, apo më shumë se 74 për qind. Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat transmetohen në platformën e KQZ-së për rezultate”, u shpreh ai.

    Elezi njoftoi se sot në mesditë procesi i numërimit do të ndërpritet përkohësisht, pas përfundimit të procedimit të kutive të hapura.

    “Sot në mesditë, sapo të përfundojë procedimi i kutive që janë të hapura, do të ndërpresim procesin e numërimit të fletëvotimeve dhe do të rikthehemi sërish më 1 janar në orën 16:00”, tha zëdhënësi i KQZ-së.

    Sa i përket votimit jashtë Kosovës, Elezi bëri të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës.

    “Nga votimi me postë, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dijmë se sa prej këtyre votuesve kanë ushtruar të drejtën e votës”, theksoi ai.

    Sipas Elezit, deri më tani nga kutitë postare janë tërhequr mbi 28 mijë e 500 pako, të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.

    “Pas vlerësimit dhe verifikimit, nga më shumë se 28 mijë pako të pranuara, janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950 pako. Arsyeja më e shprehur për refuzim është se në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”, deklaroi ai.

    Në fund, Elezi njoftoi se numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës do të nisë gjatë kësaj jave, ndërsa data dhe ora e saktë do të bëhen të ditura përmes një njoftimi zyrtar nga KQZ-ja.

  • Modrić për debatin Messi–Ronaldo: Dy legjenda që shënuan një epokë

    Modrić për debatin Messi–Ronaldo: Dy legjenda që shënuan një epokë

    Luka Modrić ka dhënë një qëndrim të matur dhe të ekuilibruar lidhur me debatin e gjatë mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, duke shmangur zgjedhjen e njërit prej tyre dhe duke vlerësuar ndikimin e jashtëzakonshëm që të dy kanë pasur në historinë e futbollit modern.

    Në një intervistë për Corriere dello Sport, ish-mesfushori i Real Madridit theksoi se të dy yjet kanë dominuar skenën botërore për më shumë se një dekadë, duke e cilësuar rivalitetin e tyre si një nga më të mëdhenjtë që ka njohur ndonjëherë futbolli.

    Modrić pranoi se ka një lidhje më të afërt me Cristiano Ronaldon, për shkak të viteve që kanë kaluar së bashku te Real Madridi. Ai vuri në pah jo vetëm cilësitë sportive të portugezit, por edhe anën e tij njerëzore, duke theksuar se bëhet fjalë për një person me karakter të fortë, zemërgjerë dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar të tjerët.

    Nga ana tjetër, kroati nuk e fshehu admirimin edhe për Lionel Messin, të cilin e konsideroi një futbollist madhështor dhe një figurë që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në lojë, pavarësisht se nuk ka pasur mundësinë ta njohë nga afër në aspektin personal.

    Qëndrimi i Modrić pasqyron respektin e thellë për dy lojtarë që kanë përcaktuar një epokë të tërë, duke lënë një trashëgimi të pazëvendësueshme në futbollin botëror.

  • Aktakuzë për krime lufte ndaj një ish-gardiani të Burgut të Prishtinës, kishte rrahur të burgosurit shqiptarë

    Aktakuzë për krime lufte ndaj një ish-gardiani të Burgut të Prishtinës, kishte rrahur të burgosurit shqiptarë

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj B.T., i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999.

    Sipas aktakuzës, B.T., në cilësinë e gardianit në Burgun e Prishtinës dhe në një institucion paralel në Lipjan, së bashku me gardianë të tjerë, ka maltretuar sistematikisht të burgosurit shqiptarë.

    Ata dyshohet se kanë përdorur mjete të ndryshme për të torturuar të burgosurit, duke përfshirë shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte, çka ka shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike.

    Gjithashtu, i pandehuri dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se i kanë lënë të burgosurit pa ushqim për ditë të tëra dhe i kanë kërcënuar me jetë, duke i krijuar një gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme.

    Prokuroria Speciale thekson se veprimet e tyre shkelin ligjet vendore, zakonet e luftës, Konventat Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokollet shtesë që mbrojnë popullatën civile gjatë konfliktit të armatosur.

  • Pistons i mposhtin bindshëm Lakers, Philadelphia tirumfojë në kohën shtesë

    Pistons i mposhtin bindshëm Lakers, Philadelphia tirumfojë në kohën shtesë

    Basketbollistët e Los Angeles Lakers po kalojnë një periudhë shqetësuese, duke pësuar humbjen e katërt në pesë ndeshjet e fundit. Këtë herë, skuadra kaliforniane u mposht bindshëm në parketin e saj nga Detroit Pistons me rezultatin 128:106.

