ATV

Blog

  • Rrëzohet minarja e xhamisë në Plluzhinë të Skenderajt nga erërat e fuqishme

    Rrëzohet minarja e xhamisë në Plluzhinë të Skenderajt nga erërat e fuqishme

    Moti i paqëndrueshëm që ka përfshirë Kosovën, ka shkaktuar edhe dëme në disa fshatra e qytete.

    Përveç rajonit të Dukagjinit ku janë raportuar më së shumti raste, edhe në Skenderaj raportohet e njëjta situatë.

    Në fshatin Plluzhinë, si pasojë e erërave të fuqishme raportohet se është rrëzuar minarja e xhamisë.

    Deri më tani nuk dihet nëse ka persona të lënduar, por reshjet e shiut po vazhdojnë.

  • Gruaja e Hysen Durmishit punësohet në ministrinë e Arben Vitisë

    Gruaja e Hysen Durmishit punësohet në ministrinë e Arben Vitisë

    Mirjeta Durmishi, bashkëshortja e Hysen Durmishit, është punësuar në Ministrinë e Shëndetësisë.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo me anë të një njoftimi në ‘Facebook’, ku tha se është punësuar si këshilltare politike e Vitisë.

    “Faleminderit kryeministër Kurti! Faleminderit ministër Vitia! Jam e nderuar, që nga sot, të jem këshilltare politike e ministrit më të suksesshëm të Qeverisë së Kosovës z. Arben Vitia”, ka thënë Durmishi.

    E njëjta ishte shfaqur kritike kohë pas kohe ndaj Qeverisë Kurti. Kur përurohej segmenti Vushtrri-Prishtinë nga Kurti e Dimal Basha, ajo ironizonte me prerjen e shiritave.

    “Vështirë është me përfundu ndërtimin e rrugës, se me pre shiritin është leht”, kishte shkruar ajo.

    Gjithsesi, në postimin e saj ajo ka falënderuar edhe Kurtin për punësim.

  • Në këtë shtet evropian thirrja për shërbimin ushtarak merret me short

    Në këtë shtet evropian thirrja për shërbimin ushtarak merret me short

    Në Mbretërinë e Danimarkës, rekrutimi për shërbimin ushtarak kryhet përmes një sistemi lotarie. Pasi mbushin moshën 18-vjeçare, burrat dhe gratë ftohen për kontroll mjekësor dhe vlerësim të aftësive fizike e psikologjike.

    Çdo kandidat që i plotëson kushtet tërheq një numër në mënyrë të rastësishme. Ata që marrin numrat më të ulët mund të thirren për shërbim ushtarak, nëse numri i nevojshëm i ushtarëve nuk plotësohet nga vullnetarët.

    Pas kontrolleve, rekrutët marrin numrat që do të hyjnë në short. Sistemi funksionon si një lotari matematikore, ku numrat e ulët nënkuptojnë gjasa më të mëdha për t’u thirrur, ndërsa numrat e lartë zakonisht përjashtojnë kandidatin nga shërbimi ushtarak.

    Në ditën e vlerësimit, të njohur si “Dita e Mbrojtjes” (Forsvarets Dag), kandidatët që kalojnë testet shëndetësore dhe psikologjike tërheqin një numër nga një tambur i posaçëm. Numrat zakonisht variojnë nga 1 deri në disa dhjetëra mijëra.

    Numrat nga 1 deri afërsisht në 8000 konsiderohen si “zona e rrezikut”, pasi Forcat e Armatosura daneze i dërgojnë fillimisht thirrjet për shërbim personave me numrat më të ulët. Megjithatë, nëse ka mjaftueshëm vullnetarë, thirren vetëm aq rekrutë sa nevojiten për të plotësuar kuotën vjetore.

    Personat që tërheqin numra të lartë marrin statusin “frinummer” (“numër i lirë”). Nëse numri i tyre është shumë mbi kufirin e nevojave të ushtrisë, gjasat për t’u thirrur në kohë paqeje janë praktikisht zero, pasi kuota plotësohet shumë më herët.

