ATV

Blog

  • Manchester City apelon vendimin e Premier League

    Manchester City apelon vendimin e Premier League

    Manchester City ka paraqitur zyrtarisht ankesën ndaj vendimit të një komisioni të pavarur të Premier League, i cili e gjeti klubin fajtor për shkelje të rregullave financiare gjatë një periudhe nëntëvjeçare.

    Klubi konfirmoi se ankesa u dorëzua të enjten, më 1 tetor 2026, në orën 19:00, brenda afatit të përcaktuar.

    “Qëndrimi i fortë i klubit është se vendimi përmban gabime të qarta materiale, ligjore, parimore dhe faktike”, thuhet në deklaratën e Manchester Cityt.

    Sipas Premier League, komisioni i pavarur e shpalli Manchester Cityn fajtor për shkelje të rregullave financiare në periudhën 2009/10–2017/18, si dhe për shumicën e akuzave që lidhen me bashkëpunimin me hetimin e ligës.

    Sipas gjetjeve të publikuara nga liga, çështja përfshinte kontrata komerciale që komisioni i konsideroi të manipuluara, pasqyra financiare jo të sakta dhe shkelje të kufizimeve financiare të Premier League dhe UEFA-s.

    Premier League thotë gjithashtu se marrëveshjet e kontestuara përfshinin financim nga Abu Dhabi United Group (ADUG) dhe se efekti i skemave të konstatuara nga komisioni ishte mbi 900 milionë funte në rritje artificiale të të ardhurave ose ulje të kostove gjatë periudhës në fjalë.

    Manchester City i kundërshton këto përfundime dhe deklaron se ka paraqitur një trup të gjerë provash në mbështetje të qëndrimit të klubit.

    “Klubi është i pafajshëm ndaj akuzave të bëra nga Premier League dhe ekziston një sasi e plotë provash të pakundërshtueshme në mbështetje të qëndrimeve tona.”

    Klubi ka theksuar se do të respektojë procesin ligjor, por nuk mund të japë më shumë detaje për sa kohë procedurat janë në zhvillim.

    Ankesa do të shqyrtohet nga një Appeal Board i pavarur. Premier League ka konfirmuar se seanca e apelit do të zhvillohet në mënyrë private dhe konfidenciale, ndërsa vendimi do të publikohet kur rregullat ta lejojnë.

    Ndërkohë, çështja e sanksionit është ende për t’u përcaktuar në një procedurë të veçantë. Sipas Premier League, masat që mund të aplikohen nga komisioni përfshijnë gjoba, zbritje pikësh dhe sanksione të tjera sportive.

    Pra, beteja mes Manchester Cityt dhe Premier League nuk ka përfunduar. Tashmë, fokusi kalon te procesi i apelit dhe te përcaktimi i pasojave të mundshme të vendimit fillestar.

  • Për të pestin vit radhazi, Interex dhe Spitali Amerikan në mbështetje të shëndetit të grave

    Për të pestin vit radhazi, Interex dhe Spitali Amerikan në mbështetje të shëndetit të grave

    Një nismë që shkon përtej ndërgjegjësimit, duke u ofruar grave mundësi konkrete për kontrolle falas dhe kujdes ndaj shëndetit të tyre

    Tetori Rozë është më shumë se një muaj simbolik. Është një kujtesë e rëndësishme për çdo grua që shëndeti duhet të jetë prioritet dhe se kujdesi i hershëm mund të bëjë një ndryshim të madh.

    Duke besuar se kujdesi për shëndetin është një përgjegjësi që kërkon veprime konkrete, Interex, në bashkëpunim me Spitalin Amerikan, vazhdon për të pestin vit radhazi fushatën në mbështetje të grave dhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

    Këtë vit, ashtu si edhe në vitet e kaluara, kjo nismë u mundëson grave të përfitojnë echo dhe mamografi falas në Spitalin Amerikan. Mundësia është e hapur jo vetëm për punonjëset e Interex, por edhe për të gjitha klientet dhe gratë e tjera që dëshirojnë të kujdesen për shëndetin e tyre.

