ATV

Blog

  • Drenasi përballet me borë dhe vërshime, komuna jep detaje për gjendjen e rrugëve

    Drenasi përballet me borë dhe vërshime, komuna jep detaje për gjendjen e rrugëve

    Komuna e Drenasit ka njoftuar se pas reshjeve të borës, kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore ka nisur punën që në orët e hershme të mëngjesit për pastrimin e rrugëve dhe sigurimin e qarkullimit normal.

    Sipas njoftimit zyrtar, ekipet komunale janë të angazhuara në terren dhe po punojnë intensivisht në pastrimin e borës në rrugët kryesore dhe dytësore të komunës.

    “Ekipet janë në terren dhe po punojnë intensivisht për pastrimin e borës dhe sigurimin e qarkullimit normal në rrugët kryesore dhe dytësore”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

    Nga komuna u është bërë thirrje vozitësve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të jenë të pajisur me pajisje dimërore, duke kërkuar kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

    “Vozitësit obligohen t’i kenë pajisjet dimërore dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes”, thekson njoftimi.

    Aktualisht, sipas komunës, shumica e rrugëve janë të kalueshme. Megjithatë, dy segmente rrugore vazhdojnë të mbeten të bllokuara.

    “Të gjitha rrugët janë të kalueshme, përveç rrugës për tek Guri i Plakës, në fshatin Çikatovë e Vjetër, si dhe rrugës për tek Kroi i Mbretit, në lagjen Bucolli, të cilat janë të pakalueshme si pasojë e reshjeve të shiut”, njofton Komuna e Drenasit.

    Nga komuna kanë falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe kanë bërë të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht.

  • Aksioni i gjerë i Prokurorisë, Byroja Kosovare e Sigurimit: Është iniciuar nga vetë BKS-ja, pas raportit të Auditimit të Brendshëm

    Aksioni i gjerë i Prokurorisë, Byroja Kosovare e Sigurimit: Është iniciuar nga vetë BKS-ja, pas raportit të Auditimit të Brendshëm

    Prokuroria Themelore e Prizrenit sot në orët e mëngjesit ka zhvilluar një aksion të gjerë në disa qytete, ndërsa objekt i bastisjeve janë pronat e ish-zyrtarëve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

    E lidhur me këto bastisje ka reaguar vetë Byroja Kosovare e Sigurimeve.

    BKS thekson se kjo është iniciuar vetë nga ta, në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.

    Lexoni të plotë reagimin e BKS:

    Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) njofton opinionin publik se rasti i fundit, i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe për të cilin janë raportuar bastisje dhe veprime hetimore, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.

    Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë.

    Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.

    Theksojmë se BKS mbetet e përkushtuar në forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, parandalimin e keqpërdorimeve dhe garantimin e menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve financiare, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.

    Byroja Kosovare e Sigurimeve rithekson se respekton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe beson se organet e drejtësisë do ta zbardhin plotësisht këtë rast, duke vepruar në përputhje me ligjin.

    Për çdo zhvillim të mëtejmë, opinioni publik do të njoftohet në kohë përmes kanaleve zyrtare të Byrosë.

    Byroja Kosovare e Sigurimeve shpreh falënderim dhe vlerësim të veçantë për Prokuroritë kompetente dhe Policinë e Kosovës, për angazhimin profesional, veprimet e shpejta dhe bashkëpunimin korrekt institucional në trajtimin e këtij rasti. Ky bashkëpunim dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e keqpërdorimeve dhe mbrojtjen e interesit publik.

  • Ministri i Brendshëm i Venezuelës thotë se 100 persona kanë vdekur në sulmin amerikan

    Ministri i Brendshëm i Venezuelës thotë se 100 persona kanë vdekur në sulmin amerikan

    Ministri i Brendshëm i Venezuelës, Diosdado Cabello, tha vonë të mërkurën se 100 persona vdiqën në sulmin e SHBA-së, i cili rrëzoi presidentin Nicolas Maduro nga pushteti të shtunën.

    Karakasi nuk ka dhënë më parë një numër të të vrarëve, por ushtria ka publikuar një listë me 23 emra të të vdekurve të saj, transmeton Telegrafi.

    Zyrtarët venezuelas kanë thënë se një pjesë e madhe e kontingjentit të sigurisë së Maduros u vra “me gjakftohtësi”, dhe Kuba ka thënë se 32 anëtarë të shërbimeve të saj ushtarake dhe të inteligjencës në Venezuelë u vranë.

