ATV

Blog

  • Moti i keq shkakton devijimin e fluturimeve në Aeroportin e Tiranës, paralajmërohen vonesa

    Moti i keq shkakton devijimin e fluturimeve në Aeroportin e Tiranës, paralajmërohen vonesa

    Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës në Shqipëri, Belinda Balluku, ka njoftuar se për shkak të motit të keq, dy avionë që duhet të uleshin në Aeroportin e Rinasit, janë devijuar drejt Barit.

    Komentet Balluku i bëri përmes një postimi në faqen e saj në Facebook, duke sqaruar se devijimi u bë për shkak të pamundësisë për të vijuar uljen në mënyrë të sigurt.

    Ajo po ashtu paralajmëron se edhe ditën e sotme mund të ketë vonesa në disa fluturime për shkak të kushteve atmosferike.

    Sipas ministres, Albcontrol po ndjek situatën nga afër për të garantuar ofrimin e sigurt të shërbimeve të lundrimit ajror.

    Njoftimi i Ballukut:

    Gjatë 24 orëve të fundit, për shkak të fenomeneve meteorologjike mbi dhe në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, dy nga fluturimet në ardhje të datës 5, në orët e mbrëmjes, kanë devijuar drejt Barit, për shkak të pamundësisë për të vijuar uljen në mënyrë të sigurt.

    Edhe gjatë ditës së sotme kanë pasur fenomene meteorologjike të lokalizuara në zona në afërsi të aeroportit. Stafet e Albcontrol kanë akomoduar të gjitha kërkesat e pilotëve për të shmangur këto fenomene gjatë fazave të fluturimit. Për shkak të këtyre devijimeve të shkaktuara nga kushtet e motit, mund të ketë vonesa në fluturimet e sotme.

    Albcontrol po e ndjek situatën nga afër për të garantuar ofrimin e sigurt të shërbimeve të lundrimit ajror. 

  • Gjyqtarët kosovarë marrin licencat e FIFA-s për vitin 2026, përfaqësim i fuqishëm në arenën ndërkombëtare

    Gjyqtarët kosovarë marrin licencat e FIFA-s për vitin 2026, përfaqësim i fuqishëm në arenën ndërkombëtare

    Futbolli i Kosovës vazhdon të shënojë progres edhe në segmentin e arbitrimit. Një numër i konsiderueshëm gjyqtarësh kosovarë janë pajisur zyrtarisht me licencë nga FIFA, duke fituar të drejtën për të gjykuar ndeshje ndërkombëtare gjatë vitit 2026.

    Ky është një tjetër hap i rëndësishëm për futbollin kosovar, i cili po forcon praninë e tij në arenën ndërkombëtare jo vetëm përmes klubeve dhe kombëtares, por edhe përmes gjyqtarëve të futbollit.

     

    Në listën e gjyqtarëve me licencë FIFA për vitin 2026 përfshihen:

    Mervan Bejtullahu – referee

    Visar Kastrati – referee & Video Match Official

    Genc Nuza – referee & Video Match Official

    Rita Vheapi – referee

    Fatlum Berisha – assistant referee

    Arbnor Bullatovci – assistant referee

    Fitore Govori – assistant referee

    Granit Hyseni – assistant referee

    Besnik Morina – assistant referee

    Lumturije Muhadri – assistant referee

    Fatmir Sekiraqa – assistant referee

    Bujar Selimaj – assistant referee

    Edmond Zeqiri – assistant referee

    Besar Beqiri – futsal referee

    Besart Ismajli – futsal referee

    Florentina Kallaba – futsal referee

    Alban Shala – Video Match Official

     

    Pajisja me licencë FIFA u mundëson këtyre gjyqtarëve që të ndajnë drejtësinë në gara të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë kualifikime, turne evropiane dhe ndeshje të organizuara nga FIFA dhe UEFA.

    Ky sukses pasqyron punën e vazhdueshme të Federatës së Futbollit të Kosovës në zhvillimin dhe profesionalizimin e arbitrimit, si dhe përkushtimin e vetë gjyqtarëve, të cilët po e përfaqësojnë Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare.

  • Rikthehen Sinani dhe Ismajli, KB Prishtina gati për ENBL

    Rikthehen Sinani dhe Ismajli, KB Prishtina gati për ENBL

    Klubi i Basketbollit Prishtina ka rikthyer në skuadër dy lojtarët e saj, Arbër Sinanin dhe Jon Ismajlin.