    Ky sistem synon ta bëjë procesin e rekrutimit sa më objektiv dhe të drejtë, pasi vendimi nuk varet nga vlerësime subjektive, por vetëm nga rezultati i shortit.

    Sipas planit të Ministrisë së Mbrojtjes së Danimarkës, nga viti 2033 do të trajnohen çdo vit 6.500 rekrutë, rreth 40 për qind më shumë se aktualisht. Danimarka, me rreth gjashtë milionë banorë, ka afërsisht 9000 ushtarë profesionistë. Rregullat e reja lehtësojnë gjithashtu pranimin e personave me diabet dhe ADHD, ndërsa ministri i Mbrojtjes ka kompetencë t’i dërgojë rekrutët edhe në misione jashtë vendit, nëse është e nevojshme.

    Ndër vendet skandinave, Danimarka ishte e fundit që përfshiu gratë në sistemin e detyrueshëm të rekrutimit. Norvegjia e bëri këtë në vitin 2013, ndërsa Suedia në vitin 2017.

  • Rreth 100 familje përfitojnë çdo muaj nga Dyqani i Bamirësisë në Prishtinë

    Rreth 100 familje përfitojnë çdo muaj nga Dyqani i Bamirësisë në Prishtinë

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se rreth 100 familje që janë pjesë e skemës së asistencës sociale furnizohen çdo muaj me produkte esenciale përmes Dyqanit të Bamirësisë të Kryeqytetit.

    Sipas Ramës, ky shërbim synon të lehtësojë barrën e përditshme për familjet në nevojë, ndërsa së fundmi është përfunduar edhe inventarizimi i plotë i këtij dyqani me qëllim të përmirësimit të organizimit dhe funksionimit të tij.

    “Në Dyqanin e Bamirësisë të Kryeqytetit, çdo muaj, rreth 100 familje që janë pjesë e skemës së asistencës sociale furnizohen me produkte esenciale, duke u lehtësuar barrën e përditshme”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.

    Ai ka bërë të ditur se inventarizimi i realizuar do të ndikojë në rritjen e transparencës dhe efikasitetit të këtij shërbimi.

    “Së fundmi, kemi përfunduar edhe inventarizimin e plotë të dyqanit, për ta bërë funksionimin e tij edhe më të organizuar, më transparent dhe më efikas”, ka deklaruar kryetari i Prishtinës.

    Rama ka falënderuar organizatën bamirëse Bereqeti për bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti.

    “Ky projekt u realizua në bashkëpunim me organizatën bamirëse Bereqeti, të cilën e falënderoj për partneritetin dhe përkushtimin e vazhdueshëm”, ka shkruar ai.

  • BE e shqetësuar nga vendimi i KPK-së dhe Haxhiut për prokurorët serbë: Përmbahuni nga veprime që pengojnë ri-integrimin

    BE e shqetësuar nga vendimi i KPK-së dhe Haxhiut për prokurorët serbë: Përmbahuni nga veprime që pengojnë ri-integrimin

    Bashkimi Evropian ka reaguar pas vendimeve të fundit të institucioneve të Kosovës përmes të cilave është vendosur ndërprerja e kontratave të punës të Prokurorëve të komunitetit serb, të cilët ishin larguar nga sistemi qysh në vitin 2022, shkruan Gazeta Express.

    BE thotë se sipas Kushtetutës, Kosova është një shoqëri multi-etnike e cila qeveriset nga rendi dhe ligji dhe një sistem drejtësie që duhet të reflektojë llojllojshmërinë etnike.

    “BE në vazhdimësi ka bërë thirrje që Kosova të mundësojë ri-integrimin e serbëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë në linjë me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet e Dialogut”, thuhet në reagim.

