ATV

Blog

  • Ndërpritet operimi i impiantit për ujë të pijes në Mitrovicë, e pamundur shpërndarja sipas standardeve

    Ndërpritet operimi i impiantit për ujë të pijes në Mitrovicë, e pamundur shpërndarja sipas standardeve

    Si pasojë e rritjes së theksuar të nivelit të turbullirës në burimet e ujit, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar për ndërprerjen e përkohshme të operimit të Impiantit për Trajtimin e Ujit të Pijes.

    Sipas KRU “Mitrovica”, aktualisht nuk është e mundur që uji të trajtohet dhe të shpërndahet në përputhje me standardet e sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijes.

    Për këtë arsye, është marrë vendimi për ndaljen e përkohshme të operimit të impiantit.

    Nga kompania bëhet e ditur se ekipet teknike janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe se operimi do të rifillojë menjëherë sapo të normalizohet niveli i turbiditetit në burimet e ujit.

    KRU “Mitrovica” u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim, duke theksuar se kjo masë është ndërmarrë për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e konsumatorëve.

    “Këto kushte teknike e bëjnë të pamundur trajtimin dhe shpërndarjen e ujit sipas standardeve të sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijes. Ekipet tona teknike janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të rifillojnë operimin e impiantit menjëherë pas normalizimit të nivelit të turbiditetit”, thuhet në njoftim.

  • Ish-drejtuesit e Byros Kosovare të Sigurimeve në mesin e të arrestuarve në aksionin e Prokurorisë së Prizrenit

    Ish-drejtuesit e Byros Kosovare të Sigurimeve në mesin e të arrestuarve në aksionin e Prokurorisë së Prizrenit

    Në mesin e të arrestuarve në aksionin e së enjtes që po zhvillohet nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave në BSK, Valon Berisha.

    Ky aksion po zhvillohet në disa qytete të Kosovës dhe deri tani janë arrestuar disa persona në regjionet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilan, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në terren për këtë aksion janë nëntë prokurorë.

    Burimet të “Betimi për Drejtësi” kanë bërë me dije se aksioni është duke u zhvilluar lidhur me kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe falsifikim të dokumentit”.

  • Komuna e Fushë Kosovës shpërndan ndihma për familjet në nevojë në zonat e prekura

    Komuna e Fushë Kosovës shpërndan ndihma për familjet në nevojë në zonat e prekura

    Komuna e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Fushë Kosovës, ka siguruar 65 pako ushqimore, ujë dhe batanije për familjet në nevojë, si pjesë e përpjekjeve për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga situata e krijuar pas reshjeve të shiut.

    “Komuna e Fushë Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Fushë Kosovës, ka arritur të sigurojë 65 pako ushqimore, ujë dhe batanije për familjet në nevojë”, thuhet në njoftimin e komunës.

    Sipas këtij njoftimi, shpërndarja e ndihmave po vazhdon në fshatrat Graboc i Poshtëm, Pomozotin, Henc dhe Miradi e Epërme.

    Komuna ka falënderuar të gjithë kontribuuesit për angazhimin humanitar, duke theksuar se “ky është një angazhim i përbashkët humanitar, në shërbim të qytetarëve”.

    Po ashtu, autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që paraqet rrezik për sigurinë publike.

    “Institucionet e Komunës së Fushë Kosovës janë në gatishmëri të plotë për monitorim dhe ndërhyrje sipas nevojës”, theksohet më tej, duke shtuar se komuna mbetet e përkushtuar që përmes veprimeve konkrete dhe reagimit të shpejtë institucional të jetë pranë qytetarëve në këtë situatë emergjente.

  • Mbi 40 persona cak i aksionit të Prokurorisë së Prizrenit, raportohet për arrestime

    Mbi 40 persona cak i aksionit të Prokurorisë së Prizrenit, raportohet për arrestime

    Njësia e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, është duke zhvilluar një aksion të gjerë policor në disa qytete të Kosovës.

    Siç raporton “Betimi për Drejtësi” se vlera e dëmit të shkaktuar nga ky rast dyshohet të jetë mbi 1 milion euro, ndërsa cak i aksionit janë mbi 40 persona. Sipas të njëjtit raportim, viktimë e veprimeve të dyshuara penale është një organizatë.

    Në mesin e personave të arrestuar deri më tani raportohet të jetë janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), si dhe Valon Berisha, ish-drejtor i Financave në BKS.

    Aksioni është duke u zhvilluar në disa rajone të vendit, përfshirë Prizrenin, Prishtinën, Pejën, Gjilanin, Ferizajn, Mitrovicën dhe Gjakovën, ndërsa deri më tani janë ndaluar disa persona.

    Për realizimin e këtij operacioni, në terren janë angazhuar nëntë prokurorë të Prokurorisë Themelore në Prizren, të cilët po e udhëheqin aksionin në koordinim me Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës.