    Situata te Lakers po bëhet gjithnjë e më alarmante, ndërsa pas ndeshjes reagoi edhe Luka Dončić, i cili nuk e fshehu zhgënjimin dhe theksoi se “diçka duhet të ndryshojë urgjentisht” brenda ekipit. Pavarësisht një paraqitjeje solide individuale, ylli slloven nuk arriti ta shmangë humbjen e radhës për ekipin e tij.

    Dončić e mbylli takimin me 30 pikë, 11 asistime dhe pesë kërcime, ndërsa LeBron James kontribuoi me 17 pikë. Megjithatë, Pistons dominuan pothuajse gjatë gjithë ndeshjes, duke mos u lënë hapësirë vendasve për rikthim.

    Detroit u udhëhoq nga Cade Cunningham, i cili shkëlqeu me 27 pikë, 11 asistime dhe pesë kërcime, duke e udhëhequr ekipin drejt fitores së 25-të sezonale, përkundër vetëm tetë humbjeve. Në anën tjetër, Lakers tani numërojnë 20 fitore dhe 11 humbje.

     

    Në një tjetër ndeshje të mbrëmjes, Los Angeles Clippers dhuruan spektakël duke e mposhtur bindshëm Sacramento Kings me rezultatin e thellë 131:90. Kaëhi Leonard ishte protagonisti kryesor i takimit me 33 pikë, duke e udhëhequr ekipin drejt një fitoreje të lehtë, derisa James Harden shtojë 21 sosh.

    Te skuadra humbëse u dallua Clifford me 18 pikë.

    Kujtojmë që Clippers renditen në vendin e 13 në Perëndim derisa Kings një pozitë më poshtë.

     

    Drama më e madhe u regjistrua në përballjen mes Memphis Grizzlies dhe Philadelphia 76ers, e cila u vendos vetëm pas kohës shtesë. Philadelphia triumfoi 139:136, falë paraqitjeve të shkëlqyera të Joel Embiid dhe Tyrese Maxey, të cilët realizuan nga 34 pikë secili.

    Mirëpo nga ana tjetër edhe Ja Morant ishte fantasik me 40 pikë të realizuara por që nuk mjaftuan të ndihmoj skuadrën e tijë të fitonte.

    76ers renditen në vendin e pestë në Lindje, derisa Grizzlies në poziten e nëntë në Perëndim.

  • Arteta i kënaqur me Arsenalin pas fitores 4–1 ndaj Aston Villas

    Arteta i kënaqur me Arsenalin pas fitores 4–1 ndaj Aston Villas

    Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, u shpreh shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij pas fitores bindëse 4–1 ndaj Aston Villas, në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të të Ligës Premier.

    Tekniku spanjoll vlerësoi forcën e kundërshtarit, duke theksuar se përballja ishte e vështirë, ashtu siç pritej. Ai pranoi se fillimi i ndeshjes nuk ishte ideal për ekipin e tij, pasi në minutat e para Arsenali u shfaq i pasigurt dhe i ekspozuar ndaj presionit të Aston Villas. Megjithatë, me kalimin e minutave, londinezët arritën të marrin kontrollin e lojës dhe të krijojnë raste të rrezikshme.

    Arteta e cilësoi vendimtar startin e pjesës së dytë, ku Arsenali tregoi një ritëm më të lartë dhe efikasitet të madh në lojë. Sipas tij, durimi dhe zgjedhja e momentit të duhur për të vepruar ishin elementët kyç që i mundësuan skuadrës të shfrytëzonte hapësirat dhe të vendoste fatin e ndeshjes.

    Trajneri i Arsenalit u ndal edhe te realizimi i rasteve, duke theksuar se ndryshe nga ndeshjet e fundit, kësaj radhe ekipi tregoi cilësi të lartë në përfundimin e aksioneve, çka u reflektua drejtpërdrejt në rezultat.

    Vlerësime të veçanta mori edhe rikthimi i Gabriel Magalhães, i cili u kthye në fushë pas gjashtë javësh mungesë. Mbrojtësi brazilian tregoi siguri në prapavijë dhe u përball me sukses me Ollie Watkins, një nga sulmuesit më të rrezikshëm të Ligës Premier, duke konfirmuar rëndësinë e tij për ekipin londinez.

  • Limaj reagon për herë të parë pasi s’e kaloi pragun: S’kemi arsye ta ulim kokën

    Limaj reagon për herë të parë pasi s’e kaloi pragun: S’kemi arsye ta ulim kokën

    Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka falënderuar votuesit e tij për mbështetjen, duke theksuar se rruga që ka ndjekur ka qenë “e drejtë”.

    Sipas rezultateve aktuale, Nisma e Limajt nuk arriti të kalojë pragun për t’u bërë pjesë e Parlamentit.