    Për të përfituar nga kjo mundësi, gratë mund të vizitojnë cilëndo pikë të Interex-it, ku mund të lënë të dhënat e tyre personale. Çdo e interesuar për kontrollë, pas plotësimit të të dhënave personale në Interex, duhet ta caktojë vetë terminin duke kontaktuar në numrat:

    • AHK 1: 049 935 312
    • AHK 2: 048 60 50 50

    Të dhënat mund të dorëzohen vetëm deri më 31 tetor në pikat Interex. Duke pasur parasysh fluksin e madh të termineve gjate kësaj periudhe, këto termine nund të shtyhen deri më 31 dhjetor.

    Përmes kësaj nisme, Interex synon që mesazhi i Tetorit Rozë të mos mbetet vetëm në fjalë, por të shndërrohet në një mundësi reale për gratë. Sepse informimi, kontrolli me kohë dhe qasja në shërbime shëndetësore janë hapa të rëndësishëm në kujdesin ndaj vetes.

    Pesë vite angazhim janë dëshmi e vazhdimësisë së këtij përkushtimi dhe e bindjes se përgjegjësia ndaj komunitetit nuk matet vetëm me atë që një kompani ofron, por edhe me ndikimin pozitiv që krijon në jetën e njerëzve.

    **Interex – sepse kujdesi për ty ka rëndësi, çdo ditë.**

  • Lionel Messi bëhet pronar i Eldenses, blen klubin e dytë në Spanjë

    Lionel Messi bëhet pronar i Eldenses, blen klubin e dytë në Spanjë

    Lionel Messi ka përfunduar blerjen e klubit spanjoll Eldense, duke bërë një tjetër hap të rëndësishëm në botën e futbollit edhe jashtë fushës.

    Klubi, që garon në divizionin e dytë të futbollit spanjoll, e ka konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen përmes një njoftimi të publikuar më 1 tetor.

    Blerja e Eldenses e bën Messin pronar të dy klubeve në futbollin spanjoll. Më herët, ylli argjentinas kishte marrë kontrollin e UE Cornellà, klub katalanas që garon në nivelet më të ulëta të futbollit spanjoll.

    Eldense është klub nga qyteti i Elda, në provincën e Alicante-s, dhe është themeluar në vitin 1921. Skuadra zhvillon ndeshjet në shtëpi në stadiumin Nuevo Pepico Amat, me kapacitet rreth 5,800 tifozë.

    Klubi u rikthye në nivelin e dytë të futbollit spanjoll në sezonin 2023/24, pas rreth gjashtë dekadash mungesë.

    Pas shtatë javëve të para të kampionatit, Eldense ka regjistruar një fitore, dy barazime dhe katër humbje, duke u renditur në pjesën e poshtme të tabelës.

    Tashmë, me hyrjen e Messit në pronësi, klubi pritet të nisë një kapitull të ri, me fokus te zhvillimi dhe rritja e projektit.

    1. Blerja e Eldenses lidhet me interesin e Messit për të zgjeruar aktivitetin e tij në biznesin e futbollit. Argjentinasi, i cili aktualisht luan për Inter Miami, po ndërton gjithnjë e më shumë një rol edhe jashtë fushës.

      Shuma e saktë e transaksionit nuk është bërë publike. Në muajt e fundit është raportuar për një ofertë prej rreth 12 milionë eurosh nga biznesmeni argjentinas Ricardo Pini, por nuk ka konfirmim se kjo është shuma e paguar nga Messi.

      Pronari i mëparshëm i Eldenses ishte grupi ndërkombëtar i investimeve i biznesmenit kolumbian Juan Carlos Trujillo, i cili e kishte marrë drejtimin e klubit në tetor 2025.

      Tashmë, Messi nis një tjetër aventurë në futbollin spanjoll, këtë herë si pronar i një klubi me histori mbi një shekull dhe me ambicie për t’u zhvilluar në vitet e ardhshme.

  • Edon Zhegrova i qartë për të ardhmen te Juventusi: “E dua këtë klub dhe dua të bëj gjëra të mëdha”

    Edon Zhegrova i qartë për të ardhmen te Juventusi: “E dua këtë klub dhe dua të bëj gjëra të mëdha”

    Ylli i Kosovës, Edon Zhegrova, ka folur për të ardhmen e tij te Juventusi, duke bërë të qartë se dëshiron të vazhdojë aventurën në Torino, pavarësisht pasigurive që shoqëruan të ardhmen e tij gjatë verës.

