ATV

Blog

  • Shënohet viktima e parë nga reshjet në Durrës

    Shënohet viktima e parë nga reshjet në Durrës

    Një person është gjetur pa shenja jete, i dyshuar i mbytur, në zonën e Plepave, në qytetin e Durrësit.

    Ngjarja është regjistruar në orët e fundit, duke ngritur menjëherë alarmin e autoriteteve.

    Forca të Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.

    Deri më tani, identiteti i personit ende nuk është bërë i ditur.

    Trupi i pajetë është transportuar drejt morgut të qytetit të Durrësit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.

    Policia vijon hetimet për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje.

  • Vajza transgjinore e Elon Musk-ut bëhet fytyra e re e markës së Rihannës

    Vajza transgjinore e Elon Musk-ut bëhet fytyra e re e markës së Rihannës

    Rihanna për fushatën e saj të Ditës së Shën Valentinit për markën e saj të të brendshmeve Savage x Fenty, ka zgjedhur Vivian Wilson, vajzën 21-vjeçare transgjinore të Elon Musk-ut.

    Vivian, e cila nuk ka një marrëdhënie të ngushtë me të atin, është ylli i koleksionit të ri, të titulluar Love So Savage: Një Odë Moderne për Afërditën.

    Në njërën nga fotot e fushatës, Wilson pozon përkrah Lovie Simones dhe Emma Arlettas para statujave prej mermeri.

    Ajo mban veshur reçipetë me trëndafil dhe një minifund me dantella të njëjtë, të shoqëruar me geta të kuqe, vathë të artë dhe një buzëkuq.

    Personazhe të tjerë të famshëm në fushatë përfshijnë yjet e reality show-t Love Island, Serena Page dhe Kordell Beckham, si edhe influencueset Hayley dhe Jules LeBlanc.

  • Gjergj Dedaj: Blerja e votave kudo në demokracitë e konsoliduar është krim

    Gjergj Dedaj: Blerja e votave kudo në demokracitë e konsoliduar është krim

    Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedonin e Veriut, Gjergj Dedaj, ka thënë se Kosova gradualisht po e humb epitetin e një shteti demokratik dhe perspektiven Euroatlantike sipas tij “dhe po tentohet të instalohet një dinasti moniste, një diktaturë dhe regjim populist me simptome komuniste dhe autokratike”.

    Dedaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook e ka konisderuar se blerja e votave në demokracinë e konsoliduar është krim.

    “Patrimonalizmi i familjes politike të ekstremit të majtë të LVV, respektivisht mendësia kur pushteti trajtohet si pronë familjare, ngallë ambiciet e liderve për tu sjellur si pronar të shtetit dhe Kosoven e konsiderojne si një monarki trashëgimore dhe dinasti të një partie-shtet.Blerja e votave kudo në demokracitë e konsoliduara është krim, aqë sa është krim edhe keqëpërdorimi i shtresave të varfëra sociale, pensionistëve, studentëve, nënave më fëmijë të mitur, të cilëve iu shpërndan qindra miliona euro, në fushatë dhe në prag të zgjedhjeve, e deri te keqëoërdorimi i sentimentit të diasporës së pêrçarë politikisht dhe trajtimi i Ambasadave dhe Konsullatave të Kosovës si degë partiake të LVV”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, Albini dhe Vjosa, janë të rrethuar me servil, trashëgimtar të ish pushtetit komunist, lajkatar dhe jokourrizor.

    “Sepse kjo kastë njerzish bëhen deputet, qeveritar dhe sherbëtor të dëgjueshem të shefave të tyre patrimonalist, të cilët Kosoven po e trajtojnë si kruzhok njëpartiak, dinasti të kuqe dhe pronë familjare”, ka shkruar Dedaj.

    Postimi i plotë:

  • Milionat që zhvendosën trofetë, Superkupat italiane dhe spanjolle jashtë kufijve

    Milionat që zhvendosën trofetë, Superkupat italiane dhe spanjolle jashtë kufijve

    Në futbollin modern, edhe trofetë tradicionale kanë ndryshuar adresë. Superkupa e Italisë dhe ajo e Spanjës, që dikur shënonin hapjen zyrtare të sezonit në stadiumet vendase, sot janë shndërruar në evente dimërore të zhvilluara mijëra kilometra larg Evropës, në Arabinë Saudite.

    Ndryshimi nuk është i rastësishëm, përveç aspektit sportiv, këto turne janë kthyer në produkte të fuqishme financiare, ku tregu dhe shikueshmëria globale kanë marrë përparësi ndaj traditës.

