ATV

Blog

  • Shqipëria në ditën e katërt të përmbytjeve, Rama: Do kompensohen dëmet

    Shqipëria në ditën e katërt të përmbytjeve, Rama: Do kompensohen dëmet

    Në ditën e katërt nga moti i keq, janë 1587 banesa dhe 13211 hektarë tokë të përmbytura.

    Bilanci u shpall në mbledhjen e këshillit të Emergjencave Civile të cilin e drejtori kryeministri Rama. Për situatën e krijuar janë vënë në dispozicion 50 milionë euro, dhe sipas kreut të ekzekutivit, do dëmshpërblehen banorët e prekur.

    Ndërkohë sot është shfaqur që përmirësim i situatës në disa zona, ku ka nisur tërheqja e ujit.

    Në Durrës vijon të mbetet problematike, edhe pse në disa zona ka shenja të përmirësimit. Në Durrësin e Ri (ish-Kënetë), strukturat e emergjencave dhe grupet e shërbimit ndodhen në terren, ku po punohet për normalizimin e plotë të situatës. Paralelisht, vijojnë verifikimet dhe vlerësimet në banesat e përmbytura, ku deri më tani janë konstatuar 2 380 banesa të prekura nga uji. Në qytetin e Durrësit, situata është ende e ndjeshme. Aktualisht janë 356 persona të evakuuar, prej të cilëve 123 janë akomoduar në hotele, ndërsa 304 të tjerë janë strehuar në dy konvaleshencat e ministrive të Brendshme dhe të Mbrojtjes.

    Në Sukth, situata paraqitet disi më e lehtësuar. Në zonën e Vadardhës, uji ka nisur të tërhiqet, megjithatë autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të pasojave të shumta të përmbytjeve. Në këtë zonë janë evakuuar 322 persona, nga të cilët 76 janë strehuar në hotele, ndërsa 246 pranë familjarëve.

    Prurjet e lumit Vjosa kanë shënuar rënie gjatë natës. Aktualisht, prurjet e ujit janë ulur dhe niveli i ujit te Ura e Mifolit është 8.4 metra, duke bërë që uji të tërhiqet gradualisht nga zonat e përmbytura. Megjithatë, situata mbetet problematike në zonën e Bishanit, ku nënkalimi vijon të jetë i mbuluar nga rreth 2 metra ujë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.

    Situata hidrometeorologjike në qarkun e Fierit paraqitet më e qëndrueshme, ndërsa autoritetet raportojnë për ulje të niveleve të lumenjve dhe funksionim normal të infrastrukturës kryesore.

    Situata në qarkun e Korçës vijon të jetë problematike në disa zona, si pasojë e reshjeve të shiut, borës dhe temperaturave të ulëta.

    Problematika janë evidentuar në disa zona të bashkisë Gramsh, ku si pasojë e motit të keq dhe temperaturave të ulëta është raportuar ndërprerje e energjisë elektrike dhe bllokim të fshatrave për shkak të dëborës./ Tch

  • Gjermania mbyll shkollat për shkak të motit të keq

    Gjermania mbyll shkollat për shkak të motit të keq

    Gjermania pritet të përballet me atë që meteorologët e kanë vlerësuar gjendje të rënduar si pasojë e reshjeve të shtuara të borës, këtë fundjavë.

    Kjo situatë që po shkon duke u përkeqësuar, ka detyruar anulimin e disa aktiviteteve zyrtare, përfshirë edhe mbylljen e shkollave. Po ashtu, është raportuar edhe për vonesa në fluturime dhe telashe në rrugë e zona të thella, në disa pjesë të vendit.

    Shërbimi Meteorologjik Gjerman (DWD) e ka parashikuar motin e fundjavës si “ekstrem”, duke paralajmëruar se në disa rajone mund të bien deri në 20 centimetra dëborë gjatë së premtes.

    Është thënë po ashtu se “kombinimi i erës dhe dëborës” mund të sjellë kaos dhe të shkaktojë ndërprerje të mëdha në komunikacion, përfshirë bllokime rrugësh dhe probleme serioze në qarkullim, raporton DPA, përcjell Kosovapress.

    Sipas parashikimeve, stuhia “Elli” pritet ta arrijë kulmin e saj të premten, përpara se të dobësohet dhe të lëvizë drejt lindjes, në drejtim të Republikës Çeke, të shtunën.