    Limaj ka vlerësuar garën si një proces të zhvilluar “në rrethana të veçanta dhe me një mobilizim të jashtëzakonshëm”, duke shtuar se viti i ardhshëm do të sjellë më shumë punë për partinë e tij.

    “Çdo votë është amanet. Çdo përkrahës është forcë. Kjo është një etapë që na obligon të jemi edhe më të përgatitur. Ajo që kemi ndërtuar deri këtu nuk ndalet, por forcohet”, ka deklaruar Limaj.

    Postimi i plotë:

    Të dashur qytetarë të Kosovës, miq, përkrahës dhe bashkëudhëtarë të kësaj rruge,

    Në këtë fundvit, ju falënderoj nga zemra për çdo votë, për çdo mbështetje dhe për çdo rreshtim të ndershëm në këtë rrugë që e bëmë bashkë.

    Kjo nuk ka qenë një rrugë e lehtë.

    Por ka qenë e drejtë.

    Dhe ajo që ka më shumë vlerë se çdo rezultat është fakti se kemi qëndruar drejt, me kokën lart dhe me besim në atë që përfaqësojmë.

    Kjo garë u zhvillua në rrethana të veçanta dhe me një mobilizim të jashtëzakonshëm.

    Por përtej çdo shifre, ajo që mbetet është mbështetja juaj dhe bindja jonë se kjo rrugë ka kuptim dhe vazhdimësi.

    Teksa mbyllim një vit të vështirë dhe hyjmë në një vit të ri, dua ta them qartë: viti që vjen na pret me punë, me organizim dhe me përgjegjësi edhe më të madhe.

    Na pret me përkushtim dhe me ecje të sigurt drejt qëllimeve tona.

    Ne mbetemi të bindur se Kosova ecën përpara vetëm me bashkim, me pjekuri dhe me një vizion të qartë për të ardhmen.

    Prandaj, nuk kemi asnjë arsye të ulim kokën.

    Çdo votë është amanet.

    Çdo përkrahës është forcë.

    Kjo është një etapë që na obligon të jemi edhe më të përgatitur.

    Ajo që kemi ndërtuar deri këtu nuk ndalet, por forcohet.

    Ju uroj shëndet, paqe dhe mbarësi në familjet tuaja.

    Ju uroj një Vit të Ri me shpresë, energji të re dhe besim në Kosovën tonë.

    Ne vazhdojmë. Bashkë.

    Me vendosmëri!

    Gëzuar Vitin e Ri!

    F.L

  • Zelensky:  Disa dokumente për zgjidhjen e luftës do të jenë gati për nënshkrim në janar

    Zelensky: Disa dokumente për zgjidhjen e luftës do të jenë gati për nënshkrim në janar

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se disa nga dokumentet që synojnë zgjidhjen e luftës, të zhvilluara gjatë procesit të negociatave, do të jenë gati për t’u nënshkruar në janar.

    Gjatë një konference për shtyp online më 30 dhjetor, siç raportohet nga European Pravda, Zelensky foli për hapat diplomatikë të planifikuar për muajin e ardhshëm.

    “Ne propozojmë këtë: këshilltarët takohen në janar, udhëheqësit takohen në janar. Ne besojmë se janari ofron mundësinë që udhëheqësit e Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës të takohen të gjithë së bashku. Ka dokumente që patjetër do të jenë gati në janar për nënshkrim”, tha presidenti ukrainas.

    Ai nuk specifikoi se për cilat dokumente bëhet fjalë, duke shtuar se “tani varet nga aftësia dhe gatishmëria e palëve për të nënshkruar”.

    Zelensky gjithashtu tha se i kishte përcjellë presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe udhëheqësve evropianë gatishmërinë e tij për “çdo format takimi me Putinin”.

    “Nuk kam frikë nga asnjë format i takimit tonë. Gjëja kryesore është që rusët të mos kenë frikë të takohen”, përfundoi ai.

  • Verifikimi i votave për subjekte dhe kandidatë përfundon në 20 komuna

    Verifikimi i votave për subjekte dhe kandidatë përfundon në 20 komuna

    Procesi i verifikimit të votave të subjekteve politike dhe numërimit të atyre të kandidatëve për deputetë është përmbyllur në 20 nga 38 komunat e Kosovës.

    Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi ende nuk ka përfunduar në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Kaçanik, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Skenderaj, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë dhe Graçanicë.

    Verifikimi dhe numërimi do të vazhdojë edhe të mërkurën deri në mesditë, për t’u rikthyer pasditen e së martës, duke garantuar vijimësinë dhe rregullsinë e procesit zgjedhor.