ATV

Blog

  • Zbulohet plani i vitit 2016 për vrasjen e Erdoganit

    Zbulohet plani i vitit 2016 për vrasjen e Erdoganit

    Një plan për vrasjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan gjatë tentativës së dështuar për grusht shteti në vitin 2016 është zbuluar.

    Sipas informacionit të publikuar, autorët e dyshuar kishin planifikuar ta kapnin Erdoganin në hotelin ku ai qëndronte gjatë natës së puçit, më pas ta nxirrnin jashtë Turqisë me një avion të huaj dhe ta vrisnin gjatë fluturimit, shkruajnë mediat.

    Plani, megjithatë, dështoi pasi presidenti turk ishte larguar nga hoteli pak para se grupi i atentatorëve të mbërrinte në vendngjarje.

    Tentativa për grusht shteti ndodhi më 15 korrik 2016, kur një grup ushtarakësh tentuan të merrnin kontrollin e institucioneve kryesore të Turqisë.

    Pas përplasjes mes forcave qeveritare dhe puçistëve, më shumë se 250 persona humbën jetën.

    Qeveria turke ka fajësuar rrjetin e klerikut Fethullah Gulen për organizimin e puçit, ndërsa imami tashmë i ndjerë dhe përkrahësit e tij i kanë mohuar akuzat.

    Ngjarja mbetet një nga momentet më të rëndësishme politike në historinë moderne të Turqisë.

  • Aleanca prezanton logon e re pas zgjedhjes së Kryesisë

    Aleanca prezanton logon e re pas zgjedhjes së Kryesisë

    Aleanca ka prezantuar logon e saj të re, vetëm një ditë pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, në të cilën u zgjodh Kryesia e re e partisë.

    Në mbledhjen e mbajtur të hënën, Këshilli i Përgjithshëm miratoi përbërjen e re të Kryesisë, duke përmbyllur procesin e riorganizimit të brendshëm të subjektit politik.

    Përveç zgjedhjes së Kryesisë, u funksionalizuan edhe organet e tjera drejtuese të Aleancës, ndërsa delegatët votuan edhe për miratimin e logos së re të partisë.

    Sipas Aleancës, ndryshimet e miratuara janë pjesë e procesit të reformimit dhe organizimit të strukturave të saj, me synim forcimin e funksionimit të brendshëm dhe përgatitjen për aktivitetet e ardhshme politike.

  • Mbi 1,600 zyrtarë policorë ende pa jelekë anti-plumb

    Mbi 1,600 zyrtarë policorë ende pa jelekë anti-plumb

    Ata janë gjithmonë në krye të detyrës, e në mbrotje të qytetarëve.

    Mirëpo, shumë zyrtarë të Policisë së Kosovës vazhdojnë të mos kenë pajisjet mbrojtëse në rast të rrezikimit të jetës gjatë kryerjes së detyrës

    Siç mëson Radio Dukagjini 1654 zyrtarë policorë të gjeneratës së fundit ende nuk janë pajisur me jelekët anti-plumb.

    Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, ka theksuar se katër gjeneratat e fundit të Policisë së Kosovës për shkak të tenderit nuk janë të pajisur me jelekët anti-plumb

    “Është shumë me rëndësi se edhe anti-plumbët sikurse të gjitha pajisjet tjera të uniformës edhe anti-plumbi është pjesë e pajisjeve zyrtare dhe duhet çdo zyrtar policor ta ketë atë gjatë detyrës zyrtare”, ka thënë ai.

    Ndërsa, për ekspertin e sigurisë, Hysen Gecaj, mungesa e jelekëve anti-plumb shkakton problem në zbatimin e detyrave

    “Për shkak të natyrës specifike të detyrave që ka Policia e Kosovës, secili individ në Policinë e Kosovës, mungesa e jelekëve anti-plmb është një mungesë që në fakt shkakon problem në zbatimin e detyrave, për shkak se jeta e policëve vihet në rrezik. Tani kjo përgjigjja që për shkak të tenderëve paskan mbetur katër gjenerata pa jelekët anti-plumb, duket pak deklaratë qesharake”, ka thënë Gecaj.

  • AKK: Qytetarët nuk kompensohen me fotografi, kërkojmë dëmshpërblim të menjëhershëm dhe Fond Emergjent për Komunat

    AKK: Qytetarët nuk kompensohen me fotografi, kërkojmë dëmshpërblim të menjëhershëm dhe Fond Emergjent për Komunat

    Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga institucionet qendrore që të kompensojnë menjëherë dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe të krijojnë një Fond Emergjent për Komunat, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për mbështetje konkrete dhe jo për vizita simbolike.

