ATV

Blog

  • Tre persona humbën jetën në Kosovë brenda një dite, dy viktima nga aksidentet në trafik

    Tre persona humbën jetën në Kosovë brenda një dite, dy viktima nga aksidentet në trafik

    Tre persona kanë humbur jetën të martën në Kosovë, dy prej tyre vdiqën si pasojë e aksidenteve në trafik, ndërsa rasti i tretë po hetohet nga autoritetet si “hetim i vdekjes”, pasi një person u gjet pa shenja jete në komunën e Vitisë.

    Aksidenti i parë me pasojë vdekjen ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Komoran të Drenasit.

    Sipas Policisë së Kosovës, një veturë me targa vendore u përfshi në aksident, ku një grua humbi jetën.

    Si pasojë e përplasjes, lëndime trupore pësuan edhe tre persona të tjerë – një burrë dhe dy gra.

    “Fsh. Komoran, Gllogoc / 21.07.2026 – 05:30. Raportohet se ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, ku e përfshirë ka qenë një veturë me targa vendore. Si pasojë e aksidentit, një femër kosovare ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë një mashkull dhe dy femra kosovare të cilat kanë pësuar lëndime trupore. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore ne Prishtinë për Obduksion.Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raport.

    Një tjetër aksident fatal u regjistrua rreth orës 10:00 në rrugën “Besim Ndreca” në Suharekë.

    Sipas policisë, drejtuesi i një veture humbi kontrollin mbi automjetin dhe u përplas me një objekt.

    Ai pësoi lëndime vdekjeprurëse dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

    “Rr. Besim Ndreca, Suharekë / 21.07.2026 – 10:05. Është raportuar se një mashkull kosovar derisa ka qenë duke drejtuar veturën, ka humbur kontrollin mbi veturën dhe është përplasur në një objekt. Si pasojë, i njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion.Edhe në këtë rast, prokurori urdhëroi që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh.

    Ndërkohë, në Viti, rreth orës 16:30, një burrë u gjet pa shenja jete, vdekjen e së cilit e ka konstatuar mjeku kujdestar.

    “Viti/ 21.07.2026 – 16:40. Lidhur me rastin nga mjeku kujdestar është konstatuar që viktima mashkull kosovar është pa shenja jete. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion në IML-Prishtinë”, thuhet në raport.

  • Ky është çmimi i derivateve të naftës për ditën e sotme

    Ky është çmimi i derivateve të naftës për ditën e sotme

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për datën 22 korrik 2026.

    Sipas njoftimit, çmimet që hyjnë në fuqi nga ora 10:00 janë:

    Nafta (dizel): 1.67 euro-litri

    Benzina: 1.48 euro-litri

    Gazi: 0.60 euro-litri

    MINT-i njofton se qytetarët mund të paraqesin ankesat e tyre përmes adresës elektronike [email protected] ose në numrin pa pagesë 0800 11000.

  • Doli nga shtëpia më 7 korrik dhe s’u kthye më, zhduket gruaja në Fushë Kosovë

    Doli nga shtëpia më 7 korrik dhe s’u kthye më, zhduket gruaja në Fushë Kosovë

    Një grua është raportuar e zhdukur në Fushë Kosovë.

    Policia bën të ditur përmes raportit se rasti është denoncuar më 21 korrik. Ankuesit kanë bërë të ditur se viktima, një grua kosovare, kishte dalë nga shtëpia më 7 korrik, rreth orës 15:00, dhe që nga ajo ditë nuk është kthyer më.

    Policia ka iniciuar rastin dhe po vazhdon hetimet për gjetjen e saj.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për vjedhje

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për vjedhje

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Vjedhje”.

    Sipas njoftimit, Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, po kërkon informacione që do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografitë e publikuara.

    Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë ndonjë informacion të kontaktojnë në numrin 192 ose përmes emailit [email protected].