    Gruaja e Maduros, Cilia Flores, e ndaluar së bashku me të, pësoi një dëmtim në kokë gjatë bastisjes amerikane, tha Cabello, dhe Maduro një dëmtim në këmbë.

    Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, të cilën Cabello e vlerësoi gjatë emisionit të tij javor në televizionin shtetëror si “të guximshme”, shpalli të martën një javë zie për anëtarët e ushtrisë të vrarë në bastisje.

  • Katër vdekje të dyshimta në katër qytete, Policia nis hetimet

    Katër vdekje të dyshimta në katër qytete, Policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se katër vdekje kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit në Prizren, Suharekë, Gjakovë dhe në Mitrovicën e Jugut.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, në Prizren dyshohet se një burrë është gjetur pa shenja jete.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës teksa me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

    Ndërkohë, bëhet e ditur se në Suharekë një grua raportohet se është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për tretman mjekësor pas problemeve shëndetësore.

    Sipas raportit policor, viktimës i është keqësuar gjendja dhe më pas ka vdekur, bën të ditur raporti 24-orësh i Policisë.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    Në Gjakovë raportohet se një grua është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

    Ndërkaq në Mitrovicë të Jugut, një grua gjithashtu është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj.

    “Raportohet se viktima femër kosovare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin policor.

  • Dashuria që tronditi botën – E vërteta e lidhjes së Elvis dhe Priscilla Presley

    Dashuria që tronditi botën – E vërteta e lidhjes së Elvis dhe Priscilla Presley

    Në pamje të parë, Elvis dhe Priscilla Presley dukeshin si një përrallë e dalë nga Hollywood-i, glamur, famë dhe vetë “Mbreti i Rock ’n’ Roll-it”. Por pas perdeve prej kadifeje të Graceland-it, historia e tyre e dashurisë ishte shumë më e ndërlikuar… dhe shumë më zemërthyese.

    Romanca e tyre filloi në vitin 1959 në Gjermani, kur Elvisi ishte 24 vjeç dhe Priscilla vetëm 14 vjeçe. Elvisi ishte tashmë një ikonë botërore dhe po shërbente në Ushtrinë Amerikane, ndërsa Priscilla ishte ende adoleshente dhe në shkollë. Hendeku i madh i moshës dhe ndryshimi i madh në përvojën e jetës krijuan një pabarazi fuqie që do ta ndiqte marrëdhënien e tyre për vite me radhë.

    E futur në botën e Elvisit, të mbushur me famë, rregulla të rrepta dhe presion të vazhdueshëm, Priscilla ka pranuar më vonë se shpesh ndihej e vetmuar dhe e kontrolluar, duke u formësuar sipas imazhit që Elvisi dëshironte.

    Ndërsa karriera e Elvisit po ngjitej gjithnjë e më lart, po aq rritej edhe distanca mes tyre. Orari i lodhshëm, “demonët” e brendshëm dhe varësia nga barnat, filluan ta gërryenin lidhjen e tyre. Priscilla, në kërkim të identitetit të saj, shpesh mbetej në pritje, emocionalisht dhe fizikisht ndërsa Elvisi luftonte me famën dhe problemet personale që vijnë me të.

    Martesa nuk solli fundin e lumtur që shumëkush shpresonte. Pavarësisht lindjes së vajzës së tyre, Lisa Marie, çarjet vetëm sa u thelluan. Intimiteti u zbeh, keqkuptimet u shtuan dhe dashuria që dikur dukej magjike, u bë e dhimbshme dhe e paarritshme.

    Në vitin 1973, ata u divorcuan, duke zgjedhur të vërtetën mbi iluzionin. Priscilla më vonë e përshkroi Elvisin si dashurinë e jetës së saj por edhe si njeriun që nuk mund ta kishte kurrë plotësisht. Kur Elvisi vdiq vetëm katër vjet më vonë, dhimbja u bë e përhershme, duke e vulosur historinë e tyre me tragjedi.

    Dashuria e tyre ishte e vërtetë. Dhimbja e tyre ishte e vërtetë. Dhe historia e tyre mbetet një nga romancat më emocionale dhe tragjike në historinë e muzikës, një kujtesë se as legjendat nuk i shpëtojnë zemërthyerjes.

  • Shpëtohen pesë familje të ngujuara nga vërshimet në lagjen “2 Korriku” në Mitrovicë

    Shpëtohen pesë familje të ngujuara nga vërshimet në lagjen “2 Korriku” në Mitrovicë

    Policia, ekipet e shpëtimit dhe emergjencat në Mitrovicë kanë shpëtuar sot në mëngjes dy familje që kanë mbetur të ngujuara për shkak të vërshimeve në lagjen “2 Korriku” në këtë qytet.