    Përmes një reagimi publik, Bordi i AKK-së shprehu shqetësimin e thellë për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e fundit në disa komuna të vendit.

    Sipas AKK-së, është e papranueshme që një pjesë e madhe e dëmeve nga vërshimet e vitit 2023 dhe ato të janarit 2026 ende nuk janë kompensuar.

    “Qytetarët nuk kanë nevojë për vizita dhe fotografi, por për mbështetje konkrete dhe kompensim të drejtë e të shpejtë”, thuhet në reagim.

    AKK thekson se komunat kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve dhe kanë përmbushur obligimet e tyre, ndërsa tani, sipas saj, përgjegjësia bie mbi institucionet qendrore për të vepruar pa vonesa.

    Bordi i Asociacionit ka përsëritur tri kërkesa kryesore:

    kompensimin e menjëhershëm të dëmeve nga vërshimet e vitit 2023 dhe të janarit 2026;

    ndarjen e fondeve urgjente për komunat e prekura nga vërshimet e fundit;

    themelimin e Fondit Emergjent për Komunat, si mekanizëm i përhershëm për reagim të shpejtë ndaj fatkeqësive natyrore.

    Në fund të reagimit, AKK ka bërë thirrje për veprime konkrete nga institucionet, duke theksuar se qytetarët nuk kompensohen me fotografi, por me vendime dhe mbështetje reale.

  • Tre të vdekur nga hantavirusi në Venezuelë

    Tre të vdekur nga hantavirusi në Venezuelë

    Tre persona të infektuar me hantavirus kanë vdekur në shtetin lindor Anzoátegui të Venezuelës.

    Kështu ka bërë të ditur të martën Ministria e Shëndetësisë atje.

    Autoritetet venezuelase kanë deklaruar se bëhet fjalë për raste të veçanta dhe se ato nuk paraqesin rrezik për shëndetin e komunitetit.

    “Hantavirusi transmetohet nga brejtësit në zonat rurale dhe bujqësore, kryesisht përmes thithjes së grimcave të urinës, ose pështymës në ambiente të mbyllura”, thuhet në njoftim.

    Ministria ka theksuar gjithashtu se nuk ka prova shkencore për transmetimin e virusit nga personi në person në Venezuelë.

    Sipas CDC-së, lloji i hantavirusit Andes, i përfshirë në atë shpërthim, është i vetmi lloj i njohur që mund të përhapet mes njerëzve përmes kontaktit të afërt.

  • Momenti i frikshëm në një lokal në Prizren, nga stuhia dhe erërat e forta

    Momenti i frikshëm në një lokal në Prizren, nga stuhia dhe erërat e forta

    Një moment paniku është krijuar në një lokal në Prizren, teksa stuhi e fortë ka përfshirë vendin këtë pasdite.

    Në pamjet e publikuara shihet se klientët, të frikësuar nga erërat e fuqishme, largohen me nxitim nga kafeteria.

    Stuhia ka shkaktuar vështirësi qarkullimi por edhe dëme në disa zona.

  • Reshjet e dendura, Haradinaj: Qeveria t’i dalë në ndihmë qytetarëve

    Reshjet e dendura, Haradinaj: Qeveria t’i dalë në ndihmë qytetarëve

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas stuhisë së fuqishme që ka goditur tash e dy ditë Kosovën.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka ftuar qeverinë në detyrë, që në bashkëpunim me komunat, të dalë në terren, të evidentojë dëmet e shkaktuara dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

    “Situata e krijuar pas stuhisë dhe të reshurave të rrëmbyeshme në Kosovë kërkon reagim të shpejtë institucional. Ftoj Qeverinë në detyrë që në bashkëpunim me komunat, të dalë në terren, të evidentojë dëmet e shkaktuara dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve”, ka shkruar ai.

  • Europol shkatërron rrjetin e trafikimit të emigrantëve në Ballkan, shtatë arrestime gjatë operacionit ndërkombëtar

    Europol shkatërron rrjetin e trafikimit të emigrantëve në Ballkan, shtatë arrestime gjatë operacionit ndërkombëtar

    Autoritetet e Bullgarisë, Greqisë, Holandës dhe Rumanisë kanë zhvilluar një operacion të koordinuar kundër një grupi të dyshuar kriminal të organizuar, i akuzuar për trafikimin e emigrantëve përmes Ballkanit, duke përdorur automjete me qira, të vjedhura dhe të regjistruara në mënyrë të paligjshme.

