ATV

Blog

  • Tensionet për Grenlandën: Shtëpia e Bardhë nuk përjashton veprimin ushtarak

    Tensionet për Grenlandën: Shtëpia e Bardhë nuk përjashton veprimin ushtarak

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka diskutuar “një gamë opsionesh” për të përvetësuar Grenlandën, përfshirë përdorimin e ushtrisë, tha Shtëpia e Bardhë.

    Shtëpia e Bardhë i tha BBC-së se përvetësimi i Grenlandës – një rajon gjysmë-autonom i një vendi aleat të NATO-s, Danimarkës – ishte një “prioritet i sigurisë kombëtare”.

    Deklarata erdhi disa orë pasi liderët evropianë nxorën një deklaratë të përbashkët duke mbështetur Danimarkën, e cila ka kundërshtuar ambiciet e Trumpit për ishullin Arktik.

    Trump përsëriti gjatë fundjavës se SHBA “kishte nevojë” për Grenlandën për arsye sigurie, duke nxitur kryeministren daneze Mette Frederiksen të paralajmërojë se çdo sulm nga SHBA do të shënonte fundin e NATO-s.

    Shtëpia e Bardhë tha të martën: “Presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një gamë opsionesh për të ndjekur këtë objektiv të rëndësishëm të politikës së jashtme, dhe sigurisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të Komandantit të Përgjithshëm.”

    NATO është një aleancë ushtarake transatlantike ku aleatët pritet të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast sulmesh të jashtme.

    Të martën, gjashtë aleatë evropianë shprehën mbështetje për Danimarkën.

    “Grenlanda i përket popullit të saj, dhe vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të vendosin për çështje që lidhen me marrëdhëniet e tyre,” thanë në një deklaratë të përbashkët liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës dhe Danimarkës.

    Duke theksuar se janë po aq të interesuar sa SHBA për sigurinë në Arktik, nënshkruesit evropianë të deklaratës së përbashkët thanë se kjo duhet të arrihet nga aleatët e NATO-s, përfshirë SHBA-në, “kolektivisht”.

    Ata gjithashtu bënë thirrje për “respektimin e parimeve të Kartës së OKB-së, përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve”.

  • Vazhdon numërimi i pjesës së dytë të votave me postë, rezultatet nga përditësimi i fundit i KQZ-së

    Vazhdon numërimi i pjesës së dytë të votave me postë, rezultatet nga përditësimi i fundit i KQZ-së

    Ka ngelur vetëm një pjesë e votave me postë për t’u numëruar që të përfundojë procesi i numërimit të votave të 28 dhjetorit.

    Në QNR ka vazhduar numërimi i pjesë së dytë të votave me postë. Bëhet fjalë për fletëvotimet nga votimi përmes postës të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë Kosovës.

    Sipas përditësimit ët fundit të KQZ-së, deri më tani janë procesuar 86,84% prej tyre.

    Nga rezultatet aktuale, Vetëvendosje prin me 72.97% apo 21,103 vota, pasuar nga LDK me 9.86% apo 2,852 vota, PDK me 9.33% apo 2,699 vota dhe AAK me 3.82%1, apo 104 vota.

  • Reshjet e shiut vazhdojnë edhe sot, në mbrëmje borë

    Reshjet e shiut vazhdojnë edhe sot, në mbrëmje borë

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot plotësisht i vranët dhe me reshje të shpeshta shiu. Në mëngjes dhe paradite ende do të jemi nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore, por cikloni nga Italia do të zhvendoset në lindje të Evropës dhe si pasojë do ti hapet rrugë masave të ftohta polare që të vinë në viset tona.

    Gjatë ditës ose pasdite priten reshje lokale shiu, vende-vende intensive me mundësi edhe për rrebeshe të fuqishme lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Pasdite vonë do të fillojnë të fryjnë erëra nga veriu së pari në veri dhe verilindje të vendit (në mesditë) me ulje të ndjeshme të temperaturave. Shiu mund të ngrihet në tokë fillimisht, pastaj do të shndërrohet në reshje bore me depërtimin e frontit të ftohtë polar. Më vonë reshje bore pritet të përfshijnë të gjithë vendit dhe do të krijohen edhe shtresa të shpejta në shumë rajone.