    Për shkak të këtyre paralajmërimeve, partia në pushtet CDU ka anuluar takimin e saj të parë madhor të vitit që ishte paraparë të mbahet të premten dhe të shtunën, në Mainz. Zëdhënësja e kësaj partie tha të enjten se vendimi u mor për shkak të rrezikut nga moti ekstrem dhe anulimeve të paralajmëruara të trenave dhe fluturimeve.

  • Bundesliga gjermane rikthehet me ndeshjet e xhiros së 16-të

    Bundesliga gjermane rikthehet me ndeshjet e xhiros së 16-të

    Këtë fundjavë rikthehet Bundesliga gjermane pas pauzës së festive të fundvitit me ndeshjet interesante të xhiros së 16-të.

    Kampioni dhe lideri aktual Bayern Munich e pret në Allianz Arena skuadrën e Ëolfsburgut,ku bavarezët synojnë 3 pikë dhe të përforcojë pozitën e parë,teksa në anën tjetër Ëolfsburg do të mundohet që nga kjo ndeshje e vështirë të marrë një rezultat pozitiv.

    Në anën tjetër Borussia Dortmund do të luaj në udhëtim kundër Eintracht Frankfurt-it ,ku ekipi i Niko Kovac do të synoj që ta nis me fitore vitin 2026 njëjtë sikurse edhe Frankurt që para tifozëve të vet synon pikë në këtë takim.

    Në ndeshjet e tjera që do të zhvillohen këtë fundjavë në Gjermani RB Leipzig luan në udhtëim tek skuadra e St.Paulit,kurse Bayer Leverkusen e pret në BayArena skuadrën e Stuttgartit.

  • Vërshimet në Drenas: Komuna u bën thirrje qytetarëve t’i raportojnë dëmet sa më parë

    Vërshimet në Drenas: Komuna u bën thirrje qytetarëve t’i raportojnë dëmet sa më parë

    Komuna e Drenasit ka ftuar zyrtarisht të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme nga vërshimet e ditëve të fundit, që t’i drejtohen Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve.

    Përmes një njoftimi publik, komuna ka bërë të ditur se paraqitja e kërkesave brenda një afati sa më të shpejtë është e domosdoshme për të nisur procesin e kompensimit.

    Komuna ka kërkuar që kërkesat të dorëzohen në sportelet e administratës komunale, duke respektuar këto kritere.

    “Komuna e Drenasit njofton të gjithë qytetarët që janë prekur nga vërshimet që të paraqiten sa më parë me kërkesat e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve. Paraqitja me kohë e kërkesave është e domosdoshme, në mënyrë që komisioni të mund të fillojë procesin e verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve sa më shpejt që të jetë e mundur. Kërkesat duhet të jenë të plota, të shoqëruara me të dhënat e nevojshme dhe të dorëzohen në sportelet e Komunës së Drenasit. Komuna e Drenasit mbetet e përkushtuar për të qenë pranë qytetarëve në këtë situatë dhe për të trajtuar me përgjegjësi çdo kërkesë të paraqitur”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

  • Sindikata e Trepçës: Keqpërdorimet serioze po tentohet t’u barten minatorëve, Prokuroria Speciale ta hetojë këtë katrahurë

    Sindikata e Trepçës: Keqpërdorimet serioze po tentohet t’u barten minatorëve, Prokuroria Speciale ta hetojë këtë katrahurë

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, përmes një reagimi ka deklaruar se është duke u bërë presion ndaj minatorëve që kanë ‘’bindje tjetër’’ dhe që ‘’mendon ndryshe’’ nga menaxhmenti i ndërmarrjes.

    Në reagimin e sindikatës është thënë edhe se pasojat e ‘’keqpërdorimeve serioze’’ që kanë krijuar humbje të mëdha financiare, po tentohet që tu barten minatorëve.

    ‘‘Komisionet disiplinore po veprojnë në mënyrë selektive dhe të njëanshme, nën ndikim dhe direktiva, jo mbi bazë të ligjit, fakteve dhe rregulloreve. Minatorëve po u mohohet e drejta në mbrojtje, në informim të drejtë dhe në trajtim të barabartë në raportet e punës’’, thuhet mes tjerash nga sindikata, përcjell Gazeta Express.