    Italia e mbylli tashmë edicionin e saj të Superkupës, ku Napoli triumfoi në një mini-turne me katër skuadra, ndërsa në Spanjë gara është ende e hapur, me Real Madridin dhe Atletico Madridin që kërkojnë kualifikimin në finale, aty ku Barcelona pret tashmë.

    Por si përfunduan këto trofe në Lindjen e Mesme?

    Superkupa italiane ka nisur “udhëtimet” jashtë vendit që në vitet ’90, duke kaluar nga Shtetet e Bashkuara në Azi dhe Afrikën e Veriut. Megjithatë, Arabia Saudite është destinacioni që ka sjellë ndryshimin më të madh, jo vetëm gjeografik, por edhe strukturor.

    Kontratat e nënshkruara me autoritetet saudite kanë diktuar jo vetëm vendin dhe kohën e zhvillimit, por edhe formatin e ri me katër ekipe, i cili garanton më shumë ndeshje, më shumë spektakël dhe mbi të gjitha, më shumë të ardhura. Fondi i çmimeve është rritur ndjeshëm, duke e bërë Superkupën italiane ndër më fitimprurëset në Evropë për klubet pjesëmarrëse.

    Në anën tjetër, Spanja ka shkuar edhe më larg. Federata Spanjolle ishte e para që adoptoi formatin me katër skuadra dhe e lidhi fort Superkupën me tregun saudit. Marrëveshja financiare është shumë e majme, por vjen me një kusht të heshtur: prania e Real Madridit dhe Barcelonës është thelbësore.

    Në fakt, suksesi ekonomik i turneut varet drejtpërdrejt nga këta dy gjigantë. Çdo mungesë e tyre sjell pasoja financiare për federatën, çka e bën Superkupën spanjolle jo vetëm një garë sportive, por edhe një projekt të ndërtuar rreth emrave më të mëdhenj të futbollit iberik.

    Deri më tani, skenari ideal për organizatorët është realizuar, çdo finale e zhvilluar në Arabinë Saudite ka pasur të paktën njërin prej dy kolosëve, duke garantuar interes maksimal dhe fitime të sigurta.

    Në fund, Superkupat e Italisë dhe Spanjës janë shembulli më i qartë se si futbolli evropian po përshtatet me realitetin e ri global, aty ku tradita, marketingu dhe miliona euro takohen në të njëjtën fushë

  • Dervishaj jep dorëheqje nga dega e PDK-së në Gjermani: Na përçanë

    Dervishaj jep dorëheqje nga dega e PDK-së në Gjermani: Na përçanë

    Kryetari i degës së PDK-së në Baden-Württemberg të Gjermanisë, Shahin Dervishaj, ka dhënë dorëheqje nga kjo degë, nën arsyetimin se ‘dega u përça nga individë të caktuar të Kryesisë së PDK-së’.Ai shkruan:

    I nderuari Kryetar i PDK-së, z. Bedri Hamza,E nderuar Kryesi e PDK-së,

    Të nderuar përkrahës të PDK-së në përgjithësi, dhe përkrahës të mi në veçanti,Në frymën e përgjegjësisë politike dhe respektit ndaj proceseve demokratike, kam vendosur që të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të PDK-së, Dega Baden-Ëürttemberg, Gjermani.
    Ky vendim nuk lidhet me ndonjë dështim personal apo institucional, por me bindjen time se rotacioni dhe qasjet e reja janë të shëndetshme për çdo organizim politik.Kryesia e PDK-së vazhdimisht ka tentuar të na fajësojë për dështimin në mërgatë. Kjo akuzë nuk qëndron. Ne kemi kontribuar me përkushtim maksimal, pa asnjë interes personal, pa përfitime dhe pa kalkulime, por vetëm nga vullneti, përgjegjësia dhe dashuria për partinë.
    Fajtori kryesor për rezultatin e dobët të zgjedhjeve në mërgatë ka qenë ndërhyrja direkte e individëve të caktuar, të cilët me veprimet e tyre kanë shkaktuar përçarje të vazhdueshme. Këto ndërhyrje kanë dëmtuar unitetin, kanë demotivuar aktivistët dhe kanë minuar punën e sinqertë të atyre që kontribuan pa interesa personale. Përgjegjësia nuk mund të bartet tek ata që punuan, por tek ata që përçanë.Gjatë kësaj periudhe, kam ushtruar detyrën me përkushtim të plotë, integritet dhe transparencë, duke punuar në interes të partisë dhe të mërgatës sonë. Dorëheqja ime është një hap i vetëdijshëm për t’i hapur rrugë fazës së radhës së organizimit politik dhe forcimit të mëtejshëm të degës.

    Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët dhe anëtarët për korrektësinë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.Me respekt,

    Kryetari i Degës së PDK në BadenWürttemberg,Gjermani,
    Shahin Dervishaj

  • Arda Guler humbet hapësirë te Reali, Arsenali gati të përfitojë

    Arda Guler humbet hapësirë te Reali, Arsenali gati të përfitojë

    Edhe pse në javët e fundit ka pasur një rënie të lehtë në minutazhin dhe ndikimin e tij në lojë, Arda Guler vazhdon të konsiderohet një element me vlerë të lartë në projektin e Real Madridit. Talentit turk nuk i mungon cilësia, ndaj situata e tij po ndiqet me vëmendje edhe nga klube të mëdha evropiane.

    Në këtë kontekst, Arsenali ka shtuar vëzhgimet, duke mbajtur në fokus zhvillimet rreth të ardhmes së 20-vjeçarit, i cili shihet si një profil ideal për filozofinë e Mikel Artetës.

    Ndërkohë, Real Madridi po përgatitet për një tjetër sfidë të madhe në Superkupën e Spanjës, turne që zhvillohet në Arabinë Saudite. “Los Blancos” do të përballen me Atletico Madridin në një derbi shumë të pritur, me objektivin për të siguruar kualifikimin në finalen e madhe.

    Paralelisht me këtë duel, vëmendja rikthehet te Arda Guler, një futbollist që e nisi sezonin në mënyrë premtuese, veçanërisht falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Kylian Mbappe, por që me kalimin e javëve ka humbur hapësirë në skemat taktike të trajnerit Xabi Alonso.

    Megjithatë, mesfushori ofensiv mbetet i vendosur për të rikthyer formën më të mirë me fanellën e Real Madridit dhe për të bindur stafin teknik për rëndësinë e tij në skuadër.

    Sa i përket së ardhmes, interesimi nga Liga Premier është konkret. Sipas raportimeve të Sports Illustrated, Arsenali, me nxitjen direkte të trajnerit Mikel Arteta, është i gatshëm të bëjë një ofertë të konsiderueshme financiare për të siguruar shërbimet e Gulerit.

    Pavarësisht kësaj, drejtuesit e Real Madridit nuk kanë ndërmend të heqin dorë lehtë nga një talent me potencial të jashtëzakonshëm dhe çdo lëvizje e mundshme pritet të kërkojë një investim të madh.

  • Votat e fundit/ Kur pritet të numërohen mbi 3 mijë vota të mërgimtarëve?

    Votat e fundit/ Kur pritet të numërohen mbi 3 mijë vota të mërgimtarëve?

    Ka përfunduar numërimi i të gjitha votave me postë që kanë arritur në Kosovë. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ka mbetur numërimi vetëm i 3185 pakove me fletëvotime, që pritet të arrijnë sot.

    Sipas rezultateteve të përmbledhura nga KQZ, LVV-ja ka arritur në 51.01%, me 57 ulëse në kuvend. Partia e dytë më e votuar është Partia Demokratike e Kosovës me 20.24 për qind, me 22 ulëse, pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.26 për qind, duke siguruar 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.50 për qind të votave, me 6 ulëse në kuvend.

    “Ende nuk janë sjellë në Kosovë edhe 3,185 pako me fletëvotime, që janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125), dhe Otavë (404)”, thuhet në njoftimin e KQZ-së, për pakot që pritet të sillen sot.

  • Skena të çuditshme në Premier League, Evertoni mbeti me tetë lojtarë ndaj Wolves

    Skena të çuditshme në Premier League, Evertoni mbeti me tetë lojtarë ndaj Wolves

    Ndeshja mes Evertonit dhe Wolverhamptonit, e përfunduar me rezultat 1-1, u shoqërua me skena të rralla dhe vendime të pazakonta të gjyqtarit, që lanë skuadrën vendase me vetëm tetë lojtarë në fushë.

    Futbollistët e Evertonit u ndëshkuan me dy kartonë të kuq, jo si pasojë e ndërhyrjeve të ashpra, por për situata të pazakonshme që rrallëherë shihen në futbollin profesionist. Madje, Jack Grealish u përjashtua nga loja pa kryer asnjë faull gjatë gjithë ndeshjes.