    Temperatura maksimale deri në 12 gradë Celsius, pastaj në mbrëmje ulje e tyre në të gjithë vendin me erëra të ftohta veriore.

    Në Shqipëri po ashtu nesër pritet të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu e rrebeshe intensive. Fillimisht gjatë dites priten reshje të lokalizuara, kurse në mbrëmje në tërë vendin reshje të dendura dhe rrebeshe lokalisht intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë. Vonë në mbrëmje në veri, lindje dhe juglindje të vendit do të fillojnë reshje bore, filimisht në viset kodrinore-malore, pastaj edhe në viset e ulëta.

    Reshje të fuqishme të mërkurën priten edhe në Mal të Zi, në jug shi e në veri borë.

    Rrebeshe shiu pasdite do të përfshijnë edhe pjesën më të madhe të Maqedonisë së Veriut e gjatë natës dhe mëngjesin e së Enjtes vende-vende edhe reshje bore.

    Të enjten na pret ditë e vërtetë dimërore në Kosovë herë pas here me reshje bore dhe temperatura polare. Priten shtresa bore por jo sikurse në vendet e rajonit në Ballkanin verior.

    Reshjet vazhdojnë edhe të Enjten edhe në Shqipëri. Në perëndim shi, kurse në lindje borë. Në shumë pjesë të vendit në veri, lindje, dhe juglindje do të krijohen shtresa madje edhe në ultësira, vende-vende edhe në pjesët qendrore në Shqipëri.

    Në mbrëmje vonë kthjellim i motit në gati tërë rajonin dhe mëngjesi i së Premtes do të jetë me acar.

    Të premten shtim gradual i vranësirave dhe pasdite vonë dhe në mbrëmje reshje të reja lokale do të përfshijnë vendet tona diku shi e diku borë.

    Fundjava vjen me ciklon dhe front të ri dhe reshje të reja të përziera, pastaj edhe reshje bore./MeteoBallkan

  • Shtyhet për 12 janar fillimi i mësimit në gjithë Kosovën, shkak vërshimet

    Shtyhet për 12 janar fillimi i mësimit në gjithë Kosovën, shkak vërshimet

    Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se fillimi i procesit mësimor shtyhet deri më 12 janar, shkaku i vërshimeve në vend.

    Nagavci ka deklaruar se orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

    “Si pasojë e vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave, si dhe e qarkullimit të vështirësuar për shkak të reshjeve të vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim duke shkaktuar vërshime lokale, vështirësi në komunikacion, probleme në sistemet e kanalizimit dhe pengesa në trafik, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë në nivel vendi, përkatësisht më 8 dhe 9 janar”, ka shkruar Nagavci.

    Ajo ka deklaruar se MAShTI është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur.

    “Për këtë arsye, procesi mësimor do të fillojë gjatë javës së ardhshme, ndërkohë që orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Ministria falënderon prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke ritheksuar se siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioritet kryesor”, thuhet në postim.

  • I mituri nga Shqipëria zhduket në Kosovë, dyshohet se po lëviz me veturën që ia mori babait

    I mituri nga Shqipëria zhduket në Kosovë, dyshohet se po lëviz me veturën që ia mori babait

    Policia e Shtetit ka nisur një operacion kërkimi për gjetjen e një 14-vjeçari nga Hasi, i cili është larguar nga shtëpia me automjetin e babait të tij pa leje. Ngjarja është denoncuar zyrtarisht më datë 5 janar 2026 nga familjarët e të miturit.

    Sipas kallëzimit të bërë në Komisariatin e Policisë Has, i mituri i identifikuar me emrin Mariglen, ka marrë mjetin në pronësi të babait të tij, shtetasit Dirtan Dauti, dhe është drejtuar drejt kufirit me Kosovën.

    Gjurmët e para të 14-vjeçarit janë konstatuar në territorin e Kosovës. Raportohet se i mituri ka ndaluar në një pikë karburanti (“Petrol”) në dalje të qytetit të Pejës, në drejtim të Prishtinës, ku ka furnizuar mjetin me benzinë në vlerën e 79 eurove.

    Babai i të miturit u ka bërë apel publik dhe zyrtar strukturave të Policisë në Shqipëri dhe Kosovë për të mundësuar ndalimin dhe kthimin e sigurt të djalit në shtëpi.

    Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë bërë shpalljen në kërkim të 14-vjeçarit dhe po vijojnë kontrollet për gjetjen e tij.

    Materialet proceduriale janë dërguar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.

  • 7 shkaqet kryesore pse zgjohesh me dhimbje koke çdo ditë

    7 shkaqet kryesore pse zgjohesh me dhimbje koke çdo ditë

    Zgjimi me dhimbje koke mund të sinjalizojë një çrregullim të gjumit ose një problem tjetër shëndetësor, ndaj është e rëndësishme të identifikohen shkaktarët si gjumi i dobët, alergjitë ose depresioni.

    Sipas Health, ekzistojnë shtatë arsye kryesore pse mund të ndodhë kjo gjendje.

    Apnea e gjumit

    Një shkak i zakonshëm i dhimbjeve të kokës në mëngjes është apnea e gjumit, një gjendje ku frymëmarrja ndalet periodikisht gjatë natës. Trupi zgjohet për të rifituar frymëmarrjen pa e kuptuar. Gërhitja e fortë shpesh tregon këtë problem, por nuk është gjithmonë shenjë e apneas. Një studim gjumi mund të konfirmojë diagnozën.

    Pagjumësia

    Pagjumësia mund të pengojë një gjumë të mirë dhe të shkaktojë dhimbje koke. Simptomat përfshijnë vështirësi për të rënë në gjumë, zgjim i hershëm, gjumë të shkurtër dhe lodhje gjatë ditës.

    Kërcitja e dhëmbëve (bruksizmi)

    Kërcitja e dhëmbëve gjatë natës mund të shkaktojë dhimbje në muskujt e nofullës ose në nyjen temporomandibulare (TMJ), që mund të çojë në dhimbje koke. Simptoma të tjera janë dhimbje të veshëve, ndjeshmëri e muskujve ose dhimbje në dhëmbë. Një dentist mund të zbulojë problemin.

    Alergjitë

    Alergjitë ndaj marimangave të pluhurit ose të tjera mund të shkaktojnë dhimbje koke për shkak të bllokimit të sinuseve. Përdorimi i çarçafëve, jastëkëve dhe dyshekëve rezistentë ndaj alergjive dhe pastrimi i rregullt mund të ndihmojë. Mjeku mund të ofrojë mënyra të tjera lehtësimi.

    Migrena

    Migrenat zakonisht ndodhin në mëngjes, shpesh në njërën anë të kokës, me dhimbje pulsuese ose goditëse. Simptoma të tjera përfshijnë përzierje, dobësi, ndjeshmëri ndaj dritës dhe zhurmës. Disa persona përjetojnë simptoma para dhimbjes, si aura.

    Mungesa ose gjumi i tepruar

    Shumë pak ose shumë gjumë mund të shkaktojë dhimbje koke nga tensioni, ndonjëherë të ndjeshme si një “fashë që shtrëngohet” rreth kokës. Mund të përfshijë dhimbje në skalp, kokë ose qafë.

    Depresioni dhe ankthi

    Depresioni dhe ankthi mund të shkaktojnë dhimbje koke nga tensioni, veçanërisht në mëngjes para aktiviteteve stresuese. Në këto raste, është e rëndësishme të konsultoheni me një profesionist shëndetësor për vlerësimin e gjendjes së shëndetit mendor.

  • Kosova pajiset me sisteme raketore anti-tank OMTAS

    Kosova pajiset me sisteme raketore anti-tank OMTAS

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se sot është pranuar dërgesa e radhës e sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të cilat janë kontraktuar me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.

    Në një postim në Facebook, Maqedonci ka theksuar se OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i zhvilluar për neutralizimin e mjeteve të blinduara moderne, përfshirë tanke me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikata mbrojtëse ushtarake.

    Ai ka sqaruar se rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për ushtrinë e Kosovës ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të kërcënimit.

    “Rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank për ushtrinë tonë ka për qëllim mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit, terreneve dhe skenarëve të kërcënimit, duke rritur fleksibilitetin operacional”, ka shkruar Maqedonci.

  • Federico Chiesa mund të mbetet tek Liverpool deri në fund të sezonit

    Federico Chiesa mund të mbetet tek Liverpool deri në fund të sezonit

    Ylli italian Federico Chiesa nuk do të largohet nga gjiganti anglez Liverpool,të paktën jo në afatin kalimtar të janarit.