    Më tej, nga sindikata thuhet edhe se, institucionet përgjegjëse po heshtin ndërsa Inspektorati i Punës nuk po reagon ndaj shkeljeve të vazhdueshme në marrëdhëniet e punës.

    Reagimi i plotë:

    Reagim për largimin e vazhdueshëm dhe të padrejtë të minatorëve nga Puna.

    Të nderuar minatorë,

    të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

    Shprehim shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë të thellë për përndjekjen selektive dhe presionin që po ushtrohet ndaj minatorëve në ditët e fundit, për secilin që ka bindje tjetër dhe mendon ndryshe nga menaxhmenti i ndërmarrjes, në një kohë kur problemet reale në Trepçë vazhdojnë të mbesin pa përgjegjësi dhe pa zgjidhje.

    Ndër vite janë evidentuar keqmenaxhime dhe keqpërdorime serioze, me humbje të mëdha financiare, për të cilat askush nga udhëheqja nuk ka dhënë llogari.

    Sot, pasojat e këtyre dështimeve po tentohen t’u barten minatorëve, të cilët po trajtohen si fajtorë për gabime që nuk i kanë shkaktuar.

    Komisionet disiplinore po veprojnë në mënyrë selektive dhe të njëanshme, nën ndikim dhe direktiva, jo mbi bazë të ligjit, fakteve dhe rregulloreve.

    Minatorëve po u mohohet e drejta në mbrojtje, në informim të drejtë dhe në trajtim të barabartë në raportet e punës.

    Në këtë situatë, institucionet përgjegjëse po heshtin dhe po vonohen në reagim.

    Inspektorati i Punës nuk po reagon ndaj shkeljeve të vazhdueshme në marrëdhëniet e punës. Prokuroria po vonon trajtimin e rasteve të dyshuara për keqpërdorime dhe shkelje ligjore. Gjykatat po zvarrisin procedurat, duke e bërë drejtësinë të vonuar dhe praktikisht të mohuar për minatorin.

    Shtrojmë publikisht pyetjen:

    Nëse minatori nuk mbrohet nga ligji dhe institucionet, kush e mbron atë?

    Po cenohet rëndë e drejta elementare për dinjitet në punë, për siguri, për trajtim njerëzor dhe për drejtësi.

    Është më e lehtë të ndërtosh karrierë personale duke mbyllur sytë para padrejtësive sesa të marrësh përgjegjësi për t’i ndrequr ato.

    Ne besojmë se drejtësia mund të vonojë, por nuk mund të shuhet. Edhe nëse sot dikush i shmanget përgjegjësisë, nesër ajo do të kërkohet nga ligji, nga shoqëria dhe nga vetë historia.

    U bëjmë thirrje minatorëve që të ruajnë qetësinë, unitetin dhe dinjitetin e tyre.

    Ne nuk kërkojmë konflikt, por drejtësi. Nuk kërkojmë privilegje, por trajtim të barabartë dhe njerëzor.

    Dhe se pavarsisht kostos që padrejtesisht na e faturoni neve si minator, asnjeher nuk do të mund të na nënshtroni dhe të na e ndrroni bindjen.

    Sindikata është duke e ndjekur situatën me vëmendje të plotë dhe së shpejti do të ndërmarrë hapa konkretë, bashkë me minatorët, për të kërkuar zgjidhje dhe drejtësi.

    Prandaj tani, për të saten herë, i bëjme ftesë publike Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të zhvilloj hetime serioze dhe të mos rrij duarkryq përball kësaj katrahure dhe përndjekje.

  • Zyra për Mbrojtjen e Viktimave trajtoi 51 raste për shtatë ditë, 48 nga dhuna në familje

    Zyra për Mbrojtjen e Viktimave trajtoi 51 raste për shtatë ditë, 48 nga dhuna në familje

    Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar 51 raste për shtatë ditë.

    Në një komunikatë të Zyra për Komunikim Publik e Kryeprokurorit të Shtetit janë listuar rastet ku prijnë rastet me dhunë në familje.