    Evertoni kaloi i pari në epërsi në minutën e 17-të me golin e Michael Keane ndaj ekipit që renditet në fund të tabelës, por Wolverhamptoni u rikthye në lojë në minutën e 69-të falë golit të talentit 18-vjeçar Mateus Mane.

    Momentet më kaotike të takimit erdhën në minutat e fundit. Në minutën e 83-të, Michael Keane u ndëshkua me karton të kuq direkt pasi tërhoqi për flokësh sulmuesin kundërshtar Toluwalase Arokodare, një veprim që habiti edhe vetë mbrojtësin e Evertonit.

    Menjëherë pas këtij rasti, Jack Grealish reagoi ndaj vendimit të gjyqtarit duke protestuar, çka i solli kartonin e parë të verdhë. Pak minuta më vonë, i pakënaqur me vazhdimin e arbitrimit, ai duartrokiti gjyqtarin Thomas Kirk në shenjë ironie dhe u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë, duke u përjashtuar nga loja pa kryer asnjë ndërhyrje të parregullt.

    Pavarësisht se Evertoni mbeti me tetë lojtarë në fushë, rezultati nuk ndryshoi dhe ndeshja u mbyll në barazim 1-1.

  • Alarm te FC Drenica, shiu e nxjerr jashtë funksioni stadiumin

    Alarm te FC Drenica, shiu e nxjerr jashtë funksioni stadiumin

    Klubi i Futbollit Drenica ka dalë me një apel publik për ndihmë dhe solidaritet, pasi reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar dëme të rënda në fushën e stadiumit, duke e bërë atë të papërshtatshme për zhvillimin e ndeshjeve dhe procesin stërvitor.

    Në komunikatën e klubit thuhet se gjatë muajve të fundit janë realizuar investime të mëdha në përmirësimin e infrastrukturës së stadiumit, falë angazhimit, përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme, me synimin për të krijuar kushte më të mira për futbollistët, klubin dhe gjithë komunitetin lokal.

    Por, e gjithë kjo punë është dëmtuar brenda një kohe shumë të shkurtër, pasi reshjet intensive kanë shkaktuar shkatërrime serioze në fushë, duke lënë pas pasoja të mëdha.

    FC Drenica ka publikuar edhe pamje video që dokumentojnë gjendjen e fushës para ndërhyrjeve, pas përfundimit të investimeve dhe pas dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore, duke theksuar se situata aktuale flet vetë për gjendjen alarmante.

    Klubi u është drejtuar me kërkesë zyrtare institucioneve të Republikës së Kosovës, në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe organeve të tjera relevante, duke kërkuar mbështetje të menjëhershme për rehabilitimin e stadiumit dhe rikthimin e tij në funksion të plotë.

    Sipas drejtuesve të klubit, ndihma institucionale është thelbësore për vazhdimin normal të garave kampionale, pasi në mungesë të saj ekziston rreziku real që aktiviteti sportiv i klubit të vihet në dyshim.

    Në të njëjtën kohë, FC Drenica ka bërë thirrje për bashkim dhe solidaritet edhe ndaj komunitetit sportiv, tifozëve dhe dashamirëve të futbollit, duke theksuar se klubi përfaqëson më shumë sesa një skuadër, ai është pjesë e trashëgimisë sportive, rinisë dhe identitetit të rajonit.

    “Me përkrahjen e të gjithëve, besojmë se do të arrijmë ta tejkalojmë këtë situatë dhe t’u sigurojmë futbollistëve kushtet që meritojnë. Synimi ynë është ndërtimi i një infrastrukture të qëndrueshme, në shërbim të së tashmes dhe brezave të ardhshëm”, thuhet në mesazhin e klubit.

    FC Drenica përmbyll thirrjen duke theksuar se ky apel është në funksion të ruajtjes dhe zhvillimit të sportit në Kosovë, duke rikujtuar mesazhin e fuqishëm: “Drenica është e Kosovës!”.

  • Reshjet e borës, kjo është gjendja e rrugëve që çojnë në pikëkalimet kufitare

    Reshjet e borës, kjo është gjendja e rrugëve që çojnë në pikëkalimet kufitare

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat mbi gjendjen e rrugëve që cojnë në pikëkalimet kufitare.

    Sipas përditësimit të fundit, të gjitha rrugët janë të kalueshme, përveç Mitrovicë- Bërnjak, Mitrovicë- Jarinjë, Prishtinë- Mutivodë janë të kalueshme por me vështirësi.