    Aksioni lidhet me dyshimet për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” si dhe “falsifikim të dokumenteve”.

    Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe priten detaje të tjera nga organet e drejtësisë në orët në vijim.

  • Nga sot ulje e temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat

    Nga sot ulje e temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se nga dita e enjte do të ketë ndryshim të theksuar të kushteve meteroligjike, ulje të temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat.

    IHK-ja ka njoftuar gjithashtu se temperaturat minimale do të shënojnë ulje të theksuar, duke zbritur nën vlerat zero gradë celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton gjithashtu se gjatë orëve të para të ditës së enjte, reshjet ekzistuese të shiut pritet të kalojnë gradualisht në reshje bore.

    “Pas reshjeve të dendura të shiut që gjatë tri ditëve të fundit kanë përfshirë kryesisht territorin e Rrafshit të Dukagjinit dhe në intensitet disi më të ulët edhe Rrafshin e Kosovës, gjatë natës së sontme pritet një ndryshim gradual i kushteve meteorologjike në vend. Sipas analizave sinoptike dhe vëzhgimeve aktuale meteorologjike, presioni atmosferik do të vazhdojë trendin e rënies, duke sinjalizuar afrimin dhe kalimin e një sistemi frontal aktiv mbi rajonin tonë”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se kjo do të krijojë kushte të favorshme për formimin e ngricave në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë. Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor.

  • KB Prishtina njofton gjendjen e lojtarëve: Azemi jashtë për 3 javë, Kakruki rikthehet gradualisht

    KB Prishtina njofton gjendjen e lojtarëve: Azemi jashtë për 3 javë, Kakruki rikthehet gradualisht

    KB Prishtina ka bërë të ditur për tifozët gjendjen e fundit të dy prej lojtarëve të saj kryesorë.

    Arian Azemi ka pësuar një lëndim në gju dhe do të mungojë të paktën për tre javët e ardhshme. Stafi mjekësor i klubit po monitoron vazhdimisht gjendjen e tij dhe rikuperimi do të përcaktojë datën e rikthimit në fushë.

    Nga ana tjetër, Valmir Kakruki është rikthyer në stërvitje, por ende nuk është në gjendje të luajë në ndeshje. Lojtari do të jetë i gatshëm vetëm pasi ritmi i stërvitjes dhe gjendja fizike të jenë të përshtatshme, sipas vlerësimit të stafit teknik dhe mjekësor.

    KB Prishtina thekson se shëndeti i lojtarëve mbetet prioritet dhe rikthimi i tyre do të bëhet vetëm kur ata të jenë plotësisht të gatshëm për të kontribuar në fushë.

  • KB Prishtina forcohet me amerikanin Kahlil Dukes

    KB Prishtina forcohet me amerikanin Kahlil Dukes

    Superliga e Kosovës në basketboll vazhdon të tërheqë lojtarë të huaj, ndërsa klubet vendase synojnë përforcime strategjike për të rritur konkurrencën dhe nivelin e kampionatit.

    Në këtë kuadër, KB Prishtina ka njoftuar nënshkrimin e kontratës me amerikanin Kahlil Dukes, një lojtar 30-vjeçar me gjatësi 1.82 metra, i cili vjen nga klubi hungarez Atomeromu.

    Dukes pritet të sjellë përvojë dhe cilësi në mesfushën e skuadrës, duke forcuar rolin e Prishtinës në garat vendase dhe atë ndërkombëtare. Ky transferim reflekton strategjinë e klubit për të ndërtuar një ekip konkurrues dhe të balancuar, i cili mund të rivalizojë për titujt kryesorë në Superligë.

  • Arbin Rushiti rikthehet te Vëllaznimi i Gjakovës pas aventurës në Maqedoninë e Veriut

    Arbin Rushiti rikthehet te Vëllaznimi i Gjakovës pas aventurës në Maqedoninë e Veriut

    KB Vëllaznimi i Gjakovës ka njoftuar rikthimin e basketbollistit Arbin Rushiti, pas një sezoni të suksesshëm me ekipin maqedonas “Çair 2030”.

    Rushiti, basketbollisti nga Shkupi, ka lënë gjurmë në Superligën e Maqedonisë së Veriut, ku ishte pjesë bazike e skuadrës. Gjatë sezonit, ai regjistroi mesatare prej 8.5 pikëve, 5.1 asistimeve dhe 3 kërcimeve për ndeshje, duke treguar konsistencë dhe profesionalizëm në fushë.

    “Arbin Rushiti rikthehet në shtëpi! Djaloshi nga Shkupi rikthehet në folenë Kuq e Zi. Ai nuk ka nevojë për prezantim, pasi më parë ishte një nga figurat kryesore të ekipit, i njohur për angazhimin dhe përkushtimin e tij për ngjyrat e shenjta të Vëllaznimit”, njofton klubi përmes një komunikate zyrtare.