    Gjatë periudhës njëjavore të punës në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, mbrojtësit e viktimave në nivel të Kosovës kanë trajtuar gjithsej 51 raste të reja të paraqitura. Prej tyre:

    48 raste – dhunë në familje

    1 rast – trafikim

    2 raste – sulm seksual

    3 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje (KUM) të parashtruara në gjykatë

    8 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje Emergjente (KUME)

    1 kërkesë për ndërprerje të UM-së

    2 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje të përkohshëm Emergjente (KUME)

    6 aktvendime të aprovuara

    16 seanca gjyqësore

    4 seanca në prokurori

    51 këshilla juridike

    6 aktgjykime dënuese

    2 përfaqësime të rastit në polici

    8 referime të rastit në QPS

  • Trepça-Sigal Prishtina kryendeshja e fundjavës në Procredit Superligën e Kosovës në basketboll

    Trepça-Sigal Prishtina kryendeshja e fundjavës në Procredit Superligën e Kosovës në basketboll

    Procredit Superliga e Kosovës në basketboll pritet të sjellë xhiron e 14-të,ku pritet të ketë ndeshje mjaft interesante.

    Vëmendja pritet të jetë të dielën në palestrën “Minatori”në Mitrovicë,ku kampioni aktual Trepça e pret Sigal Prishtinën në El Classicon e basketbollit kosovar.

    Si njëra ashtu edhe skuadra tjetër do të synojnë fitore,ku xehetarët do të tentojnë që të mbesin lider në tabelë,kurse bardhëekaltërit për të mbetur në hap me skuadrat për pozitën e parë.

    Të dyja ekipet vijnë nga anagzhimet në Kupën e Kosovës,ku mitrovicasit humbën ndaj Golden Eagle Yllit,teksa kryeqytetasit fituan në udhëtim ndaj Vëllaznimit.

    Ndeshja Trepça-Sigal Prishtina pritet të nis nga ora 17:00.

    Në ndeshjet e tjera që do të zhvillohen këtë fundjavë Bashkimi e pret Boran në “Sezai Surroi”,teksa Vëllaznimi dhe Golden Eagle Ylli do të takohen kundër GO+Pejës respektivisht Rahovecit 029.

  • Pse dhimbja e kyçeve përkeqësohet në dimër?

    Pse dhimbja e kyçeve përkeqësohet në dimër?

    Me mbërritjen e dimrit, shumë veta vënë re se dhimbja në nyjet e tyre shtohet. Edhe pse ndonjëherë duket si rastësi, ekziston një lidhje e vërtetë midis temperaturave të ftohta dhe dhimbjes më intensive.

    I ftohti ndikon në lëvizshmërinë e kyçeve , qarkullimin e gjakut dhe muskujt, të cilat së bashku mund të shkaktojnë një ndjenjë ngurtësie dhe shqetësimi.

    Muajt ​​e ftohtë shpesh sjellin dhimbje të pakëndshme të kyçeve, veçanërisht për njerëzit që tashmë kanë kyçe të dëmtuara ose të konsumuara, Tportal.

    Cilat nyje vuajnë më shumë dhe pse

    Të gjitha nyjet mund të preken nga dhimbjet e dimrit, por ato që ndodhen më larg qendrës së trupit, siç janë duart dhe këmbët, janë veçanërisht të ndjeshme. Njerëzit me dëmtime ekzistuese ose konsumim afatgjatë të nyjeve në ato rajone shpesh përjetojnë dhimbje më të forta.Një nga arsyet kryesore është aktiviteti i zvogëluar fizik. Në dimër, njerëzit ecin më pak dhe ushtrohen jashtë, dhe për shkak të të ftohtit ndonjëherë shmangin palestrën. Lëvizja e zvogëluar çon në më pak “lubrifikim” të kyçeve dhe dobësim të muskujve, gjë që rrit shqetësimin.

    Kyçet janë të rrethuara nga një membranë sinoviale që prodhon lëng sinovial – “lubrifikanti” natyror i kyçit. Kur trupi lëviz më pak dhe temperatura është e ulët, ky lëng bëhet më i trashë dhe më pak efektiv, gjë që rrit më tej ndjesinë e ngurtësimit.

    Rënia e presionit barometrik gjatë dimrit mund të shkaktojë rritje të presionit të muskujve dhe tendinave në nyje, gjë që kontribuon më tej në dhimbje. Përveç kësaj, moti i ftohtë zvogëlon rrjedhjen e gjakut në ekstremitete për të mbrojtur organet jetësore, duke çuar në qarkullim më të dobët dhe më shumë dhimbje.