    Në ndërkohë, po vazhdon puna për shpëtimin edhe të një familjeje tjetër.

    Gjatë natës janë ndihmuar edhe dy familje tjera të cilat janë dërguar në një vend të sigurt.

    Operacionin e shpëtimit të tyre mëngjesin e sotëm e ka ndjekur nga afër edhe kryetari i komunës, Faton Peci.

  • Aksioni i Prokurorisë së Prizrenit, detaje nga operacioni i gjerë

    Aksioni i Prokurorisë së Prizrenit, detaje nga operacioni i gjerë

    Me urdhër të Prokurorisë së Prizrenit, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka nisur një operacion i gjerë policor që përfshin të gjithë territorin e Kosovës.

    Sipas raportimeve, nga ky operacion pritet që rreth 40 persona të trajtohen si të dyshuar, ka njoftuar televizioni Dukagjini.

    Objekt i bastisjeve janë pronat e ish-zyrtarëve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), ku aksioni policor ka filluar që në orët e para të mëngjesit.

    Deri më tani, është arrestuar ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, ndërsa Policia e Kosovës është në kërkim të ish-shefit të financave të kësaj ndërmarrjeje, Valon Berisha.

    Sipas Kallxo.com, dyshimet që kanë çuar në këtë operacion lidhen me manipulime të mundshme në procesin e kompensimit të dëmeve.

    Sipas një raporti të bërë publik, ekzistojnë dyshimet se në mënyrë të kundërligjshme Byroja, me përfshirjen e personave Sami Mazreku dhe Venhar Hana, kanë kompensuar palët M.L dhe N.M. Palët e përfshira në aksident, kishin parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë- dega në Istog ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimit, pas një aksidenti që kishte ndodhur në vitin 2011.

    Sipas raportit, gjykata ua kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë për kompensim të dëmit material dhe jomaterial. Byroja kishte bërë ankesë. Rasti kishte shkuar në Gjykatën e Apelit, e cila e kishte refuzuar pjesërisht si të bazuar ankesën e Byrosë dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë– dega në Istog për kompensim dëmi.

    Më datën 05.03.2019 pala paditëse ka ushtruar revizion në Gjykatën Supreme, duke atakuar vendimin e Gjykatës së Apelit. Me datën e njëjtë kur është dërguar lënda në Gjykatën Supreme, Byroja ka bërë pagesën e kompensimit në vlerë prej 65 mijë e 240 eurove, e cila ishte vendosur në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës më 14.01.2019.

    Byroja më 15.03.2019 përgatit përgjigje në revizionin e ushtruar nga paditësit kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me datën 08.04.2019 Gjykata Supreme e Kosovës, nxjerrë aktgjykim ku refuzohet si i pabazuar revizioni i paditësve i paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Aktgjykimi i Supremes e kishte bërë të plotfuqishëm vendimin Gjykatës së Apelit.

    Ndërkohë, burime të Gazetës Insajderi bëjnë të ditur se hetimet e Prokurorisë së Prizrenit kanë nisur pas raportimeve për zhdukjen e një shume prej mbi një milion eurosh nga xhirollogaritë e BKS-së, gjatë periudhës kur Mazreku ishte në krye të institucionit. Sipas këtyre burimeve, Prokuroria ka gjetur tashmë elemente të mjaftueshme për ta zgjeruar hetimin edhe më tej.

    Në këtë operacion janë angazhuar mbi 300 zyrtarë policorë nga njësitë për hetimin e krimeve ekonomike dhe financiare. Aksioni po zhvillohet në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës, Drenasit, Pejës dhe Obiliqit.

    Kujtojmë se më 19 shtator, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar një Urdhër Ndalues Përfundimtar, përmes të cilit u bllokuan dhjetëra parcela në lagjen Veternik të Prishtinës.

    Në mesin e pronarëve të përfshirë ishte edhe Sami Mazreku, ish-drejtor i BKS-së, të cilit i është bllokuar një pronë prej rreth 1,600 metrash katrorë. Në këtë rast, një pronë i është bllokuar edhe Venhar Hanës, ish-avokat i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

    Emrat e këtyre dyve, Mazrekut e Hanës, por jo vetëm të tyre, janë në një dokument që ka përpiluar Gjykata në Prishtinë, e një kopje të të cilit e ka Gazeta Insajderi.