    BE ka theksuar se mirëpret tërheqjen e dorëheqjeve të bërë nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës dhe potencon se është e shqetësuar nga vendimi i KPK-së për të pranuar ato dorëheqje pasi ishin tërhequr dhe gjithashtu thonë se janë të shqetësuar edhe nga vendimi i Albulena Haxhiut si u.d e presidentit për të dekretuar dorëheqjet.

    “BE-ja mirëpret tërheqjen, më 15 korrik 2026, të dorëheqjeve të paraqitura nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb të Kosovës. BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i Presidentit në detyrë që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket e papajtueshme me ligjin, me procesin e rregullt ligjor dhe kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

    BE në fund thotë se u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të përmbahen nga veprimet që synojnë parandalimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës.

  • Pasojat e stuhisë në Istog, Ferati: Vlerësimi i dëmeve brenda 7 ditësh, qeveria t’i kompensojë fermerët

    Pasojat e stuhisë në Istog, Ferati: Vlerësimi i dëmeve brenda 7 ditësh, qeveria t’i kompensojë fermerët

    Komuna e Istogut është në mesin e vendeve që është prekur më së shumti nga stuhia e djeshme që ka goditur disa rajone të Kosovës.

    Për të parë dëmet e shkaktuara, zyrtarë komunalë dhe institucionalë gjatë së martës kanë vizituar disa prej bujqve që janë dëmtuar më së shumti.

    Me këtë rast, kryetari i Isotgut, Ilir Ferati ka thënë se menjëherë janë ndërmarrë masa për dëmet e shkaktuara dje nga reshjet e breshrit.

    Ai ka thënë se gjatë vizitave në terren, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, kanë parë nga afër pasojat që breshri kishte lënë në tokat e punuara dhe në frytin që ishte gati për vjelje, por që tashmë ishte shkatërruar pothuajse tërësisht.

    “Së bashku me komisionin komunal diskutuam për hapat e radhës drejt mbështetjes që mund t’u ofrojmë fermerëve tanë. Si rezultat, komisionet janë në terren që nga mëngjesi i sotëm dhe vlerësimi komunal i dëmeve do të përfundojë në afat rekord prej 7 ditësh kalendarike.”, ka shkruar Ferati në Facebook.

    Ai ka thënë se nga Muja ka kërkuar që urgjentisht të veprojë në drejtim të kompensimit të dëmeve, në mënyrë që fermerët të marrin mbështetjen e nevojshme sa më parë.

    “Bashkë rimëkëmbemi, sepse puna nuk ndalet asnjëherë. Falë fermerëve tanë, as fatkeqësi të tilla nuk e ndalin përkushtimin për tokën.”, ka shkruar Ferati.

  • ATK detyron 216 subjekte t’ia paguajnë kontributet pensionale të mbetura pezull punëtorëve, shuma mbi 5.4 milionë euro

    ATK detyron 216 subjekte t’ia paguajnë kontributet pensionale të mbetura pezull punëtorëve, shuma mbi 5.4 milionë euro

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës janar–qershor 2026 ka trajtuar për herë të parë kontributet pensionale të mbetura pezull për 216 subjekte, duke mundësuar kreditimin e llogarive të punëtorëve me mbi 5.4 milionë euro.

    ATK këtë e quajti “një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”.

    “Sepse çdo kontribut duhet të shkojë aty ku i takon”.

  • Paralajmërimi për stuhi, Inspektorati porosit punëdhënësit: Siguroni pajisjet, sidomos kranët në vendpunishte

    Paralajmërimi për stuhi, Inspektorati porosit punëdhënësit: Siguroni pajisjet, sidomos kranët në vendpunishte

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës pak më herët paralajmëroi për paqëndrueshmërinë e motit e vende-vende për stuhi e shi të rrëmbyeshëm.

    Për këtë arsye, Inspektorati Qendror i Punës, duke parë këtë paralajmërim, tha se u bën thirrje të gjithë punëdhënësve, e në veçanti ata që veprojnë në sektorët me rrezikshmëri të lartë, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe shëndetit në punë.