    Kush është më i ndjeshëm dhe si ta lehtësojë dhimbjen

    Edhe pse dhimbja e kyçeve mund të prekë njerëz të të gjitha moshave, ajo bëhet më e theksuar me moshën. Konsumimi natyror i kyçeve, puna fizike afatgjatë ose aktivitetet sportive me ngarkesë të lartë e rrisin më tej rrezikun.

    Njerëzit obezë, si dhe ata me diabet, presion të lartë të gjakut ose sëmundje të zemrës, janë gjithashtu më të prirur ndaj këtyre sëmundjeve.Qetësuesit e dhimbjeve mund të ndihmojnë, por në përgjithësi ofrojnë vetëm lehtësim të përkohshëm. Është shumë më e rëndësishme të zbatohen masa parandaluese: rrobat më të ngrohta dhe të shtresuara ndihmojnë në ruajtjen e temperaturës së trupit dhe në zvogëlimin e dhimbjes.

    Jastëkët ngrohës ose shishet me ujë të nxehtë përmirësojnë qarkullimin e gjakut dhe lëvizshmërinë e kyçeve.

    Lëvizja dhe ushtrimet e rregullta stimulojnë sekretimin e lëngut sinovial, zvogëlojnë ngurtësinë dhe forcojnë muskujt që mbrojnë nyjet. Mbajtja e aktivitetit fizik të moderuar ngadalëson konsumimin e nyjeve dhe zvogëlon rrezikun e lëndimit.

    Para se të filloni ushtrime të reja, rekomandohet të konsultoheni me një mjek, veçanërisht në rast të problemeve ekzistuese shëndetësore.Hidratimi është gjithashtu shumë i rëndësishëm, pasi marrja e mjaftueshme e lëngjeve kontribuon në ruajtjen e lëvizshmërisë së kyçeve. Nëse dhimbja shfaqet papritur, intensifikohet ose nëse kyçi skuqet, fryhet ose ngrohet, është e nevojshme të kërkoni ndihmë mjekësore.

    E njëjta gjë vlen edhe në rast të simptomave shtesë si ethe ose të përziera.

    Një zgjidhje afatgjatë mund të jetë edhe një program stërvitjeje forcuese që forcon muskujt dhe mbron nyjet. Programe të tilla duhet të kryhen nën mbikëqyrjen profesionale dhe duhet të zgjidhen aktivitete që e kënaqin personin, në mënyrë që ushtrimet të bëhen një zakon i përhershëm.

  • Sindikata e Policisë njofton: Pagesat e dhjetorit për familjet e policëve të rënë nuk janë realizuar

    Sindikata e Policisë njofton: Pagesat e dhjetorit për familjet e policëve të rënë nuk janë realizuar

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se familjet e policëve të rënë gjatë detyrës nuk kanë marrë pagesën për muajin dhjetor, përkundër kërkesës së bërë nga Drejtoria e Financave.

    Në një komunikatë zyrtare, sindikata thekson se pavarësisht kërkesës për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 290,000 euro, ato ende nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave:

    “Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit”, thuhet në komunikatë.

    Sindikata e ka quajtur këtë situatë të papranueshme dhe të dhimbshme për familjet e prekur dhe i bën thirrje institucioneve për zgjidhje urgjente:

    “Sindikata e Policisë së Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që sa më parë të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve”, thuhet tutje.

  • Diamant Bytyqi emërohet nënkryetar i Komunës së Lipjanit

    Diamant Bytyqi emërohet nënkryetar i Komunës së Lipjanit

    Me përgjegjësi institucionale dhe besim të plotë, sot mora vendim për emërimin e Diamant Bytyqit në detyrën e Nënkryetarit të Komunës.

    Diamanti është një njeri i përkushtuar, me integritet dhe vizion për të ardhmën. Jam i bindur se, me punë, urtësi dhe bashkëpunim, do t’u shërbejë me nder dhe përgjegjësi qytetarëve tanë.

    I uroj shumë sukses në këtë detyrë të rëndësishme dhe në punën tonë të përbashkët ka njoftuar Kryetari i Komunes se Lipjanit, Imri Ahmeti.