    Rikthimi i Rushitit konsiderohet një forcim i madh për Vëllaznimin, i cili synon të jetë konkurrues dhe në krye të Superligës së Kosovës në basketboll. Klubi shpreson se përvoja dhe stabiliteti i tij do të japin një shtysë të re për skuadrën në sezonin e ardhshëm.

  • Kupa e Mbretit 2026, Barcelona dhe Real Madridi zbulojnë kundërshtarët e 1/16-ave

    Kupa e Mbretit 2026, Barcelona dhe Real Madridi zbulojnë kundërshtarët e 1/16-ave

    Kupa e Mbretit ka hyrë në fazën ku surprizat dhe përballjet e forta nuk mungojnë, pasi në selinë e Federatës Spanjolle të Futbollit në Las Rozas u hodh shorti i raundit të 1/16-ave të finales.

    Barcelona dhe Real Madridi kanë zbuluar kundërshtarët e radhës në këtë kompeticion, në një fazë ku çdo ndeshje luhet me eliminim direkt dhe gabimet nuk falen. Skuadrat që morën pjesë në Superkupën e Spanjës gëzuan statusin e favorizuara, çka i vendosi përballë ekipeve nga kategoritë më të ulëta.

    Në përputhje me formatin aktual të turneut, ekipet elitare u shortuan ndaj klubeve të ligës së dytë që kanë mbijetuar deri në këtë fazë, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen në fushat e skuadrave më të dobëta në letër, duke u dhënë atyre avantazhin e tifozëve vendas.

    Përballjet mes skuadrave të La Ligës do të kenë si pritëse ekipin e parë të dalë nga shorti, ndërsa raundi i 1/16-ave do të luhet gjatë javës së ardhshme, të martën, të mërkurën dhe të enjten. Ndërkohë, faza çerekfinale është programuar për javën e parë të muajit shkurt, ku çdo formë favorizimi do të eliminohet.

     

    Çiftet e plota të raundit të 1/16-ave të Kupës së Mbretit janë:

    Deportivo La Coruña – Atletico Madrid

    Racing Santander – Barcelona

    Cultural Leonesa – Athletic Bilbao

    Albacete – Real Madrid

    Burgos – Valencia

    Real Betis – Elche

    Real Sociedad – Osasuna

    Alaves – Rayo Vallecano

    Kupa e Mbretit vazhdon të mbetet një nga turnetë më të paparashikueshëm në Spanjë, ku ekipet e vogla ëndërrojnë të bëjnë histori, ndërsa gjigantët synojnë të shmangin çdo befasi të pakëndshme.

  • “Kicker” vlerëson Leon Avdullahun, mes më të mirëve në Bundesligë

    “Kicker” vlerëson Leon Avdullahun, mes më të mirëve në Bundesligë

    Leon Avdullahu po konfirmon gjithnjë e më shumë se është një nga zbulimet më interesante të Bundesligës për sezonin 2025/2026. Mesfushori i TSG Hoffenheim dhe reprezentues i Kosovës është përfshirë në renditjen prestigjioze të revistës gjermane “Kicker”, e cila ka publikuar vlerësimin e lojtarëve më të spikatur të fazës vjeshtore të kampionatit.

    Në konkurrencë me emra të mëdhenj të futbollit gjerman, Avdullahu është renditur në vendin e 11-të në listën e mesfushorëve më të mirë të Bundesligës, një arritje që flet shumë për ndikimin e tij në një kampionat tepër kërkues si ai gjerman.

    “Kicker” ka veçuar veçanërisht inteligjencën taktike dhe disiplinën e 21-vjeçarit, duke theksuar aftësinë e tij për të mbyllur hapësirat dhe për të zbatuar me përpikëri detyrat mbrojtëse në skemën e Hoffenheimit. Roli i tij në balancimin e mesfushës është konsideruar thelbësor për organizimin e skuadrës.

    Avdullahu iu bashkua Hoffenheimit në verën e kaluar nga Baseli dhe u përshtat shpejt me ritmin e Bundesligës. Gjatë pjesës së parë të sezonit, ai ka regjistruar 15 paraqitje në kampionat, duke dhënë edhe një asistim, ndërsa ka qenë rregullisht pjesë e formacionit dhe një figurë e besueshme për stafin teknik.

    Paraqitjet e tij të mira nuk kanë kaluar pa u vënë re as në nivel ndërkombëtar. Mesfushori ka zhvilluar deri më tani pesë ndeshje me Kombëtaren e Kosovës, duke u konsoliduar si një nga emrat më premtues të gjeneratës së re dhe një aset i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit kosovar në arenën evropiane.

    Ky vlerësim nga “Kicker” përforcon statusin në rritje të Leon Avdullahut dhe dëshmon se talenti kosovar po fiton gjithnjë e më shumë respekt në një nga ligat më të forta të Evropës.