    Pas barazimit 0–0 të Kosovës ndaj Izraelit, Zhegrova foli për SportMediaset, ku shprehu dashurinë për klubin italian dhe ambicien për të arritur objektiva të mëdha me fanellën bardhezi.

    Futbollisti kosovar e konsideron një privilegj të jetë pjesë e një prej klubeve më të mëdha të futbollit italian.

    “Jam shumë i lumtur që jam këtu. Është një klub i madh dhe mund të jem vetëm i kënaqur me shokët e ekipit, klubin, trajnerin dhe të gjithë stafin. Do të jap më të mirën nga vetja sa herë që dal në fushë.”

    Megjithatë, jo gjithçka ka shkuar sipas pritshmërive të tij. Zhegrova nuk u përfshi në listën e Juventusit për Ligën e Evropës, por ai thotë se e respekton vendimin e trajnerit.

    I pyetur nëse Juventusi është më i mirë se rivali i madh, Interi, Zhegrova nuk u përfshi në debat, por përgjigjja e tij ishte e shkurtër dhe me buzëqeshje:

    Nuk dua të flas për këtë, por Juventusi është gjithmonë më i mirë.

    Zhegrova tashmë ka lënë gjurmë në sezonin e tij me Juventusin, duke realizuar dy gola në një ndeshje ndaj Sassuolos, pasi u aktivizua nga banka rezervë.

    Tani, reprezentuesi i Kosovës synon të fitojë më shumë hapësirë dhe të tregojë vlerat e tij në fushë, me objektivin për të qenë një pjesë e rëndësishme e Juventusit.

  • Xavi pranon fajin pas pjesës së parë të dobët në ndeshjen Greqi-Holandë: “Më falni, gabimi ishte imi”

    Xavi pranon fajin pas pjesës së parë të dobët në ndeshjen Greqi-Holandë: “Më falni, gabimi ishte imi”

    Trajneri i Holandës, Xavi Hernández, ka marrë përsipër përgjegjësinë për paraqitjen zhgënjyese të skuadrës në pjesën e parë ndaj Greqisë, në një ndeshje që përfundoi me rezultat 2–2 në Selanik.

    Holandezët patën një start të dobët dhe shkuan në pushim me dy gola disavantazh. Për Xavin, problemi nuk qëndronte te lojtarët, por te mënyra se si skuadra ishte përgatitur për ndeshjen.

    “Pjesa e parë ishte shumë e keqe. Nuk krijuam pothuajse asgjë, na mungoi intensiteti dhe ambicia. Ky është gabimi im. Ndoshta formacioni nuk ishte i duhuri”, deklaroi ai.

    Në dhomën e zhveshjes, tekniku holandez zgjodhi të mos ngrinte zërin, por t’u kërkonte falje lojtarëve.

    “Lojtarët ishin të mërzitur. U thashë: ‘Më falni, është faji im’. Duhej të ndryshonim mënyrën e të menduarit”, tregoi Xavi.

    Trajneri holandez vlerësoi reagimin e futbollistëve pas pushimit, duke e konsideruar atë një element pozitiv për vazhdimësinë e ekipit në ndeshjen kundër Serbisë të dielën ku tulipanët synojnë të marrin 3 pikë.

    Kujtojmë që Holanda ka 5 pikë në grupin b të Ligës A të Ligës së Kombeve pas 3 ndeshjeve në vendin e dytë me dy pikë më pak se Greqia në pozitën e parë dhe 1 më shumë se Gjermania që gjendet në pozitën e tretë me 4 pikë.

  • Jorge Jesus nuk lëkundet nga qëndrimet për largimin e Cristiano Ronaldos

    Jorge Jesus nuk lëkundet nga qëndrimet për largimin e Cristiano Ronaldos

    Cristiano Ronaldo ishte i pakënaqur pas ndeshjes ndaj Norvegjisë, të cilën Portugalia e fitoi 2–1. Kapiteni portugez nuk u aktivizua në atë takim, megjithëse u dërgua për t’u ngrohur gjatë ndeshjes.

    Pas përfundimit të takimit, Ronaldo u largua drejt dhomave të zhveshjes i zhgënjyer. Më pas, ai mungoi në një seancë stërvitore dhe vendosi të largohej nga grumbullimi i kombëtares.