    Bëhet fjalë për një pronë të vlefshme me miliona, që është nën hetim kohë të gjatë, por u desht shumë përpjekje që më në fund Gjyqi të e vendos nën masë bllokimi. Aty tashmë ka banesa, disa të blera nga qytetarë që mund edhe të mos e kenë ditur fare që e njëjta mund të jetë me telashe.

    Kështu, sipas aktvendimit të siguruar nga Insajderi, parcela kadastrale 1743-5, e regjistruar në emër të Mazrekut, është përfshirë në listën e pronave që gjykata ka urdhëruar të ndalohen nga shitja, bartja apo çfarëdo transaksioni tjetër. Një pjesë prej 500 m² të kësaj parcele Mazreku e kishte shitur më herët tek Venhar Hana, ndërsa 1100 m² mbeten drejtpërdrejt në emër të tij, tashmë të bllokuara nga Gjykata.

    Sipas Insajderit, në këtë çështje përmendet edhe emri i Dren Pacës, Prokuror Special, për të cilin dyshohet se ka lidhje me individë të përfshirë në afera milionëshe që aktualisht janë nën hetim, i cili shihet në fotografinë e mësipërme.

    Po ashtu kujtojmë se para se të emërohej prokuror, Dren Paca, kishte qenë i punësuar në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) në vitin 2012.

  • Ende në anën e tij – Kim Kardashian zbulon mënyrën se si ende e mbështet ish-partnerin, Kanye West

    Ende në anën e tij – Kim Kardashian zbulon mënyrën se si ende e mbështet ish-partnerin, Kanye West

    Edhe pas një ndarjeje që pushtoi titujt kryesorë anë e mbanë botës, Kim Kardashian po tregon se disa lidhje nuk këputen asnjëherë plotësisht.

    Ylli i reality show-ve dhe miliarderja e bukurisë ka habitur fansat duke zbuluar se ende e mbështet ish-bashkëshortin e saj Kanye West, pavarësisht divorcit të tyre shumë publik dhe polemikave të vazhdueshme që e rrethojnë atë. Dhe jo, nuk bëhet fjalë për takime të fshehta apo telefonata nate.

    Sipas burimeve pranë saj, Kim e ka prioritet të flasë me respekt për Kanye-n përpara katër fëmijëve të tyre, duke u siguruar që ata ta shohin babanë e tyre në një dritë pozitive. Thuhet se ajo është e vendosur të ndajë dhimbjen personale nga prindërimi, duke zgjedhur stabilitetin dhe dashurinë në vend të dramës.

    Po ashtu, Kim shihet kjart se i inkurajon fëmijët të qëndrojnë të lidhur me muzikën dhe trashëgiminë krijuese të Kanyes, duke ua kujtuar ndikimin e tij si artist, ndërkohë që i mbron nga kaosi që shpesh shoqëron emrin e tij në media.

    Fansat reaguan menjëherë, me shumë prej tyre që e lavdëruan pjekurinë dhe forcën emocionale të Kim-it, duke e quajtur këtë qasje “bashkëprindërim në nivel tjetër”. Të tjerë u habitën që ajo ende po ofron mbështetje por Kim duket se nuk ndikohet nga opinioni publik.

    Ndërsa romanca i përket së kaluarës, veprimet e Kimit tregojnë se respekti dhe familja vazhdojnë të jenë në plan të parë. Në botën e ndarjeve të famshme, kjo mund të jetë një nga lëvizjet më të papritura dhe më të pjekura deri më sot.

  • Përleshje mes dy shtetasve të Serbisë në një kafiteri në Kamenicë

    Përleshje mes dy shtetasve të Serbisë në një kafiteri në Kamenicë

    Një incident raportohet të ketë ndodhur mëngjesin e së mërkurës në një kafiteri të Kamenicës.

    Bazuar në informacionet zyrtare, një shtetas i Serbisë, kishte sulmuar fizikisht një tjetër.

    Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Ankuesi mashkull shtetas i Serbisë ka raportuar se deri sa ishte duke qëndruar në një kafiteri, ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull po ashtu shtetas i Serbisë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Një grua gjendet pa shenja jete në banesën e saj në Gjakovë, rasti nën hetime

    Një grua gjendet pa shenja jete në banesën e saj në Gjakovë, rasti nën hetime

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Gjakovë, ku një grua është gjetur pa shenja jete brenda shtëpisë së saj.

    Sipas Policisë së Kosovës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me rrethanat e rastit.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të vdekjes.

    Policia ka nisur hetimet lidhur me këtë rast, i cili për momentin po trajtohet si “Hetim i vdekjes”.