  • Bastisen dy shtëpi në Podujevë: Konfiskohen armë e municion, dy të dyshuar në kërkim

    Bastisen dy shtëpi në Podujevë: Konfiskohen armë e municion, dy të dyshuar në kërkim

    Policia e Kosovës ka konfiskuar disa armë zjarri dhe municion gjatë bastisjes së dy shtëpive në Podujevë, në kuadër të hetimeve për rastin “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

    Sipas policisë, me urdhër të prokurorit janë bastisur shtëpitë e dy të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar tri pistoleta, tre armë të gjata, 67 fishekë si dhe pjesë të ndryshme armësh.

    Policia bën të ditur se të dyshuarit ndodhen në kërkim policor, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

  • Përditësimi i fundit, kjo është gjendja në kufijtë e Kosovës

    Përditësimi i fundit, kjo është gjendja në kufijtë e Kosovës

    Qytetarët që po planifikojnë të udhëtojnë drejt ose nga Kosova mund ta bëjnë këtë pa pritje të gjata, pasi në këtë orë situata në të gjitha pikat kufitare paraqitet e qetë.

    Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në hyrje dhe dalje të vendit nuk janë raportuar kolona automjetesh, ndërsa pritjet janë minimale ose nuk ka fare pritje.

    Qarkullimi po zhvillohet normalisht në të gjitha pikat kufitare, duke u mundësuar udhëtarëve kalim të shpejtë dhe pa vështirësi.

    Megjithatë, duke pasur parasysh fluksin e shtuar të mërgimtarëve dhe sezonin e verës, situata mund të ndryshojë gjatë orëve në vijim. Zakonisht, kolonat fillojnë të krijohen në pjesën e paradites dhe gjatë mesditës, kur numri i automjeteve rritet ndjeshëm.

  • Pas Zetës e Plevlës, DNP kërkon edhe një komunë tjetër pro-serbe për deklaratë kundër Kosovës

    Pas Zetës e Plevlës, DNP kërkon edhe një komunë tjetër pro-serbe për deklaratë kundër Kosovës

    Pas Zetës dhe Plevlës, iniciativa për miratimin e deklaratave simbolike për tërheqjen e njohjes së Kosovës pritet të zgjerohet edhe në një komunë tjetër në Mal të Zi.

    Lideri i Partisë Demokratike Popullore (DNP), Milan Knezheviq, ka bërë të ditur se partia e tij së shpejti do të shpallë emrin e komunës së radhës ku do të kërkojë miratimin e një deklarate për “çnjohjen” e Kosovës, ndonëse nuk ka zbuluar ende se për cilën komunë bëhet fjalë.

    Paralajmërimi vjen pasi Kuvendi Komunal i Plevlës miratoi një deklaratë për tërheqjen e vendimit për njohjen e Kosovës, duke u bërë komuna e dytë në Mal të Zi, pas Zetës, që ndërmerr një veprim të tillë me iniciativë të DNP-së.

    Deklarata u votua nga 18 këshilltarë të pranishëm. Përfaqësuesit e Lëvizjes Evropa Tani (PES) dhe një këshilltar i pavarur u larguan nga seanca para votimit, ndërsa këshilltarët e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) nuk morën pjesë në mbledhje.

    Knezheviq e përshëndeti vendimin e Plevlës, duke e cilësuar njohjen e Kosovës si “padrejtësi historike”, ndërsa nga Uashingtoni njoftoi se DNP ka nisur një fushatë diplomatike me sloganin “Ta bëjmë Malin e Zi sërish të madh”.

    Megjithëse deklaratat e miratuara nga komunat nuk kanë asnjë efekt juridik, pasi njohja ose tërheqja e njohjes së shteteve është kompetencë ekskluzive e Qeverisë së Malit të Zi, ato po përdoren si platformë politike nga komunat ku partitë pro-serbe kanë shumicën.

    Veprimi i Plevlës shkaktoi reagime të menjëhershme në Podgoricë. Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, tha se komunat nuk kanë kompetenca për politikën e jashtme dhe se iniciativa të tilla dëmtojnë rrugën evropiane të Malit të Zi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

    Kritika erdhën edhe nga përfaqësues të DPS-së dhe SDP-së, të cilët vlerësuan se këto deklarata thellojnë ndarjet politike dhe dërgojnë mesazhe negative ndaj partnerëve evropianë të Malit të Zi.