    Përmes një postimi në Instagram, Ronaldo bëri të ditur se vendimin e kishte marrë pas një bisede me presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, duke paralajmëruar se do të shpjegonte më vonë arsyet e tij.

    Pas fitores ndaj Danimarkës, gazetarët e pyetën Jorge Jesus nëse zhvillimet e fundit kishin ndikuar në qëndrimin e tij për statusin e lojtarëve dhe nëse ishte penduar për deklaratat e mëparshme.

    Emri i Ronaldos nuk u përmend drejtpërdrejt gjatë konferencës për shtyp, sipas raportimeve të Record, por situata e tij mbetet një prej temave kryesore rreth kombëtares portugeze.

    Ronaldo është një prej figurave më të rëndësishme në historinë e Portugalisë, me 268 paraqitje dhe 164 gola për kombëtaren. Ai ka fituar me Portugalinë Euro 2016 dhe Ligën e Kombeve në vitet 2019 dhe 2025.

    Ndërkohë, Portugalia vazhdon rrugëtimin në Ligën e Kombeve, me fitoren ndaj Danimarkës që i dha skuadrës një tjetër sinjal pozitiv në fushë, pavarësisht zhvillimeve jashtë saj.

  • Gazeta austriake “Der Standard”me artikull për stadiumin “Fadil Vokrri”

    Gazeta austriake “Der Standard”me artikull për stadiumin “Fadil Vokrri”

    Në prag të përballjes Kosovë–Austri, stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë rikthehet në vëmendje jo vetëm si arenë sportive, por si një vend që për dekada ka qenë dëshmitar i momenteve të rëndësishme të historisë së futbollit dhe shoqërisë kosovare.

    Gazeta austriake “Der Standard” i ka kushtuar një artikull të veçantë stadiumit të Prishtinës, duke rrëfyer historinë e tij përmes katër ndeshjeve që, në periudha të ndryshme, kanë marrë një domethënie të veçantë.

    Edhe pse stadiumi nuk është një impiant modern në kuptimin tradicional – një strukturë ovale me pistë atletike dhe me kapacitet prej afro 14 mijë ulësesh – “Fadil Vokrri” mbart histori që shkon përtej futbollit.

    21 gusht 1983 – Prishtina 2:1 Partizani i Beogradit

    Në fillim të viteve ’80, FC Prishtina ishte shndërruar në një prej simboleve të futbollit kosovar dhe në vitin 1983 u ngjit për herë të parë në elitën e futbollit jugosllav.

    Përballja me kampionin në fuqi, Partizanin e Beogradit, më 21 gusht 1983, mblodhi rreth 35 mijë tifozë në stadium. Në një kohë kur tensionet politike dhe etnike ishin të pranishme në Jugosllavi, ndeshja mori një dimension që shkonte përtej 90 minutave.

    Partizani kaloi në epërsi përmes Dragan Mance, por Prishtina reagoi. Zoran Batroviq barazoi rezultatin, ndërsa më pas, pas një incidenti në fushë dhe përjashtimit të një lojtari të Partizanit, vendasit shfrytëzuan epërsinë numerike.

    Heroi i mbrëmjes ishte Fadil Vokrri, i cili shënoi golin e fitores për 2–1.

    Vetëm dhjetë ditë më vonë, stadiumi përjetoi një tjetër spektakël, kur rreth 35 mijë tifozë – sipas disa burimeve edhe më shumë – panë Prishtinën të mposhtte Dinamon e Zagrebit 3–2.

    “Shumica nuk erdhën vetëm për të parë sport”, kujtonte vite më vonë Vokrri.

    18 gusht 1991 – Prishtina dhe shkëputja nga futbolli jugosllav

    Në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90, ndryshimet politike në Kosovë prekën edhe sportin. Pas kufizimit të autonomisë së Kosovës, shqiptarët nisën të ndërtonin struktura të veçanta edhe në futboll.

    Ndeshja e parë e sezonit 1991 ndaj Mogren Budvës nuk u zhvillua. Trajneri Ajet Shosholli dha dorëheqjen, ndërsa një ditë më vonë lojtarët shqiptarë të Kosovës u larguan nga sistemi i futbollit jugosllav.

    Mes tyre ishte edhe Kushtrim Munishi, vetëm 18 vjeç në atë kohë.