    Lajmi është konfirmuar nga klubi përmes faqes zyrtare në Facebook.

    Të dy basketbollistët pritet të debutojnë sonte në ndeshjen e ENBL-së ndaj Tindastollit, e cila zhvillohet mbrëmjen e sotme.

    Ndërkohë, ata do të kenë të drejtë paraqitjeje në Superligën e Kosovës pas hapjes së afatit kalimtar dimëror.

    Ndeshja KB Prishtina – Tindastoll zhvillohet sonte në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00. /ATVLIVE.TV

  • Fisnik Asllani në listë për lojtarin më të mirë të pjesës së parë të sezonit në Bundesligë

    Fisnik Asllani në listë për lojtarin më të mirë të pjesës së parë të sezonit në Bundesligë

    Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Fisnik Asllani është hyrë në garë për lojtarin më të mirë të pjesës së parë të sezonit në Bundesligë.

    Asllani bën pjesë në mesin e 16 lojtarëve nga të gjitha ekipet,duke përfshirë këtu edhe yje si Harry Kane,Luis Diaz dhe Michael Olise.

    Përndryshe Asllani me golat dhe paraqitjet fantastike që pati me Hoffenheim në gjysmëstinorin e Bundesligës ka tërhequr vëmendjen e klubeve në Evropë,ku gjigantë si Barcelona,Bayern Munich dhe Borussia Dortmund kanë shprehur interesim për sulmuesin dardan.

    Kujtojmë që Fisnik Asllani në 17 ndeshje për Hoffenheimin ka realizuar 7 gola e dhuroi 3 asistime,teksa vlera e tij në tregun e transferimeve llogaritet rreth 30 milionë euro.

  • KQZ: Sot pritet të përmbyllet numërimi i votave kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara

    KQZ: Sot pritet të përmbyllet numërimi i votave kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara

    Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë për Express se sot pritet të përfundojë numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me aftësi të kufizuara.

    “Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025. Procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme. Deri më tani (e martë, 6 janar 2026, ora 16:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 49 nga 57 vendvotimet, në të cilat më 28 dhjetor u mundësua votimi me kusht.”

    Ai tha se kanë qenë 9900 votues të regjistruar për të votuar me kusht dhe 2860 votues me aftësi të kufizuara.

    “Sipas të dhënave, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860.”

    Ai tha se në platformën e KQZ-së për rezultate ka filluar të shfaqen edhe mandatet e fituara nga subjektet politike, sipas dinamikës së numërimit të fletëvotimeve.

  • Arrestohen në Aeroportin e Tiranës gjashtë kinezë dhe një bjelloruse

    Arrestohen në Aeroportin e Tiranës gjashtë kinezë dhe një bjelloruse

    Kontrollet e policisë kufitare në hyrje dhe dalje të Republikës së Shqipërisë, në PKK – Rinas, kanë çuar në goditjen e 6 rasteve të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe 1 rasti kontrabande.

    Si rezultat i verifikimeve, u arrestuan në flagrancë 6 shtetas kinezë, të dyshuar për përdorim të dokumenteve të falsifikuara. Në pranga ranë M. B., 29 vjeç, X. Zh., 66 vjeç, Zh. W., 52 vjeç, H. J., 45 vjeç, W. Zh., 38 vjeç dhe G. H., 43 vjeçe. Ata akuzohen për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave, kryer në bashkëpunim”.

    Gjatë kontrollit, këta shtetas paraqitën pasaporta të Hong-Kongut, për të cilat shërbimet e policisë kufitare dyshuan se ishin të falsifikuara. Nga ekzaminimi laboratorik u konfirmua se dokumentet ishin false, duke çuar në sekuestrimin e 6 pasaportave.

    Ndërkohë, një tjetër rast u evidentua në hyrje të vendit. Shtetasja A. W., 45 vjeçe, me shtetësi bjelloruse, e cila udhëtonte në itinerarin Treviso–Tiranë, u ndalua për kontroll të thelluar për shkak të dyshimeve mbi qëllimin e udhëtimit. Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve iu gjetën dhe sekuestruan mallra për qëllime estetike, si botox dhe fillera, për të cilat kërkohen kushte të posaçme transporti dhe licencë e veçantë posedimi dhe përdorimi, dokumente që ajo nuk i dispononte.