    “Punëdhënësit duhet të kryejnë kontrollin e pajisjeve dhe mjeteve të punës, ndërsa në mënyrë të veçantë, ata që operojnë në sektorin e ndërtimtarisë duhet të sigurohen për gjendjen teknike dhe qëndrueshmërinë fizike të kranëve dhe pajisjeve të tjera ngritëse në vendpunishte, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe garantimit të sigurisë së punëmarrësve”, tha Inspektorati.

    Instituti tha se gjatë orëve të mesditës dhe pasdites pritet zhvillim i vranësirave konvektive, të cilat vende-vende do të shoqërohen me reshje lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh.

  • “Konjufca president, Abdixhiku zv.kryeministër, Osmani kryekuvendare”, Selimi me parashikim për koalicion LDK-VV

    “Konjufca president, Abdixhiku zv.kryeministër, Osmani kryekuvendare”, Selimi me parashikim për koalicion LDK-VV

    Ish-ministri i Jashtëm kosovar, Petrit Selimi, ka bërë një parashikim për një koalicion të mundshëm në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Sipas Selimit, nëse LDK s’do të ndahet dhe nëse Abdixhiku do të mbijetojë në Kuvendin e jashtëzakonshëm, atëherë një koalicion LDK-VV është i mundur.

    Ai thotë se Glauk Konjufca mund të jetë kandidat për president, Osmani kryetare e Kuvendit dhe Abdixhiku zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm ose i Transportit.

    Derisa, sipas Selimit, AAK mund t ërrijë në sallë nëse Kurti e pranon projektin amerikan të gazit.

    “Ma merr menja Glauku do t’jete kandidat për president nëse LDK-ja hyn ne koalicion. Vjosa ndoshta kryetare e Kuvendit. Lumiri ZvKM & minister i jashtem (a transportit). Por kyçe eshte nese AAK rrin ne salle, gjë që varet nese Albini pranon gazpërçuesin per LNG amerikan”, ka shkruar Selimi.

    “Krejt kjo nese LDK shpeton pa ndarje ne kuvend partiak & Lumiri mbijeton. + natyrisht krejt kjo nese Albini vlereson qe s’don zgjedhje perseri. I vetmi person qe mundet me çu vendin ne zgjedhje eshte Kurti. Ca deputetëve te VV ju ka thane “bonu gati për dhjetor, kemi zgjedhje”“, ka shtuar tutje.

  • Haxhiu thotë se bashkë me kabinetin shpenzuan mbi 12 mijë euro qe kur hyri në Presidencë deri në fund të qershorit

    Haxhiu thotë se bashkë me kabinetin shpenzuan mbi 12 mijë euro qe kur hyri në Presidencë deri në fund të qershorit

    Presidenca e Kosovës ka publikuar shpenzimet e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu dhe kabinetit të saj që kur ajo hyri në zyre deri më 30 qershor.

    Shpenzimet gjatë kësaj periudhe janë gjithsej 12,421.39 euro, sipas Presidencës.

    Presidenca tha se pasqyrën e shpenzimeve zyrtare për periudhën prill–qershor 2026 e publikoi “për informim të saktë të publikut”.

    “Për të shmangur çdo paqartësi, theksojmë se këto janë shpenzimet që i përkasin periudhës nga marrja e detyrës nga u.d. Presidentja Albulena Haxhiu, më 4 prill 2026, deri më 30 qershor 2026”.

    Presidenca gjithashtu u zotua se do të japë përgjigje për “çdo medium apo palë e interesuar për të dhëna dhe sqarime shtesë”, duke publikuar kontaktin e saj: [email protected].

    “Informacioni i kërkuar drejtpërdrejt nga institucioni mundëson raportim të plotë dhe shmang krijimin e perceptimeve të pasakta përmes paraqitjes së pjesshme ose jashtë kontekstit të të dhënave”.