    “Nuk donim të kishim më asnjë lidhje me Serbinë. Ato ishin hapat e parë drejt pavarësisë”, kujton ai.

    Pas kësaj periudhe, për rreth tetë vjet stadiumi i Prishtinës mbeti jashtë përdorimit për klubet shqiptare të Kosovës, pasi atyre iu ndalua përdorimi i objekteve publike.

    23 korrik 1999 – Rikthimi pas luftës

    Vetëm disa javë pas përfundimit të luftës në Kosovë, “Fadil Vokrri” u rikthye në jetë.

    Më 23 korrik 1999, FC Prishtina zhvilloi një ndeshje miqësore ndaj një përzgjedhjeje nga Tetova, duke fituar 4–3.

    Për tifozët, ajo nuk ishte thjesht një ndeshje futbolli. Ishte rikthimi në një stadium që për vite kishte qenë i heshtur.

    Para takimit u organizua edhe një koncert, ndërsa stadiumi u mbush me njerëz.

    “Nuk mund t’i përshkruash emocionet që ndjen në një moment të tillë”, ka kujtuar Munishi, i cili ishte kthyer nga Austria.

    Pas tetë vitesh, njerëzit më në fund po shihnin sërish futboll në stadiumin e Prishtinës.

    10 shtator 2018 – Kosova 2:0 Ishujt Faroe

    Një tjetër kapitull nisi pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe anëtarësimit të saj në UEFA dhe FIFA.

    Më 10 shtator 2018, “Fadil Vokrri” priti ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare të Kosovës në Prishtinë. Përballë ishin Ishujt Faroe, ndërsa në tribuna ishin 12,667 tifozë.

    Kosova fitoi 2–0 dhe një prej golave u shënua nga Atdhe Nuhiu.

    “Atmosfera ishte fantastike”, kujton Nuhiu. “Duke marrë parasysh gjithçka që vendi ka kaluar, futbolli u ka dhuruar vazhdimisht pak lumturi.”

    Për të, goli në atë mbrëmje ishte më shumë se një moment sportiv: ishte mundësia për të parë nga afër gëzimin e tifozëve kosovarë.

    Një stadium, shumë histori

    Nga netët e zjarrta të viteve ’80, përmes shkëputjes nga sistemi jugosllav dhe rikthimit pas luftës, deri te ndeshjet ndërkombëtare të Kosovës si shtet i pranuar në UEFA dhe FIFA, stadiumi “Fadil Vokrri” ka kaluar nëpër disa prej kapitujve më të rëndësishëm të futbollit kosovar.

    Prandaj, në prag të Kosovës dhe Austrisë, rëndësia e këtij stadiumi nuk matet vetëm me numrin e ulëseve apo me pamjen e tij.

    “Fadil Vokrri” është një arkiv i gjallë i futbollit kosovar – një vend ku sporti, kujtesa dhe historia janë ndërthurur për dekada.

  • Procredit Superliga në Aksion – Xhiroja e tretë sjell përballje që premtojnë spektakël

    Procredit Superliga në Aksion – Xhiroja e tretë sjell përballje që premtojnë spektakël

    Java e tretë e Pro Credit Superligës së Kosovës në basketboll zbret në parket këtë fundjavë, me katër ndeshje që sjellin duele interesante.

    Xhiroja hapet të shtunën në Prizren, ku Bashkimi pret Trepçën në palestrën “Sezai Surroi”, në një përballje mes dy skuadrave që e njohin mirë rivalitetin. Bashkimi vjen pas dy fitoreve në kampionat dhe pas triumfit ndaj Trepçës në Superkupë.

    Në anën tjetër mitrovicasit synojnë që t’iu hakmerren prizrenasve për këtë humbje në finale të Superkupës,dhe poashtu të kthehen tek fitorja në ligë pas humbjes ndaj GO+Pejës xhiron e kaluar.

    Të dielën, Sigal Prishtina përballet me Golden Eagle Yllin ku synon fitoren e rradhës kurse suharekasit kërkojnë fitoren e parë të sezonit, ndërsa në mbrëmje Peja pret Vëllaznimin në “Karagaçi”. Peja hyn në këtë sfidë pas fitores ndaj Trepçës, ndërsa Vëllaznimi kërkon fitoren e parë të sezonit.