    Në vijim, shtetasja bjelloruse u arrestua në flagrancë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuara”.

  • Hansi Flick për prurjet e mundshme tek Barcelona:Nuk mund të shpenzojmë në miliarda euro

    Hansi Flick për prurjet e mundshme tek Barcelona:Nuk mund të shpenzojmë në miliarda euro

    Trajneri i Barcelonës Hansi Flick ka folur për transferimet e reja që mund të ndodhin tek katalunasit.

    Duke folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së Superkupës së Spanjës Athletic Bilbaos Flick thotë se klubi nuk është në gjendje të shpenzojë miliarda,duke marrë parasysh faktin që në vitet e fundit Barcelona pati një situatë të vështirë financiare.

    “Kemi pasur një situatë këto dy vitet e fundit ku duhet të jemi të zgjuar me lojtarët që nënshkruajmë. Nuk mund të shpenzojmë miliarda. Lojtarët tanë po përparojnë. Të rinjtë tanë po zhvillohen dhe ne kemi besim tek ata.”

    Përndryshe tekniku gjerman ka folur edhe për transferimin e Joao Cancelos,duke thënë se portugezi mund të luaj edhe si mbrojtës krahu,por në fund thotë se pret që marrëveshja të përfundojë.

    Kujtojmë që Barcelona luan ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Mbretit kundër Athletic Bilbaos,ku synon të siguroj kalimin në finalen e cila zhvillohet në King Abdullah Sports City Stadium në Jeddah.

  • Numërohen 90% e votave me kusht, kjo është renditja e partive politike

    Numërohen 90% e votave me kusht, kjo është renditja e partive politike

    Komisioni Qendror Zgjedhor po vazhdon me numërimin e votave me kusht të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

    Derisa janë numëruar 90% e votave, Lëvizja Vetëvendosje prin me 50.31% apo 3 mijë e 997 vota, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.20% apo 1605 vota.

    E treta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.51% apo 835 vota.

    Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga votat me kusht ka marrë 5.855 apo 465 vota.

    Bazuar nw dinamiken e numërimit të votave që po ndodh në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, sonte pritet që të përfundoj edhe numërimi i votave me kusht.

  • Samiti i “Koalicionit të Vullnetmirëve” për Ukrainën në Paris, Rama pritet nga Macron në Pallatin Élysée

    Samiti i “Koalicionit të Vullnetmirëve” për Ukrainën në Paris, Rama pritet nga Macron në Pallatin Élysée

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pritur nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée, pak para nisjes së samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën.

    Bashkë me liderë të tjerë të evropianë dhe përfaqësues nga SHBA, Rama do të jetë i pranishëm në diskutimet që do të mbahet ditën e sotme në Paris.

    Në samitin do të marrin pjesë i dërguar special amerikan, Steve Witkoff dhe këshilltari i Trump, Jared Kushner.

    Udhëheqësit e 35 shteteve do diskutojnë mbi garancinë e sigurisë për Ukrainën dhe Kievi është entuziast për të siguruar angazhime konkrete në rast se Rusia sulmon sërish.

  • Sveçla lajmërohet nga Malisheva: Situata është stabile, ekipet po ia dalin me sukses

    Sveçla lajmërohet nga Malisheva: Situata është stabile, ekipet po ia dalin me sukses

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video nga Mirusha e Malishevës.

    Ai tha se gjendja është stabile.

    “Momentalisht gjendemi në fshatin Mirushë të Malishevës, ku po bëjmë inspektimin lidhur me situatën pas vërshimeve këtu por edhe gjithandej Republikës së Kosovës. Situata është stabile e përkundër vështirësive ekipet e ngarkuara për të menaxhuar situatën po ia dalin me sukses”, tha ai.

    Sveçla shkroi se institucionet janë të angazhuara në të gjitha zonat e prekura, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe ofrimit të ndihmës së nevojshme për qytetarët.

    “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për çdo rast nevoje.”

    Sveçla ka publikuar edhe numrat emergjentë:

    112 – Qendra e thirrjeve emergjente;

    192 – Policia e Kosovës;

    193 – Zjarrfikësit;

    194 – Ndihma e shpejtë.