    Sipas EUROPOL, operacioni, i udhëhequr nga autoritetet greke dhe i mbështetur nga agjencia europiane e zbatimit të ligjit, kishte në shënjestër një rrjet të përbërë kryesisht nga shtetas sirianë dhe egjiptianë, i dyshuar se organizonte transportin e paligjshëm të emigrantëve nga Greqia përmes Bullgarisë dhe Rumanisë, me synim transferimin e tyre drejt Italisë.

    Aksioni u zhvillua më 16 korrik në Selanik, Athinë, Sofje, Bukuresht dhe Etten-Leur në Holandë, duke çuar në arrestimin e shtatë personave të dyshuar, pesë në Greqi, një në Bullgari dhe një në Holandë.

    Deri më tani, autoritetet kanë lidhur këtë grup me 12 raste të trafikimit të emigrantëve të regjistruara mes shkurtit dhe korrikut 2026, ndërsa katër raste të tjera të mëparshme janë ende nën hetim.

    Emigrantët e transportuar ishin kryesisht shtetas egjiptianë, irakianë dhe sirianë. Sipas hetuesve, rrjeti përdorte automjete të vogla për të zhvendosur emigrantët përmes Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, përpara se ata të transferoheshin në kamionë për pjesën e fundit të udhëtimit drejt Italisë.

    Të dyshuarit akuzohen gjithashtu se merrnin automjete me qira duke përdorur dokumente identifikimi të vërteta dhe të falsifikuara, të cilat më pas nuk i kthenin, si dhe se blinin dhe regjistronin makina në emër të personave të tretë ose kompanive fiktive.

    Sipas autoriteteve, grupi përdorte edhe automjete të vjedhura, kryesisht me origjinë nga Greqia.

    Rrjeti dyshohet se funksiononte përmes celulave të organizuara në Greqi, Bullgari dhe Rumani, ndërsa anëtarët e tij lëviznin shpesh në vendet e Ballkanit për të koordinuar rrugët e trafikimit.

    Europol ka lehtësuar shkëmbimin dhe analizimin e informacionit operacional mes autoriteteve të vendeve të përfshira. Gjatë operacionit, agjencia europiane dërgoi në Greqi një ekspert me një zyrë të lëvizshme, për të mundësuar verifikime në kohë reale në bazat e saj të të dhënave.

  • IQK ndalon punimet në 16 vendpunishte në pesë komuna të Kosovës, shkak i shkeljeve ligjore që paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e punëtorëve

    IQK ndalon punimet në 16 vendpunishte në pesë komuna të Kosovës, shkak i shkeljeve ligjore që paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e punëtorëve

    Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në 16 vendpunishte në Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Lipjan dhe Fushë Kosovë, pas inspektimeve të realizuara në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit të punës dhe sigurisë e shëndetit në punë.

    Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje të rënda ligjore që paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

    Për pasojë, është urdhëruar ndërprerja e menjëhershme e punimeve deri në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë. Inspektorati bëri të ditur se rifillimi i aktiviteteve do të lejohet vetëm pasi të verifikohet përmbushja e kërkesave ligjore dhe standardeve të sigurisë, ndërsa paralajmëroi se kontrollet intensive do të vazhdojnë në mbarë vendin.

    Njoftimi i plotë:

    Inspektorati Qendror i Punës ndalon punimet në 16 vendpunishte në Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Lipjan dhe Fushë Kosovë

    Në kuadër të inspektimeve të vazhdueshme për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe sigurisë e shëndetit në punë, Inspektorati Qendror i Punës ka realizuar kontrolle në 16 vendpunishte në komunat Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Lipjan dhe Fushë Kosovë.

    Gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Për këtë arsye, Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 16 vendpunishte, deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.

    Këto masa synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e sigurisë së punëtorëve. Rifillimi i punimeve do të lejohet vetëm pasi inspektorët të konstatojnë se janë përmbushur të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë.

    Inspektorati Qendror i Punës do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe nuk do të tolerojë asnjë shkelje që rrezikon jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

  • Kryetari i Suharekës del në terren: Stuhia e fortë shkaktoi dëmtime në qytet e fshatrat përreth, bëni kujdes

    Kryetari i Suharekës del në terren: Stuhia e fortë shkaktoi dëmtime në qytet e fshatrat përreth, bëni kujdes

    Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se stuhia e fortë që ka përfshirë zonën ka shkaktuar dëme në qytet dhe në disa fshatra përreth.

    Ai doli në terren dhe publikoi disa fotografi në Facebook, ku u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes për shkak të kushteve të motit.

    “Nga stuhia e fortë ka disa dëmtime në qytetin e Suharekës dhe fshatra me rrethinë. Apelojmë për kujdes”, shkroi ai.