    Pas Zetës dhe Plevlës, kërkesa për një deklaratë të ngjashme është bërë edhe në komunën e Herceg Novit, ku subjektet pro-serbe po synojnë ta vendosin çështjen e Kosovës në rendin e ditës të kuvendit komunal.

  • Ndalohen dy shtetas serbë në veri pasi kaluan ilegalisht kufirin e Kosovës

    Ndalohen dy shtetas serbë në veri pasi kaluan ilegalisht kufirin e Kosovës

    Dy shtetas serbë në dy raste të ndara në veri të vendit janë ndaluar nga policia pasi të njëjtit kanë kaluar ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë.

    Njëri rast ka ndodhur në pikën kufitare Jarinje mesditën e së martës.

    “Raportohet se është ndaluar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë, pasi që i njëjti ka kaluar ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

    Rasti tjetër ka ndodhur në fshatin Koshuticë të Leposaviqit mbrëmjen e së martës. Edhe ai është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

    “Raportohet se është ndaluar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka kaluar ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregull”, thuhet në njoftimin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

    Rastet janë iniciuar si “Kalim ilegal i kufirit”.

  • IHMK lëshon paralajmërim, stuhi të fuqishme priten të mërkurën në gjithë Kosovën

    IHMK lëshon paralajmërim, stuhi të fuqishme priten të mërkurën në gjithë Kosovën

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar një paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për të gjithë territorin e Kosovës, duke njoftuar se gjatë ditës së nesërme priten stuhi të fuqishme me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish.

    Sipas njoftimit të IHMK-së, paralajmërimi do të jetë në fuqi nga ora 00:00 deri në 23:59 (GMT+2).

    Instituti bën të ditur se zhvillimet e fuqishme konvektive mund të shkaktojnë rreziqe të konsiderueshme për qytetarët dhe infrastrukturën.

    Ndër pasojat e mundshme përmenden goditjet e rrufesë me rrezik për njerëzit dhe kafshët, dëmtimet në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike, pengesat në telekomunikacion, përmbytjet e shpejta lokale në zonat me reshje intensive, si dhe dëmtimet në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore nga breshëri dhe erërat e forta.

    Po ashtu, IHMK paralajmëron se shkarkimet atmosferike mund të rrisin edhe rrezikun për shpërthimin e zjarreve.

    Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive, të mos strehohen nën pemë të vetmuara, pranë shtyllave elektrike apo objekteve metalike, të mbrojnë automjetet dhe pronën nga breshëri dhe erërat e forta, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe rrugëve të rrëshqitshme.

  • Nesër u jepet lamtumira e fundit 69-vjeçarit dhe 10-vjeçares që humbën jetën në aksidentin në Istog

    Nesër u jepet lamtumira e fundit 69-vjeçarit dhe 10-vjeçares që humbën jetën në aksidentin në Istog

    Dy persona kanë humbur jetën pas një aksidenti në fshatin Shushicë të Istogut. Familja njofton se ceremonia e varrimit do të bëhet të mërkurën në varrezat e fshatit Pemishtë, në ora 15:00.

    Njoftimi i familjes i publikuar nga RTV Fontana:

    Me pikëllim të thellë njoftojmë miqtë, shokët dhe dashamirët se, si pasojë e aksidentit tragjik, kanë ndërruar jetë më të dashurit tanë, Ramiz Miftar Qorraj (69 vjeç) dhe Arbresha Arbër Qorraj (10 vjeçe), nga fshati Pemishtë, duke na lënë përgjithmonë të pikëlluar .

    Varrimi i të ndjerëve bëhet nesër më datë 22.07.2026 ditë (E MËRKURË), në varrezat e fshatit Pemishtë, në ora 15:00.

    Funerali niset nga shtëpia e të ndjerëve.

    Të pikëlluar përjetë mbesin mbarë familja Qorraj.