    Mediumet Sky Sports dhe Tuttomercato bëjnë të ditur se Chiesa do të mbetet në Anfield,dhe se mundësia për një rikthim në Serie A është mbyllur.

    Përndryshe dy klubet italiane Napoli dhe Juventus kanë hyrë garës për të siguruar shërbimet e Chiesas,i cili nuk po gjen minutazhë të mjaftueshme tek skuadra e Arne Slot.

    Megjithatë tek Liverpool italiani konsiderohet si pjesë e planeve në këtë sezon,teksa dy gjigantët e Serie A duhet të presin deri në verë në rast se Chiesa vendos të largohet.

    Kujtojmë që Federico Chiesa në 20 ndeshje ka shënuar vetëm 2 gola e dhuroi 1 asistim për Liverpool-in në të gjitha garat.

  • Juniku dhe Malisheva shpallin gjendje të jashtëzakonshme për shkak të vërshimeve

    Juniku dhe Malisheva shpallin gjendje të jashtëzakonshme për shkak të vërshimeve

    Situata me vërshimet dhe përmbytjet në Kosovë po rëndohet, ndërsa disa komuna kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

    Komuna e Junikut ka njoftuar se ka formuar shtabin emergjent dhe ka vendosur masa të veçanta për qytetarët. Në një njoftim zyrtar thuhet se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet deri më 12 janar 2026.

    “I lusim qytetarët për kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare. Ditët e humbura të mësimit do të kompensohen”, thuhet në njoftim.

    Pak më parë, edhe Komuna e Malishevës shpalli gjendje të jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të territorit të saj.

    “Që nga orët e mesnatës, Komuna jonë po përballet me një situatë të rënduar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona të territorit tonë. Si Kryetar i komunës, që nga momentet e para jam në terren bashkë me ekipet emergjente të shpëtimit, strukturat komunale, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, duke monitoruar nga afër situatën dhe duke koordinuar veprimet për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve”, ka deklaruar kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati.

  • ‘Nestle’ tërheq globalisht disa produkte formulash për bebe, shkak frika nga toksinat

    ‘Nestle’ tërheq globalisht disa produkte formulash për bebe, shkak frika nga toksinat

    Brendi “Nestle”, ka tërhequr nga tregu disa nga produktet e qumështit formulë për bebe, për shkak të shqetësimeve se përmbajnë toksina që mund të shkaktojnë helmim.

    Gjigandi i ushqimit e pijeve ka bërë të ditur se specifikisht bëhet fjale për produktet SMA të qumështit formulë për bebe, që nuk janë të sigurta për t’i ushqyer bebet, ka raportuar BBC.

    Sipas “Nestle”, këto produkte janë shitur nëpër gjithë botën dhe potencialisht përmbajnë cereulide, toksinë që prodhohet nga një baktere helmuese e ushqimit, e cila mund të shkaktojë simptoma të tilla si, të vjellat dhe dhimbje stomaku.

    Kompania ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë raportim të problemeve ne lidhje me produktet, por i ka tërhequr nga tregu si masë parandalimi.

    “Siguria dhe mirëqenia e bebeve është prioritet absolut i yni. Sinqerisht kërkojmë falje për çdo shqetësim e pakënaqësi që u shkaktuar prindërve, kujdestarëve dhe klientëve”, thuhet në deklaratën e “Nestle”.

    Kompania ka konfirmuar për BBC-në se tërheqja e produkteve si masë parandaluese është bërë në mbarë botën. Produktet e prekura janë shitur në disa shtete evropiane, si Franca, Gjermania, Austria, Danimarka, Italia dhe Suedia.

    “Nestle” ka premtuar rimbursim të mjeteve për klientët e prekur nga kjo çështje dhe ka deklaruar gjithashtu se problemi është shkaktuar nga një përbërës që sigurohet nga furnitorët.

    Përfaqësuesit e selisë së “Nestles” në Francë, kanë deklaruar gjithashtu se kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për tërheqjen e produkteve të caktuara  nga tregu si masë parandalimi, përfshirë formulat “Guigoz” dhe “Nidal”.

    Në Gjermani, këto formula quhen “Beba” dhe “Alfamino”.