    Në fund xhiroja e tretë përmbyllet me ndeshjen Bora-Rahoveci 029,ku ekipi i Boras e nisi mjaft mirë këtë sezon me dy fitore teksa vreshtarët do të tentojnë fitoren e parë në Procredit Superligë.

  • Barcelona mohon raportimet e mediave për nisjen e hetimeve nga UEFA për rastin Negriero

    Barcelona mohon raportimet e mediave për nisjen e hetimeve nga UEFA për rastin Negriero

    Gjiganti katalunas Barcelona ka mohuar akuzat në raportimet e mediave se UEFA ka nisur procedurat për rastin Negriero.

    Real Madrid kishte dërguar një dokumentacion të gjerë tek UEFA,ku klubi spanjoll pretendon se që nga viti 2001 e deri në vitin 2018 Barcelona kishte bërë pagesa që tejkalonin shumën prej 8 milionë euro për Jose Maria Enriquez Negreiro, ish-nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve në Federatën Spanjolle të Futbollit,dhe kërkon që të gjitha titujt e fituar gjatë asaj periudhe të hiqen.

    Përndryshe drejtuesit katalunas kanë bërë të ditur se shtëpia evropiane e futbollit se UEFA nuk ka hapur kurrfarë procedure kundër Barcelonës,de se ato u nisën tre vjet më parë me emërimin e dy hetuesve të cilët që atëherë kanë kryer veprimet që i kanë konsideruar të nevojshme.

    Në fund klubi katalunas bëri të ditur se ky është një hetim dhe shqyrtim në vazhdim teksa ende UEFA sipas tyre nuk njoftoi për rifillimin e procedurave ,dhe më pas theksuan se është detyrë e hetuesve të vendosin se çfarë hapash do të ndërmarrin në përgjigje të dokumentacionit të ofruar.

    Në rast se akuzat e Real Madrid-it vërtetohen nga UEFA atëherë Barcelona mund të merrë përjashtim nga Liga e Kampionëve,dhe poashtu do t’i hiqeshin titujt e fituar të La Ligës gjatë periudhës së Negrieros.

    Kujtojmë që gjatë periudhës së Negrieros nga viti 2001 e deri në vitin 2018 fitoi nëntë tituj të La Ligës dhe 4 tituj të Ligës së Kampionëve.

  • Lojtarët e Kombëtares së Kosovës të pakënaqur me barazimin ndaj Izraelit

    Lojtarët e Kombëtares së Kosovës të pakënaqur me barazimin ndaj Izraelit

    Kombëtarja e Kosovës nuk ka arritur të nxjerrë më shumë se një barazim kundër Izraelit pa gola 0:0,ndeshje që i takoi grupit 3 të Ligës së Kombeve.

    Futbollistët dardanë u shprehën tejet të zhgënjyer me këtë rezultat,duke bërë me dije se fitorja ndaj izraelitëve ishte e domosdoshme për shanset e Kosovës për pozitën e parë në grup pas barazimit të Austrisë ndaj Irlandës 2:2.

    Kapiteni Mërgim Vojvoda ka deklaruar se ekipi duhet të jetë i kënaqur me pikën e marrë,dhe konsideron se gara për pozitën e parë është ende e hapur dhe të fokusohen të dielën në ndeshjen kundër Austrisë.

    Leon Avdullahu thotë se Kosova nuk e meritoi fitoren kundër Izraelit për mënyrën sesi luajti ,por thotë se mungesa e Vedat Muriqit ka bërë të veten ku ky i fundit u lëndua para fillimit të ndeshjes,teksa shton se ndaj Austrisë ekipi duhet të rikuperohet dhe se synimi duhet të jetë vendi i parë.

    Milot Rashica ka thënë se pritshmëritë për të marrë 3 pikë ishin shumë të mëdha,por në fund shtoi se Izraeli pati raste shënimi dhe se duhet marrur këtë pikë që ekipi të ec tutje.

    Në fund foli edhe Valmir Matoshi i cili ka deklaruar se ky barazim ndaj Izraelit është si humbje,teksa dha një premtim që do të jap maksimumin në fushë për Kosovën sa herë që i jipet rasti.

    Kujtojmë që Kosova ndeshjen e rradhës e zhvillon kundër Austrisë të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.